bovilla

UJI-TIRANE.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela17:46 | 08/11/2018

Dyfishimi i kapacitetit të filtrimit të ujit në Bovillë dhe një linjë e re në zonën e Yzberishtit, pritet të përmirësojnë furnzimin me ujë në Tiranë. Projektet i bëri të ditura Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Dy investime të rëndësishme pritet të përmirësojnë furnizimin me ujë për banorët e Tiranës.  Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tregoi ku po ndërhyhet.

“Së pari, për dyfishimin e të gjithë kapacitetit në zonën e Bovillës, ku kemi shtuar filtrimin, e mandej për të lidhur një linjë direkte në disa nga zonat me banorë të rinj të Tiranës, duke nisur nga Sheshi “Shqiponja”, deri te Fabrika e Mielit, që njihet si zona e Unazës së Re; një zonë e cila në letra ka 7 mijë banorë, por në realitet është 70 mijë banorë”.

Tre dekadat e fundit numri i popullsisë në Tiranë është pesëfishuar rrjedhimisht edhe nevoja për ujë. Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje qytetarëve të mos abuzojnë me ujin e pijshëm.

“Kur shoh nëpër qytet sesi burrat, sidomos burrat shqiptarë, qëndrojnë me dorë në zemër në lavazhe, ndërsa presin të lahet makina, e vë në dyshim nëse rrinë me dorë në zemër teksa lahen fëmijët e tyre, me të njëjtën dashuri që presin të lahet makina. Për t’i dhënë më shumë mundësi njeriut, sesa makinave, do të duhet ta disiplinojmë shpërdorimin e ujit. Uji është mall komercial, jo mall politik; shpeshherë në rajonin tonë kjo është ngatërruar. Është trajtuar si një mall politik dhe shumë prej Ujësjellës-Kanalizimeve janë kthyer në ndërmarrje ku “parkohen” militantët, me një eficiencë shumë të ulët pune. Më vjen mirë që kjo ka nisur të ndryshojë”.

Kryebashkiaku Veliaj i bëri këto deklarata në Konferencën Ballkanike për ujin që u zhvillua në Tiranë ku ekspertë dhe politikëbërës nga shumë vende të Europës ndanë përvojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rajonin tonë. /abcnews.al

BERZH-FINANCIM-PER-BOVILLEN-1280x720.jpg
ent ela16:28 | 19/03/2018

Investimet për një furnizim më të mirë të qyetarëve të Tiranës me ujë do të nisin shumë shpejt. Kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi me Drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim per Shqipërinë marrëveshjen e financimit për dy projekte kryesore.

Sasia e filtrimit të ujit nga Bovilla do të dyfishohet, ndërsa në zonën e unazës së re nëTiranë, Yzberisht dhe Kashar do të ndërtohet një linjë e re për furnzimin e banorëve me ujë të pijshëm. Financimi do të kryhet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi në Londër marrëveshjen e bashkëpunimit.

“Mezi pres të fillojmë menjëherë nga puna, si për të dyfishuar Bovillën në kapacitet filtrimi, si për të bërë magjistralen, e cila sjell ujë drejtpërdrejt nga Bovilla në një prej zonave më problematike të Tiranës, për t’u siguruar që brenda 5 viteve të mundësojmë ambicjen tonë dhe vendimet e rëndësishme që morëm në Këshillin Bashkiak, për t’i dhënë qytetit ujë 24 orë të pijshëm”

Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli beri te ditur që kjo është hera e parë që banka financon një projekt bashkie, pa mbështetjen e buxhetit të shtetit.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Po financojmë investime të rëndësishme për të përmirësuar furnizimin me ujë të Tiranës. Për herë të parë në Shqipëri, po financojmë një projekt bashkie pa mbështetjen e buxhetit të shtetit. Kjo gjë është e rëndësishme, por me siguri po shikojmë të bashkëpunojmë më shumë me UKT dhe qytetin, për të realizuar më shumë investime dhe për të zbatuar agjendën e qytetit, për ta bërë Tiranën një hapësirë të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Ky projekt i rëndësishëm u bë i mundur nga donacionet financiare të Fondit Special të BERZH-it, gjithashtu edhe  nga qeveria austriake”.

Kjo marreveshje bashkepunimi deklaroi kryebashkiaku Veliaj u dedikohet qytetarëve të Tiranës, të cilët janë treguar korrekt me detyrimet ndaj bashkisë./abcnews.al

 

 

thumbnail_Veliaj-me-vullnetaret-1-1280x720.jpg
us er15:38 | 02/12/2017

Kryebashkiaku Erion Veliaj mohon hapjen e portave të digës së Bovillës për të cilat opozita tha se ishin shkaku i përmbytjes së disa zonave në Tiranë.  Niveli i liqenit sipas tij është nën kuotën maksimale.

“Një qytetar që nuk e kupton si funksionon ujësjellësi ka të drejtë të mërzitet, por nuk u lejohet kjo atyre që deri dje kanë menaxhuar qytetin. Ne të gjithë e kuptojmë që Bovilla nuk është hapur, se që të hapet, së pari duhet të kapë nivelin maksimal, që ende s’e ka kapur. Së dyti, ka një protokoll ku i pari që njoftohet është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Kamzës, kështu që nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki. Së treti, edhe nëse hapet, nuk kalon fare në anën tjetër të Tiranës, sepse kemi një lum që na ndan në mes. Le të mos hapim panik. Ata që menaxhuan shtetin shqiptar dhe dështuan në mënyrë mizerabël vitet që ndodhi kjo katrahurë në Shqipëri me ndërtimet dhe me shërbimet publike, s’kanë të drejtë të flasin tani”

Nderkohe situata ne liqeni deklaroi kryetari i bashksie po shkon drejt permiresimit edhe sa i perket nivelit te turbullires se ujit, arsye qe detyroi stakimin e impiantit te perpunimit. Veliaj garantoi qytetarët për normalizimin e situatës me furnizimin me ujë brenda dites se shtune.

“Sot balta po dekandon, po i afrohemi parametrave ku mund të bëjmë filtrim normal të ujit dhe brenda ditës së sotme, Tirana do të kthehet në normalitet. Një pjesë e qytetit tashmë është stabilizuar. Na kanë ngelur dhe 4-5 lagje të tjera dhe besoj se përpara se të mbyllet dita sot, do të kemi stabilizuar gjithë situatën e ujit në Tiranë. Dua t’ju shpjegoj që filtrat e Bovillës filtrojnë ujin dhe në momentin që uji është i gjithë me llucë, ato bllokohen. Bllokimi i një filtri të Bovillës shkakton një muaj ndërprerje me ujë të Tiranës. Kemi vendosur diçka të vështirë, por diçka të drejtë”

Deklaratat kryetari i bashkise i beri ndersa iu bashkua grupit te vullentareve te cilet paketonin ushqime dhe veshje në magazinën e Rezervave të Emergjencës ngritur ne Farkë nga bashkia, per tjua shperndare me pas  familjeve ne nevoje. Bashkia thote se me ndihmën e rrjetit të vullnetarëve ndihma iu derguan familjeve në zonën e ish Institutit, në Njësinë 8, në Njësinë 4 pranë Bregut të Lumit dhe në Njësinë 6./abcnews.al

vlcsnap-error584-1280x720.jpg
us er14:25 | 01/12/2017

Reshjet dhe përmbytjet po rrisin turbullimin e ujit në rezervuarin e Bovillës. Kreu i bashkisë së Tiranës Veliaj, tha për ABC News se mund të kufizohet uji në Tiranë ndaj apeloi qytetarët për ta kursyer atë.

Përmbytjet kanë përfshirë edhe nënstacionin elektrik në Kashar ndërkohë që kanë turbulluar impantin e Bovillës duke bërë që Tirana të vuaj mungesën e energjisë elektrike dhe ujit.

 

Shqipëria është zgjuar nën ujë, ndërsa Tirana pa ujë dhe drita. Reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në nënstacionin elektrik të Kasharit punonjësit e të cilit i thanë ABC News se u detyruan ta stakojnë për gati tre orë. Për mungesë të energjisë elektrike, bashkia e kryqytetit thotë se dolën jashtë funksioni tre stacione pompimi, në Bërxull, ai në autostradën Tiranë-Durrës dhe Laknas duke bërë që zonat e Kinostudios , Xhamllikut, Alliasit, Pazarit te Ri, Rr. “5 Maji”, Laprakë, Rr. E “Kavajës”, Rr. e “Durrësit”, zona e “Vasil Shanto” dhe Yzberisht të mos furnizohen me ujë. Përfshirë Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ish spitalin ushtarak dhe dy maternitete të cilët bashkia thotë se i ka furnizuar me bote.

Por ndërsa nënstacioni i Kasharit, pas largimit të ujit nga Forcat e Armatosura është kthyer në gjendje pune, liqeni i Bovillës ndodhet në gjendje kritike dhe është stakuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një lidhje telefonike për ABC News, shpjegoi se niveli i turbullirës së ujit në impiant është më i lartë se ajo që duhet të jetë për tu përpunuar.

Aktualisht ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, sipas bashkisë po shfrytëzon maksimalisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit për të furnizuar me ujë banorët e kryqytetit deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

 

Njoftimi i Bashkisë:

Reshjet e dendura që kanë përfshirë Tiranën, që prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, kanë shkaktuar turbullirë në Liqenin e Bovillës, duke sjellë një situatë kritike në impiantin e përpunimit të ujit e për rrjedhojë në furnizimin me ujë për një pjesë të qytetit.

Aktualisht, nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht për t’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. Për këtë arsye, momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar.

Situatën në të cilën ndodhet impianti i Bovillës dhe nivelin e turbullirës aty e tregon edhe kjo video e regjistruar pak minuta më parë në stacion.

Pavarësisht kësaj, UKT po shfrytëzon maksimalisht të gjitha burimet e saj alternative, konkretisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit, për të ulur sa të jetë e mundur mungesën e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

Bashkia e Tiranës dhe UKT u bën thirrje të gjithë qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë orëve në vijim, derisa turbullira e shkaktuar nga prurja e madhe e rrjedhjeve në liqenin e Bovillës të pastrohet dhe impianti të kthehet në punë në kapacitet të plotë.

UKT ka marrë masat duke furnizuar me bote në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, maternitete, azile dhe konvikte etj., në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. UKT ka në dispozicion 20 bote që furnizohen vazhdimisht me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.

Për çdo problematikë me ujin e pijshëm, UKT ka në dispozicion numrin e saj pa pagesë 08004488.

Falenderojmë të gjithë banorët e kryeqytetit për mirëkuptimin dhe durimin!/abcnews.al

 

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono