be

parlamenti-europian-933x445.jpg
nev ila09:24 | 21/06/2019

Liderët evropianë kanë nisur bisedimet në Bruksel për të vendosur se kush do të jetë në krye të pozitave kryesore në Bashkimin Evropian dhe çfarë do të jetë prioritet në pesë vjetët e ardhshëm.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, që drejton bisedimet, ka kërkuar që kandidatët të emërohen në këtë samit.

Emrat e përmendur më pas duhet të marrin miratimin edhe nga Parlamenti Evropian.

Pozita më e rëndësishme në bllokun evropian është ajo e Presidentit të Komisonit.

Ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, ka mbajtur këtë pozitë nga viti 2014.

Para nisjes së takimit është thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja, kësaj here nuk do të jetë çështje kyçe e diskutimit.

Tusk do të njoftojë liderët qeveritarë për të rejat sa i përket këtij procesi, mirëpo qëndrimi zyrtar i BE-së është që marrëveshja për Brexit, tashmë e miratuar nga BE-ja dhe e kundërshtuar nga Parlamenti britanik, nuk do të negociohet sërish.

Liderët e rinj, përveç zëvëndësimit të zyrtarëve Tusk dhe Juncker, do të duhet të vendosin edhe për presidentin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe presidentin e Parlamentit Evropian.

Komisioni Evropian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetin kombëtar, dhe kërkon zbatimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Të nominuarit duhet të kenë mbështetjen e të paktën 21 nga 28 liderët evropianë, si dhe të kenë shumicën e votave në parlament./REL

be-2-1280x685.jpg
G. P.17:00 | 20/06/2019

Nis në Bruksel samiti dy ditor i liderëve të Bashkimit Europian ku do të mungojë Britania e Madhe. Temat e diskutimit do të jenë të shumta, dhe sipas analistëve ka pak gjasa që të ketë marrëveshje në përfundim të tij.

Liderë të Europës janë mbledhur për një samit dy ditor në Bruksel, i cili pritet të ketë përplasje për sa i përket pesë posteve të mbetura ende bosh. Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare europiane, duket se nuk ka shenjë për një marrëveshje mes grupeve parlamentare apo Kryeministrave të vendeve anëtare për atë që duhet të zëvendësojë Jean Claude Juncker si President i Komisionit Europian.

Kjo çështje mund të ndikojë dhe emërimet në poste si President i Bankës Qendrore Europiane dhe përfaqësuesit së lartë të Bashkimit Europian për Çështje të Jashtme. Në samitet e mëparshme, hegjemonia franko-gjermane ka gjetur një pikë të përbashkët për mbështetjen e një kandidati të vetëm.

Por tashmë ka mosmarrëveshje mes kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mbështet teknokratin e qendrës së djathtë Manfred Ueber dhe Presidentit francez Emanuel Makron, i cili preferon kandidatë të tjerë përfshirë dhe Frans Timermans të qendrës së majtë, negociatorin për Brexit Mishel Barnier apo Margaret Vestager.

Vitet e kaluara, grupi më i madh parlamentar vendoste për Komisionet, por rezultatet e fundit të zgjedhjeve parlamentare europiane nuk kanë nxjerrë një grup parlamentar me një mazhorancë të qartë. Dy grupet kryesore kanë humbur mazhorancën për herë të parë në historinë e Parlamentit në një kohë që votuesit mbështetën aleancat pro europiane, të gjelbërit dhe partitë anti-BE.

Takimi i Këshillit Europian pritet të prodhojë vendime të rëndësishme për takimet e radhës në ciklin e ardhshëm institucional si dhe përcaktimin e axhendës strategjike për 2019-2024.

Të premten 27 liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, minus Britaninë e Madhe, do të takohen për një euro samit ku pritet të diskutojnë çdo gjë për një buxhet të ri.

Pesë postet kryesore janë ende bosh ndërkohë: Presidenti i Komisionit Europian dhe Këshilli Europian, Shefi i Policisë së Jashtme, kryetari i Parlamentit Europian dhe drejtori i Bankës Qendrore Europiane.

Për postin e presidentit të Komisionit Europian, një kandidat fillimisht duhet të emërohet nga një mazhorancë e qartë e Këshillit Europian, 21 liderë evropianë dhe më pas të marrë miratimin e një mazhorance në parlamentin europian, thënë ndryshe 376 vota pro nga 751 eurodeputetë.

Ndërkohë tetë vende vijojnë të bëjnë presion për përcaktimin e një drafti për ndryshimet klimatike që do të ishte një plan i qartë deri në vitin 2050. Qipro, Danimarka, Letonia, Luksemburg, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia duan të japin një mesazh të qartë për liderët europian para një takimi të rëndësishëm në Kombet e Bashkuara në samitin e shtatorit

Në një kohë që Britania e Madhe po bën të pamundurën për të dalë nga Bashkimi Evropian, vende të tjera po përpiqen të hyjnë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhej të kishin nisur negociatat, por disa qeveri europiane e shtynë këtë proces për disa muaj të tjerë. Në mënyrë të veçantë Gjermania tha se procesi kishte nevojë për miratimin e parlamentit të vendit, me Michael Roth që theksoi se ishte e pamundur për një kohë të shkurtër.

Shtyrja ka krijuar gjendje alarmi në Ballkan, sidomos në Maqedoninë e Veriut ku politikanë pro Bashkimit Europian po përballen me forcimin e rivalëve të tyre populistë.

Ndërsa Qipro kërcënon se do të përdorë veton për çdo marrëveshje deri Bashkimi Europian të përballet me Turqinë, e cila po kryen kërkime në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros, në lindje të detit Mesdhe./ABC News Albania 24/7

EU_turkey.jpg
nev ila14:46 | 20/06/2019

Përshkallëzohen tensionet mes Bashkimit europian dhe Turqisë, për shkak të aktiviteteve të anijeve turke në zonën ekonomike eskluzive të Qipros në pjesën lindore  të detit Mesdhe. Greqia dhe Qipro I kanë kërkuar BE-së të marrë masa të menjëhershme.

Pas presioneve të Greqisë dhe Qipros, Bashkimi Europian deklaroi se do të merren masat përkatëse kundër Turqisë, fajtore për zhvillimin e aktiviteteve kërkuese për gaz në zonën ekonomike eksluzive të Qipros.

Ministri i jashtëm grek Katrugkalos u shpreh se në të njëjtën mënyrë që kufijtë e një shteti anëtar jajnë kufij të Bashkimit Europian – ashtu dhe zona ekonomike eksluzive e Qipros i përket Bashkimit europian. Ai shtoi se janë kërkuar masa konkrete për të ndaluar këto aktivitete të paligjshme të Turqisë.

Një fitore diplomatike për Greqinë dhe Qipron të cilat këmbëngulën ashpër në këshillin e cështjeve të përgjithshme.

Për herë të parë do të merren masa konkrete dhe Turqia duhet ta shohë si një mesazh të qartë dhe të butë, shtoi ministri grek.

Dhe Ankaraja ka reaguar menjëherë duke hedhur poshtë akuzat nëpërmjet minsitrit të jashtëm turk. Por Athina zyrtare këmbëngul në qëndrimin i saj duke thënë se Turqia duhet të kuptojë se provokimet nuk shërbejnë për asgjë, pasi në këtë mënyrë Ankaraja po humbet besueshmërinë diplomatike dhe do e gjejë veten të izoluar brenda komunitetit europian.

Tensionet mes Qipros dhe Turqisë për shfrytëzimin e rezervave të gazit natyror të Mesdheut lindor janë gjithnjë e më të larta. Një javë më parë një gjykatë në Qipro lëshoi një urdhër arresti për personelin në bordin e një anijeje turke që po bënte kërkime./ABC News Albania 24/7

70853Bashkimi.jpg
G. P.12:30 | 19/06/2019

Politika e zgjerimit nuk ka patur asnjëherë kaq shumë kundërshtime siç po ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu deklarojnë  katër ish-ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë.

Katër ish-ministra të jashtëm i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një komunikatë të përbashkët, ish shefat e diplomacisë së Shqipërisë, Bullgarisë, Qipros dhe Greqisë, nënvizojnë se pranimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të thotë t’i bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë projektit europian.

“Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të Bashkimit Evropian, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE-së”.

Ish-ministrat e Jashtëm ia drejtojnë apelin e tyre në veçanti dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

“I bëjmë thirrje kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende”.

Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është këshilla e katër ish-ministrave të Jashtëm, midis të cilëve është edhe ish-ministri Ditmir Bushati./ABC News Albania 24/7

maqedonia-1.jpg
G. P.10:32 | 19/06/2019

Ministrat e Jashtëm të BE nuk kanë përmendur datë konkrete për dy vendet aspirante për në BE, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por në vjeshtë mund të diskutohet për këtë. Ndoshta. Gjermania ngurron, thotë Bernd Riegert.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të kenë ende durim. Në tetor ministrat përkatës të BE-së mund të vendosin për një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të antarësimit me këto dy vende. Komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, në fund të majit u dha nëj deftesë pozitive të dy vendeve duke shpresuar, që shtetet e BE-së do ta mbështesin propozimin e tij. Tani ai është disi i zhgënjyer, që Franca, Danimarka, Holanda dhe Gjermania ngurruan të japin premtime konkrete.

Ministri i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë,  Michael Roth, e argumentoi qendrimin gjerman me “po, por…” në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg. Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit.

Diplomatët e BE-së e konsideorjnë këtë argument si pretetkst, sepse prej kohësh ishte e qartë, që vlerësimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive. Madje edhe vetë Michael Roth-it iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: “Për mendimit tim ato janë të realizuara.”

Maqedonia e Veriut madje ka “shkruar histori”, duke i dhënë fund grindjes me vendin fqinjë Greqinë, anëtare në BE, me ndryshimin e emrit të shtetit.  “Këtë duhet ta vlerësojmë. BE-ja nuk duhet të humbasë kredibilitetin”, nënvizoi ministri i shtetit Roth. Ndaj mbetet objektivi për t’i nisur sa më parë bisedimet e anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut tani, Shqipëria më vonë?

Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit e ka forcuar dukshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë ky vend aktualisht ndodhet në një krizë kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe ka probleme me zgjedhjet lokale. Presidenti i Shqipërisë i shtyu zgjedhjet lokale. Kryeministri ia mohon këtë të drejtë presidentit. Shumë njerëz prej muajsh demonstrojnë kundër qeverisë. Numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil në BE është në rritje. Ky nuk është një rekomandim pozitiv, mendojnë nëpunësit e BE-së në Luksemburg.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.

Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e sj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut synon sa më shpejt hapjen e bisedimeve

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, javën e kaluar qendroi për herë të parë në Bruksel, për të lobuar për vendin e tij në institucionet europiane. “Ne kemi marrë vendime të guximshme në shumë fusha për qytetarët tanë”, tha Pendarovski duke iu referuar ndryshimit të emrit të shtetit, që u arrit duke hasur në rezistencë të fortë në vend.  Po ashtu ai nënvizoi se ka në dorë një “rekomandim pa kushte” nga Komisioni i BE. Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk u përpoq ta zbusë zhgënjimin e dukshëm, duke i siguruar presidentit, se “nuk bëhet fjalë për nëse, por vetëm se kur” do të nisin bisedimet për antarësimin.

Më 2013 Kroacia u pranua si vendi më i ri anëtar. Më 2007 u pranuan Rumania e Bullgaria. Në vitin 2004 u realizua i ashtuquajturi raundi “Big-Bang”. Asokohe u pranuan në BE njëkohësisht dhjetë shtete, kryesisht nga Europa Lindore.  “Piëkrisht prej këtyre raundeve duam të mësojmë”, tha njënëpunës i BE-së, i cili nuk do të përmendet me emër. “Polonia, Hungaria dhe Rumania sot po krijojnë probleme, sepse në to po çalon shteti ligjor dhe të tjera aspekte. Ndaj tani nuk duan  të nxitojnë dhe duan të sigurohen, që të mos importohen probleme të reja në BE.”

Komisari i BE-së do një sinjal për rajonin

Komisari i zgjerimit Johannes Hahn e sheh nga ana tjetër BE-në të detyruar, që të mos i shtyjë më premtimet që i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Unë vetëm mund të përsëris, atë që e them prej kohësh”, u shpreh Hahn në kuadër të takimit në Luksemburg. “Bisedimet e antarësimit duhet të nisin sa më parë. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shtetet e tjera në rajon. Ky do të ishte një sinjal i fortë, p.sh. edhe ndaj Serbisë e Kosovës. Këto dy vende do të kishin një impuls më të fortë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre.”

Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i tha DW-së lidhur me vendimet e BE-së, se: “Ne e dimë, që ende nuk kemi arritur deri në nivelin të antarësohemi tani në BE. Por ne jemi të gatshëm, ta nisim procesin e negociatave për anëtarësim. Në këtë mënyrë ne mund të na vrojtojnë mirë dhe të na verifikojnë, se çfarë suksesesh bën Shqipëria faktikisht.”

Bisedimet për anëtarësimin në BE mund të zgjasin me vite. Një pranim i anëtarëve të rinj mund të realizohej në fund të dhjetë vjeçarit të ardhshëm. Anëtarësimi i Kroacisë është negociuar për një periudhë gjashtë vjeçare./Bernd Riegert – DW

basha-5-1280x717.jpg
Sej rie22:00 | 18/06/2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u shpreh se Europa i ka mbyllur dyert Shqipërisë për shkak të korrupsionit dhe krimit. Sipas kryedemokratit, evropianët nuk janë kundër shqiptarëve, por duan të mbajnë larg politikanët e korruptuar

Vendimin e BE-se për t’u shprehur në Tetor për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë Lulzim basha e cilësoi të trishtë për vendin dhe te pritshëm gjithashtu.

“Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Evropa”.

Sipas Bashës, ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë dhe ai është Edi Rama.

Kreu i demokratëve shtoi se negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Evropë.

Basha deklaroi se rruga e vetme e daljes nga kjo situatë ehte largimi i kësaj qeverie. Kreu demokrat ftoi gjithë shqiptarët në protestën e opozitës te premten në Tiranë./ABC News Albania 24/7

basha-6-809x445.jpg
Sej rie21:45 | 18/06/2019

“Kthimi në normalitet politik kalon nga dhomat e burgut për politikanët”, kështu u shpreh Basha në një deklaratë për media, ku tha se shtyrja e vendimit për negociata në Tetor, është korrupsioni dhe krimi i Edi Ramës.

“Shumë njerëz pyesin: po cila është zgjidhja? Përgjigja e vetme është: drejtësia. Ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyrë kriminale për vjedhjen e votës. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të manipulimit të zgjedhjeve. Zgjidhja e vetme është: ndëshkim përmes drejtësisë. Kur miratuam reformën në drejtësi, ne e kishim seriozisht dhe ishim të bindur se një drejtësi e pastër dhe e pavarur është zgjidhja që na duhet, sepse thelbi i problemeve tona si shoqëri është pandëshkueshmëria, është fakti që politikanët, të pasurit dhe të fortit janë mbi ligjin, janë vetë ligji, kurse njerëzit e thjeshtë janë viktimat, që nuk i mbron as ligji dhe asgjë. Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe e kriminelëve duhet të mbarojë dhe do të mbarojë tani. Fatkeqësisht, drejtësia po mungon në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo që prisnim nga reforma në drejtësi, është rrënuar nga kapja e drejtësisë nga Edi Rama. Por kjo nuk mund të zgjasë më, sepse nga kjo krizë nuk mund të dilet duke ruajtur pandëshkueshmërinë. Këtë herë kthimi në normalitetin politik, kalon nga dhomat e burgut për politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar. Këto ditë po dëgjoj histori dhe propozime nga më të çuditshmet për daljen nga kriza. Po dëgjoj të riciklohen teori dhe sllogane që në Shqipëri kanë dështuar plot herë për të kuruar dhe parandaluar krizat, sepse ato kanë vënë pazarin mbi parimin, sepse ato kanë devijuar nga rruga e ligjit, nga rruga e drejtësisë. Shteti i së drejtës, barazia para ligjit, është e vetmja garanci për lirinë, demokracinë dhe mirëqeverisjen”, deklaroi Basha. 

Kreu i opozitës ndër të tjera shprehu vlerësimet më të larta për Evropën.

“Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Evropa. Edhe më i rëndë është fakti se, më shumë se një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve, po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standardeve dhe vlerave evropiane. Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Evropën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën. Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Evropës: korrupsioni dhe krimi. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit”, tha Basha.

Më tej Basha gjatë fjalës së tij është shprehur se “Evropa në këto tre dekada është sjellë si nënë e dashur me shqiptarët”.

 “Mos dëgjoni helmin anti-europian që përhap Edi Rama duke ju thënë se Evropianët janë racistë, se evropianët nuk na duan. Evropa në këto tre dekada është sjellë si nënë e dashur me shqiptarët. Ajo na ka mbajtur me bukë kur na kërcënonte uria në vitet 90-të, ajo na dha asistencë dhe dije, kur sapo dilnim nga errësira e komunizmit, ajo na dhuroi miliarda, që të ndërtonim spitale, shkolla e rrugë. Evropa na hoqi vizat, që të ishim të lirë në gjirin e saj. Evropianët na hapën dyert në çdo qytet e fshat, kur migruam drejt tyre. Evropianët nuk janë kundër Shqipërisë. Ata janë kundër krimit. Evropianët nuk kanë frikë nga shqiptarët. Ata kanë frikë nga droga. Evropianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar.  Sikur Shqipëria të mos ishte kanabizuar, sikur Shqipëria të mos ishte qendër e drogës, sot do të ishim duke negociuar. Sikur Saimir Tahirët, Elvis Roshët, Vangjush Dakot, Damian Gjiknurët të ishin në burg dhe jo të lirë dhe në majat e politikës, ne do të ishim duke negociuar. Sikur drejtorët dhe burokratët t’u shërbenin njerëzve, në vend që të vidhnin vota për partinë, do të ishim duke negociuar. Sikur në vend të fasadave, të kishim ndërtuar porte dhe rrugë, do të ishim duke negociuar. Sikur në bregdet të ishin duke investuar kompanitë evropiane dhe jo oligarkët grabitqarë dhe kriminelët që pastrojnë paratë e drogës, do të ishim duke negociuar. Mbi të gjitha, sikur të kishim zgjedhje të lira, sot do ishim duke negociuar. Liria e popullit për të zgjedhur qeverinë që do, është burimi i lirive politike dhe demokracisë evropiane. Fatkeqësisht, Shqipëria sot është shumë larg këtij standardi themelor evropian” u shpreh Basha. /abcnews.al

NEGOCIIAYTA-1280x710.jpg
Sej rie20:45 | 18/06/2019

Bashkimi Evropian do të marrë në fund të Tetorit vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet anëtare kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Evropian për vendet aspirante.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë aprovuar konkluzione të njëjta për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Në këto konkluzione thuhet, se nisur nga koha e kufizuar dhe rëndësia e vendimit, Këshilli do t’i rikthehet hapjes së negociatave me dy vendet në fund të tetorit për një vendim të qartë dhe substancial. Presidenca rumune ka dhënë shpjegimin e saj për ABC News për arritjen e konkluzioneve të njëjta për dy vende ndërkohë kur disa shtete anëtare bëjnë një diferencim të dukshme midis tyre.

George Ciamba, ministri i jashtëm i Rumanisë: “Së pari, ne duhet të jemi të ndershëm dhe të themi që ne arritëm sot atë që mendonim dje se ishte e pamundur për t’u arritur sot. Së dyti, ne e ruajtëm për Maqedoninë e Veriut vlerën e marrëveshjes së Prespës . Kjo është e rëndësishme dhe i përgjigjet në një mënyrë edhe pyetjes tuaj. Së treti, është e rëndësishme që një vend si i yni që arti unanimitetin sot për disa çështje që nuk ishin të lehta. Dje kishte disa vende që nuk ishin dakord me disa pika kryesore dhe ne e shohim këtë në tekst. Ndoshta ne nuk arritëm një vendim historik, por arritëm të evitonim pengesat për marrjen e një vendimi në Tetor. Kjo është inkurajuese dhe gjuha e përdorur është pozitive dhe ajo u pranua nga Këshilli i ministrave”.

Komisoneri Hahn është pyetur nga Finantial Times nëse Komisioni Evropian është i shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe përfshirë përgjimet e gazetës Bild, duke venë në pah nga ana tjetër, se aktualisht shtetet anëtare nuk duken të gatshëm të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: “Ajo që mundohem të shpjegoj dhe të argumentoj, se Bashkimi Evropian ka një fuqi të veçantë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përgjatë këtij procesi dhe ka shumë pak pas anëtarësimit. Sigurisht që ju mund të shihni situatën sot në Shqipëri dhe mund të keni shqetësim lidhur me situatën politike dhe kryesisht para zgjedhjeve lokale. Është e rëndësishme që të bëhet diferenca se për çfarë është rënë dakord bazuar në një vendim unanim të Bashkimit Evropian. Ka 5 kritere që duhen përmbushur dhe sipas vlerësimit tonë, Shqipëria i ka përmbushur rezultatet dhe veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për një reformë të paprecedentë. Dhe t’ia vëmë fajin tani që 8 nga 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë pranuar për shkak të procesit të vështirë dhe të fortë të Vettingut, që monitorohet nga një mision ndërkombëtar, nuk do të ishte e ndershme, pasi ka prova për efikasitetin e procesit. Sigurisht, nuk mund të injorojmë situatën e brendshme të Shqipërisë dhe kjo po e influencon shumë vlerësimin e disa shteteve anëtare. Shpresoj, që periudha deri në Tetor do të shërbejë për të ndryshuar opinionin e një ose disa shteteve anëtare”.

Lidhur me shanset për të patur një tjetër vendim në Tetor, komisionberi Hahn është përgjigjur:  “Ne po përballemi me disa probleme institucionale, por nuk e fsheh se ka disa shqetësime të disa shteteve anëtare lidhur me situatën e brendshme të Shqipërisë dhe shpresoj që kjo të një sinjal alarmi për qeverinë dhe opozitën. Sot pata një diskutim shumë konstruktiv me sekretaren e shtetit të Francës që argumentojnë, se Bashkimi Evropian duhet reformuar para zgjerimit, ndërkohë që të dyja proceset mund të bëhen paralelisht”.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të marrin vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të Tetorit./ABC News Albania 24/7

77-1280x704.jpg
Sej rie18:15 | 18/06/2019

Vendimi i Këshillit të Evropës për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Veriu do të jepet në Tetor. Ky lajm është bërë i ditur nga komisioneri Johanes Hahn në një Konferencë shtypi nga Brukseli. Ai tha se shpreson që të këtë një vendim pozitiv për Tiranën dhe Shkupin.

Por gazetarja jonë në Bruksel, Erisa Zyka është shprehur se janë të pakta shanset që Shqipëria të marrë një vendim pozitiv në Tetor. Sipas saj gjasat janë që procesi për hapjen e negociatave të Shqipërisë do të shkëputet nga procesi për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.

 Mirela Milori: Cilat qenë konkluzionet për shtyrje të vendimmarrjes në muajin Tetor?

Erisa Zyka: Vendet skeptike mbeten po tre dhe janë Holanda, Danimarka dhe Gjermania që kanë insistuar që ky vendim të merret në fund të Tetorit, për shkak se ata konsiderojnë që duhet të kishin kohë të mjaftueshme për një vendim të një rëndësie të tillë. Po flasim për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Veriut në BE dhe ata duan kohë për të marrë një vendim substancial dhe të qarët në fund të Tetorit. Këto kanë qenë vendet skeptike.

Mirela Milori: Sa ndikoi situata e brendshme politike në Shqipëri në vendimmarrje?

Erisa Zyka: Ka ndikuar dhe ne këto vende skeptike i kemi parë të flasim vazhdimisht për një mungesë të rezultateve konkrete, të pamjaftueshme dhe të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ata e kanë bërë të qarta në disa takime edhe gjatë diskutimit që kemi pasur sot, por është diskutuar edhe situata politike. Hahn ka thënë që koha që mbetet nga tani e deri në Tetor të mund t’i shërbejë Shqipërisë për të arritur hapa pozitivë. Ka shumë skepticizëm nga shtetet anëtare dhe ka një angazhim për t’i ndarë vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi një qëndrim të qartë të disa vendeve anëtare, por Shqipëria nuk do mund t’ia dalë as në Tetor dhe ndoshta është herët për ta thënë këtë, por pa një angazhim… Shqetësimet që ka me mungesën e rezultateve konkrete por edhe me situatën politike në Shqipëri janë aty, dhe mund të thuhet se mund të shkohet drejt  një ndarje të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në fund të Tetorit. Edhe në deklarata e ministrave të Jashtëm, të gjithë përmendin Maqedoninë e Veriut dhe janë shumë të paktë ata që flasin për Shqipërinë. Gati gjysma e shteteve anëtare flasin ventëm për Maqedoninë e Veriut. /abcnews.al

ministrat-e-jashtem.jpg
nev ila12:11 | 18/06/2019

Që në fillim të takimit, ministrat e jashtëm janë shprehur se do të finalizojnë konkluzionet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet të aprovojmë konkluzionet për paketën e zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Evropian. Rumania ka bërë shimë që prej fillimit. Mbetemi shumë të angazhuar për të punuar për rajonin, me rajonin dhe për të avancuar procesin e zgjerimit. Rumania, që ka presidencën e Bashkimit Evropian po përpiqet për arritjen e hartimit të një teksti që të jetë angazhues dhe konstruktiv dhe njëkohësisht të ruajë ekuilibrat strategjikë dhe rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian.  Të gjithë kemi folur për marrëveshjen e Prespës. Është shumë e rëndësishme që të nënvizohet rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit”, tha George Ciamba, ministër i Rumanisë për çështjet evropiane.

“Konkluzionet nuk arritën të aprovoheshin nga ambasadorët e përhershëm, por këtë gjë duhet ta bëjmë sot. Çështja është mbi të gjitha procedurale lidhur me votimin e Bundestagut pas verës dhe me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Enzo Moavero, ministër i jashtëm i Italisë.

Strategjia e zgjerimit mbetet për ne shumë specifike, pasi bëhet fjalë për një përgjegjësi të madhe për paqen dhe stabilitetin në gjirin e Evropës. Ne do të analizojmë raportet e Komisionit dhe në këtë kontekst, zhvillimet pozitive në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Një vit më parë, këtyre dy vendeve u dhamë detyra shtëpie, të cilat sipas mendimit tim tashmë janë kryer. Maqedonia e  Veriut ka arritur diçka historike me marrëveshjen e Prespës, e cila mund të shërbejë si shembull për rajonin lidhur me guximin dhe angazhimin e treguar për pajtim pas një konflikti prej gati tre dekadash. Ne duhet ta shpërblejmë këtë, përndryshe Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë  një pjesë të besueshmërisë së tij. Qëndrimi ynë është që të vazhdojmë diskutimet në mënyrë që të hapim negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur. Është vetëm fillimi i negociatave të gjata dhe të vështira dhe është një çështje e stabilizimit të demokracive, forcimit të shtetit ligjor dhe pluralizmit të opinionit në këto vende. Pa Bashkimin Evropian, kjo nuk do të funksiononte”, tha Michael Roth, ministër gjerman i shtetit për çështjet evropiane.

I pyetur lidhur me një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut, ministri Roth ka treguar qartë, se vendimi pritet në tetor.

 “Raportet e zgjerimit janë dorëzuar shumë vonë. Bundestagu nuk kishte kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar raportet. Unë mund të kuptoj që ka kritika për këtë nga vende të tjera, por si përfaqësuesi i qeverisë gjermane unë jam i detyruar t’i jap më shumë kohë Bundestagut. Mendoj se në tetor do të gjejmë një marrëveshje”, tha ai.

Ministrat e jashtëm priten të aprovojnë konkluzionet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para orës 15h30./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono