autostrada

autostrada-tirane-elbasan-1280x724.jpg
Sej rie17:15 | 20/04/2019

Pas afro shtatë muajsh punime rruga Elbasan –Tiranë është hapur ne dy kahet e saj.  Autostrada u bllokua në njërën korsi për shkak te shkarjeve të tokës pranë tunelit.

Hapja e dy aneve te rrugës po monitorohet nga policia rrugore. Punimet nisën në vjeshtën e vitit 2018 dhe afati i përfundimit ishte për 7 muaj. Për këtë qëllim Autoriteti Rrugor Shqiptar akordoi një fond prej rreth 371 milionë lekë.

Inxhinieri Kristaq Xhika thotë se ky është një projekt unik në rrugët shqiptare pasi për herë të parë ndërtohet një galeri e tillë ose tunel panoramik që ka edhe vlera arkitekturore si vepër arti.

Për ndërtimin e kësaj vepre lëvizën 20 mijë m3 dhe, u vendosën 214 pilota të ngulura në 8 m thellësi duke e bërë shumë të sigurt mbrojtjen në të ardhmen.

Tuneli i ri është i gjatë 150 m dhe bashkë me pjesët mbrojtëse prej betoni në hyrje dhe dalje shkon në 260 m.

Rruga Tiranë-Elbasan, e cila ka një gjatësi prej 27 kilometrash, filloi të ndërtohet në vitin 2011 e ndarë në tre lotë dhe me një kosto të përgjithshme të tenderuar prej 33 miliardë lekësh.

Rruga pritej të përfundonte në vitin 2015 por afati i punimeve u shty për në maj të këtij viti ku pritet të hapet edhe karrexhata tjetër me dy korsi në rrugën Tuneli i Kërrabës-TEG.

Fatos Salliu, gazetar i ABC News, Elbasan

arrsh-1280x713.jpg
ent ela19:29 | 17/04/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka njoftuar se Këshilli Teknik ka miratuar gjurmën e autostradës Adriatiko-Joniane, që i hap rrugë projektit përfundimtar të Korridorit të Kaltër.

Sipas ARRSH, studimi i bërë në varësi të kësaj gjurme, bëhet vetëm për segmentin rrugor Mali i Zi-Shqipëri.

Autostrada ‘Adriatio-Joniane’ në planin e saj fillestar, nisej nga Trieste dhe përfundonte në Kallamata, në Greqi. Kjo autostradë së pari do të shërbejë si lidhje midis Korridoreve Europiane dhe Ballkanit Perëndimor, me kryeqytetet dhe portet kryesore. Gjatësia e  përgjithshme  e  vlerësuar e  korridorit  është përafërsisht 1,550 km. /abcnews.al

BALLUKU-INVESTIMI-NE-AUTOSTRADE.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela16:20 | 08/04/2019

Autostrada Laç-Mamurras tashmë do të ketë linjen e re të tensionit të mesëm në të dyja kahet e saj, investim i cili kap vlerën prej 468 milionë lekësh. Gjatë inspektimit të punimeve, ministrja Belinda Balluku deklaroi se ky investim do të ulë humbjet në rrjet dhe do të sjellë zhvillim ekonomik përgjatë gjithë zonës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me OSHE bëjnë të mundur ndërtimin e linjës së re të tensionit të mesëm në autostradën Laç-Mamurras. Investimi në të dyja kahet e autostradës kap vlerën prej 468 milionë lekësh dhe ka një gjatësi 33 km rrjet kabllor në tension të mesëm, si dhe është shtrirë rreth 25 km rrjet i tensionit të ulët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve theksoi se synimi është edhe rritja e kapaciteteve me më tepër se 1500 abonentë.

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ky është një investim prej 468 milionë lekësh dhe çfarë është më e rëndësishmja përveç faktit që ndihmon bizneset e zonës për të zhvilluar më tej investimet e tyre ka ulur humbjet të cilat janë objektivi kryesor për përmirësim që ne në OSHEE kemi, dhe kjo është diçka për t’u shënuar. Padyshim rritja e kapaciteteve edhe më tepër se 1500 abonentë është synimi ynë edhe në këtë projekt”.

Ministrja Balluku e cilësoi investimin mjaft të rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik të zonës.

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, kryesisht në mbështetje te bizneseve të zonës, sepse siç thamë këtu janë të vendosura bizneset më të mëdha të zonës, por sigurisht ndikon dhe tek abonentët tek familjarët për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimit”.

Investimi në të dyja kahet e autostradës Laç-Mamurras, ka bërë të mundur reduktimin e humbjeve në rrjet dhe ka ulur problematikat dhe defektet në kabinat elektrike. /abcnews.al

 

autostrada.jpg
ent ela11:52 | 03/03/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë bën me dije se në autostradën Tiranë – Durrës, nga Rrethrrotullimi Shqiponja u raportua nga ana e kontraktorit për mirëmbajtjen e këtij aksi, një tentativë për vjedhje të kabllit të linjës së ndriçimit në një gjatësi prej 820 m.

Sipas ARRSH-së, prsona të paidentifikuar kishin gërmuar dhe thyer betonet duke dëmtuar në shumë vende kabllin e ndriçimit në këtë gjatësi të rrugës dhe duke marrë një sasi të tij.

Pas njoftimit Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët gjatë së shtunës vodhën kabllin e energjisë elektrike të shtyllave të ndriçimit.

Policia paralajmëron se kushdo që cënon apo vjedh pronën publike, do të penalizohet me forcën e ligjit! /abcnews.al

tiranedurres.jpg
ent ela16:46 | 13/02/2019

Që nga e enjtja në orën shtatë të mëngjesit, Autostrada Tiranë-Durrës do të bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor bëjnë të ditur se në segmentin nga Tirana deri tek kthesa e Rinasit, do të punohet për ndërtimin e pusetave hyrëse dhe dalëse të dy tombinove për kullimin e ujërave.

Ndërsa në segmentin rrugor Tiranë – Kamëz do të realizohet riparimi i shtresave asfaltike të dëmtuara.  Gjatë kryerjes së punimeve në segmentin e parë, trafiku do të devijohet në rrugë dytësore.

Ndërsa në segmentin e dytë qarkullimi i automjeteve do të kufizohet në një korsi. Punimet parashikohet të zgjasin deri më 17 Shkurt./abcnews.al

 

RROGOZHINE-PROTESTA-1280x720.jpg
ent ela18:46 | 04/02/2019

Për 30 minuta banorët e Rrogozhinës, Kavajës, Peqinit dhe Lushnjës protestuan kundër qeverisë mbasditen e kësaj të hëne. Ata mbajtën të bllokuar të dyja korsitë e autostradës Rrogozhinë- Tiranë, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe plotësimin e 8 pikave me karakter ekonomik.

Gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kryeministri Rama, i cili po kthehej nga një takim me strukturat e PS në Lushnjë, është detyruar të devijojë rrugën.  Deputetja e PD, Oriola Pampuri u shpreh, se Rama duhej të takohej me protestuesit dhe jo të ndërroj rrugën, pasi ai është shkaku i kësaj revolte. Protesta e opozitës nga rrethet do të kulmojë në Tiranë në dt. 16 shkurt.  /abcnews.al

tiranedurres.jpg
G. P.12:10 | 26/01/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se këtë fundjave do të vijojë punimet në segmentin rrugor Tiranë-Durrës me heqjen e barrierave të betonit dhe vendosjen e atyre metalike. Punimet kanë nisur që nga zona pranë tek CityPark-ut dhe deri në afërsi të koncesionarit të makinave “Ford”, njofton ARRSH.

Sipas këtij autoriteti, punimet do të realizohen brenda 2 ditëve dhe trafiku në drejtimin Durrës-Tiranë në këto segmente do të orientohet me një kalim. Ndërkohë, janë marrë masat për devijimin e trafikut me sinjalistikën e nevojshme me qëllim orientimin sa më të qartë të qytetarëve./abcnews.al

GJIKNURI-INSPEKTON-PUNIMET-NE-AUTOSTRADE-1280x720.jpg
ent ela14:31 | 07/01/2019

Kjo ndërhyrje pritet t’i japë fund përmbytjeve në autostradën Tiranë-Durrës pavarësisht intensitetit të reshjeve. Punimet që po kryhen  për vendosjen e dy tombinove në segementin nga mbikalimi i Kamzës në atë të Kasharit u inspektuan nga Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.

“Është bërë një studim hidrik për gjithë këtë pjesë të autostradës dhe ka rezultuar si nevojë emergjente vendosja e dy tombinove. Këto dy tombino bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë. Është një projekt i bërë në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Punimet po bëhen tani sepse nuk dëshironim të bëheshin gjatë Dhjetorit për shkak të trafikut të rënduar të festave”.

Më pas në segmentin nga mbikalimi i Kasharit deri në Vorë do të nisë ndërhyrja për pastrimin e tombinove. Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar. Ndërkohë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun me të cilin po përballen, ndërsa kryhen punimet.

“Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik por kjo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro. Një vlerë e cila nuk ishte menduar më parë për mirëmbajtjen e rrugëve. Produktet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa TVSH. /abcnews.al

 

autostrada.jpg
G. P.14:14 | 04/01/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar që në orët e para të ditës së premte ka nisur punimet në autostradën Tiranë-Durrës, punime që parashikoht të zgjasin për rreth dy javë. Vendosja e dy tombinove rrethore te Kthesa e Rinasit për të shmangur përmbytjet, pritet të sjellë edhe devijim të trafikut të automjeteve.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar punimet në autostradën Tiranë-Durrës parashikohet të zgjasin për rreth dy javë, kjo edhe në varësi të kushteve atmosferike. Autostrada është bllokuar pjesërisht dhe trafiku do të devijohet për shkak të ndërtimit të dy tombinove rrethore te Kthesa e Rinasit, për të shmangur situatën e përmbytjeve.

Gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve autostrada Tiranë–Durrës në segmentin mbikalimi Kamëz–mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugët dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje. Sipas ARRSH dalja në rrugët dytësore është e mundur te Spitali Hygeia, QTU,  si dhe te kthesa e Domjes ku është krijuar një rrugë aksesi e përkohshme.

ARRSH rekomandon përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut nga Kamza dhe në drejtim të jugut nga Ndroqi ose Elbasani. Punonjësit e ARRSH-së dhe të policisë do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të miratuar. Vlera e punimeve është 342.000 euro pa TVSH. Kujtojmë se kjo është ndërhyrja e dytë që bëhet në autostradë brenda pak muajve, pasi në verë u bë riparimi i shtresave asfaltike./abcnews.al

tirane-durrews.jpg
G. P.15:30 | 03/01/2019

Në autostradën Tiranë-Durrës të premten nis ndërhyrja për të parandaluar përmbytjet. Për shkak të punimeve te mbikalimi i Kamzës deri tek ai i Kasharit, në të dy drejtimet e lëvizjes, do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve.

Nga ora 5 e mëngjesit e datës 4 Janar dhe dy javët në vijim, autostrada Tiranë-Durrës në segmentin mbikalimi i Kamzës deri tek ai i Kasharit, në të dy drejtimet e lëvizjes, do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar tregon se arsye e bllokimit është nisja e ndërhyrjes me qëllim parandalimin e përmbytjeve. Në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së Bankës Botërore në autostradë është parashikuar të ndërtohen dy tombino. Gjatë kohës së kryerjes së punimeve, trafiku për të gjitha automjetet do të devijohet në rrugën dytësore të cilat do të funksionojnë me një drejtim.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor i kërkojnë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rigorozisht sinjalistikën e vendosur dhe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizje, në drejtim të veriut Kamzën dhe në drejtim të jugut Ndroqin ose Elbasanin. Punimet parashikohet të përfundojnë rreth datës 18 Janar, por kjo sipas ARRSH do të varet dhe nga kushtet e motit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono