Belgjika

muri-640x360.jpg
G. P.12:11 | 02/08/2018

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një banese në Zejmen të Lezhës. Nuk dihen rrethanat e ngjarjes, e cila ka ndodhur orëve të para të mëngjesit.

Por për fat nuk ka patur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Paraprakisht dyshohet se në banesën e emigrantit nga Belgjika, Albert Hasani, është vendosur tritol. Megjithatë policia ende nuk ka dalë me versionin e saj të ngjarjes./abcnews.al

PRAG-NDESHJE-ANGLI-BELGJIKE-1280x720.jpg
ent ela12:51 | 14/07/2018

Anglia dhe Belgjika luajnë sot finalen e vogël të Botërorit. Të dyja skuadrat janë të zhgënjyera, por premtojnë se do të japin maksimumin për vendin e tretë

Lodhja është rraskapitëse, por duhet bërë edhe një sforcim.

Anglia dhe Belgjika janë në sprovën e fundit në Kupën e Botës, për fat të keq jo në finalen e madhe, por në atë të voglën.

Do të luajnë për vendin e tretë.

Dy ekipe shumë të fortë, ndër më të mirët në rruzull, shpresojnë të lenë pas zhgënjimin e gjysmëfinaleve të humbura, edhe pse dihet se në fund do të gëzohet vetëm njëra palë.

Thënë kjo, duhet shtuar se do të ketë disa ndryshime.

Trajneri i Anglisë, Sauthgejt, ka lojtarë me probleme fizike si Tripier, Henderson apo Uolker.

Ai premton maksimumin, por paralajmëron edhe rotacionin.

Sauthgejt: Kanë qenë dy ditë të vështira për ne, pasi ishim 20 minuta larg finales së Kupës së Botës. Gjithsesi, lojtarët e mi kanë qenë të pabesueshëm dhe jam krenar që punoj me ta. Ata duan ta mbyllin me sukses këtë turne, një detyrim që e kemi ndaj vetes tonë, por sidomos ndaj publikut anglez. Ne i bëmë ata krenarë, por duhet ta bëjmë këtë deri në fund. Natyrisht, ndaj Belgjikës, nuk do të jetë i njëjti formacion si ndaj Kroacisë, por duam të bëjmë sa më pak ndryshime që të jetë e mundur”.

Belgjika nuk do të ketë asnjë mungesë potenciale, pasi mbrojtësi Mënier u kthye nga pezullimi, por ndryshimet nuk do të mungojnë.

Trajneri Martinez pyetet se çfarë dhurate kërkon për ditëlindje.

“Është shumë e lehtë t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje, – tha ai, – Ne duam që të fitojmë. Vendi i tretë ka rëndësi, edhe për faktin se në një turne të madh, kushdo mban mend më shumë ndeshjen e fundit. Çdo tifoz belg e meriton ta ketë këtë ndjesi në kujtesën e tij. Anglia është një skuadër shumë e shpejtë, shumë dinamike. Është shumë e rrezikshme në goditjet standarde, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin”. /abcnews.al

 

 

eden-hazar.jpg
ent ela17:59 | 10/07/2018

Futbollisti më i mirë i Belgjikës ka pasur një të kaluar, që mund t’i shqetësojë tifozët belgë. Eden Hazar ka qenë tifoz i Francës në moshën e fëmijërisë.

Ditën e sotme nuk ka asnjë diskutim.

Ai është lojtar i Belgjikës dhe dëshiron të dalë kampion i botës për veten, për familjen, për shokët e ekipit dhe për të gjithë tifozët.

Kjo do të thotë se Eden Hazar do të japë shpirtin në fushë për të mundur Francën në gjysmëfinale, veçse nuk ka qenë gjithnjë kështu.

Nuk mund të ishte ndryshe për një djalë të rritur në një familje frengjishtfolëse, që mbeti jashtë kombit francez për shkak të luftërave feudale të Mesjetës në Europë.

Nuk mund të ishte ndryshe për djalin valonas, që u rrit duke ndjekur brezin e madh të Francës të vitit 1998.

Ai brez i Zidanit, Deshampit apo Blankut doli kampion i botës, dhe kushdo mund të shikojë një Eden Hazar të vogël të veshur me fanelën e Francës.

“Në atë kohë ishte fanela e Francës, jo ajo e Belgjikës, – shprehet numri 10 belg, – Belgjika kishte lojtarë shumë të mirë, por epoka ishte e Francës”.

Lidhja e supertalentit me Francën u rrit kur ai kaloi tek Lila në moshën 14-vjeçare, ndërsa edhe sot ai ka shumë respekt për “gjelat”.

“Kam shumë respekt për të gjithë, por sidomos për Mbapenë, – pohon Hazari 27-vjeçar, – nëse kur ishte i vogël, Mbape shikonte videot e mia, sot jam unë që shoh videot e tij. Nuk e kemi parë kurrë diçka të tillë në futbollin modern”.

Belgjika ka të paktën dy personazhe me besnikëri të dyfishtë, Hazarin dhe ndihmësin e trajnerit Martinez, ish-sulmuesin e Francës, Tieri Henri. /abcnews.al

de-bruyne.jpg
G. P.22:04 | 06/07/2018

Brazili është gjigandi i radhës që u eleminua nga Botërori. Pesë herë kampionët e botës luajtën shkëlqyeshëm, por u mundën nga Belgjika që u kualifikua për në gjysmëfinale.

Kupa e Botës e humbi favoritin.

Brazili i madh u eleminua nga Belgjika që fitoi “duelin e titanëve” në çerekfinalen e mrekullueshme në Kazan.

Në të njëjtin stadium, ku u eleminuan shumë skuadra të shquara, nuk ia doli as ajo braziliane, ndonëse doli me kokën lart nga ky Botëror.

Nuk mund të kishte eleminim më të mirë për pesë herë kampionët e rruzullit sesa ky, duke dominuar ndaj një Belgjike të shkëlqyer e të mbushur me yje.

Rezultati përfundimtar ishte 2-1 për europianët, veçse loja në fushë ishte tjetër.

Edhe pse Belgjika e meritoi pasi nuk vodhi asgjë, sërish Brazili fare mirë mund të kishte dalë triumfues nga sfida, duke sulmuar gjatë gjithë kohës, detyruar edhe nga rezultati.

Të besuarit e trajnerit Tite ishin në ofensivë nga fillimi deri në fund, duke gjuajtur pa fund drejt portës, duke zotëruar mesfushën, e duke krijuar rast pas rasti.

Nëse realizuan vetëm një gol, kjo erdhi thjesht për mungesën e fatit dhe të qetësisë në momentet e fundit, por edhe për meritën e jashtëzakonshme të portierit Thibaut Courtois.

Numri 1, së bashku me numrin 10, Eden Hazar, me gjasë sezonin tjetër shokë skuadre tek Reali, ishin vendimtarë për Belgjikën.

Skuadra simpatike e vendit të vogël tani do të kërkojë finalen, në një derbi të madh ndaj Francës.

Një tjetër ndeshje e shkëlqyer u luajt në Botëror, dhe e sigurt është që e tillë do të jetë edhe gjysmëfinalja./abcnews.al

belgjikaaa.jpg
G. P.21:58 | 02/07/2018

Belgjika është çerekfinalistja më spektakolare e Kupës së Botës. Suksesi i saj ishte me përmbysje ndaj Japonisë, në ndeshjen më të bukur të turneut.

Kur Inui shënoi të dytin, një tjetër tronditje e madhe ishte afër.

Belgjika stërfavorite dhe e stërvlerësuar, Belgjika e talenteve që ia ka zili gjithë bota, e shihte veten të eleminuar nën dizavantazhin 0-2, ndërsa luhej pjesa e dytë e ndeshjes ndaj Japonisë në Rostov.

Pasi dominuan siç duhet pjesën e parë, por pa arritur të shënonin, europianët e gjetën veten papritur në një situatë që u duk pa kthim.

Fillimisht, Haraguchi e pastaj Inui ishin autorët e golave për skuadrën e çuditshme nga Lindja e Largme.

Pas rënies së Gjermanisë e Spanjës, Botërori po tregonte se qendra e rëndesës së futbollit kishte ndryshuar dramatikisht.

Gjithsesi, parimi ishte, është dhe mbetet se një ndeshje luhet derisa vërshëllen gjyqtari dhe Belgjika, e pati parasysh këtë.

Superlojtarët e saj, Hazard, De Bruyne, Mertens, Lukaku, por edhe Vertonghen, Company e Fellaini, mblodhën veten në momentin më të vështirë, shenjë e qartë e një karakteri prej kampionësh.

Përmbysja erdhi logjike dhe bindëse.

Vertonghen ktheu shpresën në minutën e 69-të, dhe pa kaluar pesë minuta, Fellaini konkretizoi ndryshimin e taktikës belge.

Trajneri Martinez, me shumë zgjuarsi, hoqi nga loja futbollistë të shkurtër si Mertens, dhe futi shtatlartë si Fellaini, në një ndeshje pa hapësira.

Fundi ishte madhështor dhe kualifikimi i Belgjikës ishte i merituar. Keqardhje për Japoninë tepër serioze, dhe paralajmërim për Brazilin./abcnews.al

Belgium-vs-Tunisia.jpg
ent ela16:35 | 23/06/2018

Belgjika nuk e pati aspak të vështirë të fitonte thellë ndaj Tunizisë në Kupën e Botës. Europianët ia dolën 5-3 duke qenë shumë pranë kualifikimit në Grupin G

Një nga të paktat e këtij Botërori. Nuk pati duel në stadiumin e Spartakut të Moskës, mes Belgjikës dhe Tunizisë, me një diferencë jo karakteristike për turneun rus.

Europianët, të cilësuar si skuadër tepër e rrezikshme për pretendentët, triumfuan 5-2 dhe bënë atë që deshën në fushën e lojës.

Tashmë, janë shumë pranë kualifikimit. Kapiteni Eden Hazar dhe sulmuesi Romelu Lukaku shënuan nga dy gola, ndërsa formacioni I trajnerit Martinez, vazhdoi aty ku e la në pjesën e dytë ndaj Panamasë.

Realizues ishte edhe Miçi Baçuai, ndërsa për tunizianët arritën të gjenin rrugën e rrjetës Bron dhe Hazri.

Lukaku u barazua me Kristiano Ronaldon, me nga 4 rrjeta secila, si golshënuesit më të mirë të Kupës së Botës.

Vetë Tunizia pati jo pak faj në humbjen e rëndë që pësoi.

Krejt ndryshe nga sfida me Anglinë, luajti hapur, dhe u ndëshkua sepse ishte përballë një kundërshtari shumë më cilësor, sidomos në sulm.

Ky sukses, bashkë me atë të ndeshjes së parë, bën që Belgjika të ketë të njëjtin numër golash në Kupën e Botës, sa Rusia, nga 8, pra ekipet më shumë shënues.

Po ashtu, në grupin G gjërat po qartësohen, sidomos për belgët, që tashmë mund të quhen ndër pretendentët e kampionatit.

E pamundur që nga shtatori i vitit 2016, Belgjika duket tepër e fortë me yje të tillë si Hazar, Lukaku, De Brujn apo Mertens. /abcnews.al

belgjikaaa.jpg
G. P.19:28 | 18/06/2018

Fitore e thellë e Belgjikës në Grupin G përballë Panamasë. Yjet belgë nuk patën asnjë problem përballë debutuesve të Botërorit.

Jo fiks si Rusia, por aty afër.

Ata që pëlqejnë fitoret e thella pritën shumë, që nga dita e parë e Botërorit deri këtë të hënë për të parë një të tillë.

Belgjika mposhti 3-0 Panamanë, një rezultat që shfaqi qartë diferencën me një ekipi debutues dhe njërës prej skuadrave më të talentuara.

Gjithsesi, pritja nuk përfundoi aq shpejt, pasi panamezët i bllokuan për gati 50 minuta kundërshtarët e tyre shumë më të vlerësuar.

Mbrojtja e tyre dhe portieri dinjitoz Penedo ndaluan përpjekjet e De Bruyne, Mertens-it apo Hazard-it.

Gjithsesi, Mertens nuk mund të refuzohej qind për qind.

Talenti i Napolit realizoi ndoshta golin më të bukur të Botërorit, një rrjetë të realizuar thjeshtë personalisht.

Më pas, Panamaja u detyrua të ndryshonte skemat dhe të sulmonte më shumë, ndërsa belgët hoqën nga vetja trysninë prej favoritësh.

Europianët e thelluan rezultatin, por më herët amerikanoqendrorët patën mundësi të barazonin.

Portieri i Chelsea-t, Curtois, ndaloi në një farë mënyrë Barsenasin.

Më tej, nuk pati më duel dhe Romelu Lukaku shënoi një dygolësh.

Trajneri i Manchester United, Mourinho, duhet të ketë mbetur shumë i kënaqur që sulmuesi i tij kryesor u shfaq në këtë formë.

Belgjika respektoi parashikimet, duke mos gabuar si shumë pretendentë të tjerë, veçse kundërshtari i tyre ishte shumë më i dobët.

Në renditje, formacioni i trajnerit Martinez kryeson me tri pikë në grupin G, ndërsa Panamaja nuk ka asnjë./abcnews.al

michel-dhe-rama.jpg
G. P.18:04 | 23/04/2018

Belgjika mbështet parimisht hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE, por vendimi përfundimtar do të merret në Qershor. Këtë mesazh përcolli në Tiranë kryeministri belg Charles Michel, që u takua me homologun Edi Rama dhe autoritete të tjera politike.

E dha dhe e mbajti fjalën kryeministri i Belgjikës. Charles Michel erdhi të vizitojë Tiranën për të diskutuar prioritetet që e lidhin Shqipërinë me destinacionin europian.

Pas ceremonisë së mirëseardhjen, kryeministri Edi Rama dhe homologu belg patën një takim kokë më kokë, ku renditën jo vetëm bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve por edhe atë të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Megjithatë vendimin e qeverisë belge kryeministri Michel ia lë Qershorit.

Charles Michel: “Nuk mund të them tani vendim zyrtar, por Belgjika do të shprehet në muajin Qershor. Megjithatë me shumë qartësi them që ne dëshirojmë në një mënyrë apo tjetër të vazhdojmë përpjekjet për afrimin e BE-së me Shqipërinë dhe për procesin e vendimmarrjes në gjirin e BE-së më duhet të respektoj kalendarin e përcaktuar. Nuk mund ta vë qerren përpara kaut”.

Kryeministri Rama përsëriti bindjen se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.

Edi Rama: “Ne besojmë që qeveria meriton një vendim për të hapur negociatat. Natyrisht jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona por është fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh dhe kemi besim se në këtë përpjekje kemi dhe mbështetjen e Belgjikës, por edhe partnerëve tanë europianë”.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të ishte e mundur që me kryetarin e Partisë Demokratike në krah të vzizitonte institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare i dha një përgjigje shtesë krahas asaj të zakonshmes për opozitën, kur flitet anglisht.

Edi Rama: “Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në gjuhë të huaj kështu që përgjigja ime shumë e shkurtër është që pyetja juaj nuk ka nevojë për përgjigje pasi do ishte një gjë shumë e vlefshme nëse do të ndodhte”.

Të martën kryeministri belg do të niset drejt Serbisë ku do të takohet me homologen e tij Ana Brnabiç dhe presidentin Aleksandër Vuçiç./abcnews.al

vlcsnap-error071-1280x720.jpg
us er18:33 | 17/11/2017

Gjykata e Shkallës së Parë në Belgjikë ka shtyrë vendimin për ekstradimin e presidentit të shkarkuar të Katalonjës dhe për 4 ish-ministra të qeverisë së tij. Seanca e radhës për shqyrtimin e drejtësisë spanjolle do të zhvillohet me 4 dhjetor.

Gjykata belge, të cilës i është besuar shqyrtimi i kërkesë nga Spanja për ekstradim të ish-presidentit të Katalonjës, Karles Puçdemon dhe 4 ish-ministrave të qeverisë së tij, ka bërë me dije se nuk do të vendosë për këtë çështje më parë se 4 dhjetori. Lideri separatist dhe 4 pjesëtarët e ekzekutivit të shkarkuar u paraqitën pasditën e së premtes në gjykatën e shkallës së parë në Bruskel për të dëshmuar në një seancë me dyer të mbyllura.

Ardhja e tyre ka qenë diskrete, larg nga kamerat, dhe as ata, as avokatët e tyre nuk kanë bërë deklarata në hyrje. Sesioni zgjati rreth një orë dhe avokatët kanë dhënë disa detaje në dalje. Ata thanë se po mbrohen duke përdorur shkeljen e mundshme të të drejtave themelore që Puçdemon dhe ish-ministrat e tij mund të vuajnë nëse transferohen në Spanjë. Por analistët mendojnë se ky fakt do të jetë shumë i vështirë për tu pranuar nga drejtësia belge pasi nuk mund të pretendohet që të drejtat e njeriut të shkelen në një vend brenda Bashkimit Europian. Seanca e parë erdhi me kërkesë të prokurorisë së Brukselit që kërkon dërgimin e zyrtarëve separatistë në Madrid për shkak të urdhër-arrestit europian të lëshuar nga Gjyakata spanjolle.

Lideri i shkarkuar i Katalonjës dhe ish-ministrat e qeverisë së tij akuzohen nga prokuroria e Spanjës për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim fondesh publike. Të gjithë këto akuza lidhen me organizimin e referendumit për pavarësi të Katalonjës të zhvilluar me 1 tetor. Të pestë do të paraqiten përsëri në Gjykatën e Shkallës së Parë në Bruksel për tu mbrojtur nga kërkesa për ekstradim. Nuk është e qartë nëse vendimi do të jepet me 4 dhjetor kur është caktuar dhe seanca e radhës, por avokatët mbrojtës shprehen se asnjë ekstradim nuk do të bëhet para janarit. Në këtë mënyrë Puçdemon dhe ish-ministrat nuk do të paraqiten tek drejtësia spanjolle para zgjedhjeve të parakohëshme që zhvillohen në Katalonjë me 21 dhjetor. Në këto zgjedhje Puçdemon është kandidat në listën “Së bashku për Katalonjën”./abcnews.al

vlcsnap-error110.jpg
us er21:28 | 01/11/2017

Avokati i presidentit të shkarkuar të Katalonjës ka bërë me dije se Karles Puixhdemon nuk do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore të së enjtes në Madrid. Ai kërkoi që dëshmia të jepet në Belgjikë. Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se drejtësia e Madridit mund të shpallë një urdhër-arrest ndërkombëtar për ndalimin e Puixhdemon.

Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puixhdemond duhet të merret në pyetje në Belgjikë lidhur me hetimin e autoriteteve të Spanjës. Këtë e konfirmoi avokati i liderit të rajonit autonom, Pol Bekaert. “Puixhdemon nuk do të shkojë në Madrid-thotë ai- dhe ka sugjeruar që të merret në pyetje këtu në Belgjikë: kjo është e mundur”. Gjithashtu e njëjta kërkesë për të dëshmuar në Bruksel është parashtruar edhe nga 4 ministra të shkarkuar të qeverisë së Katalonjës.

Por mos paraqitja e Puixhdemon në Gjykatën e Madridit mund t’i shkaktojë lirinë. Burime të drejtësisë iberike të cituara nga media “El Pais” mbështesin se “në rast të një mungese në seancën ku duhet të dëshmojë presidenti i shkarkuar i Katalonjës, gjykatësit spanjollë do t’i dërgojnë Belgjikës një mandat arresti europian”. Dorëzimi i Puixhdemon tek autoritetet e Madridit do të ndodhë brenda 60 ditëve.

Ndërkohë, ky i fundit është shfaqur përsëri me anë të një komenti në tuiter. “Një muaj nga referendumi i Katalonjës, pavarësisht dhunës dhe kërcënimeve të shkuara dhe prezente, vazhdojmë të punojmë”, shkruan Puixhdemon duke nënvizuar se ndihet krenar për popullin e tij.
Presidenti i shkarkuar i rajonit autonom akuzohet nga Spanja për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim fondesh publike. Pavarësisht se tha që nuk do të kërkojë azil në Belgjikë, së fundmi ka dalë dhe një uebsajt i liderit separatist. Në të Puixhdemon konsiderohet si president në ekzil. Uebsajti është bërë publik nga vetë lideri i shkarkuar.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono