Aristoteles Romero

boldor.jpg
Vladimir Prenga09:56 | 14/12/2019

Partizani u mposht dje në derbi, ndërkohë që pas ndeshjes reagimet kanë qenë të shumta. Një prej tyre që ka dhënë mendimin e tij është menaxheri Andi Matraxhiu, i cili vë gishtin në plagë dhe thotë se Deian Boldor dhe Aristoteles Romero ishin ata që gabonin më së shumti. Ai nuk ndalet me kaq, duke theksuar se gabimet ua mbulojnë menaxherët e tyre.

“Me të vërtetë derbi u humb nga Partizani, por ta analizosh me detaje, dy lojtarët Romero dhe Boldor gabonin në mënyrë fatale. Veprime të palejueshme në një ndeshje derbi. Gjithkush mund të gabojë, por Romero humbi topin tek të dy golat e shënuar nga Tirana, që erdhën si pasojë e kundërsulmit. Ndërkohë që Boldor gabon rregullisht çdo ndeshje, jo vetëm në derbi.

Të dy këto lojtarë kanë një dorë të fortë menaxhimi nga pas, e cila i mbulon gabimet e tyre brenda për brenda territorit të kuq. Nëse lojtarët do të kishin menaxherë të tjerë, menjëherë do të dilnin tek ‘gardhi’ ata së bashku me menaxherin. Por në rastin konkret, Boldor-Romero & CO janë me ‘jelekë anti-plumb’ dhe duhet kohë t’i ‘futet gjembi’ ne trup… Është koha të kritikojmë dhe të kemi kulturën e duhur për të mirëkuptuar çdo kritikë. Të mos ta quajmë sulm, por pasqyrim të realitetit”, shkruan Matraxhiu në llogarinë e tij në “Facebook”.

Matraxhiu dhe Babaj, kur pozonin pas transferimit të Liridon Ahmetit te Partizani

Një koment e ka lënë edhe Shpëtim Babaj, ish-futbollist i Besës, Elbasanit, Gramozit dhe Tiranës. Gjithashtu ai ka pasur eksperienca të rëndësishme edhe në Slloveni, Ukrainë dhe Kazakistan, për ta mbyllur karrierën në Kosovë. Babaj mendon se rumuni Boldor është më i dobëti mbrojtëse që Partizani ka marrë në 5-6 vitet e fundit, ndërkohë që ka kritika edhe për trajnerin Franco Lerda.

“Nuk kam qejf të akuzoj, por nuk e di se a ka lozur ndonjëherë lojtar (qendërmbrojtës ) më i dobët se ky Boldor tek Partizani këto 5-6 vitet e fundit, edhe pse fajin ja lej komplet trajnerit me gjithë këto gabime që bën qysh në fillim të kampionatit. Ku janë Asani dhe Mala? Çuditërisht po e durojnë jashtëzakonisht shumë, sepse as loja e Partizanit nuk është në nivelin e duhur që të shpresosh që ka progres dhe që do të vijnë rezultatet”, shkruan Babaj, i cili tani merret me menaxhim futbollistësh. /abcnews.al

Postimi i Matraxhiut dhe komenti i Shpëtim Babaj
lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga08:57 | 05/12/2019

Tërmeti, ndjenjat e përjetuara, futbolli i luajtur, Esat Mala dhe Romero. Franco Lerda nuk kursehet, flet për gjithçka rreth Partizanit të tij, që nuk ka përjetuar një moment të qetë për shkak të situatës që u krijua në vend nga tërmeti i 26 nëntorit. Stafi dhe futbollistët e kuq dolën edhe në terren, duke ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti në Thumanë. Italiani rrëfen frikën e përjetuar dhe bie dakord me vendimin e Federatës për të shtyrë kampionatin.

TËRMETI – “Po jetojmë një situatë të rëndë dhe aspak të thjeshtë, sepse presioni dhe mendja e lojtarëve është tek ata njerëz të shkretë, që vuajtën këtë tërmet të tmerrshëm. Ne si klub dhe si skuadër jemi pranë tyre dhe shpresojmë që kjo situatë të kalojë, në mënyrë që gjendja të kthehet në normalitet. Kur rifilluam stërvitjen kishim shumë vështirësi. Askush nuk ishte mirë dhe askush nuk mendonte për futbollin”.

FRIKA E MADHE DHE MESAZHI – “Kurrë nuk e kam përjetuar një situatë të tillë. Dhe jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë njerëzor. Në planin personal nuk kisha pasur kurrë aq frikë sa mëngjesin e së martës. Shtëpitë dridheshin, ndaj kisha shumë frikë. Mesazhi? Ne si klub shkuam që të takonim njerëzit, të cilët e përjetuan më keq këtë katastrofë. U qëndruam dhe do t’u qëndrojmë pranë. Uroj që të bëjnë të njëjtën gjë të gjithë dhe t’iu vijnë në ndihmë”.

SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Absolutisht që ishte një vendim i drejtë. Në këto ngjarje të jashtëzakonshme është e drejtë që të ndërpritet edhe kampionati. Jemi dakord me vendimin që u mor nga FSHF”.

BYLISI  – “Do të luajmë ndaj një skuadre që është me meritë në vendin e tretë, pasi ka bërë një kampionat mjaft të mirë. E vlerësojmë në maksimum sepse është një ekip i fortë, pavarësisht se vjen pas dy humbjeve. Kjo e bën edhe më të vështirë këtë takim. Megjithatë, ne jemi Partizani dhe shkojmë për të marrë vetëm tri pikët. Derbi? Nuk e mendoj për momentin”.

MALA DHE ROMERO – “Mala nuk po stërvitet me ekipin për shkak të vendimit të klubit. Nuk mund të them se kur do të aktivizohet, pasi ende klubi mban në fuqi një vendim për të. Nëse klubi do të vendosë që ai të marrë pjesë në stërvitje, atëherë do të aktivizohet. Gjithsesi, ne kemi marrë masat për të bërë ndërhyrjet e nevojshme.

“Romero? Fakti që ai po stërvitet normalisht dhe nuk është i shpërqendruar, duke zbatuar udhëzimet që ne japim, nuk më shqetëson. Rëndësi ka që ai të jetë i qetë gjatë stërvitjes dhe të mos ndikohet nga problemet e jetës së tij private”, është shprehur Lerda në prononcimin e dhënë pas seancës së djeshme stërvitore, botuar sot në “Panorama Sport”. /abcnews.al

romero-dhe-gripshi.png
Vladimir Prenga08:19 | 30/11/2019

Futbolli gjatë kësaj periudhe ka qenë në plan të dytë, për shkak të situatës së krijuar në vend prej dëmeve dhe viktimave  që ka shkaktuar tërmeti i datës 26 nëntor. Gjithsesi ka edhe nga ata që janë të qetë dhe mendojnë të përforcojnë skuadrat e tyre në merkaton e janarit.

Në të përditshmen “Panorama Sport” raportohet se në klubin e Skënderbeut kanë trokitur për shërbimet e anësorit Nazmi Gripshi. Paraqitjet e mira kanë tërhequr vëmendjen e klubeve çeke dhe Teplice është në listë.  Gjithsesi në Korçë janë të qartë dhe kërkesa e tyre është e qartë: “Doni Gripshin, derdhni në llogaritë e klubit 300 mijë euro”.

Ky është çmimi, ndërsa tanimë mbetet të shihet nëse çekët do të jenë të gatshëm ta paguajnë këtë shifër. Skënderbeu nga ana tjetër thuhet se në janar pritet të afrojë Donald Rapon nga Luftëtari, ndërkohë që në listën e objektivave lakohet edhe Vangjel Zguro.

Titulli kryesor i gazetës

PROBLEMATIKU ROMERO – Një artikull tjetër kryesor i gazetës është ai i Aristoteles Romero. Mesfushori venezuelian pritej të ishte një nga prurjet që do të bënte diferencën, por deri më tani prej tij mbahen mend tensioni me Malën dhe kartoni i kuq në ndeshjen me Teutën.

Në listën e problemeve të tij shtohen edhe festat e natës, të organizuara prej tij në shtëpi.  Bëhet fjalë për festa të zhurmshme, që kanë shqetësuar edhe banorët e pallatit. Këta të fundit janë ankuar te administratori i pallatit, por situata nuk ka ndryshuar.

Më pas ata kanë raportuar në polici atë që ndodh në shtëpinë e Romeros deri në orët e para të mëngjesit. Madje, sipas banorëve aty grumbullohen edhe futbollistë të tjerë me bashkëshortet dhe festat e tyre kthehen në një problem për të gjithë komunitetin që jeton aty. /abcnews.al

Artikulli i Romero në faqen e parë të Panorama Sport

 

romero-1280x853.jpg
Vladimir Prenga11:53 | 25/10/2019

Faza e dytë e Superiores nis të dielën, teksa janë në program tre ndeshje të zhvillohen në fundjavë dhe të hënën zhvillohen dy sfidat e tjera. Janë disa futbollistë që nuk do të mund të luajnë në takimet e skuadrave të tyre dhe shkak janë kartonët e verdhë.

Tirana duhet të bëjë pa Eni Imamin. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të verdhë në Ballsh dhe këtë javë nuk mund të luajë. Në kampin bardheblu duhet të vendosin se kush do të zëvendësojë atë. Gentian Muça pret shansin e tij, ndërkohë që opsione janë edhe Hoxhallari e Vangjeli.

Flamurtari është një tjetër ekip që do të ketë mungesa. Fjoralb Deliaj u ndëshkua me karton të kuq ndaj Vllaznisë dhe nuk mund të luajë në sfidën e radhës me Skënderbeun. Edhe Olsi Gocaj do të duhet të pushojë. Shkodrani i krahut të djathtë plotësoi numrin e kartonëve të verdhë ndaj ish-ekipit të tij të mërkurën.

Partizani gjithashtu nuk do të ketë për shkak kartonësh mesfushorin Aristoteles Romero. Veneluziani mungoi edhe ndaj Vllaznisë, pasi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Teutës. I verdhi i marrë dje me Skënderbeun e penalizon dhe e lë jashtë ekipit për ndeshjen me Kukësin. /abcnews.al

 

Partizani.png
Igli Nikolli15:46 | 21/10/2019

Kategoria Superiore rikthehet sërish në mesjavë dhe nuk ka kohë për pushim. Katër sfida zhvillohen ditën e mërkurë, ndërsa Partizani do të zbresë në fushë 24 orë më vonë. Kampionët në fuqi do të presin në “Selman Stërmasi” Skëndërbeun, ndeshja që nis në orën 15:00.

Klubi i kuq ka publikuar në rrjetet sociale çmimet e biletave. Shitja e tyre do të nisë ditën e nesërme, duke nisur nga ora 10 e mëngjesit në pikën pranë stadiumit. Një biletë në tribunë kushton 10 mijë lek të vjetra, ndërsa në zonën e ultrasve vetëm 3 mijë të tilla.

Djemtë e Lerdës do të futen për të marrë fitoren e dytë rresht. Kreu është vetëm një pikë larg, ndërsa do të ketë edhe një rikthim në ekip. Aristoteles Romero u ndëshkua me karton të kuq kundër Teutës dhe mungoi në triumfin 1-3 në Shkodër.

Mesfushori venezuelian është në dispozicion të trajnerit italian për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme për të dy ekipet. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono