atletike

izmir-smajlaj.jpg
G. P.17:45 | 23/06/2019

Atleti shqiptar Izmir Smajlaj vendos rekord të ri kombëtar në kërcim së gjati. Shkodrani u shpall kampion i Shqipërisë me rezultatin 8 metra e 11 centimetra.

Synon ta përsërisë këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Izmir Smajlaj dëshiron të jetë sërish kampion i Europës, siç u bë dy vjet më parë në Beograd, por ndërkohë nuk rresht së arrituri suksese të tjera.

Jo vetëm u shpall sërish kampion kombëtar në kërcim së gjati, në garën e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, por edhe sepse vendosi një rekord të ri. Hedhja e tij, që e postoi vetë kampioni në rrjetet sociale, ishte 8 metra e 11 centimetra, plot 8 centimetra më shumë sesa rekordi i mëparshëm që mbahej po nga ai vetë.

Atleti shkodran mund të thuhet se krijoi një normalitet, pasi përpara këtij rekordi, kërcimin më të mirë e kishte në salla të mbyllura, dhe pikërisht në finalen e Kampionatit Europian të vitit 2017 në Serbi, ku fitoi medaljen e artë me rezultatin 8 metra e 8 centimetra.

Sportisti më i mirë i Shqipërisë për meshkuj falenderoi publikisht në Facebook, familjen, trajnerin Gjergj Ruli njëkohësisht president i Federatës së Atletikës, miqtë dhe tifozët.

Në moshën 26-vjeçare dhe me shtatlartësinë e admirueshme prej 1 metër e 96 centimetrash, Smajlaj besohet se mund ta përmirësojë disa herë në të ardhmen rekordin e tij, për t’iu afruar rekordit botëror prej 8 metrash e 95 centimetrash, dhe rekordit europian prej 8 metrash e 86 centimetrash.

Tashmë, Smajlaj është pjesë e klubit sportiv Tirana, i financuar nga bashkia e kryeqytetit, duke qenë në kushte më të mira se në të kaluarën./ABC News Albania 24/7

Kipchoge.jpg
ent ela21:41 | 16/09/2018

Një rekord i madh u vendos në garën e maratonës në atletikë. Në Berlin, kampioni nga Kenia, Kipçoge vrapoi shumë më shpejt sesa rekordi i dikurshëm.

Sa kohë do të duhet për të ulur kufirin mitik të 2 orëve?
Ndoshta 10 vjet apo më pak, ndërsa triumfi më i fundit i njeriut në garën e maratonës ndodhi këtë të diel në Berlin.
Keniani Eliud Kipçoge jo vetëm mbrojti titullin e fituar vjet në kryeqytetin e Gjermanisë, por edhe e uli në mënyrë dramatike kohën e rekordit të mëparshëm.

Ai kaloi finishin e garës më të gjatë e më të vështirë të atletikës, me kohën 2 orë, 1 minutë e 39 sekonda, plot 78 sekonda më pak sesa Denis Kimeto në vitin 2014 po në Berlin. Veterani 33-vjeçar i shtoi emrit të tij edhe një tjetër lavdi, pas titullit kampion olimpik dhe sukseseve të shumta në karrierë. Kipçoge u bë keniani i katërt radhazi që ia del, ndërsa vendi afrikan po krijon një traditë që më parë i takonte sidomos Etiopisë.

Koha e tij pritet të pranohet zyrtarisht nga Federata Botërore e Atletikës, pas kontrollit antidoping, por besohet se rekordi të mbetet. Përparimi njerëzor në Maratonë ka qenë madhështor, me gati 55 minuta të fituara në 110 vjet që rekordi njihet zyrtarisht. Kanë kaluar 2500 vjet që kur ushtari grek Feidipidi përshkoi distancën prej 42 kilometrash e 195 metrash pas betejës së Maratonës për të dhënë lajmin e fitores mbi persët, ndërsa sot ka shumë më pak dramë, por shumë më tepër aftësi nga atletët profesionistë si Kipçoge./abcnews.al

luiza-gega.jpg
G. P.14:40 | 01/06/2018

Luiza Gega thyen një tjetër rekord të atletikës shqiptare. Ajo garoi në Ligën e Artë në Romë, në konkurrimin më të fortë të vitit në 3 000 metra me pengesa.

Nuk mundi të ishte mes më të mirave, por sërish arriti sukses.

Luiza Gega e tregoi veten edhe një herë në nivelet më të larta të atletikës shqiptare duke thyer rekordin kombëtar në 3 000 metra me pengesa për femra.

Atletja 29-vjeçare garoi në Mitingun e Ligës së Artë në Romë, duke zënë vendin e 9-të mes 22 sportisteve, në konkurrimin më të fortë të vitit 2018 deri tani.

Gega dha kohën 9’22”, që është përmirësim i rekordit të mëparshëm, mbajtur po nga ajo vetë, me plot 4 sekonda.

Ishte e pamundur që shqiptarja të luftonte për një pozicion më të mirë, pasi vendi i 8-të, xhamajkania Aisha Progt, vrapoi 3 sekonda më shpejt sesa ajo.

Për fat të keq, Luiza nuk mori dot pikë kualifikuese, vetëm për shkak të një pozicioni.

Fituese doli Hivin Xhepkemoi Kijeng e Kenias me kohën 9’04”96, koha më e mirë e vitit, duke lënë prapa dy atlete të tjera keniane.

Luiza Gega është atletja më e mirë femër e Shqipërisë, duke pasur rekordet kombëtare në 800, 1500 e 3 000 metra me pengesa, ndërsa është shpallur nënkampione e Europës në 2016, ka dalë kampione e Lojërave Europiane në 2015 dhe nënkampione e Lojërave Mesdhetare në 2013./abcnews.al

vlcsnap-error030-1-1280x720.jpg
G. P.16:27 | 18/02/2018

Atletika shqiptare e nis me medalje vitin 2018. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj u shpallën kampionë Ballkani dhe premtuan suksese të tjera.

Të paktën i kemi dy atletër për krenari.

Edhe pse “mbretëresha e sporteve” nuk është në Shqipëri ashtu siç ka qenë dikur, sërish Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj mjaftojnë për të fituar medalje ndërkombëtare.

Dy medalje të arta u fituan prej tyre në Kampionatin Ballkanik në Salla të Mbyllura që po zhvillohet në Stamboll.

Luiza Gega nuk fali në garën e saj të preferuar, atë të 3 000 metrave duke u shpallur kampione e Ballkanit, e duke i shtuar edhe një tjetër sukses karrierës së saj të shkëlqyer.

Ajo dha rezultatin 9 minuta e 67 të qindat, duke e lënë konkurrenten më të afërt plot 16 sekonda prapa.

Atletja 29-vjeçare la prapa atleten e Qipros, Valeria Zhandarova, dhe bullgaren Diliana Minkina.

Në garë mori pjesë edhe atletja e Kosovës, Luljeta Shala, e cila nuk arriti dot në zonën e medaljeve.

Izmir Smajlaj, ndërkaq shkëlqeu në kërcim së gjati duke konfirmuar titullin europian për salla të mbyllura që arriti në Beograd.

Ai kërceu 7 metra e 80 centimetra në “Atakoi Atletiks Arena” të Stambollit, rezultat që mjaftoi për të fituar vendin e parë dhe medaljen e artë.

Synimi i radhës për shkodranin 24-vjeçar është titulli europian në stadium të hapur, dhe ai premton që ta realizojë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono