balluku

MANASTRILIU-BALLUKU-URGJENCA-E-RE-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela12:32 | 18/09/2019

Falë një investimi prej 5 milionë lekë, rreth 25 mijë pacientë do të marrin shërbim me standarde bashkëkohore në Urgjencën e re në Spitalin Francez në QSUT. Gjatë inspektimit nga afër ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministrja Belinda Balluku theksuan se investime të tilla do të vijojnë edhe në spitale të tjera të vendit.

Investimi në Urgjencën e re të Spitalit Francez në QSUT do t’u ofrojë shërbime me standarde bashkëkohore për 25 mijë pacientë.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa panë nga afër investimin e ri.

Manastirliu: “Fokusi ynë është tek përmirësimi i shërbimit të urgjencës, jo vetëm në QSUT por në të gjitha spitalet tona. Punët bëhen më mirë dhe më shpejt kur bëhemi bashkë, ndaj jam shumë e kënaqur që shohim sot një urgjencë me kushte bashkëkohore, falë përgjegjësisë sociale dhe solidaritetit, që sikundër AlbControl, duhet të kenë të gjithë institucionet publike dhe jopublike”.

Balluku: “Kjo është hera e tretë që unë vij në QSUT për të inspektuar projektet  e përgjegjësisë sociale që Albcontrol ka zhvilluar këtu. Të gjitha kompanitë, qofshin këto shtetërore dhe ato private, të cilat kanë buxhete të konsiderueshme dhe fusha e tyre e biznesit është e gjerë në Shqipëri,  do t’i bëja thirrje, që të kontribuojnë në mënyrën e tyre edhe në një mënyrë modeste. Unë i kam kërkuar të gjitha ndërmarrjeve të tjera të varësisë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjensive,  që të kontribuojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur një shembull të mirë, një shembull komunitar dhe kështu  të investojnë sërish në shëndetësi”.

Shërbimi i urgjencës në spitalin Francez një investim prej 5 milionë lekësh është një shërbim që mbulon tre specialitete: ORL, Okulistikë dhe Oro-Maxillo-Facial.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale investimet për modernizimin e QSUT do të vijojnë me projektet madhore, siç është përfundimi i spitalit të ri kirurgjikal, ndërtimi i  spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe fillimi i punimeve për zgjerimin e Pediatrisë. /ABC News Albania 24/7

 

BALLUKU-NAFTA-SINKRON_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela12:12 | 21/08/2019

Ministria e Energjetikës ka bllokuar sot 550 tonë naftë për cilësi të dobët. Ministrja Belinda Balluku deklaroi nga Ballshi se nuk do të tolerohet asnjë biznes që abuzon me standardet në fushën e hidrokarbureve.

550 ton karburant në rafinerinë e naftës në Ballsh të Fierit, u bllokua dhe nuk do të hidhet në treg për mosplotësim të standardeve të cilësisë.

Zbulimi u bë përmes një laboratori të lëvizshëm që analizon mostrat e karburantit në 30 minuta deri në 1 orë.

Rezervuari i bllokuar dhe karburanti nuk do të hidhet në treg, por do të vazhdojë për përpunim të mëtejshëm. Do ketë përsëri kontroll dhe nëse do të përmirësohet cilësia do të lejohet për treg.

“Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial në vijim të detyrës inspektuese për kontrollin e cilësisë dhe standardeve për respektimin e kërkesave ligjore në vijim të kërkesës për certifikimin e produktit 550 ton në depozitën G46 pas analizimit ka rezultuar me shmangie të treguesve cilësorë dhe nuk respekton kërkesat SSHEN590. Në treguesit numri i cetanit 45.9 nga 51 që është minimum i standardit. Indeksi i cetanit në 45.5 nga 46 që është edhe minimumi i standardit. Në këto kushte ISHTI ka vijuar me bllokimin e rezervuarve. Në këto kushte produkti nuk mund të hidhet në treg, por do të vazhdojë për ripërpunim të mëtejshëm. Kur të arrihen kushtet do ët hidhet në treg” .

E pranishme në këtë aksion ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikë, Belinda Balluku. Ajo tha se ishte vetë subjekti që kërkoi kontroll, me qëllim çertifikimin e produktit.

“Lufta kundër informalitetit është frontale, informaliteti cilesor është po aq i rrezikshëm dhe i demshëm sa informaliteti fiskal. Ministria po kryen kontrolle të befasishme në të gjitha subjektet, në te gjithë territorin. Nuk kemi lënë asgjë për në shtator, po punojmë çdo ditë duke analizuar gjithë cilësinë ne treg, duke krijuar edhe raste shembujsh, për të qenë të qarte që nga kjo luftë nuk do shpëtojë asnjë subjekt dhe nuk përbën për ne asnjë lloj problematike emri i subjektit se sa i madh apo i vogël është”.

Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial ka ditë që ka ndërmarrë aksione në biznese të ndryshme përsa i përket cilësisë dhe standardeve të produkteve që hidhen në treg.

/ABC News Albania 24/7

BALLUKU-TEK-RRUGA-E-ARBRIT.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela13:20 | 02/08/2019

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektoi punimet që po kryhen në Rrugën e Arbrit. Problemet e krijuara nga rrëshqitja e tokës sipas ministres do të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe rruga do të jetë gati para afatit të parashikuar.

Qeveria synon që Rruga e Arbrit të jetë e hapur për qarkullimin e mjeteve para afatit të parashikuar në kontratë, pavarësisht problemeve të hasura gjatë zbatimit të projektit.

Përbërja gjoelogjike e nëntokës ka krijuar rrëshqitje në zonën ku po ndërtohet tuneli i Murrizit duke krijuar vonesa në ecurinë e punimeve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shkoi për të inspektuar ecurinë e punës.

“Pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton që rrëshqitja është mbi 60 metër. Dhe kjo pastaj na detyroi që ta ndalonim në hyrje, të kalonim, për të mos lënë ritmet këtej nga dalja, dhe jemi në përfundim të investigimeve dhe besoj shumë shpejt, punë ditësh do t’i dalim Ministrisë me propozimin e një apo dy varianteve të cilat do të vlerësohen sesi mund të zgjidhen”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë beson se zgjidhja që do t’i jepet këtij shqetësimi do të jetë me e favorshmja.

 “Përsa kohë marrim vendime, të cilat do të jenë të bazuara në fakte teknike, sigurisht zgjidhja do jetë e mirë. Është një zgjidhje komplekse. Nuk e vëmë në dyshim që do na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit dhe shpresojmë që rezultatet që do dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jenë rezultate të cilat na japin një zgjidhje që nuk do na marri shumë kohë. Megjithatë, siç ju thatë, ne kemi një plan B për krijimin e një bypass-i mbi këtë tunel në rast se nuk do kemi mundësi për të proceduar më tutje”.

Pavarësisht problematikave inxhinierët e kompanisë ndërtuese premtojnë se tuneli do të ndërtohet sipas afateve të parashikuara më herët. /ABC news Albania 24/7

vlora-terminal-1280x716.jpg
ent ela13:40 | 22/07/2019

Ministrja e Transportit Belinda Balluku inspektoi sot terminalin e ri të Portit të Vlorës, i cili ka nisur funksionin me kapacitet të plotë. Balluku tha se ky është një investim që do të sigurojë standarde në udhëtim.

Terminali i ri i Portit të Vlorës, i cili është gati prej dy javësh ka marrë 215 milionë lekë. Ministrja e Transporteve Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim cilësor dhe mundësi për evitim radhësh të pasagjerëve në kohë fluksi.

Balluku u ndal edhe tek  funksionimi i linjës Vlorë-Brindizi dhe anasjelltas. Ky shërbim kryhet nga njeë kompani, dhe për ministren e cila tha se ka pritur shqetësimet e udhëtarëve, duhet të ndryshojë. Ajo kërkoi konkurencë dhe ka ftuar kompani lundrimi për këtë linjë.

Aktualisht Porti i Vlorës nuk është rehabilituar plotësisht. Kjo për shkak të problemeve financiare të kompanisë që po kryen punimet. Balluku premtoi se do ketë një zgjidhje.  Në këtë sezon turistik përmes rrugës detare nga Vlora hynë në Shqipëri 20 përqind më shumë pushues se sezonin e kaluar. /ABC News Albania 24/7

BALLUKU-NE-AKSIN-KARDHIQ-DELVINE.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
ent ela13:05 | 29/06/2019

Punimet në tre lotet e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë avancuar në 60 përqind të tyre. Kjo është një garanci se kjo vepër do të jetë gati para afatit të parashikuar është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve.

Kanë qenë të shumta problematikat e shfaqura për shkak të terrenit ku shtrihet rruga Kardhiq Delvinë. Sot duket se kanë marrë zgjidhen e duhur teknike duke e bërë optimiste ministren e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku se aksi do të përfundojë para afatit.

“Ecuria e punimeve në lotin 5  në rrugën Kardhiq-Delvinë duket se po shkon mirë. 60 përqind e volumit të punimeve ka avancuar. Kryesisht kemi përfunduar pjesën e gërmimeve qoftë për trasenë e rrugës e cila është gati edhe qoftë për krijimin e veprave të artit. Problematikat këtu i kemi diskutuar dhe terreni është i vështirë për të thënë të drejtën, ka pasur edhe rrëshqitje në disa nga rastet megjithatë po bëhet një punë e mirë e cila na jep shpresë se ndoshta do mbarojmë edhe para afatit”.

Nga ana e saj drejtoresha e Autoritetit Rrugor Sonila Qato theksoi se Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka dhënë zgjidhje teknike për të gjitha problematikat e paraqitura nga ana e supervizorëve.

“Kemi diskutuar të gjitha problematikat që kanë pasur të trijalotet të cilat janë duke punuar, si loti 4,5 dhe 6, për të korrigjuar ato defekte të paraqitura nga ana e supervizorit dhe për t’u riprojektuar siç duhet dhe marrë masat në mënyrë që vepra të eci me të njëjtat ritme dhe gjatë kësaj periudhe të thatë kohore ku punohet me ritme të mira të treja kompanitë të kenë mundësi të ndjekin grafikun e punimeve të miratuara”.

Krahas ndërtimit të rrugës po punohet edhe për rehabilitimin e depozitimeve të inerteve me standardet e TAP ndërsa është bërë e mundur edhe lidhja e fshatrave që shtrihen përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë me rrugën e re. /ABC News Albania 24/7

 

BALLUKU-GABINAT-NE-SARANDE-ABCM1T1.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela12:30 | 26/06/2019

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën me dije se investimet e realizuara për ndërtimin e fiderave të rinj dhe kabinave elektrike në Sarandë do të bëjnë të mundur energji elektrike pandërprerje gjatë sezonit turistik.

Saranda do të ketë të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike gjatë sezonit turistik, falë ndërtimit të 3 fiderave të rinj dhe disa kabinave elektrike. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër investimin prej afro 700 milionë lekësh dhe theksoi rëndësinë e tij që jep në turizëm.

“Është shumë e rëndësishme që gjatë sezonit të mos ketë ndërprerje. Sigurisht ngarkesa është shumë më e madhe pasi vizitorët këtu tejkalojnë dhe numrin e banorëve. Ju jeni të impenjuar për ta bërë këtë megjithatë përmes investimeve të reja ne kemi bërë shumë ndryshime sidomos ato që janë bërë në zonën e Sarandës qytet dhe zonën e Ksamilit dhe gjithçka kemi parashikuar për të ardhmen”.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të investimeve të realizuara gjatë viteve të fundit, në qytetin e Sarandës por edhe zonat përreth, janë ulur ndjeshëm edhe humbjet në rrjet. /ABC News Albania 24/7

 

BYPASSI-TEPELENES-BALLUKU.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:00 | 24/06/2019

Punimet në by-passin e Tepelenës po ecin me ritme të shpejta. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku thotë se ato do të përfundojnë para afatit të parashikuar në kontratë. Ndërsa drejtoresha e ARRSH Sonila Qato siguron drejtuesit e automjeteve se punimet nuk do t’i bëhen pengesë gjatë sezonit turistik.

By passi i Tepelenës është një kantier ndërtimi në të gjithë gjatësinë e tij, por punimet nuk do të kthehen në shqetësim për përdoruesit e rrugës gjatë sezonit turistik. Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato thotë se po merren të gjitha masat.

“Po marrim masa provizore që për sezonin turistik aksi të jetë i lirë dhe të mos krijojë shqetësime për trafikun dhe ngarkesën që do ketë rruga ku do të lidhet me jugun e vendit”.

Aktualisht po punohet për të siguruar mbrojtje nga lumi dhe nga shpati i kalasë.

 “Është parashikuar mbrojtja lumore  e cila në masën 99 përqind është përfunduar duke u vendosur pilota dhe perde të papërshkrueshme nga uji për ta siguruar të gjithë shpatin pasi kishim probleme të gërryerjes nga lumi. Gjithë shpati i kalasë do mbushen të gjitha zgavrat ku ka gërryerje erozioni, do mbushen me beton dhe gurë dhe pastaj do vendoset rrjeta për ta zgjidhur një herë e mirë këtë problem që ka pasur kalaja e cila rrezikohej në aspektin e qëndrueshmërisë së shpatit”.

Pavarësisht kompleksitetit të veprës Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku  shpreson që rruga të jetë gati para afatit të parashikuar në kontratë.

“Strategjia e re për të kompensuar të gjitha humbjet e kohës në të shkuarën është që të dorëzojmë vepra para afatit. Kjo është diçka që po e bëjmë gjashtë mujorin e fundit dhe duam që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. E njohim kompleksitetin, sigurisht siguria qoftë gjatë punimeve  dhe qoftë cilësia që mbetet në përfundim të projektit janë shumë të rëndësishme për ne megjithatë kemi një dëshirë të madhe t’i dorëzojmë të gjitha veprat qoftë edhe në një kohë të shkurtër para afatit”, nënvizoi Balluku.

Segmenti prej 2.1 kilometrash që lidh autostradën Levan-Tepelenë me atë Tepelenë –Kakavijë parashikohet të kthehet në rrugë me të gjitha standardet me dy korsi kalimi dhe trotuare. /ABC News Albania 24/7

BALLUKU-NE-RRESHEN.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
Sej rie13:50 | 31/05/2019

Këtë sezon veror Rrësheni pritet të furnizohet 24 orë me ujë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e bëri të ditur gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në rrjetin e ri të ujësjellësit.
Rreth 16 mijë banorë të Rrëshenit dhe zonave përreth do të furnizohen me ujë 24 orë. Ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit pritet të përfundoje brenda muajit Korrik. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u njoh me ecurinë e punimeve.

“Ky është një investim i shkëlqyer sepse ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe është shumë i rëndësishëm fakti që nuk është vetëm Rrësheni por edhe Rubiku dhe Repsi, domethënë mbulojmë gjithë zonën. Edhe kjo depo e re me të gjitha kushtet sanitare që duhet të ketë dhe të gjitha parametrat, për të ofruar shërbim mbas kaq vitesh, pasi që në vitin ’68 nuk ka pasur një ndërhyrje të thellë”.

Investimi përfshin ndërtimin e një depoje të re, vendosjen në funksion të dy pompave si dhe ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës prej 12 kilometrash duke i mundësuar çdo abonenti lidhje me rrjetin dhe shmangie te abuzimeve. /ABC News Albania 24/7

BALLUKU-NE-PORTIN-E-VLORES.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 28/05/2019

Porti i Vlorës që nga ky sezon veror do të ofrojë shërbime më të shpejta dhe në kushte shumë më të mira për të gjithë udhëtarët. Terminali i ri është drejt përfundimit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shkoi për ta inspektuar.

Terminali i ri në portin e Vlorës do të vihet në funksion para nisjes së sezonit turistik. Punimet po shkojnë drejt fundit. Drejtori i Autoritetit Portual njohu ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë me investimin e kryer.

“Në krahasim me terminalin e vjetër ky terminal është një investim strategjik i cili ka 5-fishuar kapacitetet e tij për përpunimin e pasagjerëve. Aktualisht, gjatë vitit përpunohen rreth 190 mijë pasagjerë dhe me terminalin e ri këta pasagjerë do të jenë në kushte më komode dhe më të mira për të mbërritur në qytetin e Vlorës”.

“Investimet në Portin e Vlorës janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të transportit të Qeverisë Shqiptare dhe ky terminal që ndodhet këtu, tashmë gati për t’u dorëzuar dhe gati për të nisur operacionet në fillim të sezonit, është tregues i qartë i të gjitha vendimmarrjeve që ne kemi bërë.”

Ndërkohë që një tjetër investim është në fazën e studimit. Ndërtimi i Kalatës Lindore pritet të jetë gati vitin e ardhshëm.

“Porti i Vlorës është një port ndërkombëtar, këtë fakt nuk duhet ta harrojmë, dhe absolutisht mund të destinohet për anijet turistike, pasi kjo është një zonë e cila ka si destinacion turizmin dhe është porta për të aksesuar Jugun e Shqipërisë. Megjithatë ky është një port ndërkombëtar, të cilin ne do ta sjellim sipas parametrave të duhur për të operuar të gjitha anijet, qofshin këto edhe anijet e mallrave, qofshin këto edhe anije turistike”.

Porti i Vlorës është përcaktuar si porti kryesor për nisjen e anijeve turistike me destinacion Gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit. Numri i operatorëve turistik të cilët operojnë me anije në këto destiancione ka ardhur duke u rritur. Nga 8 anije që kanë operuar në vitin 2018, për këtë sezon kanë paraqitur kërkesë 13 operatorë. /ABC News Albania 24/7

balluku.jpg
Sej rie12:10 | 27/05/2019

Zbulimi i naftës në zonën e Shpiragut pranë Beratit sipas ministres se Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, është i pari në rreth 30 vite në vendin tonë. Kompania “Shell” është ende në fazën e vlerësimit, por mendohet qe ky vendburim të ketë një potencial prej disa mijëra fuçi në ditë.

Në një ditë në Shqipëri prodhohet mesatarisht rreth 18 mije fuqi naftë e papërpunuar. Ndërsa blloku 3 dhe 4 në Shpirag pranë Beratit ku kompania amerikane “Shell” zbuloi rezerva nafte dhe gazi mendohet të këtë një potencial prej disa mijëra fuçi në ditë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku thotë se është ende herët për të saktësuar sasinë dhe ndikimin në buxhetin e shtetit, por kjo sipas saj është një ditë e shënuar për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkohë qeveria po negocion me kompani të tjera prestigjioze në këtë fushë. Ky zbulim do ti nxisë ata që kanë shfaqur interes për të ushtruar aktivitetin për kërkim –zbulim të naftës dhe gazit sipas Ballukut  të përshpejtojnë planet e tyre.  Aktualisht investimet private në fushën e kërkim-zbulimit në Shqipëri arrijnë në vlerën 1.5 miliardë dollarë.  1/3 e tyre e zë kompania Shell./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono