bajri

bajrii.jpg
ent ela13:12 | 09/03/2019

Boksieri shkodran Nelson Hysa u vu në pranga mëngjesin e së shtunës, i akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal të Bajrajve, grup ky i goditur vitin e kaluar. Boksieri u vu në pranga në Tiranë, ku jetonte që prej kohësh kur ishte shpallur në kërkim në Shtator të 2018-s.  

Arrestohet një tjetër i dyshuar si pjesëtar i grupit kriminal Bajri në Shkodër. Në pranga është vënë boksieri i njohur shkodran Nelson Hysa. Siç njofton Policia e Shtetit, në vijin të operacionit “OAZ”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër, mëngjesin e së shtunës u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne Burg” për 35-vjeçarin Nelson Hysa.

Ky i fundit ishte person i shpallur në kërkim në Shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.

Boksieri Hysa u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e së shtunës. Gjatë veprimeve proceduriale atij u sekuestrua një automjet “BMW Seria 3”. Grupi i Bajrave hetohet që prej vitit të kaluar dhe një pjesë e tyre po presin në qeli përfundim e hetimeve./abcnews.al

rinas-polici-ekstradim-642x330-1.jpg
ad min14:44 | 20/11/2018

Pas arrestimit në Roterdam të Holandës rreth dy muaj më parë, u ekstradua në vendin tonë Samet Halluni, i cili është anëtar i grupit kriminal të Shkodrës “Bajri”. Për 21-vjeçarin, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën “arrest në burg” për gjobëvënie të një sërë bizneseve në Shkodër duke përfituar prej tyre para dhe prona.

Ekstradimi i 21-vjeçarit u bë nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol The Hage/Holandë. Samet Halluni është anëtar i grupit të strukturuar kriminal “Bajri” dhe dyshohet që në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi ka kanosur me anë të shtrëngimit për dhënien e pasurisë një sërë biznesesh në Shkodër duke përfituar prej tyre para dhe prona”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi kriminal “Bajri” u godit në shtator nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë. Ndërkohë rreth 3 javë më parë në Spanjë u arrestua Enver Bajri, i dyshuar si drejtuesi i grupit kriminal./abcnews.al

BERISHA-ORA-NEWS-1280x658.jpg
ent ela08:52 | 05/10/2018

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi ne studion e emisionit “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji se po bëhet gati lirimi i grupit të Bajrave, pasi sipas tij ata po i bëjnë presion kryeministrit Edi Rama me një video ku shfaqen së bashku. Berisha, po gjatë të njëjtës intervistë, deklaroi se pak ditë më parë është dhunuar ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga ato që ai i cilësoi si bandat e Edi Ramës. Vendi është në kushtet e grushtit të shtetit, pasi asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese, ka bërë që Rama të marrë pushtetin e plotë të drejtësisë, tha mes të tjerave Berisha.

“Megjithë këtë problem, opozita duhet të dalë dhe t’u japë ultimatum secilës bandë dhe banditë, t’u thotë lëvize kokën se ta kam mat me pe, por kjo nuk është zgjidhja. Opozita nuk krijon miqësi as paraushtarake, as të armatosura. Opozita meret me atë që lidh të gjitha fijet e bandave, dhe unë u them shqiptarëve se njeriu që lidh çdo fije të bandave e ka emrin Edi Rama, 3-4 bandat që janë arrestuar nga opozita. Shkoi opozita në Shkodër kundër bajrave e vrasjeve dhe qeveria u detyrua t’i arrestojë ata. Po përgatitet lirimi i Bajrave, sepse kanë videon e Ramës në lokal në Dobraç dhe po e kërcënojnë. Në mbledhje me ta në aheng, është 100% e vërtetë kjo që u them unë.

Kush e çoi ministrin e Jashtëm te Safet Bajri për votën e Dukës. Ministri i Jashtëm shkoi dhe i kërkoi Safet Bajrit të burgosë 3 ditë Presidentin e Velipojës që të votojë për Finon, dhe nëse s’voton për Finon mos votojë për Dukën.

E more vesh që e kanë rrah Sajmir Tahirin, se nuk e japin mediat këtë, e kanë zhdëp, që kur filloi të flasë për çatira e themele. Në mënyrë absolute bandat e Edi Ramës se kush tjetër nuk e prek dot atë.

Vendi është në kushtet e grushtit të shtetit. Në mënyrë absolute në çdo manual klasik të grushteve të shtetit asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese përbën grusht shteti brenda shtetit, kur një pushtet merr pushtetin e një pushteti tjeter dhe sot Rama ka marrë pushtetin e  drejtësië dhe në këtë rast qytetarëve u lind e drejta që të reagojnë me çdo mjet dhe çdo çmim”. /abcnews.al

prokuroria-e-krimeve-te-renda.jpg
ad min13:09 | 28/09/2018

Gati një javë pas arrestimit, Safet Bajri dhe pesë të prangosur të tjerë si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Ata janë ankimuar në Apelin për Krimet e Rënda masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar për ta nga Shkalla e Parë. 

Gjashtë prej nëntë të arrestuarve në Shqipëri nga operacioni policor “Oaz”, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Pa kaluar një javë nga dita kur Shkalla e Parë e Krimeve la në fuqi masën “arrest në burg” për ta, të dyshuarit i janë drejtuar Apelit. Deri më tani, masat janë kundështuar nga Safet Bajri, i dyshuar si një ndër kryesorët e grupit, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Ismet Idrizi, Klaudio Hoxhalli dhe Denis Brajoviç.

Në ankimin e depozituar në gjykatë nga avokati Arbër Hoxha, të arrestuarit pretendojnë se vendimi i Shkallës së Parë është i padrejtë. Në përfundim ata kërkojnë ndryshimin e masës “arrest në burg” dhe caktimin e një mase sigurie më të lehtë, si ajo e “arrestit shtëpiak” apo e “detyrimit për paraqitje”.

I njëjti pretendim u paraqit prej tyre edhe në seancat gjyqësore në Shkallën e Parë për verifikimin e masës “arrest në burg” të caktuar në mungesë, por nuk u morën parasysh nga gjykata.

Operacioni “Oaz” u finalizua me 11 të arrestuar mbrëmjen e 21 shtatorit dhe u zhvillua njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam, Holandë. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, pas 6 muajsh hetimesh, dhjetra orë përgjimesh, veprimet hetimore proaktive në terren dhe shkëmbimit të informacionit me agjencitë partnere u siguruan prova të mjaftueshme që ngrinin dyshime se të arrestuarit ishin pjesë e një grupimi kriminal të angazhuar në trafik droge, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive. Të njëjtit procedim i janë bashkangjitru edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me një tentativë vrasje dhe dy vrasje të shënuara në këtë qytet në harkun kohor 1999-2001./abcnews.al

MINISTRI-BELG-1280x720.jpg
ent ela22:36 | 25/09/2018

Ministri belg i Drejtësisë ka deklaruar se gabimet proceduriale në Belgjikë shkaktuan vonesat në arrestimin e të shumëkërkuarit Safet Bajri dhe grupit të tij. Në një intervistë për mediat holandeze, Koen Gens ka komentuar edhe situatën në Shqipëri, ku sipas tij po zhvillohet një betejë e ashpër politike për korrupsionin.

Ministri belg i Drejtësisë, Koen Gens ka reaguar të martën në lidhje me rastin e Safet Bajrit, duke deklaruar se gabimet proceduriale vonuan arrestimin e tij dhe grupit kriminal që vepronte në Belgjikë e Holandë.

“Në Belgjikë duhet të kishim aplikuar dënimin gjyqësor dhe procedurat e transferimit. Sidoqoftë, ky mund të quhet një gabim njerëzor”, ka thënë Gens.

Sipas mediave holandeze, ministri ka lënë të kuptohet se do të kishte parapëlqyer që dosja e Safet Bajrit të ishte transferuar më herët në Shqipëri.

“I gjithë grupi kriminal u godit falë një aksioni të mirëkoordinuar mes policisë belge dhe asaj shqiptare”, ka vijuar më tej Gens.

Gjatë intervistës ministri i Drejtësisë ka komentuar edhe situatën në Shqipëri, duke thënë se vendi ynë është përfshirë nga një betejë e ashpër mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje korrupsionin.

Mediat citojnë edhe zëvendës ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili ka deklaruar se Belgjikës iu deshën 5 muaj për të përcjellë verdiktin që pala shqiptare ta arrestonte Bajrin. Safet Bajri dhe anëtarët e grupit të tij u arrestuan javën e kaluar, përmes një operacioni policor të shtrirë në Shqipëri, Belgjikë dhe Holandë.

Në Belgjikë Bajri akuzohet për një sërë krimesh të rënda, përfshirë shkatërrim prone, sulm me armë zjarri dhe shantazhe, me qëllim kontrollin e xhiros së prostitucionit në rrethinat e Brukselit. /abcnews.al

krimett.jpg
ad min11:31 | 25/09/2018

Tre persona të tjerë të arrestuar nga operacioni “Oaz” si anëtarë të grupit “Bajri” u lanë në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata konfirmoi masën e dhënë për ta në mungesë. Në të njëjtën seancës togat e zeza caktuan një masë të tretë “arrest në burg” brenda dy ditësh për Safet Bajrin për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Gjykata për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për tre personat të tjerë të arrestuar në Shqipëri si anëtarë të grupit “Bajri”.

Një ditë pasi verifikoi masën e marrë në mungesë për gjashtë të parët, para gjyqtares Ilirjana Olldashi dolën të arrestuarit Ismet Idrizi, Denis Brajoviç dhe Klaudio Hoxhalliu.

Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura konfirmuan se të dyshuarit kanë kundështuar masën e caktuar. Përmesa avokatëve ata kanë pretenduar se masa ekstreme “arrest në burg” nuk është e përshtatshme në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre, argumente që nuk bindën gjykatën.

Në të njëjtën seancë para Krimeve të Rënda ridoli Safet Bajri, i arrestuar si një nga njerëzit kryesor të grupit kriminal. Pas dy masash sigurie “arrest në burg” caktuar të hënën nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër dhe e Krimeve të Rënda, ai mori një të tretë të njëjtë për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe “mbajtjes së narkotikëve”. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një pistoletë e gjetur pranë tij mbrëmjen e arrestimit si edhe një sasi prej 7 gramë kanabis.

Në seancat e zhvilluara të hënën dhe të martën gjykata konfirmoi masat “arrest në burg” për nëntë të arretuarit në Shqipëri për llogari të operacionit “Oaz”. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda 11 të arrestuarit, dy prej të cilëve në Roterdam, Holandë, në role të ndryshme, akuzohen për 10 vepra penale, mes të cilave “vrasje”, “trafik droge”, “gjobëvënie”, “trukim ndeshjesh sportive” dhe “pastrim parash”./abcnews.al

MEDIAT-HOLANDEZE-BAJRI-ABC-1280x720.jpg
ad min17:47 | 24/09/2018

Goditja e grupit Bajri nga autoritetet holandeze dhe shqiptare ka bërë jehonë në mediat e Holandës. Duke iu referuar versionit zyrtar të policisë vendase, thuasje të gjitha mediat e këtij shteti kanë pasqyruar arrestimin e Behar Bajrit dhe Samet Hallunit. “Arrestimet në Roterdam tregojnë edhe një herë se kriminelët nga vendi ballkanik ndihen si në shtëpinë e tyre në Holandë. Vitin e kaluar, policia ngriti alarmin për ndikimin zgjerimin e shpjetë të shqiptarëve në Amsterdam dhe Roterdam në veçanti”, shkruan gazeta holandeze “Der Telegraaf”. Gjithashtu edhe media të tjera kanë raportuar arrestimet duke cituar versionin zyrtar të autoriteteve./abcnews.al

bajri-shkoder.jpg
ad min16:16 | 24/09/2018

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 6 nga 9 të arrestuarit në Shqipëri si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. ABC News ka siguruar vendimin e gjykatës ku zbardhen akuzat për gjithë të dyshuarit.

Gjashtë nga nëntë të arrestuarit në Shqipëri nga operacioni “Oaz” si pjesë e grupit kriminal “Bajri” dolën të hënën para Gjykatës për Krimet e Rënda. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi verifikoi masat e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë për ta, duke i lënë ato të pandryshuara.

Seanca e paracaktuar në orën 14:00 nisi me një orë vonesë. Shkak u bë vonesa në transportimin e Safet Rustemit (Bajrit) nga Shkodra, ku ai ishte paraditen e së hënës ishte për një masë sigurie për llogari të njohjes së vendimi penal fajësie dhënë ndaj tij në Belgjikë.

Në përfundim të seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati i Safet Bajrit, i konsideruar si më kryesorët e grupit e cilësoi të papërshtatshme masën “arrest në burg” për klientin e tij. Ai tha se gjykata nuk kishte marrë parasysh as një garanci pasurore.

ABC News siguroi një kopje të vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda në lidhje me grupin “Bajri”. Mbi të dyshuarit e lënë në “arrest në burg” rëndojnë veprat penale të “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”, “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “organizim i llogarive të palejuara”, të gjitha në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas dosjes gjyqësore, rezulton se hetimi ndaj këtij grupi ka nisur nga Krimet e Rënda gjashtë muaj më parë duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në vrasje, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive.

Në vijim këtij procedimi i janë bashkangjitur edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës, përkatësisht ai për tentativën e vrasjes së Arbën Tuzit në vititn 1999, vrasjen e tij në vitin 2001, si edhe vrasjen e Fabiola Bajrit në vitin 2002. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, autori i dyshuar i tyre është Behar Bajri (Rustemi), aktualisht i arrestuar në Holandë.

Ndërkohë të martën, pritet të dalin për verifikim mase para Gjykatës për Krimet e Rënda, tre nga personat e tjerë të arrestuar në Shqipëri nga operacioni “Oaz”./abcnews.al

 

lezheee.jpg
ad min14:24 | 24/09/2018

Prej disa ditësh Forcat Speciale kanë nisur kontrolle intensive në qytetin e Lezhës dhe në periferinë e tij. Policia nuk ka dalë me rezultate të deritanishme ndërkohë që operacioni vazhdon. Nga sa mësohet në të njëjtën kohë edhe në Lezhë dhe në Laç janë shoqëruar 17 persona të dyshuar për krime si dhe janë bllokuar më shumë se dy makina të shtrenjta. Deri tani nuk është vendosur në pranga ndonjë emër i njohur i botës së krimit që vepron në këto zona./abcnews.al

SAFET-BAJRI-NE-SHKODER-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.28-1280x713.jpg
ad min11:34 | 24/09/2018

Gjykata e Shkodrës u blindua sot nga FNSH-ja dhe forcat e Policisë, pasi është sjellë para gjykatësve Safet Bajri, i arrestuari i klanit Bajri, për të marrë masën e sigurisë. Ai u arrestua bashkë me 10 persona të tjerë, por do jetë Gjykata e Kremive të Rënda ajo që do të vendosë masën e sigurisë për ta. Kurse për Safet Bajrin do të vendosë Gjykata e Shkodrës, pasi sipas një procedure ai do të njihet me dosjen nga Belgjika përmes kësaj trupe juristësh.

Më 25/01/2017, Safet Rustemi u dënua nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte skenën e drogës dhe prostitucionit në Bruksel. Më 22 shkurt 2014, ai përsëri dënohet nga Gjykata Penale e Brukselit me një burgim prej 9 vjetësh si kreu i një bande kriminale që merret me importin dhe trafik droge. Po të njëjtën ditë, ai dënohet me pesë vjet burgim për posedim dhe trafikim droge dhe heqje të paligjshme të lirisë përmes kërcënimeve me vdekje./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono