Blendi Fevziu

blendi-fevziu-rrefimi-1280x681.jpg
nev ila21:43 | 12/11/2019

Gazetari dhe moderatori i njohur, Blendi Fevziu, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano. Së bashku me Nanon, ai prezantoi për herë të parë, librin e tij të fundit të titulluar “Tirana e Nonës”.

Blendi u shpreh se ka nisur ta shkruajë librin në udhëtim e sipër, sapo avioni është ngjitur në fluturimin e radhës. Ky libër e ka rikthyer Blendin në kujtimet e fëmijërisë, në Tiranën e tij të dashur, aty ku u rrit dhe u kthye në një nga gazetarët më të suksesshëm në vend.

Duke folur për librin e tij më të fundit, “Tirana e Nonës” thekson se, në kohët e sotme kushdo që ulet të shkruajë duhet respektuar.

“Unë jam dakord me idenë se, kushdo që ulet të shkruajë duhet respektuar, për sa kohë nuk e harxhon kohën për të shkruar 5 batuta në Facebook, apo për të shoqëruar ndonjë foto në Instagram. Kur dikush vendoset përpara kompjuterit dhe mundohet të artikulojë ose të koncentrojë idenë e tij, në thelb është pozitive“, tha Fevziu.

Në rrëfimin e tij përballë Mustafa Nanos, gazetari Blendi Fevziu tregoi edhe se cilin nga librat e tij vlerëson si më të mirin dhe cilin më pak. Ndërsa përmendi disa nga titujt e librave të botuar prej tij, disa i renditi sipas cilësisë. Fevziu theksoi se libri “Tirona e Nonës” është nga librat më të mirë të shkruar prej tij.

“Në gjykimin tim, Libri “Tirana e Nonës” është më i mirë se libri “Enver Hoxha”, është më interesant, dhe aty e gjen veten një publik më i gjerë. Ka brenda edhe groteskun e shoqërisë shqiptare, ka dhimbjen, dramën njëkohësisht, ka dhe një lloj optimizmi. Ka gjithë groteskun e Shqipërisë. Shqipëria është një mini-glob ku janë vërtitur personazhe nga më të çuditshmit. Në këtë libër, unë nuk kam treguar thjesht biografinë time në ato vite, por kam rrëfyer 3 personazhe, duke i parë që prej fillimit e deri në fund të jetës së tyre, kur unë në fakt, kam qenë prezent në jetën e tyre, vetëm 10 vitet e fundit ” tha gazetari.

Pyetjes së gazetarit Mustafa Nano, se përse kishte veçuar këto 3 personazhe për librin e tij, Fevziu tha se ishte rritur më shumë me to, ndaj i kishte përzgjedhur.

Mustafa Nano: Pse keni veçuar këto 3 personazhe?

Blendi Fevziu: Sepse me to jam rritur më shumë. E kam shpjeguar edhe një herë, se unë jetoja me gjyshen. Ajo ishte personi që unë zgjohesha në mëngjes, drekë dhe në darkë. Ato ishin në fund të jetës së tyre, dhe befas ato gjetën një njeri që i dëgjonte. Zakonisht të moshuarit i dëgjojnë vetëm fëmijët, pjesa më e madhe e njerëzve të tjerë po të vësh re, nuk ja kanë ngenë, janë të lodhur etj.. Por unë i dëgjoja. Nuk besoj se ato mi thonin të gjithë gjërat, që të mbeteshin, por ato thjesht flisnin, tha Fevziu./abcnews.al

blendi-fevziu-1280x728.jpg
nev ila18:03 | 12/11/2019

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka prezantuar në një takim me të rinj, librin e tij më të fundit “Tirana e  Nonës”. Fevziu thotë se libri nuk është as roman e as libër kujtimesh, por një analizë e fateve njerëzore.

Blendi Fevziu ka shkruar libra artistikë, historikë, por asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë kënaqësi  sa “Tirana e nonës”. Libër të cilin e ka nisur në fillim të viteve 90, por tashmë u jetësua, dhe këtë vepër mike siç e quan ai, ia dedikon tri grave: Nona, teta Meti dhe Bibia.

“Gjetën befas një fëmijë tek i cili filluan të rrëfenin. Rrëfimet e tyre nuk ishin rrëfime të zakonshme, që janë fantastike, të çdo gjyshi e gjysheje të çdo njeriu, sepse eksperiencat jetësore janë të jashtëzakonshme. Ato janë rrëfime që lidhen me historinë e Tiranës, me historinë e Shqipërisë, me zhgënjimin që ato kishin në raport me politikën, me zhgënjimin që kishin në raportet e miqësisë personale, gati edhe me problemet e brendshme familjare si çdo familje, dmth hatërmbetjet, prishjet,  divorcet, rivendosjet e marrëdhënieve të reja. Kështuqë ato filluan të mi rrëfenin në një periudhë 10 vjeçare, ku më shumë se sa protagonist, isha thjesht një dëgjues shumë i kujdesshëm, dhe një vëzhgues po kaq i kujdesshëm i bisedave që bënin jo vetëm me mua, por që ato bënin edhe me njëra tjetrën”, tha Fevziu.

Libri i cili i kishte ngecur prej shume vitesh , mori formë gjatë udhëtimeve të shpeshta, thekson Fevziu.

Prej gati 20 vitesh, a herë vendosja letrat për të shkruar ose hapja kompjuterin, gjithmonë ngecja, nuk shkruaja dot as frazën e parë. Më pas hapa një polder ku e quajta Tirona ku fusja gjëra që më kujtoheshin, detaje. Ai polder shkoi gati 30 faqe, vetëm me piketa. Një ditë isha në udhëtim dhe e kam thënë sapo avioni u ngrit nga pista, hapa IPAD që kisha me vete e nisa të shkruaj, dhe kur jam ulur në aeroportin tjetër kisha shkruar pothuaj dy kapitujt e parë të librit. Befas libri nuk pati asnjë subjekt të mirëfilltë, secili kapitull shkruhej si një libër më vete, pra mund të lexohen edhe kapitujt të ndarë nga njëri tjetri, por njëkohësisht kanë një histori”, rrëfeu ai.

Fevziu thotë se u gjenda në jetën e saj në vitet e fundit të jetës kur nona ishte “zhveshur” nga gjithçka. Ishte “zhveshur’ nga pushteti dhe ambiciet e familjes, ishte “zhveshur” nga pasuria që ja kishte marrë komunizmi, ishte “zhveshur” edhe nga persekutimi, dhe pikërisht në fund të jetës së saj filloi të jetonte.

“Libri lind në momentin kur stërgjyshja ime po ndërronte jetë, kur isha 14 vjeç. Në këtë moment u prish kjo 3-shja, e 3 grave që kishin shenjuar jetën time. Gjithë jeta e saj ishte një mbijetesë për të rritur fëmijët, një mbijetesë për të parë se si rrënohej pushteti i familjes së saj, pastaj i mbijetesës nga komunizmi, dhe vetëm në fund të jetës të saj, kur unë them që çdo gjë kishte mbaruar, ato kishin harruar edhe persekutimin. I kishte harruar historia dhe komunizmi. Ato filluan të jetonin duke kujtuar jetën e fëmijërisë së tyre”, tha ai.

Blendi Fevziu librin  do ta prezantoi edhe në panairin e 22-të të Librit, që do të mbahet nga data 13-22 nëntor në Pallatin e Kongreseve./abcnews.al

fevziu.jpg
in a09:15 | 12/11/2019

“Tirana e Nonës”, ky libër është shkruar për tre njerëz të rëndësishëm që shënjuan fëmijërinë e gazetarit Blendi Fevziu. Bëhet fjalë për tre gra, të cilat kanë ndikuar në formimin e tij kur ishtë fëmijë.

Ato ishin shtërgjyshja e tij Nigjari ose Nona siҫ ai e quan në libër. E dyta ishte motra e strëgjyshes, Ganimeti ose teta Meti siҫ i thërriste ai. E treta ishte Sybija ose shkurt Bibia, e cila do të ishte si një nënë më shumë për mamanë e Fevziut.

I ftuar në emisionin “ABC e mëngjesit” të Enkel Demit, gazetari shpjegon përse këto tre gra kanë patur kaq shumë ndikim në jetën e tij.

“Një miksim i të gjithave kohërave, një pjesë e historive të përditshme të Shqipërisë, libri reflekton stilin e të jetuarit dhe mënyrën se si ka ndryshuar shteti shqiptar”, tha Fevziu.

“Historia nis me stërgjyshen time, ajo ishte një grua shumë e dedikuar ndaj meje. Ishte një grua që të paktën kur e kam njohur unë ishte midis të 70-ve, kur ndërroi jetë ishte 80-vjeçare. Nuk kishte asgjë të veçantë, ishte një grua fare e zakonshme si shumë gra në Shqipëri që e kishte ndërtuar jetën e saj përmes shumë fatkeqësive, ndryshimeve, transformimeve. Ishte një prej atyre rasteve tipike kur jeta nis bukur dhe përfundon mes shumë problemeve, por në fund të jetës së saj, njeriu ndjen një lloj pajtimi”, shprehet Blendi Fevziu.

Gazetari thotë se midis gjyshërve apo stërgjyshëve, krijohet një lidhje e veçantë me nipërit dhe mbesat.

Gazetari rrëfen me emocion momentin kur është gjetur në një tavolinë me një kuzhinier shumë të famshëm: “Kur po i shpjegoja gatimin për byrekun shqiptar më saktësisht duke i thënë se është më i miri, jam surprizuar nga përgjigja që mora”, tha Fevziu. Kuzhinieri më bëri të kuptoj se ka qënë një byrek i gatuar me dashuri, ndaj dhe kisha marrë një emocion të tillë.

Fevziu rrëfen detaje të hollësishme të librit. Gjatë bashkëbisedimit në studio tregon për gjyshen se si e martuan me një burrë më të madh se ajo në moshë i cili ishte shumë i famshëm.

“Ishte ministër i Brendshëm në Shqipërinë e kohës. Por ai, për arsye të zhvillimeve politike, u konfliktua me Zogun dhe u detyrua të dilte në pension. Ndërkohë që sapo kishin lindur dy fëmijët e parë të saj, pra 25-26 vjeçe ngeli e ve, sepse burri ndërroi jetë. Kështu që imagjino një grua 25 vjeç të ngelet me dy fëmijë dhe gjithë jetën e saj mundohet të mbijetojë. Deri në vitet e mbretërisë, me gjithë mllefin e madhe që kishin me Zogun, nuk e duronin dot, kishte një lloj mirëqenie që vinte nga pronat. Pastaj erdhi komunizmi i mori të gjitha pronat dhe filloi t’i persekutonte. Edhe pse nuk patën probleme me komunizmin, thjesht fakti që ju mori çdo mundësi të çdo prone, por ju la shtëpitë. Dhe në fund të jetës së tyre, ju duk sikur edhe komunizmi nuk merrej më me to. Dhe ato ngelën në një botë që filluan të projektonin vetëm vitet e lumtura. Është shumë e çuditshme se si njeriu në pleqëri, nuk kujton asgjë nga gjërat e hidhura”, tha Fevziu.

Blendi Fevziu e cilëson librin si një përmasë personale lirie: “Kam 20-25 vjet që dua ta shkruaj këtë libër, ka personazhe që i kam ballafaquar rrëfimet e tyre dhe i kanë dalë të pavërteta, tha ndër të tjera gazetari.

“Tirana e Nonës” është libri i autorit Blendi Fevziu, i cili do të jetë pjesë e Panairit të Librit./abcnews.al

kurti-1-1280x598.jpg
ad min23:45 | 09/10/2019

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se nuk do të jetë një kryeministër arrogant me opozitën dhe se bashkë me këtë të fundit do të krijojë një ekip negociator për dialogun me Serbinë. Këtë dialog thotë se do ta drejtojë vetë ai, ndërsa drejtimin e këtij dialogu nga Presidenti i Republikës e cilëson të gabuar.

Blendi Fevziu: Nëse do të shkoni në dialog me Serbinë, duket që SHBA e kanë marrë shumë seriozisht këtë dialog, përderisa Presidenti Trump ka caktuar një të dërguar special përtej atij për Ballkanin, një të ngarkuar direkt të tijin për dialogun Kosovë-Serbi. Sa të përfshira do të jenë SHBA-të në këtë dialog?

Albin Kurti: Do të jenë shumë të përfshira, ne kemi edhe letrën e Presidentit Trump nga Dhjetori i vitit të kaluar. Mirëpo Presidenti Trump aty thotë se ne duhet të flasim me një zë unik në Kosovë, gjë që nuk ka qenë rasti në dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Dhe ju mendoni se do ta keni zërin unik si Kryeministër?

Albin Kurti: Unë si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës nuk do të jem arrogant ndaj opozitës, do të krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, të në ndajë e të na përçajë.

Blendi Fevziu: Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?

Albin Kurti: Unë.

Blendi Fevziu: Kush ju mandaton për këtë?

Albin Kurti: Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një shtet të pavarur që është republikë parlamentare dhe demokratike, kjo më takon.

Blendi Fevziu: Deri tani është marrë Presidenti i Republikës me këtë çështje.

Albin Kurti: Gabimisht pra, prandaj edhe dështoi.

Blendi Fevziu: Do të përjashtohet krejtësisht apo do të përfshihet edhe Presidenti në dialog.

Albin Kurti: Jo këtë do ta udhëheq unë. Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë president, por ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme, jo krijuesi i politikës së jashtme. Ai është sjellë si krijues i politikës së jashtme, ai nuk mund të jetë më krijuesi i politikës së jashtme./tvklan.al

blendi-fevziu.jpg
ad min17:50 | 05/09/2019

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka shfytëzuar një takim me studentë dhe pedagogë të UET për të prezantuar librin e tij më të ri.

Jo një roman dhe jo një libër kujtimesh, por vetë autori e cilëson një analizë të fateve njerëzore. Tre vite nga suksesi me librin “Pushteti”, Blendi Fevziu rikthehet para lexuesit me “Tirona e Nonës”.

“Është ai që mund ta quaj “Libri i jetës time”, si një borxh që duhet ta ktheja”.

Fevziu zbuloi pak nga subjekti i librit, në boshtin e të cilit qëndron stërgjyshja e autorit.

“Është historia tipike sesi njeriu shpeshherë vjen dhe iken nga kjo jetë. Unë u gjenda në jetën e saj në vitet e fundit të jetës kur ishte zhveshur nga gjithçka. Ishte zhveshur nga pushteti dhe ambiciet e familjes, ishte zhveshur nga pasuria që ja kishte marrë komunizmi, ishte zhveshur edhe nga persekutimi, dhe pikërisht në fund të jetës së saj filloi të jetonte”.

Libri “Tirona e nonës” pritet të botohet në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës brenda muajit Shtator.

Tv Klan

lleshaj-fevzo-933x445.jpg
nev ila22:43 | 24/06/2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se policia ka informacione që mund të ketë tentativa për të shkaktuar probleme më 30 Qershor, megjithatë ai mohon që vendi rrezikon të shkojë në një përplasje civile. Ai thotë se problemet që mund ketë janë ato të rendit publik. I ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Opinion”, Lleshaj tha se mazhoranca është e detyruar nga Kushtetuta për të shkuar në zgjedhje.

Zoti Lleshaj ju pra jeni të vendosur për të shkuar në zgjedhje më 30 Qershor?  

“Ne nuk jemi të vendosur, ne jemi të detyruar për të shkuar në zgjedhje, ne jemi të detyruar prej Kushtetutës. Kush mund të ishte alternative…”

Po kush ju detyron ju zoti Lleshaj të shkoni në një përplasje, që rrezikon të jetë edhe një përplasje civile?

“Jo nuk rrezikon të ketë përplasje civile, sepse nuk ka një konflikt civil në Shqipëri”.

A keni ju informacione të klasifikuara si ministri, si polici, nga shërbimet e specializuara që mund të ketë probleme më 30 Qershor?

“Probleme mund të ketë më datë 30 Qershor. Probleme të nivelit të rendit publik, probleme të kriminalitetit, por jo probleme të konfliktit civil.

Keni informacione apo hamendje?

“Kemi dhe informacione që mund të ketë tentativa për të shkaktuar probleme në nivelin kriminal të çështjes, por jo në nivelin civil.

Çdo me thënë në nivelin kriminal të çështjes?

“Po grupe të caktuara kriminale, çdo ditë kemi probleme kriminale në Shqipëri. Grupe kriminale ose individë që zhvillojnë veprimtari kriminale ka shumë. Ata që dalin përballë ligjit janë kriminelë”./tvklan.al

klan.jpg
ad min22:25 | 09/05/2019

Korrigjimi i kufijve të Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës janë dy terma që kanë ndarë në dy kampe politikën në Shqipëri dhe Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka sulmuar ashpër ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka akuzuar atë si “Argat të Beogradit”.

“Mëkate të mëdha” ka bërë Berisha, tha Presidenti Thaçi, duke iu referuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa sa i përket qëndrimit që mban Sali Berisha duke kundërshtuar shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e konsideron ish-Kryeministrin shqiptar “gërmadhë të politikës”.

Hashim Thaçi: “Z.Berisha nuk ka patur guximin të kundërshtonte idenë për shkëmbimin e territoreve nga z.Rugova. Z.Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj UÇK dhe këto mëkate kanë qenë paralele të luftës në terren kundër shqiptarëve dhe propagandës së ashpër për UÇK terroriste. Në vitin 1999 unë kam shkuar në zyrën etij dhe pastaj kemi patur një komunikim normal. Kur jam zgjedhur Kryeministër, kemi pasur respekt reciprok.

Shpreh keqardhje për gjendjen e tij emocionale si një gërmadhë për skenën e politikës shqiptare. Nëse dikush mendon që dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i dëmshëm, mendoj se është shumë naiv. Për arsye se ka qenë transparent. Unë jam vetëm për korrigjim të padrejtësive historike. Ky është pozicioni im”. /tvklan.al

cakaj-3.jpg
ad min23:35 | 23/04/2019

Lidhur me debatin e shumëpërfolur të ditëve të fundit, pasi autoritetet holandeze kërkuan rivendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, tha se kjo duhet të interpretohet nga politika. Ai renditi 5 kriteret teknike për heqjen e vizave për një shtet dhe Shqipëria nuk i përmbush këto kritere.

“Ky vendim duhet të interpretohet nga këndvështrimi politik. Zgjedhjet e fundit në rajon dhe Holandë kanë prodhuar një rritje të populizmit, nacionalizim përjashtues dhe politikave konservave në përgjithësi dhe kjo manifestohet”.

Pse, Holanda nuk zgjodhi Serbinë, Malin e Zi, por zgjodhi Shqipërinë?

Ka një rritje të populizimi dhe politikave përjashtuese, antiemigracion në Holandë. Ne jemi dhe një një moment elektoral që karakterizon Europën dhe kjo vendimmarrje lidhet më një fushatë elektorale.

I pyetur nga gazetari, Blendi Fevziu se pse Holanda zgjodhi pikërisht Shqipërinë dhe jo një shtet tjetër të rajoni, Cakaj tha se: Është një moment elektoral i dyfishtë. Së dyti, ky vendim absolutisht nuk pasqyron të vërtetën për Shqipërinë dhe këtë e thotë minisrti i Çështjeve të Sigurisë dhe Drejtësisë së Holandës në seancën kur është mbajtur votimi për këtë çështje.

Cakaj, deklaroi se janë 5 kritere teknike për heqjen e vizave për një shtet.

1.Rritje e qëndrueshme e emigracion të parregullt, për mbi 50 % dhe në rasti e Shqipërisë nuk përmbushet.

2.Rritje e qëndrueshme sërish mbi 50% e  kërkesave për azil dhe në këtë rast nuk përmbushet.

3. Përbërja e një rreziku substancial për rrezikun e sigurisë të vendeve anëtarë që për Shqipërinë nuk përmbushet.

4.Kthimi në bashkëpunim për çështje të kthimit që po ashtu në rastin tonë nuk përmbushet.

5.Prapakthimin në përmbushjen e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, dhe verifikohet nga bashkimi Europian, i cili në dhjetor ka thënë se Shqipëria përmbush të gjitha kriteret./tvklan.al

erion-veliaj-1.jpg
ad min13:17 | 29/03/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka gati 7 projekte që do të bëjnë ndryshimin në kryeqytet nëse ai fiton garën për një mandat të dytë. Këtë bindje shprehu kryebashkiaku Veliaj në emisionin Opinion në Televizionin Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Të pandarë e konsiderojnë veten nga njëri-tjetri. Aq pranë e ndjejnë njëri tjetrin sa vetë kryebashkiaku Erion Veliaj përdor një shprehje popullore.

“Mishi me thoin nuk di të jenë më afër se ne. Në 30 vite pluralizëm nuk di të ketë pasur një kryeministër që ka qenë kaq afër sa unë me Edi Ramën. Unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Unë jam pjesë e kryesisë së PS, jap kontributin tim në vendimmarrjen qendrore të PS”.

Duke shuar çdo dyshim mbi marrëdhënien Rama-Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës nënvizon në emisionin Opinion në televizionin Klan se është koha për të folur se çfarë do të përfitojnë banorët e kryeqytetit në mandatin e dytë që ai shpreh bindjen se do ta fitojë.

Projekti më i rëndësishëm për kryebashkiakun është përfundimi i Bulevardit të Ri.

“Bulevardi i ri sot i ndërtuar nga Grimshaw. Kush do udhëtojë nga ky muaj në Stamboll hapet aeroporti i ri i Stambollit që është më i madhi sot në Europë do shohë të njëjtën kompani që ka bërë bulevardin e ri. Ngeci ai projekt 4 vite. Rama negocioi gjithçka deri tek financimi. U bllokua me një tabelë aty : S’na lë Edi Rama. Si s’të lë Edi Rama? Ti dy vite ishe me Saliun, kë gënjen? 2 vite me Saliun kush të pengoi ty për ta bërë?”

Pavarësisht se ka mbetur pezull projekti për ndërtimin e Unazës së Re, kryetari i Bashkisë së Tiranës garantoi se pas përfundimit të procedurave, brenda këtij viti, një pjesë e punimeve do të jetë realizuar. Ndryshime e presin edhe bulevardin Zogu i Parë, njoftoi Erion Veliaj.

“Rehabilitimi i bulevardit Zogu i Parë-Rikonstruksion i gjithë fasadave me veshje termike, termoizolim. Do ketë rikonceptim më të madh të hapësirave në kryqëzime. Do jetë një zgjatim me të njëjtën cilësi si Sheshi Skënderbej”.

Piramida e Tiranës do të transformohet gjithashtu. E konceptuar që të ruajë efektin e hipje-zbritjes.

“Një ministacion ku t’i mund të kesh një ekspo, një vend-pushimi, të gjitha të lëvizshme. Në disa vende do ruhen pjesët rrëshqitëse, në disa vende të tjera do jenë me shkallë. Do jetë ekzaktësisht një ballkon belvedere mbi majën e piramidës. Brenda do ndahet ne klasa të ndryshme, një shkollë alternative për gjithë fëmijët e Tiranës 5-15 vjeç, kryesisht për kurse të teknologjisë së informacionit”.

Pas dy vjetësh është parashikuar të përfundojë terminali te kthesa e Kamzës tha kryebashkiaku Tiranës, ndërkohë që do të vazhdohet dhe  me ndërtimin e 17 shkollave të reja me shpresën se do ti jepet fund mësimit me dy turne në kryeqytet.Një prej projekteve që kryetari i bashkisë Tiranë e ka promovuar shpesh herë është edhe lidhja midis Kopshtit Zoologjik dhe atij Botanik.

“Pjesa e kopshtit Zoologjik do ketë hyrje të re. Do bashkohet me kopshtin Botanik dhe aty shpresojmë do ketë mbi 200 të punësuar, pra duam ta trajtojmë edhe si një park të madh argëtimi. Ambiente didaktike. Jemi duke parë mundësinë që një teatër Kukullash të jetë këtu. Parkimi është i gjithi nëntokësor. Besoj do të fillojmë para zgjedhjeve punimet për Kopshtin e ri Zoologjik. Është i ndarë në tre faza. Secila fazë zgjat nga një vit. Brenda mandatit do kemi Kopshtin zoologjik”.

Ndërsa sa për ndërtimin e teatrit të ri do të mjaftojë vota e 30 Qershorit për të vendosur mbi fatin e tij./abcnews.al

monika-kryemadhi.jpg
ad min23:19 | 06/03/2019

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, se vendi mund të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në fund të muajit Maj.

Monika Kryemadhi: Unë mendoj që PS po përgatitet për zgjedhje të parakohshme në fund të muajit Maj. Zgjedhjet lokale do t’i shtyjë për Shtator-Tetor. Asnjë kryebashkiak nuk do të pranonte të hynte në zgjedhje në këtë situatë.

Fevziu: Rama tha se do t’i fitojë të gjitha 61 bashkitë.

Monika Kryemadhi: Po shumë mirë, le t’i fitojë. Edhe Enver Hoxha i fitoi të gjitha…

Fevziu: Ju do të futeni në zgjedhje lokale?

Monika Kryemadhi: Unë mendoj se është shumë herët për të folur për të vetmen arsye se sot jemi në një ngërç të kapjes së institucionit të parlamentit.

Kryetarja e LSI-së tha se “Edi Rama nuk rrëzohet duke bërë protesta paqësore. Në po sensibilizojmë opinion publik”, ndërsa në krahun tjetër shtoi se opozita po menaxhon “në mënyrën më stoike urrejtjen e qytetarëve ndaj Ramës.

Kryemadhi tha se është e gatshme të largohet nga politika nëse Kryeministri Rama është në gjendje të mbledhë po aq njerëz sa opozita mblodhi më 16 Shkurt. /tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono