arena kombetare

air-albania-1280x821.jpg
nev ila22:30 | 17/11/2019

Ditë historike për stadiumin e ri të kombëtares së Shqipërisë, ndërsa për kryeministrin Edi Rama është një ditë mesazhesh. Ndërkohë që fliste në inaugurimin e impiantit të ri sportiv “Air Albania” një tjetër mesazh iu dërgua nga një pjesë e tifozëve brenda stadiumit.

Nuk dihet nëse këto thirrje kanë mbërritur në veshin e kryeministrit pasi ky i fundit ishte zënë me falënderime për ata që e bënë të mundur realizimin e ëndrrës së tij. Aq i kënaqur shprehet kryeministri Rama sa e krahason me kryeveprat botërore.

Në të njëjtën linjë me të u shpreh edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka.

E së bashku me kryeministrin Rama dhe Presidenti i UEFA-s Aleksander Çeferin hodhën firmat në këtë 17 nëntor që do të mbahet mend jo vetëm si Çlirimi i Tiranës në 1944 por edhe si moment historik për futbollin shqiptar.

Pjesë e ceremonisë së hapjes u bënë nga emra të njohur të muzikës shqiptare ku nuk munguan edhe numrat koreografikë./abcnews.al

stadiumi-1280x719.jpg
nev ila20:30 | 17/11/2019

Shënohet incidenti i parë në Arenën Kombëtare “Air Albania”. Burime për abcnews.al kanë njoftuar se i gjithë stadiumi ka filluar të thërrasin në kor “Rama IK”. Kjo ndodhi gjatë ceremonisë së inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar, që në fakt ka pasur debate që në fillim kur u miratua projekti.

Sikurse mund të dëgjohet edhe në video, në kor, tifozët thërrasin “Rama ik”, në momentin kur në stadium fiken dritat dhe ndizen dritat e celularëve, një simbolikë kjo e përdorur edhe gjatë protestave të PD-së, ku protestues te shumte, ndriçuan bulevardin me dritat e celulareve.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së stadiumit së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Linda Rama dhe djalin Zaho. Në fjalën e tij, Rama e quajti ditën e sotme “ditë historike për sportin shqiptar”.

Gjithashtu edhe për emrin ka pasur shumë kundërshti, por tani të gjithë shqiptarët janë para një fakti të kryer dhe kanë një stadium të ri modern.

RAPORTIMI NGA GAZETARI I ABC NEWS– Pa nisur ndeshja me Francën, gazetari i ABC News, Bledar Kuka, në një lidhje direkte foli për atmosferën në “Air Albania Stadium” dhe praninë e tifozëve. “Atmosfera është mjaft e mirë, ndeshja ndiqet nga një numër i madh tifozësh. Në tre tribuna tifozët kanë ardhur shpejt, kurse në tribunën VIP tifozët kanë ardhur me nge.

Opinionet e tifozëve kanë qenë të mira për stadiumin. Ata manë ardhur për kombëtaren, jo vetëm për stadiumin e ri. Francezët janë vendosur në tribunën lart, në zonën e tyre të izoluar. Një pjesë e madhe e tifozëve nuk kanë marrë bileta, pasi ka pasur ndarje me mik, sicc e kemi thënë”, tha mes të tjerash.

Lajmi në përditësim…/abcnews.al

75289378_777892049300721_5076521077513912320_n-1280x720.jpg
Vladimir Prenga10:17 | 16/11/2019

Stadiumi i ri kombëtar “Air Albania” është gati për duelin me Francën të dielën në mbrëmje. Edhe pse punimet vazhdojnë ende për detajet e fundit, tashmë impianti i ri modern në Shqipëri, mund të konsiderohet i përfunduar.

Stadium i ri kombëtar është gati për duelin me Francën të dielën në mbrëmje. Punimet në impiantin më modern në Shqipëri janë thuajse drejt fundit. Në ambientet e jashtme të “Air Albania Stadium” vihet re prezenca e zyrtarëve të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, që tregon qartë përkushtimin dhe presionin e madh në prag të një dueli kaq të rëndësishëm.

Në pjesën e jashtme të stadiumit punimet thuajse kanë përfunduar dhe po bëhet gati vendosja e rrethimit të perimetrit të sigurisë, ku do të kalojnë tifozët për t’u kontrolluar para hyrjes në stadium. Në hyrjen kryesore të stadiumit ka përfunduar shtrimi me pllaka guri të kuqe dhe punëtorët po kujdesen maksimalisht për çdo detaj.

Në një nga hyrjet e impiantit është stampuar edhe emri i ri i “Air Albania Stadium”. Në pjesët e jashtme dallohet heqja e skelave të ndërtimit, duke treguar qartësisht se punimet kryesore janë ezauruar dhe ka mbetur vetëm përfundimi i disa gjërave të fundit vetëm një ditë para ndeshjes me Francën, por që nuk ndikon aspak në inaugurimin pasi stadiumi në fjalë është licencuar nga UEFA një javë më parë. Në hyrjen e stadiumit vihet re se montimi i kamerave të sigurisë është në fazën finale.

Ambientet e brendshme të stadiumit janë një mrekulli më vete. Në sektorin e bareve dhe restoranteve po jepet dora e fundit, që çdo gjë të jetë në perfeksionin e kërkuar për inaugurimin. Tapeti është i një cilësie të lartë dhe moti i qëndrueshëm në ditët e fundit pritet ta përmirësojë akoma më tepër gjendjen e fushës.

Stadium është i mrekullueshëm dhe gati për duelin e së dielës në mbrëmje, kur nuk do të mungojnë personalitetet e larta. Tifozët do të kenë mundësinë të shijojnë për herë të parë emocionet e kombëtares në ndeshjet në shtëpi në një impiant modern dhe i standardeve europiane. /abcnews.al

arena3-1.jpg
Vladimir Prenga09:27 | 16/11/2019

Shqipëri-Francë do të mobilizojë një numër të madh forcash rendit për të garantuar sigurinë. Rreth 1650 policë do të jenë të gatshëm, ndërkohë që FSHF ka kontraktuar BBS Security për stjuartët, që do të jenë mbi 350. Policia e Shtetit së fundmi ka publikuar edhe masat e marrë për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe zbulon gjithçka.

“Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës”, njofton policia.

Njoftimi i plotë

“Policia e Shtetit njofton se në datën 17.11.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” Tiranë, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për eliminatorët e Kampionatit Europian të Futbollit “Euro 2020”.

Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, tifozërinë vendase, atë të ardhur nga treva të tjera dhe tifozërinë e ekipit të Francës, që do të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Arena Kombëtare”, se për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv do të merren disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të, si më poshtë:

*Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

*Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

*Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

*Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:
•Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobusët do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
•Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzët do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
•Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobusët do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

*Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:
•Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të  orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:
1.Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

2.Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
3.Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

4.Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
5.Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Për të qartësuar qytetarët, orientimi i sektorit ku ata kanë biletën, të bëhet sipas specimentit bashkëlidhur njoftimit.

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit.

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë. Edhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit dhe të drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin.

/abcnews.al

Arena.png
Vladimir Prenga11:41 | 14/11/2019

“Wembley” i Ballkanit, kështu e quan gazeta Tuttosport stadiumin “Arena Kombëtare” që pritet të përurohet të dielën në ndeshjen Shqipëri-Francë. Krahasimet nuk mbarojnë me kaq, pasi tribunat i krahasojnë me mitikun “Bombonero” në Argjentinë.

Corriere dello Sport gjithashtu i ka dhënë hapësirë stadiumit të ri, teksa vë në dukje faktin që presidenti i UEFA-s, Aleksandro Ceferin, do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse kundër Francës.

Edoardo Reja, trajneri i kombëtares, flet në lidhje me stadiumin dhe ato sigurisht janë pozitive. Vlerësimet e tij i dha edhe në konferencë për shtyp. “Stadiumi na ka dhënë stimuj të ri. Është një stadium fantastik, e kam parë tre ditë më parë.

Është një emocion dhe nder që do të jem në inaugurim”, ka thënë mes të tjerash italiani, i cili ka theksuar se kualifikimi për në Botëror nuk është i pamundur për Shqipërinë. Ende nuk ka rinovuar, por nënshkrimi i kontratës së re mes FSHF-së dhe Rejës duket të jetë një formalitet. /abcnews.al

arena-1280x720.jpg
Autor E18:12 | 13/11/2019

Ditët kalojnë dhe humori ndryshon. Arena Kombëtare sikur dëshiron të thotë se është tashmë ashtu siç duhet, veçse deri kur ta shohim të përfunduar plotësisht, do ta besojmë.

Fusha është duke u korrur, dhe këtu jemi brenda afateve, ndonëse vetëm dyluftimet në terren mes Shqipërisë e Francës do të tregojnë nëse gjendja e saj i përgjigjet 100-përqindëshit.

Nuk ia vlen të përsërisim faktin se pjesa jugore nuk e kaloi mirë testin në ndeshjen e femrave Vllaznia-Apolonia, dhe se moti i këtyre ditëve nuk ka qenë aspak i ngrohtë dhe me diell.

Cilësia e barit nuk vihet në diskutim, dhe pritet që tapeti të jetë në të njëjtën cilësi si ai i “Elbasan Arenës”, që mund të quhet i shkëlqyer.

Ritmi duket se duhet të shtohet kur vjen puna tek baret e restorantet apo tek lozhat e VIP-it, ku me sy të lirë gjykon se puna është disi prapa.

Humori është i mirë kur vjen puna tek parametrat e përgjithshëm brenda stadiumit, qoftë për gjendjen e ulëseve, të lirshmërisë që njerëzit të hyjnë e të dalin, tek vendet e gazetarëve, sistemet e kamerave të transmetimit apo sigurisë si dhe tek përforcuesit e zërit.

Kur del jashtë impiantit, shikon se po punohet më shpejt, edhe sepse reshjet e shiut nuk kanë penguar si një ditë më parë.

Po bëhet pastrimi i sheshit qendror, ku janë vendosur pllakat, ndonëse aty ka ende punë për t’u bërë.

Edhe më shumë punë ka për asfaltimin dhe sistemimin në sheshet dhe rrugët e tjera rreth e rrotull tribunave.

Gjithashtu, mbetet të largohen skelat me të cilat punëtorët kanë punuar në lartësi, tek fasadat.

Një nga detyrat kryesore të lëna nga UEFA që ditën e diel ishte pikërisht spastrimi i sheshit kryesor, dhe i shesheve pranë tribunave anësore, pasi ishin ende shumë të ngarkuara nga punimet që vazhdonin.

Porosia tjetër ishte përfundimi i sistemit të ndriçimit të jashtëm të stadiumit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sinjalistikët për të orientuar spektatorët drejt vendeve të duhura.

Nëse ishte menduar se e mërkura duhej të ishte dita e fundit dhe pas saj gjithçka do të përfundonte, kjo gjë nuk u arrit.

Afati tjetër logjik i bie të jetë e premtja, por ndoshta, siç është e zakonshme tek ne, do të mbetet punë edhe për paraditen e së shtunës, veçse aty do të jetë fundi, sepse pasdite stadiumi do të ketë miq.

Do të mbërrijë Franca për stërvitje dhe konferencë. /abcnews.al

arena-kombetare-1-1280x729.jpg
nev ila18:30 | 12/11/2019

Reshjet e shiut sjellin vonesa në punimet e Arenës Kombëtare. Ritëm i ulët në sheshet dhe rrugët jashtë stadiumit, ndërsa ka ende shqetësim për pjesën jugore të fushës.

Ndoshta kanë nisur të luten.

Kjo statujë e vogël e Papës së dikurshëm Gjon Pali II, sikur të kujton gjendjen në të cilën ndodhen ndërtuesit e Arenës Kombëtare dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sikur të mos mungonin shqetësimet, ja ku nisën përsëri reshjet e shiut për të vonuar edhe më shumë.

Ndikimi i tyre duket menjëherë sapo shikon sheshin për këmbësorët përpara tribunës kryesore, ku punimet sikur i ka ndalur në vend një dorë misterioze.

Ka shumë pak lëvizje të punonjësve, ndërsa një ditë më parë shtrohej me vrull betoni, sprucohej substanca kimike për lëmimin, forcimin dhe ngjyrosjen, si dhe punoje për asfaltin.

Togje me pllaka të bëra gati qendrojnë nën shi, në pritje të një kohe më të mirë për t’u vendosur aty ku duhet.

Natyrisht, duhet pak për të plotësuar mozaikun e sheshit, por e mërkura që mendohej si dita D, afati i përfundimit të punimeve, nuk pritet të jetë e tillë.

Me gjasë, do të ketë punë të sforcuar deri të premten.

Po ashtu, do të punohet me nxitim për mbylljen e çdo veprimi nga jashtë, në mënyrë që të largohen skelat, makineritë e gjithçka tjetër që pengon deklarimin “gati” të stadiumit.

Një nga detyrat kryesore të lëna nga UEFA që ditën e diel ishte pikërisht spastrimi i sheshit kryesor, dhe i shesheve pranë tribunave anësore, pasi ishin ende shumë të ngarkuara nga punimet që vazhdonin.

Një tjetër porosi ishte përfundimi i sistemit të ndriçimit të jashtëm të stadiumit, pasi dihet se një ndriçim i mirë krijon më shumë rregull e siguri edhe sesa një sistem i kamerave.

Shqetësim nga UEFA ka edhe për sinjalistikën që do të orientonte tifozët për të hyrë në tribunën e duhur dhe pa humbur kohë.

A mund të thuhet se reshjet do të rrezikojnë dhe se ndeshja ndaj Francës do të luhet në një impiant që do të cilësohet i përfunduar, por që do të ketë ende gjëra jo në 100 për qind?

Nëse forcat punëtore kanë bërë maksimumin këto javë, ditë dhe tanë, padyshim ato nuk po ndihmohen nga moti.

Për fat, reshjet nuk mund të pengojnë punimet në brendësi.

Llozhat e VIP-it, baret dhe restorantet në të dy katet e tribunës kryesore, muzeumi, stukimet dhe rifiniturat e fundit janë duke u bërë shpejt, dhe nuk besohet se këto do të ketë vonesa.

Po ashtu, punimet në pjesën e parkimit, të hyrjes kryesore nën tokë, të sallës së konferencave apo të zonës Miks, mund të vazhdojnë pa ndërprerje.

Një shqetësim më vete është fusha.

Edhe pse UEFA e dha lejën zyrtare, pas inspetimit të së dielës, sërish terreni do ende kohë që të jetë në gjendjen e duhur.

Në rastin më të mirë, fusha do të jetë në 100 për qind vetëm në ditën kur do të luhet ndeshja, në 17 nëntor, pra të dielën që vjen.

Pjesa jugore e saj vazhdon të përpunohet, me plehërim e mbjellje.

Shpresohet shumë që ngrohja artificiale me llampa të sjella nga Greqia do të ndikojë siç duhet, edhe pse shiu pengon edhe në këtë rast.

Në Federatë janë optimistë që terreni do të jetë gjithashtu gati në kohën e duhur, dhe ndaj Francës nuk do të ndodhë dëmtimi i zonës pranë portës jugore, ashtu siç ngjau në ndeshjen e femrave Vllaznia-Apolonia.

E detyrueshme është që stadiumi të jetë gati të premten, pasi të shtunën Franca do të stërvitet aty.

Edhe më shumë e detyrueshme është që të mos zhgënjejë tifozët shqiptarë, ndërsa thuhet se tashmë janë shitur të 22 000 biletat./abcnews.al

ARENA-KOMBETARE-FUSHA-NUK-KA-NISUR-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
Vladimir Prenga12:30 | 12/11/2019

“Arena Kombëtare” ka prodhuar shumë debate, që në fillim kur u projektua. Kundërshtime pati për dhënien e pronës publike privatit, që bëri një investim që nuk e kap vlerën e truallit të ndërtimit në atë zonë. Një stadium me kullë, që shumëkush e kundërshtoi.

Tani është realitet dhe ka debate edhe për emrin. Ta mirëmbash një impiant të tillë kushton dhe FSHF si zgjidhjen e vetme ka gjetur shitjen e emrit. “Air Albania Arena” do të jetë emri i ri i stadiumit dhe pritet që gjithçka të zyrtarizohet. Ky emër sigurisht ka sjellë debate.

Nga politika ka pasur reagime, fillimisht për mosplotësim të kushteve që kjo kompani ka për ta fituar këtë ankand. Së fundmi ai që akuzon është Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë.  Juristi dhe politikani i njohur në vend thekson se stadiumi i ri më mirë të quhet “Erdogan” dhe arsyeton mendimin e tij përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Stadiumi i plotëson të gjitha kushtet që të quhet Erdogan, jo Air Albania! Është ndërtim i dhunshëm; i sajuar; i ndërtuar për qejf të udhëheqësit; me pare pa hesap; me kontrata të dyshimta; me stil e mall turk dhe kundër dëshirës së qytetarisë, pra fiks ERDOGAN.

Do kishte shumë më kuptim emri Erdogan sesa budallallëku Air Albania, rast unik ky që stadiumit i vihet emri i një kompanie ajrore! Do kishte pa dyshim më shumë kuptim emri simbol i dhunës Erdogan, sesa emri i qytetarisë Qemal Stafa. Nejse kështu ndodh kur e ke kryeministrin gjys-artist e gjys-sportist. Nuk është tamam për asnjërën…”, shkruan Manjani. /abcnews.al

arena2-1280x711.jpg
Vladimir Prenga21:54 | 11/11/2019

Fusha e Arenës Kombëtare rrezikon të mos jetë në gjendjen më të mirë për Shqipëri-Francë. Tapeti i barit po përpunohet vazhdimisht, por koha mund të mos jetë e mjaftueshme për t’ia dalë, edhe pse ndeshja do të luhet në këtë stadium.

U mendua se do të ishte gjëja e parë që do t’i përgjigjej pozitivisht apelit. Një stadium ka fushën si gjënë e tij kryesore dhe tek Arena Kombëtare kjo gjë kryesore ka shkaktuar alarmin më të madh. Edhe pse impianti e mori lejen zyrtare nga UEFA, pas inspektimit të së dielës, sërish tapeti i barit nuk do t’ia dijë as për organizmat europiane dhe as për ato shqiptare, pasi ka afatet e veta.

Në rastin më të mirë, fusha do të jetë në 100 për qind vetëm në ditën kur do të luhet ndeshja, në 17 nëntor, pra të dielën që vjen. Shqetësimi është i madh për pjesën pranë portës jugore, qw pësoi dëmtim gjatë ndeshjes së femrave, Vllaznia-Apolonia.

Për shkak të vendosjes, ajo nuk ka marrë sasinë e ndriçimit dhe ngrohtësisë nga dielli, si 70-përqindëshi tjetër, ndaj edhe ka mbetur prapa. Burime në kompaninë që bën punimet, thonë për Abc News se vazhdon plehërimi, por edhe mbjellja e një sasie bari të re.

Nga Greqia, specialistët sjellin llamba nxehtësie që do të vendosen në tribunën krah pjesës jugore të fushës. Ato llamba do të bëjnë ngrohjen artificiale për ta rritur barin, në mënyrë që ai të ketë thellësinë e duhur të rrënjëve.

Tapeti nisi vendosjen në 10 shtator, përfundoi vendosja në 17 shtator. Në bazë të rregullave, duhen 2 muaj të plotë, që ai të mund të përballojë ndeshje, pra data i bie pikërisht 17 nëntori. Federata Shqiptare e Futbollit nuk deshi ta zhvillonte ndeshjen e provës, duke e shtyrë nga 3 në 10 nëntor, por u detyrua nga UEFA.

Shpresohet që gjithçka të jetë gati, por është në limitet e fundit të mundshme. UEFA pati dy të dërguar mbrëmjen e së dielës në Arenë, Fernando Mese dhe Keith Daiton, dhe ata vëzhguan me shumë vëmendje kohën e zbrazjes së stadiumit, po ashtu mënyrën e kontrollimit dhe të hyrjes së spektatorëve.

Përfundimi ishte i kënaqshëm, edhe pse sasia e tifozëve në ndeshjen e kontrollit nuk ishte e madhe. Frikë më të madhe, edhe sesa UEFA, duket se kanë punonjësit privatë të sigurisë që janë pajtuar për në ndeshjet e kombëtares, apo në sfidat kryesore të Superligës. Arena Kombëtare u duket tepër e madhe, me shumë hyrje e dalje, diçka që ata nuk e kanë provuar më parë.

Edhe 350 forca sigurie që do të jenë për Francën, kompanisë private i duken pak. Europianët lanë detyrë edhe zëvendësimin e disa barrierave të qelqit të imprenjuar, që ishin dëmtuar gjatë punimeve. Në stadium të garantojnë se po vijnë 2 apo 3 barriera të reja xhami të blinduar dhe se ato do të vendosen shumë shpejt në vend.

Me sy të lirë kupton se një pjesë e madhe e punimeve kanë përfunduar. Kjo ka bërë që të ulet edhe numri i forcave punëtore, që sot janë rreth 300. Ata vazhdojnë të punojnë 24 orë në 24, 7 ditë në 7, por gjithsesi ka zbritje nga numri 500 që ishte në kulmin e punimeve.

Ulëset, tashmë janë të vëna në dispozicion të publikut, siç u pa edhe në ndeshjen e femrave. Po ashtu, fusha është e vijëzuar plotësisht. Ende përpunohet bari artificial anash saj, që do të përdoret për nxehjen e lojtarëve të stolit, përpara sesa ata të aktivizohen, ose për të qenë gati për çdo moment kur t’i duhen trajnerit.

Nëpër tribuna ende vazhdojnë gjërat e vogla të fundit. Diku bëhen saldime, por sidomos kudo ka punime më të imëta, stukime apo izolime. Në barin dhe restorantin e VIP-it, ende nuk janë përfunduar banakët, madje nuk janë mbuluar plotësisht lidhjet e vendosura në dysheme.

Nëse gjërat janë vënë nëpër vende, ende estetika nuk është aty ku duhet, sidomos për t’iu përgjigjur një stadiumi të kategorisë me 4 yje, sipas standardeve të UEFA-s. Pas testimit të së dielës, u krijua përshtypja se zona miks, pra ajo e intervistave në katin e parë nëntokë të stadiumit, ishte pak e ngushtë që gazetarët të punonin lirisht.

Muzeumi po nis të marrë pamje në hapësirën pas fasadës historike, tek ish-lokali “Kampionët”. Me gjasë, në 14 apo 15 nëntor do të jetë gati. Sheshi pedonal para stadiumit po merr përpunimet e fundit, pasi kanë mbetur pak pllaka për t’u vënë. Më shumë po shtrohen, betonohen dhe zbukurohen pjesët anësore, që do të jenë me ngjyrë të kaltër.

Me ritëm të shpejtë po bëhet shtrimi i asfaltit në rrugët rreth e rrotull dhe punonjës të kompanisë të thonë se deri ditën e mërkurë gjithçka do të jetë e përfunduar, në dispozicion për t’u vijëzuar. Një rrugë e re do të vihet në dispozicion të qytetarëve ngjitur me Pallatin e Kongreseve. Me gjasë, gjithçka do të jetë e përfunduar deri të premten, ndonëse fusha do ta presë ndeshjen jo në gjendjen e saj më të mirë. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Arena.png
Vladimir Prenga18:56 | 11/11/2019

Shqipëri-Francë nuk ka më dyshime se ku do të luhet. “Arena Kombëtarë” do të mirëpresë këtë përballje dhe gjithçka është zyrtarizuar edhe nga UEFA, përmes faqes së saj zyrtare. Tek të dhënat e ndeshjes, është shtuar edhe emri i stadiumit, “Arena Kombëtare”, sikurse shikohet edhe në faksimilen e mëposhtme.

PARALAJMËRIMI I DERVISHIT – Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishi, i ftuar në emisionin “ABC-ja e mëngjesit” në ABC News paralajmëroi zyrtarizimin e stadiumit “Arena Kombëtare” për ndeshjen Shqipëri-Francë.  “UEFA e ka nxjerrë në sajt tani stadiumin ku do luhet”, deklaronte Dervishi në mëngjes, kur në fakt ende nuk ishte konfirmuar.

“Sot firmoset kontrata me ‘Air Albania’. Duhen para për mirëmbajtjen, ndaj nuk mund ta mbajmë emrin ‘Arena Kombëtare’. Të mërkurën do jenë gati 99.9% të gjërave, pasi të shtunën aty do stërvitet Franca dhe do vijnë edhe gazetarët”, shprehej Dervishi. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono