Ballkan

abazi-haki.jpg
ger ta16:33 | 06/02/2020

Zv.kryeministri i Kosovës, Haki Abazi në një intervistë për emisionin “Ballkan” me gazetaren Linda Karadaku, e ka cilësuar si kapriço politike gjuhën dhe padinë e Ramës ndaj Haradinajt.

Gjuha të cilën ka përdorur zoti Rama ndaj proceseve dhe individëve në Kosovë është jokorrekte. Ngritja e aktakuzës ndaj Haradinajt si kryeministër i Kosovës është po ashtu një precedent i panevojshëm dhe i pashpjegueshëm. Është një kaprricje politike që nuk i nevojitet kombit shqiptar në momentin q ëjemi por nuk duhet t’i nevojitet në asnjë rast. Përfunimisht mendoj që nisma për mini-Shengenin duke bërë kalkulime të vogla përballë sfidave që Shqipëria ka është po shtu një tentim i mbulimit tëproblemeve të vërteta. Dështimi i hapjes së negociatave nga Brukseli nuk duhet t’i faturohet Kosovës në asnjë formë. Lidhja e zotit Rama me individë dhe grupe në Kosovë janë sinonimi i ndarjes, sinomimi i korrigjimit territorial. Përzierja më e madhe ka ndodhur pikërisht me ata që Rama ka treguar një përafrim dhe jo domosdoshmërisht me pjesën e sëndoshë të poltikës. Qeveria shqiptare ka gabuar lursin, ky nuk është nacionalizmë”, tha Abazi.

/abcnews.al

 

 

 

 

1212532.jpg
eri Ida17:15 | 05/02/2020

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është shprehur se vendi i tij po bën shumë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.

Gjatë dorëzimit të letrave kredenciale nga ambasadorët e rinj në Rusi, Putin kujtoi, se takimin kuptimplotë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që zhvilloi në fund të vitit të kaluar në Soçi.

“Janë arritur një numër marrëveshjesh për bashkëpunimin ruso-serb në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, kulturës dhe për koordinimin në çështjet rajonale,” tha Putin të mërkurën në Kremlin.

Rusinë dhe Serbinë i lidh një partneritet strategjik, që mbështetet në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të njerëzve, tha ai, duke shtuar se Rusia “po bën shumë për ta mbajtur situatën në Ballkan të qëndrueshme dhe të sigurt”./abcnews.al

sejdiu-1.jpg
Autor E14:16 | 30/01/2020

Ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu thotë se duhet investuar shumë që të përfundojë ajo që ka qenë më shumë se e tmerrshme gjatë më shumë se një shekulli në marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të politikave serbe.

“Kemi arritur që të krijojmë një shtet të ri, që Kosova të pavarësohet, të ecë në këmbët e veta, dhe të ketë miq shumë, prandaj mendoj se është koha që të përmbyllet ky cikël i traumave të mëdha që kanë qenë gjithmonë të imponuara nga grabitësit e territoreve në të cilat kanë qenë edhe stërgjyshërit tanë, por është një kohë kur mendojmë se edhe Kosova, edhe Shqipëria, janë faktorë të rëndësishëm, të dy bashkë, por edhe me të tjerët në fqinjësi të mirë, dhe faktorë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin”, tha ai në një intervistë për gazetaren e Abc News, Linda Karadaku.

Sejdiu komenton gjithashtu padinë e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit Haradinaj, duke thënë se duhet të ketë një gjuhë të marrëveshjeve, të të marrurit vesh.

Ai thekson se ashpërsia e gjuhës nuk sjell rezultat.

Sejdiu nënvizon se Shqipëria dhe Kosova kanë mundësinë ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të ecin drejt integrimeve të rëndësishme shpirtërore përtej ndarjeve të mëdha të përtej një shekulli.

merlin_165463242_41778bc4-08b5-4ad1-aaeb-a6cdde201cd0-superJumbo-1280x853.jpg
R D22:44 | 02/01/2020

Gazeta më e madhe amerikane New York Times i ka kushtuar një shkrim të gjatë termetit në Shqipëri, duke bërë edhe paralajmërimin e fortë se jo vetëm Shqipëria por gjithë Ballkani nuk është i përgatitur për një termet të madh. “Qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë arritur të adresojnë rreziqet që vijnë nga ndërtesat e vjetra, duke lënë miliona njerëz të rrezikuar”, thuhet në artikull.

Pjesë nga shkrimi i NYT ku përshkruhet situata në Shqipëri

Nga Marc Santora, Kit Gillet dhe Joe Orovic

DURRES, Shqipëri – Ende me dorën e gjakosur, mbuluar me një garzë të pisët, Xhafer Ahmetaj tregon malin e rrënojave ku miqtë e tij kishin ndërruar jetë nga termeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Vetëm një djalë adoleshent u nxorr i gjallë. Tetë anëtarë të tjerë të familjes Lala, përfshirë dy të mitur, u vranë në tërmetin me magnitudë i 6.4. Ahmetaj, 79 vjeç, ish oficer ushtrie tund kokën teksa sheh shkatërrimin…

“Nëse do ta kishit parë këtë vend kur ishte kënetë, një vend ku njerëzit vinin të peshkonin, nuk mund të mendohej se do ndërtoheshin shtëpi këtu”, tregon ai. Megjithatë ato u ndërtuan…

Ndërtimet në Shqipëri, një komb i vogël ballkanik, kanë një histori të kompromentuar, ku ka patur edhe korrupsion.

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri vrau 51 njerëz, qindra përfunduan në spitale dhe mijëra mbeten të pastrehë. Ndërsa tronditja në këtë vend vazhdon, ka një paralajmërim të ashpër: Ekspertët thonë se gjithë rajoni është i pa përgatitur për një tjetër termet të madh.

Nga Bukureshti në Rumani deri në Sofje në Bullgari dhe në mbarë vendet e Ballkanit në Europën Juglindore, qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë arritur të adresojnë rreziqet që paraqesin ndërtesat e vjetra. Ata gjithashtu inkurajuan lulëzimin e ndërtesave në vitet 1990, gjatë kalimit nga komunizmi në kapitalizëm, kohë kur standardet e sigurisë në ndërtim, janë cënuar rëndë.

Rezultati është: Miliona njerëz jetojnë në shtëpi që ka pak gjasa ti mbijetojnë një tërmeti më të madh.

Duke udhëtuar nëpër zonat më të goditura pas tërmetit në Shqipëri, shkalla e vështirësisë për të përballuar këtë situatë është e dukshme. Tërmeti ka dëmtuar shumë pallate dhe banesa të ndërtuara pa cilësi dhe ka ekspozuar dhjetëra mijëra banorë përpara një rreziku potencial në të ardhmen.

Vendi nuk ka inxhinierë dhe ekspertë mjaftueshëm për të vlerësuar të gjitha pronat që janë dëmtuar dhe kostoja e kryerjes së riparimeve ende nuk dihet.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po rishikonte buxhetin për të ndihmuar të dëmtuarit nga termeti, por gjithsesi ai kërkoi mbështetje ndërkombëtare për të përballuar situatën.

“Thjesht, është njerëzisht e pamundur ta bësh këtë vetëm,” tha ai. /abcnews.al

SHKRIMI I PLOTE NE ANGLISHT

 

linda-e-dhunuara.jpeg
nev ila09:36 | 26/12/2019

Gazetarja e “Abc News” Linda Karadaku, ka siguruar dëshminë tronditëse të një gruaje të dhunuar seksualisht, nga forcat serbe gjatë pushtimit të Kosovës në vitin 1999.

Dëshmia është pjesë e emisionit “Ballkan”, në të cilën gruaja dëshmon se janë përdhunuar për pesë ditë me radhë, pasi janë kapur robër nga forcat serbe në Kosovë.

Më tronditës është fakti se, gruaja tregon se janë dhunuar seksualisht nga serbët, në sy të burrave dhe fëmijëve, që ishin të pranishëm aty, ndërkohë që thekson se disa prej kriminelëve që i dhunuan, ishin persona që jetonin në të njëjtin fshat me ta.

“Jemi dhunuar për pesë ditë.  Aty kishte gra, fëmijë pleq dhe na dhunonine edhe në sy të fëmijëve. Ata që ishin nga zona jonë mbanin maska në fytyrë“, tregon gruaja në intervistën për emisionin “Ballkan”.

Intervista e plotë:

Viktima e dhunimit:Ka qenë 27 mars 1999, kur na mori policia serbe. Na kanë mbajtur si rob për 5 ditë. Aty ka qenë një numër i madh grash, burrash pleq e fëmijë. Aty serbët nuk kanë kursyer asgjë. Kanë kryer cdo lloj dhune mbi ne. Na kanë dhunuar në sy të fëmijëve, në sy të prindërve. Nuk kursyen asnjë, as vajzat e reja, as gratë dhe as të moshuarat. Na dhunuan e na plackitën, na morën gjithçka.

Linda Karadaku: A ju kanë dhunuar seksualisht?

Viktima e dhunimit: Po…

Linda Karadaku: Policët serbë?

Viktima e dhunimit:Po policët serbë dhe ata që kanë qenë më të njohur kanë patur maska në fytyrë. Ne i kemi njohur se kanë qenë të rrethit tonë aty, të rritur në Kosovë, ata kanë qenë me maska.

Linda Karadaku: Kjo ka ndodhur vazhdimisht gjatë gjithë atyre 5 ditëve?

Viktima e dhunimit:Po, ka ndodhur vazhdimisht.

Linda Karadaku:Ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve?

Viktima e dhunimit:Po ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve, në sy të prindërve por edhe në sy të burrave të grave.

Linda Karadaku:Pastaj ju kanë liruar?

Viktima e dhunimit:Pastaj na kanë liruar, por sepse tha dikush që të liroheshim. Ne në fakt na kishin marrë për të na ekzekutuar të gjithëve. I ndanë burrat prej grave. Aty u zhdukën 60 burra dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, ndërsa ne na dëbuan në Shqipëri. Në fakt ishim duke menduar se po na conin në varreza masive sepse nuk i kemi njohur ato rrugë, por kur kemi parë flamurin shqiptar, aty kemi kuptuar se po shkonim në Shqipëri.

Linda Karadaku: Pastaj kaluat kufirin?

Viktima e dhunimit:Po pastaj kaluam kufirin ndërsa gjatë gjithë rrugës u keqtrajtuam.

Linda Karadaku: A ke folur me dikë nga familja për këtë që ju ka ndodhur?

Viktima e dhunimit: PO , kam folur me burrin.

Linda Karadaku: Të ka mbështetur?

Viktima e dhunimit: Po më mbështeti.

Linda Karadaku: Burri nuk ka qenë me ty kur ju morën serbët?

Viktima e dhunimit: JO nuk ishte me mua. Ai ishte ushtar, e dinte se cfarë kishte ndodhur aty pasi kishte 3 vëllezërit dhe babain e tij aty.

Linda Karadaku: Besoj se ju shihni lajme, e shihni cfarë thotë Vucic edhe në Beograd? Po e mohojnë që kanë ndodhur krime lufte në Kosovë. Po  mohojnë Recakun dhe të tjerat.

Viktima e dhunimit: Vucic e ka të lehtë ta thotë i ulur në karrige. Ato gjëra nuk i mohon dot askush. Masakrat i kanë parë të gjithë, OSBE, e të tjerë, si duan ti mohojnë?

Linda Karadaku: Nëse ju që e keni vuajtur vetë dhunën seksuale gjatë luftës, nëse do e kishit Vucicin përballë cfarë do ti thonit?

Viktima e dhunimit: Nëse do e kisha përballë… nuk e di …për të folur dicka jo por mbase do i prisja kokën me brisk..Edhe pse ska qenë personalisht ai vetë por duke e parë që bën gjithë këto manipulime, duke i mohuar të drejtat tona….Ne kemi qenë në vendin tonë, nuk kemi shkuar në Serbi, të shkelim të drejtat e tyre. Ajo që është bërë në Kosovë në asnjë luftë nuk bëhet.

Linda Karadaku: Si ka vazhduar jeta juaj pas kësaj?

Viktima e dhunimit: Shumë keq, pas dhunës seksuale mbeta shtatzënë dhe abortova, e abortova në mënyrë private jo te mjekët. Rrezikova jetën me këtë por falë zotit burri më ka mbështetur. Pastaj gjeta një organizatë dhe prej 2002 falë tyre, jam krejt tjetër njeri. Megjithë rrethanat, thashetheme të njerëzve, të rrethit të afërt.. sdi cfarë të them, shumë e vështirë ka qenë. Po tani jam shumë mirë megjithëse më ka mbetur një lloj traume, sa herë përmendet, sa herë shohim lajmet, që nuk po bëhet asgjë, që kriminelët akoma janë të lirë…ndihemi keq.

Linda Karadaku: Ju i keni njohur një pjesë të atyre që ju dhunuan?

Viktima e dhunimit: Po, po i kemi njohur. Shumë njerëz i kanë njohur. Burrat kanë dhënë edhe dëshmi në Hagë, s’kanë marrë parasysh asgjë. Aty kanë qenë edhe burra të zhdukur…

Linda Karadaku: Nuk janë gjetur?

Viktima e dhunimit: JO, asnjë nuk është gjetur. Aty flitet edhe për një vajzë që është zhdukur. Ka patur edhe vende të tjera, është gjetur varri masiv afër shkollës aty me vajza. Asgjë nuk është bërë. Kemi bërë denoncime në eulex dhe prapë se prapë Eulex dëshmitë tona i ka cuar në Serbi. Ne kemi pritur që Eulex të na mbështesë ndërsa ata mbështesin Serbët. Këta kanë ardhur tek ne, me rrogat majme dhe përkrahin Serbinë.

Krimet e luftës dhe dhunimet në veçanti, bëhen që ta mposhtin njeriun, megjithatë ju e keni vazhduar jetën, e keni gjetur forcën që ta vazhdosh jetën. Keni një familje shumë të bukur që të do dhe të respekton, pavarësisht nga cfarë ka ndodhur, të kanë mbështetur me të gjitha.

Viktima e dhunimit: Po më kanë mbështetur me të gjitha por kam vuajtur me shëndetin. Jam me diabet, me tension por të gjitha i tejkaloj për familjen, kam nipër e mbesa tani që ma mbushin plotë shtëpinë.

Linda Karadaku: Dmth ata nuk fituan mbi ty…

Viktima e dhunimit: JO, mua jo por shumica e grave shqiptare nuk kanë mundur të fitojnë. Ato akte u bënë për të mposhtur moralin e shqiptarëve e përballë kësaj më përpara do vdekjen. Tani jemi gjallë, mundemi të dëshmojmë. Urojmë të vijë koha që të kapën ata kriminelë, ata janë të lirë, fshihen në Malin e Zi, kanë bërë biznese.

Linda Karadaku: A keni një mesazh për gra dhe vajza që kanë përjetuar përvojën tuaj të dhimbshme ?

Viktima e dhunimit: Po kam shumë mesazhe, të mos ngurojnë të flasin. Ne jemi shqiptare, jemi nëna, jemi motra bija të dikujt. Edhe familjarët duhet ti përkrahin, nëse nuk kanë mundur ti mbrojnë, atëherë duhet të thonë shyqyr që kanë shpëtuar gjallë. Ka qenë një dobësi shumë e madhe atë kohë, ka patur burra që i kanë lënë gratë dhe u kanë marrë fëmijët, ky ka qenë krim edhe më i madh. Si mund tja marrësh fëmijët një nëne dhe e hedh në rrugë?! Këta burra i kam dënuar. Ata nuk e dinë se në atë vend nuk mundesh të mbrohesh. Si ja merr fëmijët dhe e hedh në rrugë, ata e dinë se këto gra për ata fëmijë mbijetuan për ti mbrojtur. Këta lloj nuk janë burra, janë të dobët. Ka patur edhe vajza që kanë qenë të fejuara dhe kur janë dhunuar nga serbët, janë braktisur nga të fejuarit e tyre, këta lloj janë burreca dhe jo burra!

Linda Karadaku: Ju falenderoj shumë…/abcnews.al

viktimat-e-luftes-kosove.jpg
nev ila08:40 | 26/12/2019

Janë dhjetëra gra dhe vajza të tilla të cilat marrin ndihmë psikologjike në qendrën Medica në Gjakovë.

Kemi biseduar me Veprore Shehun drejtuesen e kësaj qendre, për të na folur ndjesitë e këtyre grave dhe vajzave, si po rehabilitohen ato, çfarë ka ndodhur me to ndër vite, dhe për një temë edhe më të dhimbshme që ka të bëjë me fëmijët e lindur si pasojë e dhunës seksuale që kanë përjetuar këto gra gjatë luftës.

Intervista e plotë:

Linda Karadaku: Gratë që vijnë në këtë qendër dhe marrin ndihmë nga ju ju thërrasin Lola, Lola do ju thërras edhe unë. Shenja që mbani në xhaketë çfarë është?

Veprore Shehun: E kam një dhuratë të veçantë, sepse këtë vit, në nëntor, kishim 20 vjetorin e themelimit të shoqatës. Kemi filluar me përkrahjen e këtyre grave të traumatizuara nga lufta,  në gusht të vitit 1999. Në veçanti ato që kanë përjetuar dhunimet seksuale gjatë luftës. Ma kanë dhuruar një Organizatë, Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës në Prishtinë, është punim me dorë nga vetë të mbijetuarat, të cilat momentalisht janë duke marrë përkrahjen. Ato janë nga Drenasi.

Linda Karadaku: Kam intervistuar një zonjë e cila ishte viktimë e dhunimit seksual gjatë luftës dhe pjesë e një grupi të madh grash dhe vajzash që janë mbatur rob dhe janë dhunuar për ditë të tëra. Nga informacionet që ju merrni, si e keni përjetuar këtë, cfarë shikoni ju tek ato gra?

Veprore Shehun: Kur kjemi përballur për herë të parë me këtë temë , menjëherë pas luftës, si staf kemi mbetur të tronditur. Është një temë mjaft tabu, e mbyllur për shoqërinë tonë, por fillimisht ka qenë e mbyllur edhe për ne si staf. Në një lloj mënyre nuk ndiheshim të sigurta se si do ti qaseshim kësaj teme, kaq të mbyllur, kaq stigmatizuese dhe se si do ti ndihmonim këto gra. Fillimisht ka qenë një fazë akute e traumës dhe e mbaj mend shumë mirë kur kam ardhur 3 muajt e parë në puën, në fillim të vitit 2000, kishim në trajtim jo kaq të madh sa tani. Kishim diku te 5-6 fshatra që kishim filluar ti trajtonim, shkonim me autoambulanca për ti trajtuar fizikisht dhe mendërisht. Ka qenë strategji që tu qasemi këtyre grave përmes autoambulancave në mënyrë që të mos stigmatizoheshin gratë dhe të kishim mundësi për të biseduar me to, fillimisht rreth shëndetit të tyre më pas edhe për përjetimet e luftës. Për ne ka qenë shumë e vështirë, përvoja ime e parë, që kurrë  nuk kam për ta harruar, ishte një vajzë vetëm 17 vjeç. Ajo ishte shtatzënë dhe e kishin kapur dhimbjet e lindjes. Kishte ngelur shtatzënë si pasojë e dhunimit. E kam çuar vetë personalisht në spital për të lindur. Kjo ka qenë një histori shumë e dhimbshme që më përcolli ditët e para të punës. Meqë kjo vajzë vinte nga një fshat nga komuna e Gjakovësdhe ishte duke u trajtuar nga një punonjëse psiko-sociale, në bashkëpunim me organizatën bazë me qendër në Gjermani, muajt e fundit kishim bërë të mundur që vajzës të mos i dukej barku e ta shihnin vëllezërit dhe babai, ishte një familje mjaft patriarkale. E morëm vajzën dhe e vendosëm në një shtëpi në Gjakovë, me pretekstin, me arsyetimin tek familjarët e saj se kishte infeksion në veshka dhe ishte në spital nën kujdes intensiv, dhe se kishte të drejtë vetëm nëna ta vizitonte. Kur erdhi momenti, atë vajzë e dërgova të lindte në spitalin e Gjakovës. Ajo lindi një vajzë për të cilën u kujdesën motrat në repartin gjinekologjik në Gjakovë. Ajo e braktisi vajzën, ishte shumë e trembur, shumë e traumatizuar, nuk ishte në gjendje të përballej me pasojat. Ai fëmijë qëndroi për 6 muaj në spitalin e Gjakovës, më pas u përkujdes qendra për punë sociale dhe ai fëmijë u birësua.

Linda Karadaku: Po me rastet e tjera, e njëjta gjë ka ndodhur? Gratë që kanë ngelur shtatzëna cfarë ka ndodhur me fëmijët e tyre?

Veprore Shehun: Ju e dëgjuat që shumë gra kanë ngelur shtatzanë por një pjesë e tyre arritën të shkonin te mjeku, sidomos rastet e para, kanë abortuar në spital të Kukësit dhe të kavajës. Janë paraqitur në këto qytete se kanë qenë në gjendje shumë të keqe dhe familjet që i kanë marrë në përkujdesje kanë organizuar vizitat mjekësore dhe në momentin që kanë konstatuar shtatzaninë automatikisht është kërkuar që të realizohet aborti. Mirëpo si rasti i 17 vjecares, e cila nuk e ka kuptuar se kishte ngelur shtatzanë, konstatimi i shtatzanisë ka qenë në muajt kur ka qenë e pamundur për abort. Mirëpo shumica e grave të mbijetuara nga dhunimi që kanë ngelur shtatzanë, të cilat e kanë sjellë shtazanin deri te lindja e foshnjes, të gjitha mund të them ose shumica e tyre, i kanë braktisur fëmijët. Ata fëmijë janë dhënë për biresim. Kemi vetëm dy raste të cilat i kanë mbajtur fëmijët dhe kanë vazhduar përkujdesjen. Por këto janë raste shumë të mbyllura që edhe familjet e tyre nuk e dinë.

Linda Karadaku: Ju i shihni lajmet, keni parë reagimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë, Vucicit dhe të tjerëve, për mohimin e masakrave që kanë ndodhur në Kosovë dhe ky është një nga ato krimet më të tmerrshme, dhunimet e grave dhe vajzave. Ju që merreni cdo ditë me këtë cështje dhe keni gjithë ato dosje në dhomën tjetër, e dini mirë cfarë ka ndodhur, keni dëshmitare të gjalla që janë sot këtu. Cfarë ndjeni ju kur shihni presidentin e Serbisë ta mohojë?

Veprore Shehun: Është e tmerrshme, është e dhimbshme sidomos për familjet e viktimave, për vetë këto gra që kanë përjetuar dhunën seksuale, përderisa ne flasim aq shumë, bashkësia ndërkombëtare insiston që të ketë një drejtësi tranzicionale në kosovë, që për këto 20 vite kjo drejtësi të demonstrohet përmes bashkëjetesës, përmes pajtimit, përmes integrimit, përmes ndëshkimit të krimeve, i cili është kriteri numër 1 i drejtësisë tranzicionale. Në radhë të parë pranimi, pastaj edhe ndëshkimi i krimeve që kanë ndodhur ndaj popullatës civile të Kosovës. Në vend që të presim që Serbia të kërkojë falje, si pjesë e rëndësishme e drejtësisë tranzicionale, përballemi me mohime të tmerrshme nga shteti i Serbisë, nga autoritetet serbe, madje as masakra e Recakut nuk paska ndodhur?! Nëse një masakër mohohet, që ka qenë e prekshme, e dukshme, është verifikuar edhe nga vetë misioni i OSBE-së, ka qenë krimi që ka alarmuar bashkësinë ndërkomëbtare për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, cfarë të presim që të pranohen krimet seksuale? Kur nuk kemi evidenca dhe dëshmi të dukshme, kur gratë madje edhe plagët fizike që në trupin e tyre nuk mund ti shfaqin dot, për të dëshmuar atë që ka ndodhur, por kanë vetëm një narrativë, kanë vetëm një përjetim, të cilat e kanë ndarë me ne por edhe me opinionin publik. Rastet e fundit, dihen, daljet publike të Vasfije Krasniqit dhe e Shyhretes që kanë dëshmuar publikisht përpara opinionit botëror për taë që ka ndodhur, si mund të mohohet një gjë e tillë?./abcnews.al

ARMATIMI-BALLKAN-ABCM4T1.mpg_snapshot_01.15-1280x720.jpg
ent ela12:37 | 11/11/2019

Mali i Zi është duke rritur gradualisht buxhetin e tij për nevojat ushtarake ndërkohë që ka nënshkruar që nga anëtarësimi në NATO, dy kontrata të mëdha për blerjen e armëve. Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të armatoset me armatim modern rus.

Gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm amerikan Mike Pompeo në Podgoricë është nënshkruar një marrëveshje me Malin e Zi për blerjen e 67 automjeteve të blinduara amerikane, në vlerë prej rreth 36 milionë dollarësh. Kjo është blerja e parë e automjeteve të këtilla për nevojat e Ushtrisë malazeze në 40 vitet e fundit. Bëhet fjalë për “hamerat” e kompanisë së njohur amerikane “Oshkosh”. Kontigjenti i parë vjen vitin e ardhshëm dhe Mali i Zi do të jetë vendi i parë evropian, i cili do të ketë në dispozicion automjete të këtilla.

“Këto automjete paraqesin një përparim të madh në modernizimin e Ushtrisë malazeze. Forcat tona këmbësore do të arrijnë me këto automjete nivelin e domosdoshëm përgatitor për stërvitje, lëvizje, mbrojtje. Këto përgatitje janë në harmoni me përgatitjen e forcave tjera të NATO-s“, i thanë Deutsche Ëelles përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi.

Kjo është porosia e dytë e madhe e Malit të Zi prej futjes së këtij vendi në NATO. Mali i Zi ka blerë vitin e kaluar nga Kanadaja tre helikopterë, në vlerë prej 30 milionë dollarësh. Blerje të tilla kanë qenë të paimagjinueshme për Malin e Zi më parë.

Që nga anëtarësimi në NATO, Mali i Zi ka ndarë vitin e kaluar 20 milionë euro për buxhetin e mbrojtjes, ndërsa vitin që vjen do të ndajë edhe 46 milionë të tjera. Po kështu, dy vitet e fundit kanë marrë donacione të shumta nga SHBA, në fushën e komunikimit por edhe mjekësisë. Ndërsa Gjermania i ka dhënë Malit të Zi gjashtë automjete të blinduara për patrullime, të tipit Mercedes Benz. Donacioni më i madh do të vijë më vonë – një radar i kalibrit të madh, me të cilin Mali i Zi mund të vëzhgojë hapësirën e vet ajrore. Për momentin hapësira ajrore e Malit të Zi kontrollohet nga avionët e vendeve anëtareve të NATO-s: Italisë dhe Greqisë. Mali i Zi pret që ky radar të instalohet deri në vitin 2021. Amerikanët jo vetëm që u shesin armë partnerëve të tyre në Ballkan, por u japin edhe donacione. SHBA ka ndarë ndihma për katër vende të Ballkanit Perëndimor në vlerë prej 110 milionë dollarësh për ushtritë e Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Paratë e ndara nga buxheti malazez janë megjithatë shumë të pakta në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Mediat dhe analistët thonë, se gara kryesore në armatime po zhvillohet mes Serbisë dhe Kroacisë, të cilat investojnë me qindra milionë euro për nevojat ushtarake. Serbia ka marrë ndihma ushtarake edhe nga Rusia.  Rusia pritet t’i dorëzojë Serbisë një sistem të sofistikuar raketash kundër ajrore, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar sanksione të mundshme kundër vendit ballkanik në rast se blen raketa të tilla. Sistemi raketor Pancir do të dërgohet në Serbi gjatë muajve të ardhshëm ndërkohë që Rusia ka ndihmuar Serbinë të përmirësojë ushtrinë e saj me avionë, helikopterë dhe tanke. Muajin e kaluar Rusia dërgoi në Serbi sistemet raketore Pancir dhe S-400 që u përdorën në stërvitjet ushtarake serbo-ruse. /abcnews.al

shampanje-e1526641948876.jpg
ent ela16:59 | 30/09/2019

Axhenda euro-aziatike e Kremlinit do të zbatohet me pesë ndërhyrje ruse në Ballkan, për të cilat, para Nënkomitetit për kërcënime të reja në Senatin amerikan, dëshmoi edhe analisti politik Janush Bugajski. Ai tha se Moska zyrtare nuk mund t`i falë vetes dështimet e shumta, mes të cilave është edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sipas Janush Bugajskit nga Qendra për analiza Politike Evropiane nga Uashingtoni, që ta realizojë këtë agjendë euro-aziatike, Kremlini zbaton disa ndërhyrje kryesore në rajon. Sic njofton Radioja Evropa e Lirë, një nga caqet gjatë këtyre ndërhyrjeve, përvec Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, është edhe Maqedonia e Veriut. Për të ashtuqujaturat ndërhyrje ruse në Ballkan, Bugajski javën e kaluar ka dëshmuar para Nënkomitetit për Kërcënime të Reja në Senatin amerikan. Sipas Bugajskit këto ndërhyrje janë:

PESË NDËRHYRJET E KREMLINIT

1.Promovimi i nacionalizmit lokal me qëllim të minimit të përkrahjes për NATO, BE dhe SHBA;

2.Korruptimi i politikanëve nacionalist dhe biznesmenëve lokal që t`i përkrahin interesat ekonomike ruse;

3.Mbajtja e varshmërisë ekonomike përmes lidhjes së vendeve ballkanike me projekte të gazit të kontrolluar nga “GASPROM”

4.Lansimi i sulmeve propaganduese përmes mediave lokale, internetit dhe rrjeteve sociale;

5.Formimi i lidhjeve ndërsociale që rrisin ndikimet politike të Moskës;

Sipas ekspertëve, këtu mund të përfshihen edhe dobitë e Kremlinit nga të ashtuquajturat “konflikte të ngrira” dhe “shtete të ngrira”.

Janush Bugajski: “Në B e H nxit entitetin serb që ta mbajë vendin të ndarë dhe ta vë në pikëpyetje ardhmërinë e saj si shtet unik. Autoritetet ruse thonë se popullata serbe po largohet nga Kosova, kurse qëllimi i këtij pohimi është që të minohet pavarësia e Kosovës dhe të rritet epilogu i ndarjes. Konfliktet e pazgjidhshme i mundësojnë Kremlinit të thotë se NATO-ja nuk ka arritur ta stabilizojë rajonin dhe ka ngadalësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Sic thonë analistët, Moska nuk mund t`ia falë vetes disa dështime të rëndësishme, siç janë pavarësia e Kosovës, anëtarësimi I Malit të Zi në NATO, Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe në veçanti anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, si zgjedhje e shumicës së qytetarëve dhe realizimit të politikës strategjike 25 vjecare të Shkupit zyrtar.     /ABC News Albania 24/7

dilema-e-shengenit-ballkanik.jpg
ad min17:12 | 28/09/2019

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një takim me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe të Shqipërisë Edi Rama ka biseduar për mënjanimin e një sërë pengesash për biznesin si dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkan.

Ideja për një konfederatë ballkanike jo se është diçka e re. Në fillim të viteve të 90-ta Mandela i Kosovës, Adem Demaçi doli me idenë  për  një konfederatë të Ballkanit me Kosovën, Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë, si për fillim, pa ndryshim të kufijve të atëhershëm. Por kjo ide nuk u pranua nga Serbia.

“Unë propozova që kjo të jetë një Ballkani, aty të jetë edhe Serbia, por ajo nuk ishte e mençur që ta kuptojë këtë”.

Por, tani autoritetet qeveritare të Serbisë thonë se ideja e Shengenit ballkanik ka për të ndikuar në aspektin ekonomik në këtë rajon. Zv/Kryeministrja serbe Mihajloviç thotë se nuk do të ketë zhvillim bashkëkohor nëse marrëdhëniet e ndërsjella shihen përmes prizmës së të kaluarës.

“Të fillojmë me këto tre shtete, në aspektin strategjik shumë me rëndësi, për të shkuar poshtë drejt Greqisë, drejt porteve të Shqipërisë dhe kjo për Serbinë  ka një rëndësi të madhe për lidhjet ekonomike mes këtyre vendeve”.

Takimin e paralajmëruar mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në Novi Sad, shumica e interpretojnë si ripërtërirje të idesë për krijimin e një “Shengeni të vogël” në Ballkan, siç thuhet, si uverturë para hyrjes së rajonit në BE. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë në ERTV nga Nju Jorku tha se “Shengeni Rajonal” do të ndihmonte në heqjen e kufijve në Ballkan për njerëzit dhe mallrat.

Përmes një komunikate është prononcuar edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Lëvizja dhe komunikimi dinamik janë karakteristikë e shekullit 21, ndërsa sot po bëhet edhe karakteristikë e rajonit të Ballkanit.

“Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria me popujt e tyre kanë mundësi te veçantë te intensifikojnë lidhjen dhe me këtë të përshpejtojnë integrimin e rajonit në BE. Fuçia e dikurshme me barut sot po bëhet një det mundësish për jetë më të mirë të qytetarëve. Nisma aktuale do të ndikojë në qarkullim më të shpejtë dhe pa pengesë të qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve, uljen e shpenzimeve të kompanive dhe qytetarëve, rritjen e eksportit, si dhe zhvillim të potencialit për turizëm”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas ekspertit ekonomik Akademikut Abdylmenaf Bexhetit, nismat e këtilla edhe pse sfidojnë politikën, mund të kenë impakt të madh ekonomik për rajonin.

Në mungesë të reagimeve nga Prishtina zyrtare është prononcuar ish-Kryenegociatorja në dialogun me Serbinë Edita Tahiri, e cila është shprehur kundër idesë për Shengen ballkanik. Në një prononcim për mediat shqiptare Tahiri ka thënë se kjo është një tendencë neo-jugosllave që do t’i shkaktonte dëm Ballkanit dhe Evropës. Ajo ka vlerësuar se Ballkani nuk duhet të jetë i interesuar që t’i hap kufijtë mes tyre, por drejt BE-së./ABC News Albania 24/7

palmer.jpg
ad min23:04 | 18/09/2019

Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?

Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t’i ndihmoj ato vende të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?

Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.

Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?

Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Ç’farë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t’i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien?

Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.

Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.

Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?

Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?

Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por, a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.

Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë, ku ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

Matthew Palmer: Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?

Matthew Palmer: Robert O’Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono