ardit gjebrea

e-diela.jpg
G. P.17:58 | 30/06/2019

Naimi ka katër muaj që nuk komunikon me vajzën e tij Tean sepse kjo e fundit, sipas babait, është lënduar nga një fjalë e nxituar. Edhe pas lotëve e përgjërimeve të shumta, Tea e ka pasur të vështirë që t’a falë babain e saj. Vetëm ndërmjetësimi i Ardit Gjebresë tek “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan, ka bërë që babë e bijë të shkëmbejnë një gjysëm përqafimi pas katër muajsh. Shkak për këtë konflikt është bërë një fjalë e nxituar e Naimit që ka lënduar jo vetëm vajzën e tij 18-vjeçare, por dhe të fejuarin e saj. Vajza nga Tirana është njohur disa muaj më parë në Facebook me Redin nga fshati Drenovicë i Beratit.

Ata kishin vendosur që lidhjen e tyre ta zyrtarizonin, por kjo nuk është pritur mirë nga prindërit e Teas. Në atë kohë ajo ishte vetëm 17 vjeçe, në shkollë dhe prindërit kishin të tjera pritshmëri për të. Por zemra ka dominuar mbi arsyen dhe një ditë, vajza vendos të largohet nga shtëpia duke e parë se me prindërit nuk do arrinte një kompromis. Në rrethana të tilla, Naimi e pranoi fejesën e Teas dhe bashkëjetesën me Redin. Ajo që e bëri të ndryshonte disi qëndrim ishte momenti kur shkoi për të vizituar vajzën në Drenovicë të Beratit.

“Nuk mund të gjeje një djalë tirane por një fshatar nga Berati”, i kishte thënë ai i zhgënjyer të bijës. Kjo fjali i ka rindezur tensionet mes Teas dhe babait të saj të cilit i ka kërkuar që të mos kishin më asnjë lloj kontakti. Pas katër muajsh tentativash të dështuara për t’u pajtuar, Naimi ka provuar mundësinë e fundit që të rregullojë marrëdhënien me të bijën. Tea dhe Redi nuk janë surprizuar kur nga krahu tjetër i murit tek “Ka një mesazh për ty” kanë parë Naimin e përlotur.

Redi, i fejuari i Teas, është larguar nga studio pak sekonda pasi ka parë vjehrrin e tij duke u shprehur që “unë nuk dua t’a takoj këtë person, vajza të vendosë si të dojë”. Por mesa duket çifti kishin bërë të njëjtin plan që të mos i jepnin një shans të dytë Naimit. Ky i fundit mes lotësh i ka kërkuar falje të bijës dhe të fejuarit për fjalët e nxituara.

“Je gëzimi im i parë. Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore. Do doja që të isha në dasmën tënde”, i ka thënë Naimi vajzës e cila ftohtë dhe prerë ka refuzuar që t’i japë një shans të afërt për t’u pajtuar. Pas insistimeve të shumta të Ardit Gjebresë, Tea ka pranuar përqafimin e babait duke hedhur një hap të vogël drejt sheshimit të këtij konflikti.

Sipas vajzës janë edhe disa aryse të tjera që e kanë shtyrë që të mos ketë kontakt me babain, të cilat nuk pranoi t’i bëjë publike. “Koka e falur, nuk pritet”, tha Naimi. Shpresojmë që marrëdhënia babë e bijë të normalizohet dhe Tea t’i japë një shans të dytë të atit. /tvklan.al

oriklinda-933x445.jpg
G. P.22:45 | 16/06/2019

Emocione të forta në puntatën e sotme të rubrikës “Ka një mesazh për ty” në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Oriklinda Paiusco është një vajzë 35-vjeçare, shtetase italiane, por me origjinë shqiptare. Ajo jeton në Vicenza prej 28 vitesh dhe së shpejti do të bëhet nënë.

Që në moshë të vogël është birësuar nga një çift italian në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. Oriklinda ka ardhur në “E Diela Shqiptare” për të zbuluar familjarët e saj, nënën biologjike dhe dy motra më të vogla. I ati biologjik i ka vdekur, ndërsa nëna e saj u martua sërish me të cilin ka dy vajzat e tjera, që në fakt janë motrat e Oriklindës.

Në studio fillimisht vjen Marinela, njëra nga motrat, e cila jeton në Vlorë ku dhe punon. Ardit Gjebrea ka menduar për një surprizë dhe e ul Marinelën tek publiku. Ndërsa motrat tjetër, Klea, në fakt jeton në Vicenza, në të njëjtin qytet si dhe Oriklinda. Por kjo e fundit nuk e di këtë gjë, madje nuk di as emrat e motrave, por vetëm të mamasë biologjike, që quhet Thëllëza.

Oriklinda na tregon historinë e saj kur jetonte në shtëpinë e fëmijës në Vlorë deri në moshën 7-vjeçare, kur dhe u birësua nga prindër italianë dhe që prej atëherë jeton në Vicenza të Italisë. Linda aktualisht është në pritje të ëmbël dhe ka thënë se nuk do që të bëhet nënë pa njohur më parë nënën e saj biologjike.

Oriklinda Paiusco: Unë doja të njihja origjinën time, sepse unë jam me origjinë shqiptare. Kam lindur në Vlorë. Jam birësuar 28 vjet më parë, por do të më pëlqente të njihja gjithsesi prejardhjen time. Prandaj kërkova ndihmën tuaj. Unë jam Oriklinda Paiusco, jam 35 vjeç. Kam lindur në Orikum, në Vlorë, dhe në vitin 1991 jam birësuar nga prindërit e mi italianë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe asokohe?

Oriklinda Paiusco: 7 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pra, ke humbur edhe gjuhën shqipe?

Oriklinda Paiusco: Krejtësisht. Për fat të keq.

Ardit Gjebrea: Por deri në moshën 7-vjeçare ti flisje vetëm shqip dhe kur shkove në Itali nuk dije as edhe një fjalë.

Oriklinda Paiusco: As edhe një të vetme. Asnjë. Pra, ishte mjaft e vështirë që të komunikoja me prindërit e mi, sepse ata flisnin vetëm italisht ndërsa unë vetëm shqip.

Ardit Gjebrea: Atëherë, gjatë kohës që ke qëndruar në Shqipëri, përpara se të shkoje në Itali, si ishte jeta jote dhe ku rrije?

Oriklinda Paiusco: Unë në fakt kam jetuar gjithmonë në shtëpinë e fëmijës. Nga mosha 0-3 vjeç u rrita në shtëpinë e fëmijës. Pastaj nga mosha 3-7 vjeç kam jetuar në shtëpinë e fëmijës në Vlorë.

Ardit Gjebrea: Gjatë kësaj periudhe, ç’të thonin rreth prejardhjes tënde?

Oriklinda Paiusco: Asgjë. Unë nuk mora vesh asgjë deri para 3 vjetësh kur ritakova edukatoren time, Viktorian, dhe falë asaj, e sidomos një mikeje shqiptare e cila bëri rolin e përkthyeses, zbulova se kisha prejardhje shqiptare. Unë e dija, por nuk dija si kam qenë e vogël. Pra më tregoi historinë dhe më tregoi edhe që kisha dy motra.

Ardit Gjebrea: E si janë këto dy motra?

Oriklinda Paiusco: Nuk e di. Unë di vetëm që edhe këto dy motra kanë jetuar në shtëpinë e fëmijës. Këto janë informacionet që kam marrë. Dhe asokohe ishin bionde. Pra, tani nuk e kam idenë fare. Kureshtja ime për t’i njohur, se do të më pëlqente, më solli deri këtu.

Ardit Gjebrea: Ti e di emrin e nënës?

Oriklinda Paiusco: Po, nëna quhet Thëllëza. Babai im Tomorr. Mbiemrat në fakt nuk i di.

Ardit Gjebrea: Është e çuditshme sepse një vajzë 7 vjeç mund të kujtojë diçka. Sepse ti u largove nga Shqipëria kur ishe 7 vjeç apo jo.

 Oriklinda Paiusco: Po, unë kujtoj jetën që bëja tek shtëpia e fëmijës, por nuk kujtoj shumë. Jeta në shtëpinë e fëmijës ishte mjaft e vështirë. Në kuptimin që edukimi ishte shumë i rreptë.

Ardit Gjebrea: Doja të pyesja nëse nëna vinte të të takonte në shtëpinë e fëmijës?

Oriklinda Paiusco: Jo, nëna nuk vinte, unë di që vinte gjyshja nga ana e mamit, por vinte të takonte motrat. Të paktën kështu më kanë treguar. Nuk vinte të më takonte mua. Më kujtohet kjo zonja që vinte takonte dy vajzat bionde binjake, por nuk më kujtohet me saktësi kush ishte dhe mbi të gjitha s’e dija që ishte gjyshja nga ana e mamit. Për mua ishte një zonjë, një zonjë e thjeshtë.

Ardit Gjebrea: A mund të të ketë takuar ndonjë zonjë pa të treguar se ishte mamaja jote?

Oriklinda Paiusco: Sinqerisht s’kam as idenë më të vogël. Nuk e di. Po nisem nga hamendësimi se unë e dija që isha jetime deri 3 vite më parë. Faktin që nëna biologjike, Thëllëza është gjallë dhe shëndoshë e mirë dhe jeton akoma në Vlorë, e mora vesh 3 vjet më parë.

Ardit Gjebrea: Kush ta tha?

Oriklinda Paiusco: Edukatorja ime.

Ardit Gjebrea: Si e takove?

Oriklinda Paiusco: Ishte një aventurë në kuptimin që para tre vjetësh unë dhe i dashuri im u nisëm nga Italia me qëllimin për të gjetur edukatoren. Kjo ishte dëshira ime, sepse ajo, kur unë isha e vogël, për mua ishte mamaja ime. Dëshira ime më e madhe ishte ta ritakoja dhe të rishikoja shtëpinë e fëmijës ku kisha jetuar. Dhe brenda një dite arritëm të gjenim si shtëpinë e foshnjes ashtu dhe edukatoren.

Ardit Gjebrea: Prindërit e tu nuk ta kishin thënë kurrë një gjë të tillë? Që ti vije nga Shqipëria e gjëra të tilla?

Oriklinda Paiusco: Po. Duhet të keni parasysh që kur isha rreth moshës 10-vjeçare ata më treguan gjithçka. Më parë natyrisht që ekzistonte problemi i gjuhës. Brenda 3 muajve unë arrita të flisja, të mësoja italishten, por dalëngadalë ata arritën të kuptonin se si të silleshin me mua dhe më thanë gjithçka. Më thanë që isha me prejardhje shqiptare, që isha birësuar, sepse isha jetime. Dhe ata dëshironin shumë të kishin një vajzë, që isha unë. Mamaja më ka thënë se isha një fëmijë i terrorizuar. Unë deri në moshn 12-vjeçare isha e terrorizuar. Sepse kisha frikë mos më rrihnin. Sepse në shtëpinë e fëmijës, edhe mund t’i kuptoj, na trajtonin mjaft ashpër. E kështu, që kur duhej bërtitur apo rrahur, të rrihnin. Unë kisha shumë frikë nga kjo gjë. Në fund të fundit unë nuk e kisha pasur kurrë një figurë atërore dhe amësore. Të shihja mamin dhe babin bashkë me vëllain, se prindërit e mi kishin edhe një djalë, që më trajtonin mirë, që më donin dhe vazhdojnë të më duan edhe sot, ishte diçka e mrekullueshme. Por, gjithsesi në adoleshencën time kam qenë gjithmonë pak e tërhequr. Kisha pak frikë. Pastaj e lëshova veten dhe jetova e po vazhdoj të jetoj një jetë fantastike.

Ardit Gjebrea: Kur është momenti i parë që të shkrepi në mendje të kërkoje origjinën tënde?

Oriklinda Paiusco: Shumë vonë në fakt. Mendoj se ndoshta 3 vjet më parë doja të njihja me këmbëngulje origjinën time. Më parë kisha frikë. Sepse kisha njëfarë zemërimi të brendshëm. Ndoshta nuk doja më t’ia dija për Shqipërinë. Dhe madje nuk doja më as të kthehesha në Shqipëri. Në fakt, për herë të parë u ktheva në Vlorë pas 25 vjetësh. Kaluan shumë vite para se të përballesha me të. Kujtoja shtëpinë e fëmijës, detin. Kujtoja që na dërgonin në plazh. Kujtoja copëza nga ajo jetë që kam kaluar në shtëpinë e fëmijës. Kujtime të bukura dhe të këqija.

Ardit Gjebrea: Pas shumë vitesh erdhe në Shqipëri të kërkoje familjen tëndë.

Oriklinda Paiusco: Dëshira ime në fakt, ishte të ritakoja edukatoren time. Sepse duke mos e ditur që kisha motra apo vëllezër, duke mos ditur që kisha një nënë biologjike që jeton ende, dëshira ime ishte të takoja edukatoren time. Mbi të gjitha doja të më tregonte historinë time. Kush isha. Sepse ajo më ka rritur në njëfarë mënyrë nga mosha 3 deri në 7 vjeç. Kishte ndjenjur me mua për 4 vite. Të bukura dhe me intensitet. Prandaj, kur më thanë se në fakt nuk isha e vetme dhe kisha këto motrat binjake, m’u hap një botë e tërë. I thashë vetes që kërkimi im nuk mund të ndalej këtu, por do të vazhdonte. E deri në fund duhet t’i gjej. Prandaj jam këtu.

Ardit Gjebrea: Si na gjete?

Oriklinda Paiusco: Edhe unë jam pak investiguese. Kam folur me një zotëri shqiptar që jeton në Itali prej 20 vitesh. Miku im Xhoni. I shpjegova se çfarë do të më pëlqente të gjeja. Dhe ai më tha, mos u shqetëso jam unë këtu. Dhe prej andej, i biri kontaktoi me gazetarin që më pas kontaktoi me mua. Dhe aty filluan historitë. I tregova dokumente të ndryshme. I rrëfeva gjithçka që unë dija.

Ardit Gjebrea: Tani ti je në pritje të ëmbël.

Oriklinda Paiusco: Po, dhe ky moment është i mrekullueshëm në fakt. Është një emocion fantastik, sepse sipas meje, fakti që po bëhem nënë më bën të kuptoj shumë gjëra të tjera. Nuk dua të gjykoj askënd, por dua të kuptoj.

Ardit Gjebreda fton në studio një zonjë që quhet Klea. Ajo është mikesha e Xhonit, mikut të Oriklindës. Klea ulet pranë Oriklindës dhe thotë se kujton kur kanë qenë në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. Emocionet janë të forta.

Klea: Oriklinda për mua është një person që 30 vite më përpara e kam njohur në një institucion.

Ardit Gjebrea: Jeni dy motra pranë njëra-tjetrës.

Oriklinda Paiusco: Ti je motra ime? Atëherë jetojmë në Vicenza që të trija. O Zot çfarë ankthi.

Klea: Më kujtohet kur rrinim në shtëpinë e fëmijës në Vlorë .

Nga publiku, Arditi pyet Klean, e cila është motra tjetër dhe që ndiqte në distancë të gjithë historinë e Oriklindës.

Ardit Gjebrea pyet Marinelën (e ulur te publiku): Çfarë janë ato të dyja për ty?

Marinela: Motra!

Oriklinda Paiusco: Në fakt unë e realizova ëndrrën time.

Ardit Gjebrea: Janë më të vogla se ty.

Oriklinda Paiusco: Unë jam plaka e radhës atëherë.

Dhe kështu u realizua ëndrra e Oriklindës, të tre motrat u bënë bashkë. Por, mbetet takimi me nënën, Thëllëzën. A do të vijë në studio zonja Thëllëza dhe a do ta njohë vajzën e saj Oriklindën, të cilën ka 30 vite pa e takuar? Historia vijon në pjesën e dytë të “Ka një mesazh për ty”. /tvklan.al

EMISIONI-THUMB-08-DHJETOR.mpg_snapshot_00.06.49-1280x720.jpg
G. P.18:48 | 08/12/2018

Për herë të parë Aulona dhe Fatma dolën nga kosherja e zakonshme për të sjellë këtë puntatë një Thumb Magjik. Bëhet fjalë për prapaskentat e edicionit të 20 të Këngës Magjike dhe të gjitha të pa thënat të nxjerra vetëm nga Thumb.

Të gjitha këto vijnë vetëm nga një festival si Kënga Magjike që ndër vite na ka dhurar një muzikë që na ka kënaqur jo vetëm veshët, por edhe shpirtin. Për mikrofonin e emisionit realizuesi i këtij festivali Ardit Gjebrea, tregoi se si ia del që ta mbajë të suskesshëm Këngën Magjike edhe pas 20 vitesh.

“Nëse unë nuk i prek të gjitha gjërat vetë, kur dal në skenë kam pasiguri. Në një nga sektorët që nuk e kisha prekur, kur erdha pashë që kishte pak rrëmujë dhe e gjithë nata e parë më shkoi jo mirë. Ndoshta publiku nuk e kuptoi, por unë nuk isha Arditi që isha në natën e dytë.”

Gjebrea tregon dhe çelësin e sekretit se si pas 20 vitesh është i vetmi që arrin të përthithë këngëtarët më të suksesshëm në treg.

“Unë nuk jam menaxher, unë jam artist. Unë artistët i trajtoj ashtu siç do të doja që ata të më trajtonin mua. Çdo këngëtar që ka ardhur ka rritur nivelin e tij.”

Gjithashtu ai tregoi dhe për performancën e tij në natën finale më një këngë të shumëpritur nga publiku në duet me artistin Saimir Pirgu.

“Isha tek studio e Florit dhe dëgjoja këngën dhe më pëlqeu. I them Florit ma jep mua këtë këngën, sepse unë do të këndoj një duet me Saimir Pirgun në natën finale. I them Florit të vjen keq ta bëj me një tekst tjetër timin dhe kështu krijova tekstin “Kur them ajo”. E gjithë ideja që një ditë një njeri i shtrenjtë largohet nga jeta jote, ikën gjithçka, por a mund ta fshish emrin dhe të thuash “ajo”? Është e pamundur.”

A do jetë ky rikthim i Gjebreas në muzikë?

“Unë besoj se po, sepse teksa regjistroja në atë studio me kapi nostaligjia dhe aty e vendosa që do filloj dhe do krijoj e këndoj.”/abcnews.al

NATA-E-PARE-KENGA-MAGJIKE-1280x709.jpg
ent ela14:41 | 06/12/2018

Në një skenë madhështore dhe një formë të veçantë nisi mbrëmjen e së mërkurë nata e parë e edicionit të 20 të kënges magjike.  11 këngëtarë big dhe 13 new artist performuan Live në Pallatin e Koncerteve.  Ardit Gjebrea në këtë edicion u shoqërua në prezantim nga  Bora Zemani dhe Klaudia Pepa.

Edicioni i 20-të, i festivalit “Kënga Magjike” 2018 ngre siparin me një gjetje mjaft interesante . Pa një sigël hyrëse Ardit Gjebrea në gjysëm errësirë pyeti një vajzë për emrin dhe ditëlindjen që përkonte saktësisht me edicionin e parë të “Këngës Magjike dhe kështu përmes 20 personazheve u rrëfye 2 dekada të festivalit më të rëndësishëm të muzikës moderne shqiptare.

Ardit Gjebrea u shfaq me dy prezantueset Bora Zemani dhe Kaludia Pepa secila me shoqëruesit specifik të tyre .

Anxhela Peristeri fituesja e një viti me parë këndoi e para. Gjatë mbrëmjes së gjatë plot surpriza në skenë interpretuan  11 këngëtarë të kategorisë Neë Artists dhe 13 artistë të kategorisë Big.

Klaudia Pepa ndezi skenen me interpretimin e saj shoqëruar nga 12, balerinët e Media Set.

Në natën e dytë do të interpretojnë plot 12 këngëtarë big dhe 13 neë artist. Ndërkohë që në finalen e madhe do të performojnë vetëm 20 këngëtarë. Finalja e madhe do të jete e mbushur me surpriza dhe të ftuar specialë.

Festivali “Kënga Magjike 2018” u transmetua drejtprdrejt në Televizionin Kombëtar  Klan, në Klan Maqedonia, si dhe në Kosovë.

Por për herë të parë përmes një platforme dixhitale Livestrem, çdo shikues mund ta shikonte live  Këngën Magjike si në sallë. Për herë të parë edhe publiku në salle votoi për kategorinë New Artist. /abcnews.al

 

 

femijet.jpg
G. P.22:49 | 05/12/2018

Nata e parë e edicionit të 20-të të “Këngës Magjike” startoi ndryshe nga herët e tjera. Pa një sigël hyrëse Ardit Gjebrea në gjysëm errësirë pyeti një vajzë për emrin dhe ditëlindjen që përkonte saktësisht me edicionin e parë të “Këngës Magjike”.

19 fëmijë dhe të rinj të lindur përkatësisht në datat dhe vitet kur është zhvilluar “Kënga Magjike” 1999- 2017 ishin të pranishëm në hapjen e edicionit të 20-të të festivalit.

Ardit Gjebrea në prezantimin që bëri për secilin prej tyre tregoi detaje apo risi që do të mbahen mend gjatë për 19 edicionet e kaluara.

“Do ju tregoj një histori. Kam këtu disa dëshmitarë që kombinimi i kodeve jetike të botës që ne e quajmë fat, bëjnë që ata të jenë dëshmitarë të kësaj historie”.

14 Tetor 1999 Në këtë ditë ka ardhur në jetë dhe “Kënga Magjike”. Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë kompeticion tjetër veç Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar dhe çfarë të krijonim, një garë këngësh apo një garë interpretimi artistësh? Si do ta kishte emrin? U mblodhëm 30 artistë dhe vendosëm të krijonim një festival alternativ në formë show. Emri, “Kënga Magjike”. Në vitin e parë dolëm Live, donim të tregonim “dhëmbët” që në fillim.

20 Shtator 2000 Kur lindi festivali i dytë i “Kënga Magjike” dhe viti i dytë ishte me gjysmat e këngëve Live, kush të donte do këndonte Live, kush nuk dëshironte, ishte me playback. E pranishme si kryetare e jurisë ka qenë Nexhmije Pagarusha.

 11 Tetor të vitit 2001, ishte dita e parë e vitit të tretë të “Kënga Magjike”, vlonin performancat ku lindi epoka e play back.

21 Nëntor 2002 “Kënga Magjike” mbushi 4 vjeç. Për herë të parë ishte një prezantuese e huaj dhe ajo ishte Natalia Estrada, e cila ishte prezantuese për 2 vite rresht.

22 Nëntor 2003 Një dashuri e re televizive lindi atë vit, dhe ishte Televizioni Klan dhe vijon dhe sot të jetë 15 vjeç.

21 Janar 2004 Për herë të parë “Kënga Magjike” u spostua në Prishtinë. Në natën finale vjen një telefonatë anonime, alarm për bombë. Binte borë dhe policia na ka nxjerrë të gjithëve dhe artistët jashtë, madje dhe me forcë. Artistët me rrobat e perfomancës u thanë se ftohti, 1 orë e gjysmë jashtë në borë dhe të gjithë thoshin se duhej anuluar festivali, por vendosëm për ta bërë.

11 Tetor 2005 Në natën e parë të “Këngës magjike” të gjithë u surprizuan nga skenografia e Bashkim Zait. Një ujëvarë binte gjatë gjithë kohës së festivalit 9 metra e lartë dhe 6 metra e gjërë.

17 Dhjetor 2006 Në natën finale këputa mish dhe pas skene kur dilja prej këtu ulërija nga dhimbjet, dhe kur dilja në skenë bëja sikur nuk kishte ndodhur asnjë gjë. Dhe tani nuk ka më pesha.

23 Nëntor 2007 Atë vit “Kënga Magjike” u transmetua për herë të parë në 6 televizione, e morën vesh të gjithë shqiptarët.

20 Nëntor 2008 Festivali ndryshoi tërësisht skenografinë, pasi e mori në dorë Gaetano Castelli dhe është edhe sot skenografi i “Këngës Magjike”.

19 Nëntor 2009 Votimet në “Kënga Magjike” kanë qenë të mbyllura dhe ishte viti i fundit.

18 Nëntor 2010 Në këtë vit “Kënga Magjike” filluan të deklaroheshin votat dhe nuk kishte më aleanca.

17 Nëntor 2011 Shqiptarët atë vit marroseshin pas “Gymyshit”, Songul Oden, e cila ishte prezantuese e atij viti dhe u përball me turmat.

8 Nëntor 2012 Atë vit “Kënga Magjike” u modernizua dhe mbushte 14 vjeç dhe atë vit dekori ndryshonte vazhdimisht.

22 Nëntor 2013 Atë vit prezantueset e festivalit “Kënga Magjike”, zgjidheshin në mënyrë të rastësishme.

11 Nëntor 2014 Në atë vit “Këngën Magjike” e “pushtuan” italianët. Ishte Anna Oxa,Pippo Baudo, Gaetano Castelli, etj.

3 Dhjetor 2015  Në atë vit “Kënga Magjike” mori kthesën e madhe, të gjithë artistët këndonin live.

7 Dhjetor 2016 Në atë vit u shtua kategoria “New Artist” dhe për këtë kategori duhet pune dhe mund.

6 Dhjetor 2017 Në këtë vit ishte nata e parë e festivalit të 19- të të “Kënga Magjike” dhe e veçanta ishte pjesëmarrja e këngëtarëve të huaj nga Italia dhe fituesi i New Artist ishte një shqiptar që erdhi nga Australi.

I fundit ishte një zotëri, i cili u bë baba për herë të dytë pikërisht sot (5 Dhjetor 2018). Vajza e tij quhet Ebi.

/tvklan.al

KENGA-MAGJIKE.mpg_snapshot_00.24-1280x720.jpg
G. P.17:41 | 04/12/2018

Edicioni i 20-të i “Këngës Magjike” 2018, nis mbrëmjen e së mërkurës në Pallatin e Koncerteve. Një garë e fortë dhe plot surpriza do të jetë mes 23 këngëtarëve “big” dhe 26 artistëve në transmetim të drejtpërdrejtë në datat 5 e 6 Dhjetor dhe finales së madhe me 8 Dhjetor. Në krah të Ardit Gjebresë në prezantim do jenë moderatoja Bora Zemani dhe balerina Klaudia Pepa.

Skena e Pallatit të Koncerteve është kthyer në një magji të vërtetë. Këto janë momentet e fundit të provave, për edicionin e 20 të festivalit të muzikës moderne shqiptare Kënga Magjike 2018. Pa dyshim se ky përvjetor do të jetë unik dhe i veçantë thekson Ardit Gjebrea.

Ardit Gjebrea, showman: “Të gjithë artistët po e jetojnë vërtetë si një festë të madhe dhe fakti që ne nuk e themi se çfarë do të ndodhi është sepse thjesht kjo është Kënga Magjike. Ku është Kënga Magjika, pa diskutim që do të ketë gjëra të bukura.”

Tashmë ethet e garës dhe këndimi live kanë ngërthyer konkurentët ato të kategorisë big dhe new artist. Gara është e fortë, emrat më të njohur të skenës me zhanre të ndryshme janë në konkurim, e kjo i bën mirë garës.

Venera Lumani, këngëtare: “Unë uroj dhe i kryqëzoj gishtat vetëm që të dal mirë, të dal vokalisht shumë mirë dhe çdo gjë tjetër pastaj le të ngelet festë. Është 20 vjetori, është festë le ta shijojmë në maksimum edhe le të bëjmë gjëra të bukura.”

Baladat vazhdojnë të jenë të preferuara nga këngëtarët, pasi shumë prej tyre e shohin si mundësinë më të mirë për t’u shprehur vokalisht dhe emocionalisht.

Mentor Haziri, këngëtar: “E ka vrarë e dashura shpirtërisht, emocionalisht, kështu që shpresoj që këtë ndjenjë do e paraqes edhe në netët në vijim. Në jetë jam shumë i lumtur jam më karagjoz, por kënga është kështu, është një baladë e ndjerë. Jam natën e dytë me datë 6 Dhjetor dhe mezi po pres.”

Era Rusi, këngëtare: “Kjo është një nga këngët e mia të preferuara. E kam ruajtur 1 vit në arkivë, mendoj se ishte ideale për Këngën Magjike dhe e meritonte një këngë potente. Është edhe 20 vjetori im në Këngën Magjike.”

Por nuk mungojnë edhe etnofolk, RnB dhe këngët ritmike. Dashuria e humbur dhe dhimbjet e saj përshkojnë shumë këngë.

Rozana Radi, këngëtare: “E kam shkruar edhe në faqen time të Instagramit se nëse të gjitha tekstet e mia do të kishin diçka personale i bie që të jetoja 700 jetë. Personale dramë jo, por dashuri të humbur secila vajzë dhe grua ka përjetuar në jetë. Unë e kam thënë dhe në vende të tjera që nsonjëherë në dashuri nuk kujtohet puthja e parë, por e fundit. E vështirë të dalësh nga një histori , e rëndësishme është që të kujtojmë gjërat e mira jo të këqija në jetë.”

Venera Lumani, këngëtare: “Lindi ndjek nga shtëpia, është thjesht mbështetja ime këtë vit.”

Protagonistët që janë këngëtarët, janë ata që nxjerrin edhe triumfuesin e kësaj gare të këngës, ata thonë se me kalimin e viteve janë më të drejtë në votë.

Rozana Radi, këngëtare: “Ti bëjmë thirrje, në radhë të parë vetes sonë, ndërgjegjes sonë që të votojmë sikur jemi publik dhe jo sikur garojmë. Të gjithë kemi miq e shokë, kemi votuar me miqësira dikur, por mbajm mend se kur unë kam fituar Këngën Magjike mua më kanë votuar dhe këngëtarë që nuk më flisnin.kjo më ka bërë të reflektoj shumë. Duhet të jemi njerëzorë pastaj të jemi artistë.”

Mentor Haziri, këngëtar: “E shoh si festë, për shkak se është 20 vjetori dhe duhet të festojmë të gjithë. Kënga Magjike është një Sanremo shqiptare, prandaj edhe ne duhet ta ofrojmë mundin tonë.”

Era Rusi, këngëtare: “Ka këngë shumë të bukura, ka artistë shumë të mirë. Është shumë e bukur që jemi të gjithë në këtë 20 vjetor në Këngën Magjike edhe nuk e shikoj këtë vit si luftë. E shikoj si festë pasi ka vërtet një harmoni mes artistëve me njëri-tjetrin.”

Ka nga ata që e kanë për herë të parë prekjen e kësaj skene magjike.

Lorenc Hasrama, këngëtar: “Për mua është hera e parë që performoj në skenën e Këngës Magjike. Jo vetëm për 20 vjetor por për mua ka qenë gjithmonë e madhe dhe madhështore. Me emocionet nuk jam keq jam mirë, do ta mbaj veten.”

Krahas këngëtarëve nga hapësira mbarëshqipëtare, këtë vit në garë janë edhe 3 këngëtarë italianë. Surprizat janë të shumta në 3 netët, sipas showman-it Ardit Gjebrea.

Ardit Gjebrea, showman: “Konkurenca është shumë e fortë dhe kjo i bën mirë muzikës shqiptare. Ky festival vjen në më të mirin e tij në edicionin e 20 dhe surpriza pa diskutim që do të ketë në çdo natë. Më vjen keq që nuk mund t’jua zbuloj, por erdhi edhe pak. Kështu që vetëm një ditë e gjysëm ka mbeturka surpriza në prezantim, ka surpriuza me numra të ftuar, ka surpriza me publikun.”

Ai nuk preferon të zbulojë shumë. Por ne mësuam se krah showman-it Ardit Gjebrea do të prezantojnë moderatorja Bora Zemani dhe balerina, Klaudia Pepa, kjo e fundit edhe do të performojë me 12 balerinë meshkuj profesionistë nga Mediaset.

Countdowni i Këngës Magjike ka nisur, nata e parë do të jetë me datë 5, nata e 2 me datë 6 dhe finalja me datë 8 Dhjetor. Për të gjithë ata të cilët kanë siguruar biletata, por edhe për gjithë teleshikuesit gjithçka do të vijë live në televizionin kombëtar Klan dhe këtë 20 vjetor festivali “Kënga Magjike”, sjell një risi teknologjike. Për herë të parë në Shqipëri Livestream. Mund të përjetoni emocionet e skenës edhe nga shtëpia nëpërmjet realitetit virtual./abcnews.al

ardiokiiii-933x445.jpg
G. P.21:23 | 21/10/2018

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në programin “E diela Shqiptare”, Gentiana kishte ardhur për ti dhënë një mesazh nënës së saj pasi prej disa muajsh ka humbur babain. Zonja Luiza në bisedë e sipër i përmendi Arditit se dhe ai pak kohë më parë ka humbur nënën e tij dhe e kuptonte. Edhe pse dhimbja është e madhe dhe shumë e vështirë Arditi dha një mesazh shumë të bukur.

“Është e vështirë të mësohesh dhe nuk ka kaluar dhimbja dhe nuk do të kalojë asnjëherë. Por, bashkëshortja dhe dy fëmijët e mi si dhe familja që kam këtu në Klan është një motiv shumë i madh që ti jap satisfaksion nënës dhe babait tim që nuk i kam më. Aty ku janë të jetojnë në paqe. Unë i kam gjithmonë në zemër, por do jetoj për këtë familje, për atë të voglën, me motrën dhe nipërit e mi”, u shpreh Ardit Gjebrea./tvklan.al

22-1-933x445.jpg
ent ela13:44 | 07/10/2018

Në programin “Ka një mesazh për ty” të E Diela Shqiptare në Tv Klan, Edlira na tregoi historinë e saj që pas divorcit nga bashkëshorti, e ka braktisur e gjithë familja; djali 14-vjeçar, nëna dhe motrat me përjashtim të njërës.

Mamaja e saj beson versionin e ish-dhëndrit dhe jo të vajzës së saj. Sot e kësaj dite, Edlira thotë se mamaja nuk i flet, ndërsa vazhdon të mbajë lidhje me ish-burrin. Sa i përket djalit, ajo shprehet se prej disa kohësh është distancuar edhe me djalin për t’i lënë kohë që të reflektojë.

Për t’i ardhur në ndihmë Edlirës, gazetarja e “Ka një mesazh për ty” shkoi në Fier, aty ku banon edhe familja e Edlirës. Ajo u përpoq që të kontaktonte me të ëmën dhe ta ftonte tek E Diela Shqiptare për t’u pajtuar me të bijën. Mirëpo, znj.Drita sapo pa kamerën dhe mësoi se gazetarja i dha mesazhin, ajo refuzoi ftesën për t’u bërë pjesë e programit. Mbi të gjitha ajo refuzoi që të takonte të bijën.

Gazetarja: Unë vij nga E Diela Shqiptare nga Tv Klan.

Mamaja e EdlirësShumë faleminderit, ik! Hiqe kamerën të lutem.

Gazetarja: Ka një mesazh për ju zonjë, unë për këtë kam ardhur.

Mamaja e Edlirës: Nuk kam nevojë për mesazhe. Shumë faleminderit. Nuk kam nevojë për mesazhe. Ikni tani të tërë.

Edlira e pa në video këtë moment refuzimi nga e ëma e saj, e megjithatë thotë se për të kjo ishte diçka e pritshme.

Edlira: E dija që do të reagonte kështu. Nuk e di pse, janë vendimet e saj. Vendos ajo si të dojë, ashtu siç unë do të vendos që sot e tutje për veten time. Do doja të më dëgjonte drejtpëdrejt z.Ardit, kështu siç po më dëgjoni ju tani. Doja ta shikoja nënën time drejt në sy. E t’i thosha pse. Unë jam jot bijë, për çfarëdo lloj arsye, unë jam jot bijë e do ngelem e tillë përjetë. Jam shumë e lënduar, jam shumë e vrarë shpirtërisht për çdo gjë.

E braktisur nga të gjithë, e afërmja e vetme që po e priste Edlirën ishte një nga motrat e saj, për të cilën tha se “ajo është një motër e vërtetë”. /tvklan.al

edlira-ka-nje-mesazh-per-ty-933x445.jpg
ent ela13:33 | 07/10/2018

Historia e parë në programin “Ka një mesazh për ty”, në këtë sezon të ri të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është ajo e Edlirës. Pas divorcit nga bashkëshorti, ajo është braktisur nga gjithë familja e saj, nëna, motrat madje dhe nga djali 14-vjeçar.

Edlira jeton dhe punon në Itali prej shumë vitesh. Aty u njoh me ish-bashkëshortin në vitin 2001, me të cilin u martua dhe krijuan një familje. Më pas sollën në jetë djalin e tyre. Për të mbajtur familjen, ajo punonte pothuajse gjithë ditën, ndërsa bashkëshorti qëndronte në shtëpi duke rritur djalin. Gjërat u përkeqësuan në Maj të vitit 2017. Edlira tregon se një ditë, teksa punonte si kamariere në një piceri, u ndje keq dhe në urgjencën e spitalit e shoqëroi kolegu i saj. Bashkëshorti nuk e pëlqeu këtë veprim dhe akuzoi Edlirën për tradhti.

Edlira: “Më akuzoi për tradhti, gjë që nuk ishte e vërtetë dhe e dinte shumë mirë. Thjesht për një fotografi, thjesht për një shoqërim në urgjencë kur unë ndihesha keq. Unë jam ndjerë keq një natë në vendin e punës ku unë punoj tani aktualisht, në një piceri si kamariere, jam ndier keq një natë dhe ka qenë në fund të Majit 2017. Kam tentuar ta marr në telefon ish-bashkëshortin tim, nuk më është përgjigjur. Edhe unë jam shoqëruar nga kolegu i punës në urgjencë. Dhe për këtë kjo ishte tradhti. Aty filluan problemet”.

Ardit Gjebrea: Ti ke dhe një djalë. Sa vjeç është?

Edlira: “14 vjeç pothuajse”.

Ardit GjebreaKe marrëdhënie me të?

Edlira: “Tani për tani jo. Kam rreth 1 muaj që i kam shkëputur marrëdhëniet dhe me tim bir. Isha e detyruar të shkëpusja marrëdhëniet dhe me tim bir, sepse në një vit e gjysmë kanë ndodhur shumë gjëra”.

Për shkak të divorcit me bashkëshortin, Edlira tregon se mamaja e saj e ka braktisur dhe nuk e beson. Sipas saj, e ëma mban lidhje me ish-bashkëshortin e Edlirës, ndërsa vajzën e saj refuzon që ta dëgjojë dhe ta takojë. Me lot në sy, tashmë edhe Edlira flet në kohën e shkuar për marrëdhënien me të ëmën.

Edlira: “Në muaji Maj 2017, unë kam ardhur në Shqipëri për të folur me nënë time dhe me motrat e mia (5 motra) për atë çfarë po kaloja, por jo se kisha vendosur për të lënë bashkëshortin. Doja vetëm që gjërat ata t’i dinin. Doja vetëm të kisha një mbështetje. Atë mbështetje që s’e kam pasur kurrë. Për momentin mamaja ime ishte e qetë. Edhe motrat e mia ishin të qeta. Kur ndodhi episodi i urgjencës, çdo gjë u përmbys. Sepse ishte fjala ime kundër fjalës së atij. Për atë kjo ishte tradhti. Ndërkohë ish-bashkëshorti komunikonte me nënën time dhe me motrat e mia, kurse me mua nuk fliste asnjë njeri. Mua më veçuan. Nëna besoi që kjo ishte tradhti. Kjo është e keqja. Si mund të besosh? Nëna dhe motrat e mia më mbyllën derën, të gjitha përveç njërës”.

Edlira thotë se ish-bashkëshorti dhe familja e saj janë e shkuara, ndërsa veçon djalin e saj për të cilin shprehet se i ka lënë kohë që të reflektojë, si dhe njërën prej motrave, e cila është e vetmja që i gjendet pranë në një moment kaq të vështirë.

Edlira: “Im bir është, por i kam lënë kohë, jam larguar prej tij në një farë mënyre, të dy bashkë, në mënyrë që t’i japim kohë njëri-tjetrit për të arritur të kuptojmë dashurinë nënë e bir. Im bir më tha: “Nuk arrita kurrë të ndjeja dashuri për ty”. Është 14 vjeç, por është shumë inteligjent. “Nuk arrita të ndjeja dashuri për ty sepse më le të vogël ti. Nuk arrita të ndjej dashuri për ty sepse ishe gjithmonë në punë, ishe gjithmonë jashtë ambientit familjar”. Mbase unë nuk dita të bëja nënën, por tim biri askush nuk i shpjegoi pse kjo nënë punonte kaq shumë, pse e la këtë fëmijë kaq të vogël me prindërit. Unë nuk e braktisa kurrë tim bir, sepse unë për atë fëmijë u sakrifikova. E për atë fëmijë po sakrifikohem akoma. Im bir është jeta ime, arsyeja e jetës sime. Në qoftë se unë tani jam vënë mënjanë, e kam bërë për të mirën e tim biri. Që ai të arrijë të kuptojë çfarë po ndodh në realitet, jo çfarë i thonë“. /tvklan.al

gjebrea.jpg
G. P.11:10 | 04/08/2018

Një ditë e trishtë është kjo e sotmja për prezantuesin e Televizionit Klan, Ardit Gjebrea. Mbrëmjen e së premtes, nëna e tij Meropi Gjebrea ka ndërruar jetë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë drejtuesi i “E Diela Shqiptare”, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Nuk di a do mësohem dot me mungesën tënde… Lutem që engjëjt të kujdesen për ty”, shkruan Gjebrea.

Po ashtu përmes rrjeteve sociale, lajmin e hidhur e ka njoftuar edhe djali i Ardit Gjebreas, Joni, i cili shkruan: “Përgjithmonë në zemrën time. Me trishtim shkruaj se mbrëmë gjyshja ime ndërroi jetë. E përcjellim sot në orën 5 pm, në varrezat e Sharrës, ndërsa vizitat i presim në Mak Albania Hotel (Ish-Sheraton) të dielën, të hënën dhe të martën 10:00-01 pm dhe 5 pm – 8pm”.

Ngushëllimet për humbjen e nënës, kanë qenë të shumta për Gjebrean. Në mesin e tyre ishte edhe juristja dhe bashkëpunëtorja e tij Eni Çobani, e cila shkruan disa fjalë tejet të ndjera.

“I dashur miku im ngushëllimet janë pak para dhimbjes dhe mungesës që të krijon ikja nga jeta e një njeriu kaq të shtrenjtë siç është nëna. Zonja Meropi qoftë e xhenetit dhe ka lenë vetëm mirësi dhe dashuri mes jush. Jam pranë jush me zemër dhe shpirt për t’iu lehtësuar sado pak këtë dhimbje të rëndë. T’ju ketë lënë jetë”, shkruan Çobani.

E ndjera Meropi Gjebrea do të përcillet sot në orën 17:00 për në banesën e fundit dhe do të prehet në varrezat e Sharrës.//tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono