babale

SALIANJI-1280x719.jpg
ent ela12:53 | 23/03/2019

Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka fabrikuar dëshmitarin e rremë Fredi Alizoti në dosjen “Babale”.  Ervin Salianji ka publikuar të tjera përgjime për të cilat thotë se faktojnë përdorimin politik të Prokurorisë për të mbrojtur zyrtarë të lartë të shtetit dhe fajësuar opozitën.

Ervin Salianji nga Partia Demokratike pa publikuar të tjera përgjime të cilat sipas tij dëshmojnë se qeveria ka sajuar dëshmitarin  e rremë Fredi Alizoti , fierakun që thotë se luajti rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin me Albert Veliun  të njohur si “Dëshmitari X”.

Fredi Alizoti në këtë regjistrim pretendohet se po komunikon me drejtorin e Policisë se Fierit Albert Nushi të cilit i ankohet se e ka lënë në baltë ndërsa ky i fundit i premton se do t’i dërgojë para.

Para se të bisedonte me zyrtarin e Policisë se Shtetit Alizoti sipas Salianjit ka komunikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Përgjimet e publikuara prej tij Salianji thotë se janë disa fragmente te dosjeve që disponon Prokuroria por të cilat sipas tij i fsheh me qellim për të mbrojtur zyrtarë të lartë të shtetit dhe akuzuar opozitën.

Pas publikimit të përgjimeve te dosjes “Xhafaj –Babale” nga Partia Demokratike Ervin Salianji është nën hetim nga Prokuroria./abcnews.al

SALIANJI-SINKRON.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ent ela10:21 | 08/03/2019

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u paraqit në Prokurori si i pandehur në lidhje me çështjen “Xhafaj-Babale”. Ai thotë se është marrë i pandehur vetëm se ka denoncuar një trafikant ndërkombëtar droge, në një kohë që të tjerë persona duhet të ishin në vend të tij.

Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike, në orën 9 të së premtes u paraqit në Prokuorinë e Tiranës për si pandehur në lidhje me çështjen “Babale”.

Prokuroria e akuzon Salianjin për veprën penale “kallzim i rremë”. Pasi qëndorojë afërsisht 40 minuta në organin e akuzës, ku prokuror i çështjes është Genc Qana, ish-deputetit tha se u mor i pandehur vetëm se ka denoncuar një trafikant ndërkombëtar droge.

“Mbi bazën e kallëzimit të trafikantit që sot nuk gjendet l, unë jam i proceduar. Dhe padiskutim që do ta vazhdojmë procesin dhe do të kem të tjera për të folur edhe kur të jemi në gjykatë apo pasi të njihemi me të gjithë aktet e dosjes, do t’ua bëjmë publike.

Nuk ka pasur një hetim, siç duhet të kishte në fakt, për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për kryetarin e grupit të Partisë Socialiste dhe për ish-ministrin e Brendshëm të shkarkuar, pas nxjerrjes së këtij skandali. Kështu që e gjitha është si kronikë e kohëve të vjetra”.

Edhe pse nuk e ka imunitetit e deputetit, Salianjo pohoi se nuk i trembet një arrestimi të mundshëm.

“Frika nuk hyn dhe nuk është një nga ndjesitë e mia, fare. Kështu që për më tepër kur kam me vetë edhe të drejtën. Rasti i Geron Xhafajt dhe Fatmir Xhafajt në lehtësimin e trafikut të drogës vëllait të vet është një çështje tanimë e ditur por ajo që është e paditur është edhe Shërbimi Sekret apo edhe institucione të tjera ligjzbatuese në këtë vend kanë qenë në ndjekje të tij për ta kapur. Edhe shërbimet të tjera partnere kanë qenë në ndjekje për të kapur Geron Xhafën. E kemi kapur ne, ky është një shërbim i madh që i kemi bërë vendit”.

Veç deputetit të dorëhequr në hetim janë dhe Albert Veliu dhe i afërmi i tij që imitoi zërin e Agron Xhafës, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi. Përmes një audio-përgjimi të publikuar në një media online në Shqipëri, dhe që më tej u kthye edhe në akuzën e opozitës ndaj qeverisë, u pretendua se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, fliste me Albert Veliun, njohur si “Babale” për pazare droge. Por zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës por i Fredi Alizotit.

/abcnews.al

SALIANJI-1280x673.jpg
ent ela17:17 | 25/02/2019

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Ervin Salianjit, deputetit që ka hequr dotë nga mandati, për të mbyllur hetimet e nisura nga Prokuroria për çështjen “Babale”. Afati përfindimtar u caktua data 20 mars, si kohë kur prokuroria duhet t’i ketë mbyllur hetimet.

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar prokurorinë që brenda datës 20 mars të përfundojë hetimet për çështjen ndaj deputetit të dorëhequr të Partisë Demokratike Ervin Salianji.

Vendimi i gjykatës u shpall të hënën, ndërsa Avokati i Salianjit, Ledio Braho, tha se shtyrjet e hetimeve deri tani kanë qenë të pajustifikuara.

Shtyrja e afateve ishte edhe për faktin se prokurorët ishin në pritje të mbërritjes së Albert Veliu i njohur ndryshe si Babalja, i cili ndodhet në Belgjikë ku ka kërkuar dhe azil politik. Veç deputetit të dorëhequr në hetim janë dhe Albert Veliu dhe i afërmi i tij që imitoi zërin e Agron Xhafës, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi. /abcnews.al

kerkesa.jpg
G. P.13:00 | 25/02/2019

Në lidhje me hetimin e njohur më së shumti me emrin “Babalja”, Gjykata e Tiranës vendosi sot që deri më datë 20 Mars, prokuroria duhet të mbyllë hetimet mbi rolin e deputetit, me mandat të dorëzuar tashmë të PD-së, Ervin Salianji. Organi i akuzës kishte kërkuar më shumë kohë për këtë hetim.

 “Sot gjykata vendosi të shpallë vendimin për pranimin e ankimit të deputetit Salianji dhe në këtë mënyrë, afati për të mbyllur hetimet u la deri me datë 20 Mars. Në këtë mënyrë i jepet fund dhe intimidimit që organi i prokurorisë bënte ndaj opozitës në lidhje me mbajtjen e personit nën hetim Ervin Salianji, statusi që ka në lidhje me këtë dosje.

Afati përfundonte në Prill. Për këtë arsye duke u bazuar në pretendimet tona që prokuroria realisht nuk kishte veprime por thjesht donte ta zvarriste çështjen duke mbajtur Salianjin në hetim, gjykata vendosi që të pranonte ankimin e deputetit Salianji”, tha avokati./abcnews.al

KRONIKE-VENDIMI-BABALE-MOTIVET.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela10:19 | 05/12/2018

Gjykata e Apelit në Tiranë la të pandryshuar masën e sigurisën “arrest në burg” Fredi Alizotin, i dyshuar si personi që aktroi zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e Babales. Alizoti akuzohet për veprën penale të “kallëzimit të rremë”.

Kolegji penal i përbërë nga gjyqtarët Flutura Skënderi, Alaudin Malaj dhe Artur Gaxha la të pandryshuar edhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi.

Ndërsa Albert Veliu, i njohur si Babalja, aktualisht në statusin e azilkërkuesit në Kosovë, nuk e ka ankimuar masën “arrest në burg” dhënë në mungesë për të.

Për të njëjtën çështje Prokuroria e Tiranës po heton në gjendje të lirë edhe deputetin Ervin Salianji. Fillimisht çështja u hetua nga Krimet e Rënda, por më pas i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës. /aqbcnews.al

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-DY-BABALE-MES-RAMES-E-BASHES-DHE-PROKURORISE-13.10.2018.mpg_snapshot_05.53-1280x720.jpg
G. P.16:51 | 13/10/2018

Historia e Babales, e nisur si një audiopërgjim që implikonte vëllain e ministrit të Brendshëm, prodhoi një të ngjashëm javën politike që lamë pas, duke bërë lëmsh dy krahët e politikës, vetë prokurorinë por edhe median e opinionin publik. Këtë zhvillim me gjithë dritëhijet e veta sjell këtë javë Mimoza Kociu në Politika në ABC News. 

Ky personazh nga Vlora i njohur me emrin Babalja, që pretendon se ka regjistruar një telefonatë me vëllain e ministrit të Brendshëm, për trafik droge, po u shpenzon kohë e energji të pamata Kryeministrit të vendit, kreut të opozitës e organit të akuzës. E si të mos mjaftonte, ky personazhi tjetër nga Fieri, mik i Babales, Alfred Alizoti, shfaqet me dy variante të ndryshme, herë si aktori i kontraktuar nga Babale per llogari të opozitës, për të qenë zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, e një herë si i joshur vetë nga mazhoranca, duke bërë kështu lëmsh të dy krahët e politikës, vetë prokurorinë, por edhe median e opinionin publik.

Lulzim Basha e Ervin Salianji ishin dy deputetët e opozitës, që u thirrën për t’u marrë në pyetje në prokurori, e ndërsa fokusi publik mbetej tek ajo ngjarje, krimi vijoi të spikaste me goditje, me një polici që u shfaq e coroditur, teksa krerët politikë flisnin për suksese. Madje u desh një gjest i papritur i Kryeministrit, mbyllja e pikave të basteve, për ta zbutur këtë panoramë, por edhe pranuar, se krimi ka nevojë për një paketë të re ligjore për t’u luftuar.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Pas paralajmërimit të parë, të një akti të prokurorisë nga një studio TV, që u provua 3 ditë më vonë, Kryeministri e mbylli atë fundjavë me një paralajmërim të dytë, që ia bënte Bashës përmes tëitterit, se të hënën do kishte të reja për të publikuar.

Të hënën, e reja e parë e ditës, ishte një sasi e vogël tritoli, e hedhur dhe ende e pazbardhur nga kush, në oborrin e banesës së të afërmve të Xhisiela Malokut, vajzës që denoncoi në polici dhunën e djalit të një deputeti të zonës, e më pas u tërhoq publikisht nga varianti i parë.

Pak më vonë, Xhisiela artikuloi një variant të ngjashëm, e më direkt kundër PD-së dhe opozitës. Kjo lloj qasje, i heq një barrë publike, për pasojë mund të fokusohet tek çështja “Babale”. I mëshoi fort variantit të vetëdenoncimit të Alfred Alizotit, duke akuzuar opozitën.

Në fakt në analizën e ardhur nga Britania e Madhe, tashmë e dalë në media, nuk ka një konfirmim kujt i përkiste zëri që komunikonte me Babalen. Në dokumentin e përkthyer nga ministria e Drejtësisë, thuhet se cilësia e zërit të asaj telefonate, është e dobët dhe pamundëson një konkludim .

Por Kryeministri duket i bindur edhe nga vetëdenoncimi i Alizotit, ndërsa e vetmja gjë e re në qëndrimin e njohur se audiopërgjimi ishte fals, ishte kjo frazë misterioze

“Monstruoze është shpifja ndaj ministrit, u sajua në dy skuta të shtetit, me të cilat do të presim me durim që të hedhë dritë hetimi i mëtejshëm i Prokurorisë”.

Përballë tij, Lulzim Basha nuk kishte dhënë një reagim zanor për vetëdenoncimin e Alfred Alizotit, që rrëzonte si fals audiopërgjimin e Babales dhe implikonte deputetin e tij Ervin Salianji, Rama që e kishte ndjekur me përgjigje e batuta në rrjetet sociale, e nisi javën duke e akuzuar se i kishte kërkuar pushtet në tavolinë, gjatë marrëveshjes së 18 Majit të vitit të kaluar.

Mediat siguruan dëshminë e Alfred Alizotit, bazuar në të cilën Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për të dhe Babalen, për kallëzim të rremë, e me të njëjtën akuzë por paraqitje me detyrim për gazetarin që kishte bashkëpunuar me Babalen, për investigimin e tij.

“Sipas gjykatës, rreth muajve tetor-nëntor 2017 Babalja i ka thënë se donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, por nuk po i gjendet dotë anën sepse ai nuk e afronte. Babalja i kishte thënë gjithashtu të bënin një regjistrim ku Alizoti të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj dhe si shpërblim do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Alizoti ka deklaruar më tek se biseda është regjistruar tek një lokal në Vlorë, përballë me atë të Agron Xhafatj dhe zëri në regjistrim ishte i tij, por nuk i kishte marrë paratë e premtuara. Sipas gjykatës, Albert Veliu, Babalja, dyshohet se ka pasur motiv përfitimin financiar dhe përfitimin e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Përfitimi financiar ka qenë motiv i dukshëm, sipas gjykatës, edhe për Fredi Alizotin. Ndërsa për gazetarin Olldashi, gjykata ngre dyshime se motivi i tij ka qenë denigrimi i figurës së Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.

Në këtë tejngopje të opinionit, me retorikë, akuza e dokumente, zëri i Bashës tingëlloi i dobët:

“Regjistrimi është i vërtetë dhe zëri është i Agron Xhafajt”.

Si zakonisht ryeministri e ironizoi nga Tëitteri, por pak orë më vonë, befasoi publikimi i një videoje të dytë. Deputeti Ervin Salianji i përmendur në përgjimet e prokurorisë ndaj Babales e Alizotit si personi që kishte premtuar 200 mijë euro, publikoi në emisionin më të ndjekur TV të mbrëmjes, Opinion, një videoregjistrim të Alfred Alizotit. Salianji nuk tha se kush e kishte realizuar e kush ia kishte dhënë, por në videoregjistrimin pak minutësh, Alizoti shfaqej tek rrëfente në mënyrë të çlirët, pa e ditur se personi që kishte përballë po e regjistronte, tek rrëfente një tjetër variant të historisë, e implikonte drejtorin e policisë së shtetit dhe një Taulant, që Salianji e lexoi si Taulant Ballën, si palët që ishin investuar për Alizotit.

Ishte radha e Lulzim Bashës të fliste për komplot, por sipas tij shtetëror, për të mbrojtur Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm.

Topi është në fushën e prokurorisë, që duhet të zbardhë këtë histori me dy Babale, e pozicionin e vëllait të ministrit të Brendshëm, e nëse do thërrasë edhe eksponentë të mazhorancës, njëlloj siç bëri me ata të opozitës. /abcnews.al

BABALE-1280x720.jpg
ent ela17:05 | 12/10/2018

Është liruar nga paraburgimi, Albert Veliu, i njohur si Babalja, një ditë pas arrestimit të tij në qendrën e azilit në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar nga avokati i Veliut, Tom Gashi, që sqaroi në një lidhje telefonike për ABC News, se lirimi i tij u bë me vendim gjykate.

Sipas avokatit Gashi, klienti i tij ka dalë sot para gjykatës në Prishtinë e cila ka rrëzuar urdhrin për arrestimin e Albert Veliut, pasi ai ka kërkuar azil në Kosovë dhe është në pritje të një përgjigje lidhur me procedurën e azilit.

“Vendimi është marrë para disa minutash. Ka procedurë të rregullt të azilit. Nuk mund të kërkohet arrestimi nga shteti prej nga ka ikur për të kërkuar azil politik. Pa përfunduar procesi i azilit nuk mund të arrestohet, sidomos kur kërkesa vjen nga shteti nga ku është larguar”.

Babalja u arrestua disa muaj më parë pranë Ferizajt të Kosovës, ku kishte hyrë ilegalisht.

Disa ditë më parë për të u vendos në mungesë masa e sigurise “Burg pa afat” nga gjykata e krimeve të rënda në Shqipëri, lidhur me audiopërgjimin e një bisedë të pretenduar mes tij dhe Agron Xhafajt. /abcnews.al

ervin-salianjiiiiiii.png
G. P.12:09 | 12/10/2018

Në vizitën e tij të tretë për dosjen “Babalja” tek Krimet e Rënda, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji dha shpjegime në cilësinë e personit nën hetim. Gjatë dy orëve ai iu përgjigj prokurorëve, duke sqaruar si siguroi videon dhe emra të personave të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

Për të dytën herë brenda pak ditësh, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u pyetur nga prokurorët e dosjes “Babalja”. Për gati dy orë ai dha shpjegime prokurorëve, por këtë radhë në cilësinë e personit nën hetim për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vend të konsiderueshëm në seancë kanë zënë pyetjet për video-përgjimin e Fredi Alizotit të publikuar prej tij të martën në programin “Opinion”. Salianji ia faturoi një deklarate të kryeministrit Edi Rama statusin e tij të ri si “person nën hetim”, por theksoi se kishte identifikuar persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

“Fakte të tjera që gjenden në fashikullin e Prokurorisë, prokurorisë mund t’i kenë dalë nga vëmendja që Taulanti prej Librazhdi dhe Ard Veliu nga Delvina kanë paguar dhe kanë dhënë “një pako të mirë”  për dëshmitarin kryesor të prokurorisë”.

Pyetjes nëse i beson videos së parë apo të dytë të Fredi Alizotit Salianji iu përgjigj:

“Unë besoj në Zot, tek Alizoti beson Edi Rama”.  ​

Sipas burimeve pranë Krimeve të Rënda në deklarimet e tij Salianji ka pohuar se video-përgjimin e Fredi Alizotit e ka siguruar në qershor të këtij viti. Sipas tij, atë e kishte lënë në recepsionin e selisë së Partisë Demokratike Florenc Hoxha, ish-kreu i Policisë Bashkiake Tiranë. Sipas Salianjit, videoja e Alizotit ishte realizuar në momente relaksi dhe qetësie të plotë.  /abcnews.al

ervin-salianjiii.png
G. P.10:19 | 12/10/2018

Mëngjesin e sotëm deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me hetimet që po bëhen për llogari të dosjes së njohur si “Babalja”.

Pak ditë më parë, më 5 Tetor, emri i deputetit demokrat është regjistruar si person nën hetim për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Nën hetim sëbashku me Salinajin janë dhe Albert Veliu, Fredi Alizoti e gazetari Jetmir Olldashi.

Fredi Alizoti në dëshminë e dhënë në prokurori në datë 1 Qershor të këtij vitit pretendon se Albert Veliu (Babalja), të cilin e njihte prej 20 vitesh, rreth muajve Tetor-Nëntor të vitit 2017, i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte.

Ai thotë se Babalja i kishte ofruar që të bënin një regjistrim ku ai të aktronte sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Siç bën të ditur zyrtarisht Prokuroria për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100 mijë euro dhe se zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte i tij.

Por prishja e pazareve dhe fakti që ngjarja mori përmasa të mëdha e shtyu Fredi Alizotin që të paraqitej para autoriteteve për të dhënë dëshminë e tij./abcnews.al

fredi-alizoti.png
G. P.13:30 | 11/10/2018

Fredi Alizoti, i dyshuari si aktrues i zërit të Agron Xhafajt, në audio-përgjimin e pretenduar mes tij dhe Albert Veliut, u thirr të enjten tek Krimet e Rënda ku u mor në pyetje për gati 3 orë. Burime të rezervuara konfirmuan për “ABC News” se Alizoti ka dhënë shpjegime të hollësishme për videon e publikuar dy ditë më parë në programin “Opinion”, ku ai pohonte se ishte transportuar në Tiranë nga kreu i Policisë së Shtetit dhe se ishte takuar nga një deputet. Para prokurorëve të çështjes ai ka sqaruar se biseda  e shfaqur në video-përgjim është zhvilluar në një bar pranë selisë së Partisë Demokratike. Alizoti ka pohuar për prokurorin edhe identitetin e bashkëbiseduesit, si edhe kohën kur është bërë kjo bisedë. Nga ana tjetër, Alizoti ankimoi masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë për të nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda. Përmes avokatit të tij Ilir Dode Alizoti ka depozituar një kërkesë në Apel ku kërkon ndryshimin e kësaj mase dhe caktimin e një mase më të butë.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme avokati mbrojtës i Alizotit ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tij, i cili vetëm pak ditë më parë u la nga Gjykata e Krimeve të Rënda nën masën e sigurisë burg pa afat, pavarësisht se ia ka deklaruar me vullnet të lirë se ka aktuar në rolin e Agron Xhafës në videon e bërë sëbashku me Albert Veliun, të shpallur tashmë në kërkim.

Avokati: “Nuk kërkojmë lirimin, por caktimin e një mase më të lehtë sigurimi personal. Kriteret janë ato që thashë seancën e kaluar që Gjykata e Shkallës së Parë nuk i mori parasysh dhe që shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i marrë parasysh”.

Pyetje: Ju keni komunikuar me klientin pas shfaqjes së një videoje të dytë dhe cili është versioni i tij paraprak mes një avokati dhe klienti?

Avokati: Kjo mbetet në kuadër të hetimit siç e thashë është sekret hetimor.

Pyetje: Klienti juaj do të pyetet për të dyja videot apo për më të fundit.

Avokati: Klienti im do të pyetet për të gjithë ngjarjen, nga fillimi deri në fund. Do të thotë të vërtetat e tij dhe do hetohet për të dalë e vërteta. Klienti im ka bërë disa deklarata, do bëjë deklarata të tjera, do thojë të gjithë të vërtetën e tij në funksion të drejtësisë.

Pyetje: Cila është e vërteta e Alizotit?

Avokati: Këtë do ta marrim vesh shumë shpejt.

Pyetje: Ju nuk keni informacion për këtë ngjarje?

Avokati: Unë kam informacion, por siç thashë është në kuadër të hetimit sekretit hetimor dhe dëmton hetimin nëse kemi shprehje paraprake të personave nën hetim.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono