besnik cani

Untitled.jpg
G. P.16:30 | 08/02/2019

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokurorin, Besnik Cani.  Prokurori Cani u konfirmua në detyrë nga KPK-ja më 27 Nëntor të 2018-ës.

Në një njoftim bëhet me dije se pasi u shqyrtua vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si u mor në konsideratë rekomandimi i paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, Cani nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

“Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin e më parshëm, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani”, thuhet në njoftim.

Besnik Cani, ka qenë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë./abcnews.al

 

 

 

KRONIKE-VENDIMI-BESNIK-CANI.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
G. P.16:51 | 27/11/2018

Besnik Cani, prokurori i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme kaloi me sukses procesin e Vettingut. Ndryshe nga çdo herë tjetër e një vendimi pozitiv, KPK adresonte për hetim disiplinor problematika të konstatuara gjatë procesit të Vettingut për Canin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin e Elbasanit, Besnik Cani. Aktualisht Cani është i komanduar në Prokurorine e Përgjithshme, ku është edhe këshilltari kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Ndryshe nga çdo gjyqtar apo prokuror i konfirmuar deri më tani, në vendimin përfundimtar KPK përcjell për inspektim disa prej gjetjeve të konstatuara për Canin. Komisioni i kërkon organit kompeten të verifikojë katër çështje për shkaqe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore prej prokurorit.

Në filtrat e inspektimit duhet të kalojë kontrata mes Canit dhe një shoqërie private, e cila ka ndërtuar një karburant, një bar-kafe dhe një lavazh mbi një truall në pronësi të tij. Sipas kontratës, prokurori përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe pas 25 vitesh përfitonte gjithë investimin. Tjetër rast për inspektim sipas KPK-së është praktika e Bashkisë Fier, se si familja e prokurorit ka përfituar statusin e familjes së pastrehë, me qëllim përfitimin e një kredie të butë. Njëkohësisht KPK urdhëron kalimin në lupë të dy procedime penale të ndjekura prej Canit në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2015 në Prokurorinë e Elbasanit për të konstatuar nëse ka shkelje disiplinore.

Besnik Cani ishte i fundit prokuror i listës 33 anëtarëshe të gjyqtarëve e prokurorëve të vetuar me përparësi për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 23 nëntor, KPK konstatoi si problematike kontratën e tij të veçantë me shoqërinë tregtare të karburantit, si edhe përfitimin e statusit të familjes së pastrehë nga Bashkia e Fierit, ndonëse nuk kishte përfituar kredi të butë./abcnews.al

KPK-PER-BESNIK-CANIN-1280x720.jpg
ent ela11:58 | 23/11/2018

Dita e premte shënoi dy seancat e fundit dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarët e prokurorët që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin Gjyqësor. Për prokurorin Besnik Cani KPK konstatoi disa probleme me kontratën e tij të veçantë me një shoqëri tregtrare, ndrësa gjyqtari Luan Dervishi, kishte probleme me figurën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli të premten seancat dëgjimore për prokurorët dhe gjyqtarët që synojnë të jenë pjesë e Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. 33 kandidatët për këto dy organe të reja të drejtësisë kaluan me përparësi në filtrat e Vettingut. Hetimi i KPK-së për të fundmin prokuror të kësaj liste, Besnik Cani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme u bazua në të tre kriteret e rivlerësimit. Komisioni i përbërë nga Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bektesi relatoi një raport pozitiv për Canin nga ana e ILDKPKI, për deklarim të saktë pasurie dhe burime të ligjshme të saj. Anëtari i Prokurorisë së Përgjithshme, njëkohësisht këshilltar i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, zotëronte një apartament në Tiranë, dhe disa sipërfaqë trualli e një banesë të legalizuar në Paskuqan, një garazh dhe një autoveturë.

Me dyshim nga KPK për mundësi konflikti interesi ishte parë një marrëdhënie kontraktore e prokurorit me një shoqëri private, e cila kishte ndërtuar një karburant, një bar-kafe dhe një garazh mbi një sipërfaqë trualli të tij. Sipas kontratës, Cani përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe pas 25 vitesh përfitonte gjithë investimin. Megjithëse kjo kontratë konsiderohej si atipike edhe nga vetë shoqëria tregtare, vëzhguesit e ndërkombëtarë të ONM, i kërkonin KPK-së të shikonte me kujdes rastin. Me tej, KPK relatoi një mori denoncimesh drejt Canit për kohën kur ai kishte drejtuar prokurorinë e Shkodrës dhe Fierit. Disa prej tyre lidhnin emrin e tij me afera korruptive, apo për kontakte me krimin. Por sipas KPK, në asnjë rast denoncimet nuk rezultonin të provuara. Cani nga ana e tij kërkoi konfirmim në detyrë.

Një tjetër treshe gjykuese zhvilloi në KPK seancën dëgjimore për kandidatin e fundit për KLGJ, gjyqtarin e Apelit Shkodër, Luan Dervishi. Sipas KPK, gjyqtari kishte disa probleme me deklarimin e pasurisë, ndërsa raporti i DSIK e konsideronte atë të papërshtatshëm për vijimin e detyrës. Më herët, të premten, KPK shkarkoi nga detyra prokurorin e Prokurorisë Tiranës Shpëtim Kurti. Në seancën dëgjimore KPK rekatoi një raport negativ për pastërtinë e figurës për prokurorin Kurti. Vendimet përfundimtare për prokurorin Besnin Cani dhe gjyqtarin Luan Dervishi do të shpallen në 26 dhe 27 nëntor./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono