arsimi i larte

Presidenti_Ilir_META-1280x854.jpg
ad min17:01 | 07/05/2019

Dekreti i Presidentit Ilir Meta për refuzimin e shkarkimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka krijuar përplasje me presidencës dhe Ministrisë së Arsimit. Në një reagim nga rrjetet sociale, ministrja Besa Shahini u shpreh e zhgënjyer nga Presidenti prej këtij vendimi. Sipas saj që kur ishte pezulluar Koni, jeta në Universitetin e Tiranës kishte filluar ecurinë normale, pasi kur ai kishte qenë në krye të rektoratit kishte refuzuar të adresonte disa prej problemeve.

Mirëpo në një reagim të shkurtër me anë të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, Presidenti i është kundërpërgjigjur ministres së Arsimit. Sipas Blushit, presidenti ka folur me argumente ligjore në lidhje me dekretin për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit Koni. Ai shprehet se Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e reformës për arsimin e lartë dhe se Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe nuk duhet prekur pavarësia e tyre.

“Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe. Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre”, shprehet Blushi./abcnews.al

ilir-metaa.jpg
ent ela17:15 | 12/04/2019

Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë ndesh vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Deklarata vjen nga Presidenti i Republikës Ilir Meta sipas të cilit edhe  vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar.

Tonin kritik nuk e ka kursyer Presidenti i Republikës as për ligjin e arsimit të lartë. Nga auditoret e një universiteti privat, kryetari i shtetit tha se problemet zbatimin e këtij ligji dolën pas protestave të studentëve.

“Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Reforma në Arsimin e Lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Reforma në Arsimin e Lartë duhet të synojë që universitetet të jenë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika”.

Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pritet të miratohet karta e studentit, megjithatë për presidentin Meta kjo nuk e justifikon vonesën në pajisjen e studentëve.

“Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës”.

Presidenti i Republikës e sheh të domosdoshme krijimin e një klime të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike. /abcnews.al

mark-marku.jpg
ent ela21:53 | 22/01/2019

Duke folur për protestën e studentëve, nga studioja e emisionit “Provokacija” pedagogu Mark Marku është shprehur se në vitin 2007 është akuzuar se po bashkëpunonte me Ramën për një projektligj që kishte nxjerrë Berisha për universitet.

Sipas tij atëherë ai ishte ngritur kundër këtij propozimi dhe më në fund Berisha ishte tërhequr. Duke hequr këtë paralelizëm, Marku kërkon që Rama të tërheqë Ligjin e Arsimit të Lartë.

“Unë dua të them diçka. Në 2007 qeveria Berisha nxorri një Projektligj që të hiqte zgjedhjet në universitete dhe të administronte përmes Bordeve. Ne bëmë një rezistencë shumë të madhe dhe aty e kemi krijuar edhe lëvizjen për Autonominë Universitare dhe Liritë Akademike. Dhe atëherë mua personalisht më akuzonin. Ne deklaruan edhe për greve edhe po më akuzuan se po bashkëpunoja me Ramën. Në fakt PS në atë kohë ishte e interesuar por nuk u përfshi sepse nuk donte t’i jepte ngjyra politike lëvizjes tonë. Por mua më kanë akuzuar atëherë se po bashkëpunoja me Ramën sepse bëmë një beteje shumë të fortë derisa parktikisht qeveria u tërhoq. Por Berisha që thonë se është kokëfortë, por në fund u tërhoq nga Projektligji. Dhe atëherë na tha se të bashkëpunonim për të bërë një ligj të mirë. Dhe në fakt u bë një ligj shumë i mirë që nuk krijoi probleme, por krijoi një lloj stabiliteti dhe e reformoi disi sistemin. Për momenti ai ishte një ligj shumë i mirë. Pastaj ai nuk ishte një moment kulture dhe një ligj mund të ndryshohet. Por ishte nevoja për një ligj të ri i cili të reformonte dhe t’i përgjigjej nevojave të sistemit universitar. Ky në fakt e ka kthyer në të kundërt gjithë sistemin universitar. Ai i ka dhënë një goditje shumë të fortë universiteti publik në Shqipëri. Dhe jemi këtu ku jemi në një krizë. Secila palë duhet të mbajë përgjegjësitë e veta dhe vetëm në një klimë të tillë mund të shkohet në një zgjidhje”./abcnews.al

parlamenti.jpg
ad min10:29 | 13/12/2018

Zhvendosja e protestës së studentëve përballë parlamentit ka detyruar opozitën të lërë mënjanë bojkotin. Ajo u përfaqësua me tetë deputetë, Luçiano Boçi, Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaci nga Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI kërkoi miratimin e dy amendamenteve shtesë në buxhetin për arsimin e lartë.

Kejdi Mehmetaj: “Ne kemi propozuar dy projektligje, njëri për të ndërhyrë në buxhetin e vitin 2019 duke dyfishuar zërat për arsimin universitar, duke dyfishuar zërin për kërkimin shkencor dhe duke krijuar një fond emergjence për t’i nxjerrë studentët nga ajo gjendje e mjerueshme që ndodhet në konviktet e qytetit Studenti, ku mungon uji, ngrohtësia, pra mungojnë kushtet bazike për të jetuar e jo më për të studiuar. Nga ana tjetër kemi bërë një propozim për disa ndryshime në ligjin për arsimin e lartë”.

Propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rritjen e buxhetit për arsimin mund të shërojnë gripin e stinës, por nuk mund të shërojnë dimrin kanceroz që ka pushtuar universitetet shqiptare tha deputeti demokrat Luçiano Boçi.

Luçiano Boçi: “Ne jemi për abrogimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. E kemi thënë që në vigjilje të miratimit të tij, sepse nga këtu nis e keqja. Jemi për zëvendësimin e tij me një ligj që i përshtatet studentëve, që i jep zhvillim arsimit, që garanton me ligj shkurtimin e tarifave, që garanton me ligj autonominë reale universitare, që garanton me ligj rolin thelbësor që kërkojnë sot studentët dhe ju nuk ia jepni, dhe nuk doni t’ia jepni. Ky është qëndrimi ynë dhe është i saktë dhe i prerë”.

Qëndrimin kundër deputeti Boçi e shprehu edhe me një gjest Duke hedhur në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, ligjin e Arsimit të Lartë. Përgjigjen ia dha kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.

Taulant Balla: “Dua ta them troç në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste: Të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një për një. Mirëpo jo me dialog me ju, por me dialog me ata që meritojnë të gjithë respektin e këtij Kuvendi e këtij kombi, studentët që sot janë në protestë”.

Një pyeteje e ka për Lëvizjen Socialiste për integrim që i kërkon ndryshime në buxhetin për arsimin e lartë.

Taulant Balla: “Si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit, kur buxheti është te Ilir Meta? Buxheti sot është te Ilir Meta, nuk është në Kuvend. Është te Presidenti i Republikës. Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje.  28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit”.

Të tilla deklarata janë tallje që nuk tregojnë gatishmërinë për t’i dhënë zgjidhje protestës së studentëve sipas deputetëve të lëvizjes socialiste për integrim.

Petrit Vasili:Ky parlament ka bërë dhe ka ndryshuar Kushtetuta brenda natës. Po këtu kanë qenë zotninjtë që e kanë bërë këtë punë pa iu dridhur qerpiku fare. Kanë duartrokitur e janë hedhur përpjetë. Atje janë mijëra djem e vajza që në radhë të parë nuk kanë nevojë të dëgjojnë monologje, por kanë nevojë për zgjidhje dhe këto zgjidhje janë këtu në këtë sallë. Kush do të ikë nga këto zgjidhje do të marrë përgjegjësinë para tyre”.

Luan Rama: “Protesta e studentëve, revolta e studentëve në thelb është treguesi më i mirë i produktit politik të të gjithë klasës politike të këtij vendi në 27 vjet dhe është produkti më akuzues i qeverisjes së këtij vendi që do të thotë të gjithë ne këtu pavarësiht ngjyrave politike që përfaqësojmë duhet të ndihemi të turpëruar, të ulim kokën dhe t’u kërkojmë ndjesë atyre studentë dhe të harrojmë për një çast se çfarë mandati partiak kemi këtu për t’u ngritur të paktën në nivelin e qytetarisë, të kulturës dhe të rezistencës së atyre studentëve atje”.

Mazhoranca i rrëzoi propozimet e bëra publike nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por dy ministrat e kabinetit qeveritar kishin përgatitur t’i jepnin një lloj zgjidhje disa prej kërkesave të studentëve.

Lindita Nikolla: Lindita Nikolla dil nga ministria, të kanë ardhur studentët, jo ushtria. Thërritën, studentët, unë dola nga Ministria sepse nuk e kam fare të vështirë,  kam punuar si të ishte dita e fundit dhe për të mos turpëruar asnjë mësues dhe asnjë që më besoi mua.

Arben Ahmetaj: “Të gjithë kërkojnë ta shfrytëzojnë protestën e studentëve. Të gjithë kërkojnë q të nxjerrin gështenjat me zjarr që në fakt djeg Shqipërinë dhe nuk sjell asnjë përfitim aq më tepër për studentët. Kjo qeveri nuk do as të shfrytëzojë, as të fikë, as të ndezë. Është fokusuar të një dialog për të zgjidhur problemet”.

Deklaratat e të dyja krahëve të politikës nuk e bindin deputeten demokrate Rudina Hajdari. Pjesëmarrja në këtë seancë plenare ishte zgjedhja e saj personale të cilin e sqaroi nga foltorja e parlamentit nga ku i bëri thirrje edhe deputetëve të Partisë Demokratike të lënë mënjanë bojkotin e të përfaqësojnë studentët në sallën e vendimmarrjeve.

Rudina Hajdari: “Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu. Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend”.

Deklaratat nuk prodhuan ndryshim të axhendës së parlamentit. Opozita u largua ndërsa mazhoranca u mor me diskutimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës./abcnews.al

lul-basha.png
ad min12:04 | 11/12/2018

“Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e Ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit”.

Kështu e nis postimin e tij në rrjetin social Twitter kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Sipas kreut demokrat, paratë e qytetarëve nuk duhet të përdoren për koncesionet korruptive si check-up, ato të inceneratorëve me pronarë të fshehur apo rrugë me kosto marramendëse.

“Vetëm 30 milionë euro që Rama tenton të vjedhë me kompanitë guacë mjaftojnë për të ndërtuar një kampus modern për Universitetin e Tiranës”, shkruan Basha./abcnews.al

aplikimeeeee.jpg
ad min16:09 | 27/07/2018

Të hënën nisin aplikimet për në universitete. Kandidatët për studentë kanë kohë deri më katër Gusht për të aplikuar. Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, bëri të ditur se për këtë vit akademik në institucionin më të madh të arsimit të lartë në vend do të ketë 6.211 kuota të lira.

Rektori iu bëri thirrje studentëve që përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre të konsultohen me kriteret e programeve që fakultetet e Universitetit të Tiranës kërkojnë. Regjistrimet do të nisin në fund të muajit Gusht pas shpalljes së fituesve./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono