Ardian Mema

Mema-1.png
Vladimir Prenga17:04 | 24/10/2019

Humbja në Ballsh mund të lërë pa trajner Tiranën. Ardian Mema, tekniku i bardhebluve që prej tetorit të vitit të shkuar, nuk ka dalë në stërvitje. Sot bardheblutë po punojnë nën urdhrat e Erion Xhafajt, ndërkohë që mbetet të mësohet se çfarë do të ndodhë me Memën.

Trajneri është nën kontratë dhe i duhet të bisedojë me presidentin Refik Halili. Nga ajo çka Mema tha një ditë më parë, vështirë se palët mund të vijojnë bashkëpunimin. “Të pësosh gol në goditje standarde pa lëvizur njeri, s’ka lidhje me trajnerin. Kushdo të jetë, këtyre golave nuk ka çfarë u bën. Të pësosh gola për mungesë përqendrimi nuk di ç’të them”, u shpreh Mema pas ndeshjes në Supersport.

Gjithsesi ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe në orët në vazhdim priten të reja. Tirana renditet në vendin e gjashtë në klasifikim, me 14 pikë të grumbulluara në fazën e parë. Shqetësimi nuk është diferenca me kreun, pasi Partizani ka vetëm tre pikë më shumë. /abcnews.al

ardian-mema-refik-halili1.jpg
Vladimir Prenga12:46 | 24/10/2019

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ndodhet në pozita të vështira pas humbjes në Superiore me Bylisin. Klubi kryeqytetas është i pakënaqur nga rezultatet, por shkarkimi pengohet nga aspekti financiar.

Në diskutim ka qenë të paktën që prej javës së dytë. Ardian Mema dhe presioni për t’u shkarkuar mbetet një binom i pandarë, gjendje që duket se do të marrë fund me vendimin që pritet nga presidenti Refik Halili.

Humbja në fushën e Bylisit e rëndoi edhe më shumë situatën dhe burime në klubin bardheblu bëjnë me dijë për Abc News se po mendohet që trajneri të zëvendësohet nga Bledar Devolli, drejtuesi i Tiranës U19, dhe ish-trajner i Kastriotit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.

Përpara emrit të Devollit, te kryeqytetasit u diskutua kandidatura e Julian Ahmatajt, ish-trajner i Luftëtarit vjet dhe po ashtu ish-teknik i Kamzës dy edicione më parë. Sipas burimeve në klub, Mema nuk është shkarkuar së pari për shkaqe financiare, pasi presidenti do të ishte i detyruar ta paguante sipas kontratës, diçka jo e lehtë për vetë situatën e borxheve që ka Tirana.

Pozitat e trajnerit u forcuan në javët e para të Superiores, kur u arritën tri fitore në 4 ndeshje. Gjithçka nisi të përkeqësohej me humbjet ndaj Kukësit e Partizanit, po ashtu edhe nga barazimi në Vlorë me Flamurtarin.

Madje, burimet në klub shprehen se Mema u largua pas disfatës në derbi dhe ishte vetë presidenti Halili që i shkoi në shtëpi duke e ftuar që të kthehej. Tirana vazhdimisht ka pasur paqëndrueshmëri me stolin dhe që nga viti 2015-të në detyrë kanë qenë 4 trajnerë.

Ilir Daja u shkarkua në nëntor 2016, pas një viti në detyrë. Pasardhësi i tij, Mirel Josa, u largua në fund të sezonit, kur ekipi ra nga Superiorja. Në vend të tij erdhi në qershor 2016 braziliani Ze Maria, që drejtoi bardheblutë në Kategorinë e Parë, por u largua në tetorin e vitit të kaluar, i zëvendësuar pikërisht nga Mema. /ABC NEWS 24/7

Mema.png
Vladimir Prenga15:18 | 23/10/2019

Tirana dështoi në Laç. Bardheblutë u mundën 3-1 nga Bylisi kryesues dhe zhvilluan një ndeshje jo të mirë. Ardian Mema analizon humbjen në transfertë dhe tregon se çfarë nuk shkoi në ekipin e tij në prononcimin e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

DISFATA – “Nuk do thosha se ishte humbje e merituar. Problemet i patëm të mbrojtësit. Përgatitesh dhe e pëson për një mungesë qëndrimi. Ia dhuruam ne, nuk është se po na sulmonin me forca të shumta. Ata luanin fort për topin e parë dhe të dytë. Më vjen keq, të tre golat i kemi dhuruar. Ato momente duhet përqendrim, është turp t’i pësosh. Nuk di si t’ia vë emrin”.

“Zgjedhjet e bëra? Nuk është ai problemi. Të pësosh gol në goditje standarde pa lëvizur njeri, s’ka lidhje me trajnerin. Kushdo të jetë, këtyre golave nuk ka çfarë u bën. Të pësosh gola për mungesë përqendrimi nuk di ç’të them”.

SITUATA – “Sikur të merrja edhe lojtarë akoma më të mirë, nëse veprohet si sot, apo si më parë, do mundesh. Nuk është çështje menaxhimi të keq. Them se e kemi bërë mirë. Nuk jemi shkëputur nga kreu, kampionati është i gjatë. Tirana ka sulm të mirë, nuk do vuajë. Problemi është mungesa e përqendrimit”.

PROBLEMI – “Tirana nuk ka pasur shpirtin e vet të garës. Këtu bie dakord me ju. Nuk kam më asgjë tjetër për të thenë”, u shpreh Mema. /abcnews.al

mema-1280x853.jpg
Vladimir Prenga16:16 | 22/10/2019

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, para ndeshjes me Bylisin ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë çështje. Edhe pse luhet jashtë, kreu i pankinës bardheblu nuk druhet: “Të gjitha ndeshjet janë njëlloj, brenda e jashtë. Tani ka kushte të mira, mund të luash sepse janë fushë të mira. Pra dalin në pah cilësitë. Në Ballsh kanë fushë të mirë dhe në lë të luajmë dhe të tregojmë vlerat tona. Nuk ka të bëjë fjala transfertë. Me rëndësi është që të bëjmë punën si duhet”.

BARAZIMI NË VLORË – “E kam sqaruar edhe më përpara. Ishte fat i keq në Vlorë, nuk e justifikoj as veten dhe as lojtarët. Fati është pjesë e lojës. Ekipi ka vlera, mban topin, krijon raste. Kemi pësuar disa gola, që nuk duhej. Me Kukësin kemi pësuar gola të merituar nga kundërshtari. Ka keqardhje për pikët e lëna në Vlorë. Kampionati është i tillë. Ne kemi luajtur mirë me pjesën më të madhe të skuadrave. Futbolli nuk të fal po humbe përqendrimin”.

ZËRAT PËR LARGIM – “Ndoshta pritshmëritë janë të mëdha, prite që të fitohet pafundësisht. Mund të kesh moment delikat në kampionat. Ndodh edhe kjo. Gjëra të rëndomta që ndodhin në Shqipëri janë edhe këta. Nuk jam i pari që bie pre e fjalëve, e kanë provuar kudo në gjithë futbollin tonë. Vjet ishte prova ime. Loja është fytyra e një trajneri. Ndaj edhe rinovuam kontratën. Pres të jemi në tre ekipet e para. Duhet t’i shohim dhe t’i themi gjërat tamam, siç janë. Ajo periudhë iku, por mund të rikthehet. Jemi vend i vogël dhe një fjalë e një njeriu me peshë mjafton që të nisin parashikimet. Në punë më mbajnë rezultatet, asgjë tjetër”.

RIVALËT  – “Pesë ekipe janë shumë të forta. Ne, Teuta, Kukësi, Partizani dhe Partizani. Edhe Laçi është ekip shumë i fortë, edhe pse fituam. Kanë lojtarë të mirë. Këto do jenë ekipet më të cilat do rivalizojmë. Do jemi në garë deri në fund me këto ekip. Harrova edhe Bylisin, që është një ekip me përbërje shumë të mirë. Janë lojtarë që kanë shumë dëshirë dhe mendoj se në çdo ekip që do të luajë atje do të ketë probleme. Ata të nxjerrin probleme dhe t’i fitojnë ndeshjet. Kanë shumë dëshirë dhe personalitet. Japin gjithçka për të fituar. Shkojmë atje për të marrë rezultat pozitiv, pro duhet shumë djersë. Duhet të japim çdo gjë në fushë”.

TRE TRANSFERTAT – “Të tria ndeshjet janë shumë të rëndësishme. Nëse i kalojmë këto, do dalin tre të tjera. Duhet të shohim ndeshjen e radhës dhe ta menaxhojmë si duhet, për të kapur rezultate pozitive. Kjo të sjell mundësi të ngjitet ekipi”.

GABIMET NË MBROJTJE – “Nuk është njëlloj si vjet. Kundërshtarët na sulmojnë dhe me cilësitë e tyre mundet të na shënojnë. Vjet kemi falur vetë, s’kishte nevojë të na sulmonte kundërshtari”.

RECETA E TITULLIT – “Nuk na mungojnë cilësitë për të dalur kampionë. Duhet menaxhim dhe të jemi të thjeshtë. Nuk dilet kampion po të bësh vetëm dy orë stërvitje. Thjeshtësia do na bëjë të qëndrojmë lart dhe të dalim kampion”. /abcnews.al

mema-1280x853.jpg
Vladimir Prenga20:42 | 18/10/2019

Tirana është gati për ndeshjen me Laçin dhe sot para mediave ka dalë trajneri Ardian Mema, i cili ka folur për situatën në skuadrën e tij dhe kundërshtarin e radhës. Ai e pranon se ka njëfarë presioni, sikurse nga ana tjetër u bën thirrje drejtuesve që të transmetojnë qetësi.

PRESIONI – “Si fillim po flas për veten, jo se nuk më intereson kundërshtari. Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër, aq më tepër te unë. Nuk flas në emër të skuadrës por në emrin tim. Kjo më vë mua disi në presion, sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko-fizike dhe tekniko-taktike. Thjesht nuk na ka ndihmuar edhe fati, po t’i shikosh të tria ndeshjet që kemi lënë pikë. Kjo mendoj se ka ardhur nga kërkesa që ka një klub si Tirana për të mos lënë pikë në asnjë ndeshje. Megjithatë unë fajësoj fatin, pasi ekipi realisht ka luajtur mirë.  Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të përqendruar, të gjithë bashkë, që të mos pësojmë ato gola që ekipi ka pësuar në këto ndeshje”.

BARAZIMI ME FLAMURTARIN – “Ndonjëherë çdo njeri mendon edhe të mirën, edhe të keqen. Po flas si teknik dhe ekipi është shprehur goxha mirë në fushë. Me një anë të keqe mendore dhe kur ke presion, nuk ndodh që të administrosh topin, të krijosh raste. Ndoshta edhe humbja e rasteve, apo kërkimi me çdo lloj forme, duke sakrifikuar gjithmonë, ka bërë që lojtarët të mos jenë fokusuar para porte. Kjo mund ta ketë futur ekipin në presion, duke qenë gjithmonë primar rezultati. Në fund për këtë paguhemi”.

Flamurtari-Tirana, foto nga ndeshja | Foto: Kftirana.al

HUMBJA BARAZ ME LARGIM – “Kjo pyetje më është bërë që pas ndeshjes me Kukësin, kur ekipi pësoi humbjen e parë. Ndoshta te ky klub, gjërat bëhen pak tragjike. Ka edhe një të drejtë. Edhe unë do kërkoja me insistim që Tirana të fitonte ndeshjet e të shpallej kampion. Kjo është pjesa që në klub janë nervozë, si edhe tifozët. Pritshmëritë janë të larta. Ndodh që një klub ka një projekt dhe unë e mendoj se projekti duhet çuar deri në fund. Pjesa tjetër, ku që ndeshjen e parë apo të dytë, ku diskutohet direkt kjo pyetje, do i bëjë dëm të gjithëve, edhe futbollistëve. Ndonjëherë jemi mundur edhe për gabime foshnjarake.

Unë e shoh lojën si teknik dhe më intereson si luan ekipi. Edhe po të luante keq dhe të fitonim në fund do më interesonte. Një ekip, nëse luan mirë, do i rikthehet fitoreve. Nëse nuk mbajmë topin dhe nuk luajmë mirë, kjo nuk të jep garanci për të ardhmen. Fakti që është edhe 100-vjetori i klubit, na vë pak në presion. Unë nuk jam magjistari apo profeti i futbollit, që të them se nesër do fitojmë dhe do largohem kur të dua unë. Drejtuesit duhet ta kuptojnë se klubit i duhet qetësia. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nëse gjërat na dalin nga kontrolli, do kemi edhe probleme. Kemi qenë pushim këto kohë, tani do e shohim nesër në fushë”.

Sulejman Starova

NDËRRIMI I TRAJNERIT – “Nuk do thosha nëse e dua Laçin me Starovën apo dikë tjetër. Laçi kishte një lloj fizionomie te loja e vet dhe pak a shumë e dinim mirë. Sula e ka drejtuar Laçin që vjet dhe e dimë si luajnë. Gjithesesi dimë edhe si luan Cungu. Do e kishim më të thjeshtë për ta përgatitur ndeshjen me Sulën. Çdo trajner i ri ka edhe kërkesat e veta të reja. Do e kemi më të vështirë me Cungun nesër. Jo se ndryshon ana profesionale e tyre, por se dinim stilin e lojës”.

REZULTATI PA LOJË – “Unë do bëj punën time, që ekipi të shprehet mirë në fushë dhe të jetë dominues ndaj kundërshtarit. Ky është futbolli, ndoshta të gjëmon edhe disfata. Kur lë pikët, të vjen keq. Po të shohim 26 minuta me Partizanin, askush nuk mendonte se Tirana do pësonte dy gola për 5 minuta. Çdo gjë po fliste për ne. Pas ndeshjes i thashë lojtarëve se nëse luani kështu, jeni mirë.

Duke qenë se kemi pasur fatin e keq, duhet të kemi akoma më shumë përqendrim. Nuk kemi një kundërshtar që na ka mbajtur në fushën tonë. Fati është pjesë e lojës. Nuk duhet t’ia lëmë gjërat në dorë të fatit. Ca punë duhet t’i bëjmë akoma më mirë. Kjo nuk është për të justifikuar lojtarët, por për t’i vënë me këmbë në tokë që të jemi më të përqendruar. Jo me një rast sporadik të na mundë çdo ekip”.

MUÇI – “Jam munduar t’i jap minuta Nestit. Ndeshjen e fundit me Flamurtarit nuk i dhashë minuta, por pjesën dërrmuese të ndeshjeve e kam futur nga stoli. A duhet klubi apo unë t’i japim më shumë minuta? Kjo është e drejtë. Edhe vjet jam munduar që ta fus. Kemi qenë edhe në situata të vështira për rënien nga kategoria. Mund ta fillojë edhe nga formacioni.

Muçi, gjatë një ndeshjeje me Tiranën

Mendoj se gradualisht, duke marrë nga pak minuta, do bëhet lojtar formacioni dhe të mos dalë më. Duke qenë se pikët janë me rëndësi, shpeshherë nisemi edhe me emocionet e pikëve. Muçi nuk ka nevojë për përkrahjen time, sepse shumë shpejt do jetë pjesë e lojës. Ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, që të na e mbushë mendjen që të jetë pjesë e formacionit.

RIVALITETI ME LAÇIN – “Një vit kam këtu. Mendoj se ndeshjet me Laçin kanë qenë të forta. Është ekip me ekuilibër. Të godet në momente të caktuara, me lojtarë të mirë. Këtë ekip vjet e kemi pasur problem. Nuk është se na pritën miqësisht. U treguan të egër me ne. Ne nuk kemi armiq, por kemi kundërshtar. Çdo ndeshje e konsiderojmë kundërshtarin sipas radhës, por nuk i ndajmë, i mirë apo i fortë, në kuptimin e egërsisë. Laçi ka ekip të mirë dhe nuk duhet të kishte aq pikë sa ka. Nesër në ndeshje do jetë e luajtur fort. Shpresoj të kemi fat e të mos pësojmë gola që nuk duhej t’i pësonim.

ORARI I NDESHJES – Normalisht, në orën 17:00 është edhe më freskët, ka më tepër oksigjen. Luhet më shpejt. Dreka është disi problematike. Ndeshjet e ardhshme do i kemi në orën 13:00. Nuk është një orë që ka ritëm loja. Bie ritmi nga dielli, nga koha. Me lojtarët themi që koha apo dielli, është njësoj për të dyja, edhe fusha”. /abcnews.al

mema-1280x720.png
Vladimir Prenga08:49 | 13/10/2019

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, është ndalur të flasë për ekipin e tij pas miqësores së djeshme kundër Turbinës. Bardheblutë triumfuan 3-1 dhe stafit teknik të kryeqytetasve u ka shërbyer kjo ndeshje.  Këtë e pranoi edhe Mema në deklaratën e dhënë për ABC News.

“Kjo miqësore shërbeu edhe për të parë lëvizjet në pozicione, si dhe gjendjen e lojtarëve që kemi pasur me dëmtime. Një rast është ai i Karabecit, i cili nuk ka luajtur. Gradualisht  po e merr veten. Më pëlqeu ndaj Turbinës, më kujton vitin e kaluar kur ishte pjesë e rëndësishme e ekipit. Do e shohim në vazhdimësi. Na duhet t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion për gjithë kampionatin”, tha Mema.

SULMI DUNGA-NGOO – Trajneri i Tiranës mund t’i gëzohet faktit që shënuan dy sulmuesi, Ngoo dhe Dunga. Ata ishin titullarë dhe Mema e komenton kështu aktivizimin e të dyve nga fillimi: “Nuk ishte një eksperiment. Ishte një vendosje 4-2-4, që në dinamikë kthehet në 4-2-3-1. Më duhet, pasi mund të ketë ndeshje që mund t’i zgjidhësh me topa të gjatë. Janë dy lojtarë shtatlartë. Pashë mënyrën se si veprojnë të dy. Në një të ardhme mund ta vendos ekipin në këtë formë, në varësi të situatave të lojës”.

Michael Ngoo, gjatë një seance stërvitore me Tiranën

LAÇI – Ndeshja e radhës për Tiranës është ajo kundër Laçit. “Nga momenti që kam ardhur te Tirana kemi fituar pjesën dërmuese të ndeshjeve kundër Laçit. Është një ekip shumë i fortë, që ka shumë ekuilibër. Duhet ta përgatisim ndeshjen mirë, që të fitojmë dhe të kthejmë entuziazmin në ekip. Çdo ndeshje të çon në vend të parë, duke qenë se të gjithë ekipet janë pranë. Deri në minutën e 92-të në Vlorë ne ishim në vend te parë”, shtoi Mema.

TIFOZËT – Tekniku i bardhebluve foli edhe për tifozët: “Shpresoj që ligji i hyrë në fuqi të jetë rregullator. Besoj se në të ardhmen nuk do të kemi probleme të tilla. Ndoshta mund të jetë ndeshja e fundit pa tifozë dhe të gjithë të ndërgjegjësohen që nuk duhet të hyjnë në fushë. Tifozët e Tiranës janë pjesa më e rëndësishme e klubit, janë aset. Duhet të kemi kujdes, pasi ne edhe dëmtohemi nga veprime të tilla. Me Laçin me tifozë? Nuk jam interesuar shumë për këtë pjesë. Kemi qenë pushim, plus kam pasur edhe problemet e mia”.

KËRKESA PËR 3 PIKËT – Tirana kërkoi tre pikët në tavolinë ndaj Flamurtarit, por Komisioni i Disiplinës e hodhi poshtë kërkesën e klubit bardheblu. Në lidhje me atë që ndodhi në Vlorë ka folur edhe Mema: “Asnjëherë nuk e kam gjykuar që një ekip mund t’i marrë pikët në tavolinë. Nuk më pëlqen fare kjo pjesë. Pavarësisht se nuk mund të jetë shënuar në protokoll, nuk mund ta fitojë ndeshjen në tavolinë dhe në letra. Ndeshjet fitohen në fushë, jo në letra”. /abcnews.al

Mema.png
Vladimir Prenga22:18 | 08/10/2019

Ardian Mema do të vazhdojë të drejtojë Tiranën. Trajneri drejtoi bardheblutë në seancën e sotme stërvitore dhe më pas u ndal të fliste për mediat. Ai theksoi mes të tjerash se nuk është koha të largohet dhe se askush nuk i ka kërkuar të dorëhiqet.

“Vazhdoj të jem te Tirana, pavarësisht lajmit të disa portaleve për klikime. Ecuria e skuadrës nuk është më e mira dhe kjo ka nxitur shumë zëra. Prandaj edhe presidenti erdhi sot pranë skuadrës për të konfirmuar ata që thashë”, tha Mema.

“Askush nuk më ka kërkuar të largohem dhe vazhdoj punën, pasi jemi ende brenda objektivave. Natyrisht që jam disi i zhgënjyer, sepse tani duhej të kishim 15 apo 16 pikë dhe të renditeshim të parët”, shtoi trajneri i Tiranës.

“E kam menduar doreheqjen? Natyrisht që çdo trajner në kokën e tij i mendon ndonjëherë këto gjëra, e mendon nëse janë kushtet për të vazhduar punën e tij. Është shumë herët për të folur për dorëheqje. Nuk është se ma ka kërkuar kush. Megjithatë unë e ndjej që ekipin e kam në krah dhe mund të vazhdojme drejt objektivave. Është e qartë se puna e çdo trajneri matet me rezultatet dhe ato i  largojnë”, deklaroi Mema. /abcnews.al

REfik-Halili.jpg
Vladimir Prenga21:45 | 08/10/2019

Zhurmë e madhe rreth Tiranës këto ditë dhe gjithçka lidhej me pozicionin e trajnerit Ardian Mema. Sot pranë ekipit ishte edhe presidenti Refik Halili, i cili ka zhvilluar një analizë me futbollistët dhe stafin teknik. Më pas ka folur edhe për mediat.

“Trajneri ka besimin tonë për të vazhduar punën. Preferoj të jem pranë skuadrës kur kalon momente të mira, por edhe jo të mira si tani. Bisedova me lojtarët dhe trajnerin, që të  jenë të motiviar. Trajneri ka besim dhe shpresojmë se ecuria do të ndryshoje”, tha Halili fillimisht.

Më pas shtoi: “Kemi pësuar tre humbje me radhë, sepse edhe barazimin në Vlorë e quajmë humbje. Tirana është një klub ku presioni për rezultate është gjithmonë i pranishëm, por trajneri nuk ka asnjë lloj presioni nga ana jonë si drejtues”.

“A ia kemi kërkuar dorëheqjen? Jo nuk e kemi bërë dicka të tillë. Nuk është folur për dorëheqje. Gjithkush që mendon se nuk është në gjendje për punën që ka marrë përsipër dhe mendon të dorëhiqet, është i lirë të vije ta diskutoje me ne. Kushdo qoftë ai”, tha Halili mes të tjerash. /abcnews.al

Halili-Mema.jpg
Vladimir Prenga09:42 | 08/10/2019

Refik Halili, presidenti i Tiranës, duhet të ndajë mendjen në lidhje me trajnerin Ardian Mema. Bardheblutë në tre ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm një pikë dhe kjo ka bërë që te 24 herë kampionët e vendit të mendojnë ndryshimin e trajnerit.

Zërat pranë klubit bardheblu e konsiderojnë të mbyllur gjithçka, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Sot, Halili dhe Mema do të ulen dhe të diskutojnë mes tyre. Mema-Tirana nuk është thjesht një kontratë. Ndarja duhet të jetë e duhura dhe sot do të merret vesh e ardhmja e trajnerit të bardhebluve.

Sa i takon pasardhësit të Memës, zërat vijojnë të jenë të njëjtë që prej verës. Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli lakohen si dy nga kandidaturat, ndërkohë që përflitet si opsion edhe dëshira e hershme e Tiranës për të rikthyer Ilir Dajën.

ÇFARË THA HALILI PAS DERBIT – “A rrezikon trajneri? Gjithçka mund të ndodhë. Ne nuk kemi pse të bëjmë zhurmë, të nxitohemi. Kemi shumë ndeshje për të bërë, jemi të gjithë aty-aty në numër pikësh. Më vjen keq për tifozët, për njerëzit që punojnë. Ka dhe nga ata njerëz që punojnë, por nuk punojnë mirë.

Nuk më tremb fare situata aktuale, skuadra ime ka brumë dhe do të bëjnë mirë në të ardhmen. Problemi qëndron te drejtuesit. Aty e kemi problemin, do të marrim disa vendime. Ka edhe disa lojtarë që do të luajnë tek ekipi B dhe kurrë më me Tiranën”, tha presidenti Halili pas humbjes së derti me Partizanin, ndërkohë që u la jashtë skuadre vetëm Erjon Hoxhallari në sfidën me Flamurtarin. /abcnews.al

received_451805685693796-1280x720.png
Vladimir Prenga20:31 | 02/10/2019

Ardian Mema është rikthyer të flasë sërish pas derbit. Pas ndeshjes me Shënkollin në Kupë, të fituar me rezultatin 4-0, trajneri i bardhebluve preku disa tema të rëndësishme në deklaratën e lëshuar për mediat. Dënimi nga Disiplina, presioni, problemet në mbrojtje dhe sfida me Flamurtarin u komentuan nga tekniku i bardheblu.

DËNIMI NGA DISIPLINA – “Kjo është për t’u parë në momentin që do të dalë ligji. Me të do të rregullohen gjërat, ndoshta edhe këto hekurat do t’i largojë. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos futen në fushë apo të bëjnë gjëra të tilla. Megjithatë derbi ka bukuri edhe prej këtyre gjërave që ndodhin (qesh). Duhet patur kujdes sa i përket hyrjes në fushë, pasi për tifozët janë pjesa më e rëndësishme. Kemi nevojë për ta dhe nuk mund të luajmë pa tifozët në fushën tonë”.

ULTIMATUMI – “Nuk e di ku i merrni vesh këto ultimatumet. Di që ky ekip është ndërtuar për të fituar dhe kjo është e rëndësishme. Pastaj për ultimatume unë nuk di gjë”.

PRESIONI – “Nuk punohet nën presion, pasi sërish do gabosh. Ekipi ka luajtur mirë dhe kjo më nxjerr jashtë presionit. Partizanit ia dhuruam ne fitoren përmes episodeve, jo se na mundën ata. Me ekipin kam folur. E mira dhe e keqja duhen thënë ashtu siç janë. Një gjë që u kam thënë lojtarëve është se po të luajmë sikur 26 minutat e para me Partizanin, nuk më tremb asnjë ekip. Ajo lloj loje të jep shumë shpresë, pavarësisht mënyrës se si i pësuam golat. Ashtu duhet të luajmë vazhdimisht”.

KUPA – “U mundova të shikoj disa pozicione, pasi do ketë momente që do kemi të pezulluar, apo të dëmtuar. Ose do ketë momente për të zëvendësuar ndonjë lojtar që nuk ka shkuar mirë. Kjo ishte ndeshje më dha mundësinë për të parë edhe lojtarë të tjerë. Ishte si pikënisje për kampionatin”.

FLAMURTARI – “Asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar. Një rezultat pozitiv na kthen anën e mirë psikologjike. Pastaj kemi edhe pushimin që bëjnë të ndryshojnë disi gjërat. Kemi pasur një lloj shoku pas humbjes me Partizanin. Fitorja dhe koha të japin disi qetësi”.

MBROJTJA – “Ka qenë një moment aksidenti përplasja e Kërçikut, apo ai pasi i gjatë që njëherë në 100 vjet mund të ndodhë. Sidomos ai goli i dytë. Mbrojtja dhe ekipi po luanin mirë në aspektin mbrojtës. Ndodh një diskutim që Tirana luan në sulm. I konsideroj të dyja fazat e loja. Realisht kemi theks sulmues dhe na kapin ndonjëherë pa ekuilibër. Nuk do të luaja kurrë mbrapa, do vazhdoj të luaj  në sulm sërish”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono