azerbajxhan

partizani-2.jpg
G. P.14:15 | 16/07/2019

Partizani mbërrin në Azerbajxhan ku do të luajë nesër ndeshjen e kthimit në Champions ndaj Qarabakut. Pas barazimit 0-0 në Tiranë, kampionia e Shqipërisë synon kualifikimin.

Fati do të vendosen mbrëmjen e mesjavës. Partizani do të luajë këtë të mërkurë në Baku ndaj Qarabakut vendas, me shpresë kualifikimin pas barazimit 0-0 në Tiranë.

Kampionia e Shqipërisë u nis herët në mëngjes nga Rinasi, me avion çarter, me destinacion Azerbajxhanin, ku mbërriti pas disa orësh fluturimi. Udhëtimi shkoi normal dhe krejt pa të papritura, deri në aeroportin “Heidar Alijev” të Bakusë.

Skuadra kryeqytetase jepet e plotë, pa probleme dëmtimi apo pezullimesh, ndërsa shqetësimi i vetëm për trajnerin Lerda ka të bëjë me gjendjen fizike të lojtarëve të afruar së fundmi në ekip.

Partizani u përgatit për disa ditë në stadiumin e Kamzës, ku italiani punoi sërish me theksin tek loja në mbrojtje dhe tek kundërsulmi i shpejtë, që pritet të jenë taktikat që do të përdoren ndaj kampiones së Azerbajxhanit.

“Ne shkojmë në këtë ndeshje me bindjen dhe me synimet tona, që janë të rëndësishme. Përgatitja ka qenë mjaft e mirë, dhe jemi me besim, por dyshimet ekzistojnë, siç ka dyshime për çdo gjë. Skuadra është përgjigjur mirë. Karabaku ka më shumë përvojë se ne, ka lojtarë me emër, por në një ndeshje të vetme mund t’ia dalim. Në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka”, tha Lerda.

Në ndeshjen e parë, skuadra shqiptare u mbrojt në përgjithësi mirë, duke qenë më sulmuese në minutat e fundit të pjesës së parë dhe gjatë pjesës së dytë./ABC News Albania 24/7

qarabag-partizani.jpg
G. P.20:45 | 10/07/2019

Skuadra e Partizanit barazoi me rezultatin 0-0 me skuadrën e Karabag në ndeshjen e parë kualifikuese të Champions League. Partizani dominoi në pjesën e dytë, por nuk gjeti rrugën e rrjetës. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në Azerbajxhan.

Partizani luan si i barabartë përballë Karabagut dhe merr një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë kualifikues të Champions League. Të kuqtë barazuan pa gola në “Selman Stermasi”, një rezultat mjaft i mirë duke llogaritur cilësitë e kundërshtarit. Në pjesën e parë të besuarit e trajnerit Franko Lerda nuk rrezikuan shumë ndërkohë që në fraksionin e dytë tentuan gjithçka, por vetëm shtylla i mohoi golin kryeqytetasve. Në minutën e 16 miqtë pretendojnë për një prekje të topit me dorë nga Bitri, por gjyqtari vijon lojën.

Pak minuta më pas është sërish Karabagu që shkon shumë pranë golit, por fati është me Partizanin. Goditja e parë e rrezikshme për vendasit erdhi vetëm në minutën e 23. Asani merr një inkursion të bukur dhe lëshon një goditje potente me të majtën, por topi nuk gjen kuadratin.

Në fundin e pjesës së parë, Çinari godet me të majtën me topin që devijohet nga prapavija mike, por Mensah nuk përfiton duke humbur një shans të shkëlqyer.

Në fraksionin e dytë, Partizani është më sulmues dhe me idetë më të qarta. Në të 49 minutë, portierë Vagner i mohon golin e avantazhit Çinarit. Hasani kroson nga goditja e këndit, por goditja e Belicës ndalet vetëm në shtyllë. Moment mjaft i mirë për Partizanin që nuk finalizon në gol rastet e krijuara.

Në minutën e 79, i sapofuturi në lojë, Lorenc Trashi tenton me një harkim që përfundon rrjetë e jashtme. Gjyqtari akordon 3 minuta shtesë që nuk sjellin asnjë ndryshim. Partizani merr një rezultat të mirë dhe shpreson tek kualifikimi ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në Azerbajxhan./ABC News Albania 24/7

lerdda.jpg
G. P.15:59 | 19/06/2019

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, shprehen për shortin e Championsit. Synojnë të jenë të përgatitur dhe të kualifikohen.

Emrin e kundërshtarit e mësuan në fazë përgatitore. Futbollistët e Partizanit dhe stafi i tyre teknik po përgatitet në Slloveni për Championsin, ku rivali në turin e parë eleminator do të jetë Karabaku i Azerbajxhanit. Trajneri i ri, Franko Lerda, tregoi në faqen zyrtare të klubit sesi e priste shortin.

“Të preferuar nuk kisha pasi sa herë hidhen shortet ka diskutime të ndryshme, por në fund duhet të vazhdojmë me përgatitjet tona dhe të kërkojmë të shkojmë në ndeshje me përgatitjen e duhur fizike, teknike, taktike, por mbi të gjitha, posikologjikisht të bindur se mund të kalojmë turin, pasi ndeshje të lehta nuk ka. Kam besim se do të shkojë mirë”, tha Lerda.

Italiani tregoi edhe përshtypjet e para për skuadrën e tij të re.

“Sot ka qenë dita ime e parë, ku takova djemtë në fushë. Ishte një takim shumë pozitiv, i pashë mirë, punuam mirë. Kështu jam shumë i kënaqur sepse pashë jë skuadër që do të rritet, përmirësohet dhe rritet. Pashë një grup që ka karakteristikat e mira, që na jep përshtypjen se do të bëjmë mirë”, tha Lerda.

Më pas, Lerda, tregoi edhe programin gjatë fazës përgatitore në Slloveni.

“Miqësore për momentin kemi dy, njërën në datën 23 dhe tjetrën në datën 26. Më pas kemi menduar sëbashku me stafin të mendojmë se ku do të bëjmë miqësoren e tretë sepse duhet të menaxhojmë dhe ngarkesën e stërvitjes. Tani duhet të bëjmë këto dy miqësore që i kemi me skuadra të rëndësishme”, tha Lerda.

Reagim për shortin edhe nga drejtori i përgjithshëm i kryeqytetasve, Olsi Rama, i cili e ndoqi shortin në sallën e UEFA-s në Nion të Zvicrës.

Rama u citua nga faqja zyrtare e Partizanit në internet, dhe u shpreh se “respektojmë çdo kundërshtar, ne jemi kampionë të Shqipërisë dhe padiskutim kërkojmë kualifikimin, jemi në një projekt ambicioz ku synojmë të ecim sa më shumë në Europë”.

“Karabaku është skuadër me shumë eksperiencë në Europë, – vazhdoi ai, – dhe normalisht nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi futbolli nuk është shkencë ekzakte, nuk fiton më i shtrenjti, por më i miri”.

Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në Tiranë në 9 ose 10 korrik, dhe të kthimit në Azerbajxhan në 16 ose 17 Korrik. Në rast kualifikimi, kampionë e Shqipërisë do të ndeshet në turin e dytë me fituesin e çiftit Dandalk të Irlandës-Riga të Letonisë./ABC News Albania 24/7

henrikh.jpg
G. P.16:37 | 21/05/2019

Sulmuesi i Arsenalit, Henrikh Mkhitaryan, nuk do të mund të luajë në finalen e Ligës së Europës ndaj Chelsea-t. Kjo, sepse ai është armen, ndërsa ndeshja luhet në Azerbajxhan, një vend në konflikt me Armeninë.

Prezantimi i sfidës së shënuar ishte paqësor sa më nuk bëhet. Azerbajxhani ndihet krenar dhe i lumtur që finalja e Ligës së Europës këtë vit do të luhet në stadiumin “Olimpik” të kryeqytetit Baku, veçse diçka e rëndë ndodhi ende pa mbërritur dita. Henrikh Mkhitaryan, një nga lojtarët kryesorë të Arsenalit, nuk do të mund të jetë në fushë, për duelin vendimtar ndaj Chelsea-t.

Cila është arsyeja?

Mkhitaryan është nga Armenia, kapiten i ekipit kombëtar të vendit të tij dhe kjo mjafton që ai të mos jetë i mirëpritur në Azerbajxhan. Mes dy vendeve në kaukaze është konflikti i vjetër ndëretnik për rajonin e Nagorno-Karabakut, që ndodhet në brendësi të Azerbajxhanit, por me shumicë popullsie armene dhe që kontrollohet pikërisht nga armenët.

Fillimisht, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit dha shpresë se Mkhitaryan mund të udhëtonte drejt Bakusë, por më pas u tërhoq duke mos garantuar dot sigurinë.

“Ju njoftojmë me zhgënjim të thellë se Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën për finalen e Ligës së Europës ndaj Chelsea-t”, – ishte njoftimi i Arsenalit në rrjetet sociale.

Vetë futbollisti po ashtu, reagoi.

“Një ndeshje e tillë nuk ndodh ta luash shpesh, dhe duhet ta pranoj se më vret shumë mungesa e saj, – komentoi vetë Mkhitaryani në Twitter, – do të mbështes shokët e mi! Le ta sjellim kupën në shtëpi!”

Mkhitaryan e ka luajtur një finale të Ligës së Europës, atë të vitit 2017, fituar me Manchester United ndaj Ajaksit, madje duke shënuar edhe gol. Mungesa e tij është problem serioz për Arsenalin, veçse futbolli, pavarësisht përhapjes gjithnjë e më të madhe globale, shpesh e ka të pamundur të mposhtë armiqësitë e krijuara nga e kaluara./ABC News Albania 24/7

presidentet.jpg
G. P.09:54 | 15/03/2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Baku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Përveç bashkëpunimit në fushën e gazifikimit dhe atë të turizmit, kryetari i shtetit kërkoi edhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Falenderimet për bashkëpunimin ishin kryefjalë e takimit të Presidenti Ilir Meta me homologun e Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Në tryezën e bisedimeve në Baku, kreu i shtetit shqiptar i paraqiti edhe disa kërkesa.

Zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë bën me dije zyra e shtypit e presidencës.

Presidentët Meta e Aliyev, vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.

Presidenti i Republikës kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve./abcnews.al

kosova-1.jpg
G. P.12:54 | 21/11/2018

Kosova arrin një triumf të madh futbolli, vetëm pak kohë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Sukses në Ligën e Europës dhe kalim në plej of-in për në Kampionatin Europian.

Tre vjet më parë festuan, por për vëllezërit përtej kufirit. Çmenduria në Prishtinë ishte për kualifikimin e kombëtares së Shqipërisë në Euro 2016, ndërsa mbrëmjen e fundit suksesi ishte në shtëpi. Shqiptarët e Kosovës, e ndoshta edhe etni të tjera të shtetit të ri europian, kremtuan kalimin e grupit nga ekipi i tyre përfaqësues. Suksesi 4-0 ndaj Azerbajxhanit e kaloi në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, dhe pjesëmarrjen në plej ofin e Europianit 2020, një arritje thuajse e pabesueshme për një ekip të pranuar në futbollin ndërkombëtar vetëm tre vjet më parë.

Festimet në stadiumin “Fadil Vokrri” ishin krejtësisht të ligjshme, sidomos për mënyrën sesi u arrit ky triumf. Kosova, që pësoi thellë nga Kroacia në eleminatorete Botërorit, këtë herë pati 4 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, ndonëse niveli i kundërshtarëve ishte më i ulët. Jo vetëm kaq, por shënoi më tepër se thuajse çdo ekip tjetër në Ligën e Kombeve. Arbër Zeneli ishte heroi kryesor me tre golat e tij, dhe sulmuesi i Herenvenit në Holandë konfirmoi sezonin shumë të mirë që po zhvillon. Mediat ndërkombëtare e patën jehonën e tyre. Televizioni amerikan lavdëron suksesin dhe Arbër Zenelin, autor të tre golave, që siguroi ngjitjen një kategori më lart, në nivelin C.

“Uashington Posti”: Debutuesja Kosovë siguron vendin në plej ofin e Europianit 2020”.

Mediat ndërkombëtare theksojnë se ky sukses u arrit vetëm 2 vjet pas pranimit të Kosovës në UEFA, ndërsa Arbër Zeneli shënoi një hatrik.

Gazetat serbe nuk i kushtuan shumë rëndësi fitores, por “Telegrafi” theksoi se “futbollistët shëruan plagët e shqiptarëve pas fiaskos së Interpolit. Kosova shkatërroi 4-0 azerët dhe zuri vendin e parë. Një humbje politike, por një fitore futbolli”.

Trajneri Bernar Shaland shpjegon sesi e përgatiti ekipin.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme sepse fituam dhe u kualifikuam për në gjysmëfinale. Jemi rritur shumë si skuadër, kemi më shumë cilësi dhe më shumë përvojë. Natyrisht, që e përgatitëm ndeshjen taktikisht dhe teknikisht, por edhe nga ana psikologjike. U thashë lojtarëve që të jenë si gladiatorë në fushë. Suksesi ishte i gjithë skuadrës, pasi mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit ndihmuan njëri-tjetrin”.

Kosova është vetëm dy hapa nga fitorja e një trofeu, edhe pse të nivelit të katërt europian, ndërsa në gjysmëfinale ka si rivalë të mundshëm, Gjeorgjinë, Bjellorusinë e Maqedoninë./abcnews.al

auto_4-71536312613.jpg
ent ela20:58 | 07/09/2018

Kosova bëri një paraqitje mjaft të mirë në sfidën e parë të Ligës së Kombeve. Skuadra e dytë shqiptare tregoi nivel në fushën e Azerbajxhanit, duke qenë pranë fitores.

Nuk pati gola, por pati një barazim të merituar.

Kosova e nisi siç duhet Ligën e Kombeve, duke qenë më pranë fitores sesa kundërshtari në sfidën e parë, luajtur në Azerbajxhan.

Në stadiumin e Bakusë, të përzgjedhurit e trajnerit zviceran, Shaland, treguan autoritet dhe cilësi, edhe pse rastet e pastra nuk është se ishin të shumta.

Skuadra përfaqësuese tjetër shqiptare e filloi ndeshjen mjaft fort, duke ushtruar presion në portën azere, duke fituar disa goditje nga këndi radhazi, si dhe duke tentuar golin.

Zhegrova, Muriqi, Zeneli apo Celina ishin një rrezik I vazhdueshëm për Azerbajxhanin, sidomos në pjesën e parë.

Pas pushimit, loja sikur u ekuilibrua, por Kosova nuk lejoi që të rrezikohej thuajse asnjëherë porta e saj.

A mund të thuhet se Kosova mund të synojë kualifikimin?

Në një grup, ku bëjnë pjesë edhe Malta dhe Ishujt Faroe, padyshim që kjo është e mundshme, sidomos për një ekip me cilësi jo të vogla.

Gjithsesi, trajneri Shaland do të duhet të kompensojë mungesën e përvojës së një skuadre që u pranua në futbollin ndërkombëtar vetëm dy vjet më parë. /abcnews.al

100245488_mediaitem100245487.jpg
ent ela10:40 | 02/03/2018

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën pasi një zjarr i fuqishëm shkrumboi një qendër rehabilitimi të drogës në kryeqytetin e Azerbajxhanit. Lajmi është raportuar nga mediat ndërkombëtare që citojnë zyrtarët lokalë. Pamjet televizive treguan flakët e tmerrshme në ndërtesën njëkatëshe. Mësohet se katër persona u dërguan në spital. Zjarri është vënë nën kontroll tashmë nga ekipet e shumta të zjarrëfikësve. Shkaku i zjarrit nuk dihet, ndërsa autoritetet kanë hapur një hetim. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka vizituar vendin e tragjedisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono