barazim

brasil.jpg
G. P.13:46 | 19/06/2019

Brazili u vërshëllye nga tifozët pas barazimit me Venezuelën në Kupën e Amerikës. Skuadra vendase pati tre gola të anuluar nga teknologjia VAR.

Nuk ishte një ndeshje e lumtur, dhe krijoi tension e dyshime. Faktori fushë mund t’i kthehet në bumerang Brazilit, nëse nuk do të arrijë të fitojë, dhe kjo i ndodhi në përballjen teorikisht të lehtë ndaj Venezuelës në Kupën e Amerikës.

Edhe pse “Seleçao” luajti në shtëpi, nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, ndërsa një rol të rëndësishëm luajti teknologjia VAR. Brazilianëve të trajnerit Tite iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje, dhe një tjetër rrjetë për faull, në një mbrëmje të vështirë në stadiumin e Bahias.

Philipe Coutinho realizoi më kot herën e parë, më pas viktimë e VAR-it u bë Gabriel Jesus, ndërsa goli i tretë i quajtur i pavlefshëm, ishte i Roberto Firminos. Dyshimet janë të mëdha nëse ekipi përfaqësues është tepër i varur nga Neymari, që nuk luan në këtë Kupë për shkak dëmtimi.

Në një vend me njerëz gjaknxehtë si Brazili edhe mediat nuk mund të bënin përjashtim.

“O Globo”: VAR-i i anulon dy gola, por Brazili mbetet me ankthet dhe oshilacionet e tij! Kombëtarja krijon raste për gola, por ende nuk bind!

“Estado de Minas” nuk i kushton shumë vëmendje kombëtares së meshkujve, pas barazimit me Venezuelën, ndërsa foton dhe titullin kryesor ia kushtoi legjendës së Brazilit të femrave, Marta, që u bë shënuesja më e mirë në historinë e Botërorëve, duke kaluar gjermanin Klose.

“O Korreiro Braziliense”: Të shqetësuar në Bahia! Me dy gola të anuluar nga VAR-i kombëtarja braziliane barazon me Venezuelën, pa bindur! Marta vë Botën nën këmbët e saj!

“Tribuna”: VAR-i anulon dy gola, dhe Brazili barazon me Venezuelën! Një futboll burokratik! Vajzat e Brazilit shkëlqejnë, dhe kombëtarja fiton me gol të Martës!

Tifozët e vërshëlluan skuadrën në “Arena Fonte Nova” të Bahias, duke qenë të pakënaqur me lojën dhe me rezultatin, ashtu siç bënë edhe në fitoren 3-0 ndaj Bolivisë në Sao Paulo.

“Nuk kam ankesa për teknologjinë, – u shpreh trajneri Tite, pas ndeshjes, – VAR-i ishte korrekt dhe skuadra duhet të tregohet më e pjekur në situata të tilla. Situata të tilla do të ketë gjithnjë. Po ashtu, nuk mund të kritikoj tifozët. Ata duan gola, ashtu siç dua edhe unë. Duhet të përmirësohemi nëse duam që tifozët të jenë me ne, dhe nëse duam që ta fitojmë këtë kupë në shtëpi”.

Brazili kryeson grupin A me 4 pikë, po aq sa Peruja që fitoi 3-1 ndaj Bolivisë./ABC News Albania 24/7

ksmnt.jpg
G. P.09:30 | 08/06/2019

Përfaqësuesja e Kosovës nuk shkoi më shumë se barazimi me rezultatin 1-1 ndaj Malit të Zi. Milot Rashica realizoi golin e vetëm për dardanët.

Përfaqësuesja e Kosovës e nis mbarë, por në fund nuk ia doli të dalë me pikë të plota në transfertën e Malit të Zi. Dardanët zhvilluan një takim me ritëm ku spikati si gjithmonë Milot Rashica.

Takimi nisi me një episod të shëmtuar dhe aspak sportive pasi dy orë para ndeshjes, trajneri, zv/trajneri dhe dy futbollistë, të cilët ishin me origjinë serbe bojkotuan takimin për shkak të presionit të tifozëve ultras serbë.

Kosova kontrollon lojën që në minutat e para dhe shfaqet rrezikshëm me Vedat Muriqin. Sfida u zhbllokua në minutën e 24 ku Milot Rashica përfiton nga një rrëmujë në zonë, godet fort dhe përshëndet rrjetën.

Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e Kosovës. Në fraksionin dytë, vendasit barazuan me sulmuesin Stefan në të 69 minutë. Kosova shpërdoron shumë dhe nuk ia del të marrë tre pikët e plota në një takim mjaft të rëndësishëm.

Me këtë barazim, përfaqësuesja e Kosovës ngjitet në kuotën e 2 pikëve në po kaq ndeshje. Edhe në sfidën e parë ndaj Bullgarisë, dardanët barazuan me të njëjtin rezultat. Takimi i radhës për Kosovën do të jetë në transfertë ndaj Bullgarisë tre ditë më vonë./ABC News Albania 24/7

teuta-luftetari.jpg
G. P.22:15 | 04/05/2019

Skuadra e Teutës barazoi me Luftëtarin dhe humbi mundësinë për t’u ngjitur në vendin e tretë pas disfatës së Flamurtarit.

Takimi i zhvilluar në Durrës mes Teutës dhe luftëtarit përfundoi me rrjeta të paprekura. Dy ekipet që garojnë për objektiva të ndryshme zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur dhe me raste të pastra shënimi, por nuk arritën të konkretizonin në gol. Teuta e nisi lojën me dy sulmues për të kërkuar me çdo kusht golin, por nuk ia dolën.

Në kampin tjetër, Luftëtari nuk qëndroi në pritje pasi u shfaq rrezikshëm përballë durrsakëve. Të dyja ekipet vinin në këtë duel pas barazimeve dhe fitorja ishte objektivi primar. Durrsakët nuk përfituan nga humbja e Flamurtarit duke shpërdoruar një mundësi të artë për t’u ngjitur në vendin e tretë.

Sa i përket Luftëtarit, tre pikët do të mbanin në vendin e shtatë, ku aktualisht pozicionohet Tirana. Në takimet e tjera, Partizani fitoi 3-0 ndaj Flamurtarit, Tirana mundi Skënderbeun, Laçi barazoi me Kastriotin dhe Kukësi mori tre pikët në tavolinë pasi ishte parashikuar ndeshje ndaj Kamzës./ABC News Albania 24/7

liga-shqiptare.jpg
nev ila20:41 | 28/04/2019

Nuk pati asnjë fitues në dy sfidat direkte në Superligën shqiptare. Kukësi u ndal në fushën e tij nga Teuta, ndërsa Luftëtari-Tirana përfundoi 1-1.

Qenka fundsezoni i gabimeve.

Pasi Partizani shpërdoroi me Laçin në kryeqytet, ja ku erdhi edhe radha e Kukësit, që të mos arrinte fitoren ndaj Teutës, në bazën e tij, Kamzë.

Barazim 0-0, që e la ekipin e trajnerit Ernest Gjoka në distancë 10-pikëshe nga kreu, ndërsa mbeten edhe 5 ndeshje për t’u luajtur, pra janë në dispozicion edhe nga 15 pikë të mundshme.

Praktikisht, historia e titullit mund të quhet e mbyllur, por e hapur është gara për në Ligën e Europës, ku plot 5 skuadra pretendojnë për dy vende, në pritje të përfundimit edhe të Kupës së Shqipërisë.

Kuksianët do të duhet të bëjnë kujdes që të mos rrezikojnë, pasi rivalët nuk janë larg.

Ndaj Teutës, trajneri Gjoka pati vetëm 12 lojtarë në dispozicion, me një numër të madh mungesash për shkak dëmtimi, si edhe me pak më shumë lodhje sesa durrsakët për shkak të ndeshjes së mesjavës në Kupë ndaj Skënderbeut.

Kjo prishi punë.

E hapur mbetet edhe gara për mbijetesën, pasi sfida direkte mes Luftëtarit dhe Tiranës u mbyll në barazim 1-1.

Ishte një rezultat që nuk i duket aspak i drejtë kryeqytetasve, që bënë lojën dhe patën rastet më të shumta, por që nuk iu shmangën dot problemit të tyre numër 1, shpërdorimit para portës kundërshtare.

Në mungesë të sulmuesit kryesor, Ngo, trajneri Mema pati Halilin, por edhe Sentamun, Oduamadin apo Hasanin, autorin e golit.

Tirana e interpretoi mirë lojën, duke qenë agresive këtë herë, ndryshe nga ndeshja e Kupës po në Gjirokastër, kur më shumë u mbrojt.

Barazimi mund të quhet rezultat i mirë në një fushë të vështirë si ajo e Luftëtarit, por rreziku i rënies nga kategoria mbetet, pasi Kastrioti ndodhet vetëm tri pikë larg.

Në fundin e tabelës, Luftëtari ka 39 pikë ndaj 37 të Tiranës dhe 34 të krutanëve.

Partizani, ndërkaq, udhëheq me 62 pikë ndaj 52 të Kukësit./abcnews.al

celsi-1280x638.jpg
ent ela17:26 | 23/04/2019

Çelsi pati një tjetër dështim në Premier Ligën angleze, duke rrezikuar kualifikimin për në Champions. Trajneri Sarri u përjashtua me karton të kuq, në një ndeshje që përfundoi me konflikt.

Tri pikët duheshin marrë patjetër, dhe mendohej se do të merreshin. Gjithsesi, këto ditë Çelsit nuk mund t’i besohet as kur luan në stadiumin e tij, përballë mbi 40 000 tifozëve, dhe ndaj një kundërshtari jo të vështirësisë maksimale si Bërnli.

Përfundoi 2-2 në “Stemford Brixh”, dhe blutë e Londrës e vunë edhe më shumë në rrezik kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.

Dueli i Premier Ligës i pati të gjitha, me përjashtim të fitores vendase.

Katër gola, përmbysje dhe emocione të mëdha, në një ndeshje të shpejtë e të vrullshme, tipike angleze, ku edhe skuadrat e vendit të fundit duken të barabarta me ato të kreut.

Ishte edhe mbrëmja e një goli të shkëlqyer nga Gonzalo Higuain, sulmuesi argjentinas që po përpiqet të gjejë fatin tek Çelsi, pas Realit, Napolit, Juventusit e Milanit.

Ai pati fatin që një tifoze e bluve ta fuste në gjoks nga gëzimi, pas realizimit.

Tifozët, megjithatë nuk mbetën të kënaqur.

“Sarri është një trajner i mirë, por nuk i përshtatet stilit të Çelsit”, – ishte një koment në rrjetet sociale.

“Sarri, ore burrë plak, shko rri në shtëpinë tënde, shikoji ndeshjet në televizor”, – shkruajti një tifoz tjetër.

“Çelsi do të dalë në vend të 6-të, unë e di”, – u shpreh me dëshpërim një komentues.

Fundi në “Stemford Brixh” ishte me konflikt.

Lojtarë e trajnerë të të dyja skuadrave thuajse u përleshën, për shkak të një tensioni tepër të madh.

Duket se gjithçka nisi nga përjashtimi i trajnerit vendas, Mauricio Sarri, drejt të cilit duket se u tha diçka më pas nga stoli I miqve.

“Sarri nuk duhej të ishte përjashtuar, – tha ndihmësi i tij, Xhanfranko Xola, – ai thjesht deshi t’u fliste lojtarëve dhe doli jashtë zonës së lejuar. Por, ai u ofendua nga njerëz në stolin e Bërnlit, ndaj ishte shumë i zemëruar dhe i fyer”.

Fati i trajnerit duket i vendosur për t’u shkarkuar në fund të sezonit, madje edhe nëse Çelsi arrin kualifikimin për në Champions, gjë që duket shumë e vështirë në këtë moment.

Blutë kanë 67 pikë, ndaj 66 të Arsenalit e 64 të Mançester Junajtidit, që kanë një ndeshje më pak. /abcnews.al

inter-2-1280x720.jpg
G. P.12:00 | 25/02/2019

Polemika dhe tension i lartë pas barazimit të Interit në Serinë A. Milanezët akuzuan gjyqtarin, por patën sërish probleme për shkak të ish-kapitenit Ikardi.

Nuk mund të kalojë kohë të qeta kjo skuadër. Himni thotë se Interin “e çmendur” duhet ta dashurosh, por për tifozët kjo dashuri ka gjithnjë dozën e madhe të vuajtjes.

Tronditja e radhës erdhi në ndeshjen e Serisë A, të barazuar 3-3 në fushën e Fiorentinës, me golin e fundit të vendasve që erdhi në minutën e 101-të, dhe që është rrjeta më e vonshme e shënuar në kampionatin italian, të paktën që kur nisën të mbahen statistikat në vitin 2004.

Ishte penalltia e dhënë kundër Interit që shkaktoi polemika. Pamjet filmike treguan se D’Ambrozio nuk e preku topin me dorë, por gjyqtari Abiso nuk preferoi as të këshillohej me VAR-in.

“La Gazetta dello Sport” bën lojë fjalësh me mbiemrin e gjyqtarit Abiso: Inter, një greminë zemërimi! Penallti për vjollcët në minutën e 101-të, shpërthen Spaleti!

“Vetëm një i intoksikuar mund të thotë se D’Ambrozio e preku topin me dorë, – ishin fjalët e trajnerit të Interit, Luçiano Spaleti, – Ai e preku topin me gjoks. VAR-i prandaj ekziston që ta ndihmojë arbitrin, por ai nuk e kërkoi ndihmën e tij. Një penallti e tillë dëmton gjithë sezonin”.

Gjyqtari pati standard tjetër në dy momente të tjera, kur u këshillua me VAR-in, herën e parë për t’i dhënë penallti Interit, dhe herën e dytë për të anuluar një gol të Fiorentinës.

Zikaltërit pësuan gol shpejt, por reaguan duke arritur kryesimin deri në 3-1. U duk se ndeshja do të fitohej, por Muriel shënoi një gol të madh për Fiorentinën, duke rihapur sfidën, ndërsa në fund u dha 11-metërshi shumë i diskutuar. Gjithsesi, edhe në Firence pati një episod që shkaktoi polemika.

Politano festoi si Ikardi pasi shënoi golin e dytë, dhe kroati Perishiç, një nga ata që nuk shkonte mirë me ish-kapitenin, ia prishi festimin duke i thënë disa fjalë. Nuk mungoi reagimi i gruas dhe menaxheres së Ikardit, Uanda Narës, e cila reagoi në televizion dhe në rrjetet sociale.

“Sa padrejtësi për Ikardin! Po trajtohet sikur të ishte një monstër!”, – ishin fjalët e saj.

Administratori i deleguar sportiv i Interit, Bepe Marota, gjithsesi, tregohet i qetë.

“I kemi ofruar kontratën e re Ikardit, – u shpreh ai, – nuk është se ka ndonjë afat, por presim përgjigjen e tij. Kemi biseduar me Uandën”.

Për sulmuesin argjentinas dhe mendimin e tij, gjithnjë me peshë, edhe Luçiano Moxhi.

“Besoj se Ikardi do të shkojë tek Juventusi, – u shpreh ish-drejtuesi i lartë juventin, i dënuar prej vitesh, – të ishte për mua, nuk e merrja edhe sikur të ma jepnin falas”.

Me probleme në fushë dhe jashtë saj, sezoni i Interit duket tepër i vështirë, dhe skuadra zikaltër rrezikon të humbasë vendin e tretë në favor të Milanit, madje edhe zonën Champions, nëse arrihet nga Roma./abcnews.al

liverpul-mancester.jpg
ent ela19:30 | 24/02/2019

Përfundon në barazim pa gola ndeshja kryesore e kampionatit anglez, mes Mançester Junajtidit dhe Liverpulit. Në stadiumin “Old Traford” pati pak emocione dhe shumë dëmtime

Pritej krejt tjetër gjë nga ky duel. Anglia, madje edhe gjithë Europa, mbajti frymën për të ndjekur kryendeshjen e Premier Ligës, mes Mançester Junajtidit e Liverpulit, por pa asnjë dyshim, më së shumti pati zhgënjim.

Asnjë gol në stadiumin “Old Traford” të mbiquajtur “Teatri i Ëndrrave”, që u kthye papritur në një infermieri gjigande.

Junajtid u detyrua të bënte të tre ndërrimet në pjesën e parë për shkak të dëmtimeve të Ander Herrerës, Huan Matës e Xhesi Lingardit, ndërsa miqtë nxorrën nga fusha Roberto Firminon, po të dëmtuar.

Mbizotëroi frika dhe loja taktike në atë që shpresohej të ishte një spektakël, me vetëm katër gjuajtje që arritën në kuadratin e të dyja portave.

Liverpuli e deshi më shumë fitoren, dhe e mbajti topin 65 për qind, po ashtu bëri më shumë pasime, si dhe ekzekutoi dyfishin e goditjeve nga këndi.

Gjithçka pa dobi, sepse as skuadra e trajnerit Klop nuk guxoi aq sa për të fituar, dhe as ajo e Solskjerit nuk hoqi dorë nga mbrojtja me shumë lojtarë prapa.

As aktivizimi I Xherdan Shaqirit nuk e ndryshoi gjendjen, me shqiptarin e Zvicrës që mori karton të verdhë.

Barazimi në “Old Traford”, gjithsesi, nuk mund të quhet rezultat i keq për Liverpulin që u ngjit në krye të renditjes me 66 pikë, një më shumë sesa Mançester Siti.

Shpresa është që edhe skuadra e Guardiolës të ndalet në derbin me Junajtidin, ndryshe gara për titull do të bëhet shumë e vështirë./abcnews.al

MILANI-BARAZON-ME-LAZION.mpg_snapshot_01.14-1280x720.jpg
G. P.22:45 | 25/11/2018

Milani shpërdoron dy pikë me Lazion pasi nuk ia doli të mbrojë avantazhin. Lazialët barazuan në limitet e kohës së rregullt. Ndërkohë që zhgënjen edhe skuadra e Napolit që nuk i’a doli të fitojë me Kievon.

Milani shpërdoron dy pikë. Kuqezinjtë nuk ia dolën të ruanin avantazhin ndaj Lazios në takimin që u mbyll në barazimm 1-1. Pjesa e parë ishte e balancuar me skuadrat që tentoni herë pas here të shënonin. Pjesa e dytë ishte agresive nga të dyja skuadrat që kërkonin me ngulm tre pikët. Në minutën e 78, Calabria i shpëton mbulimit të mbrojtjes laciale, pason për Kessi i cili nuk mendohet dy herë duke goditur drejt portës. Topi devijohet nga prapavija e Lacios dhe Strakosha nuk eviton dot golin e Milanit. Kur mendohej se sfida po shkonte drejt përfundimit, në skenë shfaqet Correa. Sulmuesi godet në vështirësi me topin që shkon drejt e në rrjetë. Sfida mbyllet në barazim 1-1 dhe Milani nuk ia doli të kalojë në vendin e katër në tablën e klasifikimit.

Zhgënjen edhe skuadra e Napolit që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Kievos së vendit të fundit. Bardhekaltërit e shohin veten plot 7 pikë nga Juventus i vendit të parë. Skuadra e teknikut Ançeloti shpërdoroi shumë raste në këtë takim. Në minutën e 7 ishte Kajehon ai që pati mundësinë të kalonte në avantazh vendasit, por goditja e spanjollit përfundoi jashtë kuadradit.

Është sërish i njëtji lojtar në minutën e 42 që tenton të zhbllokojë rezultatin, por Sorrentino tregohet i vëmendshëm. Në të 48 minutë është radha e Insinjes të humbasë një rast të pabesushëm në limitet e pozicionit jashtë loje. Napoli nuk ka çfarë të humbasë dhe tenton në minutën e 88 me anë të mbrojtësit Kulibali, goditja e të cilit shkon fare pranë kuadradit. Ndeshja mbyllet në barazim 0-0 dhe Napoli shpërdoron dy pikë të arta. Ndeshja katastrofale për Atalantën e Etrit Berishës që u mposht nga Empoli me shifrat 3-2. Berisha luajti titullar dhe u detyrua të nxjerrë topin plot 3 herë nga porta e tij./abcnews.al

KUKESI-TEUTA-BARAZIM.mpg_snapshot_00.15-1280x705.jpg
G. P.22:13 | 12/11/2018

Kukësi nuk arriti më shumë se një barazim me Teutën, në ndeshjen e Superligës luajtur në “Selman Stërmasi”. Veriorët humbën një tjetër mundësi për të qendruar pranë kreut.

Plot tri ndeshje pa fitore, dhe zbritje në renditje. Kukësi nuk doli dot më shumë se barazim me Teutën, në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe mbeti në vendin e pestë në Superligë, duke humbur shansin për të qenë I treti. Nuk është një rënie dramatike, pasi skuadra e trajnerit Cungu ka 21 pikë pas 13 javëve, dhe është vetëm 1 pikë larg Teutës e Laçit, por golat dhe fitoret janë shumë të vështira për kuksianët. E vërteta është se ekipi që quhej vendas ishte gjatë gjithë kohës në sulm, duke dominuar me lojë, por pa qenë i saktë para portës.

Madje pati protesta për një rrjetë të realizuar nga Rezhinaldo në pjesën e parë, kur ishin në avantazh durrsakët. Goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pamjet me përsëritje treguan se ai mund të cilësohej i rregullt. Teuta u tregua cinike, duke realizuar në një nga aksionet e pakta, sërish me goditje dënimi, ashtu siç bëri edhe ndaj Flamurtarit. Përpjekjet e Kukësit sollën vetëm barazimin, menjëherë pas pushimit, por jo më shumë se kaq. Këtij ekipi i mungon diçka, dhe pyetja është çfarë.

Trajneri Cungu mendon se dëmtimet kanë prishur ekuilibrin dhe kanë ndryshuar skemat e lojës, ndërsa tek lojtarët ka presion të madh për rezultatin. Duket se këtë vit nuk mund të plotësohet dëshira e presidenti Gjici për të luftuar për titull, ndërsa duhen bërë mirë llogaritë me Teutën, Laçin dhe Flamurtarin për kualifikim në Ligën e Europës./abcnews.al

KOSOVA-DEL-BARAZIM.mpg_snapshot_00.11-1280x662.jpg
G. P.21:17 | 14/10/2018

Kosova nuk arriti më shumë se një barazim në ndeshjen në Ishujt Faroe për Ligën e Kombeve. Gjithsesi, kryesimi në grup nuk u rrezikua, pasi edhe Azerbajxhani barazoi me Maltën.

Nuk mjaftoi një gol i shkëlqyer. Kosova tregoi gjithë mungesën e përvojës duke barazuar një ndeshje të lehtë në letër, por të vështirë praktikisht në fushë. Ishujt Faroe morën një barazim të merituar 1-1 dhe teorikisht kanë shpresa për kualifikim në grupin 3, të nivelit D të Ligës së Kombeve. Golit të Rashicës që në minutën e 9-të, vendasit iu përgjigjën me rrjetën e Rene Jënsenit me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 50-të. Të dyja skuadrat luftuan fort dhe iu afruan portave përkatëse, por duke mos arritur të shënonin gol tjetër.

Edhe pse rezultati 1-1 mund të quhet hap i gabuar i formacionit të trajnerit Bernar Shaland, sërish nuk është për t’u hedhur poshtë. Ishujt Faroe kishin barazuar 1-1 në fushën e Azerbajxhanit, pra nuk mund të thuhet se është ekip edhe aq i dobët, për më tepër, ka lënë prapa Maltën në renditje duke e mundur 3-1. Në këtë grup, përfundoi në barazim 1-1 edhe ndeshja tjetër, ajo mes Azerbajxhanit e Maltës, dhe kryesimi i Kosovës nuk u rrezikua të paktën për momentin. Skuadra tjetër shqiptare ka 8 pikë pas 4 ndeshjeve, ndaj 6 të Azerbajxhanit, që është rivali më i afërt. Ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, Kosova do ta ketë në fushën e Maltës, në 17 nëntor./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono