Arta Marku

kld.jpg
gra moz12:05 | 14/05/2018

Magjistratët e rinj i kanë drejtuar një letër KLD-së dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, përmes së cilës u kërkojnë këtyre institucioneve të ushtrojnë kompetencat kushtetuese për emërimin e tyre në detyrë.

Magjistratët e rinj bëjnë të ditur në letrën e tyre se në 30 Qershor, ata ndërpresin marrëdhënien me shkollën e magjistraturës.

Sipas ndryshimeve ligjore pas reformës në drejtësi, magjistratët duhet të emërohen nga  Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Por për shkak të vonesave të procesit të Vettingut për trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, këto dy institucione të reja të sistemit të drejtësisë nuk janë ngritur ende./abcnews.al

alibeja-arta-amrku-1280x720.jpg
ent ela13:18 | 12/05/2018

Demokratët vijuan dhe sot akuzat për falsifikim të Kodit Penal nga ministri i Brendshëm Xhafaj. Sipas Enkelejd Alibeajt dhe Gazmend Bardhit, Xhafaj pranoi se vëllai i tij është i dënuar për trafik droge, por hesht për ndihmën që i dha për t’i shpëtur drejtësisë. Gjithashtu, demokratët këmbëngulin se vëllezërit Xhafaj janë subjekt i ligjit antimafia.

Në daljen e katërt publike për denoncimin e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, selia blu shtriu edhe më tej akuzën e mbrojtjes përmes posteve zyrtare të ministrit ndaj të vëllait të dënuar nga gjykata italiane. Përpos fallsifikimit të nenit të ekstradimit në Kodin e Procedurës Penale, thekson deputeti Alibeaj, ministri jo vetëm nuk zbaton ligjin ndaj të vëllait duke mos inicuar hetim pasuror ndaj tij si e ka detyrim ligjor, por bazuar në nenin 3 të ligjit antimafia, është vetë subjekt i saj.

“Subjekt i këtij ligji është çdo person se ka indicia se është pjesmarrës apo ka kryer krime në lidje me trafikimin e lëndëve narkotikem. Policia ka detyrimin të veprojë me iniciativën e vetë për pasurinë, merr dijeni dhe ia referon prokurorisë”.

Rasti i vëllait të ministrit Xhafaj, theksojnë demokratët, shkon përtej indicieve si pjesmarrës në trafik narkotikësh pasi provohet nga vendimi i gjykatës italiane, e cila e ka dënuar me 7 vjet e gjysmë burg. Subjekt i këtij ligji, për selinë blu, është edhe vetë ministri Xhafaj përmes nenit 3 të tij.

“Neni 3 e thotë qartë se dispozitat e Ligjit Antimafia zbatohen edhe ndaj pasurive të personave, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta”.

Shqipëria është i vetmi vend në botë, sipas selisë blu, ku ministri përgjegjës për zbatimin e ligjit antimafia, është vetë subjekt i tij, duke i dhënë de facto imunitet dhe paprekshmëri të vëllait dhe vetes, përfundojnë demokratët. /abcnews.al

 

hajdarmataj.jpg
gra moz18:58 | 09/05/2018

Kamikaze të kryeministrit Rama i quan kryeopozitari Lulzim Basha kryeprokuroren Arta Marku dhe të emëruarën prej saj në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

Edhe pse në njoftimin e shpërndarë për media, shkarkimi i kreut aktual të kësaj prokurorie, Besim Hajdarmataj, nuk përmendet në asnjë moment, kreu i opozitës thekson kohën dhe pyetjet që ngre për të shkarkimi “de fakto” i kreut të deritanishëm të kësaj prokurorie.

“Sot kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftoi shkarkimin e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, drejtuesin e prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës. Shkarkimi i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, i kryer me urdhër direkt të Edi Ramës,:

– vjen vetëm pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia

– vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit dhe vendosi të thërrasë edhe vetë këtë të fundit. A është shkarkuar Hajdarmataj se në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova te mjaftueshme për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën? A është emëruar prokurorja e re për të shkatërruar këto prova për Tahirin qoftë edhe duke e dorëzuar Sajmir Tahirin në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia? Që do të thotë e arrestojmë për sy e faqe dhe pastaj e shpallim të pafajshëm duke shkatërruar çdo provë

Kryeministri Rama po bën gjithçka që të shpëtojë Saimir Tahirin, theksoi Lulzim Basha, madje edhe duke shkelur ligjin që mazhoranca e tij votoi dy vjet më parë.

Prokurori i Pergjithshëm i Përkohshëm nuk ka të drejtë të emërojë dhe as të shkarkojë drejtues prokurorie. Neni 160 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ia ndalon Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm që të marrë vendimin që ka marrë sot.

Ligji për prokurorinë cakton dispozitën kalimtare të cilës i referohet kryedemokrati Basha si përgjegjëse për parashikimin e kompetencave kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, i cili sipas ligjit në fjalë, ka të drejtë të pezullojë prokurorë, sipas procedurës dhe kritereve të parashikuar në ligj dhe të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar në vitin 2016.

Me këtë akt të paligjshëm tani e gjithë struktura e prokurorisë është nën kontrollin e plotë dhe në shërbim të plotë të Edi Ramës. Ky është lajmi më i zi që mund t’u jepej shqiptarëve në Ditën e Europës”.

Kjo për kreun e demorkatëve tregon se Prokuroria sot është në shërbim të interesave kriminale./abcnews.al

arta-marku-dhe-etilda-gjonaj.jpg
gra moz17:07 | 23/04/2018

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ishte të hënën në Prokurorinë e Përgjithshme, ku prezantoi rekomandimet prioritare të qeverisë në luftën kundër kriminalitetit.

Para kryeprokurores Arta Marku dhe prokurorëve të rretheve, Gjonaj rekomandoi tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrja nënvizoi faktin se ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i japë një tjetër dimension mënyrës së hetimit dhe procedimit të këtyre veprave.

Ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe organizatave kriminale, duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre, ishte një tjetër rekomandim qeveritar i përcjellë nga Gjonaj./abcnews.al

prokurori-gina-1280x654.jpg
gra moz16:55 | 16/03/2018

Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën për shqyrtimin e padisë që ish-prokurori i komanduar në Elbasan, Dritan Gina, ka bërë kundër Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Togat e zeza në Durrës vendosën që këtë çështje t’ia kalojnë për shqyrtim Gjykatës Administrative.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues i kryesuar nga Joana Qeleshi vendosi të rrëzojë pretendimin e akuzuesit Dritan Gina. Ky i fundit kundërshtonte vendimin për mosfillim procedimi ndaj kryeprokurores Marku.
Ish-drejtuesi i prokurorisë së Rrethit Elbasan u shkarkua nga detyra pas urdhërit të prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, menjëherë sapo ajo mori drejtimin e organit qendror të akuzës./abcnews.al

arta-marku-1280x653.jpg
gra moz14:58 | 16/03/2018

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka folur në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla për kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” të krimit. Ajo nuk i ka përjashtuar raste të tilla, por ka nënvizur se hetimi nuk është fushatë, ndaj kërkon kohë që të realizohet.

Arta Marku: “Nuk më pëlqen të flas, më pëlqen të veproj”.

Këtë thotë se po bën prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme jashtë studiove televizive. Ka apo nuk ka ndër dosje peshq të mëdhenj?
Përtej emocioneve përpara kamerave të emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla thotë se punën po e kryen ftohtë.

Arta Marku: “Unë mund t’ju them që hetimi nuk është fushatë. Prokuroria punon çdo ditë me dosjet e mëdha, me dosjet e vogla, me këdo që i është cenuar interesi, këdo qytetar që është cenuar nga një vepër penale”.

Po në të njëjtën mënyrë sqaron çdo pretendim për rihapjen e dosjeve të vjetra si Gërdeci apo 21 Janari.

Arta Marku: “Këto çështje natyrisht që po shqyrtohen nëse ka mjete juridike të paezauruara, mjete të zakonshme ose jashtëzakonshme dhe a ka mundësi prokuroria që t’i përdorë këto mjete”.

E rezervuar tregohet Arta Marku edhe kur pyetet nëse po e heton paraardhësin e saj Adriatik Llalla. As pohon, por as mohon se një dosje e tillë është në zyrën e saj.

Arta Marku: “Le të themi që Prokuroria ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Më tepër unë nuk mund të flas rreth kësaj çështje”.

Më gjatë e shpjegon rastin e ekstradimit të Nezar Seitaj. Nuk tha nëse është bërë mirë apo keq po citoi datat e procedurës së ndjekur.

Arta Marku: “Kërkesa për ekstradimin e Nezar Seitajt është bërë përpara se unë të isha në këtë pozicion ku jam aktualisht dhe konkretisht që në tetor të vitit 2017. Gjykata e rrethit Tiranë me vendimin e datës 18 Dhjetor 2017 ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti”.

Sokol Balla: “Ky ishte në ditën që ju zgjidheshit prokurore”?

Arta Marku: “Në ditën që unë u zgjodha”.

Nuk është e kënqur me atmosferën se si u zgjodh ndonëse thotë se tashmë e ka hedhur pas krahëve.Ndërsa pretendimeve të opozitës se po drejton institucionin e akuzës pa kaluar Vettingun i përgjigjet pa emocion.

Arta Marku: “Askush nuk e ka kryer, por unë jam në proces si disa të tjerë. Jam futur në këtë proces pasi kam kandiduar për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si disa koleg dhe në momentin që jam zgjidhur Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme kam hequr dorë nga kandidimi për në KLP por duke njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që unë dua të vazhdoj procesin e rivlerësimit”./abcnews,al

parlamenti-3-1280x660.jpg
gra moz11:49 | 16/03/2018

Parlamenti rrëzoi me 72 vota kundër të mazhorancës ndryshimet kushtetuese për prokurorin e Përgjithshëm, të propozuar nga opozita. Propozimi konsistonte në zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, mes kandidaturash të propozuara nga Gjykata Kushtetuese dhe që fillimisht kalojnë Vettingun, për t’u zgjedhur me 3/5-tat e votave në Parlament.

Parlamenti rrëzoi me votat e mazhorancës projektligjin për ndryshimet Kushtetuese të propozuara nga demokratët për Prokurorin e Përgjithshëm.

Projektligji propozonte, thelbësisht, kthimin në binarët kushtetues të figurës së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, sot në detyrë bazuar në një procedurë in-ekzistente Kushtetuese. Për demokratët qëllimi i mazhorancës për rrëzimin e këtij propozimi është i qartë po aq sa arsyeja. Kjo e fundit ka për protagonist kampionin e kryeministrit, ish-ministrin Saimir Tahiri.

Lëshimi i pasaportës së Saimir Tahirit dhe ekstradimi i dëshmitarit kyç Nazer Seiti, janë fillimi i një procesi të gjatë, tha Bylykbashi, që kapjen e sistemit e bën përmes një prokuroreje që nuk ka kaluar vettingun por përgatit dosjet për rivlerësimin e vartësve të saj.
Shans i panevojshëm është për socialistët, në emër të të cilëve relatoi Alket Hyseni.

Relatori Hyseni e di se afati kushtetues për ngritjen e KLP ka përfunduar 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të Korrikut 2016 dhe pikërisht mos-ngritja e këtij institucioni solli zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme. Kjo edhe pse Kushtetuta nuk përmend në asnjë gërmë të saj Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm.

Kështu mendon edhe Oerd Bylykbashi, i cili qëllim kryesor të zonjës Marku, sheh influencën e saj në përzgjedhjen e antarëve prokuror të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, shumica e së cilit përzgjedh edhe prokurorët e prokurorisë special anti-korrupsion që do të hetojë funksionarët e lartë./abcnews.al

marku-gashi-c1200x600.jpg
ent ela13:04 | 08/03/2018

Gjykata administrative e Tiranës i ka dhënë të drejtë kryeprokurores Arta Marta, në padinë e ngritur nga ish-drejtoresha e marrëdhënieve me jashtë me organin qendrore të akuzës Rovena Gashi, pas lirimit të saj nga kjo detyrë.

Gjykata vendosi që akti ligjor i Arta Markut prokurore e përgjithshme e përkohshme është i ligjshëm dhe në përputhje me kompetencat e saj. Gjykata argumenton se urdhri i Markut për lirimin e zonjës Rovena Gashi nga detyra si drejtoreshë në marrëdhëniet juridiksionale ka diskrecion personal dhe nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit. Në vendin sqarohet se Arta Marku, që ushtron funksionin e prokurores së përgjithshme ka kompetenca deri në krijimin e KLP-së, që do të hapë rrugën për zgjedhjen e kryeprokurorit me mandat të plotë.

Kështu  Arta Marku mund të vendosë caktimin e prokurorëve në pozicione të caktuara, për mbarëvajtjen e punës. Në rastin konkret- siç argumenton gjykata administrative- lirimi i Rovena Gashit nga detyra si drejtoreshë është urdhër eprori.

Sipas gjykatës, Rovena Gashit nuk i janë shkelur të drejtat si magjistrate. /abcnews.al

rovena-gashi.jpg
gra moz17:34 | 06/03/2018

Gjykata Administratie e Tiranës caktoi datën 8 Mars për seancën, ku do të shpallë vendimin përfundimtar për padinë e prokurores Rovena Gashi kundër Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Përmes kësaj padie prokurorja Gashi kërkon shfuqizimin e urdhrit të kryeprokurores Marku që e liroi nga funksioni drejtues në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Pëgjithshme dhe të strukturës së “Dekriminalizimit”.

Në seancën e së martës gjyqtari i çështjes, Erarbër Madhi, u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve. Përfaqësuesi i Gashit, avokati Çlirim Gjata kërkoi pranimin e padisë, ndërsa juristja e Prokurorisë së Përgjithme rrëzimin e saj. Pas këtij momenti, Gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit për vendimin përfundimtar. Urdhri administrativ për lirimin nga pozicioni drejtues i Rovena Gashit u firmos nga kryeprokurorja Marku në 29 Dhjetor 2017./abcnews.al

vlcsnap-error389-1-1280x720.jpg
gra moz15:42 | 26/02/2018

Prokurori i antimafias italiane, Frederico Cafiero De Raho, tha se grupet kriminale shqiptare po forcojnë aleancat me grupet mafioze në Itali. Pas një takimi me Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, De Raho shprehu rëndësinë e goditjes së lidhjeve të krimit dhe njerëzve të shtetit.

“Kriminaliteti shqiptar është shumë prezent në Itali dhe po forcon aleancat me grupet mafioze italiane si Ndrageta dhe Sacra Corona Unita”.

Prokurori Kombëtar italian Antimafia dhe Antiterrorizëm, Frederico Cafiero De Raho, përshkroi në këtë formë kriminalitetin shqiptar në vendin fqinj, pas takimit me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. De Raho shprehu shqetësim për përfshirjen e grupimeve kriminale shqiptare në trafikun e drogave të rënda.

“Krimi shqiptar ndërhyn me trafikimin e drogave të lehta dhe të armëve. Por kohët e fundit edhe me trafikimin e kokainës.
Në hetimet që po zhvillohen në Itali janë të shumta. Grupet kriminale shqiptarë janë të pranishme jo vetëm në bregdetin Jon dhe Zonën e Kalabrisë, por edhe në bregdetin Adriatik në bregun puliez dhe së fundmi edhe në Italinë veriore”.

De Raho theksoi rëndësinë e një Vettingu në Polici dhe faktin se trafiku i kanabisit vijon të jetës shqetësim për Italinë.

“Në takimin që pata më ministrin e Brendshëm, u shpjegua sa angazhime të rëndësishme kanë ecur para, si ajo e shktërrimit të plantacioneve të kabanisit. Largimi i punonjësve të policisë që dyshohet të kenë bashkëpunuar me grupet kriminale është shumë e rëndësishme”.

Sipas prokurorit italian të antimafias, grupet kriminale shqiptare kanë ndjekur praktikën e mafias italiane për t’u përfshirë në ekonominë e ligjshme, si edhe për të pasur raporte me një pjesë të politikës.
I pyetur në lidhje me gatishmërinë për t’iu pëgjigjur letërporosive të dërguara për hetimin e dosjes “IMSI Catcher” dhe atë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, De Raho u përgjigj:

“Ne bashkëpunojmë me ata që kanë në objekt të punës luftën kundër krimin e organizuar. Ne kemi një rregull, zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo qytetar të çdo niveli, pavarësisht nga statusi ekonomik, politik apo shoqëror”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono