Argjentinë

De-Rossi-Boca.jpg
Igli Nikolli13:34 | 21/09/2019

Daniele De Rossi i surprizoi të gjithë me transferimin e tij te Boca Juniors. Ëndrra e tij e madhe ishte mbyllja e karrierës aty ku e nisi, te Roma e tij e dashur, por drejtuesit nuk i ofruan rinovim.

36-vjeçari vendosi të kryente një veprim të bukur, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në një nga klubet me të njohura në botë.

Ardhja e tij ka rritur entuziazmin e tifozëve të Bokës. Gjithsesi, De Rossi ka pësuar një dëmtim dhe nuk është grumbulluar për sfidën e sotme kundër San Lorenzos. Mesfushori ka hasur probleme në gjurin e djathtë, ndërsa analizat më të detajuara do të përcaktojnë kohën e rikthimit të tij. /abcnews.al

brazli.jpg
ad min13:59 | 02/07/2019

Brazili dhe Argjentina luajnë sot derbin e madh në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Brazilianët nuk kanë bindur, por jepen favoritë për suksesin, pasi luajnë në fushën e tyre.

Presioni është në nivelin më të lartë. Kombëtarja braziliane e ka gjithë mbështetjen e publikut, por kjo nuk ia heq stresin në prag të derbit të madh me Argjentinën. Luhet gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës, në stadiumin e Belo Horizontes në orën 2 e 30 të mëngjesit, sipas orës së Shqipërisë, dhe prej “selesaos” kërkohet vetëm fitorja.

Në pritje të një mrekullie në Botërorin e ardhshëm, të paktën duhet fituar ky trofe, aq më shumë sepse luhet në shtëpi, ndërsa suksesi i fundit është I 12 viteve më parë. Trajneri Tite sidomos rrezikon postin nëse nuk ia del.

Ai ka disa shqetësime, pasi në dyshim janë Filipe Luis e Fernandinjo, ndonëse sulmuesi Riçarlison duhet të jetë shëruar. Në sulm pritet treshja, Gabriel Zhezus-Firmino-Kutinjo. “Selesao” nuk është se ka kënaqur plotësisht pas barazimit në grup me Venezuelën, dhe kualifikimin vetëm me penallti ndaj Paraguajit.

“E vërteta është se nuk kam fjetur mirë këto net, – tha trajneri brazilian, – unë nuk jam supermen, por një qenie njerëzore. Gjithsesi, kjo është normale dhe unë ndihem mirë. Luajmë ndaj Argjentinës, një rivaleje të madhe, që ka shumë talente të mbledhur në një skuadër. Ata kanë Mesin, Agueron, por edhe ne kemi Kutinjon, Firminon, Uillianin apo Neresin. Do të jetë një duel i madh, dhe kemi besim se do t’ia dalim”.

Argjentina mbërriti në Belo Horizonte me shpresë. Edhe për të, trysnia ekziston, por më pak se për vendasit, ndonëse nga Lionel Mesi kërkohet të fitohet më në fund një trofe me kombëtaren. Stërvitja e fundit u bë në kompleksin e Kruzeiros, me trajnerin Skaloni që padyshim u përpoq të forconte mbrojtjen, ndërsa për sulmin do të mendojë treshja Mesi-Lautaro Martinez-Aguero.

“Mund t’iu them se Aguero do të jetë titullar”, – tha trajneri, që vazhdoi me shaka se “pjesa tjetër nuk është e konfirmuar, përfshi edhe Mesin”. Më pas, ai komentoi ndeshjen duke theksuar se “Brazili është në moment të mirë, lojtarët kanë kohë që luajnë bashkë, dhe trajneri ka kohë në stol, ky është një avantazh për ta”.

Skaloni pohoi se Brazili është favorit i Kupës së Amerikës, rivali për t’u mundur, por shtoi se kjo nuk do të thoshte se Argjentina nuk do të luante për fitore. Brazili jepet favorit për fitoren në 90 minuta apo edhe për kualifikimin në “Stadio Mineirao”, madje me diferencë, jo më kot e ka fituar Kupën e Amerikës të katër herët kur është zhvilluar në stadiumet braziliane./ABC News Albania 24/7

banka.jpg
ad min13:47 | 08/06/2019

Presidenti brazilian Bolsonaro propozoi krijimin e një monedhe të përbashkët me Argjentinën si një hap të parë drejt unionit monetar amerikano-jugor. Banka Qendrore e Brazilit përgënjeshtroi faktin se ekziston një plan i gatshëm për këtë nismë.

Brazili do të donte një monedhë të përbashkët me Argjentinën, duke shënuar hapin e parë drejt unionit monetar amerikano jugor. Propozimi u bë nga presidenti Brazilian Jair Bolsonaro, pas takimit në Buenos Aires me presidentin argjentinas Maurisio Makri.

Bolsonaro u shpreh se një familje nis me dy persona, ndërsa lajmi është konfirmuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Brazil. Për Bolsonaron Brazili do të fitonte më shumë se sa do të humbte në këtë rast, me një monedhë të përbashkët e cila dhe do të frenonte aventurat socialiste në Amerikën e Jugut.

Banka Qendrore e Brazili përgënjeshtroi faktin se ekziston një plan i gatshëm për bashkimin monetar me Argjentinën./ABC News Albania 24/7

ARGJENTINE-PRESIDENTJA.mpg_snapshot_00.12-1280x697.jpg
ad min21:53 | 21/12/2018

Gjykata e Apelit në Argjentinë konfirmoi vendimin për të gjykuar ish-presidenten e vendit, Kristina Kirshner për korrupsion. Gjykata madje ka kërkuar që ish kryetarja e shtetit të presë në burg seancën e parë gjyqësore.

Ish presidentja e Argjentinës Kristina Kirshner do të gjykohet për korrupsion në kuadër të një skandali për një sistem tenderash publikë që i janë dhënë funksionarëve të lartë. Vendimi është marrë nga një gjykatë argjentinase e cila kërkoi burgosjen e saj edhe pse për momentin Kristina Kirshner aktualisht është e mbrojtur nga imuniteti parlamentar.

Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e marrë në muajin shtator nga gjykatësi Klaudio Bonadio, i cili akuzon ish presidenten e vendit amerikano jugor se është përgjegëjse së bashku me bashkëshortin e saj Nestor Kirshner, president në periudhën 2003 – 2007, krijuesit e një sistemi korruptiv nga i cili kanë përfituar 160 milionë dollarë. Gjykata ka urdhëruar dhe sekuestrimin e pasurisë së politikanes për vlerën e 38 millionë dollarëve.

Kirshner është senatore nga viti 2017 dhe gëzon imunitetin parlamentar. Në rast se ajo do të dënohet mund ti hiqet imuniteti nëse votojnë pro pjesa më e madhe e senatorëve./abcnews.al

G20-MARREVESHJA-1280x720.jpg
ent ela20:35 | 01/12/2018

Liderët e 20 vendeve më të industrializuara të botës kanë arritur një marrëveshje për tregtinë globale në ditën e dytë të samitit të mbajtur në Buenos Aires. Gjithashtu, vendet e G20-s kanë riafirmuar mbështetjen për marrëveshjen e klimës, nga e cila janë distanucuar vetëm Shtetet e Bashkuara.

Liderët botërorë të mbledhur në Argjentinë për samitin e G20-s kanë gjetur të shtunën gjuhën e përbashkët për një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse. Përfaqësuesit e 20 vendeve më të industrializuara në botë deklaruan se mbështesin rritjen e fortë ekonomike të regjistruar në vitet e fundit, edhe pse e paekuilibruar mes vendeve. Përmes një komunikate për shtyp të shpërndarë në përfundim të samitit të Buenos Airesit thuhet se krerët e shteteve riafirmuan angazhimin për të përdorur çdo instrument politik për të siguruar një rritje të fortë, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse. Gjithashtu, liderët më të pushtetshëm të planetit ranë dakord për marrjen e masave për të parandaluar rënien e ekonomisë, si dhe për intensifikimin e dialogut mes tyre, me qëllim përforcimin e besimit reciprok. Nga ana tjetër, të pranishmit u shprehën të vetëdijshëm se disa nga rreziqet që kanosnin pikat e dobëta të sistemit financiar global u materializuan pjesërisht në vitet e fundit. Ndër të tjera, vendet anëtare të G20-s ranë dakord sa i takon marrëveshjes së klimës. Me përjashtim të Shteteve të Bashkuara, vendet që firmosën marrëveshjen e Parisit deklaruan se akordi është i pakthyeshëm dhe angazhimet e marra përsipër duhen përmbushur, edhe pse duke respektuar diferencat që ekzistojnë mes vendeve të ndryshme. Gjatë samitit, vetëm pala amerikane e përfaqësuar nga presidenti Donald Trump konfirmoi tërheqjen nga marrëveshja. /abcnews.al

 

 

SAMITI-I-G-20-DETAJET.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min12:52 | 30/11/2018

Kriza mes Ukrainës dhe Rusisë, lufta tregtare SHBA-Kinë dhe ndryshimet klimatike jane në qendër të diskutimeve në samitin e G20 që zhvillohet në Argjentinë. Ndarjet në qëndrimet për këto çështje mund të thellohen.

Liderët botërorë janë mbledhur në Argjentinë për samitin e përvitshëm të G20-s mes tensioneve të reja me Rusinë dhe Ukrainën si dhe me përplasjen tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Presidenti amerikan Donald Trump anulloi takimin e tij me homologun rus Vladimir Putin, në shenjë proteste për shkak të sekuestrimit të 3 anijeve të Ukrainës. 24 marinarë janë arrestuar në incidentin e Detit të Zi.

Por çfarë do të diskutohet në këtë samit kaq të rëndësishëm. Sa I përket tarifave, shpresat për progres në takimin mes Trump dhe liderit të Kinës, Xi JInping, janë zbehur. Dy gjigandët ekonomikë janë në një luftë tregtare, e cila me shumë mundësi do të përshkallëzohet. Premtimet për ndryshimet klimatike do të jenë një tjetër pikë kyçe në bisedime. Presidenti francez, Emmanuel Macron është cituar nga AFP të thotë se do të refuzojë të nënshkruajë marrëveshje tregtare me bllokun Mercosur të Amerikës Jugore nëse presidenti I Brazilit, Jair Bolsonaro do të tërheqë vendin nga marrëveshja e Parisit për Klimën.

Gjithashtu samiti është edhe një test diplomatik për princin e kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i cili gjendet mes pyetjeve të vazhdueshme lidhur me ndonjë përfshirje të mundshme të shtetit Arab në vrasjen e gazetarit Jamal Krashoggi në Turqi. Indinjata ndërkombëtare lidhur me vrasjen e bashkëpunëtorit të Uashington Post, që u krye në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor, vijon pasi Kanadaja vendosi sanksione ndaj 17 shtetasve sauditë të dyshuar se kanë lidhje me vrasjen e tij. Kryeministrja britanike Theresa May do të takohet me princin e kurorës dhe do të japë një mesazh “shumë të qartë”.

Grupi i 20-ës mbledh së bashku udhëheqësit e 19 vendeve më të industrializuara në botë plus BE-në. Fokusi i samitit dy-ditor është “zhvillimi i drejtë dhe i qëndrueshëm”. Takimi i vitit të kaluar, në qytetin gjerman të Hamburgut, u shënua nga protesta të dhunshme. Në Buenos Aires, që pret takimin e parë të G20-s që do të mbahet në Amerikën e Jugut, më shumë se 20,000 policë janë angazhuar për të ruajtur rendin./abcnews.al

argjentine.jpg
ad min22:25 | 24/11/2018

Ndeshja historike mes Boca Juniors dhe River Plate është shtyrë për shkak të skenave të dhunshme që përfshinë kryeqytetin argjentinas të Buenos Airesit. Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, autobusi që transportonte lojtarët e Boca Juniors u sulmua nga tifozët kundërshtar. Për të shpërndarë këta të fundit është përdorur gaz lotsjellës.

Gjitashtu raportohet se gazi ka ndikuar edhe te futbollistët e skuadrës, madje probleme me frymëmarrjen ka patur edhe ish-ylli i Manchester United, Carlos Tevez. Përballja mes Boca Juniors dhe River Plate është derbi më historik në botë. Është hera e parë që të dyja skuadrat ndeshen në finalen e kupës Libertadores. Ndeshja e parë u mbyll në barazim 2-2. Ndërkohë kjo e sotmja pritet që të luhet në orën 23:15, megjithatë drejtuesit e Boca-s këmbëngulin që ndeshja të shtyhet./abcnews.al

DqT-L3PXQAASzDB.jpg
ent ela10:15 | 25/10/2018

Nëntë të plagosut dhe 27 të arrestuar është bilanci i përplasjes fizike mes një grupi militantësh dhe policisë argjentinase në Buenos Aires. Arsyeja e protestës ishte diskutimi në dhomën e deputetëve të buxhetit për vitin 2019. Buxhet që parashikon reduktime në shpenzimet publike. Aktivistët i janë vënë zjarrin disa koshave të mbeturinave dhe kanë hedhur gurë dhe drunj kundër agjentëve të policisë. Këta të fundit reaguan duke qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës. /abcnews.al

cristinaaa.jpg
ad min12:10 | 18/09/2018

Gjykata në Argjentinë kërkon që ish-Presidentes Cristina Kirchner, t’i hiqet imuniteti parlamentar në mënyrë që të arrestohet. Ndaj saj është ngritur akuzë lidhur me skandalin e korrupsionit, të njohur në vend si “Fletoret e korrupsionit”.

Gjykata dyshon se ajo sëbashku më bashkëshortin, dhe ai ish-President i vendit, kanë qenë përgjegjës të një sistemi korrupsioni, ku sipërmarrës të rëndësishëm jepnin rryshfet për të përfituar tendera publikë./abcnews.al

fosil-933x445.png
ad min09:33 | 12/07/2018

Zbulohet në Argjentinë fosili i një prej gjigandëve të parë të parahistorisë së planetit tonë. Ka jetuar rreth 237 milionë vjet më parë, në periudhën Triasike dhe ishte kushëri i largët i titanosaurve, ndër kafshët më të mëdha që kanë shkelur ndonjëherë mbi Tokë. Paleontologët e kanë pagëzuar me emrin latin Ingentia Prima, që do të thotë Gjigandi i Parë.

Zbulimi është bërë nga kërkuesit e Universitetit Kombëtar të Argjentinës në San Juan dhe është botuar në revistën “Natyre”, “Ecologji” dhe “Evolucion”.

Sipas tyre, kjo kafshë jetonte në rajonet juglindore të kontinentit antik Pangea, në territorin aktual të Argjentinës, dhe kishte një aparat të frymëmarrjes të ngjashëm me atë të zogjve. Mendohet se peshonin deri në 90 ton. Fosili i gjetur do të ndihmojë paleontologët të kuptojnë më mirë evolucionin dhe etapat e tij.

Klan Plus


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono