Bashkia e Tiranës

LAJME-19-DATE-29.mpg_snapshot_07.36-1280x720.jpg
ent ela19:37 | 29/01/2019

Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali e ftuar në Mbrëmje Ide në ABC News nuk dha një përgjigje konkrete sa i përket rikandidimit të Erjon Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës për zgjedhjet lokale, por vlerësoi punën e deritanishme të kryebashkiakut.

A do rikandidohet Erjon Veliaj për Bashkinë e Tiranës?

“Erjon Veliaj ka bërë një punë që flet vetë, e vlerësuar nga të gjithë dhe në momentin që do ta bëjmë atë analizë besoj se do bëhet publike, nuk më takon mua të them cili është kandidati, por puna e kryetarit të bashkisë është e lavdërueshme”.

Ju prisni ta thotë Rama?

“Zyrtarisht ta thonë forumet e PS që merren me kandidaturat”.

Sa u takon kandidaturave të tjera për bashkitë, Spiropali theksoi se janë në proces konsultimi dhe dëgjesash.

“Jemi në proces konsultimi. Kemi kandidatët më të mirë. Shpresojmë t’i fitojmë këto zgjedhje, besojmë se aty ku qeverisin socialistët ka harmoni mes pushtetit qendror e lokal. I kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit Bashkisë Shkodër, Kukës, Tropojë.

Ne jemi duke punuar, kemi bërë dëgjesa lokale, njohim çdo problematike të  çdo zone e kemi vizionin se çdo bëhet në 4 vitet në vazhdim”. /abcnews.al

51066325_523275154745011_735697708479676416_n-1280x917.jpg
ent ela11:09 | 25/01/2019

Dy lagje të tjera në Njësinë nr.5 në kryeqytet kanë një furnizim më të mirë dhe më cilësor me uji. Bashkia e Tiranës nëpërmjet UKT-së ka zbatuar dy investime të veçanta ku është zëvendësuar rrjeti I vjetër dhe i amortizuar me një rrjet krejtësisht të ri.

Investimi i parë u krye në rrugën “Medar Shtylla”, ku grupet e punës së UKT-së bën të mundur zëvendësimin e gjithë rrjetit me tubacione të reja dhe material bashkëkohore që garantojnë një furnizim dhe cilësi më të mirë të ujit që mbërrin në shtëpitë apo bizneset e ndryshme.

Gjithashtu UKT nxori tërësisht nga funksioni rrjetin e vjetër të furnizimit me ujë të pijshëm edhe në  rrugën “Jusuf Vrioni” duke e zëvendësuar me një rrjet të ri. Të dyja investimet do të reduktojnë humbjet në rrjet dhe do të sjellin një shërbim shumë herë më të mirë për banorët e këtyre dy lagjeve në Njësinë nr.5.

thumbnail_Veliaj-ne-aktivitetin-per-100-vjetorin-e-vdekjes-se-Ismail-Qemalit-5-1280x853.jpg
ent ela15:05 | 24/01/2019

Figura e Ismail Qemalit u nderua dhe nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj apeloi që emri i tij të shërbejë si inkurajim për çdo qytetar që e do vendin.

Me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit figura dhe kontributi i atit të Pavarësisë së Shqipërisë u nderua dhe nga Bashkia e Tiranës. Pas kurorave me lule ne në shtatoren në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” aktivitetet vijuan ne gjimnazin qe mban emrin e tij, tashmë tërësisht i rikonstruar.

“Nuk e di nëse do të kishim të njëjtin fat si komb apo të njëjtin përfundim si përpjekje, nëse ky njeri nuk do të ekzistonte. Këtë ndoshta nuk do ta dimë kurrë, por ajo që dimë është që: Po, një njeri mund ta ndryshojë botën. Pra, një njeri ka fuqi të bindë katër vetë për të marrë një vendim për familjen. Por, në qoftë se mund të bindim një familje, a mund të bindim një shkallë pallati? Nga nisma e një qytetari ndryshon politika e një qyteti. Kështu, miqtë e mi, sidomos ju që jeni më të rinj, nëse doni një provë se si një njeri mund të ndryshojë fatet e një kombi, besoj se inkurajimi më i madh është jeta e Ismail Qemalit”.

Si simbol i përjetësisë së emrit dhe veprës së Ismail Qemalit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo mbollën disa pemë në oborrin e shkollës. Me pas vizituan dhe një ekspozitë me foto dhe piktura të organizuar nga nxënësit e shkollës. /abcnews.al

Veliaj-gjate-inspektimit-te-punimeve-ne-konviktin-e-djemve-te-Qyteti-Studenti-2-1280x853.jpg
ent ela15:50 | 17/01/2019

Në “Qytetin Studenti” ka nisur puna për të rikonstruktuar godinat e djemve. Kryteri i Bashkisë Erion Veliaj pas inspektimit zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh, të cilëve iu tha se të vetmit që humbasin nga bojkoti i mësimit janë vetë ata.

Paralelisht me rikonstruksionin e konvikteve të vajzave në “Qytetin Studenti” ka nisur puna dhe për përmirësimin e kushteve në godinat ku qendrojne djemtëe.

Fillimisht po punohet në mjediset e përbashkëta pasi studentët jetojnë ende në konvikte. Në dhoma ndërhyrja do të kryhet gjatë verës kur të rinjtë të kthehen në shtëpi.

Investimi po kryhet nga qeveria, Bashkia e Tiranës dhe donatorë të huaj, ndërsa punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh.

 “Jam shumë i lumtur që po shkohet përtej rregullimeve bazë, veshjes me kapotë, që do ulë shpenzimet energjetike, do shtojë kursimet, do mbajë ambientet më të ngrohta dhe më të ventiluara dhe më vjen mirë që kemi arritur në raportin 8 dushe për 30 studentë; pra më pak se 1 për 4, që në fakt është norma e çdo familjeje. Unë besoj se për sa kohë që po ofrohet komoditeti bazë, si në çdo familje modeste shqiptare, them që jemi në përmbushje të këtij misioni. “

Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj kishte një thirrje për studentët.

“Bashkia e Tiranës është e gjitha në këmbë, që t’i përgjigjet kësaj sfide të re për konviktet, ama na duhet pak bashkëpunim nga studentët, që shkolla të mbarojë kur duhet të mbarojë dhe më pas ne të hyjmë në çdo dhomë. Shpresoj shumë që studentët të reflektojnë në ato pak fakultete që nuk po zhvillohet mësim, për të vetmen arsye se na lipset që shkolla të mbarojë në korrik. Nëse mbaron shkolla në korrik, punojmë në gusht, shtator edhe nëpër dhoma. Në të kundërt, të vetmit që humbasin nga vonesa dhe shtyrja e mësimit nuk janë partitë politike, që duan t’i përdorin, por vetëm studentët që do rikthehen në të njëjtat dhoma, siç i lanë”.

Ashtu si me kopshtet e çerdhet, Bashkia e Tiranës po zbaton skemën “adopto një konvikt”. Veliaj u bëri thirrje kompanive që kanë mundësi financiare t’i bashkohen nismës për të përmirësuar kushtet e jetesës për studentët.  /abcnews.al

50023956_241075846792253_288720951611228160_n-1280x853.jpg
ent ela15:58 | 14/01/2019

16  të rinj që kanë mbaruar studimet e larta në nivelin Bachelor, Master Profesional ose Master Shkencor, patën mundësi që ta nisin karrierën e tyre me një eksperiencë pune tre mujore në Bashkinë e Tiranës.

Në përfundim të intershipit, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se 5 prej projekteve dhe studimeve të tyre do të zbatohen në terren, ndërsa disa aplikantë janë në proces konkurimi, për t’u bërë pjesë e stafit të bashkisë.

Projekti “Fillo me një ide – Fito një intership” synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore, përmes konkurrimit me një projekt-ide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë të Bashkisë së Tiranës.

Thirrja për intership-et e reja në Bashkinë e Tiranës do të hapet sërish pas dy muajsh. /abcnews.al

50022173_1999087680207327_8490749701052694528_n.jpg
ent ela12:09 | 10/01/2019

Pavarësisht motit me reshje të mëdha shiu në zonat e ulëta dhe me dëborë të dendur në zonat malore të Tiranës, asnjë pjesë e territorit të kryeqytetit nuk ka shfaqur deri më tani probleme me përmbytjet apo bllokimin e akseve rrugore. Kjo falë punës së mirë që është bërë në disa nga piakt problematike, siç është edhe sistemimi i Lumit Tirana, por edhe masave që ka marrë Bashkia e Tiranës për të përballuar situatën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë janë në gatishmëri të plotë. Ai u bën thirrje të gjithë banorëve të Tiranës që të jenë bashkëpunues dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave bashkiake për çdo emergjencë.

“Sot është një ditë jo e lehtë për menaxhimin e qytetit! Jemi në terren në Tiranë-qytet, për të shmangur përmbytjet dhe në zonat Tiranë-rrethina, me kripë e skorje për borën!  Nëse bashkëpunojmë, të gjithë do t’ia dalim me sukses!  112 për çdo emergjencë! FORCA”, shkruan Veliaj.

Veliaj-gjate-drekes-me-shefat-e-guzhines-2-1280x854.jpg
ent ela15:17 | 30/12/2018

Viti që po mbyllim sipas Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ishte i jashtëzakonshëm sa i përket ndihmës së personave në nevojë. Erion Veliaj ishte në Qendrën Sociale numër nëntë ku bashkë me tre shefa të njohur kuzhine shërbyen drekën për personat që e frekuentojnë këtë qendër.

Tre prej shefave të njohur të kuzhinës në Shqipëri, Fundim Gjepali, Arvin Kita dhe Bledar Kola, iu bashkuan thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të shërbyer drekën e fundvitit për njerëzit në nevojë që frekuentojnë mensat sociale.

“Ky vit ka qenë special. Të gjithë japin një kontribut, pavarësisht se dikush është mësues, dikush është inxhinier, polic, doktoreshë apo kuzhinier i famshëm. Të gjithë kanë gjetur një moment që të japin një kontribut. Dua të falënderoj sot tre shefat, ndër më të njohurit në Shqipëri, atje ku gatuajnë ata pjatat paguhen shumë shtrenjtë, por fakti që zgjodhën që në fund të vitit të gatuanin, të shërbenin dhe të shtronin këtë drekë me komunitetin tonë të të moshuarve, më bën që t’u jem disafish mirënjohës, sepse nuk janë vetëm kuzhinierë dhe shefa të mirë, por mbi të gjitha njerëz dhe qytetarë të mirë”.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi vitin 2018 sa i përket kontributit të dhënë për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

 “2018 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Falë kontributit që na kanë të gjitha qendrat sociale, si ata që punojnë me të moshuarit, si ata që punojnë me fëmijët në nevojë, si ata që punojnë në zonat periferike, si ata që punojnë me komunitetin rom dhe egjiptian, si ata që punojnë me fëmijët e rrugës, si ata që punojnë me personat me aftësi të kufizuar, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën. Sigurisht, nuk zgjidhen të gjitha problemet, por fakti që në çdo cep të Tiranës ka një qendër sociale ku shërbehet një vakt, ku ofrohet dashuri, shërbim, një trajtim i gjithë personave në nevojë, e bën qytetin tonë pak më të mirë”.

Kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen stafeve të qendrave sociale për kontributin e dhënë në këto ditë festash. /abcnews.al

 

DREKE-NE-MESAT-SOCIALE.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
G. P.16:58 | 25/12/2018

Në të gjitha mensat sociale në Tiranë, bashkia ka shtruar drekën e Krishtlindjes për njerëzit në nevojë. Festat, kryebashkiaku Erion Veliaj i cilësoi si një moment për të ndihmuar njerëzit në pamundësi ekonomike.

Të moshuar, persona me aftësi të kufizuar dhe në pamundësi ekonomike në Tiranë drekën e Krishtlindjes e kanë kaluar së bashku. Të gjithë mensat sociale kanë ofruar vakte të ngrohta. Tek “Gonxhe Bojaxhi” pranë bregut të lumit ishte edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Të gjithë atyre nga qendra sociale “Nënë Tereza” që janë të besimit të krishterë, iu urojmë “Gëzuar Krishtlindjen” sepse mbi të gjitha është festa juaj, qofshi gjithmonë të lumtur dhe paçi vetëm të mira e gëzime në familjet tuaja! Gëzuar! Por, dua që t’i uroj edhe gjithë të tjerët, pavarësisht se çfarë besimi keni, festa e Krishtlindjes është një festë që jo vetëm festohet nga ata që janë besimtarë dhe kujtojnë lindjen e Krishtit, por është edhe një kujtesë për të gjithë ne të tjerët. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi jemi për të dhuruar dashuri, për të dhënë të gjithë nga pak për Krishtlindje”.

Këtë muaj festash, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, ka treguar se di të jetë një qytet solidar me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje.

“Nëse ky dhjetor ishte një rekord ku njerëzit dhuruan lodra, rroba, ushqime dhe e gjithë Tirana festoi gjatë gjithë muajit, unë besoj se mund t’i kemi të gjithë muajt kështu. Pse mos ta vazhdojmë në janar, në shkurt e me radhë. Ndaj, thirrja ime është për të gjithë ata që i kanë mundësitë, qofshin individë, familje, kompani: Siç e kishin këtë frymë solidariteti gjatë dhjetorit, ta vazhdojmë gjatë gjithë vitit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është përgatitur që edhe viti i ri për të gjithë ata që dëshirojnë ta presin në sheshin “Skënderbej” të kalojë sa më këndshëm./abcnews.al

VELIAJ-KALAJA-E-TIRANES.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
G. P.16:39 | 22/12/2018

Kalaja e Tiranës është kthyer në një tjetër hapësirë për turizëm. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi këtë një histori sukesi, ndërsa deklaroi se ata që luftuan projektin duhet të vijnë ta shohin.

Kalaja e Tiranës ka rihapur dyert për qytetarët dhe turistët. Në këtë hapësirë ku e vjetra ndërthuret me modernen tashmë mund të gjesh mozaike, restorante tradicionale dhe dyqane suveniresh. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, vizituan mjediset e rehabilituara të Kalasë.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Jam i sigurt se do të kthehet në një destinacion, do të jetë ndoshta një nga vendet më të vizituara. Nëse vazhdojmë me këtë frymë, ku përtej ndasive themi – a ka disa gjëra që biem dakord, se si mund të ecim përpara – jam i bindur se edhe skeptikët, edhe ata që e luftuan këtë projekt e çfarë nuk sajuan, duhet të vijnë ta shohin. Duhet të kuptojnë se si ne shqiptarët, sa zihemi e grindemi, aq edhe bëjmë gjëra të mrekullueshme kur vendosim të bashkëpunojmë dhe kur vendosim të ecim përpara për ta zhvilluar këtë qytet”.

Rehabilitimi i zonës së Kalasë së Tiranës sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë një impakt pozitiv në ekonominë e qytetit, duke hapur vende të reja pune. Për ta bërë më të aksesueshme këtë zonë Veliaj tregoi se do të ndërtohet edhe një rrugë e re per këmbësorët që do të lidhë këtë zonë me Unazën dhe rrugën e “Elbasanit”.

“Në fakt, edhe nga pedonalja “Murat Toptani”, por edhe nga Unaza, midis BKT-së dhe SHQUP-it, do të ketë një rrugicë; pra, do të thotë që njerëzit mund ta përshkojnë këtë hapësirë, edhe në një farë mënyrë për të gjithë ata që janë pedonale, dhe që ecin në këmbë do të lidhim dy cepa të qytetit, nuk ka më nevojë të dilni në bulevard ose rrugën “Xhorxh Bush”. Është edhe pak moment për të reflektuar për çfarë zihemi ne shqiptarët, për çfarë harxhojmë kohë, debate, për çfarë i hedhim duart në fyt njeri-tjetrit, për çfarë u vëmë njerëzve stërkëmbësha, për parti. Në vitin 2018 zihemi për ideal të partisë – ky i kuq, Toptanët blu, këta kështu, ata ashtu. A ia vlen që të sillemi si tifozë histerikë për parti, që njëherë në katër vjet votojmë kush e bën më mirë këtë punë dhe a është sot koha që të bashkohemi si tirons, si shqiptarë, si europianë për të thënë: Po bën një gjë të mirë, o burra ta ndihmojmë të gjithë sepse duke siguruar një hapësirë këtu ku ka ekonomi, ku lëvizin paratë, ku punësohen njerëz, ku paguhen taksa, ku merr vlerë prona, i gjithë qyteti bëhet më i mirë”.

Me përfundimin e rehabilitimit të Kalasë do të nisë puna për rregullimin e pedonales “Murat Toptani”. Këtë investim Bashkia e Tiranës e ka parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm./abcnews.al

erjon-veliaj-1.jpg
G. P.22:38 | 21/12/2018

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi buxhetin e kryeqytetit për vitin e ardhshëm. Në mbledhjen e zhvilluar sot pasdite, kryebashkiaku Veliaj foli edhe për akuzat nga opozita për Unazën e Re, si dhe akuzoi Bashën për një leje ndërtimi dhënë vetes, kur drejtonte bashkinë. E ka gati dosjen kryetari i Bashkisë së Tiranës për ta dorëzuar në prokurori me akuzën për shpifje.

“Me durim i kam mbledhur të gjitha. Nuk i bishtnoj asnjë akuze dhe asnjë cifle balte që i hidhet këtij qyteti dhe kësaj bashkie dhe siç e bëj gjithmonë dua që ta bëj edhe këtë herë”.

I akuzuar nga Partia Demokratike se ka dhënë leje në tokën private të dikujt në zonën e Unazes së Re, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaron se kjo tokë nuk është Unazë.

“Kemi bërë verifikimet, është në njësinë nr. 7, në anën e djathtë kur shkon për te ‘Shqiponja’. Pra, është më afër fushës së aviacionit dhe njësisë nr. 7 sesa është me projektin e Unazës. Kjo është gënjeshtra e parë dhe kushdo që mund ta verifikojë në hartë ku kanë qenë serrat që janë privatizuar nga po këta, nga ministrat e këtyre dhe qeveria e këtyre. Gënjeshtra e dytë, ne nuk kemi dhënë asnjë leje aty”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzon drejtpërdrejtë Lulzim Bashën dhe Jorida Tabakun për shkelje ligji, pasi sipas tij janë këta të dy që kanë dhënë leje ndërtimi për veten e tyre në kohën që drejtonin Bashkinë.

“Po ka një të tillë që bashkia e Tiranës ka dhënë leje, atëherë unë iki nga bashkia e Tiranës, le të kthehet ta bëjë Luli prapë. Në të kundërt, ka frikë se do të duhet të shkojë prapë në Gjykatë për shpifje. Kjo është leja e ndërtimit që do të hyjë në muze. Kur të shkruhen librat e historisë për bashkinë, kryetar bashkie që i jep leje vetes vet por kujdes, nuk do të shkojë vetëm në muze. Kam pritur prej kohësh që prokuroria të veprojë, nuk po vepron por do shkoj ta çoj vetë ne prokurori. Ligji i konfliktit të interesit ka shkeljen më flagrante me këtë leje. Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet”.

Në të njëjtën kohë akuza ngriheshin edhe nga jashtë Bashkisë së Tiranës. Në krah të banorëve të Unazës së Re që e kishin zhvendosur protestën e tyre pranë këtij institucioni, këshilltarët bashkiakë të opozitës deklaruan se trualli publik i Tiranës nuk mund të grabitet për të kënaqur interesat e oligarkëve për të pastruar para dhe për t’i shërbyer mafias. Kjo është një e drejtë që kushtetuta e Shqipërisë ua njeh vetëm këshilltarëve bashkiakë u shprehën ata. Pasditja e së premtes i dha administratës bashkiake buxhetin e ri për vitin 2019. Me votat e socialistëve dhe të PDIU-së u vendos që të rritet me 12 përqind buxheti i fokusuar në infrastrukturë rrugore, banesa sociale, shkolla e kopshte, pastrim e gjelbërim./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono