boris johnson

brexit-1.jpg
G. P.12:07 | 16/10/2019

Një zgjidhje e mundshme e ngërçit irlandez mund të jetë dhe pengesa e fundit për arritjen e marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit për Brexit. Mediat britanike raportojnë se marrëveshja në fakt është arritur dhe se teksti i saj do të publikohet gjatë ditës së sotme.

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar janë një hap larg arritjes së marrëveshjes për Brexit. Sipas britanikes “Guardian”, teksti i marrëveshjes mund të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Kryeministri Boris Johnson ka pranuar të bëjë lëshime për të zgjidhur ngërçin irlandez, duke njohur disa mënyra të kontrollit doganor mes Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar por duke marrë në shkëmbim sigurinë se Londra dhe Belfast do të dalin nga Bashkimi Europian duke qëndruar nga ana tjetër si një territor i vetëm doganor.

Ekipet negociatore kanë rënë fillimisht dakord për faktin se do të ketë një kufi doganor në detin e Irlandës, gjë që nuk ishte pranuar nga Theresa May, e cila e kishte konsideruar si një marrëveshje që asnjë kryeministër britanik nuk do e pranonte dot.

Një burim diplomatik konfirmoi se Irlanda e Veriut do të jetë “de jure” në territorin doganor të Mbretërisë së Bashkuar por “de facto” në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë Johnson mund ende të pretendojë se ka nxjerrë të gjithë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian.

Gjithsesi, nëse marrëveshja do të arrihet, Johnson do t’i duhet ende të marrë miratimin e parlamentit, ku ndodhet partia demokratike unionist e Irlandës së Veriut, konservatorët pro Brexit dhe grupi europian i kërkimit./ABC News Albania

mustafa-nano-1-1280x719.jpg
nev ila23:12 | 04/10/2019

Historia ka lidhje me një familje fantastike britanike. Bëhet fjalë për familjen Johnson, e cila është një familje shumë e komplikuar dhe shumë e sofistikuar.

Familja e Johnson është konservatore. Megjithatë në terma politik, familja Johnson është e përçarë sepse ata kanë votuar në mënyra të ndryshme për Brexit.

Boris Johnos është një nga nismëtarët për lëvizjen e Brexit. Rashela, motra e Johnson, ka votuar për qëndrimin e Britanisë në Bashkinë Europian.

Kjo gjë po diskutohet shumë në Britaninë e madhe. Boris Johnson mbajti një fjalim ku mes të tjerave tha:

“Unë e di që disa njerëz janë shumë të pasionuar pas përcarjes në familjen time lidhur me BE-në. Por unë e kam mbajtur një AS nën mëngë. Dhe AS-i im nën mëngë është: Nëna ime votoi kundër BE-së”  

Familja Johnson është një familje që nuk mund ta gjesh në Shqipëri.

Nuk mund të përfytyrohet një familje e ndarë në gjysmë. Gjithsesi Johnson nuk ka patur asnjë disavantazh nga kjo gjë dhe kjo ndodh sepse në Britaninë e madhe është individi që është qendra e shoqërisë.

Është individi që mban përgjegjësi për qëndrimet e veta, për përgjegjësitë e veta. Zgjedhjet që bën secili individ nuk lëndojnë harmoninë e kolektivit.

Në këtë rast është harmonia e familjes Johnson./abcnews.al

boris_johnson_11_cmexep.jpg
nev ila18:07 | 02/10/2019

Kryeministri britanik Boris Xhonson i ka bërë Bashkimit Europian propozimin final për Breksit, duke e shoqëruar atë më ultimatumin se në rast refuzimi, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Unioni pa marrëveshje.

Kryeministri britanik Boris Xhonson i ka bërë ofertën përfundimtare Bashkimit Europian për Breksit dhe ka deklaruar se, në rast se blloku nuk bie dakord, Britania do të largohet pa një marrëveshje në fund të muajit.

Në këtë mënyrë, duke zgjedhur linjën e ashpër, Xhonson ka nisur publikimin e paketës së propozimeve, sipas tij konstruktive dhe të arsyeshme.

Me datën 31 tetor që po afron, ndihmësit e Xhonson pritet t’ia paraqesin zyrtarisht propozimet Brukselit, si përpjekjen e fundit të Londrës për të zhbllokuar ngërçin sa i takon kufirit irlandez dhe për të siguruar një largim të lehtë nga BE-ja.

“Ne do të dalim nga BE-ja më 31 tetor me ç’të mundemi”, u tha Xhonson anëtarëve të partisë konservatore.

Ai përdori termin “dashuri” për Europën në fjalimin e tij, që u fokusua kryesisht tek çështjet e brendshme si shëndetësia, ekonomia dhe krimi.

“Ne po parashtrojmë atë çfarë besojmë se janë propozime konstruktive dhe të arsyeshme, që ofrojnë mundësinë për një kompromis për të dyja palët. Të mos kemi dyshime se alternativa tjetër do të jetë dalja pa marrëveshje”, vijoi Xhonson.

Paketa me propozime bën thirrje për krijimin e një zone rregullatore në ishullin e Irlandës që eliminon kontrollet tregtare mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës për të gjitha mallrat.

Zona rregullatore do të varet nga konsensusi i institucioneve të Irlandës së Veriut, që do të mbetet tërësisht pjesë e territorit doganor të Mbretërisë së Bashkuar – thotë dokumenti./ABC News Albania 24/7

johnson-boris.jpg
nev ila18:35 | 01/10/2019

Kryeministri britanik Boris Xhonson ka dhënë garancinë e tij se kufiri i Britanisë së Madhe pasi ajo të dalë nga BE-ja do të jetë Irlanda. Xhonson nuk ka dhënë detaje se si planifikon ta realizojë këtë projekt, por ka shtuar se së shpejti do të publikojë disa propozime të reja.

Kryeministri britanik Boris Xhonson ka deklaruar se realiteti i Breksit është aty dhe do të duhet të shoqërohet me kontrolle doganore në ishullin e Irlandës pasi Mbretëria e Bashkuar të braktisë BE-në.

Por kryeministri hodhi poshtë zërat se do të jetë një kufi i fortë, në formën e një seri pikave doganore të vendosura çdo 5 ose 10 milje. Ai tha për BBC se, një vend i bashkuar dhe sovran duhet të ketë një doganë të vetme në territorin e tij.

Xhonson refuzoi të jepte detaje, por shtoi se propozime zyrtare do të bëhen së shpejti. Ndërkohë, duke folur në Dhomën e Përfaqësuesve, ministri për Breksit, Xhejms Dadrixh deklaroi se në ditët e ardhshme qeveria do të publikojë më shumë detaje për një alternativë ndaj kufirit irlandez, për t’ia paraqitur më pas BE-së.

Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga Bashkimi Europian më 31 tetor. Kryeministri Xhonson ka deklaruar disa herë se do ta realizojë këtë projekt me apo pa një marrëveshje, pavarësisht se muajin e kaluar ligjvënësit miratuan një ligj që e detyron atë të kërkojë një shtyrje nga Unioni, nëse Parlamenti nuk ka votuar në favor të një akordi të ri eventual që kreu i qeverisë mund të arrijë me Brukselin.

Çështja e kufirit irlandez dhe mënyra se si të mbahet i lirë nga kontrollet fizike kur ai të bëhet kufiri mes Britanisë së Madhe dhe BE-së ka qenë një pikë kyçe e negociatave të Breksit.

Qeveria aktuale thotë se zgjidhja e arritur nga BE dhe ish-kryeministrja Theresa Mej është e papranueshme, ndaj dhe duhet gjendur një alternativë e re./ABC News Albania 24/7

JOHNSON-NGACMIMET.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela11:36 | 01/10/2019

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Xhonson tashmë po përballet dhe me akuzat për ngacmim seksual. Një gazetare britanike ka akuzuar ish kryebashkiakun e Londrës për një episod të ndodhur 20 vjet më parë.

Një periudhë jo e mirë për kryeministrin britanik Boris Xhonson. Këtë herë jo për Brexit, por për jetën private. Gazetarja Sharlot Eduards ka akuzuar ish kryebashkiakun e Londrës se e ka ngacmuar seksualisht gjatë një dreke private, 20 vjet më parë

Kryeministri Xhonson ka mohuar çdo gjë sipas një raportimi të britanikes San. Një zëdhënës I Dauning Strit mohoi akuzat duke i cilësuar si false. Por Eduards u shpreh para gazetarëve se nëse XHonson nuk mban mend gjë, do të thotë se ajo ka një kujtesë shumë më të mirë. Në një editorial për Sandej Tajms, gazetarja rrëfeu se episodi i papëlqyeshëm ka ndodhur në zyrat londineze të revistës “The Spectator”, në vitin 1999, pak pasi Xhonson ishte bërë drejtor. Ajo tregoi se ishte ulur në të djathtën e tij dhe se ai kishte pirë shumë verë. Pak më pas Xhonson kishte prekur këmbën e saj poshtë tavolinës. Gazetarja shton se pasi kishte rrëfyer këtë episode një tjetër personi të ulur në tryezë me ta, ajo i kishte thënë se i kishte ndodhur e njëjta gjë.

Ministri i laburistëve për të drejta të barabarta Daun Batler u shpreh se ky lajm ishte shokues por jo një surprizë. Në ndihmë të kryeministrit ka dalë Sajid Xhavid i cili u shpreh se ka shumë besim tek Xhonson dhe se akuzat janë false, ndërsa ministri i Shëndetësisë Met Henkok tha se sipaas tij gazetarja Eduards është një person i besueshëm.  /ABC News Albania 24/7

johnson-1.jpg
G. P.11:45 | 25/09/2019

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë britanike që shpalli të paligjshëm pezullimin e Parlamentit, tashmë priten përplasje të reja mes Kryeministrit konservator Boris Johnson dhe Dhomës së Deputetëve.

Parlamenti britanik është kthyer pas në kohë pas vendimit të gjykatës së  lartë. Punimet do të rifillojnë aty ku mbetën në 9 Shtator kur çdo gjë ndaloi. Në seancat e ardhshme parlamentare, deri në 31 Tetor, datë në të cilën Mbretëria e Bashkuar do të dalë automatikisht nga Bashkimi Europian, me apo pa marrëveshje, parlamenti do të përpiqet të ushtrojë ndikim në atë që do të ndodhë duke vijuar përplasjen me kryeministrin Boris Johnson.

Opozita kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme pas humbjes politike të radhës.Lideri i laburistëve Jeremy Corbin u shpreh se Boris Johnson nuk është i përshtatshëm për rolin e kryeministrit, pasi është djali i elitës britanike më të privilegjuar e cila nënvlerëson demokracinë dhe që ka mbyllur parlamentin pa asnjë arsye.

Nga ana e tij, Johnson, ashtu si dhe ritheksoi nga pallati i qelqtë në Nju Jork, ku gjendej së bashku me liderët e tjerë botërorë për samitin e klimës së Kombeve të Bashkuara, u shpreh se do të vazhdonte me procedurën për Brexit në 31 Tetor, duke respektuar vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit shpalli të paligjshëm vendimin e tij për pezullimin e punimeve të parlamentit.

Në të vërtetë Johnson mund të vazhdojë të këmbëngulë në parlament duke kërkuar një pezullim të ri, pasi dhe gjykata nuk përcaktoi se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Mes Trump dhe Johnson takimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më shumë se për klimën, shërbeu për të folur për Iranin dhe rëndësinë e eliminimit të tensioneve.

Të dy ranë dakord se nuk do të lejonin që Irani të kishte një armë bërthamore. Sipas Doëning Street dy liderët ranë dakord për arritjen e një marrëveshjeje për tregtinë e lirë pasi Mbretëria e Bashkuar të ketë dalë nga Bashkimi Europian në 31 Tetor./ABC News Albania 24/7

Boris-Xhonson.jpg
G. P.11:41 | 23/09/2019

Kryeministri britanik Boris Johnson akuzoi Iranin si përgjegjës të sulmeve ndaj rafinerive të naftës në Riad. Ai shtoi se vendi i tij është i gatshëm të mbështesë sauditët dhe amerikanët duke dërguar trupa ushtarakë shtesë në rajon.

Britania e Madhe e konsideron Iranin përgjegjës për sulmin në rafineritë saudite të naftës. Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh për gazetarët se mendonte që Irani ishte përgjegjës për sulmin e 14 Shtatorit duke shtuar se britanikët mund të kontribuojnë ushtarakisht në përpjekjet ushtarake në gji ku do të dërgohen përforcime.

Ai theksoi se nëse do kërkohej një gjë e tillë Londra do të vlerësonte se në çfarë mënyre mund të ishte e dobishme. Qeveria britanike deri tani kishte qëndruar neutral duke mos akuzuar askënd për sulmet në Riad.

Tashmë Londra, e vetmja kancelari europiane, është rreshtuar në krah të sauditëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke akuzuar Teheranin për sulmet. Johnson pohoi se vendi i tij do të bashkëpunonte me miqtë amerikanë dhe ata europianë për një reagim që do të reduktonte tensionet në rajon duke shtuar se do të takohej me presidentin Iranian Hasan Rouhani në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kryeministri britanik pritet të takohet dhe me presidentin amerikan Donald Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Për Johnson, Britania e Madhe duhet të jetë një urë mes miqve amerikanë dhe atyre europianë kur flitet për krizën në rajon./ABC News Albania 24/7

skynews-boris-johnson-hulk_4775012-1280x720.jpg
nev ila19:50 | 15/09/2019

Duke e krahasuar veten me superheroin e Marvel, Hulk, kryeministri britanik Boris Xhonson është zotuar se do ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja më 31 tetor.

Në një intervistë për “Mail on Sunday”, Xhonson ka deklaruar se do të gjejë një manovër për të anashkaluar ligjet që i imponon Parlamenti.

Kryeministri britanik Boris Xhonson e ka krahasuar veten e tij me heroin e novelave grafike, Hulk, në një intervistë ku ka ritheksuar vendosmërinë e tij për ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor.

Xhonson tha për “Mail on Sunday” se do të gjejë një mënyrë për të anashkaluar votimin e fundit në Parlament që e detyron atë të shtyjë datën e Breksit sesa ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Unioni pa një marrëveshje.

“Sa më shumë Hulk nxehet, aq më i fortë bëhet”, tha Xhonson.

“Hulk gjithmonë ia del mbanë, pavarësisht rrethanave dhe ky është rasti i këtij vendi. Ne do të dalim më 31 tetor”, shtoi ai.

Parlamenti britanik e ka refuzuar vazhdimisht marrëveshjen e Breksit e negociuar nga parardhësja e zotit Xhonson, Theresa Mej dhe këtë muaj Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë opsionin e daljes pa marrëveshje, një lëvizje kjo që acaroi shumë britanikë që presin prej më shumë se tre vjetësh që të dalin nga Bashkimi Europian.

Xhonson synon ta përdorë këtë irritim për të fituar shumicën në zgjedhjet e parakohshme që shpreson të mbajë, por përpjekjet e tij deri më sot janë bllokuar nga opozita, e cila dëshiron të sigurohet se Mbretëria e Bashkuar nuk do ta lërë unionin pa një akord të arritur me Brukselin.

Ditën e diel, partia Liberal Demokrate, që ka 18 vende në Parlamentin britanik, ofroi votat e saj për ata që duan të qëndrojnë në BE, duke forcuar qëndrimin e saj anti-Breksit dhe duke dhënë mesazhin se do ta ndalojë atë nëse fiton më shumë vota në rast zgjedhjesh./ABC News Albania 24/7

http___com.ft_.imagepublish.upp-prod-eu.s3.amazonaws.jpg
ent ela11:50 | 15/09/2019

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kamerun ka nxjerrë në dritë disa të fshehta të hidhura mbi pasardhësin e tij në krye të qeverisë britanike. Sipas Kamerun, Boris Xhonson as që donte t’ia dinte për Breksit 3 vjet më parë, por e mbështeti si opsion vetëm e vetëm për të bërë karrierë  politike.

Ish-kryeministri britanik Dejvid Kamerun ka akuzuar kryeministrin aktual Boris Xhonson se nuk besonte tek referendumi për Breksit tre vjet më parë, por mbështeti largimin nga BE-ja vetëm për karrierë politike. Në një artikull të publikuar në “Sandej Tajms”, ish-kryeministri ka kritikuar edhe ministrin Majkëll Gov, të cilin e ka cilësuar një ekstremist të etur. “Ata ishin një dyshe ambasadorësh të gjepurave dhe fshehjes së të vërtetës në moshën e populizmit”, ka deklaruar Kamerun.

Sa i takon Gov, ai i ka njohur atij vetëm një cilësi: “tradhtinë”. “Ai nuk ka qenë kurrë besnik ndaj meje dhe nuk ka qenë as ndaj bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Boris Xhonson”, ka vijuar Kamerun. Deklaratat e fundit vijnë pas atyre të bëra ditën e shtunë, kur ai akuzonte dyshen politike në fjalë se ishin sjellë në mënyrë “tronditëse” gjatë fushatës së referendumit të vitit 2016. Kamerun ka shkruar më tej se, kur duhet të vendoste për qëndrimin ose largimin, Xhonson ishte i shqetësuar që të anonte nga rezultati më i mirë që do të dilte. “Cilido politikan që do të merrte përsipër udhëheqjen e procesit të Breksit, të mbushur me patriotizëm dhe thirrje për pavarësi do të bëhej i pari i partisë”, ka shkruar Kamerun.

Ai ka shtuar se Xhonson nuk donte të rrezikonte që dikush tjetër të merrte “kurorën” në këtë garë. Kamerun e organizoi referendumin pasi e premtoi atë gjatë fushatës zgjedhore në radhët e konservatorëve. Vetë ai loboi për qëndrimin në BE, por humbi me rezultatin 52 me 48 për qind dhe dha dorëheqjen pak kohë më vonë. /ABC news Albania 24/7

rudd.jpg
G. P.12:18 | 08/09/2019

Një tjetër ministre ka braktisur kabinetin e Boris Johnson, në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për ministren e Punës dhe Pensioneve, e cila ka kritikuar kryeministrin për qasjen e tij ndaj Brexit.

Amber Rudd është figura e radhës që braktis qeverinë britanike të Boris Johnson. Ministrja për Punën dhe Pensionet ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj sulmeve që sipas saj po u bëhen konservatorëve të moderuar.

Gjithashtu ajo ka deklaruar se nuk beson se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja me një marrëveshje është prioritet i qeverisë. Zonja Rudd e cilësoi dëbimin e 21 ligjvënësve konservatorë ditën e martë si një sulm ndaj demokracisë.

Në reagimin e saj, Downing Street deklaroi se ndihej e zhgënjyer nga dorëheqja e një ministreje të talentuar. Largimi i saj vjen në një kohë kur kryeministri Johnson po konsideron të sfidojë një ligj të ri që e detyron të kërkojë një shtyrje të re të Brexit, nëse ai dështon të paraqitet me një marrëveshje të re brenda datës 19 Tetor.

Një burim pranë qeverisë britanike ka deklaruar për “Sunday Times” se, nëse nuk do të ketë një marrëveshje brenda kësaj date mazhoranca do ta sabotojë shtyrjen e Brexit.

Ndërkohë, në një shkrim në “Mail on Sunday”, zoti Johnson bëri me dije se do t’i ofrojë liderit të laburistëve Jermy Corbin një shans të fundit për të rënë dakord për zgjedhje të parakohshme, një taktikë kjo për të shmangur detyrimet që rrjedhin nga ligji.

“Dhe nëse ai refuzon, qeveria thjesht do të vazhdojë punën”, tha Johnson. Ai shtoi se do të punojë pa u lodhur për një marrëveshje, por shtoi se qeveria do të përgatitet të largohet nga BE-ja më 31 tetor “çfarëdo që të ndodhë”./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono