bllokimi

E-DIELE-BORA-KLAN-MAQEDONIA-1280x720.jpg
ent ela18:09 | 06/01/2019

Fshatrat e Malësisë së Shkupit vijojnë të jenë të bllokuara nga bora. Banorët e ngujuar akuzojnë autoritetet se nuk janë në gjendje që ta pastrojnë rrugën.

Rasti i policëve të bllokuar në stacionin policor në fshatrat e Malësisë së Shkupit alarmoi institucionet në Maqedoni. Një situatë e rëndë paraqitet edhe me banorët e këtyre fshatrave, të cilët tashmë disa ditë nuk mund të lëvizin nga fshati.

Policët që ishin të bllokuar në stacionin policor të Tanushës shpëtuan, por jo edhe banorët e këtij fshati. Të bllokuar janë edhe banorët e Malinës dhe Brezës, fshatra këto të Malësisë së Shkupit.

“Mbi 1 metra borë, nuk ka kurrfarë lëvizje. Malina, Breza dhe Tanusha gati tri  ditë janë plotësisht të bllokuar.”

E katërta ditë që ata nuk munden të lëvizin nga shtëpitë për shkak të borës, që i bllokoi këto fshatra malore. Fatmirësisht, bagëtitë që i kanë nuk i lënë pa ushqim, por edhe për të arritur deri aty, kanë pastruar me orë të tëra.

“E kanë pastruar borën vetë për t’u afruar deri tek stanet e kafshëve”.

Edhe pse është larg vetëm 40 kilometra nga qendra e Shkupit, me rrugë të asfaltuar, banorët e ngujuar akuzojnë autoritetet se nuk janë në gjendje që ta pastrojnë rrugën.

Bëhet sikurse gjoja nuk sheh dhe nuk di gjë për këto tre fshatra. Në emër të fshatarëve i bëj thirrje kryetarit të komunës dhe autoriteteve që të marrin masa sa më shpejtë.“

Ndryshe, për shkak të rrugëve të bllokuara nga bora dje u evakuan me helikopterë policët e ngujuar në stacionin policor. Problemi me rrugët gjatë stinës së dimrit, në këto fshatra të Shkupit, përsëritet çdo vit. /abcnews.al

2d8e0410-da56-440e-881f-57d42242ab2a.jpg
ent ela09:39 | 24/10/2018

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon masat e intensifikuara të kontrollit, ndaj subjekteve të ndryshme operator të biznesit ushqimor, specifikisht edhe në magazina frigoriferike.

Kështu gjatë një kontrolli në subjektin “ALB ORCA”, në Tiranë, me aktivitet “Magazinë Frigoriferike” u konstatua dhe u bllokua sasia prej 2.5 ton peshk dhe karkaleca të ngrirë të degraduar nga kushtet e ruajtjes (ngrirje – shkrirje e produktit si dhe kushtet higjieno-sanitare jo konforme); gjithashtu subjekti nuk dispononte dokumentacionin e duhur për gjurmueshmërinë e produktit.

Për sa më sipër ndaj subjektit u morën masa administrative me gjobë, 500.000 lekë si dhe bllokim i produktit deri në asgjësim.

Autoritetit Kombëtar i Ushqimit inkurajon:

– operatorët e biznesit ushqimor që të përmbushin kërkesat rregullatore, ndër të cilat është edhe verifikimi i produkteve që prodhojnë, përpunojnë, shpërndajnë apo nxjerrin në treg nëse janë apo jo në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore dhe nëse i konstatojnë ti heqin menjëherë nga tregu dhe të informojnë menjëherë AKU.

– të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast që konstatojnë apo dyshojnë, pra çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në e-mail info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

KRONIKE-TE-HELMUARIT-ELBASAN-1280x720.jpg
ent ela13:56 | 07/08/2018

Gjendja e të helmuarve nga dasmat në të njëjtin lokal në Elbasan ka ardhur në përmirësim. Por AKU vuri shiritin e bllokimit për shkak se brenda ambjenteve zbuloi mungesë të higjienes dhe produkte të mishit të bulmetit pa etiketë.

Lokali ku u helmuan më shumë se 40 dasmorë u mbyll nga AKU. Siç edhe shikoni nga pamjet “Laguna Blu” në Elbasan konsiderohet nga lokalet më me emër e për dasma thirreshin këngëtarët më në zë të vendit. Por pas kontrollit aty u zbulua ana e errët e tij.

Sipas AKU kishte mungesë të rëndë të kushteve higjieno-sanitare si dhe mungesë të dokumentacionit shoqërues.

Në momentin e inspektimit në subjekt, ndodheshin mish, vezë, djath në sasira të mëdha pa etiketë.

Për produktet e gjendura në subjekt u realizua marrja e mostrave me qëllim kryerjen e analizave për prezencë të Salmonelës.

Të helmuarit nga ushqimi kanë qenë pjesë në dasma të ndryshme, të shtunën drekë, darkë si dhe të dielën në darkë nga i njëjti lokal.

Pronari i tij Manol Musaj u gjobit edhe me 7 milionë lekë të vjetra, kurse ambjentet e lokalit do të mbahen mbyllur deri në rezultatin përfundimtar të analizave.

Nëndrejtori i Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, Elbasan Luan Rrapi: “Gjithësej janë të shtruar 31 raste të rritur, dy fëmijë në pediatri, 3 raste në gjendje të mesme që u dërguan në Tiranë në QSUT, te shërbimi infektiv dhe 8 raste nga këto 4 fëmijë dhe 4 të rritur kanë marrë mjekim ambulator.

Gjendja e përgjithshme e të sëmurëve është e kënaqshme, nuk shohim ndonjë rast të rënduar nga momenti i shtrimit.

Të gjithëve iu janë marrë analizat dhe korpokultura që del pas 2-3 ditëve që do të na japë një të dhënë se kush është shkaku”.

Në spital njerëzit nisën të kërkonin ndihmë që natën e së dielës. Shumë prej tyre kishin të vjella dhe dhimbje të forta barku. /abcnews.al

BLLOKIMET-PLAZHI-VELIPOJA-1280x720.jpg
ent ela19:50 | 12/07/2018

Policia bashkiake e Shkodrës e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, bllokuan shezlonët dhe çadrat pa leje të disa bizneseve, që kishin zaptuar hapësirat publike bregdetare. Gjatë aksionit në Velipojë, pati dhe debate mes policisë dhe biznesmenëve.

Hapësira të rrethuara me shirita të një skene krimi. Shezllone të hequra. Kurse plazhistët pushojnë poshtë çadrave prej kashte. Është kjo panorama në një pjesë të plazhit të Velipojës pas aksionit të një nate më parë  Shtatë stacione plazhi u bllokuan. Kurse një i tille u sekuestrua.

Gjatë orëve të natës Forcat e Ndërhyrjes dhe shpejtë dhe policia bashkiake e Shkodrës gati u përplasën me biznesmenët në plazhin e Velipojës.

Mbi 1 mijë shezlone dhe çadra pa leje u bllokuan. Në operacion kanë qenë 150 forca policiete cilet hasen me qëndresën e pronarëve të bizneseve të cilët nuk pranuan t’i dorëzojnë objektet.

Njëri nga personat që u konfrontua me policinë ishte edhe Nikoll Marku, ish-kryetari i komunës i Velipojës, pasi policia bllokoi disa shezlone të biznesit të nipit të tij. Në krye të operacionit ishte drejtori i policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati dhe n/drejtori.

Operacioni do të vijojë edhe në biznese të tjera, që kanë zënë hapësirën publike në plazhin e Velipojës.

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli

DURRES-MOTORRET-E-UJIT-1280x720.jpg
ent ela13:46 | 21/06/2018

Një urdhër i policisë kufitare ka bllokuar motorët e ujit, apo mjete të tjera që shërbejnë për argëtimin e pushuesve. Kjo për shkak se në licensën e tyre duhet të shënohet edhe vendbazimi i këtyre mjeteve.

Motorët e ujit dhe mjete të tjera lundruese nuk do të lehojen në det. Me urdhër të policisë kufitare në Durrës ato do të rrinë tëe bllokuara edhe pse sezoni turistik ka nisur prej ditësh.

Shkak për këtë është mos përcaktimi i vendbazimit tek licensat e reja. Por ky urdhër ka sjellë pakënaqësi te pronarët.

Një tjeter vendim që i penalizon është edhe pajisja me leje lundrimi për këdo që zgjedh të përdorë një nga keto mjete. Pronarët e quajnë një kërkesë të tillë absurde, pasi jo çdo pushues e disponon një kualifikim të tillë.

Nga Durrësi deri në Kavajë operojnë 12 subjekte të tilla të licensuara për ushtrimin e aktivitetit me mjete motorike për sporte ujore. Dy ditë më parë edhe në Vlorë u protestua për të njëjtën situatë. /abcnews.al

TIRANA-BLLOKOHET-PER-AUTOMJETET-1280x720.jpg
ent ela15:09 | 13/03/2018

Më 14 mars pjesa qendrore e Tiranës do te bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Policia Bashkiake ka hartuar një plan masash për të garantuar aktivitetet e organizuara për ditën e Verës, ndërkohë që ndryshim të lëvizjes do të pësojnë edhe linjat e autobusëvë urban që kalojnë në pjesën qendrore të kryeqytetit.

Kufizoni lëvizjet me makina, ose do të mbeteni në trafik. Të mërkurën thuajse e gjithë pjesa qendrore e Tiranës do të bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Arsyeja është garantimi i mbarëvajtjes së aktiviteteve organizuar nga Bashkia për të festuar ditën e Verës. Ndalimi i lëvizjes së automjeteve nis mesnatën e 14 marsit dhe përfundon në orën 4 të 15 marsit në këto segmente kryesore.

“Dëshmorët e Kombit” në kryqezim me “Ismail Qemalin” deri tek Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Ibrahim Rugova” në kryqëzim me bulevardin “Bajram Curri” dhe rrugën “Ismail Qemali”, rruga “Pjetër Bogdani”, “Brigada e VIII” dhe “Sami Frashëri”. Më datë 14 mars nga ora 7 deri në 19:00 bllokohet edhe bulevardi “Dëshmoret e Kombit në kryqëzim me rrugën “Myslym Shyri” dhe bulevardin “Zhan Dark”.

Ndryshim të itinerarit të lëvizjes sipas shefit të qarkullimit në Policinë Bashkiake të Tiranës do të pësojnë dhe linjat e autobusëve urbanë që aktualisht kalojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në rrugët ku do të bllokohet qarkullimi i automjeteve i ndaluar do të jetë edhe parkimi i tyre. Nëse qytetarët nuk do t’i largojnë vetë nga rruga shefi i qarkullimit në Policinë Bashkiak thotë se ato do të lëvizen nga policia bashkiake.

 

vlcsnap-error283.jpg
us er16:01 | 18/12/2017

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i kërkon Apelit të Krimeve të Rënda të shfuqizojë vendimin e Shkallës së Parë për ndalimin e lëvizjes së tij jashtë vendit. Ankimi për masën e sigurisë u depozitua këtë të hënë tek Krimet nga avokati i tij Maksim Haxhia. Në materialin e ankimit, avokati Haxhia pretendon se prokuroria nuk ka pasur asnjë provë të re për të kërkuar bllokimin e pasaportës së Tahirit dhe se ish-ministri nuk paraqet asnjë rrezik për t’iu fshehur hetimit. Gjykata e Krimeve të Rënda konfirmoi të premten masën e dhënë për ish-ministrin në 9 dhjetor. Gjatë seancës Tahiri tha se ishte i interesuar në hetimin e plotë të çështjes. Prokuroria po heton ish-ministrin për dy vepra penale, bazuar në disa akte të përcjella nga Prokuroria e Katanias, Itali./abcnews.al

vlcsnap-error654.jpg
us er15:30 | 29/10/2017

Pikat e grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Bashkisë së Tiranës pa plotësuar kushtet e kriteret mjedisore, do të mbyllen.
Bashkia dhe Ministria e Turizmit e Mjedisit mbështetur nga Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake, nisën verifikimin e dokumentacionit nga bizneset qe funksionojne ne zona te banuara.
“Qytetarët janë ankuar në platformën e bashkëqeverisjes, ne kemi ndjekur shqetësimet e tyre dhe së bashku me Bashkinë e Tiranës kemi ardhur këtu për të parë një nga problematikat më të mëdha, atë të zgjidhjes përfundimtare të zonave të cilat mbledhin skrapin, zonave të cilat mbledhin mbetjet urbane të qytetit, të cilat kryhen jashtë normave të plotësimit të lejes mjedisore”
“Sipas informacioneve që kemi, operojnë më shumë se 170 pika të cilat grumbullojnë mbetje nga më të ndryshmet, një pjesë madhe e tyre janë brenda zonave të banuara. Qytetarët kanë shprehur në mënyrë të vijueshme shqetësimin për këto pika dhe për ndotjen mjedisore, por edhe për trafikun e krijuar, si edhe për anën estetike dhe mënyrën se si hyjnë e dalin mjetet nga aty. Ky është një problem i cili nuk mund të vijojë”,
Sipas nënkryetarit të bashkisë, vetëm në fazën e parë janë konstatuar se më shumë se 30 biznese të tilla, të cilat operojnë në kundërshtim me ligjin.
“Nuk mund të kemi në mes të qytetit pika të cilat merren me riciklimin e grumbullimin e mbetjeve, ato duhet të jenë të sistemuara e organizuara dhe të funksionojnë sipas të gjithë procedurave ligjore. Në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë kemi rishikuar lejet mjedisore të këtyre mjediseve dhe më shumë se sa 30 prej tyre gjatë javës së fundit u është revokuar leja mjedisore sepse nuk kanë qenë brenda kushteve për të pasur një leje mjedisore”,
Pas Tiranës aksioni do të shtrihet në të gjithë vendin.
“Është e patolerueshme që në qytete të mëdha, por edhe kudo që ndodhen, qytetarët ankohen dhe organet shtetërore janë të pafuqishme për të vepruar. Sot gjetëm konsensus edhe me biznesin të cilit iu la një periudhë kohe për të rehabilituar situatën dhe për të mos lejuar vazhdimin e kësaj situate në mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme, jashtë rregullave normale të funksionimit të biznesit, por edhe të mbrojtjes së mjedisit”,
Ministri i Mjedisit u bëri thirrje qytetarëve që në rastet kur konstatojnë shkelje të tilla të denoncojnë në platformën e bashkëqeverisjes me qyetarët.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono