bashkepunetor

bashkepunetoriii.jpg
ad min22:16 | 05/09/2018

Bashkëpunëtori më i lartë i Presidentit amerikan, Donald Trump, do të vizitojë Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë javën e ardhshme. Senatori Ron Johnson do të takohet me liderët e këtyre vendeve, me të cilët do të diskutojë për marrëveshjen për emrin si dhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradi për një marrëveshje të mundshme pajtimi është në vëmendje të Shteteve të Bashkuara, duke parë edhe propozimin për shkëmbim territori mes tyre. Por edhe referendumi për marrëveshjen mes Athinës dhe Shkupit ka peshën e saj në qeverinë amerikane.

Për këto dy çështje, senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Johnson, do të vizitojë javën e ardhshme Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën. Kjo është konfirmuar nga ambasada amerikane në Beograd për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Johnson, gjatë turneut në Ballkan, do të takohet me udhëheqësit rajonalë, tha ambasada. Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.

Vizita e tij vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë idenë e ndryshimit të kufijve, ndërsa këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, ka thënë se SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.

Megjithatë specialistë të ndryshëm dhe media ndërkombëtare kanë publikuar artikuj të ndryshëm duke theksuar rrezikun se një ndryshim kufijsh mund të sjellë një reagim zinxhir dhe mund të ndezë një konflikt të ri në Ballkan./abcnews.al

jakiv-palij-1280x720.jpg
ad min22:57 | 21/08/2018

Autoritetet amerikane kanë dëbuar nga vendi një ish-bashkëpunëtor të regjimit nazist. Në moshën 95-vjeçare, ish-gardiani i kampeve të vdekjes është kthyer në Gjermani, ku është dërguar në një azil.

Shtetet e Bashkuara kanë ekstraduar të martën në Gjermani një ish-bashkëpunëtor të regjimit nazist, që për shumë vite kishte shërbyer si gardian i një kampi përqendrimi.

Jakiv Palij, 95 vjeç, kishte mbetur pa shtetësi që kur një gjykatë federale i kishte revokuar atij nënshtetësinë amerikane në vitin 2003. Për vite të tëra Gjermania kishte refuzuar ta pranonte, pasi Palij nuk kishte pasur kurrë kombësi gjermane.

Në fakt ai ka lindur në një rajon të Polonisë, që aktualisht është pjesë e territorit të Ukrainës. Në vitin 1943, kur Polonia ishte e pushtuar nga nazistët, ai shkoi në kampin e stërvitjes Travniki.

Kampi në fjalë ishte famëkeq sepse stërviste mijëra civilë të zonës, të cilët më pas dërgoheshin për të punuar si gardianë në kampet e vdekjes në Sobibor, Treblinka dhe Belzek.

Me të mbërritur në Dyseldorf ditën e martë, Palij është dërguar në një azil pleqsh, ku do të kalojë atë çka i mbetet nga jeta. Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell vlerësoi qeverinë e re gjermane dhe lidershipin e presidentit Donald Trump për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Autoritetet besojnë se Palij ishte bashkëpunëtori i fundit i nazistëve që jetonte në Shtetet e Bashkuara dhe pranë banesës së tij në Kuins të Nju Jorkut janë zhvilluar shpesh herë protesta./abcnews.al

ahmetaj.jpg
ad min19:20 | 07/06/2018

Policia e Delvinës në bashkëpunim me atë të Gjirokastrës vunë në pranga një person që dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i autorit të plagosjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmë në këtë qytet.

Sipas policisë është ndaluar 39-vjeçari Paolo Xhaferri, banues në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër. Policia bën të ditur se ky shtetas ka transportuar me automjet nga Gjirokastra në drejtim të Delvinës, autorin e dyshuar të krimit që është shpallur në kërkim.

Plagosja e dyfishtë në Gjirokastër dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie, konkretisht për një dyqan.

Autori i dyshuar i krimit, 40-vjeçari Kristaq Llukani plagosi me armë Valentin Bucin dhe Xhelo Gerveshin, të dy banues në Lazarat. Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin e Traumës Tiranë, jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

taulant-balla-1.jpg
ad min12:34 | 17/05/2018

17 Majin e një viti më parë, Edi Rama dhe Lulzim Basha shtrënguan duart.

Marrëveshjen e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e risjell në vëmendje kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Arsyeja e vërtetë është për t’i rikujtuar demokratëve se një vit më parë drejtuan për 5 muaj ministrinë e Brendshme.

Taulant Balla: “E nëse gjithë këto fjalë, ankesa që Lulzim Basha thotë, si ka mundësi që Dritan Demiraj nuk e bëri nëse do të ekzistonte vallë ndonjëherë ndonjë urdhërarresti për Agron Xhafajn”.

Shqetësimit që Lulzim Basha artikuloi për bashkëpunëtorin X në audiopërgjimin e publikuar prej demokratëve, Taulant Balla i thotë se ka një zgjidhje për të.

Taulant Balla: “Merre dhe çoje dhe atë në prokurori. Prej ditës kur në këtë çështje ka hyrë prokuroria asnjë prej nesh nuk duhet të flasë më për këtë çështje”.

Kreu i grupit parlamentar socialist i bën thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga transmetimet në rrjetet sociale për dy arsye.

E para është që javën e ardhshme të miratojnë bashkarisht rezolutën  për miratimin e një qëndrimi të përbashkët në qasjen ndaj rekomandimit dhe rrugës drejt Bashkimit Evropian. Arsyeja e dytë është personi që mbante celularin në duar gjatë kohës që Kryetari demokrat fliste vetëm për publikun në rrjetet sociale.

Taulant Balla: “E ftoj opozitën që javën e ardhshme të heqë dorën nga transmetimet në Facebook. Ajo që është më e turpshme është që ai person që mbante kamerat është i njëjti person që fshiu serverat e 21 Janarit”.

Sa i përket deklaratave për Fatmir Xhafën kanë vetëm një qëllim për Taulant Ballën, të bëjnë pis imazhin e ministrit që meriton të falenderohet për punën e deritanishme.

kastriot-gjuzi-1.jpg
ad min16:23 | 21/04/2018

Edhe në ditën e dytë të seancave të marrjes në pyetje, Kastriot Gjuzi ka refuzuar të flasë. Prokurorët e Tiranës i kanë ofruar statusin e bashkëpunëtorit, por përsëri kanë marrë përgjigje negative nga 40-vjeçari.

Autori i dyshuar i vrasjes së Mario Majollarit, refuzon të flasë edhe para prokurorëve të kryeqytetit, të cilët prej dy ditësh kanë marrë përgjigje negative nga Kastriot Gjuzi.

40-vjeçari nuk kërkon të bashkëpunojë me drejtësinë, duke mohuar të jetë ai autor i vrajses së ndodhur më 10 Prill në zonën e ish-Kinostudios. Pavarësisht kësaj, ekspertët e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, kanë sekuestruar një automjet që dyshohet se mund të jetë përdorur nga Kastriot Gjuzi mbrëmjen e krimit, duke u larguar në drejtim të Tufinës.

Mjeti ngjyrë gri u gjet i ndezur pak çaste pasi ishte ekzekutuar me katër plumba Mario Majollari. Gjurmët e gishtërinjve dhe shumë element të tjerë plotësues u dërguan në laboratorin  e Policisë Shkencore, për të parë nëse përputhen ose jo me ato të Gjuzit. Ndërkohë personi që akuzohet nga policia për hakmarrje, Kastriot Gjuzi, ishte fiksuar më herët në skenën e krimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 40-vjeçari ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë fare pranë besën së Mario Majollarit, 3 ditë para se të ndodhte krimi.

Vetëm pak ditë më parë Gjuzi u prangos në kufirin e gjelbër ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai kishte tentuar të kalonte ilegalisht, por u pikas nga rojet e doganës. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçari, kishte dhënë gjeralitete të rreme, duke pretenduar se quhej, Kastriot Gega, por e tradhëtoi mjeti i tij i identitetit, që kishte me vete. Pasi u mor në dorëzim nga policia shqiptare, Gjuzi në mënyrë të vazhdueshme ka heshtuar në seancat e marrjeve në pyetje, duke theksuar se nuk ka lidhje me vrasjen e Mario Majollarit.

Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër person që dyshohet se mund ta ketë ndihmuar autorin e dyshuar të krimit të largohet nga vendngjarja. Ndërkohë, uniformat blu po kërkojnë infromacione shtesë nga homologët e tyre kosovarë se kush ishin shtetasit përtej kufirit që i kishin dalë garant Kastriot Gjuzit.

Prokuroria të dielën do të kërkojë para togave të zeza arrest me burg për Gjuzin. Policia thekson se krimi ka ndodhur për shkak të hakmarrjes, pasi 18 viti më parë, babai i Marios, Avni Majollari, kishte ekzekutuar vëllain e Kastriot Gjuzit, Ilir Gjuzi dhe shokun e tij Armando Nelaj. Për vrasje të dyfishtë, Avni Majollari u dënuar nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono