bashkim dedja

MBULIM-KUVENDI-VAKANCA-DEDJA-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.29-1280x720.jpg
G. P.18:38 | 24/12/2018

Një javë pas shkarkimit nga detyra të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje për të plotësuar vendin e lënë bosh prej tij. Dedja u përjashtua nga gjyqësori, pasi rezultoi ngelës në shkallën e dytë të procesit të Vettingu, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare Kuvendi listonte të gjitha kushtet që duhet të plotësojnë pretendentët për vendin e lirë të krijuar në Kushtetuese.

Mes të tjera kritereve të aplikantëve është mosmbajtja e pozicioneve drejtuese në parti politikë në 10 vitet e fundit dhe të kenë përvojë pune jo më pak se 15 vjet në jurisprudencë. Pas largimit të Bashkim Dedjes, Gjykata Kushtetuese ka mbetur me vetëm një anëtar, Vitore Tusha, e cila ushtron detyrën në tejkalim të mandatit të rregullt./abcnews.al

KPA-BASHKIM-DEDJA-1280x720.jpg
ent ela17:51 | 12/12/2018

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shqyrtuar të mërkurën ankimimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e vlerësoi si të përshtatshëm për të vijuar detyrën gjyqtarin Bashkim Dedja, aktualisht kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën gjyqësore publike, janë dëgjuar argumentet e komisionerit publik që kërkonte shkarkimin e gjyqtarit Dedja. Ndërsa përfaqësuesi i KPK kërkoi rrëzimin e ankimimit, dhe kërkoi marrjen në shqyrtim nga trupi gjykues të disa dokumenteve, që paraqiti në cilësinë e provës.

Në njoftimin për shtyp të KPA, thuhet se pas konsultimit, trupi gjykues i vlerësoi si të panevojshme provat dhe u tërhoq për marrjen e vendimit, që do shpallet të enjten në orën 15.00.

Bashkim Dedja e kaloi me sukses procesin e vettingut më 13 qershor, ndërsa Komisioneri Publik ankimoi vendimin më 26 korrik bazuar në rekomandimin e ONM, sipas të cilit Dedja nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. /abcnews.al

ONM-KUNDER-KPK-APLIKIMET.mpg_snapshot_01.24-1280x720.jpg
G. P.14:12 | 17/08/2018

Procesi i Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë, një nga arteriet kryesore të zemrës së reformës në drejtësi të 2016-s kanë krijuar debat përtej partive politike në vend. Në një bilanc të deritanishëm, bie në sy se 25% e vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me rekomandim të vëzhguesve ndërkombëtarë, janë apeluar nga komisioneri Publik.

25% e vendimeve, ose ndryshe 1/4 e gjyqtarëve dhe prokurorëve të konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë ankimuar në Kolegjin e Apelimit me rekomandim të ndërkombëtarëve. Është ky bilanci i deritanishëm i vendimeve të organeve të Vettingut për procesin më të diskutueshëm dhe rëndësishëm derimë tani të reformës në drejtësi të 2016-s.

– Bashkim Dedja , kryetar i Gjykatës Kushtetuese;

– Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë;

– Gentian Osmani, prokuror i Krimeve të Rënda, kandidat për KLP;

– Gentjan Medja, gjyqtar i Gjykatës Administrative Tirane, kandidat për KED;

– Edmond Islamaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë;

– Artur Malaj, gjyqtar i Apelit Administrativ Tiranë;

– Alma Brati, gjyqtare në Rrethin Gjyqësor Tiranë;

Emrat që shihni në këtë tabelë, mes të cilëve edhe krerët e dy gjykatave më të rëndësishme të vendit, sot të dyja jo-funksionale, i janë referuar shkallës së dytë të gjykatave të Vettingut për apelim të vendimit të dhënë nga KPK, e cila i ka rikonfirmuar në detyrë, bazuar në një vlerësim, dukshëm jo të mjaftueshëm për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ky i fundi, i quajtur ndryshe si “vëshguesit ndërkombëtarë” , bazuar në nenin 65 të ligjit për rivlerësimin kalimtar ka të drejtë të paraqesë rekomandim me shkrim për Komisionerin publik për të paraqitur ankim. I tillë ka qënë rasti për 7 nga 27 të konfirmuarit në detyrë nga KPK.
Me një kulmim të seancave të organizuara në shkallën e parë të Vettingut në muajin Korrik, ky numër rrezikon të rritet, duke ngritur dyshime lidhur me procesin dhe mënyrën e vlerësimit nga trupat e Vettingut të subjekteve të rivlerësimit.

Një tjetër rast i bujshëm kur përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është shprehur në linjë të kundërt me vlerësimin e KPK ka qenë edhe rasti i kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku, mungesa së cilës në sallë solli zhgënjimin e trupës gjykuese si dhe vëzhguesve ndërkombëtar, të cilët ngritën pikpyetje për komponentin e tretë të Vettingut, aftësinë profesionale të zonjës Marku. Kjo e fundit u konfirmua nga KPK dhe duket se ndërkombëtarët këtë herë i kanë kursyer kryeprokurores së përkohshme një rekomandim për apelim./abcnews.al

gjykata-kushtetuese.jpg
G. P.16:07 | 16/07/2018

Tashmë Gjykata Kushtetuese është zyrtarisht vetëm me një anëtar në detyrë që ka kaluar Vettingun, kryetarin e saj. Institucioni më i lartë i drejtësisë në vend është jashtë funksionit prej 4 muajsh e nuk dihet kur do zgjidhet kjo situatë.

Ishte anëtari i fundit i mbetur me mandat në Gjykatën Kushtetuese.

“Trupa gjykuese vendosi shkarkimin e detyrës për zotin Gani Dizdari”.

Tashmë kjo gjykatë, jo funksionale prej katër muajsh, me dy anëtarë të dorëhequr (Sokol Berberi dhe Besnik Imeri) dhe dy me mandat të mbaruar (Vladimir Kristo dhe Vitore Tusha) prej muajit Mars, si dhe katër të tjerë të shkarkuar nga Shkalla e Parë e Vettingut, (Fatos Lulo, Altina Xhoxha, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari), mbetet me kryetarin Bashkim Dedja të vetmin nga trupa prej 9 anëtarësh me mandat të konfirmuar.

Në zbatim të dispozitës kalimtare kushtetuese, institucionet përgjegjëse Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë shpallën katër vakancat e krijuara.

Vakanca e Parë dhe ajo e Parakohshme e shpallur nga Presidenti në Shkurt 2018.  Vakanca e dytë e shpallur një muaj më vonë nga Kuvendi dhe ajo e ardhur nga Gjykata e Lartë prej Janarit të vitit 2017;

“në shkelje të afateve kushtetuese, presin ende vlerësimin dhe renditjen e kandidatuave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke bllokuar kështu nisjen e ripërtëritjes së trupës Kushtetuese, sot e tretur në vetëm një anëtar nga 6 të nevojshëm minimalisht për vendimmarrje”.

Thirrjen për këtë bllokim, KED-së ia drejtoi vetë politika…

“Anëtarët duhet të kalojnë Vettingun përpara se të filtrojnë kandidatët e Gjykatës Kushtetuese”, tha Ulsi Manja.

Pra “bëj si them unë, mos bëj si bëj unë”. Kjo pasi kalimi i Vettingut nga trupa e KED, nuk i kushtëzon ata ligjërisht në vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve kushtetues, ashtu si mungesa e plotësimit të kriterit të Vettingut nuk kushtëzoi zotin Manja në pranimin e kandidatëve dhe përcjelljen e tyre pranë KED-së.

E nëse vendimi i KPK-së për shkarkimin e katër gjyqtarëve kushtetues do të mbetet në fuqi nga Kolegji i Apelimit, kreu i gjykatës Kushtetuese do duhet të njoftojë institucionet për shpalljen e katër vakancave të tjera, mes tyre edhe z. Manja.

Por ky i fundit, i kontaktuar disa herë nga ABC News në lidhje me procedurën kushtetuese dhe ligjore që do të zhbllokonte procesin e ripërtëritjes së trupës Kushtetuese, kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja refuzon të japë përgjgije, nëse e ka një të tillë.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është jo funksionale, procesi i ripërtëritjes së trupës së saj i bllokuar, kreu i komisionit të ligjeve nuk ka asnjë koment lidhur me këtë, ndërsa politika vullnetin e kanalizon tek plotësimi i shkollës së magjistraturës me studentë, jo gjykatës kushtetuese me anëtarë./abcnews.al

bashkim-dedja.jpg
G. P.19:20 | 21/06/2018

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, e cilëson si jashtëzakonisht të vështirë procesin e Vettingut. Në daljen e tij të parë pasi kaloi me sukes këtë proces, Dedja përdori një shprehje popullore duke thënë: “Të kalosh Vettingun në Shqipëri është si të kalosh varrin për së gjati”.

“Kjo reformë është shumë e nevojshme”.

Vetëm pak ditë pasi kaloi me sukses në filtrat e Vettingut, kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja, pranoi të ndajë publikisht një vlerësim personal mbi këtë ligj.

“Ky ligj që është bërë duke përfshirë Kushtetutën dhe ligjin e Vettingut është një nga ligjet më të ashpra përsa i përket kësaj fushe dhe procedura që ndiqet është jashtëzakonisht e vështirë dhe unë do të përdor një shprehje, “të kalosh Vettingun në Shqipëri në këto kushte është njëlloj sikur të kapërcesh varrin për së gjati”, thonë shqiptarët”.

Dedja nuk rrëfeu detaje nga përvoja e tij personale gjatë shqyrtimit të përshtatshmërisë së tij në sistemin gjyqësor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u përfaqësua nga avokati i tij.

Duke iu referuar ngërçit, ku është futur Gjykata Kushtetuese për shkak të mungesës së gjashtë gjyqtarëve, Dedja tha se cila është rruga e vetme e zgjidhjes, sipas tij.

“Tashmë pritet të funksionojë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të paraqesë organet të emërtesës për të bërë emërtimet e tyre. Siç e dini një pjesë e Këshillit janë në proces të Vettingut. Unë nuk mendoj se ka ndonjë zgjidhje të tjerë më të shpejtë”.

Bashkim Dedja sqaroi çfarë do të ndodhë nëse marrëveshja e pritshme e detit me Greqinë, pas nënshkrimit të saj kundërshtohet në Kushtetuese.

“Gjykata nuk refuzon, pranon të shqyrtojë”.

Aktualisht Gjykata Kushtetueses ka mbetur me vetëm tre anëtarë, një nga të cilët me mandate të përfunduar, ndërsa një tjetër në pritje për t’u thirrur në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. /abcnews.al

kpk-1.jpg
G. P.09:36 | 13/06/2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë ne detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Edhe në këtë seancë Dedja u përfaqësua nga avokati i tij Maksim Haxhia, i cili shfaqi rezerva për anëtarët e trupit gjykues.

“Vendosi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të subjektit të vlerësimit zotit Bashkim Dedja me funksion gjyqtar, kryetar i Gjykatës Kushtetuese”

Përmes këtij vendimi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi të përshtatshëm për sistemin e drejtësisë gjyqtarin dhe njëherësh kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Kalimi me sukses i procesit të Vettingut për Dedjen tregon se gjatë studimit të akteve të dosjes në dhomën e këshillimi, trupi gjykues ka zeruar të gjitha dyshimet e ngritura në relacionin e publikuar në seancën dëgjimore në lidhje me disa pasuri të gjyqtarit. Një prej tyre ishte edhe një borxh i marrë tek vëllai, ndërkohë që ky i fundit kishte blerë një shtëpi me kredi.

Sipas avokatit, vëllai apartamenti i blerë më herët nga vëllai i gjyqtari është vënë si kolateral në bankë për një kredi të nipit të tij. Haxhia shfaqi rezerva për anëtarët e trupit gjykues.

“Megjithatë kjo ishte një zgjedhje e asaj, por nëse do t’i mbahemi pozicionit të relatores është ky detyrim i saj, që t’i bëjë prezent, qoftë trupit gjykues, palëve në proces, apo publikut se çfarë përmban dosja dhe mbi këtë dosje do bëhet shqyrtimi i seancës dhe do të jepet vendimi. Zonja dhe zotërinjtë që janë në këto trupa duhet të jenë të kualifikuar, të jenë strik dhe të kenë dy gjëra: solemnitetin, që ata e kanë dhe seriozitetin në zbatimin e pozicionit procedurial”.

Bashkim Dedja është në mandatin e tij të dytë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ishte i pesti në radhë që kalonte në filtrat e vettingut, ku ngecën më herët tre kolegë të tij Fatos Lulo, Fatmir Hoxha e Altina Xhoxha, të cilët u shkarkuan./abcnews.al

KPK-BASHKIM-DEDJA-1280x720.jpg
ent ela11:46 | 08/06/2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore për kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Në raportin e lexuar në KPK Dedja kishte probleme me justifikimin e disa prej pasurive në vlera që shkonin në mijëra euro.

Kufiri mes suksesit dhe dështimit në procesin e vettingut duket një vijë shumë e brishtë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Vendimi përfundimtar për të pritet të shpallet në 13 qershor, duke lënë disa ditë në tension gjyqtarin me 25 vjet karrierë në sistemin e drejtëisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbuluar probleme në justifikimin e pasurisë. Faktet u pohuan të premten, në seancën dëgjimore ndaj tij në KPK.

Bashkim Dedja kishte shfrytëzuar të drejtën e mosparaqitjes, duke ia lënë avokatit të tij Maksim Haxhia të përballej me gjetjet aspak pozitive ndaj gjyqtarit.

Problemet nisnin nga aparamenti me sipërfaqe 146 m2 dhe një garazh 15 m2 të blera në shumën 180 mijë euro. Dedja ka deklaruar se për këtë shumë ka marrë 120 mijë euro kredi, 25 mijë euro hua pa interes nga kunati dhe vëllai, si edhe pjesën e mbetur prej 35 mijë euro i ka pasur kursime të tij dhe bashkëshortes.

Nga verifikimi i thelluar i KPK ka rezultuar se në datën e huadhënies të nënshkruar para noterit, kunati i gjyqtarit nuk kishte qenë fare në Shqipëri. I pyetur për këtë situatë, Dedja kishte ndryshuar deklarim, duke pohuar se huan e kishte marrë jo nga kunati, por nga babai i kunatit. E pajustifikuar rezultonte edhe huaja prej 15 mijë euro marrë tek vëllai. Kjo për faktin se në atë periudhë vëllai i tij kishte blerë një aparament në Tiranë përmes një kredie bankare.

Sipas KPK, situata problematike nuk përfundonte këtu. Pasi në lidhje me këtë apartament të dytë, në vitin 2003 Bashkim Dedja kishte deklaruar se ishte blerë nga të ardhurat financiare të tij dhe vëllait, ndërsa në deklaratën e bërë për llogari të vettingut, shprehje ai ishte pronar i vetëm i saj.

Një tjetër dyshim i ngritur nga Komisioni ishte një apartament në Golem të Kavajës, i mbajtur në përdorim nga gjyqtari. Sipas KPK, ky apartament figuronte në emër të vëllait tjetër të Dedjes me banim në Dibër. Por, kontrata e energjisë e këtij apartamenti mbante emrin Bashkim Dedja dhe ishte paguar prej tij nga dita e parë e lidhjes e deri sot. E vetmja pasuri e pakomentuar ishte një truall prej 2 mijë metër2 në Dibër. Në lidhje me pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, Dedja rezultonte i përshtatshëm.

Në fjalën mbrojtëse, Haxhia mohoi pretendimet e ngritura, duke pohuar se pasurite e vëllezërve të gjyqtarit kishin ardhur nga puna në emigracion dhe nga suksesi në bletari, blegtori e pemëtari.

“Nuk ka dy deklarata të ndryshme por ka dy deklarata që janë bazuar në të dhëna shtesë. U pamë të dhënat e para, pastaj u kërkuan të dhënat më të detajuara dhe prova për burimin e parave të vëllait i cili është emigrant 25 vjet jashtë shtetit. Pasi i solli në formën e duhur me apostile dhe u pa që këto burime  janë të pastra dhe të mbuluara nga vëllai i vet për blerjen e këtij apartamenti. Është një apartament që është blerë në plazh nga vëllai i tij që ka të dhëna të konsiderueshme”.

Largimi i mundshëm i Dedjes nga sistemi do të vështirësonte edhe më shumë situatën në Gjykatën Kushtetuese, aktualisht jofunksionale, e  cila ka tre anëtarë në total, një prej të cilëve me mandat të mbaruar./abcnews.al

BASHKIM-DEDJA-1280x720.jpg
ent ela08:50 | 05/06/2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë në date 8 qershor një seancë dëgjimore me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Pas përfundimit të procesit të verifikimit të pasurisë, integritetit dhe aftesive te tij profesionale, Komisioni pritet të përballet edhe me gjyqtarin Dedja ku të dëgjojë edhe pretendimet e tij. Trupa gjykuese e komisionit të pavarur të Kualifikimit për këtë rast do të përbëhet nga treshja Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari janë dy anëtarët e mbetur të Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk i janë nënshtruar procesit të vetingut. Nga 4 anëtarët e tjerë të kësaj gjykate, vetëm Vitore Tusha e ka kaluar Vetingun ne Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke u rikonfirmuar në detyrë. Ndërsa Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe Altina Xhoxhaj, jane shkarkuar nga Komisioni.

Në këto kushte Gjykata Kushtetuese është tërësisht e paralizuar. /abcnews.al

 

BASHKIM-DEDJA-KUSHTETUESJA-NE-NGERC.mpg_snapshot_00.20-1280x720.jpg
ent ela16:16 | 23/03/2018

Fillimisht duhet një konfirmim zyrtar për atë çfarë ka ndodhur, por Gjykata Kushtetuese në situatën e gjendur me 5 anëtarë është e bllokuar.

Ky ngërç, sipas kryetarit te Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, krijohet pas lajmit të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtarit Fatos Lulo.

Bashkim Dedja: Neni 32 i ligjit organik të gjykatës kushtetuese parashikon se seancat gjyqësore zhvillohen me 6 antarë në mënyrë që të quhen të vlefshme, ndërsa ligji për rivlerësimin kalimtar, neni 62 parahsikon se në rast se subjekti i rivlerësimit ankimon vendimin ne Kolegjin e Apelimit, gjyqtari pezullohet deri në marrjen e vendimit ndaj gjatë kësaj periudhe ai nuk mund të marrë pjesë në vendimmarjen e  GJK qoftë në shqyrtimin apo marrjen e vendimit.

Kjo pamundëson punën në Gjykatën Kushtetuese e cila tashmë mund të funksionojë vetëm përmes Kolegjeve. Kjo, sipas Dedjes, mund te funksionoje vetëm në ato raste kur kolegji është unanim.

“Çdo çështje që kalon në seancë gjyqësore apo në mbledhjen e gjyqtarëve, tashmë nuk mund të bëhet më sespe duhen 6 anëtarë. Kolegjet janë prej tre gjyqtarësh dhe shqyrtojnë paraprakisht çështjet nëse i plotësojnë kriteret për të kaluar në seancë gjyqësore apo jo. Në rast se vetëm një nga anëtarët ka mendim ndryshe, çështja kalon në shqyrtim në mbledhje të të gjithë antarëve”.

Edhe kjo e pamundur nga momenti që trupa e gjithë anëtarëve nuk plotëson dot kuorumin prej 6 gjyqtarësh. Sa i përket zgjidhjes së gjyqtarëve pa kaluar vetingun?

“Kjo mund të jetë zgjidhje oportune, që emërimet të bëhen pa kaluar vetingun, por kjo është zgjedhja e atyre që bëjnë vlerësimi dhe këtu anashkalohet Kushtetuta. Iu takon atyre që kanë vullnetin për ta bërë një gjë të tillë. Nëse zbatohen kriteret ligjore kushtetuese, atëherë kjo gjë nuk mund të ndodhë”.

Presidenti dhe Kuvendi tashmë kanë depozituar emrat e kandidatëve për tre vakanca të kësaj gjykate pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili pritet të rendisë ata sipas kritereve profesionale dhe etiko-morale./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono