Arabia Saudite

vendim.jpg
ad min10:08 | 18/06/2019

Këtë javë, senati amerikan pritet të ndërmarrë një përpjekje për të bllokuar shitjen e armëve me vlerë 8 miliardë dollarë Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi shumë ligjvënës amerikanë vazhdojnë të jenë të shqetësuar për trajtimin e gjendjes së të drejtave të njeriut nga Rijadi, luftën në Jemen dhe vrasjen vitin e kaluar të gazetarit Jamal Khashoggi.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton se administrata e Presidentit Trump është pëpjekur të anashkalojë rishikimin nga kongresit të shitjes së armëve duke e lidhur atë me një deklaratë të emergjencës kombëtare për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Irani. Tensionet lidhur me Arabinë Saudite janë të larta në senatin amerikan.

“Marrëdhënia aktuale me Arabinë Saudite nuk po funksionon për Amerikën. Unë nuk do të tërhiqem derisa gjërat të ndryshojnë në Arabinë Saudite”, tha senatori republikan Lindsay Graham.

“Çfarë lloj aleati rrëmben një banor të vendit tuaj [Khashoggin], i cili kërkon mbrojtjen tonë, e sjell atë në një konsullatë, e copëton dhe e zhduk? Natyra e kësaj aleance [me Arabinë Saudite] shihet qartë”, tha senatori demokrat Chris Murphy.

Disa muaj pasi senati miratoi një rezolutë për t’i dhënë fund mbështetjes amerikane ndaj fushatës ajrore të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e përgjakshme civile të Jemenit, senati mund të votojë kundër shitjes së armëve amerikane dhe mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përpjekja e administratës së Presidentit Trump për të përshpejtuar miratimin e marrëveshjes për shitjen e armëve bazuar në një deklaratë të emergjencës ka acaruar ligjvënësit e të dyja partive.

“Jam i lumtur që nuk jam i vetmi në këtë organ që është i shqetësuar nga gatishmëria e Presidentit për të anashkaluar Kongresin dhe për t’i shitur këto armë pa marrë parasysh ngjarjet e fundit që kanë tensionuar marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite”, tha senatori demokrat Robert Mennedez.

Ndërsa besohet se mund të ekzistojnë votat për miratimin me shumicë të thjeshtë të një rezolute kundër shitjes së armëve, ka dyshime për arritjen e dy të tretave të nevojshme për t’iu kundërvënë vetos së Presidentit.

Javën e kaluar, Senati nuk pranoi të merrte në shqyrtim një përpjekje për të bllokuar shitjet e armëve për Bahreinin dhe Katarin. Debati në senattregoi se shitjet e armëve në Lindjen e Mesme mbeten të popullarizuara në mesin e një numri të konsiderueshëm të republikanëve, sidomos duke pasur parasysh një varg incidentesh shqetësuese në rajonin e Gjirit Persik.

“Ndërsa ekonomia e Iranit po vuan pasojat e sanksioneve të reja amerikane, ajatollahët po shprehin zemërimin dhe tërbimin e tyre kundër botës. Është thelbësore që ne të mbështesim partnerët tanë të Gjirit Persik gjatë kësaj periudhe të rrezikshme në mënyrë që ata të mund të mbrojnë veten nga agresioni iranian”, u shpreh senatori republikan Tom Cotton.

Republikanët e tjerë theksuan se ndalimi i shitjeve të armëve do t’i detyronte aleatët të blenin armë nga armiqtë e Amerikës./VOA

TRUMP-GJYKATA-ABC-M-4-T-2-HD.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela12:10 | 23/11/2018

Presidenti amerikan vijon të mbrojë princin trashëgimtar të kurorës saudite, Mohamed bin Salman, sa i përket vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Trump thotë se CIA nuk e fajësoi atë në mënyrë të prerë, por thjeshtë ka dyshime.

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se CIA nuk doli në përfundimin që Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. “Ata kanë dyshime. Unë e kam raportin, ata nuk e fajësuan. Nuk e di nëse ndokush do të jetë në gjendje të fajësojë princin e kurorës”, nënvizoi ai. Khashoggi u vra me 2 tetor në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Zyrtarët thanë për mediat amerikane se një operacion I tillë kërkonte dhe aprovimin e princit. Por Arabia Saudite i qëndron versionit se “ky ishte një operacion shumë i vështirë”. “Ata nuk dolën në një përfundim”, tha Trump ndërsa u pyet lidhur me raportimet e CIA-s.

Komentet e Shtëpisë së Bardhë vijnë pasi princi i kurorës nisi një tur rajonal në Lindjen e Mesme, duke nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe – udhëtimi i tij i parë zyrtar jashtë vendit që prej vrasjes së Khashoggi-t. Homologu i tij nga Abu Dabi thotë se “Emiratet e BAshkuara do të mbështesin gjithmonë vëllezërit nga Arabia Saudite”. Mohammed bin Salman pritet gjithashtu të marrë pjesë në samitin e G20 në Argjentinë në fund të muajit. Në këtë takim marrin pjesë liderë të ndryshëm të botës, përfshirë Trump dhe presidentin turk Erdogan.

Ndërkohë, Franca ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 18 shtetasve sauditë – numri i njëjtë i shënjestruar me sanksione nga SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania – të dyshuar për lidhje me vrasjen e Khashoggi-t. megjithatë kjo listë e tyrë  nuk përfshin princin e kurorës, thotë një zëdhënës i ministrisë së jashtëme franceze. /abcnews.al

TRUMP-KASHOGI-FOX-NEWS.mpg_snapshot_00.06.jpg
ent ela20:22 | 18/11/2018

Sipas presidentit amerikan Donald Tump, një audio e momenteve të vrasjes së gazetarit saudit Kashogi i është dhënë nga autoritetet turke, por ai nuk do ta dëgjojë atë pasi është makabre. Ndërkaq në Shtëpinë e Bardhë ka dhënë dorëheqjen një zyrtare e lartë, përgjegjëse për marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

Sipas presidentit amerikan Donald Tump, një audio e momenteve të vrasjes së gazetarit saudit Kashogi i është dhënë nga autoritetet turke, por ai nuk do ta dëgjojë atë pasi është makabre. Ndërkaq në Shtëpinë e Bardhë ka dhënë dorëheqjen një zyrtare e lartë, përgjegjëse për marrëdhëniet me Arabinë Saudite. Donald Trump disponon një regjistrim audio të vrasjes së gazetarit Xhamal Kashogi, por nuk deshiron ta dëgjojë pasi përmbajtja e tij është shumë e dhunshme. Presidenti amerikan e ka bërë të ditur këtë fakt gjatë një interviste për “Fox News Sandey” ku shpjegon: është një regjistrim i tmerrshëm, tregon një situatë dhune të tmerrshme dhe vuajtje pafund.

Presidenti amerikan thotë se është informuar në vazhdimësi për këtë ngjarje të rëndë në Turqi dhe tashmë e ka shumë të qartë se çfarë ka ndodhur konkretisht me gazetarin saudit Xhamal Kashogi. Ndërkaq hetimet nxjerrin në dritë fakte të reja për këtë çështje. Vrasësi mund ta ketë nxjerrë trupuin e copëtuar të Kashogit jashtë Turqisë, sipas asaj që ka referuar ministri turk i mbrojtjes. Sipas tij, kjo mund të ketë ndodhur pak orë pas krimit në konsullatë dhe vrasësit e gazetarit mund ta kenë transportuar jashtë vendit trupin e tij të copëtuar të futur në valixhe, pa pasur asnjë problem për shkak të imunitetit të tyre diplomatik.

Ndërkaq ka dhënë dorëheqjen një drejtuese e Shtëpisë së Bardhë, përgjëgjese për politikën amerikane drejt Arabisë Saudite, njëkohësisht, drejtore për rajonin e Gjirit Persik në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në SHBA. Rrethanat e dorëheqjes së saj mbeten ende të paqarta, ndërsa sipas NYT, qëndrimi i saj për një linjë më të ashpër të Uashingtonit ndaj Riadit mund të ketë shkaktuar përplasje në Shtëpinë e Bardhë./abcnews.al

gazetarii12.jpg
ad min09:10 | 18/11/2018

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka arritur ende në një përfundim në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Reagimi erdhi pas zërave se të dhënat e siguruara nga CIA tregonin se gazetari ishte vrarë me urdhër të princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman. “Lajmet se qeveria amerikane ka nxjerrë një përfundim lidhur me ngjarjen janë të pasakta. Mbi vrasjen e Kashogit ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje”, deklaroi zëdhënësja Hedhër Nojert.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump u informua mbi të dhënat e mbledhura nga CIA në një bisede telefonike të zhvilluar gjatë një udhëtimi për në Kalifoni. Trump u vu në dijeni të zhvillimeve nga shefja e agjencisë së inteligjencës, Xhina Hespëll dhe sekretari i Shtetit Majk Pompeo. Në një deklaratë të bërë më herët, Trump tha për mediat se në vendimet që do të marrë do t’i kushtojë rëndësi edhe marrëdhënieve që Shtetet e Bashkuara kanë me Arabinë Saudite. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, tha Trump./abcnews.al

CIA-KHASHOGGI-PRINCI.mpg_snapshot_00.34-1280x720.jpg
ad min20:30 | 17/11/2018

CIA ka fajësuar ka fajësuar princin saudit të kurorës për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka deklaruar se do të informojë presidentin Trump mbi konstatimet e saj, por kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se marrëdhëniet me Arabinë Saudite janë më të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në përfundimin se urdhëri për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi u dha nga princi saudit i kurorës. Burime nga CIA kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se hetuesit kanë mbikëqyrur një seri provash në lidhje me pistën në fjalë. Edhe pse nuk mund të bëjnë akuza direkte, zyrtarët amerikanë janë të bindur se një operacion i tillë nuk mund të bëhej pa aprovimin e princit Mohamed Bin Salman. Nga ana e saj, Arabia Saudite ka hedhur poshtë deklaratat dhe ka insistuar sërish se princi i kurorës nuk ishte në dijeni të planit për vrasjen e gazetarit, për të cilën fajëson agjentë rebelë të shërbimeve sekrete.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka deklaruar se duhet ende të informohet nga CIA mbi konstatimet e saj. Por sikurse më parë, Trump e ka vënë theksin tek rëndësia që aleanca me Arabinë Saudite ka për Shtetet e Bashkuara. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, ka thënë Trump. Ndërkohë, gazeta “Washington Post”, për të cilën Kashogi punonte, ka bërë me dije se versioni i CIA-s bazohet pjesërisht në një telefonatë të bërë nga vëllai i princit të kurorës, Khalid Bin Salman, që është dhe ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara. Khalid i telefonoi Kashogit dhe me udhëzim të të vëllait i dha atij garanci se brenda konsullatës do të ishte i sigurt, ka shkruar gazeta./abcnews.al

khashoggi-1.png
ad min23:56 | 15/11/2018

Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për lëvizjen e parë ndëshkuese të Uashingtonit zyrtar, që megjithatë nuk cënon marrëveshjet e armatimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të enjten sanksione ndaj 17 zyrtarëve saudite për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për përgjigjen e parë konkrete të administratës Trump në lidhje me vdekjen e reporterit, më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Mes zyrtarëve të sanksionuar është Saud al Katani, ish-këshilltari kryesor i princit të kurorës Mohamed bin Salman, konsulli i përgjithshëm saudit në Turqi Mohamed Alotaibi dhe skuadra e 15 agjentëve që realizuan vrasjen e Kashogit. Njoftimi përbën një risi për Uashingtonin, që rrallë herë vendos sanksione ndaj shtetasve sauditë.

Masat sidoqoftë nuk prekin qeverinë e Rijadit, një aleat i rëndësishëm ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, lëvizja i lejon administratës Trump të ndalojë çdo aksion që mund të prekë marrëveshjet fitimprurëse të armëve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite, të cilat presidenti është zotuar se do t’i mbrojë. Konkretisht, sanksionet kufizojnë aksesin e zyrtarëve sauditë në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë asetet individuale të tyre. “Këta individë që vunë në shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit./abcnews.al

ARABIA-KHASHOGGI-ABC-M1-T2.mpg_snapshot_00.25.jpg
ad min23:45 | 15/11/2018

Kryeprokurori i Arabisë Saudite ka njoftuar se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë fillimisht me mbidozë drogë e më pas është copëtuar. Al Moxheb tha se i ka dorëzuar autoriteteve të Ankarasë, idenditetin e një agjenti turk që është marrë me zhdukjen e trupit.

Jamal Khashoggi është helmuar me një dozë vdekjeprurëse droge dhe trupi i tij është copëtuar duke e nxjerrë jashtë konsullatës saudite në Stamboll të Turqisë. Kjo është konfirmuar nga kryeprokurori i Arabisë Saudite, Saud al Mojeb në një deklaratë për televizionin shtetëror. Trupi i gazetarit të vrarë, shkruan Al Arabiya, “I është dorëzuar një agjenti të sigurisë turke jashtë selisë konsullore”. Mësohet se Rijadi i ka dorëzuar Anklarasë “një skicë sinjalizuese të agjentit turk që ka marrë jashtë konsullatës kutinë me trupin e shpërfytyruar. Sipas asaj që ka deklaruar prokurori, ai që ka dhënë urdhërin për vrasjen e Khashoggi-t ishte shefi i ekipit të Rijadit të dërguar në Stamboll për ta riatdhesuar gazetarin në Arabinë Saudite.

Megjithatë ky version nuk është u besueshëm dhe i pranueshëm nga qeveria e Ankarasë. Turqia pretendon dhe është e bindur që urdhëri për vrasjen brutale është dhënë nga princi trashëgimtar i kurorës, Mohammed Bin Salman. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se për këto akuza bazohet në regjistrimet audio të kryera gjatë ekzekutimit. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar më herët se në audio-regjistrimin e dëgjuar nga drejtuesja e CIA-d, Gina Haspel, dëgjohet një nga vrasësit teksa kërkon që të njoftohet shefi se misioni u përmbush me sukses. Shefi në fjalë besohet të jetë Mohammed bin Salman./abcnews.al

gazetari.jpg
ent ela13:04 | 13/11/2018

Mediat amerikane raportojnë se një regjistrim audio i dëgjuar nga shefja e CIA-s konfirmon përfshirjen e drejtuesve të lartë sauditë në vrasjen e gazetarit Khashoggi. Sipas asaj që raportohet, një nga vrasësit është shprehur se operacioni është përmbushur me sukses dhe ka kërkuar që ky informacion t’i kalohet dhe një drejtuesi të lartë.

Disa moment pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, një anëtar i ekipit të ekzekutuesve ka telefonuar një superior duke i thënë: “Tregoja shefin tënd që operacioni u krye me sukses”. Pavarësisht se nuk është përmendur me emër, sipas raportimeve të Nju Jork Tajms, shefi në fjalë është princi trashëgimtar i kurorës Saudite, Mohammed bin Salman. Regjistrimi audio, i shpërndarë nga shërbimet turke të inteligjencës me drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, është prova thelbësore e përfshirjes direkte të tij në vrasjen e gazetarit. Ekspertët e inteligjencës e kanë cilësuar si “pistoletë tymuese”.

Ai që bëri telefonatën ishte Maher Abdulaziz Mutreb, një nga 15 sauditët e komandos të dërguar në konsullatën saudite në Stamboll me 2 tetor, funksionar i sigurisë i cili udhëtonte shpesh Princi Mohammed bin Salman, kanë bërë të ditur të paktën 3 persona për Nju Jork Tajms. Mutreb i ka thënë në mënyrë eksplicite se “operacioni ishte kryer me sukses”.

Arabia Saudite me anë të një komunikate ka mohuar që princi trashëgimtar i kurorës të jetë në dijeni të çfarëdo lloj informacioni sa i përket vrasjes së Khashoggi-t. Turqia, vijon shënimi, “I ka treguar regjistrimet audio shërbimit tonë të inteligjencës dhe për momentin nuk ka asnjë referim në frazat e përmendura”. Por Turqia posedon regjistrime të ndryshme. Telefonata është pjesë e një audioje të dëgjuar nga Haspel gjatë vizitës së saj në Ankara. Megjithatë nuk është lejuar që të marrë një kopje me vetë për në Shtetet e Bashkuara. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan njoftoi në fundjavë se ka ndarë regjistrimin audio me Arabinë Saudite, SHBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë. /abcnews.al

gazetarii12.jpg
ad min22:12 | 11/11/2018

Mediat turke kanë raportuar fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas asaj që raportohet, 59-vjeçari ka kërkuar që t’i hiqet një qese nga koka, e cila po e mbyste.

Një gazetar i kronikës së zezë në gazetën turke “Daily Sabah”, ka rrëfyer për televizionin “Al Jazeera” fjalët e fundit të Jamal Khashoggi-t, që u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

“Po mbytem…ma hiqni qesen nga koka, jam klaustrofobik“.

Këto ishin fjalët e fundit të gazetarit saudit Khashoggi, sipas një regjistrimi audio brenda konsullatës së Arabisë në Stamboll. 59-vjeçari u mbyt me një qese plastike, kurse trupi i tij u copëtua më pas. Gazetari turk Nazif Karaman, që ka bërë të ditura këto detaje, tha se vrasja zgjati rreth 7 minuta, sipas regjistrimeve.

Presidenti i Turqisë njoftoi të shtunën se regjistrimi audio nga brenda konsullatës lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, iu dërgua edhe Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Erdogan shtoi gjithashtu se mediat turke do të publikojnë disa momente nga regjistrimet që dokumentojnë çastet e fundit të gazetarit Khashoggi, që punonte si analist për prestigjiozen amerikane “Washington Post”.

Arabia Saudite, e cila pas zhdukjes së gazetarit mohonte të kishte gisht në ngjarje, deri tani ka arrestuar 18 persona për vrasjen e gazetarit, dhe ka shkarkuar 5 zyrtarë të lartë të qeverisë. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare kërkon ekstradimin në Turqi të të dyshuarve, pasi krimi ka ndodhur në territorin turk./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono