armando cungu

cungu.png
Vladimir Prenga09:11 | 17/11/2019

Laçi barazoi një ditë më parë në miqësore me Kastriotin. Kurbinasit kishin lënë pushim Kyrian Nwabueze dhe Aleksandar Ignjatovic, ndërkohë që mungonte edhe Redon Xhixha. Sulmuesi anësor ishte lënë pushim, pasi të premten ishte titullar me Shqipërinë U21 kundër Anglisë.

Gjatë ndeshjes pati edhe një dëmtim. Sulmuesi Renato Spahiu, autori i golit me Kastriotin, la fushën e blertë dhe mbetet të shihet nëse ka diçka serioze për të. Në lidhje me ndeshjen, trajneri Armando Cungu u shpreh se i vlejti shumë atij dhe skuadrës para takimit me Partizanin.

“Ishte një miqësore, që normalisht shërben për të parë gjenden e ekipit dhe mundësitë e lojës për ndeshjen e radhës me Partizanin. Jemi të bindur që është një kundërshtar i fortë, që meriton respekt”, shprehet Cungu, i cili nuk ndalet me kaq.

“Mendoj se edhe Laçi meriton respekt, pasi javët e fundit ka treguar shumë karakter dhe lojëra të mira të shoqëruara edhe me rezultate. Edhe kundër Partizanit shkojmë për të marrë më të mirën e mundshme, pasi kjo duhet të jetë edhe filozofia e një sportisti. Nuk bën përjashtim as kjo ndeshje”, shtoi shkodrani.

Në lidhje me modulin 3-5-2 që Lerda përdor shpesh te Partizani, Cungu në fund tha: “Nuk është gjë e re sistemi i Partizani. Ne duhet të bëjmë lojën tonë. Nëse vazhdojmë me këto lojëra e me këtë ritëm, besoj se do të dalim edhe me objektivin që kërkojmë”. /abcnews.al

Cungu.png
Vladimir Prenga15:41 | 10/11/2019

Armando Cungu, trajneri i Laçit, pas ndeshjes me Kukësin që kurbinasit e fituan me rezultatin e ngushtë 1-0, analizoi atë që ndodhi në fushë në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“E kisha menduar se do ishte ndeshje e vështirë, nisur nga ecuria jonë, që e bënte kundërshtarin të vinte këtu e të na shihte ndryshe. Pati edhe gabime. Në pjesën e dytë reaguan dhe patëm mundësi të shënonim para dhe pas penalltisë”.

“Djemtë meritojnë komplimente për atë që po bëjnë. Forcat nuk i masim me Barcelonë. Ky kampionat është i çuditshëm, jo në nivelin e mëparshme. Opinioni dhe të gjithë duhet t’i komplimentojnë këta djem për ata që po bëjnë”.

“Së pari ka një grup djemsh të mirë, korrektë dhe të disiplinuar. Kjo është shumë e rëndësishme. Publiku e mbështet ekipin. Ndoshta ka pasur ftohje, por ndeshje të tilla prania është më e madhe. Pretendoj të jenë më të shumtë, pasi edhe futbolli bëhet më i bukur për ne dhe për ekipet e tjera”.

“Titulli? Nuk e mendoj këtë ide, futemi në fushë për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Nwabueze po bën punë të shkëlqyer. Laçi po luan futboll, ka aksione. Kjo nuk vjen nga një individ, por vjen prej të gjithë djemve”.

“Hakmarrje? Nuk ka lidhje me hakmarrjen, nuk tentoj gjëra të tilla. Janë të paharrueshme momentet që kam kaluar te Kukësi. Kur festoj me Vllazninë, tregon natyrën time, adrenalinën. Unë dua veten të parin, pastaj Vllazninë. Të jem i ndershëm,  ekipet e tjera bien larg nga Vllaznia”. /abcnews.al

Cungu.png
Igli Nikolli15:21 | 27/10/2019

Laçi-Vllaznia ishte një ndeshje e veçantë për Armando Cungun, i cili përballej me ekipin e qytetit të lindjes. Trajneri shkodran, në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, analizoi lojën e skuadrës së tij me kuqeblutë e drejtuar nga Mirsad Jonuz.

FITORJA – “Djemtë kanë bërë punë të mirë në këto dy ndeshje. Ishin fitore jetike për të rikthyer besimin dhe për të kuptuar që djemtë janë të aftë për t’u përballur me sukses me çdo kundërshtar. Pikë të rëndësishme për psikologjinë”.

VLLAZNIA – “Nuk kemi luksin për të zgjedhur kundërshtarin. I tillë është futbolli, e tillë është jeta, të vë kundër së kaluarës. Më vjen keq, nuk mund të jem hipokrit. Bëj punën te Laçi. Pas Laçit mbështes Vllazninë dhe dëshiroj të bëjnë mirë.”

OBJEKTIVI – “Ç’ju është ngulur gozhdë kjo punë e titullit?! Vazhdoj të mendoj për ndeshjen e radhës, unë edhe djemtë”.

RASTET E HUMBURA – “Kemi shpërdoruar raste flagrante. Kemi djem të ri që janë e ardhmja e Laçit. Duhet të dëgjojnë më tepër për t’u përmirësuar dhe për të marrë përgjegjësi. Ekipi funksionoi mirë, por duhet të jemi më seriozë dhe më pragmatistë. Futbolli nuk është basketboll, që nëse humb një rast vjen tjetri. Duhet shfrytëzu çdo rast”.

NDRYSHIMI NË SULM – “Nuk ka ndonjë ndryshim. Djemtë ishin të ndërgjegjshëm për të marrë pikë,. Kërkuam një marsh, një shpirt dhe një luftë më tepër. Gjëja më determinante, kudo që të jesh, duhet të japësh maksimumin dhe ta bësh me zemër. Mund të jesh edhe gjeni, por nuk ia del pa vënë shpirtin në fushë”. /abcnews.al

Cungu.png
Vladimir Prenga15:22 | 23/10/2019

Armando Cungu, trajneri i Laçit, pas ndeshjes me Teutën foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Shkodrani iu gëzua fitores së parë me kurbinasit, madje ndaj durrsakëve, që ishin në krye të klasifikimit.

“Rezultati tregon se ekipi ka funksionuar. Më tregoi edhe mua se mund të fitojë ndaj çdo ekipi. Çdo ekip ka kualitetet e veta, natyrshëm mundohemi t’i shfrytëzojmë. Meriton komplimente sulmuesi ynë. U munduam të shpërndanim lojën me lojtarët e tjerë, të cilët them se punuan mirë. Mund të kishte qenë rezultat më i thellë”.

“U munduam të bënim presing dhe të vertikalizonim për sulmuesin dhe lojtarë e krahut. Gjendja e ekipit është e mirë. Ka merita edhe Starova që e ka stërvitur këtë ekip. Do bëjmë të pamundurën me Vllazninë të fitojmë. Nuk do kishte vlerë kjo fitore pa triumf në ndeshjen e radhës. Ne na duhen pikët. Kur erdha kishte njëfarë ngërçi prej pikëve që nuk kishte marrë. Stërvitja ka qenë e mirë. Më mirë që ndodhin këto luhatje tani. Nëse vazhdojmë kështu, atëherë mund të rikuperojmë pikët e lëna tani”.

“Preferoj të rrimë me këmbë në tokë dhe të shohim përpara. Nuk dua të flasim për objektiva. Natyrshëm ekipi është bërë për Europë, por rezultatet e kanë bërë të ketë një ngërç. Të mendojmë për Vllazninë dhe në fund do të bëjmë llogaritë”. /abcnews.al

Cungu.png
Vladimir Prenga19:15 | 19/10/2019

Armando Cungu debutoi me Laçin me humbje. Trajneri shkodran analizoi ndeshjen me Tiranën në lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Pësuam shpejt, por barazuam. Na penalizoi Cale, të cilin nuk e ndalëm si duhet. E dija që do ishte problem, sikurse Hasani.

Futja nga brenda u krijonte superioritet atyre. Nuk e mbyllëm dot me lojtarët e krahut. Na krijoi disa herë probleme. Në pjesën e dytë u munduam të marrim masa, kishte ekuilibër dhe pamë nga porta. Edhe pse ndryshuam diçka, nuk shënuam dot”.

“Pikët? Mungojnë pikët, dihet. Kemi shumë gjëra për të rregulluar. Do punojmë dhe duhet besim. Ka njëfarë ngërçi dhe lojtarët nuk luajnë lirshëm. Kjo vjen edhe prej pikëve. Duhet besuar, pasi ekipit e tregoi se ka cilësi. Mendoj se bëmë një lojë të pëlqyeshme. Treguam se mund të marrim pikë jashtë fushe, edhe ndaj ekipeve pretendente”.

“Objektivi është ta marr sa më shumë pikë. Ju i shikoni pikët dhe pozicionin dhe nuk mund të flasim për aventura. Duhet të flasim për momentin, të shohim ndeshje pas ndeshje. Më pas bëhen llogaritë. Nuk mund të marrim përsipër gjëra të mëdha në gjendjen që jemi”.

“Nuk i kërkoj ekipit të ndryshojë prapa. Ndoshta ngërçi sjell tërheqje. Kam kërkuar të dalim më para. Nuk e bëmë dot, falëm shumë terren dhe kjo na kushtoi. Ndryshuam dhe kërkuam të ngjitemi lart dhe të merrnim iniciativë. E bëmë deri diku në pjesën e dytë”. /abcnews.al

Starova.jpg
Vladimir Prenga17:24 | 14/10/2019

Laçi bëhet me trajner të ri. U mendua se në kampin bardhezi nuk do të ndryshonin mendim për Sulejman Starovën, por sot ka ndodhur ajo që nuk pritej.

Sulejman Starova, pas tre barazimeve radhazi me Flamurtarin, Luftëtarin dhe Bylisin, është larguar nga krubinasit. Drejtuesit e Laçit me shumë mundësi e kishin përgatitur lëvizjen dhe më pas kanë zgjidhur marrëveshjen me Starovën.

Armando Cungu është zgjedhja e Laçit. Shkodrani rikthehet te bardhezinjtë, klub me të cilin ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën në vitin 2015. Ai do të drejtojë Laçin në ndeshjen e radhës me Tiranën, në transfertë. /abcnews.al

kukesi3-1280x960.jpg
nev ila19:04 | 10/04/2019

Kukësi mbajti gjallë shpresat për titull kampion me një sukses të rëndësishëm në fushën e Laçit. Një gol i madh i Limajt vendosi sfidën vetëm 3 minuta para fundit.

Fitorja në këtë stadium është një nga gjërat më të vështira në Superligë, sot për sot. Aq më shumë për Kukësin, që vazhdimisht ka dështuar në përballjet në fushën e kurbinasve, veçse këtë herë ndodhi ndryshe.

Ernest Gjoka debutoi me fitore, arritur vetëm tre minuta para fundit, duke e mbajtur ende me shpresë skuadrën verilindore për titullin kampion në Shqipëri. U desh gjithsesi një gol nga ata që quhen evropianë, shënuar nga ana e Limajt, për të thyer rezistencën e Laçit dhe të portierit Selmani.

Aksioni i kuksianëve ishte një model, diçka që është edhe meritë e Gjokës, por edhe e njerëzve që kanë punuar përpara tij me ekipin, sidomos e ish-trajnerit Armando Cungu. Të dyja skuadrat patën pretendime ndaj arbitrit, por u duk se fati i duelit nuk u vendos nga asgjë tjetër përveçse nga ajo që u dha në fushë.

Kukësi e meritoi pasi luajti më mirë, sidomos në pjesën e dytë, duke krijuar epërsi e duke pasur më shumë mundësi sesa vendasit. Nëse Gjoka e nisi me fitore, kjo ishte humbja e parë e Sulejman Starovës si trajner i Laçit, pas disa rezultatesh pozitive, kulmuar me fitoren 5-0 ndaj Teutës pak ditë më parë.

Me këtë fitore, Kukësi ka 49 pikë, në vendin e dytë në renditjen e Superligës, ndërsa Laçi ka 40 pikë./abcnews.al

cungu1.jpg
ent ela12:10 | 19/03/2019

Rezultatet e dobëta dhe humbja me Skënderbeun, kanë bërë që Armando Cungu të mos jetë më trajner i Kukësit. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e skuadrës që njoftoi se palët kanë arritur me mirëkuptim përfundimin e bashkëpunimit me tyre. Në vendin e Cungut do të ulet Ramadan Ndreu, i cili më parë mbante postin e drejtorit sportiv.

Armando Cungu nuk është më trajneri i Kukësit. Palët kanë njoftuar përfundimin e bashkëpunimit mes tyre pas rezultateve të dobëta. Lajmi është konfirmuar nga klubi verilindor nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare. Pas largimit të Cungut në vendin e tij do të ulet Ramadan Ndreu, i cili më parë mbante postin e drejtorit sportiv të klubit. 52-vjeçari do të drejtojë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.

“Futboll Klub Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Armando Cungu. Si pasojë e rezultateve negative te javëve të fundit, drejtuesit e Klubit dhe Armando Cungu kanë arritur me mirëkuptim përfundimin e bashkëpunimit. Falenderojmë trajnerin Cungu për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës sonë dhe i urojmë suksese në karrierë! Që nga dita e sotme në krye të bankinës sonë do të jetë Ramadan Ndreu,  i cili mbante detyrën e drejtorit të menaxhimit te klubi ynë”.

Është reagimi i zyrtar i skuadrës së Kukësit për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Armando Cungu. Rezultatet e dobëta, por mbi të gjitha humbja ndaj Skënderbeut që pothuajse e ka nxjerrë nga gara për titullin kampion skuadrën e Kukësit, ishte shkaku për largimin e Armando Cungut nga pankina e verilindorëve./abcnews.al

safet-gjici.jpg
ad min15:12 | 18/02/2019

Kukësi nuk ka ndërmend të shkarkojë trajnerin Armando Cungu. Presidenti i klubit, Safet Gjici, mohoi lajmet e dala në media, por tregoi se kërkon maksimumin në ndeshjet e ardhshme të Superligës.

Nuk është i kënaqur, por ka vendosur të presë. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e quajti të domosdoshme të dilte përpara gazetarëve për të larguar atë që e quajti krizë të stisur nga mediat në klubin e tij. Ai pati një përgjigje për ata që menduan se do ta hiqte trajnerin Armando Cungu.

“Nuk ka pasur asnjë vendim për ta hequr trajnerin nga skuadra. Armando Cungu është trajneri i Kukësit. Ka besimin tim në mënyrë absolute sepse këto rezultate të dobëta paçka se kanë qenë kanë qenë lojëra të mira, jo të dobëta. Doshta edhe fati edhe lojtarët e rinj akoma nuk janë përshtatur 100 përqind”, tha Gjici.

Gjithsesi, presidenti tregoi qartë se nuk mund të kënaqet me pak, dhe tha se çfarë kishte kërkuar nga lojtarët.

“Futbolli nuk është matematikë. Unë pres që sot kemi bërë një marrëveshje me lojtarët dhe në 4 ndeshjet e radhës duhet të marrin 12 pikë pastaj ecim”, tha Gjici.

Shpesh thuhet se vetë Gjici e vendos ekipin nën presion duke kërkuar gjithnjë fitore.

“Ne nuk vuajmë për presion se e kemi kaluar njëherë atë punën e presionit e kemi marrë njëherë titullin. Nuk ka presion fare te ne”, u shpreh ai.

Presidenti kritikoi edhe një herë udhëtimet e Cungut drejt Shkodrës, dhe deklaroi se trajneri këtej e tutje do të jetë më pranë ekipit. Kukësi është në vend të tretë në Superligë, me 8 pikë më pak se Partizani kryesues./abcnews.al

armando-cungu.jpg
ad min14:28 | 12/01/2019

Kukësi po i jep përgjigjet e duhura trajnerit të tij, Armando Cungu. Tekniku shkodran analizoi miqësoren ndaj Rostovit të Rusisë, si dhe foli për mënyrën sesi po bëhen përgatitjet në Turqi.

Kush lodhet në stërvitje, e ka më lehtë në ndeshje. Besohet se ky është parimi i palëkundur i trajnerit të Kukësit, Armando Cungu, i cili provoi skuadrën në testin e dytë në Antalia, këtë herë ndaj Rostovit. Pas kryesueses së Superligës turke, përballë ekipit shqiptar u vu një formacion i fortë i Premier Ligës së Rusisë, në një ndeshje që përfundoi 1-1, dhe të cilën Cungu e analizon kështu.

“Këto kushte ku stërvitemi ne dihet se janë ekipe shumë të larta. Barazim i cili ishte i drejtë, pavarësisht se për mendimin tim ishim më dominues në posedimin e topit”, tha Cungu.

Çdo trajner e di se duhet të jetë i përgatitur për çdo të papritur gjatë sezonit, dhe Cungu nuk bën përjashtim.

“Në këtë ndeshje ndryshuam edhe me vendosjen në fushë në fakt dhe unë si trajner kam nevojë për të pas dy –tri sisteme loje gjatë kampionatit se si mund të sillemi gjatë kampionatit, por edhe brenda ndeshjes”, u shpreh ai.

Skuadrën tekniku e njeh që nga korriku, por si po I duken dy përforcimet, Shkurtaj e Rrocaj?

“Nuk ka nevojë për shumë reklamë. Loja e tyre në ekipet ku kanë qenë ka qenë shumë e pëlqyeshme. Për këtë arsye janë afruar dhe te Kukësi. Në përgjithësi jam i kënaqur për nivelin e tyre, por patjetër kanë nevojë për t’u përmirësuar kryesisht në nivelin fizik, pasi janë lojtarë që kanë kualitet dhe rritja fizike do t’i bëjë që të jenë më të lirshëm”, tha Cungu./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono