basketboll

Vlade.jpg
Igli Nikolli09:47 | 25/12/2019

Politika dhe lufta shkatërrojnë gjithçka, madje edhe miqësi të forta dhe të veçanta. Drazen Petrovic dhe Vlade Divac u dashuruar që të vegjël me sportin e basketbollit. I pari ishte kroat, ndërsa i dyti serb. Të dy të talentuar dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin që prej moshës 17-vjeçare.

Basketbolli i tyre është i jashtëzakonshëm dhe tifozët mahniten nga kualiteti i tyre. Ishin vitet 90-të dhe Drazen e Vlade, fituan medaljen e artë me Jugosllavinë në Botërorin e Basketbollit të zhvilluar në Argjentinë, aty ku mposhtën Bashkimin Sovjetik në finalen e madhe.

Ia dalin të luajnë edhe në NBA, ëndrra e çdo basketbollisti. Të dy ishin pjesë e skuadrave të ndryshme, por miqësia forcohej nga dita në ditë. Por, vjen një moment kur palët ndahen dhe lufta është shkaktarja kryesore.

Divac (m) dhe Petrovic (d)

Gjatë festimeve të Botërorit 1990, një tifoz po festonte me flamurin kroat, por Divac drejtohet nga tifozi i lumtur dhe ia heq flamurin nga duart, pasi duhet të ekzistonte vetëm flamuri jugosllav! Veprimi i mikut të tij e acaron dhe trishton Drazen Petrovic.

Kroati ndërpret çdo marrëdhënie me mikun e vjetër dhe nuk pranon asnjë shpjegim nga serbi. Për fat të keq, Petrovic humbet jetën pas tre vitesh. Një aksident automobilistik në verën e vitit 1993 në Gjermani, largon nga kjo jetë përpara kohe gjigantin.

Në Kroaci është një hero kombëtar tashmë, ndërsa Divac një përbindësh, i cili gaboi në emër të luftës racore, që më vonë do të bëhej e përgjakshme. Vetëm shumë vite më vonë, Divac ia doli të takonte familjen e ish-mikut të adoleshencës dhe varrin e tij. Rreth kësaj historie të trishtë është realizuar edhe një film dokumentar nga Michael Tolajian, i quajtur Once Brothers (Dikur Vëllezër). /abcnews.al

Daliu.png
Igli Nikolli15:55 | 25/11/2019

Bruno Daliu mund të jetë penduar për sulmin e ashpër ndaj arbitrit të ndeshjes, por ai nuk mund të zbresë më në parket. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit ka vendosur ta dënojë përjetë.

Basketbollisti i Tiranës sulmoi ashpër arbitrin Jurgen Muho në ndeshjen e basketbollit midis Teutës dhe Tiranës, duel që u zhvillua në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.

Numri 8 i ekipit bardheblu nuk i mbajti nervat në një moment dhe dhunoi arbitrin me grushte, teksa është arrestuar nga policia. Përveç përjashtimit përjetë nga basketbolli, Daliu rrezikon dhe dënimin me burg. /abcnews.al

teuta-tirana-1280x953.jpg
Vladimir Prenga12:58 | 24/11/2019

Dhuna në ndeshjen Teuta-Tirana në basketboll është dënuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Ditën e sotme kanë dalë në një qëndrim dhe e konsiderojnë atë që ka ndodhur një ngjarje të shëmtuar, si dhe i urojnë arbitrit Muho shërim të shpejtë. Basketbollisti i Tiranës, Bruno Daliu, sulmoi dje me grushte një nga gjyqtarët e sfidës, Jurgen Muhon, një ngjarje që mund të klasifikohet si një skandal

REAGIMI I FSHB – “Federata Shqiptare e Basketbollit dënon ashpër ngjarjen e shëmtuar të ndodhur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, në takimin midis Teutës dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj.

Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e pa përligjur, e pa papranueshme dhe thellësisht e dënueshme.

Skena të tilla, që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk janë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti.

Federata Shqiptare e Basketbollit i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Federata Shqiptare e Basketbollit njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje”, reagon FSHB. /abcnews.al

OK-FRANCA-ELEMINON-USA.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela21:50 | 11/09/2019

Kampionati botëror i basketbollit që po zhvillohet në Kinë po i afrohet fazës finale, ndërkohë që surprizat nuk mungojnë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë eleminuar në çerekfinale nga Franca duke i dhënë fund aventurës në këtë turne.

Botërori i Basketbollit që po zhvillohet në Kinën e largët ka rezervuar surprizën e radhës pas eleminimit të Serbisë. Një ndër favoritet kryesore për të triumfuar në eventin më të rëndësishëm të basketbollit në Botë, Shtetet e Bashkurara të Amerikës kanë pësuar një humbje befasuese nga Franca në çerekfinale. Në sfidën e zhvilluar në Pekin, amerikanët janë eleminuar përpara kohe nga kampionati pasi humbën me 10 pikë diferencë kundrejt francezëve. Një disfatë e papritur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat realizuan 78 pikë kundrejt 88 të Francës. Sfida ishte thujase e barabartë për të dyja skuadrat, ndërkohë që amerikanet kaluan disa herë në avantazh ndaj francezëve. Mishel ishte më i miri në parket për Amerikën me 29 pikë të shënuara, ndërkohe që për Francën shkëlqeu me 21 pikë në tabelë.

Në gjysmëfinale kanë kaluar edhe Argjentina, Spanja dhe Australia.  Amerikano latinët eliminuan një nga favoritet kryesore për të fituar kampionatin Botëror të Basketbollit, Serbinë. Argjentina fitoi me 10 pikë diferencë ndaj ballkanasve. Spanja nuk zhgënjeu në çerekfinale ndaj Polonise duke mos e vendosur për një asnjë moment në pikëpyetje fitoren. Spanjollët janë një skuadër me mjaft përvojë dhe kanë shanse reale për t’u kualifikuar në finalen e madhe. /ABC News Albania 24/7

shba.jpg
ad min16:05 | 06/09/2019

Në botërorin e basketbollit që po zhvillohet në Japoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mundën Japoninë me rezultatin 98-45. Në ndeshjet e tjera Turqia humbi ndaj Çekisë, Brazili fitoi kundër Malit të Zi ndërkohë që fitore arritën edhe Franca dhe Australia.

Në botërorin e basketbollit që po zhvillohet në Kinën e largët janë zhvilluar edhe takimet e treta për grupet E, F, G dhe H. Në grupin E nuk ka surpriza me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë konfirmuar si dominues.

Fitorja e fundit u regjistrua ndaj Japonisë me rezultatin e thellë 98-45. Në duelin e zhvilluar në Shanghai amerikanët ishin superiorë dhe nuk e vendosën në dyshim fitoren.

Në ndeshjen tjetër në po këtë grup, Turqia mori një leksion të mirë ndaj Republikes Çeke. Edhe pse Turqit ishin ndër pretendetët për të fituar këtë botëror të magjishëm të basketbollit nuk ia dolën të mposhtin Çekinë, e cila i imponoi fitoren me rezultatin 91-76.

Në grupin F, Brazili nuk zhgënjeu ndaj Malit të Zi duke fituar me shifrat 84-73. Një ndeshje e lehtë për amerikano-latinet të cilët e interpretuan më mirë këtë takim. Në sfidën tjetër, Greqia fitoi me shumë vështirësi ndaj Zelandës së Re. Ballkanasit realizuan 103 pikë kundrejt 97 të Zelandës, e cila dha gjithçka deri në vërshëllimen e fundit.

Në grupin G, Franca përmbushi pritshmëritë duke fituar ndaj Republikës Domenikane me rezultatin 90-56. Një paraqitje e magjishme nga francezët të cilët janë udhëheqësit e grupit. Fitore e lehtë edhe për Gjermaninë përballë Jordanisë.

Me grupin H, Australia rikonfirmohet sërish si skuadra më me tepër potencial. Australianët fituan kësaj radhe ndaj Lituanisë me një diferencë prej vetëm 5 pikësh. Në takimin tjetër, Kanadaja fitoi bindshëm ndaj Senegalit me rezultatin 85-60./ABC News Albania 24/7

sebija.jpg
ad min22:59 | 04/09/2019

Në kampionatin botëror të basketbollit për meshkuj Serbia fitoi lehtësisht ndaj Italisë, Argjentina surprizoi Rusinë ndërkohë që Spanja bëri detyrën ndaj Iranit.

Kampionati botëror i basketbollit për meshkuj që po zhvillohet në Kinë ka nisur edhe fazën e tretë ku janë luajtur ndeshjet e grupeve A, B, C dhe D. Përfaqësuesja e Serbisë i dha një leksion të mirë kombëtares italiane. Ballkanasit fituan me rezultatin e thellë 92-77 duke marrë kryesimin e grupit D. Serbët dominuan në të gjithë takimin duke mos e vendosur për asnjë moment në diskutim fitoren. Pavarësisht kësaj humbje, Italia nuk e rrezikoi për asnjë moment vendin e dyte në grup.

Ndeshje me mjaft ritëm edhe në grupin B mes Argjentinës dhe Rusisë ku në fund buzëqeshën amerikano-latinët. Argjentina fitoi me vetëm 8 pikë epërsi kundrejt Rusisë që luajti si e barabartë deri në fundin e takimit. Amerikano-latinet e interpretuan më mirë ndeshjen dhe në fund morën frytet e një loje dinjitoze dhe me mjaft ritëm. Në minutat e fundit të ndeshjes të dyja skuadrat dhanë gjithçka për të dalë fitues, por në fund Argjentina i imponoi triumfin Rusisë me shifrat 69-61.

Në takimet e tjera, Kina u mposht nga Venezuela, Spanja fitoi jo me pak vështirësi ndaj Iranit, Polonia nuk zhgënjeu ndaj Bregut të Fildishtë ndërkohë që fitore arritën edhe Angola, Nigeria dhe Porto Riko./ABC News Albania 24/7

BASKET-SHBA-TURQI.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela13:40 | 04/09/2019

Basketbolli amerikan tregoi edhe një herë se rrezikon turpërimin në Kupën e Botës në Kinë. Ekipi kombëtar amerikan fitoi me vështirësi ndaj Turqisë, ndërsa sfidat e ardhshme do të jenë edhe më të forta.

Dihej që më parë se kjo e tanishmja nuk mund të quhej një “Skuadër Ëndërr”.

Dyshimi u përforcua thuajse në bindje, ndërsa kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës luajti ndeshjen e saj të dytë në Botëror, dhe shpëtoi me fat.

Turqia u kalua 93-92 pas kohës shtesë, fitorja më e ngushtë në 13 vjet në finalet e turneve të mëdhenj, ndërsa u ruajt seria prej 44 fitoresh radhazi, që nga humbja me Greqinë në Botërorin e vitit 2006.

Jo vetëm kaq, por turqit e kishin ndeshjen në dorë dhe mund të thuhet se e humbën vetë, jo se e fituan amerikanët.

Ja pra, çdo të thotë nëse SHBA dërgon në Botëror një ekip me vetëm dy lojtarë të Ndeshjes së Yjeve të NBA-së, dhe ka përballë një kundërshtar me tre yje të basketbollit amerikan.

“Ne luajtëm ndaj një skuadre me shumë përvojë, – pohoi trajneri Greg Popoviç në mbyllje të duelit në Shangai, – dhe kuptuam sesa shumë duhet të ndryshojmë për t’ia dalë mbanë. Ne e dimë se basketbolli në Kinë, por edhe në gjithë botën”.

Lojtarët e vetëm të Ndeshjes së Yjeve të NBA-së ishin Kris Midëllton dhe Kemba Uolker, ndërsa kampionët e mëdhenj mungojnë, si Lebron Xhejms, Durant, Kërri, Leonard, Uestbruk apo Harden.

Sesa shumë është afruar sot basketbolli botëror me atë amerikan, e tregoi edhe humbja e Greqisë ndaj Brazilit.

Skuadra greke u udhëhoq nga lojtari më i mirë i sezonit në NBA, Janis Antetokumbo, por ky u mbulua fort duke mos dhënë atë që pritej.

Brazilianët triumfuan 79-78, dhe Antetokumbo realizoi vetëm 13 pikë, si dhe u përjashtua për gabime personale.

Trajneri I Brazilit, kroati I famshëm Aleksandar Petroviç, theksoi pas ndeshjes se e dinte prej 6 muajsh sesi do ta ndalonte yllin e Miluokit, duke shtuar se Antetokumbo 23-vjeçar u mbulua pa problem nga një 39-vjeçar si Aleks Garsia.

Grekët patën edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë si Princezis, Papanikolau, Kalathes apo Slukas, ndërsa latinoamerikanët u përgjigjën me yllin e NBA-së, Anderson Varezhao, që shënoi 22 pikë dhe kapi 9 topa në tabela.

Një tjetër shembull se gjithë bota di të luajë basketboll erdhi nga humbja e Gjermanisë me Republikën Domenikane.

Gjermanët kanë lojtarë në NBA, ndërsa kundërshtari nuk ka asnjë, por sërish triumfoi. /ABC News Albania 24/7

basketboll.jpg
ad min18:42 | 31/08/2019

Nis me fitore të pretendentëve Botërori i basketbollit për meshkuj. Skuadrat kryesore si Serbia, Spanja apo Rusia nuk patën probleme.

Titulli do të vendoset në 15 Shtator, por duelet nisën pikërisht tani. Basketbolli filloi Kupën e Botës, të 18-ën në histori, dhe skuadrat pretendente nuk zhgënjyen, në parketet e pallateve të sportit të Kinës.

Serbia, e cilësuar si numri 2 i turneut pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dominoi siç pritej ndaj Angolës me shifrat 105-59. Një diferencë prej 46 pikësh, në prani të rreth 11.000 shikuesve në Arenën e Foshanit, ndërsa ballkanasit u udhëhoqën nga Bogdanoviç me 24 pikë, Marjanoviç që kapi 10 topa në tabela dhe ylli i Denverit, Nikola Jokiç me 9 asiste.

Po në grupin D, Italia gjithashtu e nisi me këmbën e mbarë, duke mundur 108-62 skuadrën e Filipineve. Datome e Dela Vale realizuan nga 17 pikë për italianët, të cilët duhet të bindin veten se mund të jenë pretendentë për sukses.

Skuadra më e lavdishme europiane e viteve të fundit, Spanja, po ashtu shpreson që të lerë gjurmë në Botëror. Iberikët, që luajtën dy herë me dinjitet ndaj amerikanëve në finalet olimpike, patën një nisje të lehtë, duke thyer Tunizinë 101-62.

Riki Rubio e Sergio Jul ishin më të mirët në fushë për ekipin e trajnerit Serxho Skariolo, ndërsa Mark Gasol shpreson të jetë në formën e tij më të mirë në ndeshjet e tjera.

Sukses edhe për Rusinë, një nga ekipet më tradicionalë në historinë e basketbollit, sidomos në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Në grupin B, rusët kaluan me vështirësi Nigerinë, 82-77, falë 16 pikëve të Mihail Kulaginit, dhe topave të kapur në tabelë të Nikita Kurbanovit./ABC News Albania 24/7

usa.jpg
ad min13:37 | 27/08/2019

Skuadra kombëtare amerikane mbetet favorite për Kupën e Botës në basketboll për meshkuj, që nis këto ditë në Kinë. Pretendentë për trofeun e madh janë edhe Serbia, Lituania e Greqia.

Me apo pa më të mirët, nuk mbetet pa titullin e favorites. Skuadra e basketbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon si e tillë në Kupën e Botës që nis në Kinë në 31 gusht, edhe pse nuk është aspak në formën më të mirë.

Pas humbjes me Australinë, SHBA-ja mundi Kanadanë 84-68, duke mos qenë asnjëherë në humbje, e duke kthyer disi besimin në vetvete. Në Melburn, amerikanët pësuan humbjen e parë pas 78 ndeshjesh radhazi.

Mungesa e lojtarëve si Lebron Xhejms, Kevin Durant, Koui Leonard, Stefën Kërri apo Xhejms Hardën, e bën të vështirë detyrën për skuadrën legjendare në Kinë, por gjithsesi, Shtetet e Bashkuara jepen favorite.

Gjithnjë e më shpesh po ndodh që yjet më të mëdhenj amerikanë refuzojnë kombëtaren, të painteresuar për një lavdi të tillë. NBA është tepër e fortë dhe e lodhshme për të lejuar ngarkesa të tjera.

Ekipi i trajnerit të lavdishëm Greg Popoviç ka vetëm emra si Kemba Uoker, Xhejlën Braun, Kris Midëllton, Donovan Miçëll apo Xhejzën Tatëm, dhe fare mirë mund të jetë i thyeshëm.

Cilët pritet të jenë rivalët kryesorë të Amerikës në Kinë?

Padyshim jo skuadra vendase, ndërsa Spanja apo Argjentina nuk janë në nivelet e dikurshme. Pretendente numër 2, sipas parashikimeve, është Serbia.

E cilësuar një superfuqi që prej viteve 60-të kur ishte Jugosllavi, skuadra e trajnerit Gjorgjeviç ka 4 lojtarë në NBA-së, si Nikola Jokiç të Denverit, Boban Marjanoviç të Filadelfias dhe Bogdan Bogdanoviç e Nemanja Bjelica të Sakramentos.

Përveç tyre, janë edhe mjaft lojtarë të ligave më të forta të Europës, por të dëmtuar mbeten yje si Teodosiç, Kuzmiç apo Milosavljeviç. Dy herë kampione e botës si Serbi dhe 5 herë total bashkë me kohën e ish-Jugosllavisë, skuadra ballkanase gjithnjë e ka një shans.

Lituania e trajnerit Adomaitis vlerësohet si pretendente e tretë.

Traditën e lavdishme të Sabonisit, Kurtinaitisit apo Marçulionisit sot e vazhdojnë Domantas Sabonis e Jonas Valançiunas që luajnë në NBA, ndërsa plot 5 lojtarë luajnë në ligën lituaneze me Zhalgirisin e Ritas Vilniusin.

Pretendentja tjetër serioze cilësohet Greqia, dhe kjo së pari për shkak të Janis Antetokumbosit. Lojtari më i mirë i NBA-së sezonin e kaluar, do të ketë në krah vëllanë e tij, Thanasisin, që gjithashtu luan për Miluokin.

Dy afrikanët e lindur në Greqi udhëheqin një ekip me emra të respektuar si Kalathes, Burusis, Slukas, Princezis apo Papanikolau./ABC News Albania 24/7

HARDEN-BOTERORI-I-BASKETBOLLIT-M1T1.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela15:15 | 21/07/2019

Xhejms Harden nuk do të luajë për kombëtaren amerikane në Botërorin e basketbollit në Kinë. Ylli I Hjustonit e refuzoi ftesën e trajnerit Greg Popoviç.

Mëkat që një yll i tillë do të mungojë. Xhejms Hardenin nuk do ta shohim të veshur me fanelën e kombëtares amerikane të basketbollit, në Kupën e Botës që zhvillohet këtë verë në Kinë.

Ylli I Hjustonit, kampion i botës me Shtetet e Bashkuara në 2014, nuk do të ketë mundësi të shtojë edhe një titull tjetër në karrierë, në Botërorin që luhet nga 31 gushti deri në 15 shtator në 8 qytete kineze.

I mbiquajturi “Mjekra” deklaroi se do të përqëndrohet në përgatitjet me Hjustonin, për të krijuar një dyshe të madhe me Rasëll Uesbrukun, ndërsa shtoi se ngarkesa e NBA-së është tepër e madhe, dhe se ai ndihet i lodhur.

Harden ishte një nga dy lojtarët më të mirë të sezonit të rregullt të NBA-së, madje ishte edhe shënuesi më i mirë, ndonëse Hjustoni nuk arriti ta fitonte titullin, duke humbur finalen e Konferencës Perëndimore ndaj Golden Stejtit.

Refuzimi i tij i shtohet mungesës së disa yjeve të tjerë si Entoni Dejvis, Erik Gordon apo Mekkallëm, dhe e dobëson jo pak skuadrën e trajnerit Greg Popoviç.

Harden ka një karrierë fituese me kombëtaren amerikane, dhe përveç Kupës së Botës në 2014, doli edhe kampion olimpik në vitin 2012 në Londër. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono