Besim Zika

ppppppp.png
ad min21:21 | 17/10/2018

Një aksion masiv i policisë në kryeqytet ka çuar në arrestimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane. Në pranga ka rënë Besim Zykaj, i denuar për sekuestrimin e 1.2 ton kanabis në Tepelenë, rast për të cilin është dënuar dhe nje shef rendi si dhe një 43-vjeçar nga Kavaja i kërkuar në Itali si pjesë e një grupi që i janë sekuestruar 120 kilogramë kokainë dhe heroinë. 

I kërkojnë në qiell dhe i gjejnë në tokë… në Tiranë më saktë. Dy personazhe të botës së narkotrafikut, të cilët kanë qenë prej disa vitesh nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare dhe të huaja kanë rënë në pranga pas një kontrolli masiv të ndërmarrë gjatë së mërkurës nga policia e kryeqytetit.

Gjatë këtyre kontrolleve është kapur një shtetas në kërkim i dënuar me 9 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, si dhe një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

Në qeli me qëllim ekstredimin drejt Italisë është dërguar Aleksandër Demiri. Ndaj 43-vjeçarit me origjinë nga Kavaja, Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për “Shkelje të ligjit mbi drogërat”, ku maksimumi i dënimit është 20 vite burg. Demiri dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal të goditur që nga 2014 nga drejtësia e vendit fqinj.

Grupi, dyshohet se vetëm në 2 vite i janë sekuestruar nga policia italiane 130 kilogramë heroinë dhe kokainë si dhe i është dokumentuar dërgimi e mbi 2 milionë eurove në Shqipëri. Aleksandër Demiri dyshohet se ishte njëri prej drejtuesve kryesor të këtij grupi kriminal, i cili në dukje nuk kishte lënë kurrë dyshime për përfshirje ne aktivitete kriminale, pasi kishin si mburojë një jetë të rregullt familjare që ushtronin të gjithë antarët e grupit.

Hetimet 2-vjeçare të policisë dhe prokurorisë italiane tregojnë se anëtarët e kësaj organizate bënin një jetë asketësh në Itali. Grupi përdorte kode të vecanta komunikimi dhe nuk takoheshin kurrë në publik me njëri-tjetrin.  Në dosje thuhet se ndryshe nga trafikantë të tjerë, ata nuk blenin makina të shtrenjta dhe nuk frekuentonin jetën e natës.

Në pranga është vënë gjithashtu dhe Besim Zika, 48 vjeç. Këtë të fundit Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 9 vite burg, për “Kultivim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”. Zika dyshohet se ishte pjesë e një grupi të cilit i janë sekuestruar mbi 1.2 ton kanabis në zonën e Tepelenës me 15 nëntor të vitit 2016.

I akuzuar së bashku me Besim Zikën kanë qenë dhe Gani Abazi, ish-shefi i rendit të policisë së Tepelenës si dhe shtetasit Festim e Pëllumb Rona. Pak kohë më parë abcneës pati publikuar dhe përgjimet e këtij grupi ku zbuloheshin dhe rolet e personave tashmë të dënuar edhe nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Arrestimet e Demirit dhe zykës janë kryer gjatë së mërkurës Forcat e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve, kanë kontrolluar 129 persona dhe 77 mjete në kryeqytet./abcnews.al

PERGJIMET-GANI-ABAZI.mpg_snapshot_00.42-1280x720.jpg
ent ela15:11 | 28/08/2018

Grupi kriminal përgjegjës për kultivimin e 1.2 tonë kanabis në Bylysh të Tepelenës kishte garancinë e punonjësit të policisë Gani Abazi.  “ABC News” zbardh përgjimet e dosjes penale ndaj tyre, ku del në dritë bashkëpunimi i punonjësit të policisë me kultivuesit e drogës.

Gjykata për Krimet e Rënda ka qenë e bindur se grupi i kultivuesve të kanabisit në fshatin Bylysh të Tepelenës qe iu kap 1.2 ton drogë kishte përkrahjen e punonjësit të policisë Gani Abazi. Sipas gjykatës, ish-shefi i rendit në Tepelenë mbante kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesit e drogës duke marrë fitime në shkëmbim të lejimit të veprimtarisë kriminale.

Në dosjen e siguruar nga “ABC News” gjykata veçon disa biseda, që sipas saj, hedhin dritë mbi inkriminimin e punonjësit të policisë, të dënuar me 8 vjet burg për këtë fakt. E tillë ishte ajo e datës 20 korrik 2016, ku i pandehuri Besim Zika komunikon me një shtetas me emrin Muharrem.

+466: Sa marrin këto, sa ke llafosur gjë ti, do ju thuash gjë ti a, qysh tek a. Tu them unë sa doni.

Besim Zika (+581):  Po pyeti ore, si e kanë ata me kile apo.

+466: Po se di fare unë ndaj po them, ke llafosur gjë ti.

Besim Zika (+581):– Jo po s’kam folur unë ca fola, Festimi u mor me to, po unë s’kisha bimë që të merresha tamam me kile. Mbarove ti?

+466: Ja dua edhe nga gjysëm ore.

Besim Zika (+581): Po ca, jepu nga 20 mijë lekë dhe të ikin me vrap dhe të thonë edhe falemnderit.

Në të njëjtën ditë, Besim Zika është telefonuar nga një numër tjetër dhe në thelbin e bisedës ka qenë pagesat që garantonin paprekshmërinë e drogës.

809: Po mirë o, i do tani ai kur i do, i do në fund , ca thote ai m..,

Besim Zika: Po s’më ka kërkuar gjë mua ai o jo, nuk më ka thënë gjë, po…

809: Po ai i kishte thënë që t’më nxjerri, gruas 700 mijë lekë o,

Besim Zika: Kur i kishtë thënë,

809: Ja o tani,

Besim Zika:  Nuk e di unë, i tha Muharremit ke kaq rrënjë, unë jam me Muharremin dhe me atë o, tani lëviza një cik, i tha Muharremit unë do ti ç’kul të madhen i tha, të voglën e ke korrur e ta gëzosh, ta hash i tha. O do më japësh 1200 euro tha se e di sa numra ke t‘atyre. Se kush i ngatron kto punë ktu, e dinte edhe sa rrënjë të mëdha kishte Muharremi, une si di kaloj aty e nuk i di, edhe sa të mëdha e të vogla,

809: Ore kish vajtur te Loni ai, kish vajtur te Loni,

Besim Zika: Po unë Lonin k’tu e kisha tani,

809: Dëgjon o,

Besim Zika: Hee,

809: Kish vajt te Loni ai:

Besim Zika:  Po,

809: E i kish thënë dua 700 mijë lekë o,

Besim Zika: Po mirë o t’ja japim,

809: Po mirë o në qoftë se i do tani ai tja japim, po mos na lodh by… sa herë të vij në Bylysh ai të kërkojë nga 700 mijë nga 700 mijë, po i do t’ja japim ore, t’i japim një miljon a dy, tre , katër, pesë miljon mos na lodh by.. sa hërë të vij në Bylysh t’kërkoj para ai m…

Ndërsa në bisedën e 2 shtatorit 2018 emri i Ganiut përmendet nga dy të pandehurit Besim Zika e Festim Rona.

842 – Merre një çikë Ganiun urgjent tha ai.

Besim Zika: Kë?

842 – Ganiun, Ganiun, atë policin.

Besim Zika: Pse ?

842 – Nuk e di, thuaji Besos të më marrë urgjent tha se s’po ma hap telefonin.

Besim Zika: Po pse ore ma ngrive gjakun u i q… nënën.

Katër të pandehurit e dosjes janë dënuar nga Shkalla e Parë e Krimeve me nga 8 dhe 9 vjet burg për “kultivim të kanabisit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dënim që e kanë ankimuar në Apel. /abcnews.al

 

PERGJIMET-KANABISI-ZIKA-1280x720.jpg
ent ela15:12 | 26/08/2018

ABC News ka siguruar përgjimet e dosjes gjyqësore ndaj katër personave të akuzuar për kultivim të kanabisit në fshatrat e Tepelenës në vitin 2016, mes të cilëve edhe një punonjës policie. Mes bisedava dalin në dritë kodet e përdorura prej tyre, kur informoheshin për kontrollet policore në parcela.

Një telefonatë në orët e drekës të 14 Nëntorit 2016 i prishi qetësinë Besim Zikës, 48-vjeçarit të dënuar nga Krimet e Rënda për përfshirje në biznesin e kanabisit.

Nga ana tjetër e telefonit, një zë që iu prezantua si “kushëriri nga deti”, i tha të pastronte gjithçka, pasi do të kishte vizitorë.

Kjo është një nga bisedat e përgjuara të Prokurorisë për Krimet e Rënda të servirura në gjykimin e Zikës dhe tre të bashkëpandehurve të tij, mes të cilëve edhe Gani Abazi, ish-shef Rendi i Policisë së Tepelenës.

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes gjyqësore ku zbardhen përgjimet e koduara mes të pandehurve dhe personave të tjerë, që i ndihmonin në kultivimin e kanabisit në fshatin Bylysh të Tepelenës.

E tillë ishte ajo e drekës së 14 Nëntorit 2016, ku Besim Zika u lajmëruar për kontrollin policor.

Besim Zika:Urdhëro”.

659: “O alo, ça bën o”?

Besim Zika: “Mirë”.

659: “Eee”.

Besim Zika: “Urdhëro”.

659: “ dëgjon ore”?

Besim Zika: “Të dëgjoj”.

659: “Eee, pastro vendin aty ku je”!

Besim Zika:Ku o”?

659: “Lart në fshat pastroji të tëra se do të ketë vizitorë sot, më lajmëruan”.

Besim Zika: “Po kush je ti”?

659: “Po lëre kush jam unë, n`daç merre vesh kush jam unë po pastro vendin sa më shpejt”!

Besim Zika: “Po më thoj or kush je or burrë”!

659: “Ai kushuriri nga deti jam”.

Besim Zika: “Aa”?

659: “Kushuriri jot jam ore po pastro vendin se më lajmëruan, kaq”!

Besim Zika: “Ooooo”!

659: “Pastro vendin mirë të tëra ee ! Më dëgjon ore”?

Besim Zika: “Është e vërtetë”?

659: “Eeee, është e vërtetë se nuk tallet njeri, hajt ! Hajt çao”!

Pak minuta më vonë Besim Zika është telefonuar sërish nga i njëjti numër.

Besim Zika: “Urdhëro”.

659: “Më dëgjo edhe një herë me kujdes”!

Besim Zika: “Po”.

659: “Pastro çar ke, magazinë, kantinë, të tëra, asnjë gjë nëpër, te shpia, me qetësi jo ti thuash njeriu tjetër ! Më dëgjove apo jo”?

Besim Zika: “Po unë fola”…

659: “Më dëgjove apo jo oooo o njeri”!

Besim Zika: “Të dëgjova, të dëgjova”.

659: “Më dëgjo mua tani ti se është, nuk të po të, po gënjej, po tallem. Pastro çar ke rreth e rrotull dhe ik vetë andej, mos me rri aty, hajt!

Besim Zika: “Bëhet fjalë për sot”?

659: “Ore edhe, i thuaj edhe atij kushëririt në krah mos të ketë gjë afër, kaq! Në rregull”?

Besim Zika: “Mirë”.

Besim Zika ka njoftuar me tej edhe të pandehurit e tjerë për ndërhyrjen e policisë.

Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes të nesërmen në 15.11.2016, në vendngjarje janë gjetur copa bimësh narkotike si kërcenj, gjethe, bohçe, etj, si dhe gropat e hapura dhe bimë të shkulura nga toka.

Bazuar në përgjimet, ku kuptohej zhvendosja e drogës, ditën tjetër policia ushtroi kontroll në vendin e quajtur “Kodra” në fshatin Miricë, Memaliaj Tepelenë, ku nëpër shkurre u gjenden të fsheura 42 dëngje me kabanis, 1260 kilogramë në total.

Aktualisht dosja në ngarkim të të pandehurve Besim Zika, Gani Abazi dhe Festim e Pëllumb Rona ndodhet në Apelin për Krimet e Rënda, ku ata kanë kundështuar dënimet me nga 8 dhe 9 vite burg të dhëna nga Shkalla e Parë për akuzat e “kultivimit të lëndëe narkotike”, në formën e grupit të strukturuar kriminal./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono