anxhela mecani

anxhela-mecani-1.jpg
G. P.15:18 | 29/06/2018

Trupi i 21-vjeçares, Anxhela Meçani, e cila dyshohet se është vrare në Itali ka mbërritur në Shqipëri. Familjarët e saj kërkojnë dënimin e autorit dhe zbardhjen e krimit.

Paraditen e së premtes ka mbërritur trupi i pajetë i Anxhela Meçanit pranë familjes në fshatin Baltëz të Fierit. 21-vjeçarja humbi jetën Torino të Italisë në fillim të këtij muaji. Mes lotëve e dhimbjes, familjarët falenderuan të gjithë ata që kontribuan për sjelljen në shtëpi të trupit të vajzës. Të afërmit e viktimës kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.

“Deri në organet më të larta do ta ndjek ccështjen, derisa të marrë drejtësi”.

Sipas mediave italiane, nga autopsia rezultoi se e reja përpara se të hidhej nga makina nuk është dhunuar nga ndonjë person. Megjithatë hetimet vazhdojnë për zbardhjen e  rrethanave dhe motivit pse u vra 21-vjeçarja, Anxhela Meçani./abcnews.al

anxhela-mecani.jpg
G. P.09:32 | 16/06/2018

Në Itali një 63-vjeçar italian u ndalua nga policia e vendit fqinj, nën dyshimin se mund të ketë lidhje me vrasjen e 20-vjeçares shqiptare, Anxhela Meçani. Kjo e fundit, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nuk është hedhur nga makina në ecje e sipër pasi është rrahur, por është aksidentuar nga një automjet.

Disa orë marrje në pyetje të një 63-vjeçari italian nuk ishin aq të mbara për policinë e vendit fqinj, që po heton prej gati 1 javë vrasjen e një 20-vjeçarje shqiptare, e dyshuar se shfrytëzohej si punëtore e seksit. Ndalimi dhe marrja në pyetje për disa orë i një 63-vjeçari italian nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara nga hetuesit italianë në provincën e Cuneos.

Ai u ndalua pasi dyshohet se është klienti i fundit i Anxhela Meçanit, 20-vjeçarja shqiptare, e cila u gjet në gjendje kritike orët e para të së dielës në Torino dhe ndërroi jetë 13 orë më vonë në spital. Zhvillimet e papritura erdhen pasi agjentët e policisë shoqëruan një burrë në Fossano për ta marrë në pyetje. Sipas Corriere della Sera, makina e tij Mercedes u sekuestrua dhe iu nënshtrua disa inspektimeve, për të kuptuar nëse është ai mjeti me të cilin u përplas për vdekje e reja shqiptare.

Por pas një nate të tërë të kaluar në polici, 63-vjeçari është lënë i lirë, pasi për momentin mësohet se autoritetet italiane nuk kanë mundur të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për arrestimin e tij. Falë tabulateve telefonike dhe pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë në rrugë, hetuesit mbërritën tek 63-vjeçari në Fossano. Megjithatë, të paktën për momentin duket se nuk ka ende prova që ta bëjnë këtë të fundit përgjegjësin kryesor të vrasjes së shqiptares.

Hetimet tashmë vijojnë për të kuptuar rolin që ka pasur 63-vjeçari në këtë krim.Ndryshe nga sa u dyshua në fillim, se 20-vjeçarja shqiptare u dhunua barbarisht dhe më pas u hodh në rrugë nga një makinë në ecje, rezultatet e autopsisë kanë hedhur poshtë të dyja këto versione.

Sipas mjekut ligjor, e reja është përplasur nga një automjet, që më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kjo shpjegon edhe frakturat e shumta të gjetura në trupin e së resë, që duket se janë bërë nga përplasja, e jo nga dhuna dhe hedhja në rrugë./abcnews.al

FAMILJARET-E-ANXHELES-1280x720.jpg
G. P.17:00 | 13/06/2018

Në Baltëz të Fierit, familja Meçani pret e përcjell njerëz për vdekjen e vajzës së tyre, e cila u gjet e masakruar në rrugë në Itali. Ata kërkojnë ndihmë, që trupi i 20-vjeçares të vijë në Shqipëri, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Familjarët e Anxhela Meçanit nga Baltza e Fierit kërkojnë drejtësi për vajzën e tyre të vrarë barbarisht në Itali.

Babai i 20-vjeçares dhe gjyshi i saj i kërkojnë ndihmë shtetit për të sjellë trupin e vajzës në Shqipëri.

” Vajza të vijë Shqipëri, të vijë këtu, nuk duhet ta varrosnim atje”.

Lajmin e dhimbshëm ata e kanë marrë nga mediat. Kërkojnë të zbardhet ngjarja dhe autorët të marrin dënimin.

“Arsyeja, hedhja, a u hodh vetë a të tjerët, ajo ishte dërrmuar nga pjesët e brendshme të trupit, sipas mjekut”.

Shqiptarja ndërroi jetë në spital në Itali, ku sipas mjekëve, viktima kishte dëmtime në organet e brendshme, si pasojë e hedhjes në rrugë nga makina, por jo vetëm, pasi në trup kishte shenja goditje./abcnews.al

shqiptarja12.jpg
G. P.12:00 | 12/06/2018

U rrah barbarisht dhe më pas u hodh nga një makinë në ecje në rrugët e Torinos. Anxhela Meçani, prostituta 20-vjeçare me origjinë nga Shqipëria vdiq në spital, ku shkoi në gjendje kritike për jetën. Ishte një shofer që e gjeti vajzën në rrugë dhe për rastin po heton policia e Piemontes.

E reja kishte jetuar për disa vite në Ravenna, megjithatë ajo rezultonte banore atje që prej Majit, pas martesës me një italian.

Pikërisht në Ravenna, në një apartament në rrugën Cairoli jeton ende Massimiliano, bashkëshorti i saj me origjinë nga Lecce, me të cilin po ndahej.

“Nuk dija asgjë. Unë dhe Anxhela ishim ndarë prej disa muajsh. Ajo kishte ikur nga shtëpia, kishte marrë këtë vendim dhe unë e kisha respektuar”.

Meçani, përpara se të transferohej në Piemonte duket se kishte jetuar disa vjet në Ravenna. Me Massimilianon, shumë më i madh në moshë se ajo, ishte njohur në një lokal, në vitin 2015.

Nga një flirt i thjeshtë, marrëdhënia e tyre ishte bërë e rregullt. U kurorëzua me një martesë Shkurtin e shkuar, por që mori fund në pak javë. Në Maj ajo kishte ikur. Bashkëshorti rendit disa arsye për fundin e kësaj martese, sherre për shkaqe sentimentale, por edhe për faktin se ai lëvizte kudo që gjente punë, ndërsa ajo nuk e pranonte diçka të tillë.

“Erdha këtu për punë, hapa një kompani të re, por nuk shkoi mirë. Tani punoj si kuzhinier sezonal”, tregon burri për mediat italiane.

Pasditen e së hënës, Massimiliano telefonoi partnerin e ri të 20-vjeçares, pa ditur asgjë se çfarë kishte ndodhur. “Më tha vetëm që nuk mund të fliste, që ishte në polici dhe se e kishin vrarë”.

“Fillimisht mendova një aksident. Ishte prostitutë? Jo për sa kisha unë dijeni. Kur rrinte me mua në Ravenna, nuk kam kuptuar kurrë asgjë. Pas kësaj nuk di se çfarë mund të ketë bërë”, thotë Massimiliano, ndërsa më pas shton: “Ishte një vajzë gjithnjë e qeshur. Nuk meritonte këtë fund, ishte kaq e re…”

Ndërsa duke iu referuar vrasjes së mundshme, ai thotë se kushdo që ka bërë diçka të tillë është një fundërrinë. “Mund të zihesh, por nuk mund të arrish të vrasësh dikë në atë mënyrë. Vetëm mendimi për t’i bërë keq dikujt është prej injoranti dhe barbari. Për fat të keq kjo shoqëri po shkon drejt kësaj rruge…”

Anxhela kishte mbushur 20 vjeç në Mars. Ajo kishte me vete vetëm një celular dhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit. Në polici ekziston vetëm një fotografi e saj, pjesë e dokumenteve për kërkesën e bërë për lejen e qëndrimit.

Ndërkohë në Torino policia ka marrë në pyetje disa persona të lidhur me viktimën, në përpjekje për të krijuar një identikit të autorit të mundshëm të vrasjes së saj./tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono