borxhet

RRUGA-TIRANE-ELBASAN.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela19:01 | 11/09/2019

Teksa punimet në rrugën e re Tiranë-Elbasan kanë prekur finishin me rehabilitimin e shembjes në Ibë, kompania greke Copri-Aktor që udhëhoqi punimet, po lë një mal me borxhe në furnitorë. Më së shumti, bëhet fjalë për biznese shqiptare që kanë furnizuar me mallra dhe shërbime kompaninë.

Paratë janë diskutuar më së shumti gjatë ndërtimit të rrugëse Tiranë Elbasan e vazhdojnë të jenë kryefjalë pasi bizneset e furnitorët kërkojnë borxhet tek ndërtuesi,kompania greke Copri-Aktor.

Sipas të dhënave nga bilanci i kompanisë për vitin 2018, detyrimet e kompanisë ndaj të tretëve arritën në 5,1 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar ose 42 milionë euro. Detyrimet janë të fokusuara në dy zëra të “pagueshme ndaj furnitorëve” mbi 2 miliardë lekë dhe 3.1 miliardë lekë për “debitorë dhe kreditorë të tjerë”.

Borxhet e kompanisë janë të pasqyruara edhe në ekstraktin në Qendrën Kombëtare të Biznesit ku shihet që nga maji i vitit 2018 deri në shtator të këtij viti ka 19 urdhra nga përmbarimi që kërkon bllokimin e llogarive dhe aksioneve të kompanisë deri në shlyerjen e detyrimeve.

Duke vëzhguar listën e sekuestrove ajo që bie në sy janë fatura të pashlyera nga Copri-Aktor ndaj kompanive që janë furnizuar me mallra dhe shërbime, apo dhe mospagim kredie. Në listën e kompanive që kërkojnë pagimin e faturave dhe huave me ndihmën e përmbarimit janë AL-Gem, Jubica dhe Banka Amerikane e Investimeve.

Grekët e AKTOR ndërtuan të vetëm tunelin që përfshihet në projekt, ndërkohë që për Lotin 1 që nis nga rreth- rrotullimi i TEG deri në hyrje të tunelit dhe për Lotin 3, që nis nga dalja e tunelit deri në Elbasan, u bashkua me kompaninë Copri.

Në fakt, qysh nga nisja e punimeve situata me ndërtimin e autostradës ka qenë problematike. Copri-AKTOR kanë pasur përplasje disa herë me nënkontraktorët, të cilët kanë braktisur punën për shkak të vonesave në pagesa, por edhe vetë qeveria në disa raste ka krijuar vonesa. Sikur të mos mjaftonte vetëm zinxhiri i borxheve, projekti ka pësuar edhe ndryshime dhe vonesa për shkak të rrëshqitjeve të dheut në zonën e Ibës.

Ajo që u duk se do të ishte një autostradë që do të mbyllej shpejt dhe me lehtësi në fakt përfundoi në një epope më vete. Kompania AKTOR përfundoi në kohë rekord tunelin e Kërrabës i cili kushtoi 8.3 miliardë lekë por për dy lotet e tjera u fut në garë së bashku me kompaninë COPRI, por akoma dhe sot s’ka një bilanc përfundimtar sesa ka shkuar kostoja e këtyre dy loteve.

Rruga e re Tiranë -Elbasan me gjatësi 27 kilometra nisi të ndërtohej në vitin 2011 m një kosto 33 miliardë lekësh (260 milionë euro). Afati për përfundimin total të punimeve ishte viti 2015, por një shembje që ndodhi në Ibë, kërkoi rishikim të projektit dhe kosto të reja. Për dy vite ekzaminime dhe negociata qeveria shqiptare u detyrua të marrë edhe dy kredi të tjera shtesë për përfundimin e rrugës me vlerë 51 milionë euro, duke e çuar koston në total në mbi 300 milionë euro.

Kompania ka publikuar një bilanc katastrofik në aktivitetin e saj në Shqipëri. Humbjet e akumuluara në kapital ishin gati 5 miliardë lekë në fund të vitit 2018, ose rreth 40 milionë euro.

Me mbarimin e aktivitetit, të ardhurat në 2018-n ishin 623 milionë lekë, nga 6 miliardë lekë vitin e mëparshëm. /ABC News Albania 24/7

TAGANI.png
Sej rie17:40 | 08/07/2019

Federata Shqiptare e Futbollit do të tolerojë përsëri e do të lejojë që klubet me borxhe të marrin pjesë në Superligë. Ish-administratori i Tiranës, Salih Tagani, flet pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv.

Vendimi ishte vërtet i rëndë.

Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv, u vuri klubeve kufirin tek thana për borxhet, duke u lënë afat deri në 31 Korrik, ndryshe i pret përjashtimi.

Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari janë të rrezikuarit, dhe ish-administratori I Tiranës, Salih Tagani, tregon se çfarë duhet të bëjnë klubet.

Tagani: “Këto janë masa shtërnguese pak a shumë për klubet, por nëse këto do të fillojnë të zbatohen me kalimin e viteve do të jenë lehtësuese për klubet sepse do t’i vënë klubet në shina. Afati është shumë i ngushtë dhe nuk mundet që borxhe të krijuara prej vitesh të likujdohen për periudhë muajsh. Për ekipet që janë SHA e vetmja pjesë është shitja e një pjese të aksioneve. Nëpërmjet kësaj mund të likujdojnë detyrimet që mund të kenë ndaj palëve të treta. Për ekipet që janë me Bashkitë duhet parë mënyra e privatizimit dhe duhet parë përpara se të kthehen në SHA këto ekipe, likujdimi i këtyre borxheve të merret përsipër nga bashkitë”.

Sa seriozisht e ka këtë herë Federata, që ka toleruar më parë?

Tagani: “FSHF ka pasur përherë një farë tolerimi karshi gjithë klubeve dhe është munduar t’i ndihmojë. Federata pavarësisht se kontrollohet nga UEFA dhe normalisht që ata duhet të jenë korrekt me pjesën e UEFA-s, gjithsesi do të bëjë një farë tolerimi për t’i mundësuar që të marrin pjesë në disa aktivitete kombëtare. Për sa i takon tatimeve nëse shteti merr ndonjë vendim për faljen e detyrimeve dhe kjo do të ishte më e mira pasi sporti këtu tek ne dihet se nuk ka ndonjë fitim”.

Përse janë krijuar kaq shumë borxhe nga disa klube?

Tagani: “Çështja e borxheve është thjesht keqadministrim. Sepse një klub kur bën parashikimin për vitin që do të vijë, fondet që ka në dispozicion, lojtarët që duhet të blejë, kontratat , vlera e kontratave nuk mund të shkojë përtej limiteve të veta. Nëse një klub do t’i respektonte kontratat atëherë nuk kishte pse të rriteshin borxhet”.

Gjithsesi, ekziston rreziku për kalimin në administrim, pra për falimentim.

Tagani: “Çështje të klubeve që vijnë direkt nga UEFA dhe UEFA investigon për mënyrën se si kanë shkuar këto proçese, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të zbresin në kategori. Po zbrite në katagori hum interesi dhe humbet vlera si ekip. Praktikisht fillon dhe shkon drejt dështimit, shpresoj që të mos ndodhi”.

Problem i madh ligji i sponsorizimeve, ku Shqipëria fal 4 për qind, e Kosova 30 për qind.

Tagani: “Nuk kam çfarë flas, flasin shqifrat. Një shtet që nuk i kushton rëndësi sportit ka humbur një vlerë të madhe”./ABC News Albania 

lushnjeeeee.jpg
Sej rie16:40 | 24/04/2019

Fermerët në Lushnje nuk po lëne tokat djerrë por po i punojnë duke shënuar borxhet në listë. Drejtuesit e mekanikës bujqësore thonë se çmimet janë rritur për shkak të çmimit të naftës.

E bën këtë punë që kur ishte 15 -vjeç.

Por sot 20 vjeçari nga Terbufi i Leshnjes nuk paguhet për të korrur jonxhën.

Në shtëpi ka një listë ku ka shënuar borxhet e fermerëve.

Çmimet për punimet e tokës janë rritur.

Një mije lekë me tepër për çdo dynym krahasuar me një vit më parë.

Përdoruesit e mekanikes bujqësore në rrethin e Leshnjes dhe të Divjakës  kanë rritur çmimet. Një dynym  tokë e pluguar sot kushton 13 mijë lekë të vjetra. Shkak për këtë rritje është bërë nafta.  Traktoristët e blejnë karburantin  me 180 lekë për litër, dhe ky çmim është i njëjte me përdoruesit e makinave private.  Ndaj shumë  fermerë nuk janë në gjendje të paguajnë, por shënohen emrat në listë.

Fermerët të cilët kanë shumë tokë për të punuar, janë vënë në vështirësi për likuidimin e pagesave.  Por megjithëse mekanika bujqësore po u kushton shtrenjtë, askush nuk i ka lënë tokat djerre. Ata shpresojnë se puna e bërë sot do të paguhet nesër, traktoristë dhe fermerë kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit./abcnews.al

2BC7D8D3-A384-4928-8600-EDB1B5A6B57F_w1023_r1_s.jpg
ent ela09:51 | 24/10/2018

Kosova do t’i paguajë këstet e kredive Bankës Botërore deri në vitin 2031. Shuma e pagesës është rreth 19 milionë euro në vit, ndërlidhet me borxhet e trashëguara qysh nga koha e ish-Jugosllavisë.

Qeveria e Kosovës, kishte marrë vetë në mënyrë vullnetare obligimin që të paguajë borxhin në vlerë prej 381 milionë euro, të trashëguar nga koha e ish- Jugosllavisë. Bëhet fjalë për disa projekte që në atë kohë ishin financuar nga Banka Botërore për t’u zbatuar në territorin e Kosovës.

Ndërkohë që pas shpalljes së pavarësisë, rreth 45 milionë euro janë borxhe të reja që Kosova ka marrë nga Banka Botërore për financimin e projekteve të ndryshme që nga viti 2010 e këndej, thotë Muharrem Shahini zëdhënës në Ministrinë e Financave.

Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Botërore rreth 16 muaj pas aktit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, në qershor të vitit 2009.

Që nga dita e pranimit në këtë institucion financiar kanë filluar edhe pagesat e rregullta të kredisë.

Çështja e borxhit dhe se si duhet zgjidhur ky problem është diskutuar në negociatat në mes Prishtinës dhe Beogradit në procesin e udhëhequr nga Marti Ahtisari në Vjenë të Austrisë.

“Deri në gusht të këtij viti, shuma e paguar ndaj Bankës Botërore është 234 milionë euro në emër të borxhit të trashëguar. Pagesat e kësteve të rregullta kanë filluar në vitin 2009 dhe deri më tani, në emër të kryegjësë janë paguar 110.52 milionë euro, ndërsa në emër të interesit janë paguar 72.23 milionë euro”, tha Shahini.

“Përafërsisht, kësti vjetor është 19 milionë euro, shumë kjo që vjen duke u zvogëluar. Pagesat për këtë kredi pritet të përfundojnë në vitin 2031”, tha tutje ai.

Fondet nga Banka Botërore, Qeveria e Kosovës i ka huazuar për realizimin e projekteve për sigurimin e ujit dhe projekte për bujqësi dhe zhvillim rural.

Banka Botërore vazhdimisht ka përkrahur projekte të ndryshme në Kosovë. I vetmi projekt që nuk ka arritur mbështetjen e këtij institucioni është fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, edhe pse i gjithë projekti është realizuar me rekomandimet e Bankës Botërore.

Ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se Qeveria e Kosovës është treguar e kujdesshme në kthimin e kësteve të kredisë ndaj institucionit më të rëndësishëm ndërkombëtar financiar, Bankës Botërore.

Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë për Radion Evropa e Lirë, se kësti i kredisë është i përballueshëm për buxhetin e Kosovës. Duke marrë parasysh shumën e përgjithshme të borxhit ndërkombëtar, Ramosaj shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë projekte tjera konkrete, që të marrë borxh prej Bankës Botërore.

“Unë mendoj se marrja e borxheve nga institucionet ndërkombëtare është e mundshme dhe besoj se nuk e dëmton aftësinë apo likuiditetin financiar, qoftë në nivel të buxhetit apo bruto produktit vendor në Kosovë. Prandaj unë e shoh të mundshme. Vetëm se duhet të përgatitet një listë vërtet e qëndrueshme të atyre projekteve që kanë efekt jo vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në punësim dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha Ramosaj.

Ndryshe, borxhi publik i Republikës se Kosovës, vit pas viti po shënon rritje. Sipas të dhënave zyrtare në fund të vitit 2017, borxhi i përgjithshëm ka arritur vlerën 996 milionë euro, ose 17 për qind më shumë se në vitin 2106. /REL

vlcsnap-error694-1280x720.jpg
ent ela15:22 | 15/02/2018

Vrasja e biznesmenit 64 vjeçar Memli Begalla pranë banesës së tij në zonën e ish-bllokut në kryeqytet dyshohet të ketë lidhje me konflike të tij për borxhe. Kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia e Tiranës. Begalla u qëllua nga një distancë e afët me një armë zjarri me silenciator.

Kjo është një pamje nga lart e vendit ku u vra 64 vjeccari Begalla. Sheshi mes pallateve para hyrjes së tij në zonën e ish-bllokut, përveç kaosit të parkimit ka qenë në terr të plotë. Sipas banorëve këtu  në këtë hapësirë mungon ndriçimi artificial, fakt që është shfrytëzuar më së miri nga autori i vrasjes.

Automjeti i shenjuar tip “Renault” ka qenë në përdorim nga Memli Begalla, i njohur edhe me emrin Afrim. Viktima ka qenë fare pranë derës së mjetit, kur është qëlluar nga një distancë e afët me një plumb në kokë.

Dyshimet e para të policisë flasin për një armë zjarri të pajisur me silenciator, pasi banorët e pallatit dhe personat në bizneset pranë nuk kanë dëgjuar krismë.

Autori dyshohet të ketë pritur në errësirë në këtë zonë. Më pas ai është larguar nga një prej tre rrugicave që të nxjerrin nga ky shesh mes pallatesh. Dy prej tyre janë vetëm për këmbësore.

Në hyrje-daljen e vetme për automjete, ka edhe kamera sigurie, pamjet e të cilave janë administruar nga policia. Po ashtu janë sekuestruar një sërë pamjesh filmike nga biznese në zonë që mendohet të kenë të dhëna që i vijnë në ndihmë hetimit.

Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jenë konfliktet të viktimës për shkak të borxheve.

Konfliktet për borxhet e kishin dërguar atë edhe në dyret e gjykatës, si rasti i këtij vendim të Apelit Tiranë i vitit 2014, i cili e detyron shoqërinë e Begallës t’i kthejë një personi tjetër një shumë prej gati 54 mijë euro të marrë hua.

Sipas specialistëve të krimit ekonomik 64 kishte nën administrim disa biznese. Ai ishte administrator i një kompanie private, i 2 dyqaneve qe tregëtojne goma, një në autostradë dhe një në zonën e Yzberishtit.

Rreth 3 vite me parë, po në këtë sheshpushim para hyrjes së pallatit të tij, Begallës i është djegur një automjet “Land Rover” në përdorim të tij.

Policia ka verifikuar personat me të cilët viktima ka pasur konflikte apo përplasje për çështje borxhesh. Mesnatën e së mërkurës në Drejtorinë e Policisë Tiranë është shoqëruar nje person si i dyshuar per ngjarjen. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono