banka boterore

edi-rama-1.jpg
G. P.12:24 | 01/05/2019

Në ditën e punëtorëve, kryeministri Edi Rama zgjodhi të komentojë raportin e Bankës Botërore.

Nga rrjetet sociale ai shkruan se në vitin 2018 Shqipëria ka krijuar më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që u krijuan vjet në rajon. Më tej ai thekson se papunësia në vend ka rënë me 6% që kur Partia Socialiste mori detyrën të udhëhiqte vendin.

“Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka krijuar në vitin 2018 më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që u krijuan vjet në rajon!Papunësia ka rënë më shumë se 6% qysh se morëm detyrën. Akoma shumë për të bërë, po askush s’ka bërë dhe s’bën dot kurrë sa ne”, shkruan ai në Twitter.

Ndërkohë më herët, në urimin e tij për ditën e punëtorëve, Presidenti i Republikës Ilir Meta në një postim në Facebook theksoi se vendi ka end enjë nivel të papranueshëm papunësie.

“Fatkeqësisht, Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar”, shkruante ai./abcnews.al

BANKA-BOTERORE-PER-LEHTESIMIN-E-TRANSPORTEVE.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela13:37 | 19/04/2019

Shqipëria përfiton 20 milion dollarë nga projekti i ri i Bankës Botërore. I miratuar sot nga bordi i drejtorëve të Bankës Botërore, ky projekt me vlerë 90 milion në fazën e pare, parashikon të zvogëlojë kohën dhe koston e tregtisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pritja në kufi i kushton jo pak por 26 milionë orë në vit këtyre kamionëve. Këto përllogaritje janë bërë nga Banka Botërore.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore: “Vonesat në pikat e kalimit kufitar në Ballkanin Perëndimor janë pesë herë më të gjata se në shumë vende të Bashkimit Evropian dhe çdo vit kamionët shpenzojnë deri në 26 milion orë në pikat e kalimit kufitar në rajon, pra thuajse 3000 vjet”.

Për të shmangur këto kosto, Banka botërore ka hartuar Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor  e miratuar këtë të premte nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore.

Ky projekt do t’u sigurojë tre pjesëmarrësve rajonalë nga Ballkani Perëndimor gjithsej 140 milion $, ku në fazën e parë sigurohet financim për Serbinë (40 milion $), Maqedoninë e Veriut (30 milion $) dhe Shqipërinë (20 milion $). Parashikohet t’i ulë kostot vjetore të import-eksportit me më shumë se 10 për qind.

Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor mund të eksportojnë pa tarifa në Bashkimin Evropian, vetëm 10-20 për qind e firmave të këtij rajoni janë eksportues.

Në Shqipëri 87 për qind e firmave shqiptare shesin vetëm në tregun vendas, 10 për qind eksportojnë në BE dhe vetëm 3 për qind shesin në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky projekt synon ta rrisë tregtinë rajonale nëpërmjet zvogëlimit të masave jotarifore, kohës së nevojshme për zhdoganim dhe kostove të përgjithshme të tregtisë.

Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së mallrave në këtë rajon nëpërmjet zbatimit të një sistemi me një sportel unik kombëtar.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore: “Nëpërmjet përmirësimit të infrastruktures, futjes së teknologjive të reja dhe rritjes së bashkërendimit mes institucioneve, ky projekt do ta nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike në mbarë rajonin,”

Projekti parashikon të sjellë edhe përfitime mjedisore duke ulur edhe çlirimet e gazeve serrë me thuajse 30.000 ton. /abcnews.al

 

fmn.jpg
G. P.11:52 | 15/04/2019

“Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë masat për të reduktuar kreditë me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare”.

Janë këto kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që iu adresuan Guvernatorit Gent Sejko në mbledhjet që u zhvilluan në Uashington.

“Shqipëria duhet të vazhdojë reformat strukturore dhe të përmirësojë klimën e biznesit”, nënvizuan përfaqësuesit e institucioneve më të larta financiare, sipas të cilëve është shumë i rëndësishëm edhe bashkërendimi në vazhdimësi i politikës monetare me atë fiskale.

Në këtë mënyrë ndihmohet forcimi i stabilitetit makroekonomik të vendit dhe sigurohet rritje ekonomike afatgjatë./abcnews.al

banka-boterore.jpg
G. P.10:50 | 02/04/2019

Banka Botërore vlerëson se situata politike në vend dëmton klimën e biznesit. Banka parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike për vitin 2019.  Banka Botërore vlerëson se këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet me 3.8%, në ndryshim me parashikimet e qeverisë e cila pret një rritje në nivelin 4.3%.

Arsyet se përse ekonomia kombëtare po ngadalësohet lidhet me uljen e fuqisë prodhuese të disa sektorëve, kryesisht energjia elektrike, por dhe rënia e investimeve të huaja. Bashkangjitur kësaj panorame, ekonomistët e Bankës Botërore thanë se nëse situata politike vazhdon e tensionuar dhe duke patur parasysh edhe situatën me recesionin në Itali, ajo do të ulë më tej pritshëmritë për rritjen ekonomike.

Banka Botërore shfaqi shqetësim lidhur me detyrimet e prapambetura të krijuara gjatë vitit 2018-ë nga ana e qeverisë, ndërsa i konsideron këto pagesa, bashkë me disa kontrata në partneritet publik – privat se mund të cenojnë konsolidimin fiskal të vendit. Vlerësimi i saj për borxhin publik plus detyrimet është 68.6% e prodhimit kombëtar, ndryshe nga parashikimi i qeverisë se në fund të 2018-s niveli i borxhit është 66.6%.

Ekspertët e Bankës Botërore janë duke punuar me qeverinë për një projekt i cili do të monitorojë kontratat koncesionare dhe do të analizojnë se cila prej tyre është duke funksionuar. Banka kërkoi reforma në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e reformave sidomos në fushën e rritjes së cilësisë së arsimit. Përgjatë këtij viti 6 vendet e rajonit do të kenë rritje ekonomike 3.7%, rritje më e lartë se ekonomia e BE-së, por më e ulët se një vit më parë./abcnews.al

tirana-3.png
G. P.15:42 | 31/10/2018

Shqipëria është ngjitur në vendin e 63 në klasifikimin e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”, duke lëvizur me dy vende krahasuar me një vit më parë. Megjithkëtë vijon të mbetet në vendin e parafundit në rajon.

Shqipëria është renditur në vendin e 63 nga 190 shtete për lehtësitë e të bërit biznes. Në raportin “Të bësh biznes 2019” të Bankës Botërore vendi ynë krahasuar me një vit më parë është përmirësuar me dy pozicione,  megjithkëtë vijon të mbetet i parafundit në rajon ku e para qendron  Maqedonia që gjithashtu renditet e 10-ta në botë dhe e fundit Bosnje Hercegovina e 89-a në botë. Sa i përket vendit tonë, raporti i Bankës Botërore thekson se zbatimi i kontratave është bërë më i lehtë përmes amendimit të Kodit të Procedures Civile dhe procedurava me te thjeshtuara ne gjykata. Pozitivisht Banka Botërore vlerëson mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve ku renditemi të 26-t, tregtinë përtej kufijve ku mbajme vendin e 24 dhe zgjidhjen e paaftësisë paguese e 39-a.

Ndersa treguesit ku Shqipëria  paraqitet më keq janë marrja e lejeve të ndërtimit, ku mbajme vendin 151, sigurimi i energjisë elektrike në vend të 144 dhe pagimi i taksave në vend të 122. Sipas “Të bësh biznes 2019” pothuaj të gjitha ekonomitë e rajonit kanë kryer reforma që kanë ndihmuar krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e sipërmarrjeve private. Këto vende kanë paraqitje më të mirë në treguesit e rregjistrimit të pasurisë dhe mbrojtjes së investitorëve të vegjël. Mesatarisht për të përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara për transferimin e pasurisë duhen 20 ditë. Projekti, i cili ka filluar të zbatohet në vitin 2002, fokusohet tek komanitë e vogla dhe të mesme dhe mat rregullat që zbatohen mbi to gjatë ciklit të tyre të jetës. Përmes analizave sasiore nxit ekonomitë që të konkurrojnë drejt rregulloreve më eficiente, ofron matës për reformat si dhe shërben si një burim informacioni për të interesuarit. Vendi më lehtësi më të madhe për të bërë biznes është Zelanda e re, e ndjekur nga Singapori, Danimarka ndersa vendi i fundit eshte Somalia./abcnews.al

BB-PER-INVESTIMET-E-HUAJA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
G. P.17:35 | 14/10/2018

Banka Botërore nuk është optimiste në lidhje me investimet e huaja në Shqipëri. Sipas këtij intitucioni të rëndësishëm financiar pritet që në fund të këtij vitit dhe gjatë vitit të ardhshëm këto lloj investimesh të jenë në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit. Banka Botërore vlerëson se përfundimi i investimeve në veprat e prodhimit të energjisë është shkaku kryesor për tkurrjen e investimeve të huaja në vendin tonë.

Banka Botërore parashikon që investimet e huaja në Shqipëri do të zbresin në fund të vitit dhe gjatë 2019-s në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit, nëse maten me indeksin “investime në raport me prodhimin e brendshëm bruto”. Investimet e huaja në vendin tonë do të arrijnë 7.3% e prodhimit kombëtar në fund të 2018-s, ndërsa vitin e ardhshëm stoku i tyre do të jetë 6.5%.

Në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore shprehet se përfundimi i investimeve në veprat e prodhimit të energjisë është shkaku kryesor për tkurrjen e tyre.
Sipas llogaritjeve të Bankës, Shqipëria renditet mes vendeve të Ballkanit që kanë nivelin më të ulët të investimeve të huaja për frymë. Më të lartën e ka Mali i Zi në 6700 euro për frymë, i ndjekur Serbia në 3700 euro, ndërsa shtetet e tjera përfshirë dhe vendin tonë nuk arrijnë të kapin më shumë se 2000 euro investime për frymë.

Edhe pse shumë vende të Ballkanit Perëndimor po përdorin poltika përjashtuese për taksat për thithjen e investimeve të huaja, vetëm një në 5 investitorë i konsideron incetivat si të rëndësishme, pjesa tjetër sheh si prioritet stabilitietin politik, sigurinë, zbatimin e ligjit, infrastrukturën dhe krahun e punës, thotë raporti. Në vitin 2017 investimet e huaja në Shqipëri kapën shifrën e 908 milionë euro, të dominuara nga energjia elektrike, gazi dhe industria nxjerrëse./abcnews.al

elton-haxhi.png
G. P.19:27 | 04/10/2018

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi ishte i ftuar në ABC News për të folur lidhur me raportin e publikuar nga Banka Botërore për rritjen ekonomike të vendit, por dhe për Eurobondin.

Sipas Haxhit, fakti që Banka Botërore e korrigjoi parashikimin për rritjen ekonomike të vitit 2018 tregon që reformat janë të suksesshme.

“Fakti që Banka Botërore e korrigjoi parashikimin për rritjen ekonomike të vitit 2018 tregon që reformat që qeveria ka ndërmarrë prej shumë vitesh tashmë janë të suskseshme dhe kjo mbështetur në disa indikatorë të tjerë siç është rritja në punësim, e cila është fakt që Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ka pasur një rritje në pjesëmarrjen në punë. Kemi një rritje 4.1% dhe norma më e lartë e punësimit në Ballkanin Perëndimor. Këto të dyja tregojnë që kemi një përmirësim në të gjitha aspektet shoqëruar kjo dhe me ulje të borxhit publik, që parashikohet dhe kjo që të ulet për herë të parë nën shifrën 70% dhe tregon një ekonomi të shëndoshë dhe një perspektivë të mirë në terma afatmesëm”, u shpreh Harxhit.

Përsa i përket eurobondi, Haxhi tha se “i tejkaloi pritshmëritë e opinionit publik më tepër sepse pritshmëritë në qarqet e Ministrisë së Financave ishin që të arrinim një sukses në këtë emetim pasi gjithë reformat që janë ndërmarrë në vitet e fundit do të jepnin një efekt në perceptimin e investitorëve për këtë instrument financiar”./abcnews.al

BANKA-BOTERORE-PER-SHQIPERINE-1280x720.jpg
ent ela14:09 | 04/10/2018

Banka Botërore në raportin e saj për Shqipërine sugjeron ndër të tjera veprime dhe politika lokale, kombëtare dhe globale me qëllim thyerjen e ciklit të varfërisë. Në këtë raport, Banka Botërore ka vlerësuar reformat për rritjen ekonomike, duke e cilësuar si hap mjaft të mirë marrjen e borxhit eurobond prej 500 milionë eurosh.

Shqipëria parashikon Banka Botërore do ta mbyllë vitin me një rritje ekonomike prej 4%. Gjatë prezantimit të raportit për vendet e Ballkanit Perëndimor ekspertët e institucionit ndërkombëtar financiar vlerësuan ecurinë pozitive të te gjithe komponenteve.

Rritja ekonomike vunë në dukje ekonomistët e Bankes Botërore është shoqëruar me rritje të vendeve të punës dhe rënie të papunësisë.

“Punësimi është rritur me 4% në gjysmën e parë të 2018, kryesisht  në sektorin e shërbimeve. Kjo vijon prej disa vitesh. Ka nxitur pjesëmarrjen në forcat e punës, papunësia është ulur në 12.4%  në fund të tremujorit të dytë duke arritur minimumin historik prej disa vitesh“.

Banka Botërore vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria për rritjen ekonomike dhe në të njëjtën linjë sheh edhe marrjen e eurobondit prej 500 milionë eurosh me një interes prej 3.55% në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

 “Emetimi i Eurobondit në të njëjtën linjë me zgjatjen e maturimit të borxhit dhe uljen e normës interesit qe paguajmë në total për borxhin publik. Pjesëmarrja në tregjet e huaja flet për ecuri pozitive të ekonomisë”.

Megjithëkëtë Shqipëria mbetet një nga vendet me borxhin më të lartë publik dhe ekonsomistët e Bankës Botërore i bëjnë thirrje qeverisë të rendisë ndër pritoritet e saj konsolidimin fiskal, të racionalizojë shpenzimet publike dhe të bëjë kujdes nga rreziqet që sjell partneriteti publik privat. Në këtë pike Banka Botërore tërheq vëmendjen.

“Qëndrimi ynë në një linje me atë të FMN. Partneriteti publik privat është një mënyrë për të ekzekutuar një program publik. Ne mendojmë që perdorimi i propozimeve të pakërkuara është pak më i lartë se duhet të jete. Ky ka qenë dialogu me Ministrin e Financave, sesi ta përdorin këtë instrument më mirë“.

Sa i përket ofertës së kompanisë serbe të telefonisë Telekom Serbia për të qenë pjesë e tregut shqiptar të telefonisë ekonomistët e Bankës Botërore thonë se transaksionet ndjekin rregullat e tregut, ndërkohë që apelojnë për monitorim rigoroz nga autoritetet vendase. /abcnews.al

 

BANKA-BOTERORE-RAMA-1280x720.jpg
ent ela12:41 | 04/10/2018

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Kryeministri Rama shprehet se Banka Botërore në raportin e ekonomisë për rajonin, vendos theksin mbi rritjen e punësimit në Shqipëri, falë rritjes ekonomike!

Shefi i qeverisë iu drejtohet me një pyetje të gjithë atyre që pretendojnë të kundërtën.

“Kjo ngre pyetjen për të gjithë helm-nxjerrësit realë e digjitalë: Të jetë edhe Banka Botërore jashtë realitetit vallë?”- shkruan kryeministri Edi Rama. /abcnews.al

 

VDEKSHMERIA-FOSHNJORE-1280x720.jpg
ent ela15:48 | 20/09/2018

Banka Botërore e rendit vendin tone te dytin ne rajonin e Ballkanit për humbjet e jetëve tek fëmijët nën pesë vjeç. 8.8 vdekje për 1 mijë lindje peërllogariti institucioni ndërkombëtar nivelin e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri për vitin që lamë pas.

Shqipëria mban vendin e dytë në Ballkan për humbjet e jetëve të fëmijëve nën pesë vjeç.  Vdekshmëria foshnjore vitin  e shkuar sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore rezulton në 8.8 vdekje për 1 mijë lindje.

Më problematike në këtë drejtim paraqitet Maqedonia me 13. 7 vdekje për 1 mije lindje, ndërsa më mirë paraqitet Mali i Zi me 3.5 humbje jetësh për 1 mijë bebe.

Megjithëkëtë Banka Botërore vëren se në dekadat e fundit vdekshmëria tek fëmijët dhe adoleshentët është reduktuar.

Mes viteve 1990 dhe 2017, niveli i humbjeve të jetëve tek fëmijët nën pesë vjeç u ul me 58 % nga 93 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në 39 vdekje për 1,000 lindje të gjalla.

Shanset për mbijetesë varen shumë se ku lindin fëmijët, ndërsa muaji i parë i jetës konsiderohet periudha më e rrezikshme.

Banka Botërore vë në dukje se shumica e bebeve humbin jetën për shkaqe të parandalueshme ndërkohë që për të minimizuar fenomenin sugjeron qasje universale në shërbime shëndetësore cilësore dhe të përballueshme nga të gjithë veçanërisht gjatë kohës së lindjes dhe gjatë viteve të hershme. /abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono