Bajerni

KUTINJO-STERVITJA-TEK-BAJERNI-M1T1.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela13:50 | 21/08/2019

Filip Kutinjo u ndoq nga qindra tifozë në stërvitjen e tij të parë me Bajernin. Ylli brazilian shkëlqeu që në fillim me skuadrën e trajnerit Niko Kovaç.

Interesimi për të ishte tepër i madh, por këtu jemi në Gjermani.

Plot 1 500 tifozë kishin mësyer kompleksin stërvitor të Bajernit për të ndjekur nga afër, yllin më të ri, dhe më të kërkuar, Filip Kutinjon.

Braziliani, që doli për herë të parë në stërvitje me skuadrën e tij të re, u udhëzua nga një zyrtar I klubit, që të afrohej tek tifozët së bashku me trajnerin Niko Kovaç dhe me përforcimin tjetër, Mikael Kuisons.

Megjithë motin e keq dhe me reshje, ata ishin të lumtur që u ndodhën aty, dhe nuk mbetën të zhgënjyer.

Kutinjo, i ardhur huazim nga Barcelona, shënoi 3 gola në minindeshjen përgatitore brenda skuadrës, duke treguar formë të mirë.

Shpresa është e madhe, por po ashtu ka edhe dyshime, sepse 27-vjeçari ishte i shkëlqyer tek Liverpuli, por zhgënjeu në “Kamp Nou”, pra nuk dihet sesi do të paraqitet në Gjermani.

Bajerni e mori huazim për rreth 8 milionë euro, me të drejtë transferimi përfundimtar prej 120 milionësh, vitin e ardhshëm.

Analistët në televizionin amerikan, ESPN, deklaruan se lëvizja e Bajernit u duk si një veprim në panik e sipër, nga frika se mos mbeteshin pa u forcuar.

Dyshues edhe ish-trajneri i Gjermanisë, Berti Fogts, i cili deklaroi për mediat se ndoshta braziliani nuk është një yll i vërtetë botëror.

Gjithsesi, tek Bajerni kanë besim, dhe mediat kanë nisur analizat sesi mund të luajë skuadra e trajnerit Kovaç.

“Deili Meil” thekson se Kutinjo do të jetë pas sulmuesit kryesor, Robert Levandovski, dhe jo në krahë, dhe se mund ta ndihmojë skuadrën bavareze për të fituar Championsin. /ABC News Albania 24/7

sane-kontrata-1280x960.jpg
Sej rie17:15 | 04/08/2019

Bajerni është shumë pranë marrjes së Leroi Sanésë nga Mançester Siti. Klubi gjerman ka rënë dakord me futbollistin për një rrogë tepër të madhe, prej mbi 18 milionë eurosh në sezon,

Afati dihet dhe nuk e vendos dot një klub i vetëm.

Bajerni i Mynihut duhet të marrë Leroi Sanenë deri në enjten, datë 8 Gusht, përpara fillimit të Premier Ligës, ndaj edhe bavarezët duket se po bëjnë vrapimin final.

Mediat britanike njoftojnë se klubi gjerman ka arritur një akord me sulmuesin e Gjermanisë mbi bazën e një rroge vërtet të jashtëzakonshme, prej mbi 18 milionë eurosh në vit.

Nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi, që të bindet Mançester Siti, ndaj bavarezët mund të jenë të detyruar të shpenzojnë shumë.

Vlerësimi i Sitit për kartonin e Sanesë arrin në mbi 150 milionë euro, apo rreth 135 milionë paundë stërlina, ndonëse kjo shumë ndoshta mund të negociohet, kur Uli Hënes, Karl-Hajnc Rumenige e Hasan Salihamixhiç të kryejnë bisedimet përfundimtare me drejtuesit e klubit anglez.

Sane është 23 vjeç, dhe tepër i talentuar, ndonëse nuk e ka aspak të sigurt vendin në formacion tek Siti, ku konkurron me Bernardo Silvën apo Rahim Stërlingun.

Tek Bajerni, do të ketë shumë më tepër mundësi për të luajtur, aq më tepër që bavarezët kanë probleme me sulmin, siç e tregoi edhe humbja e pësuar në Superkupën e Gjermanisë ndaj Dortmundit./ABC News Albania 24/7

bayern.jpg
Sej rie17:30 | 03/08/2019

Dortmundi dhe Bajerni do të luajnë sonte finalen e Superkupës së Gjermanisë, në orën 20:30. Bavarezët cilësohen favoritë, por ndeshja luhet në stadiumin e Borusias

Ia kanë dalë shpesh, ndonëse kurrë nuk kanë qenë favoritë.

Futbollistët e Dortmundit kanë një traditë të mirë ndaj Bajernit në Superkupën e Gjermani, një trofe që e kanë fituar për herë të fundit pesë vjet më parë, dhe për të cilin do të luajnë sërish sonte, në orën 20:30.

Lajmi i mirë është që Borusia do të presë Bajernin në “Signal Iduna Park”, në arenën e famshme ku janë arritur kaq shumë suksese, ndonëse një skuadër si ajo bavareze nuk e ka problem se ku luan.

Nënkampionët e Gjermanisë kanë zhvilluar një fazë stërvitore shumë të mirë, gjatë së cilës kanë fituar radhazi ndaj Siatëllit, Liverpulit, Udinezes dhe Sent Galenit, duke shënuar plot 14 gola.

Për fat të keq, Julian Brant nuk luan dot, dhe Torgan Hazar është në dyshim.

Gjithsesi, ndërsa drejton lojtarët në seancën e fundit përgatitore, trajneri Lysien Favre, flet me kujdes.

“Ndaj Bajernit gjithnjë është një ndeshje speciale, – u shpreh zvicerani 61-vjeçar, – është një provë shumë e vështirë, por është testi real sesi jemi në prag të nisjes së sezonit. Jam I kënaqur nga puna e skuadrës, edhe pse nuk jemi në 100 për qind të formës. Duam të fitojmë Superkupën, ndonëse mendoj se Bajerni niset gjithnjë si favorit”.

Bavarezët, ndërkaq, po përgatiten në qetësi pas një vere të ngarkuar dhe me ngjarje.

Trajneri Niko Kovaç do të ketë mungesa të rëndësishme, pasi Gnabri pësoi dëmtim, Havi Martinez po ashtu nuk e ka marrë veten, Lukas Hernandez mbetet në rikuperim individual, ndërsa Kingsli Koman është në dyshim edhe pse u bashkua me skuadrën.

“Superkupa është një trofe shumë i bukur dhe i rëndësishëm, – u shpreh Kovaç në konferencën për shtyp, – jam i lumtur që do të luftojmë për një titull, dhe po ashtu i kënaqur që do të ndeshemi me Dortmundin. Na sfidoi vjet për titull, dhe është forcuar edhe më shumë. Kam besim se do t’ia dalim, edhe pse në futboll nuk i dihet asnjëherë”.

Bajerni vjen në finale pas humbjes me penallti ndaj Totenhemit në Kupën Audi në Mynih, ndërsa më parë kishte fituar ndaj Realit e Milanit, dhe kishte humbur kundër Arsenalit./ABC News Albania 24/7

BAJERN-REAL-BEJL.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela11:45 | 21/07/2019

Reali i Madridit zhgënjeu në përballjen ndaj Bajernit në Amerikë, duke u mundur bindshëm. Trajneri Zidan është i shqetësuar edhe për largimin e yllit nga Uellsi, Garet Bejl, gjë që nuk po ndodh.

Nuk ishte prova më e mirë e mundshme, por gjithsesi jemi në verë.

Reali i Madridit zhgënjeu në daljen publike në Shtetet e Bashkuara, I mundur 3-1 nga rivali I përjetshëm, Bajerni, në Kupën Ndërkombëtare të Kampionëve.

Bavarezët dominuan në “NRG Stadium” të Hjustonit, duke mos i lënë asnjë mundësi skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan, edhe pse në fushë ishin Hazar, Kros, Modriç, Isko, Sergio Ramos, Varan apo Benzema.

Korenten Toliso, Robert Levandovski dhe Serg Gnabri shënuan për kampionen e Gjermanisë, ndërsa Madridi u përgjigj vetëm me anë të Rodrigos në minutat e fundit.

Nuk bëri punë edhe kartoni I kuq për portierin bavarez, Sven Ulrajh në të 81-ën.

Çfarë mund të thuhet për “galaktikët” e rinj të Zidanit?

Justifikim nuk mund të ketë pasi niveli i përgatitjes është i njëjtë, me Bundesligën dhe La Ligën që nisin në të njëjtën ditë, 16 gusht.

Mediat spanjolle kritikuan dyshen e sulmit, Benzema-Joviç, me të parin që humbi dy raste të pastër, dhe me serbin që ishte tërësisht në hije.

Kritikat bëhen edhe më të ashpra, duke pasur parasysh se Bajerni nuk ka bërë shumë përforcime në verë.

Zidan është i shqetësuar edhe për unitetin e skuadrës, pasi ka lojtarë që duhet të largohen, por kjo nuk po ndodh.

Rasti më tipik është ai i Garet Bejlit, yllit nga Uellsi, që nuk bën pjesë në planet e trajnerit.

“Sa më shpejt të largohet, aq më mirë është për të gjithë, – u shpreh Zidan për uellsianin, – nëse e bën nesër, edhe më mirë. Përsa i përket skuadrës, jam optimist, pasi kur të fillojë sezoni do të jemi gati”.

Reali duhet të largojë Bejlin, por edhe lojtarë të tjerë, për të sjellë në rregull financat dhe për të pasur mundësi të synojë yllin e Mançester Junajtidit, Pol Pogba.

/ABC News Albania 24/7

bayer-1280x703.jpg
Sej rie13:50 | 11/07/2019

Futbollistët e Bajernit u paraqitën në kompleksin e klubit në Mynih, për t’u bërë gati për sezonin e ri, ndërsa atmosfera në klub nuk është shumë e mirë. Drejtuesit nuk po marrin dot yjet e kërkuar.

Pushimet mbaruan dhe puna nisi përsëri, veçse jo gjithçka të lumturon.

Një klimë disi ndryshe tek Bajerni, me klubin e madh gjerman, të pakënaqur nga konkurrenca e rivalëve milionerë, që nuk po e lejojnë të bëjë goditjet e mëdha në treg.

Pak ditë pasi trajneri Niko Kovaç shpërtheu ndaj klubeve-shtete që dëmtojnë kampionen e Gjermanisë, ishte radha e presidentit Uli Hënes të dilte në dritaren e zyrës së tij dhe të ndiqte me vështrim jo shumë entuziast ditën e parë të punës për sezonin e ri.

Bajerni nuk ishte i plotë në fushë, por Hënesin nuk e shqetësojnë yjet që nuk janë kthyer ende nga pushimet, veçse ata që ndoshta nuk mund të vijnë.

Leroi Sane, objektivi kryesor i verës, mbetet ende larg, edhe pse bavarezët nuk kanë ndërmend të kursehen.

Ata mund të paguajnë 110 apo 120 milionë euro, veçse vetë futbollisti nuk po jep shenja pozitive.

Edhe objektivat e tjera, që nga Dembele I Barcelonës, Hadson-Odoi I Çelsit, apo Timo Verner i Lajpcigut, janë të dëshiruar, por të vështirë për t’u marrë.

Më të mundshëm janë Janik Karrasko, Hakim Zijeç i Ajaksit, Dani Olmo I Dinamos së Zagrebit apo Lion Bejli (Leverkusen).

Deri tani, Bajerni ka marrë vetëm dy lojtarë, edhe pse që të dy janë kampionë të botës, me Francën.

Lukas Hernandez, ish-mbrojtës i Atletikos së Madridit kushtoi 80 milionë euro, ndërsa Pavar, mbrojtës i ardhur nga Shtutgarti, u mor për më pak.

Këtyre u shtohet sulmuesi i ri, Arp, i cili nuk është se vlerësohet aq shumë për momentin.

Gjithsesi, Hënesi pati një kënaqësi duke parë stërvitjen e bavarezëve, pasi trajneri Kovaç e kishte ndërtuar fushën në mënyrë të tillë, që të vinte duke u ngushtuar sa më shumë lojtarët i afroheshin portës.

“Më shumë ritëm, më shumë shpejtësi”, – ishin fjalët e kroatit, ndërsa për lojtarët pati më shumë dyluftime, sepse hapësira zvogëlohej.

Pritet ende të vijnë lojtarët e ekipeve kombëtare, ndërsa Lukas Hernandez vazhdon stërvitjen individuale për shkak të dëmtimit në gju./ABC News Albania 24/7

bajerni-1280x710.jpg
ent ela12:50 | 25/04/2019

Milot Rashica ishte i shkëlqyer në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, përballë Bajernit. Shqiptari i Kosovës u shpall lojtari më i mirë në fushë.

Dihej që ishte zbulimi i sezonit, dhe ndoshta nuk u habit kush. Milot Rashica shkëlqeu si askush tjetër në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, mes Verderit të tij dhe Bajernit.

Bavarezët po udhëhiqnin 2-0, por lojtari i përfaqësueses së Kosovës, shërbeu pasimin për golin e parë të vendasve, dhe pastaj shënoi të dytin, me aksion individual. Rashica ishte më i miri në fushë.

Shqiptari i Kosovës mori notën tepër të lartë, 1.5, nga revista e specializuar sportive, “Kiker”.

Ai la pas yjet e Bajernit si Robert Levandovski apo Kingli Koman, që morën notën 2.

Bavarezët e nisën më mirë sfidën në “Vasershtadion” të Bremenit, duke goditur dy herë.

Fillimisht, me anë të Robert Levandovskit, dhe pastaj me golin me fat, por edhe me këmbëngulje nga Tomas Myler.

Momenti kulmor i ndeshjes ishte ai i akordimit të penalltisë për bavarezët, kur rezultati ishte 2-2.

Koman u rrëzua në zonë, ndoshta i shtyrë nga mbrojtësi, dhe arbitri sinjalizoi dënimin maksimal.

Polemikat ishin të ashpra, sidomos sepse gjyqtari Zibert nuk u konsultua me teknologjinë VAR, dhe as kjo e fundit nuk ndërhyri.

Agjencia e lajmeve “Dojçe Vele” bëri një sondazh për penalltinë dhënë Bajernit, dhe vetëm 20 për qind e tifozëve mendonin se ishte e drejtë, 13 për qind thanë “ndoshta”, dhe plot 67 për qind, pra shumica absolute, e quajtën gabim dhënien e saj.

Gjithsesi, Robert Levandovski nuk gaboi nga 11 metra larg, dhe Bajerni fitoi 3-2.

“Mendimi im është që nuk duhej dhënë penallti, – tha trajneri i Verderit, – u shpreh trajneri I Bremenit, Kolfelt, – kjo gjë ndodhi dhe nuk e kthejmë dot, por më vjen keq që humbëm në këtë mënyrë. Mund të kishim arritur një sukses historik ndaj Bajernit dhe të synonim Kupën”.

“Jemi në finale me meritë, pas një fitoreje të vështirë në një fushë tepër të vështirë, – u shpreh trajneri i Bajernit, Kovaç, – pavarësisht dyshimeve për penalltinë, mendoj se nuk vodhëm gjë. Duam që të fitojmë të dy trofetë në vend, dhe vitin tjetër të mendojmë për Championsin”.

Kampionët e Gjermanisë duan çdo titull, ndërsa Verderi do të duhet të luftojë për një vend në Ligën e Europës. /abcnews.al

syle.jpg
Sej rie22:30 | 20/04/2019

Bajerni forcoi pozitat në krye të Bundesligës me fitoren minimale ndaj Verderit. Kampionët e Gjermanisë e patën të vështirë, por e merituan suksesin

Asnjë gabim nuk lejohet në këtë moment.

E dinte mirë këtë gjë Bajerni, ndërsa luante ndaj Verderit në ndeshjen e javës së 30-të të Bundesligës, ndërsa dueli me Dortmundin për titull, vazhdon.

Skuadra nga Bremeni erdhi në “Alianc Arena” në formë të mirë, me shumë rezultate pozitive radhazi, dhe ia bëri shumë të vështirë kampionëve për të marrë fitoren.

U desh të pritej minuta e 75-të që mbrojtësi i qendrës, Niklas Zyle, të gjente rrugën e rrjetës për t’i dhënë fitoren dhe tri pikë shumë të rëndësishme ekipit të trajnerit Niko Kovaç.

Sukses i madh, në një përballje ku bavarezët patën disa mungesa si portieri dhe kapiteni Nojer, mbrojtësi Humels apo mesfushori sulmues Hames Rodrigez.

Verderi, i mbështetur edhe tek shqiptari i Kosovës, Milot Rashica, u përpoq shumë dhe rezistoi mirë, por u godit nga dalja me të kuqe e Millosh Veljkoviçit në minutën e 58-të.

Gjithsesi, Bajerni e meritoi fitoren, pasi dominoi ndeshjen dhe bëri lojën.

Jo më kot gjuajti 28 herë drejt portës mike, ndaj vetëm 3 gjuajtjeve të Verderit.

Pas këtij triumfi, kampionët në fuqi kryesojnë Bundesligën me 70 pikë ndaj 66 të Dortmundit, që do ta luajë këtë të diel ndeshjen e vet./abcnews.al

Bajern.jpg
ent ela21:56 | 23/02/2019

Bajerni u barazua me pikë me Dortmundin në krye të Bundesligës, pas fitores minimale ndaj Hertës së Berlinit. Këtë javë shkëlqyen edhe dy shqiptarë, Amir Abrashi dhe Admir Mehmedi

Java nuk ka përfunduar, por për kampionët ka nisur mirë.

Bajerni arriti vetëm një fitore të vogël ndaj Hertës së Berlinit, por kjo I mjaftoi për t’u barazuar me pikë me Dortmundin në krye të renditjes së Bundesligës.

Një gol I mesfushorit spanjoll, Havi Martinez, në minutën e 62-të mjaftoi për tri pikët në stadiumin “Alianc Arena”, dhe bavarezët u ngjitën në kuotën e 51 pikëve, po aq sa Dortmundi, por që do ta luajë këtë të diel ndeshjen e vet.

Skuadra e trajnerit Niko Kovaç pati epërsi në zotërimin e topit dhe bëri shumë presion, por edhe I pati problem kundërsulmet e miqve, që gjithashtu e goditën shumë portën.

Kovaç luajti thuajse me të njëjtin formacion si në Liverpul, në ndeshjen e Championsit, me ndryshimet e vetme Boatengun për Humelsin në mbrojtje, dhe Frenk Riberinë si titullar, duke lënë në stol Tiago Alkantarën.

A do të ketë shanse Bajerni për të fituar titullin?

Faza e dytë e sezonit po shkon shumë mirë, dhe përvoja më e madhe mund të bëjë që t’ia dalë ndaj Dortmundit. Në këtë javë të Bundesligës, shkëlqeu shqiptari i Zvicrës, Admir Mehmedi, që shënoi dy gola.

Skuadra e tij, Volfsburgut, arriti një fitore të madhe në fushën e Gladbahut, me shifrat 3-0, dhe dy prej rrjetave ishin të mesfushorit. Paraqitje shumë të mirë bëri edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, që ishte sërish titullar për Frajburgun, në fitoren 5-1 ndaj Augsburgut./abcnews.al

9-2.jpg
ent ela20:46 | 19/01/2019

Bajerni është optimist për të mbrojtur titullin kampion në Gjermani. Trajneri Niko Kovaç vlerësoi skuadrën pas fitores me Hofenhajmin.

Vit i ri, histori e re. Tek Bajerni e dinë se çdo të thotë të luftosh në Bundesligë, dhe duket se të besuarit e trajnerit Niko Kovaç, më në fund, gjetën rrugën e duhur për të shkuar tek fitorja.

Suksesi 2-1 në stadiumin e Hofenhajmit ishte një rezultat i rëndësishëm, dhe që e lejoi të vazhdonte duelin për titull me kryesuesen Dortmund.

Hofenhajmi lufton për kupat e Europës, ndaj ishte detyrë e vështirë për Bajernin, por kampionët e Gjermanisë duket se janë kthyer nga faza përgatitore me mendje të mbledhur.

Leon Gorecka shënoi dy gola në pjesën e parë, dhe Robert Levandovski vulosi gjithçka në minutat e fundit, ndërsa vendasit thjesht shkurtuan diferencën pas pushimit.

Gazeta “Bild” lavdëron trajnerin dhe titullon: Tre mesazhet e Kovaçit!

“Jemi gati për të sfiduar Dortmundin deri në fund, – ishin fjalët e kroatit pas ndeshjes, – ne jemi gjahtarët për titullin. Pjesa e parë ishte fenomenale. Kështu donim të luanim dhe kështu bëmë. Gjëja kryesore është të jesh në krye në fund të sezonit”.

Njeriu që shënoi më shumë ishte Gorecka, por ai që po shkon drejt rekodeve është Levandovski.

Ky ishte goli i 191-të i polakut në Bundesligë.

Sulmuesi 30-vjeçar është vetëm 3 gola larg Klaudio Pizarros, ndërsa pak më larg janë Manfred Burgsmyler (213) dhe ish-trajneri i tij, Jup Hajnkes (220).

Besohet se polaku mund t’i arrijë këta, për t’u ngjitur në podiumin e shënuesve më të mirë në historinë e Bundesligës.

Sidoqoftë, nuk dihet nëse do të ketë aq jetë sportive sa të pretendojë për të kaluar numrin 2 në histori, Klaus Fisherin me 268 rrjeta, dhe rekordmenin absolut, Gerd Mylerin që ka 365. /abcnews.al

pavard.jpg
ent ela18:14 | 09/01/2019

Një kampion i botës bashkohet me Bajernin e Mynihut. Mbrojtësi francez, Pavard, do të veshë në verë fanelën e kampionëve të Gjermanisë.

Një nga shpresat kryesore në rolin e tij. Pavard, mbrojtës i shkëlqyer dhe kampion i botës me Francën në Rusi, do të hedhë një hap të madh në karrierë. Futbollisti 22-vjeçar do të bashkohet në verë me Bajernin e Mynihut, siç njoftoi zyrtarisht drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamixhiç.

“Mund t’iu konfirmoj se kemi arritur marrëveshje me Shtutgartin për të marrë në vetë Benjame Pavardin, një lojtar i shkëlqyer, që do të firmosë një kontratë 5-vjeçare”, – theksoi ish-futbollisti nga Bosnjë-Hercegovina.

Klubi gjerman do të paguajë 35 milionë euro për kartonin, një shifër jo shumë e madhe për Pavardin, por krejt normale për standardet e Bundesligës, që janë më të ulëta sesa ato të Premier Ligës angleze apo La Ligës së Spanjës.

Mbrojtësi e filloi karrierën e tij tek Lille në Francë, dhe në vitin 2016 kaloi tek Shtutgarti në Gjermani, në moshën 20-vjeçare. Për dy sezone e gjysmë, ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, dhe Bajerni u mendua për ta marrë që verën e kaluar.

Gjithsesi, kampionët vendosën të prisnin edhe një vit, për të mos prishur marrëdhëniet e mira me Shtutgartin. Pavard mund të luajë në disa role në mbrojtje, diçka që mund ta ndihmojë shumë Bajernin. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono