bashkimi europian

laura-kovesi-1280x720.jpg
G. P.23:01 | 19/09/2019

Ish-shefja e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit në Rumani, Laura Kovesi ka shanse të bëhet kryeprokurore e BE-së. Kovesi ka marrë mbështetjen në parim të vendeve anëtare të Unionit, ndërsa votimi pritet të bëhet në javët e ardhshme.

Ish-shefja e Prokurorisë së Anti-Korrupsionit në Rumani, Laura Kovesi ka gjasa të jetë kryeprokurorja e re e Bashkimit Europian, pavarësisht kundërshtimeve që vijnë nga vetë qeveria rumune.

Të enjten, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Unionit dhanë mbështetjen që ajo të marrë drejtimin e Zyrës së Prokurorisë Publike Europiane. Tani mbetet vetëm që emërimi i saj të konfirmohet me votë nga Këshilli Europian, që pritet të mblidhet posaçërisht në javët e ardhshme.

Kovesi, aktualisht 46 vjeç, u kthye në “dhimbje koke” për klasën politike rumune teksa ishte në krye të Drejtorisë Anti-Korrupsion të vendit. Ajo u vendos në këtë detyrë në 2013-n dhe në vitet që pasuan në Rumani pati një rritje të ndjeshme të dënimeve për korrupsion.

Ndërkohë, në Korrik të vitit të kaluar, ajo u shkarkua nga detyra me nismë të qeverisë rumune. Duke folur për mediat ditën e enjte, Kovesi deklaroi se mbështetja e marrë nga vendet anëtare ishte një hap i rëndësishëm, por shtoi se duhet pritur për vendimin përfundimtar.

Një basketbolliste e talentuar në rini, gjatë drejtimit 5-vjeçar të Drejtorisë Anti-Korrupsion zonja Kovesi çoi në gjyq 68 funksionarë shtetërorë, përfshirë 14 ministra dhe ish-ministra, si dhe 53 deputetë nga të dyja dhomat e parlamentit rumun.

Nga këta, 37 politikanë janë dënuar, ndërsa ndaj të tjerëve proceset gjyqësore vazhdojnë./ABC News Albania 24/7

brexit-1.jpg
G. P.22:45 | 18/09/2019

Negociatori i Bashkimit Europian për Breksit, Mishel Barnier i ka bërë thirrje Londrës dhe Brukselit që t’i japin fund shtirjeve sikur po bisedojnë për të arritur një marrëveshje. Pas takimit me kryeministrin Boris Xhonson, Barnier u beri thirrje palëve për propozime konkrete.

Përfaqësuesi i BE-së në negociatat për Breksit ka deklaruar se Unioni dhe Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të shtiren sikur bisedojnë kur në tryezë nuk ka propozime të reja.

Mishel Barnier ka thënë se qëndrimi i deritanishëm i Britanisë, që i tregon Brukselit se çfarë nuk i pëlqen nga marrëveshja aktuale e Breksit nuk mjafton për një akord të ri.

Ai hodhi dyshime mbi një propozim të Londrës për t’i dhënë Irlandës së Veriut të drejtën e vetos ndaj rregullave tregtare të BE-së, duke theksuar se çdo pjese të Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet të nënshkruajë kushtet e daljes nga Unioni.

Nga ana tjetër, kryeministri Boris Xhonson deklaroi se, ekzistojnë hapësirat për një marrëveshje. Ai tha se akordi mund të arrihet në samitin e liderëve të BE-së që mbahet më 17 tetor, edhe pse nuk publikoi asnjë detaj nga frika se mos propozimet e tij konsiderohen si “mbeturina” nga BE.

Zoti Xhonson ka insistuar vazhdimisht se nuk do të pranojë një shtyrje të Breksit përtej 31 tetorit, pavarësisht se ligjvënësit miratuan një ligj që e detyron atë ta kërkojë një gjë të tillë nëse brenda datës 19 tetor nuk arrihet një pakt me BE-në.

Pas takimeve të zhvilluara ditët e fundit me zotin Barnier dhe presidentin e Komisionit Europian Zhan Klod Junker, Xhonson theksoi se, procesi për të arritur një marrëveshje të re do të përshpejtohet./ABC News Albania 24/7

komisioni-europiann-1280x720.jpg
G. P.12:06 | 14/09/2019

Komisioni i ri Europian duhet të nisë punimet në 1 Nëntor, ndërkohë kandidatët për komisionerë duhet fillimisht të marrin konfirmimin e Parlamentit Europian. Po cilët janë protagonistët?

Me emërimin e Paolo Gentiloni-t si komisioner europian për Italinë, u kompletua dhe ekipi i personaliteteve që do të jenë në dispozicion të presidentes së zgjedhur Ursula von der Leyen për krijimin e Komisionit të ardhshëm Europian. Komisioni Europian është organi ekzekutiv i Bashkimit Europian, njësia më e ngjashme me një qeveri në dispozicion të marrëveshjeve kontinentale. Detyra e tij është promovimi i interesit të përgjithshëm të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye çdo vend anëtar propozon një komisioner, i cili merret me një temë specifike për një mandate pesëvjeçar.

Janë 26 komisionerët, Gjermania propozoi presidenten e komisionit ndërsa Mbretëria e Bashkuar vendosi të mos emërojë një përfaqësues të saj. Mbi të gjitha, ky nuk do të jetë një komision me debutues absolutë. Një nga emrat e dëgjuar është Margeret Vestager, zëvendës presidente e komisionit, post i cili në pesë vitet e fundit është marrë me dosje delikate që lidhen me qëndrimin fiskal të kolosëve të mëdhenj të teknologjisë si “Apple”, “Google” e “Facebook”.

Përfaqësuese e partisë liberale aktualisht në qeveri në Danimarkë, Vestager ishte fillimisht një nga emrat e përmendur për të drejtuar Komisionin Europian. Ajo do të shoqërohet në këtë post nga holandezi Frans Timmermans, i cili ka mbajtur këtë post dhe në legjislaturën e kaluar, një detal që u jep të drejtë skeptikëve që të shprehen për një presidencë të Komisionit Europian, e cila do të ketë më shumë zëvendës ekspertë.

Për të zëvendësuar Federica Mogherinin në çështjet e jashtme është zgjedhur Josep Borrell, ekonomist katalanas nga radhët e PSE-së dhe dikur president i Parlamentit Europian në periudhën 2004 – 2007, ndërsa një rol domethënës në përbërjen e skuadrës do i takojë ish-kryeministrit të Letonisë Valdis Dombrovskis, komisioner në largim për qëndrueshmërinë financiare.

Do të jetë sërish sllovaku Maroš Šefčovič, në mandatin e tij të tretë radhazi në komision, një personalitet i tryezave europiane, ku ka mbajtur postin e komisionerit për energjinë, atë për tregun dixhital të përbashkët, marrëdhëniet ndër institucionale, arsimin dhe shëndetin. Rikthehen në Bruksel dhe Maria Gabriel për Bullgarinë, Vera Jourova për Republikën Çeke, Johanes Hahn për Austrinë dhe Fil Hogan për Irlandën, deri tani komisioner për agrokulturën, e që tashmë do të marrë nën drejtim tregtinë ndërkombëtare.

Profili i Paolo Gentiloni-t, që “Corriere della Sera” dhe “Haffington Post” e cilësojnë si pasardhës të Pier Moskoviçit për çështjet ekonomike është i njohur, por nuk është emri i vetëm me peshë që synon të zhvendosë ekuilibrat në kancelaritë europiane. Në total do të jenë 10 komisionerë nga radhët e Partisë Socialiste dhe 9 ata nga Partia Popullore, mes të cilëve presidentja Von der Leyen. László Tróksánui, avokat dhe ish-ambasador i Hungarisë në Belgjikë, pritet të jetë komisioneri për zgjerim nëse do të miratohet nga Parlamenti Europian. Ai vjen nga radhët e partisë “Fidesz”, partia e kryeministrit Viktor Orban, aktualisht e përjashtuar nga qendra e djathtë europiane.

Sipas presidentes së zgjedhur të Komisionit Europian e cilësoi skuadrën e saj si një komision të larmishëm si Europa dhe të fortë si Europa. Një skuadër që ka brenda saj të rinj dhe ekspertë, lindje, perëndim, jug, dhe veri, gra dhe burra. Një skuadër e ekuilibruar që kombinon eksperiencën dhe aftësinë, së cilës do i kërkohet që të punojë me këmbëngulje dhe që të japë përgjigjet e duhura.

Ursula von der Leyen, e cila do të drejtojë Komisionin Europian, ka qenë ministre mbrojtje në Gjermani që nga Dhjetori i 2013-s, si dhe një figurë e rëndësishme në radhët e CDU-së, ajo u konsiderua për shumë kohë një nga kandidatet kryesore si pasardhëse e kancelares gjermane të Angela Merkel. E lindur në Albrekt, e rritur deri në 1971 në Bruksel, flet rrjedhshëm tre gjuhë të huaja, e martuar me shtatë fëmijë ajo ka ndjekur gjurmët e babait të saj i cili ka qenë për një kohë të gjatë president i landit në Saksoninë e Ulët.

Karriera e saj politike nis në vitet ’90, kur regjistrohet në CDU, Von der Leyen ka mbuluar poste të ndryshme në nivel lokal deri në momentin e emërimit në vitin 2003, si Ministre për Çështjet Sociale, Familjen dhe Shëndetin.

Në këtë post ajo do të mbahet mend se iu kundërvu partisë saj për të mbrojtur tema në mbështetje të nënave që punojnë, me një plan të bazuar në ndërtimin e çerdheve të reja dhe leje lindjeje për të dy prindërit. Por dhe si Ministre Mbrojtjeje, ajo u mor me barazimin e kuotave. Ajo është gruaja e parë që ka mbajtur një post të tillë në historinë e Gjermanisë.

Një nga temat më të nxehta me të cilat do të përballet Von der Leyen do të jetë pikërisht Brexit. Ajo u shpreh se nëse Britania e Madhe del nga Bashkimi Europian, nuk do të ishte fundi, por fillimi i një marrëdhënieje të re. Më tej, ajo theksoi se Brukseli nuk e dëshironte daljen e Londrës nga BE, por gjithsesi respekton vendimin e saj. Hapat e radhës, shtoi Von der Leyen, janë në duart e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendimet nuk do të komentohen.

1 nëntor do të jetë data që ajo do të marrë postin dhe atëherë do të shihet se çfarë do të ndodhë. Nëse Mbretëria e Bashkuar do të kërkonte një shtyrje të Brexit, dhe nëse një gjë e tillë ndodh atëherë do të caktohej një komisioner i ri që do të merrej më këtë çështje. Për momentin, Mbretëria e Bashkuar është vendi i vetëm anëtar që nuk ka propozuar një komsioner. Një nga pikat kryesore mbetet reformimi i Dublinit. Solidariteti sipas saj nuk duhet të varet vetëm nga një pozicion gjeografik, Dublini duhet reformuar dhe mbetet një nga pikat kyçe të programit të saj.

Për sa i përket betejës së taksave, aktualisht mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kinës, Von der Leyen shprehet se nëse vazhdon logjika e përballjeve atë herë do të humbasin të gjithë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Për këtë arsye, palët duhet të ulen në tryezë dhe të shihen interesat e përbashkëta në mënyrë që të shënohen progrese.

Ndërkohë Bashkimi Europian synon të investojë në fushën e kërkimeve dhe të zhvillimit për mbrojtjen e përbashkët, pa vënë në diskutim marrëdhënien me NATO-n, e cila do të përfitojë nga këto investime. Investimet në industrinë ushtarake si pas saj do të sjellin shumë të mira dhe për industrinë private, mjafton të mendosh se interneti lindi nga rrjeti ushtarak Arpa ashtu si dhe GPS. Për këtë arsye ajo do të vijojë në këtë rrugë dhe për këtë do të kujdeset drejtoria e përgjithshme për industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës. Posti i është besuar francezes Silvi Gulard e cila është emëruar dhe si komisionere për tregun e brendshëm.

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian është e vendosur që të kthejë Bashkimin Europian në një lider botëror të zhvillimit të marrëveshjes për mbrojtjen e klimës dhe kundër ndryshimeve klimaterike. Ajo u shpreh e bindur se pjesa tjetër e botës do të ndjekë më pas këtë linjë. Socialisti holandez Frans Timmermans do të jetë zv/presidenti ekzekutiv për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane e cila do të jetë një lloj marke europiane.

Marrëveshja mes Bashkimit Europian dhe Turqisë bëri të mundur ndalimin e trafikut të qenieve njerëzore në kufirin turk, por duhet të bëhet e qartë se si do të investohen 6 miliardë eurot të vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian. Sipas të dhënave zyrtare në periudhën 2016 – 2017 krimi i organizuar mundësonte kalimin e 5 mijë personave në ditë, por tani numri ka rënë në mënyrë drastike.

Këshilli i Bashkimit Europian i ka dhënë dritën jeshile listës së kandidatëve që do të jenë anëtarë të Komisionit Europian deri në 31 Tetor 2024, sipas artikullit 17, paragrafi 7, i traktatit për Bashkimin Europian, lista e pranuar nga këshilli në dakordësi me presidenten e zgjedhur të komisionit, do i kalohet Parlamentit Europian. Në përputhje me traktatin, Presidenti, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurisë, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit do të përballen me votën e Parlamentin Europian./ABC News Albania 24/7

kw47_interview_krichbaum_bild-1280x721.jpg
nev ila17:49 | 13/09/2019

Bundestagu gjerman nuk e fsheh mundësinë që Shqipëria dhe Maqedonia të ndahen në rrugën e hapjes së negociatave që deri tani e kanë pasur të përbashkët. Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.

Shqipëria e Maqedonia e Veriut deri më tani i kanë hedhur bashkë hapat e integrimit. Të dy vendet po presin në 18 tetor të çelin negociatat, por nuk përjashtohet mundësia që tani rrugët e dy vendeve të ndahen e njëra të përparojë më shumë se tjetra.

Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha për Deutche Welle se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.

Günther Krichbaum: Në Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë,  dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “parimi i meritës vetjake”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë.

Günter Krichbaum shprehet optimist për Maqedoninë, duke i njohur meritën e marrëveshjes me Greqinë.

Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet evropiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.

Sipas ligjeve gjermane, Kancelarja Merkel është e detyruar t’i nënshtrohet vendimit të Bundestagut për çdo qëndrim mbi zgjerimin e BE-së./ABC News Albania 24/7

jorida-tabaku-1280x720.jpg
G. P.15:11 | 13/09/2019

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet kritike në lidhje me hapat e hedhura nga qeveria për çeljen e negociatave në Tetor me Bashkimin Europian. Në një intervistë për ABC News, Tabaku thekson se opozita ka bërë gjithçka për një vendim pozitiv, ndaj edhe pret një vendimmarrje në favor të negociatave me BE.

Demokratët besojnë se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të plotësuar kushtet e vendosura për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Por pavarësisht kësaj, opozita do ta mbështesë dhe do të lobojë për një vendim pozitiv në Tetor. Në një intervistë për ABC News, ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku  thekson se opozita nuk ka qenë kurrë pengesë për negociatat dhe se përgjegjësitë duhen parë gjithmonë nga qeveria.

“Është e vetmja qeveri që nga 5 kritere që i gjeti, i përkeqësoi dhe kaloi në 7 kritere. Opozita në asnjë nga këto pika nuk ka lidhje për të plotësuar. Opozita çfarë mund të bëjë? Opozita mund të thotë fjalën e saj dhe Basha e ka thënë në Bruksel dhe kushdo që ka pasur mundësi e ka thënë që ne jemi pro hapjes së negociatave. Nga 2013 e këtej kushdo që lexon raporte e shikon që nuk jepet opozita si pengesë”, tha Tabaku.

Formula e zgjidhjes së krizës me ndërmjetësim ndërkombëtar apo me tryezë të gjerë dialogu, pjesë e së cilës do të jetë i gjithë faktori politik mbetet e paqartë. Por për Tabakun e sigurt është se rruga e nisur nga demokratët është pa kthim.

“Nuk e di se kush është formula e artë për të dalë nga kriza, por di të them që PD ka nisur një rrugë pa kthim dhe ka nisur një rrugë të cilën e ka seriozisht duke pasur një vizion parasysh, duke pasur vizionin e një Shqipërie evropiane. Në një Shqipëri evropiane ne nuk mund të diskutojmë për zgjedhje ku mbushen kutitë e votimit, nuk mund të diskutojmë për standardet e demokracisë që janë në rrezik dhe nuk mund të diskutojmë për kriminelë që i caktojnë anëtarë parlamenti”, tha Tabaku.

Shqiptarëve shumë shpejt do t’i paraqitet nga Partia Demokratike, platforma për daljen nga kriza. Ish-nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë flet për një punë intensive në terren për të reflektuar në dokumentin final çdo shqetësim të grupeve të interesit.

“Ne i kemi prezantuar shtyllat kryesore të programit tonë nga pikëpamja fiskale dhe është duke u punuar për të gjithë pjesën tjetër programore dhe sektoriale. Kjo ka ardhur nga kontaktet e vazhdueshme me të gjitha grupet e interesit, qytetarët dhe kjo është duke u bërë në çdo fushë dhe çdo sektorë nga specialistët dhe përfaqësuesit e lartë të PD-së”, tha Tabaku.

Mënyra e zgjidhjes së krizës tani është e gjitha në duart e liderit të opozitës, Lulzim Basha. Pas takimeve në Bruksel dhe një takimi konfidencial në Presidencë me Metën, kryedemokrati ka folur pak për mënyrën se si vendi do dal nga kriza, por ka garantuar se pakt të ngjashëm me atë të 2017 me Ramën nuk ka për të pasur./ABC News Albania 24/7

luigi-soreca.jpg
G. P.13:08 | 13/09/2019

Nëse nuk po gjejnë dot arsye për t’u ulur në një tryezë është ambasadori i delegacionit evropian në Tiranë që sugjeron se cila pikë mund t’i bëjë bashkë.

“Ju kemi kërkuar partive që të përfshihen në dialog. E kemi bërë gjithmonë dhe janë të shumta thirrjet tona për dialog. Dialogu duhet të fillojë nga diçka specifike si për shembull Reforma Zgjedhore, e cila do të sillte diçka shumë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë”.

Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme sipas kreut të delegacionit të Bashkimit Evropian që palët të diskutojnë si tu sigurojnë standarde ndërkombëtare qytetarëve të tyre. Janë këta të fundit që i kanë sytë drejt Bashkimit Evropian, nënvizoi ambasadori Soreca.

“Çelja e negociatave do të ndihmonte edhe sa i përket dialogut dhe më lejoni të them që 91% e shqiptarëve duan që Shqipëria të bëhet shtat anëtar i BE. Këta janë 91% e qytetarëve shqiptarë që i përkasin të gjithë spektrit politik në Shqipëri që do të thotë që të gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog”

Deklaratat Ambasadori Luigi Soreca i bëri pas firmosjes së marrëveshjes “IPA 2018”, me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që synon ndër të tjera të mbështesë reformën në sektorin e drejtësisë me 42 milionë euro, ndërsa 19 milion euro do të synojnë forcimin e Shtetit të së Drejtës dhe Luftës Kundër Krimit të Organizuar e Drogës. /ABC News Albania 24/7

turqia.jpg
G. P.13:56 | 11/09/2019

Trefishohet numri i refugjatëve të cilët largohen nga bregu lindor i Turqisë për në Greqi. Refugjatët shprehen se e kanë të pamundur të jetojnë në Turqi, ndërsa presidenti Erdogan deklaron se nëse nuk merr buxhetin e premtuar nga Bashkimi Europian, atëherë do të hapë rrugën e refugjatëve drejt Europës.

Jelekë shpëtimi, këpucë dhe pantallona të braktisura; janë këto të dhënat nisjeve drejt Europës që nga bregu lindor i Turqisë. Lundrimet me varka, të cilat në vitin 2015 shkaktuan me dhjetëra viktima në ujërat e Egjeut, po rikthehen sërish nga refugjatë të cilët nuk duan të rikthehen në shtëpitë e tyre, por as nuk mund të jetojnë më në Turqi.

Sipas shoqatave jofitimprurëse që nga muaji Korrik është dyfishuar numri i atyre që duan të lundrojnë drejt Greqisë. Shumë preh refugjatëve vijnë nga Stambolli, pasi gjatë verës qeveria turke deklaroi se ata që nuk ishin të regjistruar në qytet duhej të largoheshin.

Presidenti turk Erdogan këmbëngul për një mbështetje ndërkombëtare për sa i përket projektit të tij për krijimin e një zone sigurie në Siri. Në këtë mënyrë ai mendon se do të jetë e mundur rikthimi në atdhe i 1 milion sirianëve. Por në rast të kundërt, ai kërcënon se do hapë rrugën në mënyrë që emigrantët të mbërrijnë në Bashkimin Europian.

Presidenti turk këmbëngul se është ende në pritje të buxhetit që i është premtuar nga Bashkimi Europian për t’u përballur me flukset e emigrantëve. Ai u shpreh se Turqia ka bërë pjesën e saj të marrëveshjes, por nuk ka marrë ende asgjë./ABC News Albania 24/7

maqedonia-dhe-shqiperia-1280x690.jpg
G. P.18:41 | 03/09/2019

Bashkimi Europian do të ketë një vendimmarrje të ndarë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas blogut europian “Bruksel2”, gjasat janë që drita jeshile të ndizet vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe jo për Shqipërinë.

Blogu i njohur europian Bruksel2 (B2) hedh dritë mbi të fshehtat e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian me homologët e Ballkanit në Helsinki. Diplomatët europianë kanë treguar për këtë blog, se po shkohet drejt ndarjes së vendimmarrjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Diplomatët kanë shtjelluar, se nuk do të ketë më trajtim të përbashkët (në paketë) për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet.

“Do të privilegjojmë Maqedoninë e Veriut nëse nuk mund t’i hapim negociatat me të dyja vendet”, është shprehur një diplomat europian për B2.

Ndërkohë, që ky qëndrim është konfirmuar edhe nga burimet finlandeze dhe franceze. Këto të fundit janë shprehur, se nëse do të ketë një vend që do të hapë negociatat në Tetor, ai do jetë Shkupi.

Sipas shumë ministrave të jashtëm, Maqedona e Veriut e meriton këtë hap falë arritjes së marrëveshjes me Greqinë. B2 i referohet gjithashtu ministrave të jashtëm të Sllovenisë, Kroacisë, Rumanisë, Portugalisë dhe Danimarkës që favorizojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Por përpjekjet e palës shqiptare për përmbushjen e kritereve nuk konsiderohen të mjaftueshme nga të gjitha vendet. Sipas Bruksel2, ndarja në vendimmarrje do të zhgënjejë palën shqiptare, e cila përmes ministrit të jashtëm, Gent Cakaj ka shprehur bindjen se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave dhe se hapja e tyre është mëse e mundur./ABC News Albania 24/7

bujar-osmanii.jpg
G. P.16:12 | 01/09/2019

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se nga menaxhimi i çështjes “Zhvatja” do të varet përgjigja e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Osmani ka bërë thirrje për konsensus politik për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Numri dy në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka pranuar se afera “Zhvatja” në të cilën rezulton të jetë e implikuar edhe Katica Janeva, ish-prokurorja speciale e zgjedhur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka për të dëshmuar pjekurinë e institucioneve të sistemit për t’ju shkuar deri në fund reformave të filluara.

“Qëndrimi im është se këtë gjendje krize mund ta shndërrojmë në mundësi  në qoftë se institucionet përgjigjen me seriozitet dhe në mënyrë efikase, transparente dhe të paanshme e zbardhin këtë rast deri në fund, pavarësisht implikacioneve që mund të ketë. Kriminelë dhe krime ka gjithandej. Dallimi mes shteteve është nëse keni institucione të cilat ia dalin të ballafaqohen me problemin pa subjektivizëm”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane duke pranuar se nga mënyra se si do të trajtohet rasti “Zhvatja” do të varet edhe reagimi i Bashkimit Evropian për marrjen apo jo të datës për fillimin e negociatave.

Në këtë rrafsh, Osmani ka shprehur shpresën se kanë për t’u tejkaluar dallimet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin mëtohet edhe zgjidhja e statusit të Prokurorisë Speciale Publike që aktualisht është vënë në qendër të vëmendjes së publikut.

“Nevojitet vetëm vullnet serioz politik dhe ulje pranë tavolinës, me qëllim të tejkalimit të tyre. Gjithçka që është brenda vijave të kuqe të vendosura nga Bashkimi Evropian, por edhe ne si QEVERI, për shkak se duhet të ketë institucion që përballet me kriminalitetin në nivel të lartë dhe të gjitha rastet qofshin nga përgjimet, qofshin jashtë përgjimeve, për të cilat ka indikacione, duhet të zbardhen me një procedurë gjyqësore. Brenda këtyre kornizave, kujtoj se ka hapësirë për kompromis dhe unë jam optimist se do të arrihet kompromis për Ligjin për Prokurorinë Publike”, tha Osmani në një intervistë të gjatë për seksionin maqedonas të radios Evropa e Lirë.

Në të ai ka folur edhe për marrëdhëniet mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe partive maqedonase, në pushtet dhe opozitë, duke nënvizuar se qëllimi i integristëve është që të krijohet sa më shumë hapësirë për konsensus lidhur me çështje kryesore politike me të cilat po ballafaqohet Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

pund.jpg
G. P.17:40 | 29/08/2019

Stërlina britanike ka shënuar rënie në bursat ndërkombëtare pasi mbretëresha Elizabeta II miratoi kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para largimit të planifikuar të këtij shteti nga Bashkimi Evropian.

Në Londër, pas lajmit për suspendimin e parlamentit britanik , në përpjekje për të përjashtuar deputetët që të mos pengojnë daljen pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është shënuar rënie e vlerës së valutës kombëtare, paundit, që interpretohet si shenjë se investitorët janë të shqetësuar nga mundësia që Britania, më 31 Tetor, të largohet pa marrëveshje nga familja evropiane duke i lënë të parregulluara marrëdhëniet dypalëshe.

Partia Laburiste në opozitë ka paralajmëruar se do të kërkojë që javën e ardhshme të zhvillohet debat i jashtëzakonshëm për largimin nga Bashkimi Evropian duke lënë të kuptohet instistimi i saj për të miratuar një ligj që do të pamundësonte daljen pa marrëveshje. Në Londër ka pasur protesta antiqeveritare nën “ndal grushtit të shtetit”.

Agjencitë e lajmeve rikujtojnë se i ashtuquajturi BREXIT, pa marrëveshje, mund të rikthejë vendosjen e kontrollit të plotë kufitar dhe të doganave në tregtimin mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që është partneri më i madh tregtar i saj.

Të mërkurën mbretëresha Elizabeta II miratoi kërkesën e kryeministrit britanik, Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para largimit të planifikuar të këtij shteti nga Bashkimi Evropian, një hap që do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga ky bllok.

Liderët e zemëruar opozitarë kanë cilësuar këtë si tentim të qëllimshëm dhe kërcënim për demokracinë britanike. Johnson në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.

Ai, para një muaji mori postin e kryeministrit me zotimin se Britania do të largohet nga blloku evropian në fund të muajit Tetor me apo pa kushte të divorcit.

Zyrtari i BE-së për Brexitin, Guy Verhofstadt, e ka cilësuar si të ‘të ligë’ vendimin për pezullimin e përkohshëm të parlamentit, por presidenti amerikan, Donald Trump e ka përshëndetur atë duke shprehur besimin se kryeministri britanik do të dëshmojë që është ‘i mrekullueshëm’/ABC News Albania 24/7      


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono