bbc

zgjedhje-kosova-1280x853.jpg
ad min11:31 | 06/10/2019

Edhe mediat ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet e parakohshme në vend ku kryesisht konsiderohen si një mundësi e mirë për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe mediat ndërkombëtare kanë kthyer vëmendjen duke bërë një pasqyrim të shkurtër kryesisht të kandidatëve për kryeministër.

Rrjeti televiziv, Euronews, shkruan se zgjedhjet erdhën pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale.

Ndërsa BBC, i ka kushtuar një artikull të gjatë situatës politike në vend duke prezantuar kandidatët për kryeministër.

BBC shkruan edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, duke përmendur tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe taksën prej 100 për qind që është vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ndërsa televizioni indian News18 tregon për rrugëtimin që Kosova ka bërë që nga koha e luftës e deri te shpallja e pavarësisë./ABC News Albania 24/7

bordelloja.jpg
ad min13:05 | 26/09/2019

BBC ka kryer një investigim në një prej bordellove më të mëdha në botë. Në Bangladesh, prostitucioni është i ligjshëm, por sipas reportazhit të gjigandit mediatik britanik, vajza 7-vjeçare përgatiten që të bëjnë këtë lloj jetese. Disa femra në Daulatdia janë shprehur se janë detyruar që të prostituojnë që kur ishin fëmijë.

“Isha 19 vjeç kur erdha. Më sollën këtu dhe më detyruan të qëndroj kundër dëshirës sime. Nuk ishte i afërm ishte një person që e njihja nga zona ku jetoja. Më gënjeu, më tha që do shkojmë diku tjetër”, tha një grua për BBC.

Në bordellon më të madhe në botë, e cila gjithashtu është e ligjshme, rriten edhe fëmijët e prostitutave.

Për këtë arsye disa organizata bamirësie kanë ndërtuar një shkollë pranë, e cila frekuentohet më së shumti nga këta fëmijë. Gjithashtu janë hapur edhe shtëpi të sigurta për të ndihmuar të rinjtë që të largohen nga ajo lloj jetese./abcnews.al

elton-gashaj.jpg
ad min09:01 | 25/09/2019

Një 15-vjeçar shqiptar humbi jetën në Britaninë e Madhe pasi u godit nga një moshatar me thikë. Elton Gashaj vdiq në spital pak kohë pasi u plagos rëndë në parkun “Salt Hill” të shtunën.

Për ngjarjen u arrestuan tre persona dhe një prej tyre, gjithashtu 15 vjeç, akuzohet për vrasje dhe posedim të mjeteve të mprehta. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se një grup djemsh po “talleshin” kur filloi një sherr i ashpër dhe një prej tyre nxorri thikën sepse u ndje sikur po tallej nga të tjerët.

Ndërkohë adoleshenti që akuzohet për vrasjen u paraqit në Gjykatën e East Brerkshire të martën. Identiteti i tij nuk bëhet ende i ditur. Për ngjarjen u hetuan edhe dy adoleshentë të tjerë. Familja e Eltonin jeton prej vitesh në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas një kërkimi të BBC, gjatë këtij viti ka pasur 100 vrasje me thikë në të gjithë Britaninë./abcnews.al

ar.jpg
ad min11:31 | 20/05/2019

Një person ende i paidentifikuar ka gjetur 1.4 kilogramë ar me detektor metalesh. BBC shkruan se ngjarja ndodhi në fushat e arit në Australinë Perëndimore. Këtë rast e bëri publik një dyqan në Kalgoorlie, në të cilën publikuan këtë foto të gurit me ar.

Vlera e saj arrin deri në 100 mijë dollarë australianë. Siç tregoi pronari i dyqanit, Matt Cook, pronari i arit nuk është identifikuar ende. Sipas Cook, ari u gjet rreth 45 centimetra nën tokë.

Ai erdhi në dyqanin tim dhe më tregoi copën e arit ndërkohë që qeshte”, tha ai për BBC.

Gjetje të tilla kanë ndodhur disa herë sipas ekspertëve. Të paktën ¾ e arit në Australi prodhohet dhe gjendet rreth rajonit të Klagoorlie.

Sipas tyre këto gjetje janë të zakonshme në rajon. Ata kanë shpjeguar se përveç minierave të arit që gjenden në atë rajon, kërkuesit shkojnë fundjavave për të zbuluar copa të tilla për hobi./abcnews.al

Poroshenko-1280x738.jpg
ent ela13:57 | 29/03/2019

Një vit më parë BBC transmetonte lajmin se presidenti ukrainas kishte paguar ish avokatin e Trump, në mënyrë që të zgjaste takimin me presidentin amerikan. Poroshenko hodhi në gjyq median britanike dhe një gjykatë në Londër i dha të drejtë.

Ka rezultuar i rremë lajmi i BBC kundër presidentit ukrainas Petro Poroshenko, i transmetuar në 23 maj të 2018-s.

Lajmi kishte të bënte me një pagesë prej 400 mijë dollarësh ndaj Michael Kohen, ish avokatit të Donald Trump, për të zgjatur dhe më shumë takimin me presidentin amerikan.

Bëhet fjalë për samitin e 20 qershori 2017. Presidenti ukrainas akuzoi BBC për shpifje dhe gjykata e lartë e Londrës i dha të drejtë. BBC pranoi vendimin, i kërkoi falje presidentit ukrainas si dhe ra dakord për të paguar dëmshpërblimin “Për Dëmtim të Reputacionit” si dhe shpenzimet ligjore.

Në kohën e kësaj ngjarjeje edhe Kohen e kishte përgënjeshtruar lajmin e BBC, duke e cilësuar si të pabazuar në fakte./abcnews.al

BBC-JACKSON-ABCM4T1.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela17:49 | 04/03/2019

Mediat britanike raportojnë se BBC ka vendosur të mos transmetojë më asnjë këngë të Majkëll Xhekson deri në transmetimin e dokumentarit ku dëshmitarë okularë rrëfejnë për abuzimet që u janë bërë nga ylli i POP-it.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transmetohet dokumentari “Leaving Neverland”, në të cilin dy sëshmitarë tregojnë abuzimet që i janë bërë nga Majkëll Xhekson, kur kanë qenë të vegjël, në Mbretërinë e Bashkuar BBC radio 2 nuk do të transmetojë më këngët e yllit të POP-it, sipas raportimit të “The Sunday Times”. Sipas mediave britanike vendimi është marrë një javë më parë, në pritje të transmetimit të dokumentarit kontrovers dhe në Britaninë e madhe.

Por një zëdhënëse e radiotelevizionit britanik deklaroi se nuk do të ndalohen këngë apo artistë dhe Michael Jackson, siç do artist tjetër mund të dëgjohet dhe në BBC Radio.

Kënga e fundit e Jackson e transmetuar nga Radio 2 ishte “Rock With You”, në 23 shkurt. Ndërkohë në datat 6 e 7 mars, Channel 4 do të transmetojë në dy pjesë, dokumentarin prej katër orësh.

Në dokumentar, Xhejms Safechuck, tashmë 40 vjec, dhe Uejd 36 vjec, tregojnë për të kaluarën e tyre traumatike në kohën kur Majkëll XHekson I ka keqtrajtuar dhe përdhunuar kur ishin ende fëmijë. Robson rrëfen se Xhekson abuzonte me të që kur ai ishte shtatë vjec, dhe kishte vazhduar ta bënte deri sa mbushi 14 vjeç. /abcnews.al

oz.jpg
ad min19:47 | 28/12/2018

Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me kancerin shkrimtari i mirënjohur izraelit Amos Oz. Përveç veprave letrare, që i kanë dhënë një seri çmimesh, Oz do të mbahet mend edhe si avokati i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, qëndrim për të cilin disa herë është etiketuar si tradhtar.

Ikona e letërsisë izraelite Amos Oz ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare për shkak të kancerit. Mes veprave të tij të shumta spikat novela autobiografike e vitit 2002 “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, që u kthye menjëherë në bestseller dhe u përshtat për ekranin e madh nën regjinë e aktores së njohur Natali Portman.

Oz do të mbahet mend gjithashtu si avokati i paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe si mbështetës i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit dypalësh, qëndrim për të cilin disa e quajtën tradhtar. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur e bija, historiania Fania Oz Salzberger. Përmes një postimi në Tëitter, ajo deklaroi se gjendja e të atit ishte përkeqësuar gjatë natës teksa ai flinte.

“Ai vdiq i rrethuar nga njerëz që e donin. Ju lutem të respektoni privatësinë tonë”, tha Salzberger. Oz ishte një nga shkrimtarët më të njohur e më të lexuar të Izraelit, i vlerësuar në shkallë ndërkombëtare me anëtarësimin në Akademinë Amerikane të Artit dhe Shkencës, Legjonin e Nderit në Francë dhe me çmimin “Hajnrih Hajne” në Gjermani.

Librat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë dhe emri i tij është përfolur shpesh për çmimin Nobël për Letërsinë. Në vitet e fundit, Oz foli hapur kundër politikave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, duke e akuzuar atë për rritje të ekstremizmit.

“Nëse njerëzit e quajnë Izraelin të ndyrë, unë jam dakord me ta deri në një farë pike. Nëse e quajnë mishërim të djallit, atëherë mendoj se janë të fiksuar dhe të çmendur, por gjithësesi legjitimë në qëndrimin e tyre”, tha ai në një intervistë për BBC./abcnews.al

BUNKERET-SHQIPERI-BBC-1280x720.jpg
ad min18:45 | 02/11/2018

BBC ka publikuar një  reportazh për Shqipërinë duke e përqëndruar atë tek bunkerët që ekzistojnë prej kohës së diktaturës së Enver Hoxhës. Sipas medias britanike, këto objekte dëmtojnë vendet turistike në të cilat janë vendosur.

Televizioni britanik BBC ka publikuar një reportazh lidhur me Shqipërinë. Shkrimi fokusohet më se shumti në bunkerët që mbulojnë të gjithë vendin dhe që janë prodhuar në kohën e pas luftës së ftohtë. Media britanike fillimisht tregon historikun se si vendi ynë kaloi në një regjim totalitar pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Më tej shkruhet për aleancat e diktatorit Enver Hoxha me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik si dhe për prishjen e mardhënieve me këto vende.

Pikërisht devijimi i tyre nga regjimi totalitar socialist çoi drejt izolimit të Shqipërisë. BBC në reportazh thotë se pas izolimit, diktatori Hoxha i frikësohej ndonjë pushtimi të mundshëm nga vende si Jugosllavia, Greqia dhe NATO. Për këtë ai urdhëroi ndërtimin e 170 mijë bunkerëve. Shumë prej tyre janë ende në gjendje të mirë, ndërsa disa janë shkatërruar. BBC shkruan mes tjerash se këta bunkerë vijojnë të ndotin zonat ku janë vendosur, dhe qëndrojnë si statuja të pashkulura në plazhet e braktisura.  /abcnews.al

43286434_303.jpg
ad min20:19 | 25/10/2018

Sergei Skripal ishte një “minë me sahat”, që nëse shpërthente do t’i shkaktonte dëme të mëdha politikës dhe shërbimeve sekrete ruse. Sipas BBC, që ka bërë një investigim mbi ish-agjentin rus, ai po ndihmonte qeveritë e Perëndimit në zbulimin e celulave të spiunazhit rus dhe mafias ruse.

Helmimi i ish-agjentit të shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal ka në prapaskenë një mori motivesh. Në një investigim, rrjeti informativ britanik BBC denoncon se Skripal, ndryshe nga sa mendohej, nuk ishte një ish-agjent i tërhequr spiunazhi që bënte një jetë të qetë në Angli. Sipas BBC, deri në ditën e helmimit ai ka qenë më aktiv se kurrë, duke vepruar në shumë vende të Europës. Një nga ndalesat e tij kishte qenë Praga, ku sipas burimeve të BBC Skripal po u ofronte shërbimeve sekrete vendase informacione mbi inteligjencën ruse në Republikën Çeke. “Ai po punonte për çështje të nivelit të lartë dhe kishte informacion për agjentët e GRU-së ruse“, ka deklaruar Ondrej Kundra, gazetar i revistës “Respekt”.

Dhe në fakt, ambasada ruse në Çeki është vatra ku inteligjenca ruse përgatit misionet e fshehta në mbarë Europën. “Nëse ka qenë aktiv në identifikimin e agjentëve ruse, kjo është pa dyshim arsyeja përse ai u helmua”, ka thënë një burim konfidencial për BBC. Një tjetër hipotezë është që ai të jetë sulmuar për shkak të informacioneve që po u jepte qeverive të Perëndimit mbi mafian ruse dhe lidhjet e saj me Kremlinin. Për këtë arsye, Skripal kishte qenë edhe në Spanjë, por të kontaktuara nga BBC, autoritetet iberike kanë refuzuar të japin të dhëna mbi qëndrimin e tij. Kur bëhet fjalë për mafian ruse mund të ngrihet një paralele mes rastit të Skripal dhe atë të Aleksandar Litvinenko, që po ndihmonte shërbimet sekrete britanike dhe ato spanjolle me informacione mbi lidhjet e krimit të organizuar rus me politikën, por u helmua pak përpara se të dorëzonte provat tek prokurorët. “Kemi konstatuar ndërveprim mes anëtarëve të mafias dhe aparateve publike.

Bëhej fjalë për zyrtarë të korruptuar. Por ndërveprim mes mafias dhe Kremlinit nuk kemi parë”, ka deklaruar prokurori spanjoll Hoze Grinda, që prej dekadash heton ndikimin e mafias ruse në Spanjë. “Nuk e njoh rastin Skripal, por nëse është helmuar, kjo ka ndodhur sepse dinte diçka”, ka vijuar Grinda. Skripal ishte aktiv edhe në Zvicër, Estoni dhe Shtetet e Bashkuara, vijon investigimi i BBC, që shton se motivet për eleminimin e tij mund të jenë të shumta, që nga aktiviteti i tij deri tek dobësimi i Britanisë nga Brexit dhe ndërhyrja në aferat e mafias./abcnews.al

kimi.png
ad min23:53 | 15/10/2018

BBC me anë të një investigimi ka zbuluar se në Siri janë kryer të paktën 106 sulme me armë kimike që prej vitit 2014. Media britanike shkruan se këto sulme, kanë ndihmuar në fitoren e ushtrisë së Assadn ndaj opozitës.

Të paktën 106 sulme kimike janë kryer në Siri kundë civilëve që prej vitit 2014 e deri më sot: kjo është zbuluar në një investigim të zhvilluar nga BBC, që nënvizon se pas shtatë vitesh luftë civile shkatërruese me mbi 350 mijë të vdekur, presidenti Bashar al-Assad “duket tashmë afër fitores kundër forcave që kanë për qëllim rrëzimin e tij nga pushteti”. Në artikull, BBC ka publikuar edhe një hartë të detajuar të sulmeve të ndodhura pas firmosjes nga ana e Assad të Konventës ndërkombëtare kundër armëve kimike. “Përdorimi i armëve kimike ishte shumë i përhapur”, zbulon BBC.

Siria ratifikoi Konventën një muaj pas një sulmi kimik në disa zona periferike të Damaskut duke përdorur gazin nervor Sarin, duke vrarë qindra persona. Imazhet e tmerrshme të viktimave në agoni shokuan botën. Fuqitë perëndimore ia atribuan sulmin vetëm forcave qeveritare, por Assad akuzonte opozitën, Shtetet e Bashkuara zhvilluan një aksion ushtarake, por ndaluan kur Rusia, aleat kryesor i Assad, pohoi se ndihmoi në eleminimin e arsenalit kimik. Por pavarësisht shkatërrimit të 1300 tonelata të armëve kimike të deklaruara, nën vëzhgimin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike të OKB-së, sulmet kimike vijonin.

Assad ka mohuar në fillim të këtij viti se posedon akoma armë kimike, por sipas Organizatës Për Ndalimin e Armëve Kimike, nga shtatori i 2013 dhe prilli i 2018 kanë ndodhur të paktën 37 episode me përdorim produktesh kimike të dëmshme me qëllime armiqësore. Pjesa më e madhe e sulmeve kanë ndodhur në provincën Idlib./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono