biznese

anila-denaj.jpg
ad min13:30 | 25/09/2019

Dëmet që kanë pësuar bizneset në Durrës nga tërmeti i 21 Shtatorit do të përballohen nga buxheti i shtetit. Konfirmimin në emër të qeverisë e bëri ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Anila Denaj gjatë inspektimeve në disa prej këtyre bizneseve në qytetin bregdetar.

Ngado që hedh sytë sheh pasojat që la pas tërmeti edhe në këtë biznes në Durrës. Tashmë është koha të bëhet vlerësimi i dëmeve që të nisë menjëherë më pas lëvrimi i fondeve nga buxheti i shtetit. Garancinë për t’i rimbursuar ua dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

“Buxheti i shtetit disponon fondet për ta mbështetur të gjithë pjesën e konstatimit të dëmeve, me rimbursim. Ky vlerësim dëmesh duhet të ndodhë këto javë dhe ne pastaj të kemi mundësi që menjëherë të hapim fondin, i cili është i plotë, por do të ketë edhe fonde shtesë. Unë jap garanci që i gjithë ky proces do të mbulohet 100%”.

Gjatë bashkëbisedimit me biznese të zonës, Ministrja Denaj kërkoi mirëkuptimin e tyre për procedurat që do të ndiqen dhe theksoi nevojën për një mirëkoordinim mes strukturave shtetërore, në mënyrë që vlerësimi i dëmeve të bëhet sa më shpejt dhe më pas të vijohet me pjesën e fondeve për rimbursimin e tyre.

“Ne sigurojmë  që fondi i emergjencës ekziston dhe në pamundësi për të qenë i plotë, ne siç e thashë më parë, kemi akoruar disa fonde shtesë për tu vendosur në ndihmë, nga fondi rezervë, për të kaluar te fondi i emergjencës. Në kontekstin e fondeve jemi të qetë. Ajo që ne duhet të koordinojmë është në raport me procedurat për rimbursim sepse edhe nga ana proceduriale është e vështirë që ne të angazhohemi përpara se ekspertët të flasin për vlerën e demit për çdo familje”.

Ministrja Denaj u bëri thirrje të gjithë bizneseve për t’u solidarizuar me familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti./ABC News Albania 24/7

aksioni-informaliteti-1280x851.jpg
ad min15:08 | 11/09/2019

Pas përfundimit të sezonit veror Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe  Financiare në Policinë e Shtetit publikon bilancet për aksionet kundër-informalitet. Në total u kontrolluan rreth 1760 subjekte dhe u arrestuan 39 administratorë e pronarë objektesh që u gjetën me shkelje.

Rreth 1760  subjekte u kontrolluan në kuadër të aksionit anti-informalitet. Drejtori për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, ka bërë të ditur bilancin e aksionit të gjerë kundër informalitetit që u shtri gjatë verës në disa prej sektorëve kyçë.

Hetimit nuk i kanë shpëtuar punonjës të administratës vendore dhe qëndrore.

“Gjithashtu janë proceduar penalisht 64 zyrtarë të administratës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga të cilët, 42 nëpunës të bashkive, 9 nëpunës të sistemit fiskal, 8 nëpunës të Drejtorive Rajonale të ndryshme, 5 nëpunës të IMT-së. Ndër zyrtarë të administratës janë arrestuar 5 vetë dhe 1 është shpallur në kërkim”.

Aksioni anti-informalitet sipas Minxhozit, pati një impakt edhe te pushuesit që zgjodhën bregdetin Shqiptar. Sipas tij u liruan afërsisht 40 mijë m2 hapësirë publike që ishin zaptuar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Në kuadër të goditjes së aktivitetit të paligjshëm të subjekteve që ushtronin aktivitet biznesi të shërbimit pa leje dhe lirimin hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin në zona bregdetare, në shkallë vendi:Janë liruar 55 hapësira publike me sipërfaqe totale rreth 40 mijë m²; -62 subjekte janë proceduar penalisht; -mbi 6,700 shezllone dhe 3,200 çadra janë sekuestruar”.

Në fund Minxhozi theksoi se, fokusi i departatmentet që ai drejton do të jenë mbi subjektet e mëdha konkretisht tek hidrokarburet, në fushën e ndërtimit dhe tregtia e mallrave të akcizës./ABC News Albania 24/7

PAMPURI.jpg
ad min13:34 | 01/08/2019

Partia Demokratike akuzon qeverinë se pas zaptimit të pronave publike ka nisur shtetëzimin e pronave private. Ish-deputetët e PD, Oriola Pampuri dhe Klevis Balliu mbështetën protestën e 4 bizneseve në rrugën e Kavajës, të cilët  pretendojnë se janë larguar me forcë nga pronat e tyre, pavarësisht se janë në vijim të një procesi gjyqësor.

Pronarët u shprehën se kanë marrë shpërblime qesharake nga qeveria, ndërkohë që vlera e tregut për metra katron në zonë shkon deri në 5500 euro, duke hedhur dyshime se mbi pronat e tyre do të ndërtohet një pallat.

Ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri deklaroi se pronarët e ligjshëm po dhunohen nga qeveria. Sipas Pampurit, vendimi për të nxjerrë pronarët nga bizneset e tyre pa pasur një vendim gjyqësor të formës së prerë është i paprecedentë dhe i ngjashëm me shtetëzimet  e pronës në regjimet komuniste./ABC News Albania 24/7

vjedhjet-e-banesave-1280x715.jpg
nev ila15:32 | 09/06/2019

Në muajin maj, mesatarisht çdo 24 orë u raportua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës 7 vjedhje objektesh, nga të cilat 5 ishin banesa dhe dy biznese. Qytetarët që lenë banesat vetëm u kujtohet të mos publikojnë vendndodhjen nëpërmjet rrjeteve sociale, por këto njoftime nuk merren parasysh nga një pjesë e mirë e tyre.

Në verë shtohen ditët e pushimeve për shumë njerëz, ndërsa për hajdutët e banesave shtohet puna.

Vazhdimisht ata sofistikojnë mënyrat e vjedhjes së apartamenteve dhe dyqaneve, duke krijuar mënyrë dhe metoda të reja. Policia apelon qytetarët për kujdes të shtuar, pasi gjatë muajit maj në Tirane janë denoncuar në polici mesatarisht 7 vjedhje objektesh, 5 nga të cilat ishin apartamente banimi. Nuk i kanë shpëtuar grabitjes as bizneset, ku çdo ditë sipas uniformave blu janë grabitur rreth 2 të tilla.

Sipas Specialistëve të Krimeve Kundër Pronës, zbulimi i grupeve kriminale dhe dënimi i tyre në gjykatë ka qenë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por pavarësisht kësaj, numri i denoncimeve të grabitjeve nuk është ulur.

Qytetarët që lenë banesat vetëm u kujtohet të mos publikojnë vendndodhjen nëpërmjet rrjeteve sociale, por këto njoftime nuk marren parasysh nga një pjesë e mirë e pushuesve.

Ndërkohë, fenomeni  i vjedhjeve është një shqetësim edhe  në zonat bregdetare. Ekspertët pohojnë se, një pjesë e mirë e vjedhjeve kryhen nga grupet kriminale që më herët kanë operuar në Tiranë, të cilat gjatë verës zhvendosen në banesat e qytetarëve në bregdet, si Durrës, Golem, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Në 7 zonat më të mëdha bregdetare, vitin e kaluar u regjistruan çdo ditë 20 grabitje./ABC News Albania 24/7

biznese.jpg
ad min13:48 | 28/04/2019

Këtë fundjavë kryeministri Edi Rama ka vizituar dy biznese vendase në Elbasan. Shqetësimi kryesor që i kanë shprehur sipërmarrësit është mungesa e profesionistëve.

Bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Punësimit u jep punonjës të aftë bizneseve, por nuk mjafton. Ky është një shqetësim i përsëritur nga shumica e tyre e këtë i thotë kryeministrit një prej përfaqësuesve të një kompanie me profil industrial në Elbasan.

“E gjitha historia në këtë ndërmarrje është që, duhet rritur shkolla profesionale,” u shpreh një përfaqësuese e kompanisë.

“Te kapanoni i ri duam të bëjmë edhe klasa, sepse këtu po sjellin tani për praktikë, edhe universitetet, edhe shkollat e mesme dhe i kemi bërë pa asnjë kosto, vetëm t’i sjellin të mësojnë. Rroga mesatare këtu shkon te 80 mijë lekë të reja,” shton një përfaqësues tjetër.

Fabrika e prodhimit të konstruksioneve metalike në Elbasan,prodhon kryesisht për tregun e huaj duke eksportuar në Amerikë, Nikaragua, Gjermani, Francë e Spanjë.

Kryeministri vizitoi edhe fabrikën e re për prodhimin e lëndës së parë për bateritë e makinave, në Bradashesh, Elbasan, investimi më i ri në këtë zonë me vlerë mbi 20 milionë dollarë ku parashikohen të punësohen 200 punëtorë./abcnews.al

grabitja-rinas-servisi-elbasan.mp4_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela15:38 | 22/04/2019

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht ka vënë në pranga katër persona si autorë të dyshuar në grabitjen e 9 prill në aeroportin e Rinasit. Abc News ishte në vendin ku dyshohet se u logua forgoni i grabitjes, ndërsa për të rënë në gjurmët e autorëve që ndihmuan Admir Murataj të përgatiste planin e tij, u sekuestruan rreth 70 kamera të bizneseve Tiranë Elbasan.

Këto janë pamjet nga brenda servisit që ndodhet 6 km larg qytetit të Elbasanit, i cili ishte në administrim të vëllait të Klement Çalës.

Eldi Çala, u shpall në kërkim policor, ndërsa në pranga përfunduan, Saimir Çela i dyshuari kryesor që ka logouar automjetin e modifikuar, i cili u përdor nga Admir Murataj për grabitjen e Rinasit.  Për ti shpëtuar patrullës së policisë që ndodhet në hyrje të qytetit të Elbasanit, autorët kanë zgjedhur një rrugë alternative.

Bashkë me Saimir Çelën, në pranga përfunduan edhe Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Oltion Veseli.

Ky i fundit u prangos në Fushë Krujë dhe dyshohet të ketë ndihmuar grabitësit, në djegien e njërit prej dy mjeteve të përdorur ne krim.

Ndërkohë, oficerët e policisë gjyqësorë kanë marrë në pyetje edhe pronarin e servisit Gentian Sharra, i cili ka pohuar se servisin e kishte në administrim Eldi Çalës, prej shumë kohësh dhe nuk ishte në dijeni të asaj se çfarë ndodhte brenda servisit. Në kërkim vijon të jetë Klement Çala i cili dyshohet se bashku me Admir Murataj që mbeti I vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë të jenë ideatorët e super-grabitjes së disa miliona eurove në Rinas.

Për të rënë në gjurmët e autorëve, u sekuestruan rreth 70 kamera të bizneseve nga rreth rrotullimi i Bradasheshit deri në Rinas. Policia njoftoi zyrtarisht pas më shumë se 13 ditësh kur ndodhi grabitja e 9 prillit në aeroportin  e Rinasit, duke bërë të ditur se për të rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar u përdorën metoda speciale të hetimit, si  përgjimi ambiental për tre personat me origjinë nga Elbasani e po kështu edhe këqyrja me orëve të tëra të pamjeve të kamerave të sigurisë.

Ndërkohë, u angazhuan tre drejtori Vendore,  të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Nga kontrollet janë gjetur prova materiale të shumta të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Numri i personave të ndaluar deri tani që po verifikohen është 20 të ndërsa për katër prej tyre, prokuroria e Krimeve të rënda ka kërkon masën e sigurisë atë të arrestit me burg.

Gazetar: Andi Qosja

skynews-donald-trump-us-president_4407328-933x445.jpg
ad min20:47 | 14/04/2019

Demokratët në Kongresin amerikan kanë kërkuar nga institucionet vendase që të bëjnë transparencë nëse bizneset personale të presidentit Donald Trump kanë shlyer taksat. Bëhet fjalë për një betejë të re politike që ka gjasa t’i shkaktojë dhimbje koke shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Demokratët në Kongresin amerikan i kanë shpallur një sfidë Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave, duke i kërkuar të publikojë brenda datës 23 Prill dokumentet për shlyerjen e taksave nga bizneset personale të presidentit Donald Trump.

Përmes një letre, ligjvënësit paralajmëruan institucionin që kujdeset për mbledhjen e taksave se dështimi në implementimin e kërkesës së tyre, që përfshin një periudhë 6-vjeçare, do të interpretohet si një refuzim.

Më herët, administrata amerikane tejkaloi një afat të vendosur më 10 prill nga demokratët, të cilët e kanë bazuar kërkesën e tyre tek kompetencat e komisionit të posaçëm parlamentar që mbikëqyrur aktivitetin e IRS-së.

Por sekretari për thesarin Stiven Mnushin ka deklaruar se demokratët po vendosin data arbitrare dhe ka theksuar se në këto rrethana është më e rëndësishme që Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave të mos kthehet në një armë politike.

Mnushin ka thënë se është i prirur të zbatojë ligjin, por nuk ka saktësuar nëse departamenti i tij, që mbikëqyr IRS-në, do të plotësojë kërkesën e demokratëve brenda 23 Prillit.

Sekretari i Thesarit deklaroi më herët gjatë javës se kërkesa e demokratëve ngre shqetësime mbi qëllimet e tyre dhe sa i takon mbrojtjes së privatësisë së taksapaguesve./abcnews.al

bizneset-gjermane-1280x714.jpg
ad min14:33 | 09/04/2019

Situata ekonomike në Shqipëri në këndvështrimin e më shumë se gjysmës së bizneseve gjermane që operojnë në vendin tonë është e keqe.

Dhomat  Gjermane të Tregtisë në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë publikuar anketën  e këtij viti për klimën e biznesit dhe investimeve.

Rezultatet e saj u prezantuan në prani të Ambasadores së Gjermanisë në Tiranë Sussane Schutz e cila bëri dhe një krahasim me vitin që lam pas.

Pesimistë shprehen sipërmarrësit gjerman dhe sa i përket asaj që presin të ndodhë me ekonominë në vendin tonë.

45% e tyre mendojnë se nuk do të ndryshojë ndërsa 43% thonë se do të bëhet më keq.  Tregues ky i fundit që ka pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin që lam pas kur vetëm 17%  e bizneseve kishin këtë perceptim.

Por çfare i shqetëson më tepër bizneset gjermane në Shqipëri?

Sa i përket kostove të punës, produktivitetit,  motivimit, kualifikimit të punonjësve, arsimimimit akademik, disponueshmërisë e fuqisë punëtore të kualifikuar sipërmarrësit gjermane ndajnë mendim pozitiv.  Megjithatë pyetjes se, sa e ka prekur emigracioni forcën e punës së kualifikuar në Shqipëri, 51% e tyre i janë përgjigjur “shumë”./abcnews.al

Veliaj-gjate-mbjelljes-se-pemeve-te-Liqeni-4-1280x853.jpg
ad min13:41 | 10/03/2019

Qytetarët dhe bizneset vijojnë të mbjellin pemë për Tiranën. Ndërkohë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, shprehet se bashkia do ta thyejë rekordin e mbjelljeve të vitit të shkuar.  

Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë po i shtohen pemët çdo ditë. Qytetarë dhe biznese i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë për t’i dhënë më shumë gjelbërim qytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi angazhimin e tyre, ndërsa tregoi synimin për këtë sezon.

“Jemi në gjysmë të planit tonë për këtë vit, kemi edhe një muaj e gjysmë për të thyer prapë rekordin. Dua të ftoj të gjithë të mbjellim pemë për 14 marsin, Ditën e Verës, të mbjellim një pemë për fëmijët që do jetë këtu gjithë jetën. Kush mbjell një pemë, jo vetëm që nuk këput pemë, por nuk ofendon, nuk flet me zë të lartë, nuk hedh mbeturina në tokë dhe unë besoj se më shumë se mbjellje fidanësh e pemësh, është më shumë mbjellje e një kulture dhe një mentaliteti të ri në këtë hapësirën ku mbillen idetë tona, që është kultura jonë qytetare”, tha Veliaj.

Ndërkohë Veliaj ftoi qytetarët të shfrytëzojnë festat apo ditët e shënuara për to e të angazhohen për një qytet më të mirë duke shtuar hapësirat e gjelbërta./abcnews.al

policia-1.jpg
ad min16:55 | 23/01/2019

Vetëm në 20 ditët e para të Janarit në të gjithë vendin janë regjistruar 62 raste vjedhje biznesesh ose banesash. Pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur në kryeqytet.

Rritet numri i grabitjeve të banesave dhe bizneseve në vend krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu në 20 ditët e para të Janarit janë regjistruar 62 vjedhje me thyerje, ku pre kanë rënë bizneset e të gjitha kategorive si edhe banesat familjare. Krahasuar me Janarin e 2018-s trendi ka ndryshuar.

Fokusi i hajdutëve nuk është më vetëm tek vjedhjet e shtëpive, por tek bizneset. Madje edhe bankat e nivelit të dytë kanë rënë pre e grabitjeve, përmes thyrjes së bankomateve. Rasti  më i rëndë u shënua në Urën Vajgurore, ku hajdutët vendosën një sasi tritoli për të marrë paratë që ndodheshin brenda një bankomati. Ajo që është më shqetësuese për autoritetet policore është zbulueshmëria e autorëve të grabitjeve në të gjithë vendin.

Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar një takim me vartësit e tij si edhe me drejtues të policisë vendore, disa ditë më parë, duke u kërkuar rezultate konkrete në këtë drejtim. Madje burime nga mbledhja me dyer të mbyllura pohojnë për ABC News se disa nga drejtorët e qarqeve më problematike janë kërcënuar nga Veliu me lëvizje nga detyra apo edhe më keq, me lirim prej radhëve të saj.

Gjatë gjithë vitit 2018 u rregjistruan në Tiranë rreth 130 vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe nga ato, 22 persona rezultuan si të dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Grabitjet e banesave dhe bizneseve, sipas specialistëve të policisë, shtohen në periudhën e festave të fundvitit si edhe gjatë pushimeve të muajti Gusht. Rastet më të rënda të grabitjeve të bizneseve me armë gjatë vitit 2018, ku pati edhe viktima, ndodhën në Tiranë dhe Fier./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono