Artan Cuku

JAMBELLI-1280x720.jpg
ent ela13:27 | 31/12/2018

Arrestohet në Athinë, Greqi, Bledar Jambelli, i dyshuar si porositësi i vrasjes së ish-shefit të Policisë së Vlorës, në 8 prill 2017 në Tiranë. Arrestimi i 38 vjeçarit Jambelli që mbante edhe emrin Rikardo Muho u mundësua nga bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

Gati 20 muaj pas ekzkekutimit të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në hyrjen e pallatit të tij tek Rruga e Kosovarëve në Tiranë, arrestohet një nga personat e dyshuar si porositës i vrasjes.

Policia e Shtetit njoftoi prangosjen e Bledar Jambellit, një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Ai është prangosur në Athinë, Greqi, falë një bashkëpunimi të Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës. Sipas policisë, 38 vjeçari Jambelli përdorte edhe emrin Rikardo Muho.

Jambelli dhe Kristaq Leci, i dyshuari si nërmjetës mes tij dhe ekzekutorit të komisarit të policicë, u shpallën në kërkim pas caktimit të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë për ta në qershor 2017 nga Gjykata për Krimet e Rënda.

Jambelli dhe Leci u identifikuan pas marrjes së dëshmisë së Mikel Shallarit, një 24 vjeccari nga Kuccova, personit që në 8 prill 2017 qëlloi drejt kryekomisarit Cuku.

Pas arrestimit ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë duke nxjerrë edhe emrat e porositësve të krimit.  Sipas rrëfimit të Shallarit, Jambelli kishte dëshiruar vrasjen e Cukut pasi pretendonte se e kishte arrestuar me pa të drejtë si të dyshuar për një vrasje të ndodhur në Vlorë në vitin 2012. Në lidhje me këtë ngjarje Jambelli kishte fituar pafajësi nga gjykata.

Për vrasjen e Cukut 24 vjeçarit Shallari i ishin premtuar 20 mijë euro nga Bledar Jambelli, nga të cilat ka marrë më pak se 3 mijë euro.

Ndonëse ishte ekzekutor në vrasje, për shkak statusit të “bashkëpunëtorit të drejtësisë” Shallari u dënua me vetëm 10 vite burg. /abcnews.al

 

 

JAMBELLI-PEZULLIM-MBULIM.mpg_snapshot_00.21-1280x720.jpg
G. P.10:41 | 18/10/2018

Pezullohet për një vit procesi gjyqësor për Bledar Jambellin, i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si porositës i vrasjes së ish-oficerit të policisë Artan Cuku në Tiranë.
Bledar Jambelli po gjykohet në mungesë për këtë akuzë, bashkë me Kristaq Lecin. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, por ende është i lirë.
Për vrasjen e komisar Artan Cukut po vuan dënimin ekzekutori i tij Mikel Shallari, që ka pranuar se është porositur nga Bledar Jambelli për të kryer këtë krim, në këmbim të një pagese.
Në qershor të këtij viti Mikel Shallari u dënua me 10 vjet burg për vrasjen e Artan Cukut./abcnews.al

ARTAN-CUKU-JAMBELLI-1280x720.jpg
ent ela13:48 | 11/09/2018

Gjykata për Krimet e Rënda e nisi me shtyrje procesin gjyqsor ndaj Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit, të akuzuar për vrasjen e ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Seanca u shty për në 25 shtator për shkak të mosnjoftimit të të pandehurve për gjyqin. Jambellit e Lecit janë persona të shpallur në kërkim bazuar në një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë nga Krimet e Rënda. Kryesuesja e seancës relatoi kërkesat e drejtuara policisë së Beratit dhe Fierit për procedurat e njoftimit të të pandehurve dhe faktin se nuk kishte marrë përgjigje prej tyre.

Duke i konsideruar të papërmbushur procedurën ligjore të njoftimit kryesuesja vendosi ridërgimin e njoftimeve dhe vënien në dijeni të Policisë së Shtetit për moskthimin e përgjigjeve nga Policia e Fierit dhe Beratit. Sipas Prokurorisë, Bledar Jambelli është porositësi i ekzekutimit të Cukut në prill 2017. Vrasja u realizua nga Mikel Shallari, i cili falë bashkëpunimit me Prokurorinë u dënua përfundimisht me 10 vite burg./abcnews.al

mikel-shallari.jpg
G. P.18:55 | 21/05/2018

Prokuroria për Krimet e Rënda mbyll hetimet për Mikel Shallarin, të akuzuar për vrasjen e komisarit Artan Cuku. Këtë javë, gjykata do të miratojë kërkesën e prokurorisë për ligjërimin e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë për të. Në rast pranimi, 24-vjeçari që ka pranuar vrasjen e babait të dy fëmijëve, i shpëton burgut përjetë. 

Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për Mikel Shallarin, 24-vjeçarin nga Kuçova, të dyshuar si ekzekutorin e ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Shallari akuzohet për veprën penale të “vrasjes së punonjëse të Policisë së Shtetit”, të kryer mbrëmjen e 8 Prillit 2017 në Tiranë, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon një dënim nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm. Por gjasat janë që ai të dënohet shumë më pak se aq.

Pas arrestimit, Mikel Shallari shfaqi pendesë. Ai pranoi autorësinë e krimit dhe bashkëpunoi me prokurorinë duke rrëfyer emrat personave që e rekrutuan, punësuan dhe paguan për vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të policisë.

Burime pranë Krimet e Rënda bënë me dije për ABC News se bazuar në ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale, ditët e fundit Prokuroria i ka kërkuar gjykatës të ligjërojë këtë marrëveshje bashkëpunimit me drejtësinë. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet ditën e enjte.

Në rast miratimi të marrëveshjes nga gjykata, Shallari shmang përfundimisht rrezikun e dënimit përjetë. Burime jozyrtare konfirmuan se prokuroria kërkon një masë dënimi 10 vjet burg në marrëveshjen paraprake mes Shallarit dhe organit të akuzës.

Do të jetë gjykata, ajo që do të vlerësojë marrëveshjen dhe masën e dënimit për 24-vjeçarin.

Nga ana tjetër, familjarët e ish-drejtuesit të lartë të policisë të vrarë për shkak të detyrës, të cilët janë palë në hetim si të dëmtuar nga ngjarja, kanë kundështuar propozimin e prokurorisë, pretendim ky që do të shqyrtohet nga gjykata.

Sipas prokurorisë, komisari Artan Cuku u vra për shkak të shkak të detyrës së tij në Policinë e Shtetit. Ai ka qenë në krye të Policisë së Vlorës në vitin 2012, kur ka arrestuar Bledar Jambellin, si person të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin bregdetar. Jambelli fitoi lirinë disa muaj më vonë, por duket se la hapur konfliktin me Cukun.

Dosja penale në ngarkim të Jambellit dhe Kristaq Lecit, të akuzuar si të  përfshirë në këtë ngjarje është veçuar nga Krimet e Rënda, pasi hetimet janë në vazhdim. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa fotot e tyre gjenden në kategorinë “wanted” të Interpolit. Kërkimet policore të deritanishme për vendodhjen e tyre kanë rezultuar të pasuksesshme./abcnews.al

bashaa-933x445.jpg
ent ela11:47 | 13/01/2018

105 vjetorin e Policisë së Shtetit, kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjedhur të nderojë uniformat me një vizitë në shtëpinë e oficerit të vrarë të policisë Artan Cuku. Duke folur për mediat ai tha se policia është në një moment tragjik, e tradhtuar nga drejtuesit politikë.

Më tej Basha shtoi se nëse më parë kriminelët merrnin arratinë dhe policia ishte në ballë të luftës, sot kriminelët janë në krye të Policisë së Shtetit.

“Drejtuesit e policisë kanë marrë arratinë, ose janë goditur nga krimi, sikurse është oficeri Artan Cuku. Të tjerë janë larguar si Dritan Zagani, pasi denoncuan lidhjet e pushtetit kriminal, lidhjet kriminale të Saimir Tahirit. Të bashkohemi në një aleancë vlerash për të shporrur aleancën e krimit”, u shpreh Basha.

Ne fund kryedemokrati Basha shtoi se vettingu në polici do të mund të bëhet vetëm pasi të largohet aleanca me krimin. Sipas kreut të PD-së, korrupsioni dhe lidhjet e policisë me krimin nisën nga koka e policisë./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono