anulim

haradinaj.jpg
G. P.15:18 | 12/09/2019

Kosova ka anuluar pjesëmarrjen e planifikuar në Samitin i Pragës, mes katër shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shkak për këtë u bënë deklaratat e presidentit çek Zeman kundër njohjes së pavarësisë së vendit.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nuk do të marrë pjesë në samitin e Pragës. Në këtë samit marrin pjesë katër shtete të Vishengradit dhe shtete e Ballkanit Perëndimor. Haradinaj anulimin për pjesëmarrje në këtë samit e ka arsyetuar me procesin zgjedhor në Kosovë.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit. Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeministrit të Çekisë,  Andrej Babis, për ftesën për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lart përkushtimin e Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.

Dje Agjencia Çeke e Lajmeve, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike, ka shkruar se refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e së enjtes, vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të presidentit çek, Milosh Zeman.

Zeman javën e kaluar ka deklaruar se dëshiron t’i diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të njëjtën deklaratë Zeman e ka përsëritur edhe dje gjatë qëndrimit në Beograd ku tha se brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës./ABC News Albania 24/7

parlamenti-holandez-1.jpg
G. P.17:26 | 16/04/2019

Dhoma e dytë e përfaqësuesve në parlamentin e Hollandës ka votuar në shumicë pro mocionit të pesë grupeve parlamentare për të rikthyer vizat për qytetarët e Shqipërisë. Vendimi erdhi pas shqetësimeve të deputetëve hollandezë për rritje të konsiderueshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në këtë vend. Vendimi u konformua edhe nga ambasada e Hollandës në Shqipëri, e cila thotë se qeveria po shqyrton hapat që do ndërmarrë, por për momentin lëvizja e lirë e shqiptarëve nuk cënohet.

Parlamenti Holandës miratoi mocionin e paraqitur  në emër të 5 grupeve Parlamentare, për të anuluar udhëtimin pa viza për shtetasit shqiptarë në Zonën Shengen. Miratimi është publikuar në faqen e parlamentit hollandez, ndërsa 9 partitë që mbështetën mocionin kanë së bashku 105 vota, nga 150 deputetë që ka dhoma e dytë e përfaqësuesve. Vota pro e detyron parlamentin që t’i kërkojë qeverisë së Holandës t’i propozojë Komisionit Evropian inicimin e procedurës dhe “frenimit emergjent”, i cili mundëson pezullimin e udhëtimit pa viza. Më datë 11 prill në parlamentin holandez pati debate mbi këtë mocion, i cili siguroi mbështetjen e shumicës. Propozimi për pezullimin e vizave për shqiptarët në “Shengen” ka ardhur pasi deputetët holandezë kanë shprehur shqetësimin se ka pasur një rritje të konsiderueshme në aktivitetet kriminale nga mafia shqiptare në Holandë dhe këto organizata kriminale po abuzojnë me mundësinë e udhëtimit nëpër Evropë pa viza, duke zgjeruar më tej rrjetin e tyre të kontrabandës.

Ambasada e Hollandës në Tiranë në një postim në Facebook konfirmon se qeverisë hollandeze i është kërkuar nga parlamenti i saj të kërkojë pezullimin e mekanizmit të regjimit pa viza për Shqipërinë. Për momentin, thuhet në sqarimin e ambasadës, qeveria është duke shqyrtuar hapat të cilat duhet të ndërmarrë. “Për momentin, politika e vizave për udhëtimin drejt Hollandës nuk ka ndryshuar. Nënshtetasit shqiptarë, mbajtës të një pashaporte biometrike, mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh.”, përfundon njoftimi i ambasadës së Hollandës në Shqipëri.

/abcnews.al

ff.jpg
G. P.20:25 | 23/12/2018

Ligji i arsimit të lartë është shkaktari kryesor i situatës në universitetet publike në vend. Kështu mendojnë 51 pedagogë të fakultetit të Historisë e Filologjisë, që kanë firmosur një peticion, ku kërkojnë shfuqizimin e atij ligji.

Pedagogë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës e shohin ligjin për Arsimin e Lartë si shkakun kryesor për gjendjen ku ndodhet Universiteti, gjendje për të cilën studentët kanë nisur bojkotin e mësimit prej 6 Dhjetorit të këtij viti.

51 pedagogë kanë firmosur një peticion. Në listën me 5 pika, ata kërkojnë abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, garantimin e të drejtave të studentëve, krijimin e një Këshilli Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit për të mundësuar daljen nga kriza aktuale, hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, lirimin e mjediseve të zaptuara në fakultete, si dhe financimin e kampusit të ri universitar që sipas pedagogëve duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.

Kërkesat e pedagogëve:
1. Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
2. Garantimin e të drejtave të studentit, të cilat me ligjin aktual janë të shkelura.
3. Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
4. Nxjerrjen e përgjegjësive për zënien e mjediseve universitare dhe marrjen e masave për lirimin e tyre, si dhe financimin e kampusit të ri universitar, i cili duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.
5. Hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë.

Më herët ishin pedagogë të Shkencave Sociale që dolën në mbështetje të protestës së studentëve dhe kërkuan ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë. Kjo kërkesë parashtrua kryeministrit edhe në takimin e para pak ditëve me studentë e pedagogë të arkitekturës, por përgjigjia e tij ishte e qartë se mangësitë nuk janë te ligji, por tek zbatimi i tij./abcnews.al

parlamenti.jpg
G. P.10:29 | 13/12/2018

Zhvendosja e protestës së studentëve përballë parlamentit ka detyruar opozitën të lërë mënjanë bojkotin. Ajo u përfaqësua me tetë deputetë, Luçiano Boçi, Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaci nga Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI kërkoi miratimin e dy amendamenteve shtesë në buxhetin për arsimin e lartë.

Kejdi Mehmetaj: “Ne kemi propozuar dy projektligje, njëri për të ndërhyrë në buxhetin e vitin 2019 duke dyfishuar zërat për arsimin universitar, duke dyfishuar zërin për kërkimin shkencor dhe duke krijuar një fond emergjence për t’i nxjerrë studentët nga ajo gjendje e mjerueshme që ndodhet në konviktet e qytetit Studenti, ku mungon uji, ngrohtësia, pra mungojnë kushtet bazike për të jetuar e jo më për të studiuar. Nga ana tjetër kemi bërë një propozim për disa ndryshime në ligjin për arsimin e lartë”.

Propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rritjen e buxhetit për arsimin mund të shërojnë gripin e stinës, por nuk mund të shërojnë dimrin kanceroz që ka pushtuar universitetet shqiptare tha deputeti demokrat Luçiano Boçi.

Luçiano Boçi: “Ne jemi për abrogimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. E kemi thënë që në vigjilje të miratimit të tij, sepse nga këtu nis e keqja. Jemi për zëvendësimin e tij me një ligj që i përshtatet studentëve, që i jep zhvillim arsimit, që garanton me ligj shkurtimin e tarifave, që garanton me ligj autonominë reale universitare, që garanton me ligj rolin thelbësor që kërkojnë sot studentët dhe ju nuk ia jepni, dhe nuk doni t’ia jepni. Ky është qëndrimi ynë dhe është i saktë dhe i prerë”.

Qëndrimin kundër deputeti Boçi e shprehu edhe me një gjest Duke hedhur në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, ligjin e Arsimit të Lartë. Përgjigjen ia dha kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.

Taulant Balla: “Dua ta them troç në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste: Të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një për një. Mirëpo jo me dialog me ju, por me dialog me ata që meritojnë të gjithë respektin e këtij Kuvendi e këtij kombi, studentët që sot janë në protestë”.

Një pyeteje e ka për Lëvizjen Socialiste për integrim që i kërkon ndryshime në buxhetin për arsimin e lartë.

Taulant Balla: “Si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit, kur buxheti është te Ilir Meta? Buxheti sot është te Ilir Meta, nuk është në Kuvend. Është te Presidenti i Republikës. Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje.  28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit”.

Të tilla deklarata janë tallje që nuk tregojnë gatishmërinë për t’i dhënë zgjidhje protestës së studentëve sipas deputetëve të lëvizjes socialiste për integrim.

Petrit Vasili:Ky parlament ka bërë dhe ka ndryshuar Kushtetuta brenda natës. Po këtu kanë qenë zotninjtë që e kanë bërë këtë punë pa iu dridhur qerpiku fare. Kanë duartrokitur e janë hedhur përpjetë. Atje janë mijëra djem e vajza që në radhë të parë nuk kanë nevojë të dëgjojnë monologje, por kanë nevojë për zgjidhje dhe këto zgjidhje janë këtu në këtë sallë. Kush do të ikë nga këto zgjidhje do të marrë përgjegjësinë para tyre”.

Luan Rama: “Protesta e studentëve, revolta e studentëve në thelb është treguesi më i mirë i produktit politik të të gjithë klasës politike të këtij vendi në 27 vjet dhe është produkti më akuzues i qeverisjes së këtij vendi që do të thotë të gjithë ne këtu pavarësiht ngjyrave politike që përfaqësojmë duhet të ndihemi të turpëruar, të ulim kokën dhe t’u kërkojmë ndjesë atyre studentë dhe të harrojmë për një çast se çfarë mandati partiak kemi këtu për t’u ngritur të paktën në nivelin e qytetarisë, të kulturës dhe të rezistencës së atyre studentëve atje”.

Mazhoranca i rrëzoi propozimet e bëra publike nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por dy ministrat e kabinetit qeveritar kishin përgatitur t’i jepnin një lloj zgjidhje disa prej kërkesave të studentëve.

Lindita Nikolla: Lindita Nikolla dil nga ministria, të kanë ardhur studentët, jo ushtria. Thërritën, studentët, unë dola nga Ministria sepse nuk e kam fare të vështirë,  kam punuar si të ishte dita e fundit dhe për të mos turpëruar asnjë mësues dhe asnjë që më besoi mua.

Arben Ahmetaj: “Të gjithë kërkojnë ta shfrytëzojnë protestën e studentëve. Të gjithë kërkojnë q të nxjerrin gështenjat me zjarr që në fakt djeg Shqipërinë dhe nuk sjell asnjë përfitim aq më tepër për studentët. Kjo qeveri nuk do as të shfrytëzojë, as të fikë, as të ndezë. Është fokusuar të një dialog për të zgjidhur problemet”.

Deklaratat e të dyja krahëve të politikës nuk e bindin deputeten demokrate Rudina Hajdari. Pjesëmarrja në këtë seancë plenare ishte zgjedhja e saj personale të cilin e sqaroi nga foltorja e parlamentit nga ku i bëri thirrje edhe deputetëve të Partisë Demokratike të lënë mënjanë bojkotin e të përfaqësojnë studentët në sallën e vendimmarrjeve.

Rudina Hajdari: “Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu. Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend”.

Deklaratat nuk prodhuan ndryshim të axhendës së parlamentit. Opozita u largua ndërsa mazhoranca u mor me diskutimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës./abcnews.al

MALI-I-ZI-SERBIA.mpg_snapshot_00.23-1280x720.jpg
G. P.20:15 | 29/11/2018

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, kërkon anulimin e vendimeve me të cilat malazezët u shpallën në mnyrë të njëanshme – serbë. Gjithashtu ai ka komentuar edhe pakënaqësinë e kryeministrit të Maqedonisë me faktin se si Shqipëria, Mali i Zi e Serbia lejuan kalimin nëpër territore të tyre të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Dushko Markovic, kryeministër i Malit të Zi: “Parlamenti malazez, pas njëqindvjetësh, pritet të shfuqizojë vendimet e të ashtuqjaturit “Kuvend i Podgoricës” me të cilat nëntorin e vitit 1918 Mali i Zi iu “bashkua” Serbisë dhe pushoi së qenuri shtet. Një ndër prijësit e këtij Kuvendi, atë botë pati deklaruar se që nga ai moment “ne më nuk jemi malazezë, por serbë”.

Para tre vjetësh, forcat proserbe në Mal të Zi, u përpoqën, por pa sukses të ringjallin “Kuvendin historik të Podgoricës” si një përpjekje për të penguar hyrjen e Malit të Zi në NATO dhe shkëputjen e këtij shteti nga orbita ruse e serbe. Sot, forcat politike, përfshirë dhe ato shqiptare, i vlerësojnë vendimet e para një shekulli, si një instrument grushtshteti. Kryeministri malazez, Dushko Markovic, ka komentuar të mërkurën reagimet kryesisht negative nga qarqe serbe në Beograd lidhur me këtë përvjetor. Në një intervistë për televizionin shtetëror, Markovic tha se po ngrenë krye oponentët historikë të ekzistimit të Malit të Zi që, tha ai, është ngritur në një vend me potencial, shoqëror, politik e të sigurisë:

“Me të vërtetë nuk do të lejojmë, me të vërtetë nuk do të lejojmë, që shteti ynë, interesi dhe identiteti ynë kombëtar, të ndërtohet nga jashtë. Ai do të krijohet në Mal të Zi. Ne e kuptojmë se Serbia ka probleme serioze edhe me Kosovën, edhe me Kroacinë, në njëfarë mënyre, edhe me Bosnjë e Hercegovinën. Ne promovojmë dialog dhe mirëkuptim,”– tha kryeministri malazez duke shtuar se vendi i tij nuk është armik i askujt, por nuk do të lëshojë pe përpara asnjë kërcënimi ndaj dinjitetit kombëtar e shtetëror.

Kreu i qeverisë malazeze ka komentuar edhe habinë e paradoditshme të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, se si është e mundur që vende, mike të Maqedonisë, lejuan arratisjen nëpër territoret e tyre të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

“Unë me të vërtet me kolegun Zaev kam marrëdhënie miqësore dhe në vend të përgjigjes do ta pyesja miqësisht mikun tim Zaev: Si mundi të lejojë Maqedonia jonë mike që Gruevski të braktisë Maqedoninë, sepse ky nuk është detyrim i vendeve tona por i vendit të tij,”– ka deklaruar kryeministri malazez duke vlerësuar se Gruevski ka kaluar nëpër Mal të Zi në mënyrë plotësisht të ligjshme, me dokumente personale që ka poseduar dhe në momentin e hyrjes për të nuk ka pasur fletarrest. Zaev është mirë të merret me çështjen pse dhe si e braktisi Gruevski Maqedoninë, pse vendimi për fletarrest nuk u mor me kohë dhe si hyri ai në një vend-anëtar të BE-së – pa pasaportë, – ka pyetur kryeministri i Malit të Zi gjatë një interviste për televizionin shtetëror në Podgoricë./Klan Macedonia/

dacic.jpg
G. P.15:18 | 12/10/2018

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Beogradit që të ndalojë fushatën për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Serbia prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, të anulojnë vendimin për njohjen e pavarësisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, përsëriti se një nga objektivat e tij është që numrin e njohjeve ta cojë nga 116 që është aktualisht, nën 96.

Ndërkohë Daçiç në një intervistë të fundit për një televizion serb u ankua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar që të ndalojë këtë fushatë. Kjo me arsyetimin se pala serbe po punon kundër dialogut me Kosovën.

Sipas ministrit të Jashtëm serb kjo kërkesë atij i është bërë gjatë vizitës në Nju Jork ku ndodhej me kryeministren e vendit Ana Brnabiç./abcnews.al

ANULOHET-POMPEO-MBULIM-ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.20-1280x720.jpg
G. P.11:50 | 25/08/2018

Presidenti Donald Trump tha se ka udhëzuar sekretarin e shtetit Mike Pompeo që ta shtyjë një vizitë te planifikuar për në Korenë e Veriut, me arsyen se përparimi i bërë për çnuklearizimin është i pamjaftueshëm.

Trump tha në një koment në Twitter se beson që Kina nuk po ndihmon në përpjekjet për të frenuar Korenë e Veriut, për shkak të rritjes së presionit amerikan ndaj Pekinit për çështjet tregtare. Të enjten, sekretari Pompeo emëroi të dërguarin e tij të posaçëm për Korenë e Veriut dhe tha se të dy do të zhvillonin një vizitë në këtë vend javën e ardhshme.

Por tashme kjo vizitë duket e anuluar me urdhër të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Sipas disa vlerësimeve të pavarura, Koreja e Veriut në fakt po e shton aktivitetin bërthamor./abcnews.al

trump-dhe-kim.jpg
G. P.16:08 | 24/05/2018

Rikthimi i retorikës armiqësore mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara ka bërë që Presidenti Donald Trump të anulojë takimin e parashikuar në qershor me Kim Jong-un. Vendimin e tij Trump ia ka komunikuar liderit korean përmes një letre.

Presidenti Donald Trump nuk do të takohet me liderin koreano-verior Kim Jong-un muajin e ardhshëm, në atë që shihej si një samit historik. Vendimin e tij për t’u tërhequr nga takimi, Trump ia ka komunikuar kreut të regjimit korean përmes një letre dërguar atij, të publikuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë mezi prisja të takohesha me ju. Për fat të keq, bazuar në qëndrimet armiqësore të shprehura në deklaratat tuaja të fundit, mendoj se është e papërshtatshme, të paktën për tani, të mbajmë takimin e planifikuar”, ka thënë Trump në letër.

Prandaj, ka vijuar Presidenti, le të shërbejë kjo letër si një tregues se takimi në të mirë të dy palëve, por në dëm të botës nuk do të mbahet. Trump dhe Kim do të takoheshin më 12 Qershor në Singapor, në atë që do të ishte takimi i parë kokë më kokë mes një presidenti amerikan dhe një lideri koreano-verior.

Trump u tërhoq nga samiti pasi zëvendës ministrja koreane e Punëve të Jashtme ofendoi zëvendës presidentin amerikan Mike Pence, duke e quajtur një “derdimen politik”. Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mbetën të irrituar nga kjo deklaratë dhe kishin në plan të reagonin me forcë, bën të ditur CNN që citon burime të afërta me situatën.

Rasti në fjalë, por edhe të tjera në dëm të Pence është ajo çfarë ka lodhur administratën amerikane, e cila mëngjesin e së enjtes përgatiti përgjigjen e saj. Të mërkurën Uashingtoni kërkoi bisedime shtesë me përfaqësues të Penianit për të patur garanci se vendi do të realizojë asgjësimin e materialit bërthamor përpara samitit.

Por disa orë më vonë, pas deklaratës së Pence se Korenë e pret një skenar libian nëse nuk pranon kushtin, regjimi deklaroi se është gati për një përballje bërthamore nëse dialogu me Shtetet e Bashkuara dështon./abcnews.al

kosova-mali-i-zi.jpg
G. P.15:05 | 01/04/2018

Kandidati i opozitës për President të Malit të Zi, Marko Milaçiç, do të kërkojë anulimin e njhjes së pavarësisë së Kosovës nëse ai bëhet President. Madje Milaçiç gjatë një tubimi në Berane tha se qeveria malazeze manipuloi popullin për këtë çështje. E njëjta gjë, sipas mendimit të tij, u zhvillua në rastin e futjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe hyrjes në NATO. Ndërkohë, zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi do të mbahen më 15 Prill, ku do të garojnë shtatë kandidatë. Ndër to është dhe ish-kreu i shtetit Milo Gjukanoviç, i cili shikohet ndër favoritët për fitimin e këtyre zgjedhjeve./abcnews.al

vlcsnap-error226-1-1280x720.jpg
G. P.16:39 | 08/02/2018

Artistët përmes një peticioni me 74 firma, mes të cilëve edhe aktori i mirënjohur, Robert Ndrenika, i kanë kërkuar takim ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në Teatrin Kombëtar. Qëllimi kryesor i artistëve është anulimi i projektligjit për artin dhe kulturën, me pretendimin se cënon pavarësinë e e institucioneve dhe nga ana tjetër, ata kërkojne që Teatri Kombëtar të mos zhvendoset tek “Turbina”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono