bashkëpunimi

VELIAJ-NE-PRAGE-KRONIKE.mpg_snapshot_00.19-1280x720.jpg
ent ela20:00 | 11/09/2019

Sipërmarrja, rinia dhe kultura, do të jenë tre shtyllat e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Pragës. Kryebashkiaku Erion Veliaj foli gjatë vizitës në Çeki, për të përbashkëtat që kanë këto dy qytete dhe për eksperiencat që mund të shkëmbejnë.

Tirana dhe Praga do të rrisin bashkëpunimin mes tyre, duke u fokusuar kryesisht në fushën e sipërmarrjes, rinisë dhe të kulturës. Detajet për këtë bashklëpunim i bëri të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet në një vizitë dy ditore në Çeki.

“Me kryetarin e bashkisë patëm një mundësi fantastike për të folur për urat e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Pragës. Kemi shumë studentë, të rinj, të vjetër, edhe një qytet me përmasa sa të Tiranës dhe një histori fantastike. Besoj se një nga gjërat që mund të mësojmë nga bashkëpunimi me Pragën ka të bëjë me kulturën e start up-eve, me fokusin që është vënë te rinia sipërmarrëse, te rinia që prodhon, te rinia që zhvillon ekonomi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Praga dhe Tirana kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat e suksesshme që kanë zbatuar edhe në fushën e politikave mjedisore .

“Ishte muzikë për veshët e mi që Praga, si Tirana, ka një projekt për 1 milion pemë rreth qytetit. Me sa duket ky është trendi i qyteteve, që duan të kufizohen me hapësira të gjelbra, për të diktuar se ku mbaron zhvillimi urban dhe ku fillon pjesa rurale dhe agro-turizmi, që duhet ruajtur. Besoj se për shumë prej këtyre fushave, ku Tirana kandidon për të qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022, kemi shumë për të mësuar nga Praga”, u shpreh Veliaj.

Gjatë vizitës në Çeki, Veliaj do të marrë pjesë në Forumin e 27-të Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së. /ABC News Albania 24/7

edi-rama-123.jpg
ent ela11:31 | 05/09/2019

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi raportin e OSBE ODIHRit për 30 qershorin, duke nënvizuar se zgjedhjet u certifikuan. Por kryeministri pranon problemet e evidentuara, dhe i bën thirrje opozitës të hapin një faqe të re dialogu e bashkëpunimi të shpejtë për reformën zgjedhore dhe vitin 2021.

Në reagimin e tij të parë për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nënvizon se procesi u çertifikua.

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”

Duke pranuar rekomandimet e raportit, kryeministri e kërkon bashkëpunim të shpejtë për një reformë zgjedhore konsensuale, por zgjedhjet e ardhshme për Edi Ramën, janë në 2021-shin.

“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”.

Një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan i la detyrë Kuvendit të mbyllë brenda vitit reformën zgjedhore, bashkë me opozitën, kryeministri Rama thotë se koha nuk pret për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.

“Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë”.

Komisionit për Reformën zgjedhore i mbaron afati në 28 nëntor, ndërsa krahas bashkëdrejtimit nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, Kuvendi ka lënë një karrige bosh për një përfaqësues nga Partia Demokratike me të drejtë vetoje për 135do vendim. /ABC News Albania 24/7

lulzim-basha-1.jpg
ent ela16:10 | 23/07/2019

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur gatishmërinë e plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për dosjen e njohur si “Toyota Yaris” ku u kapën 3.4 milionë euro.

Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e kësaj çështjeje ku ai pretendon se krimi është i lidhur me politikën në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes.

Kreu demokrat është në kontakt me autoritetet belge dhe mbetet në pritje të rakordimit me ta për mënyrën e bashkëpunimit. /ABC News Albania 24/7

malii_zi_veliu2-933x445.jpeg
Sej rie19:00 | 03/07/2019

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljovic firmosën sot në Mal të Zi Protokollin “Mbi bashkëpunimin gjatë sezonit turistik për vitin 2019”.

Në zbatim të këtij protokolli, Policia e Shtetit do të dërgojë në Malin e Zi 4 oficerë policie, dy prej të cilëve nga shërbimet e Policisë Kriminale dhe Strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e krimeve dhe dy të tjerë nga shërbimet e Rendit dhe Sigurisë Publike, për periudhën kohore  deri më 31.08.2019.

Ata do të kryejnë shërbimet e tyre në Stacionet Policore të Ulqinit dhe Budvës.

Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, së bashku me përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi, do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dhe parandalimin e veprave kriminale si: trafikimin e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm, prostitucionin, trafikun e lëndëve narkotike, mashtrimet me policat e sigurimit për mjetet motorike, mashtrimet me kartat e kreditit dhe me shkëmbimin e parasë, falsifikimin e parave dhe dokumenteve personale, prishjen e qetësisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore, forcimin  e sigurisë në rrugë, etj.

Veliu dhe Veljovic kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin, që strukturat policore të Malit të Zi, kanë pasur me strukturat e tyre homologe në Shqipëri, gjatë sezoneve turistike dhe jo vetëm, si dhe rezultatet e arritura që prej vitit 2011, vit në të cilin është firmosur për herë të parë “Protokolli i bashkëpunimit gjatë sezonit turistik” midis Policisë Shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, që konsiderohet si një ndër shembujt dhe praktikat më të mira për tu ndjekur.

Të dy Drejtorët e Përgjithshëm kanë rënë dakord që modele të tilla bashkëpunimi të aplikohen edhe në fusha të tjera, në shërbim dhe në të mirë të komunitetit./abcnews.al

PALLATI-KONGRESEVEEE.mpg_snapshot_00.48-1280x720.jpg
ent ela14:09 | 22/01/2019

Politika duhet të bashkëpunojë për reformën zgjedhore dhe të gjitha kërkesat e tjera të Bashkimit Evropian. Apelin vjen nga ambasdori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luixhi Soreka në ditën e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Rumania.

Ceremonia e marrjes së Presidencës së Bashkimit Evropian nga Rumania, nuk kërkon vetëm deklarata ceremoniale, por edhe thirrje për plotësim detyrash nga vendet si Shqipëria që duan t’i bashkohen në të ardhmen.

“BE ka mirëpritur shumë këto zhvillime të fundit, por duhet bërë më shumë.  Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret i mirëqënë. Nuk ka mbetur shumë kohë deri në etapat e ndryshme të pranverës do të ishte një gabim për Shqipërinë që të mos fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë vendi gjatë muajve të ardhshëm për tu paraqitur plotësisht i përgatitur”.

Duke referuar vizitës së fundit të komisionerit Johanes Hahn që zhvilloi në Tiranë me kryeministrin Edi Rama jashtë vëmendjes së mediave, ambasadori I bashkimit Evropian në Tiranë Luixhi Soreca njoftoi se delegacione dhe personalitete të rëndësishëm do të vijnë në muajt në vazhdimnë Tiranë.

“BE është e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, siç tregoi vizita e komisionerit Hahn javën e shkuar, por vendi duhet të orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi. Për këtë nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për t’u bashkuar për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Çka është realizuar deri më tani është për tu përshëndetur por detyrat nuk kanë përfunduar prandaj ai Ii kërkon  mazhorancës dhe opozitës të bashkohen për të mbyllur reformën zgjedhore.

“Reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak”.

Mbështetjen e bashkimit Evropian  Shqipërisë ia dha edhe ambasadori rumun i cili i kujtoi gjithashtu se koha për të përmbushur kërkesat është e shkurtër, qershori është vetëm pesë muaj larg. /abcnews.al

Veliaj-gjate-takimit-zyrtar-ne-Bolonja-3-1280x853.jpg
ent ela14:55 | 14/12/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u prit në një takim zyrtar nga kryetari i Bashkisë së Bolonjas, Virginio Merola për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy bashkive në lidhje me transportin urban, agrobiznesin, agroturizmin dhe disa sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë pune në Bolonja të Italisë i cili u prit nga homologu i tij, Virginio Merola. Gjatë takimit të Veliajt me Merolan u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për transportin publik, si dhe për projektet e zhvillimit urban dhe mjedisin.

Një vëmendje të veçantë në takimin e Veliajt me kryebashkiakun e Bolonjas kishte edhe diskutimi mbi projektet e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin me efikasitet të Terminaleve të Autobusëve Ndërqytetas, çka do të sillte lehtësi për udhëtarët.

Veliaj dhe Merola shprehën vullnetin për rritur më tej projektet e përbashkëta në fushën e agrobiznesit dhe agroturizmit, për të fuqizuar edhe më shumë këto dy sektorë. Në fund të takimit me kryebashkiakun e Bolonjës, Erion Veliaj  nënshkroi edhe tek “Libri i të ftuarve të Nderit” të Bashkisë së Bolonjës. /abcnews.al

SHQIPERI-GJERMANI-PROTOKOLL-BASHKEPUNIMI-1280x720.jpg
ent ela19:59 | 22/11/2018

Prej korrikut 2016 Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar në donatorin më të madh bilateral. Ky fakt u nënvizua edhe në firmosjen e protokollit të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane.

Me sukses kanë përfunduar bisedimet e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj Gjermane mbi politikat në zhvillim. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Ministri i financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj dhe  Ambasadorja e Gjermanisë Suzan Shutz njëzëri thanë se bisedimet shënuan një shifër rekord të premtimeve financiare.

“Shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj”.

Në përmbyllje të negociatave, u nënshkrua  dhe një Protokoll Bashkëpunimi mes qeverisë Shqiptare dhe asaj Gjermane.

Qeveria Federale ka miratuar për Republikën e Shqipërisë  për dy vitet në vijim një fond prej 168,4 milionë eurosh. Krahas kësaj Banka Gjermane për Rindërtim KfË  lëvron për Ministrinë e Financave në Shqipëri një kredi në vlerën e 100 milionë eurove. /abcnews.al

 

 

 

 

 

RAMA-MACRON.jpg
ent ela18:19 | 12/10/2018

Kryeministri Rama është takuar me presidentin francez Emanyel Macron. Takimin e zhvilluar në Jerevan të Armenisë e ka njoftuar vetë kryeministri Rama në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje të këtij takimi.

Rama shkruan se ka biseduar me presidentin Makron për bashkëpunimin dypalësh si dhe për vizitën e pritshme të presidentit francez në Tiranë. /abcnews.al

CARMEN-SHQIPERI-SERBI-1280x720.jpg
ent ela18:45 | 24/09/2018

Opera “Carmen” konkretizon bashkëpunimin mes teatrit të Operas së Serbisë dhe atij të Tiranës. Dy drejtorët Zana Çela dhe Dejan Saviç premtuan se “Traviata” do jetë titulli tjetër i përbashkët mes artistëve shqiptarë dhe serbë, por ata mendojnë edhe për një produksion të përbashkët në të ardhmen.

Mjaftoi një darkë për t’i dhënë udhë bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Serbisë dhe atij të Tiranës. Kështu e nis fjalën e tij drejtori Dejan Saviç.

Kurorëzimi i bashkëpunimit nis në Shqipëri me operan e pasionit “Carmen”, ku një pjesë e solistëve do të jenë serbë dhe shqiptarë të ndërthurur sëbashku në shfaqjen, e cila i qëndron besnike regjisë së Gëzim Myshketës. Çela jep një sërë arsyesh pse zgjodhën këtë pjesë.

Pas “Karmenit” në Tiranë bashkëpunimi i radhës do të jetë për Traviatën në Serbi dhe më pas do ketë edhe një koproduksion mes dy teatrove. Karmen vjen për publikun kryeqytetas në datën 27-30 shtator në Pallatin e Kongreseve. /abcnews.al

 

BALLA-STANISHEV-1-1280x720.jpg
ent ela13:46 | 19/09/2018

Presidenti i Socialistëve Europianë Sergei Stanishev apeloi klasën politike shqiptare për të avancuar në plotësimin e detyrave të Brukselit në funksion të procesit të integrimit. Presidenti Stanishev zhvilloi një takim me kreun e ligjvënësve socialistë Taulant Balla. Stanishev kërkoi nga qeveria Rama të vijojë me rrugën e reformave të rëndësishme që ka ndërmarrë. Ndërsa, një apel kishte dhe për opozitë, që sipas Stanishev duhet të rikthehet në Parlament.

Këshilli i Europës i kërkoi opozites qe t’i jap fund bojkotit. Vendi ka nevojë për parlament konstruktiv, legjitim dhe funksional”, tha Stanishev.

Presidenti i Socialistëve Europiane vlerësoi ecurinë e procesit të vetingut, si dhe garantoi asistimin me këshilla dhe ekspertizë të Partive Socialsite Europiane në këtë proces.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist Balla informoi presidentin Stanishev mbi punën e qverisë për fazën parapërgatitore të procesit të anëtarësimit. Gjithashtu, Balla falenderoi grupin e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian për votën pro heqjes së vizave për Kosovën. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono