Botëror

dhune.jpg
G. P.12:06 | 16/07/2018

Incidente dhe trazira në Paris gjatë festimeve për Kupën e Botës. Plackiten disa dyqane dhe bare në kryeqytet. Policia franceze detyrohet të evakuojë Champs Elysees me gaz lotsjellës dhe pompa uji.

Policia franceze evakuoi Champs Elysees, bulevardin e famshëm parizien, mes sheshit Konkord dhe Harkut të Triumfit, pas disa incidenteve dhe plackitjeve gjatë festikmeve për fitoren e kombëtares së Francës të Kupës së Botës. Pas triumfit të Francës shumë njerëz u mblodhën në Champs-Elysees, duke kënduar e duke hedhur fishekzjarre.

Me dhjetëra persona kanë hedhur objekte ndaj vitrinave të dyqaneve, ku u projektuan dhe emrat e futbollistëve francezë që triumfuan në Moskë. Agjentët e policisë janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe turma u shpërnda.

Sipas mediave franceze, disa të rinj, një pjesë të maskuar, kanë hyrë në vinoteka duke vjedhur shampanjë dhe verë. E njëjta gjë ndodhi dhe në një bar të një qendre tregtare. Pak para mesnate prefektura vendosi të evakuojë totalisht atë që parizienët e cilësojnë si rrugën më të bukur në botë, duke përdorur madje dhe pompat e ujit.

Por incidente dhe përplasje me agjentët e policisë kanë ndodhur dhe në qendër të Lion. Kanë qenë rreth 110 mijë agjentët e policisë të vendosur në gadishmëri nga Ministria e Brendshme franceze për të garantuar sigurinë e kësaj fundjave të veçantë franceze.

Në Anesi, në juglindje të Francës, një 50-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në një kanal gjatë festimeve për fitoren e Botërorit./abcnews.al

ndeshja.jpg
G. P.13:58 | 15/07/2018

Kush do të jetë kampione e botës, Franca apo Kroacia? Kjo do të mësohet pas finales së madhe të Botërorit, që luhet në orën 17:00 në Moskë.

Ja edhe udhëtimi i fundit.

A thua Franca po shkon drejt triumfit të madh të radhës, një tjetër titulli botëror?

Me gjashtë finale në histori, kjo kombëtare ka padyshim një traditë më të madhe sesa Kroacia.

Luhet për Kupën e dytë të Botës, që do ta vendoste Francën edhe më shumë në mes kombëtareve më të lavdishme në rruzull, dhe trajneri Didier Deschamps, e di se çdo të thotë të fitosh.

“Është një privilegj i madh, është kënaqësi e vërtetë të jesh këtu. U kam thënë lojtarëve se nuk ka gjë më të bukur sesa një finale e Kupës së Botës. Do t’u them po ashtu, “ruani qetësinë, besoni në vetvete dhe përqëndrohuni”. Pësimet e finales së humbur në 2016 do të na ndihmojnë këtë herë. Kroacia ka talent dhe përvojë të madhe, por jemi ndeshur edhe më parë me ekipe të këtij niveli, me lojtarë si Messi apo Hazard”, tha trajneri i Francës.

Kapiteni Lloris thotë sesi është motivimi tek francezët.

“Jemi në finale, por nuk mendojmë se e kemi arritur qëllimin tonë. Ne duam të fitojmë Kupën e Botës, por e dimë se kemi përballë një kundërshtar të një cilësie maksimale. Kroacia meriton po aq vlerësim sa edhe ne. Do të duhet të luajmë finalen e përsosur për t’ia dalë”, tha kapiteni francez.

Kroacia luan finalen e parë në histori, dhe padyshim euforia është më e madhe tek ajo.

Mund të jetë një minus, por trajneri Zllatko Daliç ka besim te karakteri i lojtarëve të tij.

“Është pragu i finales së Botërorit dhe lojtarët e dinë se çdo të thotë kjo. Më vjen mirë që lojtarët e mi thonë se janë 100 për qind gati. Nëse nuk do të ishin, nuk do të donin të luanin. Nuk është se jemi stërvitur shumë së fundmi, sepse nuk kemi nevojë. Kishim nevojë për të pushuar, gjithçka tjetër e dimë”, u shpreh Daliç.

Luka Modriç, mos ndoshta mendon se mund të fitojë edhe Topin e Artë?

“E përsëris se jam i përqëndruar tek suksesi i kombëtares. Natyrisht, është kënaqësi kur përmendem si fitues i mundshëm i Topit të Artë, por nuk dua që të mendoj për këtë. Kemi shansin të arrijmë një sukses të madhe dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit t’ia dalim”, tha Modriç.

Dy ekipet nuk kanë asnjë mungesë, ndërsa parashikimet favorizojnë Francën.

france-belgium-composite-1280x853.jpg
G. P.16:25 | 10/07/2018

Belgjika dhe Franca kanë traditë në ndryshme në Botërorë. Skuadra belge është për herë të dytë në gjysmëfinale, ndërsa francezët kanë përvojë shumë më të madhe.

Le ta nisim me më të voglën. Kjo është padyshim Belgjika, që mbërriti thjesht për herë të dytë mes katër më të mirëve në Kupën e Botës. Përpara brezit të De Bruyne-t, Hazard-it apo Lukakut, ia ka dalë gjenerata e madhe e Këlemansit, Pfafit apo Vanderbergut.

Pasi provuan surprizën në 1982, pa ia dalë dot, shpërthyen katër vjet më vonë në 1986, duke arritur deri në gjysmëfinale, me sukses pas suksesi. U ndjenë kampionë, pasi i eleminoi vetë Diego Armando Maradona.

Franca është krejt tjetër gjë, edhe pse jo ende një Brazil, Gjermani apo Itali. Historia e saj nisi në 1958, kur skuadra e madhe e Fontenit dhe Kopasë u ndal vetëm në gjysmëfinale nga Brazili i adoleshentit Pele.

U desh të kalonin 24 vjet, dhe në 1982, Franca pati një tjetër gjysmëfinale dramatike, besohet më dramatiket nga të gjitha ato që janë luajtur ndonjëherë, duke u eleminuar me penallti nga Gjermania Perëndimore.

Në Botërorin meksikan në 1986 ishte kulmi, me disfatën që iu shkaktua Brazilit të madh, edhe pse pas penalltive. Gjithsesi, në katërshe i doli përpara sërish “mallkimi gjerman”.

U desh të vinte epoka e Zidane që në 1998, Franca të arrinte gjysmëfinalen, kaluar për herë të parë me sukses ndaj Kroacisë, për të shkuar drejt titullit botëror. Në 2006, ai brez pati “këngën e fundit”, me betejën ndaj Portugalisë, për të humbur dhimbshëm finalen me Italinë. Të shohim çdo të bëjë sot brezi i Mbappe, Pogba e Griezmann./abcnews.al

kroaci-danimarke.jpg
ent ela16:48 | 01/07/2018

Kroacia është favorite ndaj Danimarkës në ndeshjen e sotme në orën 20:00. Skuadra ballkanase pritet të kalojë në çerekfinale.

Do të ketë një të papritur në stadiumin e Nizhni Novgorodit. Tifozët kroatë po përgatisin flamurin gjigand, 60 metra të gjatë, ndërsa skuadra e tyre bëhet gati për Danimarkën.

Një duel kulturash, me Kroacinë ndër skuadrat më spektakolare në Kupën e Botës deri tani, dhe me Danimarkën, tepër pragmatiste.

Parashikmet janë të gjitha në favor të ballkanasve, që ata të kalojnë në çerekfinale, por çfarë thonë vetë protagonistët?

Daliç: “Kemi shumë respekt për Danimarkën. Jo më kot nuk ka humbur prej 18 ndeshjesh me radhë, pasi është shumë e disiplinuar dhe punëtore. Di të përshtatet me çdo ndeshje. Gjithsesi, çdo gjë është në dorën tonë. Duhet të bëjmë lojën e zakonshme, por sidomos të kemi shumë durim”.

Ja edhe lojtari më i mirë i ekipit, Luka Modriç.

Modriç: “Natyrisht është ndeshje vendimtare për ne. U paraqitëm shkëlqyeshëm në grup, por le ta harrojmë atë që ndodhi, dhe le të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës. Duhet të luajmë po ashtu edhe ndaj Danimarkës”.

Tifozët danezë shpresojnë që ekipi i tyre të jetë si skuadra e vitit 1986, e mbiquajtur “dinamiti”. Trajneri norvegjez, Hareide, shpreson të jetë kështu, edhe pse Danimarka ka qenë e shëmtuar.

Hareide: “Ka shumë tension në skuadër, pasi shumica e lojtarëve tanë nuk kanë luajtur më parë në Kupën e Botës. Gjithsesi, kjo ndeshje do të jetë ndryshe. Ne do të rrezikojmë sepse duam që të fitojmë. Do të jemi pozitive dhe sulmues”. /abcnews.al

NDESHJA-URUGUAJ-RUSI-1280x720.jpg
G. P.15:46 | 29/06/2018

Kupa e Botës në Rusi ka pasur shumë të papritura, si dhe pretendentë që kanë zhgënjyer deri tani. Në Rusi ka pasur edhe polemika dhe disa gola të lojtarëve me origjinë shqiptare.

Është mbyllur vetëm një fazë, por Botërori ka qenë si asnjë tjetër. Një eleminim i madh ndodhi që në grupe, ndoshta ai që pritej më pak, i Gjermanisë.

Kampionët në fuqi, katër herë fitues të kupës së artë, u kthyen në shtëpi pas humbjes me Korenë e Jugut, e para herë që i ndodhi në 80 vjet. Me Italinë e Holandën që nuk ishin fare në Rusi, Gjermania u bë viktima e parë e madhe.

Argjentina e Lionel Messit iu afrua shumë këtij fati, por iu shmang vetëm 4 minuta para fundit, kur një golshënues i panjohur dhe i papritur, mbrojtësi Marcos Rojo shënoi golin e fitores ndaj Nigerisë.

Gjigandët nga Amerika e Jugut u turpëruan keq nga Kroacia, të mundur 0-3, si dhe u mbajtën në barazim nga Islanda e vogël. Messi e pati shumë të vështirë, por e la një shenjë duke shënuar ndaj Nigerisë. Brazili u duk pretendenti më bindës ndaj gjithë atyre që u parashikuan të tillë.

Edhe pse u ndalën në barazim nga Zvicra, edhe pse fituan vetëm në minutat shtesë ndaj Kosta Rikës, pesë herë kampionët e botës treguan nivel të lartë herë pas here, falë përvojës se yjeve të mëdhenj në përbërje.

Kandidatët e tjerë për titull nuk është se ngrohën shumë. Spanja u trondit nga largimi i trajnerit Lopetegui, ndërsa kampionët e saj me shumë emër dhe përvojë, u dukën të lodhur e pa dëshirë. Formacioni i trajnerit Hierro rrezikoi shumë, dhe duhet të ndryshojë nëse dëshiron të ketë sukses.

Edhe më dobët Franca.

Me më shumë yje ndoshta sesa çdo ekip tjetër, francezët nuk bindën aspak me lojë, ndonëse nuk rrezikuan kualifikimin në një grup relativisht të lehtë. Vetëm 3 ekipe morën pikë të plota në grupe. Belgjika, Kroacia dhe Uruguaji ishin të tillë, edhe pse përshtypje më të madhe për lojën e zhvilluar bënë belgët dhe kroatët.

Për Këpucën e Artë, pra për golshënuesin më të mirë, duket se do të luftohet shumë. Harry Kane kryeson me 5 gola, ndjekur nga Cristiano Ronaldo e Romelu Lukaku me nga 4. Është po ashtu një botëror nën shenjën e shqiponjës.

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri festuan në mënyrë shqiptare golat e shënuar për Zvicrën ndaj Serbisë, në një ndeshje të veçantë për ta. Pati polemika, kritika e lavdërime, por jo pezullim nga FIFA. Lojtarët me origjinë shqiptare kanë shënuar 4 gola në grupe. Xhaka, Shaqiri e Blerim Xhemaili për Zvicrën dhe Adnan Januzaj për Belgjikën./abcnews.al

modriccc.jpg
G. P.17:45 | 22/06/2018

Kroacia është një fenomen i vërtetë i futbollit botëror. Vendi i vogël ballkanas ka traditë të madhe dhe shpreson të përsërisë suksesin e 20 viteve më parë, kur doli në vend të tretë në botë.

Bota i njohu shumë mirë 20 vjet më parë. Kroacia ishte supriza e jashtëzakonshme e Kupës së Botës së vitit 1998, madje edhe më shumë sesa Franca organizatore dhe kampione. Kombi krenar përfaqësoi veten për herë të parë në një Botëror, pasi kishte qenë pjesë e Austro-Hungarisë dhe dy Jugosllavive.

Gjithsesi, emrat ishin të mëdhenj. Suker, Boban, Prosineçki, Jarni, por edhe Asanoviç, Vllahoviç, Shtimac, Soldo. Ata kishin në krye Miroslav Blazheviçin 63-vjeçar. Ajo Kroaci doli e treta në botë, dhe kjo e sotmja, e Luka Modriçit, synon të paktën t’i përngjajë. Suksesi 3-0 ndaj Argjentinës ringjalli kujtimet e triumfit të madh të 1998-s ndaj Gjermanisë, kampione e Europs, po 3-0.

Ashtu si atëherë, skuadra ka shumë yje. Vetë Modriç, por edhe Rakitiç, Mandzukiç, Perisiç, Lovren, Brozoviç apo Kovaçiç. Ndryshe nga atëherë, ka një trajner jo shumë të njohur si Zllatko Daliç, prej 7 vitesh në Lindjen e Mesme. Bllazheviç e Daliç kanë të përbashkët që punuan me shqiptarët, i pari tek Prishtina, i dyti tek Dinamo e Tiranës. Gjithsesi, fillesat e futbollit kroat janë shumë më herët se 1998-ta.

Klubet e parë u themeluan në fillim të shekullit të 20-të, në 1903 Hashku, në 1906 Konkordia Zagreb, në 1911 Hajduku i Splitit dhe Gragjanski. Në Perandorinë Austro-Hungareze dhe në Jugosllavinë e parë, ata ishin pjesë e futbollit danubian, bashkë me austriakët, hungarezët e çekët, ndërsa u përballën me gjithë botën. Nga Italia, Spanja e Gjermania, deri në Brazil dhe Argjentinë.

Shkolla kroate ishte gjithnjë nga më të mirat në Europë, me trajnerë të shquar. Zllatko Çajkovski themeloi Bajernin e madh të Bekenbauerit, Gerd Mylerit e Zep Majerit. E mori në kategorinë e dytë, e nxorri në Bundesligë në 1965, fitoi dy Kupa të Gjermanisë dhe një Kupë të Kupave të Europës. Pasardhësi i tij ishte kroati tjetër, Branko Zebec, që doli kampion me Bayern-in në 1969 si dhe fitoi kupën atë vit.

Zebec shkëlqeu edhe me Hamburgun, duke dalë kampion i Gjermanisë e duke arritur finalen e Kupës së Kampionëve në 1980, humbur përballë Notingham Forestit. Zllatko Çajkovski, trajner i Bajernit 1963-1968, njeriu që krijoi ekipin e Bekenbauerit, Mylerit dhe Zep Majerit. Në Jugosllavinë e Titos, Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku ishin pjesë e katërshes së madhe. Dinamo arriti kulmin duke fituar Kupën e Panaireve në vitin 1967, atë që sot quhet Liga e Europës.

Në finale mundi bindshëm anglezët e famshëm të Lids Junajtidit. Kjo traditë është bekimi i futbollit kroat. Sërish me futbollistë të mëdhenj, sërish me trajnerë të rëndësishëm, një kombëtare me pretendime për të qenë mes më të mirave të botës, dhe pse i përket një kombi me vetëm 4.2 milionë banorë. Standardi për t’u arritur mbetet ai i 1998-s, vendi i tretë në botë. Brezi i sotëm, duke pasur edhe pak fat, padyshim që mund ta përsërisë./abcnews.al

australia.jpg
G. P.18:29 | 21/06/2018

Danimarka dhe Australia e mbyllën në barazim ndeshjen e tyre në grupin C. Australianët shmangën eleminimin falë penalltisë së kthyer në gol nga kapiteni Jedinak.

Kontinenti ende mbetet në Botëror. Australia, përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të rruzullit, e mbajti veten në turne pasi shmangu humbjen ndaj Danimarkës.

Sfida e grupit C në stadiumin e Samarës u përcaktua sërish nga teknologjia, sepse gjyqtari spanjoll Mateu Lahoz u këshillua me VAR-in për të dhënë penalltinë e australianëve.

Prekje me dorë ishte, po ashtu 11-metërshi, ndonëse kartoni i verdhë për Poulsenin u duk tepër. Kapiteni Jedinak nuk gaboi dhe ambicia e skuadrës nga Hemisfera e Jugut bëri të vetën.

Danimarka e nisi më mirë takimin, duke qenë edhe më e qetë pasi kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Perusë. Europianët shënuan shpejt, me një aksion-model dhe gol-model nga ylli i Tottenham-it, Cristian Eriksen.

Gjithsesi, kur kujton Danimarkën e viteve 80-të e të viteve 90-të, kjo e sotmja nuk të bën përshtypje. Dëshirë dhe përpjekje për lojë kolektive, por tepër larg stilit dhe frymës sulmuese të epokës së Elkjerit, Lerbit apo vëllezërve Laudrup.

Barazimi duket se lë në pozita më të mira pikërisht danezët, edhe pse mund të mos rezultojë kështu. Ndeshjen e fundit ata e kanë me Francën, ekipin më të fortë të grupit, dhe në rast humbjeje, rrezikojnë eleminimin./abcnews.al

arabiaaa.jpg
G. P.19:35 | 20/06/2018

Uruguaji u kualifikua për në raundin e dytë të Botërorit, duke i dhënë kualifikimin edhe Rusisë. Gjithsesi, ndaj Arabisë Saudite u arrit një fitore aspak bindëse.

Kur fiton dhe kualifikohesh, zakonisht nuk ka kritika.

Uruguaji, në të kundërt, duhet të ketë marrë shumë pas paraqitjes tepër të zbehtë ndaj Arabisë Saudite edhe pse objektivin e realizoi plotësisht, madje i bëri nder edhe Rusisë, duke e kualifikuar përfundimisht edhe atë.

Pritej shumë më tepër nga një ekip që në Botërorë vjen traditën e fitimit të dy kupave të botës dhe të vendit të katërt në Afrikën e Jugut në 2010. Uruguaj nuk pati fuqi dhe lojë për të kënaqur dhe e rrezikoi veten deri në fund.

Për fat, Luis Suarez e shënoi golin e tij, që në minutën e 23-të të pjesës së parë, duke e festuar siç duhet ndeshjen numër 100 për ekipin përfaqësues. Problemi i ekipit të trajnerit Tabarez ishte që nuk pati mesfushë dhe lojë për të mbështetur dy nga sulmuesit më të mirë të botës, Suarezin dhe Edinson Cavani-n.

Kur shënon vetëm një gol ndaj ekipit deri tani më të dobët të Botërorit si Arabia Saudite, patjetër që tifozët ndihen shumë të shqetësuar. Me po këtë rezultat amerikanojugorët kaluan edhe Egjiptin, dhe sërish me goditje standarde, por ku i dihet, ndoshta i kanë lënë golat për në fazën e mëvonshme.

Pas dy ndeshjeve të luajtura deri tani nga secila skuadër, Rusia dhe Uruguaj kanë nga 6 pikë, ndërsa Egjipti dhe Arabia Saudite janë të eleminuar pa asnjë pikë./abcnews.al

ronaldo12.jpg
G. P.16:45 | 20/06/2018

Maroku është skuadra e parë e eleminuar nga Kupa e Botës. Afrikanët humbën ndaj Portugalisë, me golin e Cristiano Ronaldos, ndonëse ishin më të mirët në fushë.

Një gol në fund dhe një në fillim.

Ky ishte fati i keq i Marokut, tashmë të eleminuar nga Botërori, ndërsa pas Iranit, suksesin e arriti edhe Portugalia. I përhershmi Cristiano Ronaldo ishte njeriu i suksesit, të paktën duke bërë atë që vendosi fatin e sfidës së grupit B, golin e vetëm të saj që në minutën e 4-t.

Janë katër rrjeta për Topin e Artë, shënuesi më i mirë në Rusi deri tani, njeriu i vetëm që realizon për kampionët e Europës. Cristiano ka tani 85 gola me kombëtaren, një më shumë se Ferenc Pushkash i Hungarisë, në vendin e dytë të renditjes së të gjitha kohëve.

Portugalia ende nuk është e kualifikuar, por nuk besohet se do të gabojë në përballjen e fundit në grup, ndaj Iranit. Kjo, megjithatë, është vetëm ajo që tregon rezultati, pasi gati 100 minutat e lojës në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ishin krejt tjetër gjë.

Maroku jo vetëm ishte skuadra më e mirë në fushë, por mund të thuhet se ishte e vetmja që kërkoi të luante, ndoshta e detyruar nga pësimi i golit shpejt. Futbollistët afrikanë bënë çdo gjë mirë, por vetëm një gjë krejtësisht gabim, gjuajtjen drejt portës.

Tri herë Benatia, dy herë Zieç, por edhe Faisal, Busufa e Belhanda patën mundësi të shumta për të shënuar, por shpërdoruan, duke mos përballuar dot presionin psikologjik të një nivelit të tillë.

Marokenët, gjithnjë simpatikë në Botëror, i qëndruan besnik imazhit të tyre, me Amrabarin, një nga më të mirët në fushë. Portugalia, nga ana e saj, u tregua pragmatiste.

Ashtu si ndaj Spanjës, praktikoi kundërsulmin, me shpresën tek Ronaldo, që mund të kishte shënuar edhe ndonjë gol tjetër dhe që ndihmoi shokët për të realizuar edhe ata.

Portugezët duken të njëjtët si në Europian, por nuk dihet nëse ky nivel mund të mjaftojë që të shkojnë përpara në Kupën e Botës./abcnews.al

egypt-vs-russia-1-1529434399.jpg
G. P.22:15 | 19/06/2018

Synimi u arrit, golat u shënuan, ndërsa synohet edhe Këpuca e Artë.

Nëse ndonjë skuadër vendase në Botëror ka ëndrra të mëdha, ato nuk mund të jenë më shumë se kaq, të paktën për fazën e grupeve. Rusia u kualifikua për në raundin e dytë pas suksesit të thellë, të merituar, por edhe të papritur ndaj Egjiptit.

Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, kur vendasit patën nevojë vetëm për një gabim të kundërshtarit, për një autogol, që të ishin të papërmbajtshëm. Në minutën e 47, Fati e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij dhe që pas këtij momenti Egjipti sikur nuk ishte më në fushë.

Rusët, të nxitur nga rreth 60.000 tifozë, shënuan shpejt e shpejt edhe dy gola të tjerë, me autorë Çerishevin dhe Dzuba-n, në minutat 59 e 61. Diçka vërtetë e papritur, aq më tepër me Egjiptin që pati në fushë që nga minuta e parë, yllin e saj kryesor, Mohamed Salah.

Salah arriti ta tregojë veten, të paktën, me penallti, duke e kthyer në gol, por duket se numri 10 e ka shumë më të lehtë të shkëlqejë tek Liverpuli sesa me ekipin kombëtar. Sa për Rusinë, ajo po nis të fitojë më shumë vlerësime.

Nëse fitorja e parë 5-0 ndaj Arabisë Saudite mund të quhej një rastësi, kjo nuk mund të thuhet për suksesin ndaj Egjiptit.Ka fituar dy ndeshje nga dy, ka shënuar 8 gola, ndërsa lojtari i saj, Çerishev, është pretendent për Këpucën e Artë, duke pasur 3 gola, po aq sa Cristiano Ronaldo./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono