Borchardt

rakipi5-1280x631.jpg
ent ela20:35 | 21/11/2019

Në të njëjtën linjë me Presidentin e Republikës Ilir Meta është edhe analisti Ylli Rakipi sa i takon qëndrimit për ambasadorin e OSBE-së Borchardt. I ftuar në “Mbrëmje në ABC News”, Rakipi thekson se ambasadori i OSBE-së është bërë palë me qeverinë dhe punon me qeverinë.

“Borchardt duhet të largohet sa më parë nga ky vend. Nuk është si Volfart që hante qofte, por ky që u gre gishtin qytetarëve duhet të largohet.

Një njeri që është bërë një me qeverinë dhe punon për qeverinë. E dini ju sa gëzohen ambasadorët kur emërohen në Shqipëri. Borchardt ambasador qesharak është pjesë integrale e regjimit. Unë nuk e kam dëgjuar të pipëtijë për atë çka ndodh në këtë vend”. /abcnews.al

EULEX-PADI-BORCHARDT-_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_01.26-1280x720.jpg
ent ela18:42 | 21/11/2019

Një ish-gjyqtar i EULEX-it ka marrë guximin t’i kundërvihet misionit më të madh të Bashkimit Evropian, duke akuzuar për korrupsion, ndërhyrje politike, presion dhe kërcënime për largim nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u nënshtroheshin urdhrave politikë. Ai ka thënë se të paktën në dy raste, ka pasur urdhra për të dënuar njerëz të cilët konsideroheshin problematikë në raport me bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcomm Simons, ka paditur drejtuesit më të lartë të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, Mats Mattson, Gerrit Sprenger dhe Charles Smith. Ai akuzon EULEX-in dhe një numër drejtuesish të këtij misioni se i kishin montuar tri raste hetimore disiplinore, për ta ndëshkuar për shkak se nuk ishte pajtuar me mënyrën se si po i qaseshin drejtësisë eprorët e tij, raportoi Insajder.  Simons i ka fituar të tre rastet. Insajderi, e ka pyetur EULEX-in nëse është në dijeni të kësaj padie. Kanë thënë se janë në dijeni, por nuk i kanë komentuar akuzat. Simons, zbulon se si edhe gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, paguheshin dhe merrnin para pa punuar fare. Një gjyqtare, paguhej në Kosovë, ndërkohë që punonte në Gjeorgji si konsulente. Në këtë padi, Simons i ka kushtuar një hapësirë të madhe rastit “Kleçka”, në të cilin ishte i akuzuar Fatmir Limaj, dhe të tjerë dhe Grupit të Drenicës. Të dyja këto raste kishin të bënin me krime lufte. Në rastin e parë, ai zbulon se kishin marrë urdhra politikë për ta dënuar Limajn, ndërsa në rastin e dytë zbulon një aferë seksuale midis dy gjyqtarëve të EULEX-it, të cilët të akuzuarve u referoheshin si kafshë. Ish-gjyqtari britanik, tregon se ishte emëruar kryesues i komisionit disiplinor në rastin e gjyqtarit, Pardal, kur kishte marrë urdhra nga Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, që ta ndëshkonin gjyqtarin.

“Trupi gjykues i hodhi poshtë pretendimet. Në mëngjes derisa paneli po e shqyrtonte çështjen mora një telefonatë nga shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, i cili më tha që ai kishte komunikuar me ‘Brukselin’ dhe vazhdoi të më jepte mendimin e tij për rastin dhe sugjeroi se si ne mund vazhdonim me gjetjet. Unë i thashë Shefit të Misionit se kjo ishte çështje i takonte panelit (të komisionit disiplinor), dhe se udhëzimi i tij nuk ishte i duhuri. Kjo tregonte për mënyrën në të cilën procesi, i cili do të duhej të ishte i pavarur, në fakt po drejtohej nga jashtë”, shkruan ai në padi. /abcnews.al

maxresdefault-1-2-1280x720.jpg
ent ela19:29 | 18/11/2019

Kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri nuk ka dashur të komentojë vendimin e Presidentit për shpalljen “non grata”. I pyetur nga gazetari i ABC News Juxhin Mustafaraj , Borchardt nuk ka dashur ta komentojë madje ka larguar edhe mikrofonat.

“Më lini të qetë”,- u shpreh ai.

Por ai tha se OSBE është një organizatë legjitime në Shqipëri dhe pro dialogut. Këto deklarata Borcardti bëri pas takimit në PD të Bashës me aleatët dhe një përfaqësi të OSBE-së.

Një takim për të dakordësuar takimin e nesërm në Presidencë të Bashës dhe aleatëve në lidhje me situatën politke në vend dhe ngërçin e krijuar për gjykatën kushtetuese.

Ndërkohë në PD po takohen ekspertët për reformën zgjedhorë për të arritur një produkt final./abcnews.al

keshilli-i-ambasadoreve.jpg
nev ila17:00 | 15/10/2019

Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë përmes një reagimi, ditën e sotme, në lidhje me gjestin e bërë nga kreu i OSBE në Shqipëri Berndt Borchardt, ku gjatë protestës së banorëve të unazës së re ai është parë se u ka nxjerrë këtyre të fundit, gishtin e mesit ka vënë theksin te mungesa e respektit në reagime të tilla, të cilat mund të cenojnë reputacionin dhe besueshmërinë e organizatës në Shqipëri. Ata gjithashtu shkruajnë se janë të bindur që Kryesia e radhës dhe Sekretariati i OSBE-së, do të marrë masat përkatëse disiplinore në linjë me rregullat, kodin e etikës dhe procedurat e tjera për raste të tilla.

Deklarata e plotë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë:

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të sjellë në vëmendjen e opinionit publik Shqiptar dhe trupit Diplomatik në Tiranë, reagimin jashtë normave të etikës qytetare të Kryetarit të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchard, gjatë një grumbullimi paqësor të një grupi protestuesish, ndërsa ushtronin të drejtën e tyre përballë drejtorisë së Policisë së Tiranës në datë 13 Tetor.

Ky reagim gjendet në link-un në Youtube https://www.youtube.com/watch?v=Vm_WZ6Fugg8.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, ndërsa tregon një respekt dhe nderim të veçantë për të gjithë diplomatët e akredituar në Shqipëri, kërkon prej secilit prej tyre të respektojë popullin Shqiptar, si të drejtën legjitime të çdo Shqiptari për të protestuar paqësisht.

Për shkak të funksioneve të tyre diplomatike, por edhe preferencave personale, Kryetarët e OSBE-së në Shqipëri, përfshirë edhe zotin Borchard, kanë qenë figura të njohura në jetën publike të vendit. Për ketë arsye, ata nuk mund të pretendojnë imunitet nga kritikat për aktivitetet ose qëndrimet e tyre politike, për të cilat ata janë dhe do të jenë vazhdimisht në syrin kritik të publikut.

Në këtë kuptim, reagimi i zotit Borchard ishte fyes, aspak etik dhe mbi të gjitha jo dinjitoz për një përfaqësues të lartë të OSBE-së, misioni i të cilit është të ndihmojë Shqipërinë të ndërtojë institucionet e saj demokratike dhe sundimin e shtetit ligjor.

Mungesa e respektit e reagimeve të tilla mund të cënojë reputacionin dhe besueshmerinë e organizatës në Shqipëri.

Ne mbesim besimplotë se sjellje të tilla të pa kujdesshme dhe jo profesionale të Kryetarit të Pranisë të OSBE-së në Shqipëri do të shqyrtohen me seriozitet nga zyrtarët më të lartë të Organizatës, nga Kryesia e Rradhës dhe nga Sekretariati i OSBE-së, si dhe do merren masat përkatëse disiplinore në linjë me rregullat, kodin e etikës dhe proçedurat e tjera për raste të tilla”./abcnews.al

berishaambasadoriosbe-933x445-1.png
ad min22:30 | 23/05/2019

Disa ditë më parë, në hyrjen e pallatit ku banon ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, ishte shkruar një parrullë në shenjë proteste, “turp të të vijë”. Lidhur me këtë parrullë, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se nuk duhet të protestohet në banesën e tij, por në zyrën e punës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha theksoi se ky rast nuk mund të konsiderohet kërcënim jete, sikurse është deklaruar.

“E drejtë që të protestohet aty nuk është. Tek zyra e tij mund të protestohet. Tek shtëpia e kemi të huaj, e kemi atë kodin për të huajt, nuk duhet shkuar tek shtëpia e tij. Sikundër ambasadori një shpjegim për dy deklaratat duhet ta bënte. Se gjërat këtu në Shqipëri dihet si funksionojnë. Kur dëgjova se është kërcënuar jeta, besova se i kanë çuar mesazhe. Kur mora vesh se ishte për këta, këta kërcënim jete nuk janë. Por tek shtëpia e tij nuk duhej shkuar”.

Ish-Kryeministri Berisha ka folur edhe për përplasjet që ka në distancë opozita me ambasadorin Borchardt. Sipas tij, ambasadori duhet të kishte reaguar kur gjatë javëve të fundit pati raste të agresionit ndaj gazetarëve.

“Ambasadori Borchardt ka ardhur në Shqipëri pas një letre që opozita i ka bërë Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE ku opozita ka kundërshtuar emërimin e tij, duke e konsideruar ambasadorin si njeri të lidhur kokë e këmbë me Ramën. Mendoj se ambasadorit i takonte të dëshmonte paanësi. Qe një periudhë para 1 muaji, ndodhi që në 3 javë shtatë gazetarë u agresuan. Dhe unë në çdo rast e bëja nga një status për ta. Njeriu i parë që duhet të reagonte në Shqipëri nga të huaja është ambasadori Borchardt, të mbronte gazetarët. Nuk shqipëroi një fjalë, më ka bërë përshtypje jashtëzakonisht. Tani e bëri ky për miqësinë që ka me Ramën këtë heshtje? Ambasadori Borchardt pati një problem të dytë madhor, me dy deklaratat. U bë njëra deklaratë dhe pas 10 minutash u hoq njëra dhe doli tjetra”. /tvklan.al

BORSHARD-FLET-PER-SULMIN-NDAJ-TIJ.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
ent ela18:15 | 17/05/2019

Në Shqipëri sulmohet kush vendos fakte kundër mitit. Kështu e komenton Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt shënimin “turp për ju”, në rezidencën e tij në Tiranë.

I erdhën në derë të shtëpisë për t’i lënë një mesazh. Komentin e tij Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt vendosi ta bëjë në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”. Për të nuk janë shkëputur lidhjet e të kaluarës totalitare.

 “Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit”.

Thotë se e dëgjon shpesh nga politikanët akuzat si armik i popullit  një tjetër shembull i hijeve të zgjatura të diktaturës- tha ambasadori Borchard.

“Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike”.

Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot  shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt thotë ambasadori i OSBE-së dhe këtë e sheh tek mbajtja gjallë e perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono