Astrit Patozi

astrit-patozi-1-1280x608.jpg
nev ila20:33 | 11/07/2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News me gazetaren Mirela Milori, ka qenë i ftuar Koordinatori i partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi. Duke ndarë opinionin e tij në lidhje me procesin zgjedhor, Patozi tha se “Bindja Demokratike” ka të dhëna për deformim të votës, ai gjithashtu tha se KQZ e goditi që në fillim partinë e tij, duke mos e lejuar të garonte në të gjithë vendin, e për pasojë solli penalizmin e saj. Më tej Patozi deklaroi se do ta ndjekin çështjen e hapjes së kutive edhe më tej, pasi hapja e tyre do të përmbyste rezultatin që është pasqyruar. Për Patozin, zgjedhje të tilla ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë.

“Shqiptarët nuk patën mundësi të dëgjojnë zërin e bindjes demokratike. Ne kemi të dhëna por nuk kemi prova për deformim të votës. KQZ na goditi që në fillim sepse nuk na la të garonim në të 61 bashkitë. Ne na ndodhi që u penalizuam nga KQZ me dominancë socialiste dhe KZAZ 100 % socialiste, nuk u lejuam të kandidojmë në gjithë territorin, na sulmuan kandidatët të cilët u tërhoqën edhe nga gara dhe na u morën votat në tavolinë. Ne kërkuam të ishim të pranishëm në numërimin e votave dhe nuk u lejuam”, deklaroi Patozi.

Mirela Milori: Si do të veproni më tej?

Astrit Patozi: Ne respektojmë bindjen dhe vullnetin tonë dhe zgjedhësve që atë ditë na u përgjigjën në kulmin e një trysnie politike në kushte ekstreme. U ushtrua trysni mbi zgjedhësin shqiptar dhe kjo i bezdisi njerëzit, padyshim dhe e dëmtoi praninë tonë. Ne për qeverinë ishim të padëshirueshëm në zgjedhje. Ne jemi të detyruar që ta ndjekim këtë çështje por nuk kam shumë besim. Ne kemi të drejtën ta kërkojmë hapjen e kutive.

Mirela Milori: Pritshmëritë tuaja a i arritët?

Astrit Patozi: Jo sepse rezultati ynë u coptua që në hyrje, gjatë fushatës dhe në numërim pra në të gjithë procesin. Edi Rama nëse nuk hap kutitë, atëherë duhet ta pranojë që kutitë brenda janë krejt ndryshe nga cfarë janë shënuar. Mund ta bëjnë provë vetëm me një zonë zgjedhore, mjafton që 1 mostër të hapet dhe ne jemi të bindur që rezultati përmbyset dhe kjo e bën procesin edhe më të shëmtuar.

Mirela Milori: E prisnit këtë sjellje nga qeveria e Ramës?

Astrit Patozi: Jo nuk e prisnim në fillim, mendonim që edhe ata kishin interes për praninë tonë, por ata me sa duket kishin ankthin e pjesëmarrjes etj. Zgjedhje në Shqipëri ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë më kurrë sepse ne nuk do dalim nga kjo spirale./abcnews.al

astrit-patozii.jpg
G. P.20:31 | 11/07/2019

Astrit Patozi komentoi deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili disa ditë më parë tha se e vetmja zgjidhje për situatën aktuale është kryengritja popullore me 51 format e mosbindjes civile.

Gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin këtë të enjte, koordinatori i Bindjes Demokratike tha se ajo deklaratë është si serum për militantët dhe që nuk zgjidh asgjë.

Mirela Milori: Zoti Berisha ndërkohë thotë që vazhdon me të njëjtin ritëm kërkesa e njerëzve për mosbindje civile.

Astrit Patozi: Është patetike dhe është një lloj serumi që i jepet militantëve për të mbajtur shpirtin gjallë, por them që nuk zgjidh asgjë. Pse? Palët përpiqen që Shqipërinë ta mbajnë bardhezi. Qeveria thotë që ne kemi bërë më të mirën, kurse opozita thotë që kjo është një skëterrë ku nuk jetohet, ose duhet të ikë Edi Rama ose të largohemi fare nga Shqipëria. Në fakt Shqipëria ka ngjyrat e veta.

Nuk është as bardh, as zi, por që palët i mbajnë në skalionet e tyre të mbledhura është problem i opozitës. Opozita ka nevojë që të marrë shqiptarët që nuk besojnë qorrazi tek partitë se vetëm opozita e ka detyrimin që ti bindë ata që të rrëzojmë qeverinë sepse vetëm nuk ia del dot kurrë dhe sidomos në kushtet e një opozite të djathtë, e cila ka edhe atë rezervuarin fillestar të votës deficitar në raport me palën tjetër. PD duhet të kalojë ylberin për të marrë elektoratin gri. Pala tjetër është më e relaksuar duke ruajtur thjesht militantët e vet. Në rast se do jetë ndeshje fiton gjithmonë qeveria, por sidomos kur është e majtë që është e dyfishtë”./abcnews.al

astrit-patozi.jpg
G. P.20:02 | 11/07/2019

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ishte i ftuar këtë të enjte në rubrikën “Mbrëmje ABC” përballë gazetares Mirela Milori. Ai u pyet se si mund të largohet Edi Rama nga pushteti dhe për këtë tha se ka vetëm një mënyrë.

“Përveç se me zgjedhje me ça mënyre tjetër do largohet. Rama ka dy rrugë për t’u larguar, ose do ikë vetë që po të kishte këtë lloj koshience që nuk e ka. Ai ka vetëm një mënyrë që të ikë me votë. Në çastin që ti përgatit për arsyet e tua që janë për të ruajtur pozicionin e kryetarit në parti apo për të shtyrë në kohë një rezultat që ti beson se nuk është ai që pret se tre humbje radhazi nuk durohen, edhe sigurisht që këto e prishën fare ekuilibrin dhe jemi sot në një situatë gati qesharake. Kur njëra palë nuk lëviz dot nga obeziteti, nga mbipushteti dhe pala tjetër nuk çohet në këmbë se nuk ka fare pushtet. Përgjegjësi të madhe ka vetë se e ka lëshuar vetë, pa luftë”, tha Patozi.

Ndër të tjera, ish-deputeti i PD-së tha se kryeministri Rama mund të rrëzohet edhe në zgjedhjet e vitit 2021, por nëse opozita reflekton, kjo mund të ndodhë edhe më parë. Ai theksoi se Bindja është e hapur për bashkëveprim ndëropozitar. Kur u pyet nga gazetarja Mirela Milori nëse do të bashkëpunonte me PD-në, Patozi tha se nuk përjashton askënd që ka platformën dhe bindjet e përbashkëta me të.

“Ne bashkëpunojmë me çdo parti opozitare dhe unë nuk mund të përjashtoj askënd. Sigurisht që ne duhet të kemi një lloj platformë dhe duhet të kemi bindje të përbashkëta. Kur unë shikoj se këtu kërkohet sërish pazar, unë nuk mund të afrohem. Pse them që Edi Rama ka përgjegjësi për ikjen e opozitës. E di si thoshte ai që nuk ka më Lulzim Basha siç kishte para dy vjetësh, nuk ka më pazar që të dhashë ça deshe para dy vjetësh e të tjera me radhë. Kjo është përgjegjësi e madhe dhe është pranim në vetë të parë i kësaj përgjegjësie sepse e paske bërë njëherë, ia paske lejuar vetes që ta bësh njëherë dhe nuk e bën më herë tjetër. Po ajo hera e parë çfarë është? Është zvarritje 2 vjet e Shqipërisë sepse ti e bëre pazarin me idenë që ta nxirrje vendin nga kriza por e fute më thellë për dy vjet. Unë them që qeveritë ndonjëherë rrëzohen edhe kur janë të mira. Pse? Për shkak të konsumit të viteve. Ka plot qeveri në Europë që qeverisin mirë por rrëzohen se u vjen koha dhe mërziten njerëzit, jo më një qeveri e keqe që nuk u rrëzoka kurrë se qenka i pathyeshëm Edi Rama. Një opozitë e fortë, energjike dhe e strukturuar, por mbi të gjitha një opozitë që ka moralin me vete, që di t’i drejtohet njerëzve dhe që nuk mund të ketë komplekset që ka treguar sot opozita që iku nga zgjedhjet mund ta përballi dhe mund ta mundë më shpejt Edi Ramën”, tha Patozi.  /abcnews.al

astrtrit-patozi-mirela-1280x610.jpg
nev ila19:57 | 11/07/2019

Astrit Patozi ka qenë i ftuari i Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori mbrëmjen e sotme. Patozi foli për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zgjedhjet e 30 qershorit dhe se çfarë qëndrimi do të mbajë “Bindja Demokratike” në vazhdim, në lidhje me këto çështje të politikës aktuale shqiptare. Për Patozin gjithë procesi për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Meta ishte i neveritshëm, pasi shkallët e konfliktit që kanë dy institucionet më të rëndësishme të shtetit, retorika që ato përdorin, përveç se kanë thelluar krizën politike, ato ndodhen edhe në një marrëzi politike.

“Ndjej neveri për këtë. Ne jemi në një krizë politike e cila nuk është zgjidhur nga 30 qershori. Shpresoj që Gushti dhe Shtatori të sjellë një lloj qetësie të gjithë personazheve por edhe të gjithë politikës në përgjithësi”, tha Patozi.

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori për marrëdhënien që “Bindja Demokratike” ka me KQZ, e cila ka hedhur poshtë kërkesën e saj për hapjen e materialeve zgjedhore, Patozi u shpreh se:

Dua të sqaroj diçka, ne ankimimin tonë nuk e kemi bërë për rezultatin tonë. Pas gjithë kësaj situatë dramatike, rezultati i “Bindjes Demokratike” nuk ka shumë vlerë për publikun dhe as për ne. Ne e kemi bërë për një lloj detyrimi ndaj publikut shqiptar, edhe ndaj votuesve tanë për të bërë një lloj transparence, për t’i treguar publikut që këto ishin zgjedhje të këqija, të cunguara që u shoqëruan me deformim të votës, sëmundje e lashtë e politikës tashmë në Shqipëri. Ne duam t’i tregojmë shqiptarëve, publikut që zgjedhje si këto mos paçim, qofshin të fundit, ky ishte qëllimi kryesor”, deklaroi Patozi./abcnews.al

astrit-patoziii.jpg
G. P.21:36 | 14/06/2019

Astrit Patozi ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija” në Abc News. Koordinatori i Bindjes Demokratike u pyet se kush do të ishte zgjidhja sipas tij e krizës ku ndodhet vendi.

E para do bëja ç’është e mundur që kurrë të mos shkonte puna në këtë pikë, por në rast se do shkonte pastaj, do ndiqja instiktin tim për interesin që ka ky vend dhe ky popull për këto zgjedhje dhe për shumë më tepër se sa këto zgjedhje. Shqipëria ka nevojë për t’u ndarë nga ky sistem i kalbur politik dhe ky do ishte rast i mirë për të filluar kthesa sipas meje. Në rast se kjo nuk do ndodhë do të ketë arnime të vazhdueshme dhe ne do të biem në kriza të tjera dhe të shpeshta, madje dhe më të këqija në të ardhmen sepse do ishte thjesht kapërcime i momentit. Ne kemi nevojë të ikim nga ky sistem. Kryetarokracia është një sistem i pisët politik, i cili na ka sjellë në këto nivele, të shpifura do thoja, dhe për të dalë nga kjo Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të madhe. Nuk ka nevojë për një marrëveshje për zjedhje lokale. Pas kësaj në rast se ne nuk ikim nga ky lloj sistemi, nga listat e mbyllura, nga kjo që tre vetë në Shqipëri vendosin për 3 milionë të tjerët, ku sulltani vendos shumë më tepër se dy të tjerët, kjo është një gjë që duhet të përfundojë një orë e më parë përndryshe nuk do të ketë qetësi”, tha Patozi.

Për krijimin e Bindjes, Patozi nuk ka asnjë pendim. Ai shprehet se me të i solli vendit një ofertë të re.

“Për ne ka qenë vendimi i duhur dhe nuk i heqim asnjë presje. Një mijë herë të kthehemi mbrapa, një mijë herë do ta kishim bërë të njëjtën gjë. Pse? Sepse ne i sollëm vendit një ofertë të re, e cila ishte e ndryshme nga çfarë është parë deri tani, i sollëm një model të ri. Mbi të gjitha këtë gjë e bëmë në ditën, kur ata ndjeheshin më të dobët. Pra sistemi politik që është krijuar në Shqipëri dhe është në grahmat e fundit sipas nesh ishte në pikën e tij më të dobët prandaj ne bëmë gjënë e duhur dhe nuk pendohemi. Në këtë situatë ne jemi të disavantazhuar. Që në çastin  që gjithë debati është përqendruar që kush është më i fortë, Ilir Meta apo Edi Rama, apo Lulzim Basha nuk ka shumë vëmendje, shumë veshë për të dëgjuar se çfarë themi dhe çfarë jemi ne. Sigurisht që kjo na penalizon, por më mirë të bëjmë një sakrificë të vogël, por të shpëtojë vendi dhe të ketë një zgjidhje afatgjatë”, tha Patozi./abcnews.al

astrit-patozi-1.jpg
G. P.21:27 | 14/06/2019

Sipas koordinatorit të Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, Ilir Meta sot ka rol më të madh në opozitë se Lulzim Basha. Mirëpo sipas tij edhe pse ai e ka të drejtë diçka të tillë nuk duhet ta bëjë pasi është President.

“Di të them që roli i tij sot në opozitë është më i madh se sa i Lulzim Bashës dhe kjo është evidente. Kjo është shumë e qartë edhe për Lulzim Bashën, i cili ka qenë në një lloj tërheqje ditëve të fundit, s’ka pasur protagonizëm, përveç dje që foli. Ajo e djeshmja ishte më tepër si një lloj reagimi ndaj prokurorisë për t’u paraqitur të hënën.

Unë besoj që Ilir Meta ka marrë një rol opozitari të mirëfilltë dhe është në të drejtën e tij që ta bëjë, por jo duke qenë njëkohësisht edhe President brenda Kushtetutës sepse nuk shkojnë të dyja. Pra që të jesh dhe aktor politik dhe përfaqësues i unitetit të kombit, nuk mund t’i bësh të dyja. Ilir Meta ka çeduar tek pjesa e Presidentit dhe ka marrë protagonizëm tek pjesa e opozitarit”, tha Patozi gjatë emisionit “Provokacija”.

Vendimin për anulimin e zgjedhjeve, Patozi thotë se Meta e ka bërë për t’i dhënë serum opozitës dhe partisë së tij.

“E ka bërë për t’i dhënë kohë, për t’i dhënë serum opozitës, ku përfshihet dhe partia e tij. Është qartësisht partia e tij. Kam qenë krejtësisht i bindur që ditën e parë kur ka shkuar President që nuk do e linte asnjë ditë atë parti, por do ishte protagonist i asaj partie. Kaq. Koha na dha të drejtë”, tha Patozi.

Për sa i përket kryeministri, Patozi tha se nëse zgjedhjet mbahen më 30 Qershor ai do të korrë një fitore si e Pirros.

“Edi Rama besoj unë se në rast se zgjedhjet do të mbahen me 30 Qershor normalisht apo me ndonjë incident të vogël se natyrisht do të regjistrohen të tilla, Edi Rama sipas meje do të korrë një fitore si të Pirros. Pra do të fitojë zgjedhjet, por nuk do ta ketë të lehtë mbijetesën e tij politike pasi drejt tij do të drejtohen të gjithë proxhktorët e kësaj shoqërie, por dhe faktorit ndërkombëtar si një nga shkaktarët e kësaj qoftë edhe të këtij defekti të madh në këto zgjedhje. Edi Rama nuk kishte pse të bënte pazar para dy vitesh dhe të futej të ndante qeverinë me Lulzim Bashën  se ja ku vjen. Edi Rama nuk kishte pse çonte në kafaz Ilir Metën duke e internuar si President se ja ku vjen dita që të kthehet. Edi Rama nëse do sillej si një lider normal evropian para dy vjetësh ne nuk do mbërrinim në këtë pikë”, tha koordinatori i BD-së./abcnews.al

astrit-patozi.jpg
G. P.21:17 | 14/06/2019

Për Astrit Patozin, situata aktuale në vend nuk është e papritur. I ftuar në emisionin “Provokacija”, ai deklaroi se momenti kur Ilir Meta u zgjodh President, ky ishte fundi i Republikës.

“Kjo është situatë surreale e cila nuk është e papritur për mua të paktën. Unë kur u zgjodh Ilir Meta President kam bërë një status asokohe që është fundi i Republikës sepse Ilir Metën gati po e çonin me barelë në institucionin më të lartë të shtetit dhe socialistët ishin shumë të mërzitur, ndërsa Ilir Meta ishte më i mërzitur vetë se ata që e kishin zgjedhur. Kjo lojë me Republikën është fundi i sistemit. E kam shkruar atëherë që është fundi i sistemit sepse socialistët e trajtuan atë sikur po e internonin. Socialistëve iu është bërë shumë mirë që iu është kthyer në kokë ajo shaka që bënë atëherë dhe pavarësisht se Edi Rama thotë sot “se nuk kam asnjë lloj pendese që zgjodha Ilir Metën President se nuk mund ta dija ça do bënte ai”, unë jam shumë i sigurt se ai e ka ditur shumë mirë se kë po çonte në Presidencë. Por e ka çuar si hileqar, e ka çuar si pazarxhi, e ka çuar për ta hequr qafe dhe ndërkohë e ka mbas qafe sot”, tha Patozi.

Për sa i përket zgjedhjeve, Patozi tha se ato do të mbahen, por për Bindjen Demokratike nuk ka rëndësi data. Sipas partisë më të re në vend, dekreti për anulimin e zgjedhjeve është anti-kushtetues.

“Besoj që do mbahen, por tek e fundit ne e kemi theksuar që në fillim që nuk ka rëndësi data. Ne kemi marrë vendimin e parë politik që do të hyjmë në këto zgjedhje kurdo që të mbahen dhe sigurisht ne kemi pasur 30 Qershorin si stacion sepse ka pasur një dekret për këtë Presidenti i Republikës, i cili pastaj ka ndryshuar mendje. Sipas nesh ishte anti-kushtetues, por tek e fundit qeveria ka një opinion tjetër, presidenti opinion tjetër, PD opinion tjetër. Tek e fundit nuk e ndajnë palët se kur duhet të jenë zgjedhjet, duhet të jenë institucionet shqiptare. Këto që janë me gjithë rezervat që mund të kemi me gjithë deficencat që ata kanë, por kështu ka ndodhur gjithmonë në Shqipëri. Nuk mund ta ndajnë dot palët se kush është kushtetuese, kush nuk është kushtetuese apo kush është e drejtë, kush është e padrejtë”, tha Patozi./abcnews.al

KRONIKE-BIEN-KANDIDATET-BD-DHE-PATOZI.mpg_snapshot_00.46-1280x720.jpg
ent ela15:45 | 21/05/2019

Tre është bilanci i kandidatëve të larguar pas propozimit të tyre për zgjedhjet e 30 qershorit nga Bindja Demokratike. Kjo për koordinatorin e kësaj force politike Astrit Patozi është shprehje e frikës së atyre që quan “të dëshpëruar të sistemit” por që nuk do arrijnë ta ndalin erën e re që po vjen sipas Patozit.

Bindja nuk i zgjati shumë. Një tjetër kandidat për kryetar bashkie i propozuar nga subjekti më i ri politik,Bindja Demokratike, i deklaruar si opozitar ndaj mazhorancës së sotme, është tërhequr nga gara pasi një koleg i tij bëri të njëjtën gjë vetëm një ditë më parë. Bëhet fjalë për Bledar Sinellën, i propozuarin nga Bindja Demokratike për të konkuruar në bashkinë e Kavajës kundër kandidatit socialist Redi Kraja.

Për këtë ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale edhe koordinatori i kësaj force politike Astrit Patozi, sipas të cilit këto lëvizje vijnë për shkak të sulmit të orkestruar nga ata që quan “ të dëshpëruarit e sistemit”.

“Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.

E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar”.

Një ditë më parë, Salvator Kaçaj, i propozuar nga Bindja Demokratike gjithashtu u tërhoq nga kandidimi për kryetar të Bashkisë Lezhë. Në dorëheqjen e tij depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kaçaj shkruante se zgjedhjet pa opozitën e vërtetë, Partinë Demokratike, do ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë.

Për pasojë Kaçaj, i cili pritej të garonte përballë Pjerin Ndreut për karrigen e qytetarit të parë të Lezhës, deklaronte tërheqjen si nga kandidimi ashtu edhe nga Bindja Demokratike,  me qëllim bashkimin ndaj kauzës së opozitës për mbrojtjen e demokracisë.

Ditën e  shtunën u tërhoq edhe kandidati për Bashkinë Skrapar, Dejvis Hebibasi, i propozuar nga Bindja Demokratike. /ABC news Albania 24/7

 

astrit-patozi.jpg
G. P.13:39 | 21/05/2019

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, me anë të një statusi në rrjetet sociale e ka konsideruar të pashembullt atë që po ndodh me firmëtarët dhe kandidatët e partisë më të re në vend. Patozi shkruan se askush nuk e ndal dot bindjen demokratike, ndaj edhe janë acaruar. Sipas tij, tashmë është koha e Bindjes Demokratike.

Postimi i plotë i Astrit Patozit:

“Nuk na ndalin dot, ndaj janë tërbuar nga dëshpërimi

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek Bindja Demokratike. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.

Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike. 

Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashembullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. 

Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e “Bindjes Demokratike”.

astrit-patozi-1-1280x714.jpg
nev ila17:45 | 20/05/2019

Gazetarja Mirela Milori ka ftuar ditën e sotme, në “Mbremje Ide” në Abc News, koordinatorin e partisë “Bindja Demokratike” Z. Astrit Patozi.

Në bisedën e zhvilluar në studio, Patozi është shprehur se “Bindja Demokratike” ka arritur ti plotësojë në kohë të gjithë afatet dhe kërkesat ligjore, për zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai gjithashtu është shprehur për dorëheqjen e kandidatit të Lezhës, Salvador Kaçaj, se nuk ka asnjë reagim zyrtar dhe se vetë kandidati, nuk i ka bërë ende me dije asgjë.

Gazetarja Mirela Milori e ka pyetur Patozin se nëse ka patur probleme mes “Bindjes Demokratike” dhe kandidatit Salvador Kaçaj dhe nëse është informuar më parë për këtë reagim të tij, por Patozi e ka mohuar të ketë patur probleme mes tyre.

As e pohoj as e përgënjeshtroj këtë fakt, sepse personi vetë nuk ka ardhur dhe është qesharake që brenda 1 minute të bëhet i ditur kandidimi dhe heqja dorë. Edhe ju vetë nuk keni marrë një reagim personalisht nga Kaçaj për këtë. Gjithsesi, në çdo betejë qëndrojnë ata që kanë këllqe dhe ikin ata qe s’kanë këllqe. Bindja Demokratike do eci përpara dhe ne jemi të vendosur. Pres që kjo gjë të zbardhet dhe të vijë vetë personi të na e bëj të ditur”, u shpreh Patozi./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono