bllokim

elbasan-1-1280x727.jpg
G. P.10:16 | 03/05/2019

Për dy orë opozita mbajti të bllokuar dje në mbrëmje 12 akse rrugore në mbarë vendin, si pjesë e aksionit të saj të mosbindjes civile. Lulzim Basha nga Elbasani përsëriti se nuk do ketë zgjedhje më 30 Qershor. Shtyrja  e tyre, sipas Bashës i shërben dialogut mes palëve, pa Edi Ramën kryeministër.

Protestuesit në Tiranë bllokuan rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja”. Ata dëmtuan edhe disa skela të vendosur aty për zgjerimin e projektit të Unazës së Madhe.

Tensione pati në qytetin e Fierit. Protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë që ishte vendosur në urën e Mbrostarit. Por kjo situatë zgjati vetëm pak minuta dhe protesta vijoi e qetë. Në Kukës, protestuesit bllokuan nyjën kryesore të Rrugës së Kombit, Urën e Drinit të Zi.

Përreth dy orë u mbajt e bllokuar ura e Matit  nga protestuesit opozitarë të Dibrës. Forcat e policisë qëndruan në distancë dhe nuk pati përplasje. Edhe protesta e organizuar në Kryebushat të Shkodrës kaloi pa incidente.

Protestuesit nga Lezha, Mirdita e Kurbini u vendosën në superstradën Lezhë-Laç. Në dy orë bllokim të rrugës nuk u shënuan incidente, por protestuesit i vunë flakën disa gomave.

Në Durrës nuk u lejua të kalonte asnjë automjet në autostradën tek mbikalimi i Plepave. Protesta u zhvillua qetësisht dhe pa incidente.

Kurse në Gjirokastër, protesta kaloi me vetëm disa incidente të vogla. Aksi rrugor Tepelenë-Gjirokastër u tentua të hapej nga policia, por u kundërshtua nga kreu  i PD-së në Gjirokastër, Dasho Aliko.

Për dy orë protestuesit bllokuan gjithashtu aksin rrugor në hyrje të autostradës Vlore-Levan. Ndërsa policia devijoi qarkullimin në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Fier.

Edhe në hyrje të qytetit të Korçës u bllokua rruga nacionale pranë fshatit Çiflig. Më tepër se 120 forca policie ishin angazhuar për monitorimin e protestës./ABC News Albania 24/7

bllokim-toka-uji.jpg
G. P.18:32 | 28/04/2019

Ndërtimet pa leje kane krijuar probleme në kolektorë, të cilat janë bllokuar. Për pasojë shume hektarë toka mbeten të pakulluar ndaj vendorët po bëjnë ndërhyrjet.

Bllokimi i kolektorëve nga ndërtimet dhe mbjelljet e rrugëve që duhet të përshkojnë eskavatorët gjatë hapjes së kanaleve kulluese vazhdojnë të mbeten shqetësim në Lezhë. Kjo situatë problematike është prezantuar nga drejtori rajonal i bordit të kullimit në veri Ndue Preka. Sipas tij duhet ndërhyrë që të pengohen të tilla ndërtime në mënyrë që të garantohet kullimi i tokave.

Rreth 1100 hektarë tokë në zonën e Zejmenit po dalin thuajse plotësisht nga harta e përmbytjes si pasojë e reshjeve te dimrit. Drejtori Preka thotë se po bëhet një ribonifikim i të gjithë fushës së Bregut të Matit.

Gjatë punimeve për hapjen e kolektorit të Zejmenit ka patur ndërhyrje edhe në trupin e argjinaturës. Eskavatorët po heqin dheun e argjinaturës për t’ua dhënë privatëve dhe po bëjnë mbushje me mbeturinat që po nxjerrin eskavatorët. Drejtori Preka është kontradiktor me deklaratën e tij kur i adresohet për përgjigje një shqetësim i tillë.

Ndërhyrjet kanë nisur prej disa ditësh, ndërsa banorët kërkojnë që të mbrohet argjinatura dhe të mos merren dhera në të, kjo pasi mund të rrezikojë çarjen gjatë stinës së dimrit./abcnews.al

basha-6.jpg
G. P.19:02 | 25/04/2019

“Kjo e sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Shqipëria është në këmbë. Edi Rama nuk e merr peng vullnetin e shqiptarëve”.

Ishte kjo deklarata e kryetarit të opozitës Lulzim Basha në protestën e opozitës në Milot. Për sa i përket zgjedhjeve të 30 Qershorit, Basha theksoi se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe këtë e di edhe bufi.

“Nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Këtë e di dhe bufi dhe vëllai i bufit Edi Rama. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë dhe opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet si mercenarët e Edi Ramës. Ka vetëm një opozitë. Ajo jemi ne e bashkuar me popullin dhe njerëzit. Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral që është nëna e krimeve ekonomike, nëna e varfërisë, papunësisë që ka krijuar qeveria e njeriut më të paaftë më të inkriminuar në pluralizmin shqiptar. Do ketë vetëm zgjedhje të lira. Nuk do lejojmë me asnjë forme, me asnjë mjet, me asnjë çmim krimin elektoral. Zgjedhje false nuk do ketë më”, tha Basha.

“Në asnjë qendër votimi nuk do lejojmë krimi elektoral të përsëritet. Është borxhi ynë para atyre që sakrifikuan për demokraci dhe liri. Të mos lejojmë më krimin elektoral, por të luftojmë sy për sy dhe dhëmb për dhëmb për demokraci, për votën e lirë. Asnjë hap pas nuk do të ketë. Largimi i Ramës është sot emergjencë kombëtare, krijimi i një qeverie tranzitore është shansi i fundit për të shmangur përballjen totale të popullit me klikën gjakpirëse që sundon në vendin tonë”, u shpreh më tej kreu i PD-së./abcnews.al

protestaaaaaa.jpg
G. P.09:30 | 19/02/2019

Dhjetëra qytetarë të Lezhës protestuan për një orë në rrugën Tiranë-Lezhë. Sipas informacionit të gazetarit të ABC News, Gjergj Figuri, ata dolën në hyrje të qytetit për të bllokuar kryeministrin Edi Rama, i cili do të udhëtonte drejt Pukës, në kuadër të aktiviteteve “Bashkia që duam”.

Nuk dihen organizatorët e këtij tubimi, por shumë protestues mësohet se përfaqësojnë anëtarësinë e Partisë Demokratike. Ndërkohë në terren ishin forcat policore për të mbajtur në kontroll situatën.

Por kryeministri Rama nuk kaloi në atë segment siç edhe ishte parashikuar, ndaj banorët hoqën bllokimin në hyrje të qytetit./abcnews.al

luljeta-kora.jpg
G. P.22:07 | 10/01/2019

Gruaja nga fshati Labinot Katund i Elbasanit që lindi në shtëpi aktualisht ndodhet në maternitetin e qytetit bashkë me foshnjen. Rruga që lidh fshatin me Elbasanin ishte bllokuar një ditë më parë për shkak të reshjeve të dëborës. Disa vite më parë, Luljeta Kora ka lindur në kushte të tilla dy binjakë, njëri prej të cilëve nuk mundi të mbijetojë.

Nëna që lindi në shtëpi për shkak se ishte bllokuar nga dëbora rruga e fshatit Labinot Katund ndodhet në maternitetin e Elbasanit. Këtu po merr ndihmën e specializuar. Luljeta Kora tregon se kur e kapën dhimbjet dhe mori vesh që rruga që të çonte në qytet nuk kalohej nga bora. Në kushte të tilla, famijarët njoftuan infermierët e fshatit që ta ndihmonin për të lindur në shtëpi.

“Në mëngjes më morën dhimbjet mua. Deshëm të marrim makinë ata nuk erdhën se ishte bllokuar rruga se kishte rënë shumë dëborë”, tha Luljeta Kora

Stafi mjekësor shprehet se fëmija dhe nëna gëzojnë shëndet të mirë.

Erdhi pacientja, ishte në gjendje të mirë. Fëmija ishte mashkull me peshë 3 kile, u vizitua nga mjeku. I bëmë vaksinën. Edhe gruaja ishte në gjendje të mirë”, u shpreh mjekja.

Nuk është hera e parë që Luljeta lind në shtëpi. Disa vite më parë ajo solli në jetë dy binjakë, por fatkeqësisht njëri prej tyre nuk mundi të mbijetojë./abcnews.al

elbasan-3.jpg
G. P.09:16 | 19/11/2018

Është përmirësuar situata në qarkun e Elbasanit për shkak të ndërprerjes së reshjeve të borës. Sipas Shefit të Shtabit të Emergjencave, Mustafa Arapi, me përjashtim të rrugës së Fushë-Studes, e cila ka pasur disa centimetra borë, të gjithë rrugët e tjera janë të kalueshme. Por edhe ky segment sot është i qarkullueshëm me zinxhirë.

Arapi tha për ABC News, se po punohet për të rregulluar furnizimin me energji në disa fshatra, të cilët patën ndërprerje për shkak të motit.  Gjatë ditës së dielë u konstatuan vështirësi në qarkullim në zona të thella rurale si Stëblevë, Sopot, Polis, Rovje, Lenie, Fushë-Studen etj./abcnews.al

BORA-KORCE-MBULIM.mpg_snapshot_00.13-1280x720.jpg
ent ela19:35 | 18/11/2018

Prej 3 ditësh, Qarku i Korçës është përfshirë nga reshje të dendura të dëborës. Në orët e mbrëmjes rruga Korçë–Dardhë është bllokuar pasi trashësia e borës ka arritur 80 cm. Vështirësi në qakullimin e automjeteve ka edhe në disa segmente të tjera rrugore të këtij qarku si Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Kapshticë. Autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë, kanë urdheruar, që për shkak të motit të keq si dhe bllokimit të një aksi rrugor në territorin Grek, të mos lejohet kalimi i autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë drejt Greqisë, deri në normalizimin e situatës.

Kurse kalimi i mjeteve të vogla, në Kapshticë lejohet vetëm me zinxhirë. Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët dhe të tregojnë kujdes maksimal, ndërsa udhëtojnë në këto akse. Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se kompanitë e mirëmbajtjes po vijojnë punën për kriposjen dhe mbajtjen hapur të rrugëve./abcnews.al

 

SHBA-FACEBOOK-ZGJEDHJE.mpg_snapshot_00.17.jpg
G. P.11:19 | 06/11/2018

Janë 115 profilet e bllokuara nga Facebook, me dyshimin se janë pjesë e një plani për ndërhyrje në zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë moti i keq në Bregun Lindor rrezikon pjesëmarrjen në votime.

Facebook ka bllokuar menjëherë 30 profile në platformën e saj dhe 85 të tjera në instagram, të dyshuara se ishin përfshirë në një plan për të ndërhyrë në zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga vetë shoqëria e Mark Zuckerberg, duke shpjeguar se një aktivitet i tillë mund të lidhet me persona që jetojnë jashtë territorit amerikan. Ndërkohë presidenti amerikan Donald Tramp u bëri apel mbështetësve të tij të votojnë pasi vendi po respektohet sërish në të gjithë botën.

Në takimin e fundit elektoral para votimit në Fort Uejn, Indiana, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se tashmë amerikanët kanë një president që lufton për vendin, një vend që demokratët duan ta shkatërrojnë: por ne nuk do e lejojmë, nuk do të heqim dorë dhe nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Do të fitojmë sepse ne jemi amerikanë të vërtetë,” u shpreh ai

Ndërkohë moti i keq rrezikon procesin e votimit në bregun lindor, ku janë parashikuar stuhi dhe erëra të forta. Ekspertët shprehen se këto kushte metereologjike mund të ndikojnë në pjesëmarrjen në votime, një fakt që shqetëson dhe demokratët dhe republikanët. Fronti i temperaturave të ulëta do të shkaktojë reshje të dendura kudo në bregun lindor, nga Florida në Mein, ndërsa situate më kritike do të jetë në Nju Jork, Pensilvani dhe Virxhinia jo shumë larg Uashingtonit. Por moti i keq do të prekë dhe zonat në veri përfshirë Miçigan, Minesota dhe Dakota e Veriut. Gjendje e alarmit për motin është dhënë dhe në Missisipi./abcnews.al

OK-ELBASAN-NXENESIT-RRUGA-MBULIM_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.19-1-1280x1043.jpg
G. P.09:20 | 18/10/2018

Nxënësit e shkollës së Funarit bllokojnë furgonin e mësuesve në mes të rrugës. Janë nxënësit e shkollës 9-vjeçare të cilët nuk kanë lejuar mësuesit që të shkojnë në shkollë. Shkak për këtë është mungesa e transportit të tyre. Në shkollën e Funarit zhvillojnë mësim disa fshatra mes tyre edhe Mollagjeçi që ndodhet larg. Nxënësit duhet të përshkojnë disa kilometra për të shkuar aty. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të prindërve dhe nxënësve çështja nuk është zgjidhur. Ndaj për këtë arsye ata protestuan dhe do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën derisa atyre tu sigurohet transporti./abcnews.al

 

 

elbasan.png
G. P.13:04 | 08/10/2018

Siguria ushqimore vijon të mbetet problem jo vetëm në tregje, por edhe në restorante apo stabilimente të përpunimit të produkteve të mishit në vend. Vetëm javën e shkuar në qarkun e Elbasanit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur, 8 gjoba me vlerë 1.800.000 lekë dhe ka bllokuar 552 kilogramë mish.

Përmes një njoftimi për shtyp, AKU thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara në tregje u konstatuan dhe u sekuestruan 18 kilogramë peshk me destinacion asgjesim dhe 40 kilogramë mish dele pa vulë dhe certifikatë veterinare.

Ndërsa në restorante, dyqane dhe stabilimente të përpunimit të produkteve te mishit u konstatuan 300 kilogramë mish të ngrirë, 118 kilogramë mish viçi, mishi 51 kilogramë mish lope, 5 kilogramë mish qengji, 20 kilogramë mish derri të pa vulosur dhe të pa certifikuar si dhe 950 kilogramë miell pa element gjurmueshmërie.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve të bëjnë kujdes në blerjen e produkteve shtazore dhe të kërkojnë informacione për atë që konsumojnë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono