Barcelona

lionel-messi-record-trophy-holder-621x330.jpg
G. P.08:40 | 11/10/2018

Lionel Messi ka bërë një ndryshim të madh në jetën e tij. Kampioni i Barcelonës dëshiron që të vazhdojë karrierën në nivele të larta dhe të fitojë trofe për të kënaqur fëmijët e tij.

Në moshën 31-vjeçare nuk tregon shenja lodhjeje.

Lionel Messi, tashmë kapiten i Barcelonës, vazhdon të fitojë trofe, e të shkëlqejë, dhe kjo i detyrohet një ndryshimi të rëndësishëm të bërë nga ai. Argjentinasi ka hequr dorë nga jeta disi e shpenguar që ka bërë tradicionalisht dhe që rrezikonte t’ia shkurtonte karrierën.

Të kuptohemi, ai nuk e ka tepruar kurrë, as me pijen, ushqimin apo jetën e natës, por futbolli profesionist kërkon thuajse përsosmëri. Messi ka hequr dorë nga pija e tij e preferuar, vera, po ashtu ka pakësuar një kafe tradicionale argjentinase që e pëlqente shumë.

Për më tepër, ka ulur konsumin e mishit, edhe pse ky ishte një nga përbërësit më të rëndësishëm të dietës së tij prej vitesh. Gjithashtu, kapiteni katalanas është bërë edhe më shumë familjar sesa ka qenë, duke shpenzuar shumë më tepër kohë në shtëpi.

Në moshën 31-vjeçare, ai nuk dëshiron të nisë rënien e formës, sepse i ka vënë vetes një synim të rëndësishëm. Djali i tij i madh, Tiago, është bërë 6 vjeç, ndërsa djali i dytë, Mateo, ka mbushur 3, dhe Mesi dëshiron që fëmijët ta shohin duke luajtur futboll e duke fituar.

Si një baba i mirë, ai kërkon që ata të kënaqen dhe të jenë të krenarë për të./abcnews.al

CHAMPIONS-BARCELONA-1280x659.jpg
ent ela12:58 | 04/10/2018

Liga e Kampionëve pati protagonistë të rëndësishëm në ndeshjet e fundit. Lionel Mesi shkëlqeu në fitoren e Barcelonës, por të suksesshme ishin edhe skuadrat italiane.

I duhej të reagonte dhe të udhëhiqte të vetët.

Lionel Mesi ishte nën presion pas serisë së rezultateve negative të Barcelonës në ligën spanjolle, dhe ai u përgjigj si kampion.

Në stadiumin mitik “Uembli”, dha shfaqjen e radhës në karrierë, duke bërë ekipin e tij të shkëlqente në Champions, ndërsa varësia nga ai mbetet e plotë.

Shënoi dy gola në fitoren 4-2 ndaj Totenhemit, krijoi gjithçka tjetër, si dhe goditi dy herë shtyllën.

“Uembli” ka qenë gjithnjë arena e tij, si në finalet e Championsit në 2009 e 2011 ndaj Mançester Junajtidit, ku shënoi 3 gola gjithsej, dhe I fitoi të dy trofetë.

Ishte një duel direkt golshënuesish me Harri Kejnin, kapitenin e Anglisë dhe liderin e Totenhemit, duel që argjentinasi e fitoi.

Përsa I përket klasit, dueli mbetet me Ronaldon, Mbapenë, Modriçin apo Nejmarin.

Mesi arriti në 105 gola në Champions, në ndjekje të rekordit të Ronaldos me 121, ndërsa Barcelona mbajti kreun e grupit B me 6 pikë në dy ndeshje.

Mediat katalanase nuk u kursyen.

“El Mundo Deportivo” bën lojë fjalësh: “UembLeo! Klas mjeshtëror I Mesit në Londër, shënoi dy gola, krijoi gjithçka tjetër dhe goditi dy herë shtyllat!

“Sport”: Mbreti! Barça reagoi madhërishëm në “Uembli” ndaj Totenhemit, me një shfaqje të Mesit, 2 gola, 2 shtylla!

Gjithsesi, Barça nuk është pa rival, madje tepër klasik.

Në grupin B, po 6 pikë ka edhe Interi i trajnerit Luçiano Spaleti, që duket se e ka lënë pas fillimin e keq të sezonit.

Italianët triumfuan 2-1 në fushën e PSV Ajndhovenit, falë golave të Raxha Naingolanit e kapitenit Mauro Ikardi, që e bënë të pavlefshme epërsinë fillestare të holandezëve.

Mediat italiane mburrën milanezët, por edhe Napolin.

“La Gazeta delo Sport”: Itali e madhe, 4 në 4 në Champions! Napoli, Euro Bum! Gjithnjë Insinje, në triumfin ndaj Liverpuli! Inter, yll europian, Naingolan dhe Ikardi firmosin goditjen në Ajndhoven!

“Il Korriere delo Sport”: Po! Të kaltrit për çmenduri, mundin Liverpulin në minutën e 90-të dhe dalin në krye të grupit! Është Interi i Mauros!

“Tutosport”: Champions, Insinje! Napoli je madhështor! Ninja-Ikardi për të ulëritur! Inter sheh turin e dytë!

Ja pra, Napoli i Ançelotit.

Ekip që mund të shkatërrohet në fushën e Sampdorias, por që është në gjendje të thyejë nënkampionen e Europës, Liverpulin.

I zakonshmi Lorenco Insinje i dha fitoren italianëve pikërisht në minutën e fundit, por ishte një sukses i merituar, ndërsa formacioni anglez i Klopit kuptoi se i duhet ende të përmirësohet për të qenë favorit në Champions, ashtu siç është në Premier Ligë. /abcnews.al

messi.png
G. P.16:26 | 30/09/2018

Barcelona dhe Reali i Madridit po kalojnë krizë rezultatesh në ligën spanjolle. Kritikat janë të shumta, ndonëse dy skuadrat mbeten në krye të kampionatit.

Kur Messi e nis nga stoli, diçka nuk shkon.

Nuk mund të imagjinohet një Barcelonë pa të në fushë, veçse normalisht që mund të ketë ndeshje kur mund të mos luajë.

Ja pra, që katalanasit nuk qenkan të përgatitur për këtë ditë.

Barazuan 1-1 në “Camp Nou” ndaj Atletikut të Bilbaos, duke rrezikuar të humbisnin, ndërsa vazhdojnë krizën e rezultateve dhe të paraqitjeve në La Liga.

Jo më kot, gazeta “Marca” theksonte në një opinion se “jeta është e vështirë pa Xavin dhe Iniestën”, me dy stërtalentet të larguar tashmë nga Barça.

U desh futja e Messi-t në lojë pas pushimit, që të shihnim ekipin që kemi parë gjithnjë.

Karakteri dhe etja gjithnjë e pashuar për fitores e argjentinasit, ndryshoi ndeshjen, edhe pse fati nuk ishte me kampionët.

U goditën dy herë shtyllat, por më në fund goli erdhi.

Realizues ishte El Hadadi, por pas këmbënguljes së dyfishtë të Mesit.

Barça mbeti në krye edhe pas takimit të tretë radhazi që nuk fiton, ndërsa kapiteni u përpoq të qetësonte ambientin.

“Nuk jemi të shqetësuar, sepse sezoni është i gjatë dhe është vetëm fillimi, por jemi të inatosur për rezultatet e fundit. Ne nuk i prisnim këto rezultate. Në ndeshjen e kaluar ne luajtëm mirë në pjesën e parë, por humbëm, ndërsa këtë herë krijuam shumë raste, por nuk fituam. Gjithsesi, duhet të jemi shumë më të fortë në mbrojtje”.

Mediat spanjolle, u morën direkt me katalanasit, por edhe me Realin që barazoi në derbin ndaj Atletikos.

“Marka” titullon për derbin: Dy portierë të mëdhenj, dhe një ligë pa padron!

“AS”: Derbi i portierëve! As Modriç dhe as Griezman nuk ishin në nivelin e Cristianos apo Messit”

“El Mundo Deportivo”: Kryesues! La Liga vazhdon po e njëjta! Barça merr vetëm 2 pikë nga 9, por mban kreun pas ndalesës së Realit!

“Sport”: Kryesues, pavarësisht gjithçkaje! Barça vazhdon ecurinë negative, por shpëton një pikë falë Messit!

Reali nuk mundi të përfitonte nga ndalesa e Barçës, pasi u ndalua për vete.

Atletiko e Madridit mbeti “mace e zezë”, duke i marrë barazimin pa gola në “Bernabeu”, pasi e mundi në finalen e Superkupës së Europës.

Kampionët e Europës ishin më mirë se kundërshtari, por nuk mundën të shënonin, dhe pas pushimit shumë tifozë thirrën në kor emrin e Kristiano Ronaldos.

Pas 7 javëve në La Liga, Barcelona kryeson me 14 pikë, po aq sa Reali, por Sevilja dhe Atletiko janë shumë pranë./abcnews.al

messs.png
G. P.11:55 | 27/09/2018

Lionel Messi dhe Luka Modriç pësuan disfata të rënda në ndeshjet e fundit të ligës spanjolle. Barcelona dhe Reali u mundën papritur, ndërsa rrezikojnë të mos jenë rivalët e vetëm për titull

Nuk kishte ndodhur, besohet, ndonjëherë, që fituesi i Çmimit të FIFA-s dhe ai që quhet lojtari më i mirë i botës, të turpërohen në të njëjtën mbrëmje.

Kjo, madje pak ditë pas ceremonisë së FIFA-s në Londër. Luka Modriç, fituesi i Çmimit, dhe Lionel Mesi, i besuar gjerësisht si numëri 1 i futbollit botëror, pësuan humbje tronditëse në La Liga edhe pse luajnë me dy skuadrat më të mira.

Më herët e pësoi Messi, kur Barcelona në mënyrë të pabesueshme u mposht në stadiumin e Leganjesit modest, që e nisi javën në vendin e fundit. Filip Coutinho kaloi Barçën përpara, por për 68 sekonda në pjesën e dytë, vendasit përmbysën shifrat.

Nabil El Zhar barazoi në 52’, ndërsa goli i dytë u realizua nga Oskar Rodrigez, i huazuar tek Leganjes nga Reali i Madridit. Ky ishte rezultati i dytë radhazi negativ për Barcelonën, diçka që ngre dyshime për aftësinë e skuadrës së trajnerit Valverde për ta mbrojtur titullin e fituar vjet.

Vetë madrilenët ndoshta do të kishin pasur nevojë për të huazuarin Oskar Rodrigez në Sevilje, ku Luka Modriç kaloi një nga mbrëmjet më të këqija të karrierës.

Rezultati përfundimtar ishte një katastrofë 0-3, ndërsa lojtari më i mirë i sezonit në botë nuk arriti të jepte të zakonshmen e tij, mori karton të verdhë për protesta, dhe përfundimisht u zëvendësua nga trajneri Lopetegui.

Reali humbi një mundësi të madhe, ndërsa tre golat e pësuar në 90 minuta ishin një paralajmërim. Andre Silva shënoi dy herë për Seviljen, ndërsa një herë e bëri Ben Jeder.

Barcelona e Reali mbeten në krye të La Ligës me nga 13 pikë, por tashmë Atletiko e Madridit është vetëm 2 pikë larg, pra ndoshta mund të jetë viti I duhur për të besuarit e trajnerit Diego Pablo Simeone./abcnews.al

MANUEL-VALLS-BARCELONE-1280x720.jpg
G. P.16:14 | 26/09/2018

Ish-kryeministri i Francës, ish-ministër i Brendshëm dhe kundër pavarësisë së Katalonjës. Por asnjë nga këto element nuk e ka penguar Manuel Vals të zyrtarizojë kandidaturën për kryetar bashkie në Barcelonë në zgjedhjet e majit të 2019-s.

Manuel Valls, ish-kryeministër socialist francez dhe aktualisht deputet në parlamentin e Francës me partinë e presidentit Emmanuel Macron, zyrtarizoi kandidaturën e tij për kryebashkiak të Barcelonës në kuadër të zgjedhjeve të muajit maj 2019. Valls është 56 vjeç dhe ka lindur në Katalonjë nga një piktor katalanas dhe një mësuese italo – zvicerane. Ai është një shtetas francez, por plotëson kushtet e ligjeve spanjolle për të kandiduar në zgjedhjet bashkiake si qytetar europian që është. Valls do të mbështetet nga partia e qendrës së djathtë Siudadanos. Vitet e fundit Valls është shprehur gjithnjë kundër pavarësisë së Katalonjës nga Spanja. Sipas mediave franceze dhe spanjolle, kandidatura e Vals mund të vështirësojë rizgjedhjen në këtë post të kryetares aktuale të bashkisë Ada Kolau, e së majtë dhe kundër pavarësisë së Katalonjës.

Valls i ka kërkuar partisë që e mbështet që të bëjë një koalicion parazgjedhor me forca të tjera politike. Por kandidatura e tij është kritikuar nga disa parti katalanase që e cilësojën Valls si kandidatin e të pasurve, i cili nuk ka më popullaritet në Francë e prandaj kthehet në Katalonjë. Ka dhe nga ata që e këshillojnë të mos e shohë Barcelonën si strehën e dkiujt të cilit i ka dështuar karriera. Valls ka qenë kryeministër francez nga marsi 2014 deri në dhjetor 2016 gjatë presidencës së Fransua Holond. Më parë në periudhën 2012 – 2014 ka qenë ministër i brendshëm në Francë. Në janar 2017, ai pësoi një disfatë domethënëse me partinë socialiste./abcnews.al

lionel-messi-record-trophy-holder-621x330.jpg
G. P.17:57 | 19/09/2018

Lionel Messi vendos rekorde të reja në Champions dhe ngrihet në qiell pas tre golave të shënuar për Barcelonën. Argjentinasi vazhdon të thyejë rekorde në karrierë.

Nuk do të lodhen kurrë së marri me të.

I detyron vetë ai, Lionel Messi, me epitetin e merituar “Mbreti i sotëm i futbollit”. Superylli argjentinas shënoi tri herë për Barcelonën në portën e PSV Eindhoven-it, duke ndihmuar ekipin të bënte nisjen më të mirë të mundshme në Ligën e Kampionëve.

Që prej fillimit të sezonit, numri 10 deklaroi se Championsi ishte objektivi kryesor i tij dhe i klubit, dhe në fushë tregoi pikërisht këtë. Pas 4 vitesh dështime, në të cilat Reali i Madridit e fitoi tri herë kupën e madhe, katalanasit nuk mund të tolerojnë më.

Gjithsesi, Messi shënoi edhe për vetveten. Ai ka tani 7 gola në sezon, duke qenë si gjithnjë në garë për Këpucën e Artë dhe për Topin e Artë. Leo theu rekordin e mbajtur nga ai vetë dhe nga Kristiano Ronaldo, duke pasur tani 8 trigolësha në Champions.

Tifozët në rrjetet sociale i thurin lavde argjentinasit që është i dyti lojtar në këtë kompeticion, pas Raulit, që shënon në 14 edicione radhazi. Po ashtu, e ngrenë në qiell sepse kaloi Ronaldon për numrin e rrjetave të shënuara në fazën e grupeve.

Trajneri Valverde u detyrua të përsëriste në konferencën për shtyp fjalët që i kishte thënë kushedi sa herë.

“Është një bekim që e kemi Mesin në ekip, – tha ai, – Leo bën që gjërat më të vështira, të duken fare të rëndomta. Jemi duke përjetuar diçka të papërsëritshme. Si ish-lojtar dhe trajner në La Liga unë nuk kujtoj asnjë tjetër në nivelin e tij, dhe mendoj se do të jetë e vështirë që një i tillë të vijë në të ardhmen”.

Mediat, natyrisht që, e ngritën në qiell, në fund të fundit, ajo është puna e tyre.

Gazeta “El Mundo Deportivo” e Barcelonës: Messi, Messi, Messi dhe Dembeleja. Gjigandi realizoi tregolëshin e 42-të në karrierë.

“Sport”: Shko atje ku dëshiron! Messi firmos një tregolësh dhe objektivi i tij është Championsi!

“Marka” titullon: Kështu fillohet, ndërsa në kopertinë ka fotot e Messit dhe Diego Kostës, për fitoret e Barçës dhe Atletikos së Madridit.

Gazeta “AS” nuk merret edhe aq me Messin, për të cilin ka një titull të vogël në fund të faqes së parë, por me ofendimin e Sergio Ramosit për Antuan Grizmanin.

Tifozët katalanas shpresojnë që Messi t’ia japë Barcelonës, më në fund, këtë Champions./abcnews.al

interrr-1.jpg
G. P.18:32 | 18/09/2018

Një ndeshje e madhe do të luhet në Grupin B, në Ligën e Kampionëve. Interi pret Tottenham-in në Milano, ndërsa italianët rikthehen në këtë nivel pas 6 vitesh.

Ky ishte moment i madh.

Për fat të keq, Interi tri herë në majë të Europës, do të duhet të kënaqet qoftë edhe me kualifikimin për në Champions.

Pak vlen e kaluara, ndërsa e tashmja është kjo që e dimë të gjithë.

U deshën 6 vjet që zikaltërit të riktheheshin në Ligën e Kampionëve, diçka që duan ta kenë si pikë nisjeje, jo pikë mbërritjeje.

Në Serinë A, gjërat shkojnë keq, sidomos pas humbjes me Parmën, por trajneri Spalleti, gjithsesi mbetet optimist dhe mund të hedhë një formacion të plotë ndaj Tottenham-it në “San Siro”, me skemën 3-4-3.

I vetmi që mungon, mbrojtësi Vrsaljko.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ne duhet të bëjmë më shumë, – shprehet ai, – në Champions duhet të jesh gjithnjë në maksimum, aq më tepër ndaj një kundërshtari si Tottenham-i. E dimë se çfarë duhet të bëjmë”.

Tottenham-i, gjithashtu nuk është në moment të mirë, me dy humbje radhazi në Premier.

Për më tepër, mungesat pritet të jenë të mëdha.

Nuk luan Tripier, as Alderweireld, që u lanë në Angli, ndërsa portieri e kapiteni Hugo Lloris, Sisoko dhe Dele Ali janë të dëmtuar.

“Nuk është vetëm Interi në vështirësi, por jemi edhe ne, – thotë trajneri Poçetino, – kemi mungesa dhe rezultatet nuk kanë qenë pozitive. Duhet të përmirësohemi, por unë kam besim tek skuadra dhe tek Harry Kane”.

Po në grupin B, luan edhe ekipi që shumëkush vazhdon ta quajë favorit për fitoren e Championsit, Barcelona.

Katalanasit e cilësojnë këtë trofe si prioritet.

“Më vjen mirë që lojtarët e quajnë të domosdoshme që të fitojmë Championsin, – thotë trajneri Valverde, – ne duam ta fitojmë, por kështu duan edhe shumë ekipe të tjera. Së pari, të kalojmë PSV-në që është një ekip holandez, pra shumë i rrezikshëm”.

Barça nuk pritet të ketë mungesa të rëndësishme, ndërsa në fushë do të udhëhiqen nga Messi, Coutinho apo Suarez.

PSV udhëtoi drejt Spanjës i ndërgjegjshëm sesa shumë do ta ketë të vështirë.

Kohët e arta kur fitohej Kupa UEFA dhe Championsi janë 30 vjet prapa, ndërsa sukseset e fundit kanë qenë deri në çerekfinale.

Trajneri Mark Van Bommel, kampion Europe me Barcelonën, nxiti lojtarët e tij që “mos mendoni për të marrë fanelën e Messit, por për të fituar, dhe pastaj grinduni mes jush për atë bluzë”.

Tottenham-i dhe Barcelona janë favoritë në ndeshjet që luhen në orën 18:55./abcnews.al

psg.jpg
G. P.17:34 | 18/09/2018

Liverpool-Paris Saint Germain do të jetë ndeshja më e madhe e mbrëmjes së sotme në Champions. Anglezët jepen favoritë në duelin e orës 21:00 në stadiumin “Anfield”.

Nuk mund të fillonte më mirë se kaq.

Numri 2 i Championsit të kaluar përballë një fuqie të re që kërkon të dominojë, kjo do të jetë përballja e sotme në “Anfield” në orën 21:00.

Liverpool-Paris SG premton spektakël, mes dy ekipeve sulmues dhe në kërkim të aventurës, ndërsa rezultati as që mund të parashikohet.

Kompanitë e basteve japin favoritë vendasit.

Liverpool-i ka dyshimin më të madh, atë të sulmuesit Firmino që u dëmtua në sy në ndeshjen ndaj Tottenham-it në Premier, ndërsa kapiteni Henderson mund të kthehet më në fund në formacion, pas ngarkesës së Kupës së Botës.

Trajneri Jurgen Klopp bën këtë analizë.

“Duhet të jemi shumë të fortë në mbrojtje, pasi PSG është shumë e fortë në sulm, – u shpreh gjermani, – të kemi kujdes përpara zonës dhe brenda saj, pasi aty kundërshtari tregon cilësinë maksimale. PSG është një nivel shumë, shumë i lartë, por nuk ka pasur përballë kurrë një skuadër si ne”.

Yjet francezë, ndërkaq filmuan veten të lumtur në udhëtimin nga Parisi për në Angli.

Neymar, Kavani dhe gjithë të tjerët fluturuan pa probleme, dhe shpresojnë të arrijnë një rezultat pozitiv.

Gazeta e famshme franceze, “L’Ekip”, i këshillon: Një rrugë për t’u përshkuar!

“L’Ekip” ngacmon PSG-në duke përdorur foton më të njohur të albumeve të Bitëllsave, në rrugën e dëgjuar “Abei Ro”d” në Liverpul.

Kampionët e Francës nuk u stërvitën në “Anfield”, pasi e kishin bërë këtë gjë që paradite në Paris, ata thjesht shkelën tapetin e fushës ku do të luajnë sonte.

Trajneri Thomas Tuchel është optimist, ndërsa mban të fshehta për Neymar-in.

“E sigurt është që Nejmar do të luajë, por nuk mund t’iu them se në cilin pozicion, – u shpreh gjermani tjetër, – kjo mbetet sekret. Nuk dua të flas për favoritët, pasi nuk ka kuptim, por për ndeshjen. Është shumë e vështirë të luash ndaj ekipeve të drejtuar nga Klopi, dhe në atmosferën e “Anfield-it”, por gjithnjë ne japim maksimumin në situata të tilla”.

Dy ekipet kanë një precedent, në 1997 në Kupën e Kupave të Europës, kur Paris SG fitoi 3-0 në “Stade de Princes”, dhe Liverpool-i u përgjigj me shifrat 2-0 në “Anfield”.

Parizienët u kualifikuan dhe arritën në finale, ku u mundën nga Barcelona./abcnews.al

LA-LIGA-REALI-DHE-BARCELONA.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela21:01 | 16/09/2018

Portierët ishin vendimtarë këtë javë në ligën spanjolle. Ata bënë që Barcelona të fitonte ndeshjen, ndërsa Reali të bënte gabimin e parë në sezon.

Është vetëm fillimi dhe nuk ka asnjë problem nëse ke 10 pikë ndaj 12 të rivalit kryesor. Në këtë pozicion është Reali i Madridit pas barazimit 1-1 në fushën e Bilbaos, dhe fitores 2-1 të Barcelonës në stadiumin e Real Sociedadit. Madrilenët luajtën mjaft mirë, sidomos në sulm, e mbajtën shumë topin, por nuk ia dolën në Vendet Baske për dy arsye kryesore, së pari për shkak të karakterit të Atletikut vendas, dhe së dyti për meritë të portierit Unai Simon, që bëri të paktën 4 pritje shpëtimtare. Pritje bëri edhe Kurtua për Madridin, por më pak.

Muniain kaloi baskët në epërsi në 32’, Isko barazoi në 64’, dhe skuadra e trajnerit Hulen Lopetegi u detyrua të pranonte ndalesën e parë në këtë sezon në La Liga. Barcelona, për fat, portierin vendimtar e pati në portën e vet. Ter Shtegen bëri të paktën dy pritje të mëdha dhe katalanasit kaluan me fat gjithashtu në Vendet Baske, në San Sebastian. Fillimisht, Sociedadi kaloi përpara me rrjetën e shënuar nga Aritz Elustondo në 12’ dhe u desh shumë që të realizohej përmbysja. Trajneri Valverde futi pas pushimit në fushë Kutinjon, që u tregua një lojtar i madh, pikërisht atëherë kur duhej, me Mesin jo edhe aq në formë.

Suarez dhe Dembele realizuan për kampionët, por edhe me “bashkëpunimin” e portierit vendas, Ruji. Barça vazhdon të mos gabojë, duke fituar të katër ndeshjet, por gjithsesi, nuk është se po luan futbollin e dikurshëm me Guardiolën apo Luis Enriken./abcnews.al

barca-1280x720.jpg
G. P.18:21 | 03/09/2018

Messi merr lavdërime të mëdha nga mediat dhe tifozët pasi hoqi dorë nga goli personal, duke i dhuruar penalltinë shokut të skuadrës, Luis Suarez. Argjentinasi vlerësohet si kapiten i vërtetë.

Lajmi kryesor ishte fitorja e thellë dhe ngjitja në krye të renditjes.

Barcelona mposhti 8-2 debutuesen e La Ligës, Hueskën, duke lënë në vend të dytë Realin për meritë të golaverazhit, por jehonën më të madhe mediatike e pati veprimi i Lionel Messi-t.

Argjentinasi kishte shënuar dy gola dhe pati mundësi në minutën e fundit të realizonte të tretin, veçse refuzoi vullnetarisht. I la penalltinë atij që e fitoi, Luis Suarezit, që shënoi golin e dytë në ndeshje.

Një zemërgjerësi e denjë për lojtarin e cilësuar si më të madhin e botës dhe jehona nuk vonoi.

“Mund të kishte shënuar një tregolësh, por Mesi ia la penalltinë shokun të skuadrës, Suarezit”! – ishte komenti i “Fox Neës” nga Amerika.

“Uruguajani ia ofroi penalltinë Messi-t për të shënuar golin e tretë, por ai refuzoi dhe Suarezi shtoi rrjetën e tetë të ndeshjes”, shkruajti “The Gardian” nga Anglia.

Tifozët nuk i kursyen komentet.

“Messi duke i dhënë topin Suarezit për penalltinë, ndërsa ai mund të shënonte tregolësh. Kapiten i vërtetë!”, – postoi njëri prej tyre.

“Lionel Messi hoqi dorë nga tregolëshi dhe i dha penalltinë Suarezit! Nuk jemi të sigurt nëse Neymari apo Ronaldo do ta kishin bërë këtë”, – ishte një tjetër koment.

Nënkuptimi ishte i qartë, ai i referohej sherrit mes Neymarit e Kavanit tek Paris SG për gjuajtjen e penalltive apo goditjeve të dënimit. Ky nuk ishte altruizmi i parë i Mesit.

Në shkurt të 2016-s, argjentinasi nuk e gjuajti direkt në portë penalltinë ndaj Seltës, por ia pasoi Suarezit që shënoi.

Ishte një rikrijim të magjisë së Johan Krujfit, në penalltinë e ekzekutuar me tre pasime nga Ajaksi ndaj Helmondit në 1982. Messi u bë kryelajm ndaj Hueskës edhe për golin e tij të parë.

Në një përballje ku realizoi dy herë, shërbeu dy asiste, goditi një herë shtyllën, dhe fali një penallti, ai pati një veprim që do të hyjë në historinë e futbollit.

Mënyra sesi shmangu Luizinjon, të kujton një gol të madh të shënuar prej tij në Ligën e Kampionëve, në 2015, ndaj Bajernit, kur shmangu në mënyrë të ngjashme mbrojtësin gjerman, Jerome Boateng, për të realizuar në sfidën gjysmëfinale në “Camp Nou”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono