baldushk

5d3497643cff23.jpg
ad min19:15 | 21/07/2019

Jo vetëm Tirana qytet, por edhe ajo rurale është në fokusin e Bashkisë së Tiranës kur vjen puna te investimet infrastrukturore. Dhe në këtë prag të fillimit të vitit të ri shkollor një vëmendje e veçantë po i kushtohet infrastrukturës arsimore me qëllim që të sigurohen të njëjtat mundësi për fëmijët, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo fshat.

Kështu, fëmijët e fshatit Qendër Fushas në njësinë e Baldushku do ta nisin vitin arsimor në ambiente të reja dhe me kushte moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë.

Bashkia e Tiranës po vijon punën për të përfunduar në kohë shkollën në këtë fshat në mënyrë që ajo të jetë gati në shtator kur të nisë mësimi.

Lajmin e bën të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka publikuar edhe disa foto nga puna që po kryhet për këtë shkollë.

“Vijon puna për shkollën e re “Qendër Fushas” në Baldushk. Po mbajmë premtimin si në qendër, ashtu edhe në periferi, me synimin për të servirur një të ardhme më të mirë. Në shtator jemi gati për të hapur dyert e të nisim mësimin për të gjithë fëmijët e zonës. Bëni gati çantat!”, shkruan Veliaj./abcnews.al

 

62516776_2429326487123799_5435548251463876608_n-1-1280x960.jpg
ent ela21:31 | 09/06/2019

Sulmet ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta nuk i kurseu as kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Nga Farka dhe Baldushku ku çeli fushatën elektorale Veliaj ftoi qytetarët të votojnë dhe ju tha se amerikanët do të monitorojnë procesin.

Ashtu si kryeministri Rama edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përsëriti se zgjedhjet do të mbahen me 30 qershor, ndërsa shigjetoi Presidentin Ilir Meta për vendimin e ç’dekretimit të tyre.

Nga Farka Veliaj dha edhe arsyen që sipas tij detyroi kreun e shtetit të ndërmarrë këtë akt.

“Ça ndodhi mo vlla dje që u çmend dynjaja? Jua them unë ca ndodhi. Zyrtari më i lartë i Amerikës që merret me Shqipërinë tha; Jo vetëm Mona dhe Luli janë përgjegjës për dhunën, por do takohemi në Tiranë në datën 30 qershor se ne do vijmë që të vëzhgojmë zgjedhjet. Kjo ndodhi se Amerika ia ka heq viëzn Saliut dhe Petrit Vasilit e morën vesh të gjithë dhe sigurisht ia kanë heq vizën numrave dy që të zënë mend numrat 1 të partisë, duke u dhënë edhe atyre një shans të fundit”.

Ndërsa lidhjet me rusët u shpreh Veliaj janë ato që po shqetësojnë opozitën.

“Qartazi ka një hetim dhe kjo është gjëja tjetër që i shqetëson se DASH, qeveria amerikane dhe prokuroria jonë po heton që si ka mundësi që kompania ruse i fut në PD 1 mln euro. Ne kur na vijnë njerëzit për vaki nuk e harrojmë e shënojmë. Këta si pa mendje nuk kuptuan si ju la njëri 1 mln euro dhe nuk paska interes. Patjetër që ka interes. Ka interes për ta shkatërruar Shqipërinë. Interesi ynë për ta mbajt Shqiëprinë zonjë është më i vendosur”.

Vendimi i Presidentit iu tha kryebashkiaku me herët banorëve të Baldushkut nuk ka vlerë juridike, ndërsa iu tregoi se Kreu i Shtetit nuk ka parashikuar as se çfarë do të ndodhë kur të mbarojë mandati i kryetarit të bashkisë.

“Nëse në datë 30 qershor mendon Presidenti që nuk do ktë zgjedhje në datën 1 korrik do të dalë ai të pastrojë plehrat. Nëse në datë 30 qershor, sipas tij, nuk do ketë zgjedhje, në datë 1 do i hipi Presidenti shofer autobusit, do i japë ai autobusëve në Tiranë? Se mandati im mbaron”.

Kryebashkiaku tha se demokratët nuk kanë qenë kurrë gati për zgjedhje e se do vijojnë të humbin njëlloj si në të kaluarën. Ndersa projektet ne Tirane nuk do te ndalen. /ABC News Albania 24/7

veliaj-6-1280x715.jpg
ad min13:45 | 09/06/2019

Kryebashkiaku Erion Veliaj në fushatën në Baldushk i bëri thirrje banorëve dhe popullit të votojnë më 30 Qershor, duke injoruar vendimin që presidenti Meta mori për shtyrjen e zgjedhjeve.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka vijuar fushatën zgjedhore, duke u ndalur në Baldushk. Fokusi i komunikimit të tij me banorët ka qenë vendimi i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve. Njëlloj si kryeministri, Veliaj tha se zgjedhjet do mbahen më 30 qershor, pasi sipas tij vendimi i Metës nuk ka vlerë juridike.

Sipas Veliajt presidenti nuk ka parashikuar se çfarë do ndodhë kur të mbarojë mandati i kryebashkiakut në Tiranë.

Kryebashkiaku tha se demokratët nuk kanë qenë kurrë gati për zgjedhje e se do vijojnë të humbin njëlloj si në të kaluarën.

Veliaj ka nënvizuar se projektet në të gjithë Tiranën do vijojnë, ku përmend rregullimin e disa shkollave, punime për tregun bujqësor dhe tregun e shumicës agro-ushqimor./ABC News Albania 24/7

48905077_2115518835161052_1823236990364024832_n-1280x853.jpg
ent ela13:10 | 23/12/2018

Tregu i shpendëve të gjalla në kryeqytet është kthyer në një traditë për festat e fundvitit. Për të tretin vit, Bashkia e Tiranës ka ngritur në Baldushk një treg tërësisht të ri, i konceptuar në mënyrë që tregtarët të kenë mundësi të reklamojnë dhe të tregtojnë gjelat e detit të zonës, që njihet për rritjen e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tregu ka ndihmuar në rritjen e të ardhurave të familjeve të zonës së Baldushkut. “Jam shumë entuziast sa herë që vjen kjo periudhë e vitit, jo vetëm për gëzimin që sjell, por edhe për faktin që sjell ekonomi për Tiranën. Prej 3 vitesh e kemi destinuar tregun e Baldushkut si një treg ku shiten gjelat e detit, gjelat më të mirë në Shqipëri, por mbi të gjitha, si një fabul e re se si ne ndihmojmë ekonominë lokale”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se të ardhurat që sigurohem nga shitja e këtyre produkteve, shkojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së gjithë banorëve. “Ftesa ime për të gjithë qytetarët është që tani që tregu funksionon prej tre vitesh rresht, tani që tregu është bërë një histori suksesi për faktin që tregu sot siguron të ardhura për shumë familje, të cilat mbajnë fëmijët e tyre, kur dikush blen një gjel deti nga Baldushku nuk është duke blerë vetëm vaktin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, është duke blerë dhe duke ndihmuar një familje me librat e shkollës, me shtëpinë, me rritjen e fëmijëve dhe e lë lekun brenda vendit”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e ekonomisë lokale. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të blejmë produkte lokale, gjelin në Baldushk, vajin në Ndroq, verën në Lundër, domaten në Shëngjergj, domaten e vonë dhe të gjitha produktet lokale, të cilat sot jo vetëm që janë më të mira e cilësore, por janë edhe më të lira”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se këtë vit priten që të sigurohen nga shitja e gjelit të detit të ardhura shumë herë më të mëdha se ato të tre viteve të mëparshme.

“Ne kemi llogaritur që vetëm në fundvit shiten rreth 4-5 milionë euro mall gjela deti vetëm nga kjo zonë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, siç po bëjmë për gjelat e detit edhe për produktet e tjera, me siguri që do të kemi një Tiranë rurale që jeton falë shpenzimeve që bën Tirana urbane. Kështu që, për këtë fundvit, ftesa si gjithmonë është mbusheni tavolinën me të mirat që prodhon vendi ynë, fermat dhe të gjitha familjet që merren me punën e tokës dhe gjësë së gjallë në rrethinat e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjelat e detit të Baldushkut janë kthyer në traditë për tavolinën e çdo qytetari të Tiranës në mbrëmjen e Krishtlindjeve dhe darkën e Vitit të Ri. Gjithashtu, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve, ku qytetarët mund të denoncojnë në numrin e gjelbër për çdo problematikë që konstatojnë.

VELIAJ-NE-BALDUSHK.mpg_snapshot_00.31-1280x760.jpg
ad min13:43 | 17/10/2018

Në pikat hyrëse të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje për shitjen e produkteve bujqësore bio gjatë fundjavës. Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi iniciativën që u vjen në ndihmë fermerëve të zonës dhe ndihmon në zhvillimin e ekonomisë lokale në panairin me prodhime tradicionale organizuar në Baldushk.

Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Do të shfrytëzojmë të gjitha hyrjet në Tiranë; nëse Dajti dhe Shëngjergji e kanë hyrjen nga Kinostudio, bashkë me njësitë 3 dhe 4 do të ngrejmë një treg për të shtunën dhe të dielën, në një vend që e cakton bashkia, që tregtarët të shesin sa të duan, pa pagesë. Nëse nga Rruga e Elbasanit e ka aksesin Baldushku, Bërzhita, Farka, Petrela, Krraba, atëherë diku në hyrje të rrugës së Elbasanit do të ngrejmë një treg, ku në fundjavë të shiten të gjitha produktet bio. Pra, edhe shesim produktet, edhe nuk shpërndahemi në çdo hyrje pallati, ku sigurisht edhe për banorët është një lloj bezdie”.

Veliaj përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve për të konsumuar produkte vendase, ndërkohë që siguroi banorët e fshatit Baldushk për më shumë investime.

“Fakti që bashkia ndërtoi rrugën, të cilën komuna me buxhetin e saj s’do ta bënte dot kurrë, fakti që janë bërë disa qendra fshatrash, fakti që disa fshatra i kemi futur te projekti i qeverisë për ‘100 fshatrat’, do të thotë se është rritur vëmendja për zonat rurale. Si bashki, vitin tjetër do të bëjmë gjithë qendrën e komunës, për ta kthyer në pikë turistike, që njerëzit të vijnë në Baldushk”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vlerësoi iniciativën për krijimin e tregjeve lokale dhe apeloi për aplikimin e këtij modeli edhe nga njësi të tjera lokale./abcnews.al

baldushkuu.jpg
ad min13:56 | 28/05/2018

Qeveria po i orienton fermerët drejt agroturizmit si një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë rurale. ABC News ishte në një nga fshatrat pranë Tiranës, në Mustafa Koç, ku bisedoi me një nga fermerët që ka investuar në një biznes të tillë. Ai na tregoi se mungesa e një rruge jo vetëm po i çon dëm investimin, por po izolon edhe banorët e kësaj zone.

Pasioni për bujqësinë bëri që Pajtim Birjani nga Tirana, 11 vjet më parë të blinte një tokë në periferi.

“Kam vënë në dispozicion rreth 400 mijë dollarë”.

Tashmë rreth 20 kilometra nga qendra e kryqytetit, në fshatin Mustafa Koç, ai zotëron 60 mijë metër katrorë tokë, dy hektarë vreshta, 1500 ullinj dhe 2500 pemë të tjera të llojeve të ndryshme.

“Pikësynimi im ishte që të bëja agroturizëm. Kam investuar goxha. Kam bërë një restorant që nuk është efiçent. Kam bërë rrugën dhe  dy ura vetë, por e ndjej veten të braktisur nga shteti se s’më jep ndihmën që kam mëse të nevojshme”.

Qeveria po i orienton fermerët drejt agroturizmit si një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë rurale, por në këtë fshat, pjesë e njësisë administrative Baldushk, mungesa e infrastrukturës e bën një mision të vështirë.

Nevoja e këtij fermeri është ndërtimi i rrugës dhe zgjerimi i urës në hyrje të saj. Këtu nuk mund të kalojë çdo makinë, përmasat e saj duhet të jenë fikse.

“Asnjëherë nuk arrij ta çoj produktin normal në pikën e shitjes. Gjithë qersihitë i kam lënë në degë se s’kam rrugë për t’i çuar. Kam kumbullën. O do ta këpus të papjekur ta nxjerr që mos ta hajë tjetri, ose nëse do ta lë të piqet do ta çoj vetëm salcë ose reçel në treg. Kjo thjeshtë vetëm për dy kilometra rrugë”.

Për më tepër edhe këtë shteg nuk mund ta përshkojnë për shumë kohë. Rrugën e ka marrë lumi e toka është pronë private.

“Lumi më ka marrë 1 dynym e gjysëm. Njerëzit kishin halle probleme dhe më thoshin ‘më lër të kaloj’. Unë do t’ia lej në një farë afati, që pushteti lokal a qendror, bashkia meqë është e madhe e fuqishme, me pak shpenzime duke hedh inerte aty, rruga mund të rregullohet”.

Reshjet e fundit, përroi i Zhullimës doli nga shtrati dhe e shkatërroi totalisht këtë rrugë.

“Kur ka reshje shiu të dendura këto tokat bëhen një metër me ujë. Përmbytjet siç bëhen në Myzeqe bëhen edhe këtu”.

Banorët u izoluan në shtëpi, ndërsa shqetësimin e tyre për sistemimin e infrastrukturës ja paraqitën bashkisë në portalin “Tirana Ime”.

Përgjigja?

“Do të shikohet me prioritet mundësia për sistemim të rrugëve në investimet e ardhshme të bashkisë së Tiranës”

“Të jetë rrugë me çakull. Të jetë rrugë e mirëmbajtur se deri tani e kam mirëmbajt vetë. Mund të kem hedhur mbi 7-8 milionë lekë të vjetra edhe urat vetë që të bëhen. Por nuk mbahen vete. Do dorën e shtetit”.

Ndërsa presin që bashkia sistemimin e rrugëve të ketij fshati me rreth 4 mijë banorë ta vendosë ndër prioritetet e saj, vendasit duhet të luten që bujaria e fqinjit të zgjasë. Kështu ata do të kenë mundësi të dalin në qytet./abcnews.al

fotoja.jpg
ad min11:10 | 07/04/2018

Ndërhyrja në kohë e policisë ka arritur të parandalojë përshkallëzimin e një konflikti me armë këtë të shtunë si dhe është bërë e mundur arrestimi i një personi lidhur me këtë ngjarje.

Në pranga ka rënë Shkëlqim Suloavdulaj (Luli), 36 vjeç, banues në fshatin Baldushk. Suloavdulaj dyshohet se për motive pronësie në Baldushk është konfliktuar me vëllain e 48-vjeçarit L.L duke e kanosur më pas atë me armë.

Autoritetet kanë sekuestruar një pistoletë së bashku me një krehër me gjashtë fishekë në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe 18 fishekë luftarakë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, dhe “Kanosja”./abcnews.al

vlcsnap-error359-2-1280x720.jpg
ad min12:59 | 24/12/2017

Për të tretin vit radhazi, tregu i posaçëm i shpendëve në Baldushk u jep mundësi qytetarëve të blejnë produkte të certifikuara nga shërbimi veteriner dhe me çmime më të lira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me kushtet e tregtimit të shpendëve dhe theksoi se tashmë rritja e gjelit të detit është një “patentë” që identifikon zonën e Baldushkut.

 

Këtu prduktet janë të certifikuara nga shërbimi veterinar dhe me çmime më të lira. Është vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që i siguron qytetarët e Tiranës për tregun e baldushkut.

“E kemi kthyer në traditë për tre vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli ‘firmato’ i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut”.

Vetëm vitin e shkuar, në Tiranë u shitën rreth 28 mijë gjela deti, duke gjeneruar rreth 1.4 milionë dollarë. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës, sepse kështu kontribuojnë edhe në rritjen e ekonomisë lokale.

“Nuk ka kuptim një tavolinë e festave nëse nuk ndihmojmë ekonominë lokale. Jo vetëm shija është më e mirë, jo vetëm çmimi është më i lirë, por ndihmojmë ekonominë vendase. Më mirë t’i mbajmë këto para, sepse kur dikush blen gjel nga Baldushku, nuk ka siguruar vetëm darkën e Vitit të Ri, por ka paguar që një fëmijë të shkojë në shkollë, të vishet, t’i blihen librat, dhe që një familje të jetojë me dinjitet këtu në fshat, pa u dyndur të gjithë në Tiranë”.

Në filmimet e shpërndara në media nga zyra e shtypit e bashkisë Tiranë, Kryebashkiaku Veliaj tha se tregu i ngritur në Baldushk është i certifikuar dhe funksionon me standardet e higjienës, duke u kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit te Ri.

“I ftoj të gjithë qytetarët të mos blejnë në rrugë, janë mall që blihet në pulari dhe shitet sikur është mall fshati. Tregu i vërtetë, origjinal, i certifikuar nga veterinarët tanë, me fermerin që e ka rritur vetë, është këtu në Baldushk. Të gjithë në Tiranë t’i ofrojnë familjes së tyre shëndet, mall cilësor, një festë të gëzuar, por mbi të gjitha të ndihen mirë shpirtërisht se me ato para kanë ndihmuar ekonominë vendase”.

Kreu i bashkisë vlerësoi se ngritja e një tregu të tillë jo vetëm që ka rritur sigurinë ushqimore për qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht ka ndikuar pozitivisht edhe në ruajtjen e higjienës në rrugët e qytetit.

“Duke e blerë produktin aty ku rritet, jo vetëm sjellim cilësi të shëndetshme në tavolinë, por sigurisht mbajmë edhe Tiranën pastër. Ju kujtohet përpara dy viteve kur shitej gjeli dhe pula në rrugë? Tirana, jo vetëm ishte e pistë, por i kishte rënë vlera gjithë rrugëve ku bëhej kjo tregti. Sot, edhe Tirana është më e pastër, edhe Pazari i Ri është më dinjitoz edhe ushqimi është bio dhe blihet këtu”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve, ku qytetarët mund të denoncojnë në numrin e gjelbër për çdo problematikë që konstatojnë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono