avokate

EMIGRANTET-1280x744.jpg
ad min18:20 | 03/06/2019

Krime kundër njerëzimit. Është kjo akuza ndaj Bashkimit Evropian në denoncimin e dorëzuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Vende anëtare të BE-së akuzohen për vdekjet e refugjatëve në detin Mesdhe. Më shumë se 12 mijë prej tyre kanë humbur jetën në atë që cilësohet si itinerari më vdekjeprurës i emigrantëve.

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare që kanë pasur rol të planit të parë në krizën e refugjatëve, më saktë Italia, Gjermania dhe Franca, duhet të përndiqen për vdekjen e mijëra emigrantëve të mbytur në detin Mesdhe. Është ky denoncimi i dorëzuar në gjykatën penale ndërkombëtare në Hagë. Dy autorët kryesorë të dokumentit prej 245 faqesh janë Huan Branko, i cili ka punuar në të kaluarën në këtë gjykatë, dhe avokati izraelit Omer Shatz.

Akuza për krime ndaj njerëzimit e prezantuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, mbështetet në hipotezën se funksionarë dhe politikanë në mënyrë të vetëdijshme kanë krijuar itinerarin emigrator më vdekjeprurës në botë. Kjo me pasojën e më shumë se 12 mijë refugjatëve të mbytur në det.

Denoncimi mbështetet pjesërisht në dokumente të brendshme të Frontex, organizatës së Bashkimit Europian të ngarkuar për të mbrojtur kufijtë e jashtëm, e që sipas avokatëve, kanë paralajmëruar se braktisja e misionit Italian të shpëtimit ‘Mare Nostrum’ do të kishte shkaktuar një numër më të madh viktimash.

Avokatët nuk citojnë në dokumentin e tyre përgjegjësi specifike të politikanëve apo zyrtarëve në veçanti, por citojnë mesazhe diplomatike dhe komente  të liderëve kombëtarë, mes të cilëve, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron./ABC News Albania 24/7

ravik-gurra.jpg
ad min08:53 | 25/03/2019

Disa ditë pas vrasjes së avokatit të njohur Ravik Gurra, Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka vendosur të ndërpresë shërbimet deri të premten. Avokatët shprehen se ndihen  teë pasigurtë për ushtrimin e profesionit të tyre. Gurra u ekzekutua me tre plumba pas koke të premten në mbrëmje në një lokal në qendër të Elbasanit.

Avokatët e Dhomës së Avokatisë në Elbasan ndërpresin shërbimet deri të premten. Vendimi u ndërmor pas ekzekutimit në qendër të qytetit të kolegut të tyre Ravik Gurra.

Avokatët u mblodhën në një nga ambientet e Gjykatës Elbasan, dhe pasi diskutuan vendosën ndërprerjen për 5 ditë të shërbimeve. Ata thonë se ndihen të pasigurtë në ushtrimin e profesionit të tyre.

“Nuk kërkohet më zbulimi i autorit, por sot kërkohet punë parandaluese”, u shpreh Hysen Kovaçi.

Sekretari i Dhomës së Avokatisë në Elbasan, Demir Çiftja u shpreh se vrasja e Ravik Gurrës ishte një rast i paprecedent në drejtësinë shqiptare.

Demir Çiftja, Sekretar i Dhomës së Avokatisë Elbasan: Ne si Dhomë Avokatie u mblodhëm sot sëbashku me të gjithë avokatët dhe vendosëm që të bojkotojmë çdo gjyq deri në një afat 5 ditor derisa të reagojnë organet kompetente, siç janë gjykata, policia e Shtetit dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Kemi lënë një mbledhje të dytë ditën e premte për të parë se ku është ecuria dhe çfarë vendimi do marrë Dhoma Avokatisë Elbasan sëbashku me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

Avokatët kanë nënvizuar faktin se akte të tilla kriminale nuk u regjistruan as në vitin 97. Ndaj kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme. 50-vjeçari Ravik Gurra u vra me armë silenciator teksa po pinte kafe me dy miqtë e tij në një lokal shumë të frekuentuar të Elbasanit./abcnews.al

gjyq.jpg
ad min11:17 | 15/03/2019

Dështon sërish seanca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Shkak është bërë mungesa e avokates e cila mbron kryesisht Gilmando Danin. Kjo mungesë i kushtoi rëndë avokates, pasi u gjobit nga gjykata. Por, kjo mungesë çoi edhe në pezullimin e paraburgimit, deri në seancën e ardhshme, më 25 Mars.
Në Nëntor të vitit të shkuar, Shullazi dhe grupi i tij u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 54 vite burg në total. Ky vendim u ankimua nga mbrojtja si e padrejtë.

Sipas tyre, prokuroria nuk ka prova për akuzat që rëndojnë mbi të pandehurit. Ndërsa kujtojmë se mbi ta rëndojnë akuzat për, “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”./abcnews.al

sajmir-vishaj.jpg
ad min21:09 | 15/12/2018

Formimi i institucioneve të reja të drejtësisë, KED, KLP dhe KLGJ dhe ato që pritet të ngrihen në vijim ka shtuar besimin për një drejtësi të pavarur edhe tek avokatët. Gjatë aktivitetit “Toga e Artë 2018”, kreu i Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, tha se politikanët i druhen Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion. 

Për të pestin vit radhazi avokatët penalistë nderuan me çmimin “Toga e Artë” pesë kolegë të tyre. Në aktivitetin e zhvilluar pak ditë pas formimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, kreu i Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj, tha se institucionet e reja që vijnë pas tyre,

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion do shmangin ndikimin e politikës tek drejtësia.

“Politika është larg institucioneve të reja kushtetuese”, tha Vishaj.

Sipas Vishajt, njëkohësisht Anëtari i Këshillit të Monitorimit të Institucioneve të Drejtësisë, SPAK do të hetojë çdo politikan apo zyrarë të korruptuar, për vepra të ndodhura që nga viti 1991.

“Ligji i ri, që i jep të drejtë SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme, Gjykatës së Posaçme i jep të drejtë të gjitha veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin apo krimin e organizuar t’i shtrijnë efektet përtej afatit të parashturar që nga vit 91. Prandaj politikanët dridhen sot sepse e ndjejnë frikën. Kush i ka ngjyer duart, kush i ka duart e pista do jetë në bankën e të akuzuarit sepse gjyqtarë dhe prokurorë nuk do kenë më frikë nga politikanët siç ka ndodhur deri më sot. Ata do jenë vërtetë të pavarur”, tha Vishaj.

Një nga fituesit e “Togës së Artë 2018” ishte avokatja Eni Çobani, e mirënjohur për publikun nga rubrika e saj “Shihemi në gjyq” tek “E diela shqiptare” në TvKlan.

“Pavarësisht se dikur kam qenë pedagoge në fakt vazhdoj të jem studentë. Çdo të dielë jap një provim përpara jush”, tha Eni Çobani.

Të vlerësuarit e tjerë ishin avokatët Përparim Noka, Ylli Kameri, Ndre Molla, Liljana Tanko./abcnews.al

avokati-i-popullit.jpg
ad min13:39 | 17/11/2018

Avokati i Popullit kërkon hetim të plotë për situatën e krijuar për shkak të zgjerimit të Unazës së Re në zonën e Astirit. Avokati i Popullit ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet e përfshira në proces, por thekson se situata është e paralajmëruar.

Avokati i Popullit kërkon një hetim të plotë të situatës së krijuar pas nisjes së punës për zgjerimin e Unazës së Re. Përmes një njoftimi për mediat, institucioni i drejtuar nga Erinda Ballanca, bëri me dije se ka depozituar kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, dhe IKMT. Angazhimi i Avokatit të Popullit për rastin ka nisur pak ditë para mbërritjes në institucion të një peticioni i nënshkruar nga më shumë se 200 qytetarë banesat e të cilëve preken nga zgjerimi i Unazës.

Avokatja e Popullit e konsideron situatën të paralajmëruar, duke kujtuar se raporti i rekomandimeve të dërguara në të gjitha institucionet, përfshi Kuvendin e Shqipërisë, për përplasjen e ngjashme të banorëve të Shkozës gjatë ndërtimit të një tjetër segmenti të unazës ra në vesh të shurdhër.

“Avokati i Popullit ka vërejtur ndërkohë qysh prej Qershorit, kur problematika e zgjerimit të njërit prej loteve të Unazës së Re që prek zonën e Shkozës solli përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve publike, se duheshin marrë masa që situata të evitohej gjatë punimeve në lotet e tjera të kësaj vepre, siç është rasti me zonën aktuale tek Astiri”, thuhej në njoftim.

Deri më tani plot 20 persona janë proceduar nga Policia e Tiranës pas protestave të banorëve në Unazën e Re dhe para Bashkisë së kryeqytetit. Ata dyshohen për “tubim të paligjshëm” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” gjatë tubimeve në këto dy vende kundër prishjes së banesave të tyre./abcnews.al

TRUMP-MEKSIKA-KANADA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.20-1280x725.jpg
ad min14:00 | 12/10/2018

Avokatët e presidentit amerikan janë duke përgatitur përgjigje të shkruara për prokurorin special që heton për çështjen “Russiagate”. Kjo raportohet nga CNN, që thekson se ata po përqëndrohen më shumë në dyshimet për bashkëpunim mes ekipit të fushatës së Trump me Kremlinin.

Avokatët e presidentit amerikan Donald Trump po përgatisin përgjigje të shkruara për pyetjet e shtruara nga Robert Mueller, prokurori special i cili heton për çështjen “Russiagate”, thënë ndryshe ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, si dhe bashkëpunimin e dyshuar me fushatën e Trump.

Gjithashtu ai heton edhe lidhur me dyshimet nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë ka penguar drejtësinë sa i përket investigimeve për “Russiagate”. Kjo është bërë e ditur nga CNN. Media amerikane njofton se përgjigjet do të përqëndrohen kryesisht tek tema e bashkëpunimit të dyshuar me rusët.

“Po vijojmë diskutimet me prokurorin special dhe nuk japim komente për këto mbledhje”, ka thënë për CNN avokati I Trump, Jay Sekuloë.

Ndërkohë, sa i përket këtyre hetimeve, ish-drejtori i fushatës së Trump, Paul Manafort dhe ish-avokati personal, Michael Cohen, kanë pranuar të bashkëpunojnë. Nuk dihet ende se kur do të përfundojnë këto hetime, por deri më tani janë evidentuar dhe sanksionuar disa shtetas rusë. Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar gjithmonë çdo përfshirje të mundshme apo ndikim në zgjedhjet amerikane./abcnews.al

tiranee.jpg
ad min11:20 | 20/09/2018

Prokurori i prokurorisë së Tiranës Përparim Hasa është vënë nën hetim, ndërsa avokatja Donata Lepenica është vënë në pranga. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se ka nisur një hetim për një rast korrupsioni në organin e akuzës së kryeqytetit.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se të dy janë përfshirë në një rast mitmarrje. Bëhet fjalë për dhënien e 2000 eurove, në këmbim të ndryshimit të akuzës për një të pandehur.

Policia bëri të ditur se bashkë me avokaten 57 vjeçare Lepenica, gjatë operacionit të koduar “Ndërmjetësi”, janë arrestuar edhe Yzeir Bala, 32 vjeç dhe Megi Naksi, 31 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Për të tre këta persona, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të rënda. Vepra penale në ngarkim të tyre është “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, e kryer në bashkëpunim”.

Sipas burimeve, mitmarrja është dokumentuar edhe me pamje filmike të kamerave të sigurisë së prokurorisë së Tiranës, të cilat janë sekuestruar prej 4 ditësh nga grupi hetimor i çështjes./abcnews.al

parlamenti-3-1280x660.jpg
ad min19:40 | 23/07/2018

Parlamenti ka miratuar ligjin “për avokatin” pas disa muajsh diskutim në komisionin  e ligjeve, sëbashku me një amendament të propozuar nga Taulant Balla dhe Ulsi Manja, i cili i ndalon hyrjen në provimin për marrjen e licencës së avokatit, të kujtdo që nuk kalon dot procesin e Vettingut.

Parlamenti miratoi me 76 vota pro vettingun e avokatëve!

Bëhet fjalë për përjashtimin nga mundësia e marrjes së licensës së avokatit, të çdo prokurori dhe gjyqtari i cili nuk kalon dot rivlerësimin kalimtar për aftësitë etiko-profesionale.

Propozimi, i ardhur fillimisht në komisionin e ligjeve nga deputeti socialist Bashkim Fino bëri konfuz kreun e komisionit të ligjeve Ulsi Manja i cili në Maj e mbështeti.

Në qershor e rrëzoi me votë në komision për ta risjellë në tryezë në cilësinë e propozuesit, në formën e amendamentit të depozituar 24 orë përpara seancës plenare.

Kundërshtinë e gjeti edhe në sallën e zbrazur nga opozita parlamentare.

Edhe më anormal ishte propozimi që vijoi.

Në dukje ja vuri kreu i Kuvendit.

Por kjo nuk e ndaloi votimin dhe miratimin e ligjit me të gjithë votat prezente të mazhorancës.

Për çdo avokat që miratimin e këtij ligji e quan antikushtetues.

Duket se mazhoranca do presë të sajën nga opinioni i Komisionit të Venecias. Kujtdo tjetër do t’i duhet të shpresojë tek vullneti i Partisë Socialiste për ta ndryshuar./abcnews.al

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
ad min21:45 | 04/06/2018

Donald Trump dhe avokatët e tij kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh, pas deklaratave se presidenti gëzon të drejtën për të falur vetëveten. Megjithatë, kreu i shtetit ka theksuar se nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se gëzon “të drejtën absolute” për të falur veten e tij në lidhje me rastin “Russiagate”, edhe pse insiston se nuk ka bërë asnjë shkelje. Përmes një postimi në Twitter, Trump ka hedhur sërish poshtë akuzat se stafi i tij elektoral ka bashkëpunuar me Rusinë ose ka penguar drejtësinë.

Deklarata e tij ka ardhur pasi një prej avokatëve të tij e ngriti si opsion në një program televiziv. Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellianne Conëay është pyetur nga gazetarët në konferencën e rregullt për shtyp.

“Përse i duhet të falë vetëveten nëse nuk ka bërë asgjë të gabuar?”, është përgjigjur ajo, duke shprehur habinë përse reporterët i kthehen kësaj çështjeje, sipas saj tërësisht hipotetike.

Një ditë më parë, avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani u pyet në emisionin “This Ëeek” të ABC News nëse Trump e gëzon një kompetencë të tillë.

“Me siguri që po, por ai nuk ka përse ta bëjë një gjë të tillë”, tha Giuliani.

Sidoqoftë, ish-prokurori i hekurt i Nju Jorkut u shpreh i vetëdijshëm që pasojat politike të një vendimi të tillë nuk do të ishin të lehta.

“Të falësh të tjerët në cilësinë e presidentit është një gjë, por të falësh vetëveten është një gjë tjetër”, tha ai.

Ndërkohë, Trump, në postimet e tij ka kritikuar emërimin e Robert Mueller në krye të ekipit hetimor të “Russiagate”.

“Emërimi i tij ka qenë jokushtetues. Por pavarësisht kësaj, ne po i qëndrojmë lojës sepse unë, ndryshe nga demokratët, nuk kam bërë asgjë të gabuar”, ka thënë Trump./abcnews.al

vlcsnap-error692-2-1280x720.jpg
ad min17:32 | 30/01/2018

Përmes avokatëve, Emiliano Shullazi dhe katër të bashkëpandehurit e tij kundështuan të gjitha provat shkresore të prokurorisë. Sipas mbrojtësve, ato ishin marrë në kundështim me ligjin dhe nuk provonin akuzat.

Procesi ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve tek Krimet e Rënda hyri në një tjetër fazë, në atë të mbrojtjes.

Nga seanca e radhës, të pandehurit do të paraqesin në gjykatë provat me të cilat kërkojnë të rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj tyre.
Të martën, avokatët paraqitën kundërshtimet për provat shkresore të prokurorisë në seancën e kaluar. Para gjykatës, ata dhanë argumente që sipas tyre zhvlerësonin pretendimet e organit të akuzës.

Avokati i Shullazit, Vladimir Meçi, tha se provat e palës kundështare ishin administruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se prokuroria kishte qenë selektive në mbledhjen e tyre.

Për këtë shkak, ai kërkoi që të gjitha provat t’i nënshtroheshin një nga një debatit gjyëqsor në sallën e gjyqit.
Duke iu drejtuar trupit gjykues, avokati Meçi tha se çështja është nën presion politik dhe se fati i klientit të tij ndoshta është i paracaktuar.

Ndërsa, avokati Denion Bogdani theksoi se prokuroria ka pasur si qëllim të krijojë një mjegullnajë, pa sjellë asgjë konkrete për procesin.
Në seancën e radhës, gjykata do të njoftojë dhjetë dëshmitarët e parë të kërkuar nga mbrojtja. Mes tyre ka avokatë që kanë përfaqësuar interesa të dëshmitarit të mbrojtur në proces, Ylvi Beqja, si edhe gazetarë që e kanë intervistuar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono