ardian takaj

partizanii-1.png
G. P.14:05 | 30/10/2018

Futbollistët e Skënderbeut e quajnë ekipin e tyre si më të fortin e Superligës. Gjithsesi, trajneri Shehi bën thirrje për kujdes, ndërsa presidenti Takaj flet për strategjinë e klubit të tij.

Tani po që mund të flasim ndryshe. Kështu duket se mendojnë tek Skënderbeu dhe i tillë ishte vlerësimi i rëndësisë së fitores ndaj Partizanit në kryeqytet. Sukses dhe rokadë për vendin e parë, me autoritetin e rifituar mesa duket plotësisht. Njeriu që vulosi shifrat, Devi Bregu, nuk ka dyshim për këtë.

“Që jemi shumë më lart se ekipet tjera kjo duket në fushë, por të ulim kokën dhe të punojmë me seriozitet. Të rëndësishme për ne janë 3 pikët”, tha Bregu.

Shënuesi tjetër, Gjergji Muzaka, e quan normalitet gjithçka që ndodhi.

“Për lojtarët që kanë vite që luajnë aty kjo është diçka normale. Jo  normale është mos ta shikosh në vendin e parë Skënderbeun”, tha Muzaka.

Muzaka flet për lojtarët fitues në tetë vjet dhe i tillë është Marko Radash.

“Ishte fitore e merituar. Ishim një nga favoritët, tani jemi vetëm favoritë”, tha Radash.

Trajneri Orges Shehi ka një paralajmërim, sidoqoftë, për lojtarët e tij.

“Futbolli është shumë i poshtër. Në momentin që ti mendon se ke arritur diçka dhe sa fillon ngre këmbët të ulen direkt. Ne duhet të ngulim këmbët fort dhe tre pikët janë të rëndësihme për ne, si ndaj Partizanit apo kundërshtarit të radhës”, u shpreh Shehi.

Arkitekti numër 1 i suksesit është presidenti Takaj, i cili flet për strategjinë e Skënderbeut për të përballuar edhe ditët e këqija.

“Ne po luajmë me çuna të rinj futboll. Nuk është vetëm pjesa e titullit kampion, por edhe lojtarëve trë rinj, kemi perspektivë në të ardhmen”, tha Takaj./abcnews.al

ardian-takaj.jpg
G. P.16:55 | 28/08/2018

Presidentët e Superligës dalin kundër Policisë së Shtetit për sigurinë në stadiume. Pas Safet Gjicit të Kukësit, edhe presidenti i Skënderbeut, Takaj, kërcënon me bojkot.

Ndaj pushtetit mund t’ia dalin më të fuqishmit.

Presidentët e klubeve të futbollit të Superligës, duket se po i bien ndesh edhe një herë vullnetit të politikës, këtë herë për garantimin e sigurisë në stadiume.

Pasi e sfiduan me sukses në zgjedhjen e presidentit të Federatës, Dukës, disa muaj më parë, janë të vendosur të kthejnë mbrapsht vendimin për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet.

Pas presidentit të Kukësit, Gjici, ja edhe reagimi i numrit 1 të Skënderbeut, Ardian Takaj.

“Ne investojmë për futbollin shuma shumë të mëdha dhe të prishet gara për hir të disa njerëzve të papërgjegjshëm është shumë e rrezikshme për ne që merremi me këtë punë. Prandaj jam dakord me atë që ka thënë Gjici dje dhe i bashkohem apelit të Gjicit për këtë. Jam gati që nesër që të bojkotohet kampionati”, thotë Takaj.

Cili është shqetësimi i kreut të kampionëve?

“Unë e di sa i kanë kapacitetet të gjitha klubet shqiptare për ta përballuar me steëard. U bëj thirrje këtyre që rrijnë edhe presin të bëhet ça të bëhet. Por të çohen sa nuk është vonë. Ka një kosto shumë të madhe dhe në fund asnjë nga këto kompanitë me steëard nuk mund ta përballojnë dhe të marrin përsipër edhe riskun. Policia e Shtetit është në zbatim të ligjit dhe në qoftë se kthehet ligji dhe të funksionojë siç ka qenë më parë atëherë do kalojë në rrjedhën normale sepse nuk është momenti në Shqipëri për hequr policinë nga stadiumi”, sipas Takajt.

Një ditë përpara tij, Gjici ishte shprehur kështu.

“Jam shumë dakord që të gjithë presidentët e klubeve të Superligës, por edhe ata që janë në Kategorinë e Parë duhet të bllokojnë kampionatin nëse policia nuk kthehet tek siguria e stadiumeve”, tha Gjici.

Duket se ka një bashkëpunim mes klubeve të Superligës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, që Policia e Shtetit të vihet nën presion, dhe po ashtu parlamenti përsa i përket Ligjit të Sportit.

Disa ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i Federatës, Shulku, i dërgoi një letër Policisë së Shtetit, ku i kërkoi kthimin në stadium./abcnews.al

skenderbeu.jpg
G. P.20:33 | 05/07/2018

Ish-portieri Orges Shehi u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i Skënderbeut. Ka qenë vetë presidenti i ekipit Ardian Takaj, i cili ka prezantuar Shehin në rolin e trajnerit.

Ardian Takaj: “Unë jam këtu për të prezantuar trajnerin e ri të Skënderbeut, Orges Shehin. Është një nga kontribuesit më të mëdhenj i gjithë kësaj historie të këtyre 8 viteve. Jemi përballë një beteje shumë të madhe me UEFA-n, por nuk është se kjo betejë ka filluar sot. U bënë dy vjet që ne merremi dhe e kemi luftën në dy drejtime. Kemi qenë shumë të suksesshëm në fushën e futbollit dhe i kemi arritur të gjitha objektivat që kemi pasur në fillim. Tashi jemi përballë gjyqit me UEFA-n. Shpresojmë atje dhe jemi të bindur pëqr të fituar. Ajo do të jetë fitorja më e madhe e Skëndërbeut dhe për të ardhmen e ekipi”.

Orges Shehi: “Sigurisht që është një pozicion ndryshe për vetë faktin që nga fusha kalon në pankinë. Duke e menduar më erdhi pak shpejt, por është një vlerësim dhe do të mundohem të jap maksimumin tim për të shpërblyer besimin e klubit”./abcnews.al

kukesii.jpg
G. P.13:05 | 15/05/2018

Kukësi është vendosur paraprakisht nga UEFA si skuadër pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, duhet pritur vendimi i KAS-it për dënimin e Skënderbeut.

Mund të jetë aty për të dytin vit radhazi.

Kukësi në Champions nuk është një ëndërr aq e largët, me UEFA-n që e ka vendosur në listën e ekipeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi siguroi vendin e dytë në Superligë.

Ëndrra do të bëhet realitet, sidoqoftë, vetëm pasi Gjyqi i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendosë për dënimin e dhënë nga UEFA ndaj Skënderbeut.

Skuadra kuksiane, nëse gjithçka do të ecë mirë për të, do të jetë në vazon e parë në turin e parë eleminator, pra mes ekipeve më të fortë, ndryshe nga sezoni i kaluar, kur u ndesh me Sherifin e Tiraspolit.

Shorti hidhet në 19 Qershor, ndërsa ndeshja e parë është në program për t’u luajtur në 10 ose 11 Korrik.

Vjet, Kukësi mori pjesë në Champions si kampion i Shqipërisë, ndërsa nuk pati fat ndaj Sherifit të Moldavisë, duke u eleminua me gol në fushë kundërshtare.

Skënderbeu, ndërkaq, është i bindur se gjithçka do të jetë ndryshe, dhe se do të fitojë pafajësinë në KAS.

Presidenti Ardian Takaj, sqaroi kështu strategjinë e klubit, në një intervistë të posaçme për abc neës-in.

Ardian Takaj: “Do kërkojmë pezullimin e vendimit për marrjen pjesë në Champions League. Nuk është se gjykohemi për një çështje të re, është një çështje e vjetër. Ne kemi marrë pjesë një vit më parë në grupet e Europa League, prandaj nuk është se cënojmë garën në këtë aspekt”.

Gjykata Sportive në Lozanë pritet të japë vendimin për heqjen ose jo të dënimit të kampionëve të Shqipërisë përpara hedhjes së shortit në 19 Qershor.

Korçarët janë dënuar me 10 vjet përjashtim dhe 1 milionë euro gjobë nga Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në UEFA, ndërsa ky ndëshkim mbeti në fuqi edhe në Apel./abcnews.al

korca-1280x853.jpg
G. P.16:32 | 21/02/2018

Mijëra qytetarë protestuan në Korçë kundër përjashtimit të mundshëm të Skënderbeut nga kupat e Europës. Ata mbështetën ekipin e zemrës dhe i dërguan një peticion UEFA-s.

Partitë politike me siguri do të kenë ndjerë zili.

Një miting i një lloji tjetër u zhvillua në Korçë, ai i paralajmëruari në mbështetje të Skënderbeut.

Shprehimisht, i gjithë qyteti iu përgjigj thirrjes së bërë nga disa emr atë njohur dhe padyshim edhe nga klubi, për të protestuar haptazi ndaj UEFA-s dhe planeve të saj për të ndëshuar skuadrën.
Ishin me qindra e me mijëra qytetarët që dolën në sheshin qendror përpara Katedrales Ortodokse.

Parullat ishin të shumta, në shqip e në anglisht, në mbështetje të Skënderbeut, krenarisë së qytetit, dhe duke iu hakërryer UEFA-s.

Njerëzit dolën në tubim për shkak të ndëshkimit të mundshëm dhe të rëndë që mund t’i bëhet ekipit të presidentit Takaj dhe trajnerit Daja.
Nismëtarë të protestës ishin figura të njohura të sportit, të artit dhe të arsimit të qytetit, disa nga të cilët edhe mbajtën fjalime.

Vërshëllima të shumta kur Vaso përmendi Partizanin, menduar si klani anti-Skënderbe i përmendur nga Takaj.

Të gjithë i kanë dëgjuar lajmet për propozimin e bëra nga inspektorët e etikës për Komisionin e Disiplinës, që ta përjashtojë 10 vjet Skënderbeun nga kupat e Europës dhe ta gjobisë me 1 milionë euro.

Vendim ende nuk ka, dhe pikërisht korçarët duan që kjo protestë e tyre të jenë një plus për kryesuesit e Superligës në gjyqin sportiv që pritet këto javë.

Edhe pse askush nuk është i sigurt nëse Skënderbeu është apo jo i përfshirë në trukim ndeshjesh, askush nuk dëshiron ta besojë këtë gjë, dhe aq më pak ta lenë vetëm ekipin në momentin më të vështirë.
Ishin me mijëra qytetarët që e firmosën peticionin drejtuar UEFA-s, ku i bëhet thirrje të mos e dënojë Skënderbeun./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono