Blendi Klosi

blendi-kloss.jpg
G. P.15:59 | 02/03/2019

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Talulant Balla, i cilëson protestat e opozitës shfaqje të turpshme e të padobishme, pasi siç tha ai, “PS sërish do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2021”. Ndërsa sipas drejtuesit politik të Qarkut Berat, Blendi Klosi, arsyeja përse opozita i ka hyrë kësaj rruge është se nuk e mund dot Partinë Socialiste.

Për Taulant Ballën, nuk ka asnjë dyshim se mazhoranca aktuale do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2021.

“Dhe pas 2021-isht ne do jemi në qeveri kurse Luli në Holandë. Sot ne jemi vetëm përballë të gjithë atyre. Fati na e ka sjellë që të gjithë këta t’i kemi përballë”, tha Balla.

Opozitën nuk e sheh si kundërshtare të Partisë Socialiste, pasi kjo parti, thotë Balla, kundërshtarin më të madh ka vetveten.

“Opozitë nuk kemi ata, opozita jonë janë hallet e njerëzve”, u shpreh ai.

Gjatë një takimi me Asambletë e zgjeruara në qytetet Berat, Kuçovë, Poliçan dhe Urë Vajgurore, Balla i drejtoi këtë mesazh krerëve të opozitës:

“Mos guxoni të bllokoni rrugën europiane të Shqipërisë. Përballja me drejtësinë nuk ju shpëton pavarësisht se çfarë skenarësh mund të keni”.

Drejtuesi politik i Qarkut Berat, Blendi Klosi, tha se opozita ka zgjedhur këtë rrugë, sepse e kuptoi që Partinë Socialiste nuk e mund dot, sepse ajo është ne aleancë të gjerë me qytetarët.

“Para një jave s’ndodhi asgjë më shumë dhe asgjë më pak vetëm se kapitullimi i Sali Berishës. Ata nënshkruan kapitullimin. E thanë një vit me radhë që kur humbën në 2017-n në të gjithë Shqipërinë se: ne nuk i mundim dot socialistët, ne nuk e mundim dot Edi Ramën, ne nuk e mundim dot Partinë Socialiste”, tha Klosi.

I pranishëm në takime ishte edhe kandidati socialist për Bashkinë e Beratit, Ervin Demo, i cili theksoi se mesazhet negative që partitë opozitare po japin, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit, e veçanërisht turizmin./abcnews.al

blendi-klosii.jpg
G. P.15:40 | 02/03/2019

Në ditën e dytë të aktivizimit social për të shtuar hapësirat e gjelbra në vend, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, bashkë me përfaqësues të trupave diplomatike, punonjës të zonave të mbrojtura e nxënës u ndal në Maliq.

800 mijë pemë gështenje dhe arre u mbollën në këtë zonë me qëllim krijimin e pyllit social.

“Fushata “Krijo oksigjenin tënd”, – u shpreh ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, – ka për qëllim jo vetëm gjelbërimin, por dhe zhvillimin e ekonomisë së zonës që vjen me tregtimin e fryteve nga drurët frutorë”./abcnews.al

blendi-klosi.jpg
G. P.14:45 | 01/03/2019

Këtë të premte në të gjithë Shqipërinë, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit nisi aksionin e mbjelljeve. Edukimi mjedisor shumë shpejt deklaroi Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, do të jetë orë mësimi në shkolla.

Aksionin e mbjelljes se pemëve në Tiranë e nisën nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Jeronim De Rada”, të cilët po rehabilitojnë lulishten pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

I pranishëm ishte dhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit. Klosi tregoi se ministria që drejton në shkallë vendi ka ndërmarrë disa ndërhyrje që kanë të bëjnë me pyllëzimin e zonave të mbrojtura.

“Nxënësit i kanë zgjedhur vetë fidanët e tyre dhe po marrin pjesë që nga fëmijët e vegjël deri te nxënësit e klasave të 9 në gjithë këtë proces, duke i dhënë një shtysë shumë të madhe të gjithë operacionit tonë. Nesër është data 2 dhe ne do të kemi përsëri të njëjtin aktivitet dhe nesër ia kemi lënë ditën shoqërisë, njerëzve të lirë, të cilët mund t’i mbjellin këto pemë në oborret e tyre, mbase edhe në bahçet e tyre, në hapësira publike dhe të kemi mundësi që të kujtojmë njerëz të dashur, të mbjellim për familjarët tanë, të mbjellim për natyrën, për fshatin e qytetin, pasi thelbi ynë është që fëmijët e vegjël të jenë ata që mbjellin pemën e tyre, e rrisin e mbajnë dhe se çdo fëmijë që sot mbjell një pemë gjatë gjithë jetës së tij zor se do të presë një pemë tjetër”.

Aksioni i mbjelljeve do të vijojë dhe me 2 Mars në të gjithë vendin. Ndërsa fushata “Krijo oksigjenin tënd” do të vijojë deri më datë 22 Prill në Ditën Ndërkombëtare të Tokës. /abcnews.al

klosii-1280x853.jpg
G. P.17:37 | 26/02/2019

Protestuesit e opozitës tentuan të pengonin ministrin e Mjedisit Blendi Klosi që mos të hynte në Parlament. Ministri Klosi u sulmua nga disa protestues të mbledhur përpara godinës së Parlamentit.

Forcat e policisë ndërhynë për të ndaluar protestuesit dhe për të lejuar z.Klosi që të hynte në Parlament ku zhvillohet seanca plenare e nisur në orën 17:00. /tvklan.al

blendi-klosi-1280x707.jpg
G. P.15:16 | 25/02/2019

Gjatë vizitës 2-ditore në qarkun e Gjirokastrës, ministri Blendi Klosi zhvilloi një bashkëbisedim me prodhuesit e reçelit dhe glikove në Përmet. Gjatë bashkëbisedimit me bizneset e zonës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Klosi e vuri theksin tek fushata “Krijo oksigjenin tënd”, një nga qëllimet e të cilës është mbjellja e pemëve frutore në ndihmë të biznesit.

Fushata “Krijo oksigjenin tënd” nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u ndal në zonën e Përmetit, ku në fokus ishte mbjellja e drurëve frutorë që i vjen në ndihmë biznesit. Në fjalën e tij ministri Blendi Klosi u kërkoi sipërmarrësve mendime dhe ide për ta shndërruar politikën për “Pyjet që Duam”, në politikë që prodhon biznes dhe ekonomi.

Blendi Klosi: Kemi një studim shumë të gjërë për pemët medicinale, pemët e egra, mollën e egër, gështenjën e egër, për pemë unike që ka vendi unë, dhe duke i shtuar numrin e tyre, do shtojmë më shumë biznes që kanë të bëjnë qoftë me lëndën kozmetike, por me të tjera produkte që mund të zhvillojnë ekonominë në kompanitë si e juaja që është e bazuar te frutat që prodhojnë pemët.  

Në vëmendjen e ministrit Klosi ishte edhe reçeli i Përmetit apo glikoja e arrës, të cilat janë prodhime mjaft unike të vendit tonë, ku sipas tij duhen mbrojtur dhe promovuar nga shoqata e zejtarëve./abcnews.al

krijo-oksigjenin-tend.jpg
G. P.15:31 | 24/02/2019

Fushata “Krijo oksigjenin tënd” është ndalur së fundmi në fshatin Kosinë të Përmetit, ku ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, bashkë me disa nxënës mbollën fidanë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi tha se aksione të tilla kanë synim pyllëzimin e vendit. Sipas tij, këto nisma të Ministrisë së Mjedisit do të kulmojnë në datat 1-2 mars në Ditët e Pemëve, ku do të ketë një pjesëmarrje masive në të gjithë vendin për të mbjellë pemë për mjedisin që duam, për më shumë pastërti dhe shëndet për brezat e rinj.

Edhe zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit theksoi rëndësinë për më shumë pjesëmarrje në datat 1 dhe 2 Mars, kur cilido që vlerëson natyrën do të mbjellë pemët e tij për më shumë oksigjen./abcnews.al

 

turizmi.jpg
G. P.14:57 | 08/02/2019

Standardet për një turizëm cilësor duhet të vendosen pa nisur sezoni veror. Më këtë argument, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi dhe ai i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilluan një takim me prefektët. Përmes tyre mesazhe i dërguan dhe kryetarëve të bashkive.

Plazh privat apo publik. Kufiri mes tyre duhet të jetë i qartë pa nisur sezoni veror. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i bëri thirrje kryetarëve të bashkive të zonave bregdetare të bëjnë kujdes kur japin lejet për shfrytezimin e rërës.

“Fillimi i muajit Mars të realizohet i gjithë procesi dhe në fillim të muajit prill ta kemi të shënuar zonën se ku do të lundrohet. Është e pafalshme për një vend që pretendon që të jetë destinacion turistik ajo që na ndodhi vjet në Velipojë, ku falë ndërhyrjes së forcave të rendit u sistemua një lloj problematike që kishte të bënte me ndarjen dhe shfrytëzimin e rërës në vendet tona”, tha Klosi.

Ndërkohë plazhet nuk do të lejohet të funksionojnë pa plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë. Ministri i Brendshëm, Sandsr Lleshaj, u shpreh se toleranca në këtë aspekt do të jetë zero.

“Monitorimi do të jetë i tillë që të garantojë që asnjë segment plazhi nuk fillon funksionin pa patur të krijuar të gjithë infrastrukturën e sigurisë sipas ligjit. Këtu nuk ka nevojë as për negociata, as për lënie kohe në dispozicion. Kohën e kanë, ata e dinë. Staf sigurie, duhen kulla sigurie”, tha Lleshaj.

Problematikat e sezonit turistik, ministrat Klosi dhe Lleshaj i diskutuan në një takim me prefektët, të cilëve iu kërkuan të nxisin kryetarët e bashkive të plotësojnë detyrimet e tyre ndër të cilat renditen dhe kushtet higjeno-sanitare e  ndarjen e zonave ku do të lejohet muzika e lartë./abcnews.al

blendi-klosiiii.jpg
G. P.16:01 | 03/02/2019

Është festuar në Liqenin e Prespës dita e pijes së Verës. Një atmosferë e tillë do të shtrihet në të 100 fshatrat turistikë tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili nënvizoi rëndësinë që ka promovimi i këtyre zonave për të shtuar numrin e turistëve vendas e të huaj.

Me një gotë në duar e me tryezën e shtruar me prodhimet tradicionale të zonës, Prespa ka festuar ditën e pijes së verës.

Arsyeja pse ndodhej buzë liqenit të Prespës edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ishte mesazhi që donte t’i përcillte të gjithë sektorit të turizmit dhe agriturizmit në vend.

“Ajo çfarë ne synojmë gjatë realizimit të këtyre festave është që shumë më tepër turistë të vizitojnë Prespën, shumë më tepër konsumatorë të produkteve lokale, të produkteve tradicionale, shumë më tepër konsumatorë të bukurive natyrore, shumë më tepër biznes, shumë më tepër mirëqënie, punësim dhe ekonomi për banorët e Pustecit dhe zonave rurale, ky është objektivi që ne i kemi vënë vetes”, tha Klosi.

Për ministrin Klosi, festat lokale vijnë në zbatim të planit 365 ditor të masave për një turizëm më të qëndrueshëm dhe më cilësorë. Me në fokus, promovimin e vlerave të liqenit, kombinuar me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe me traditën e një feste lokale, për ta shndërruar Shqipërinë në një magnet për më shumë ekonomi.

“Në qoftë se nuk e kuptojmë që edhe këtu në Pustec duhet të shtojmë informacionet turistike, duhet të përgatisim guidat e vërteta turistike që shoqërojnë tursitët, qoftë në zonën rurale apo të malit, ashtu edhe në zonën e liqenit, në qoftë se nuk e kuptojmë që kemi nevojë me shpejtësi për disa pika të vërteta agroturizmi”, tha Klosi.

Duke folur edhe në emër të qeverisë, ministri Klosi tha se është filluar të jepet ndihma financiare duke reduktuar kostot e operimit.

“Pra kemi ulur TVSH-në, e kemi bërë 5% dhe Tatim Fitimin po 5%, duke dhënë po të njëjtin status që kanë hotelet me 5 yje biznet dhe agrobiznesi lokal. Dhe duke i dhënë të gjitha këto, ne kërkojmë që të rrisim prodhimin e brendshëm dhe lokal”, u shpreh ministri.

Në festën e pijes së verës, një vajzë e re mori cmim për fotografimin më të bukur të Liqenit të Prespës./abcnews.al

blendi-klosi-llogara.jpg
G. P.15:18 | 27/01/2019

1500 fidanë i janë shtuar Parkut Kombëtar të Llogarasë. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ftoi qytetarët të kontribuojnë për një Shqipëri më të gjelbër.

Zjarri i dy viteve më parë dëmtoi rëndë këtë zonë të Llogarasë. Arsye që ndali fushatën “Krijo oksigjenin tënd” në kuadër të së cilës Ministria e Mjedisit dhe Turizmit bashkë me nxënësit e shkollës së Dukatit mbollën 1500 fidanë.

“Ne po mbjellim disa mijëra pemë, që do të ndihmojnë jo vetëm për të ndaluar erozionin, por edhe për të krijuar në parkun e Llogarasë një zonë të gjelbër”.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit kërkoi ndihmën e komunitetit me qëllim që 22 Prilli, dita ndërkombëtare e tokës ta gjejë Shqipërinë më të gjelbëruar.

“Por thirrja jonë është që gjatë periudhës 100 ditore të projektit tonë për të rehabilituar zonat e mbrojtura të kemi mundësinë që çdo shqiptar të mbjellë pemët e tij”.

“Krijo oksigjenin tënd” është nisma më e re ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për të rehabilituar zonat e mbrojtura./abcnews.al

balluku.jpg
G. P.13:41 | 26/01/2019

Në Prill të vitit të kaluar miratuan lejen e ndërtimit të burimit të ri gjenerues të energjisë, për hidrocentralin Strori në përroi e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll, Bashkia Gramsh. Rreth një vit më pas janë ulur të dëgjojnë pse banorët janë ngritur kundër ndërtimit të këtij HEC-i.

“Kush janë interesat më të shumta, të komunitetit apo interesat e shtetit për të ngritur një central kaq të vogël dhe sa mund të japë ky”?

“Për çfarë të bllokohej? Një të bllokuar atje, të bllokohet gryka dhe të bllokohen 2 kilometra këtu. Prandaj ju them na jepni ndihmë, na jepni dorë”.

Dy ministrat që i dëgjuan i siguruan se nuk do të realizohet asnjë projekt kundër vullnetit të banorëve.

Belinda Balluku: Reagimin e keni të menjëherëshëm dhe reagimi nuk ka të bëjë me Holtën vetëm. Siç ju thashë është një aksion që kemi ndërmarrë për të gjitha HEC-et për të parandaluar të gjitha problematikat.

Blendi Klosi: Ka grupe interesash, nuk diskutohet siç është grupi i interesit në ndërtimin e HEC-eve, por për ne grupi më i madh i interesit është ai i qytetarëve dhe për ne, opinioni dhe ajo çfarë mendojnë njerëzit është grupi më i madh i interesit.

Banori: Unë e du shqip llafin. Zonja Balluku të më thotë do ta bësh apo do e anulosh? Po e anulove do futesh në histori, po s’e anulove… s’e ke mirë me ne.

Belinda Balluku: Më bëre një pyetje dhe unë e nisa kështu dhe e them dhe njëherë. Këtu janë pezulluar punimet.

Në radhët e banorëve ishte edhe një përfaqësues i kompanisë që ka nisur punimet për ndërtimin e hidrocentralit. Ai kërkoi t’i sqarojë se kanioni nuk është dëmtuar dhe se nuk kishin shkelur asnjë ligj.

“Ju them gjithë banorëve që realisht ky projekt ka kaluar fazën e fizibilitetit dhe gjithë procedurën e fazës së projektit të studimit në respekt dhe në zbatim të gjitha procedurave ligjore që kanë të bëjnë me institucionet përgjegjëse për dhënien e lejeve përkatëse”.

Zëri që i mbështeti më shumë banorët ishte deputeti i qarkut të Elbasanit,njëhesh dhe kryetar i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“I dashur mik, përfaqësues i kompanisë së ndërtimit. E vërtëta është këtë gjë duhet ta kishit bërë shumë kohë më parë. Ne na thanë banorët që bllokohet hyrja në kanion . Nëse bllokohet hyrja në kamion, kamioni jo dëmtohet, por del jashtë çdo funksioni”.

Taulant Balla i dha edhe garancinë e fundit banorëve në emër të mazhorancës socialiste.

“Dua t’ju them të gjithëve që procesi i pezullimit do të shoqërohet me një proces shumë sqimtar për të parë letër për letër dhe detaj më detaj të gjithë projektin me garancitë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie natyrore do të shkohet në anulim”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono