amir rrahmani

Kumbulla-Rrahmani-e1581705676145.jpg
Igli Nikolli19:17 | 14/02/2020

Hellas Verona po kalon një moment të jashtëzakonshëm në kampionat, aty ku nuk humbet prej 8 ndeshjesh. Ekipi i rikthyer këtë vit në Serie A renditet në vend të gjashtë dhe dyshja Rrahmani-Kumbulla po shkëlqejnë me paraqitjet e tyre.

Mbrojtësi dardan, Amir Rrahmani do të transferohet në fund të sezonit te Napoli, por ai është i përqendruar për të mbyllur sa më mirë sezonin me Veronën. 25-vjeçari sqaron situatën e bukur që po kalon në një deklaratë për L’Arena, teksa nuk i kursen elozhet për Marash Kumbullën.

Nuk pati ndonjë festë të veçantë pas fitores me Juventusin, thjesht përjetuam një gëzim të madh. Të dielën në mëngjes ishim të gjithë të përqendruar te ndeshja me Udinesen. Objektivi ynë mbetet qëndrimi në Serie A, më pas do mendojmë për gjëra të tjera.

“Unë dua të afirmohem në Serie A dhe të shënoj gola. Kam pasur disa mundësi, por nuk ia kam dalë. Jam i bindur që goli do të vijë, herët apo vonë. Ndihem mirë me shokët e skuadrës, kemi krijuar një grup shumë të mirë. Marrëdhënie më të veçanta kam me Kumbullën, Radunovic dhe Gunter.

Në Kosovë vazhdojnë të shkruajnë se transferimi im te Napoli është më i shtrenjti i historisë së futbollit të vendit tim. Unë nuk e mbaj mendjen aty. Deri në qershor jam një futbollist i Veronës dhe jam krenar që vesh këtë fanellë. Jam i vendosur për ta mbyllur sa më mirë sezonin. Kumbulla si De Ligt? Sigurisht, ndoshta edhe më i fortë se holandezi“, përfundon Rrahmani. /abcnews.al

Rrahmani-Amir.jpg
Igli Nikolli16:43 | 07/02/2020

Verona vazhdon të luajë bukur, fort dhe të mos humbasë. Ekipi i rikthyer këtë sezon në Serie A nuk humbet prej shtatë ndeshjesh dhe nesër do të tentojë të frenojë edhe Juventusin. Ivan Juric ka komentuar situatën e Amir Rrahmanit në konferencë për shtyp, aty ku nuk i kursen batutat. Kapiteni i Kosovës do të luajë me Napolin në sezonin e ardhshëm, por kjo nuk po pengon të vazhdojë me paraqitjet pozitive.

Rrahmani tregoi edhe kundër Lazios se do të japë gjithmonë maksimumin? Jam i bindur që lojtarët që kanë firmosur me skuadra të tjera, kanë motive të tjera nëse luajnë keq. Nuk ka lidhje me faktin që do të largohen në fund të sezonit. Jam shumë i qetë në këtë aspekt.

Nuk do t’i kushtojmë ndonjë rëndësi ekstra markimit të Ronaldos. Ku do ta aktivizoja veten nëse do të ishte mundësia për të luajtur ndaj Juventusit? Në pankinë (qesh). I kma bërë një premtim lojtarëve.

Nëse arrijmë të sigurojmë qëndrimin në Serie A në javën e fundit, do i nxjerr të gjithë për darkë. Nuk ndryshon asgjë nëse e arrijmë objektivin edhe më parë, rëndësi ka që të arrijmë qëndrimin në elitë sa më shpejt“, thekson trajneri i ekipit surprizë të këtij sezoni. /abcnews.al

Rrahmani-Amir.jpg
Igli Nikolli21:32 | 31/01/2020

Luciano Moggi ka analizuar merkaton e Napolit për 7 Gold. Ish-administratori i deleguar i Juventusit, me një eksperiencë të shkurtër te Partizani, ndalet te blerja e Amir Rrahmanit, i cili do të transferohet në verë tek ekipi i Gattusos.

Italiani i njohur e vlerëson kapitenin e Kosovës, pavarësisht se gabon në krahasimin e bërë me Ardian Ismajlin, mbrojtësin e Hajdukut të Splitit. Ky i fundit erdhi në kombëtaren kuqezi, pasi Rrahmani u largua te Kosova.

Mendoj se Rrahmani është një mbrojtës i mirë. Disa lojtarë fitojnë vlerë në një kontekst të caktuar. Dhe të mendosh që Rrahmani, në kombëtaren shqiptare, humbi postin e titullarit nga Ismajli, një lojtar që ka vlerë më të vogël“, thekson Moggi. /abcnews.al

Verona.jpg
Igli Nikolli16:58 | 26/01/2020

Verona vijon momentin pozitiv dhe sot siguroi fitoren e radhës. Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani u aktivizuan si titullarë në sfidën shtëpiake që ekipi i tyre fitoi 3-0 kundër Lecces. Pawel Dawidowicz dhe Matteo Pessina shënuan në pjesën e parë me kokë, ndërsa Pazzini vulosi fitoren me “tris” në minutat e fundit.

Ndeshja e pestë pa humbje për Veronën që ngjitet në vend të nëntë me 29 pikë, teksa reparti i mbrojtjes vazhdon me paraqitje fantastike dhe është defensiva e tretë më e mirë në Serie A.

Feston edhe Parma e Kastriot Dermakut. Ekipi emilian mposhti në fushën e vet 2-0 Udinesen falë golave të Gagliolos dhe Kulusevskit, ndërsa mbrojtësi i kombëtares shqiptare u hodh në fushë në minutën e 73-të nga trajneri D’Aversa.

Pa gola u mbyll sfida tjetër mes Sampdorias dhe Sassuolos. Miqtë luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 26-të, por djemtë e Ranierit nuk e shfrytëzuan këtë mundësi dhe morën vetëm një pikë. /abcnews.al

Rrahmani-1.jpg
Igli Nikolli16:54 | 21/01/2020

Amir Rrahmani do të luajë me Napolin sezonin e ardhshëm dhe ky është një lajm i mirë për të dhe agjentin e tij. Adrian Aliaj tregohet i sinqertë në prononcimin e dhënë për Radio Punto Nuovo, flet me superlativa për Cristiano Giuntolin, drejtorin sportiv të Napolit, dhe tregon se cila skemë është më e mira për 25-vjeçarin.

Mbrojtësi i Hellas Verona është paraqitur shumë mirë në aventurën e tij të parë në Serie A dhe Napoli nxitoi për të siguruar shërbimet e tij për shumën e 14 milion eurove.

Nuk e prisja kaq shpejt një interesim të ndonjë klubi të madh për Amirin. Ekzistonte një plan për t’u rritur e përmirësuar te Verona, por nuk hezituam aspak kur erdhi oferta e Napolit. Nuk mund të refuzohet një klub i tillë.

Është një privilegj për lojtarin dhe ne si agjentë transferimi te ky ekip. Rrahmanin e donin edhe skuadra të tjera, por komplimente Giuntolit (drejtori sportiv i Napolit) që u tregua korrekt dhe i respektueshëm.

Është një person i mirë dhe me cilësi, e respektoj shumë, sepse e mbajti fjalën dhe bëri atë që na kishte premtuar. Roli? Rrahmani nuk ka problem për të luajtur në mbrojtjen me katër. E bën edhe te Kosova, aty ku është kapiten i skuadrës. E shoh më mirë në mbrojtjen me katër sesa në atë me tre. Ai është gati për këtë aventurë“, përfundon Adrian Aliaj. /abcnews.al

 

Adrian Aliaj
Rrahmani-1.jpg
Igli Nikolli14:43 | 20/01/2020

Akordi ishte arritur prej ditësh, madje Amir Rrahmani kreu vizitat mjekësore, teksa pak çaste më parë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Mbrojtësi dardan do të mbyllë sezonin me Hellas Veronën dhe në verë do të vijojë aventurën e re me ekipin e Gattusos.

Napoli dhe Verona ka publikuar në faqet e tyre zyrtare marrëveshjen mes palëve. “Napoli lajmëron se ka siguruar shërbimet e Amir Rrahmanit dhe në të njëjtën kohë e ka huazuar atë te Hellas Verona deri në 30 qershor të vitit 2020“, lexohet në komunikatën e nënkampionëve të Italisë.

Hellas Verona komunikon se ka shitur Amir Rrahmanin te Napoli. 25-vjeçari kosovar do të qëndrojë përkohësisht me ekipin tonë deri në fund të sezonit“, shkruhet në deklaratën zyrtare të klubit italian. /abcnews.al

Rrahmani-e1579251042496.jpg
Vladimir Prenga21:15 | 17/01/2020

Amir Rrahmani do të kalojë te skuadra e Napolit në verë. Qendërmbrojtësi, pas gjashtë muajsh në Serie A ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, por ka qenë klubi i financuar nga Aurelio Di Laurentiis ai që ka bërë ofertën e duhur dhe e ka bërë tijin futbollistin dardan.

Paraditen e sotme ai ka kryer vizitat mjekësore dhe i ka kaluar me sukses, ndërkohë që mediat italiane njoftojnë se tashmë ka ardhur edhe firma në kontratë. Përfitime të mëdha për lojtarin, si dhe për klubin e Hellas Verona, që në verë shpenzoi 2 milion euro për kartonin e tij.

Verdheblutë përfitojnë 14 milion euro nga shitja e Rrahmanit, i cili me Napolin ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025. Këto 6 muaj ai do të jetë pjesë e Hellas Verona në huazim, ndërkohë që te Napoli rroga i bëhet 1.8 milion euro në sezon. /abcnews.al

Rrahmani-Amir.jpg
Igli Nikolli10:16 | 14/01/2020

Amir Rrahmani po zhvillon një sezon shumë të mirë me Hellas Veronën dhe Napoli ka përfituar për të siguruar shërbimet e lojtarit dardan. Nënkampionët e Italisë kanë arritur marrëveshjen me Veronën për shërbimet e mbrojtësit 25-vjeçar.

Siç u lajmërua edhe dje nga mediet italiane, kapiteni i Kosovës do të kryejë vizitat mjekësore ditën e sotme. Corriere dello Sport raporton se akordi final është arritur për shumën e 12 milionë euro + 2 milionë të tjera në formë bonusesh. Rrahmani do të mbyllë sezonin me Veronën dhe do të transferohet tek ekipi i Gattusos në verë.

Qendërmbrojtësi po zhvillon sezonin e parë në Serie A dhe deri tani numëron 19 ndeshje. Shumë ndërhyrje të pastra dhe vetëm dy kartonë të verdhë të marrë nga Rrahmani këtë sezon, një statistikë që tregon kualitetin që zotëron dhe rritjen e jashtëzakonshme. /abcnews.al

Balo.png
Igli Nikolli19:59 | 13/01/2020

Gennaro Gattuso pret dhurata nga merkato dhe drejtuesit e Napolit po lëvizin në këtë drejtim. Klub italian siguroi shërbimet e Diego Demme nga Leipzig dhe 28-vjeçari do të përforcojë repartin e mesfushës.

Akord ka edhe me Stanislav Lobotka. Mesfushori defensiv ka kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe pritet vetëm zyrtarizimi i tij. Tani është radha e Amir Rrahmanit. Napoli do të paguajë 14 milionë euro në arkat e Veronës për kapitenin e Kosovës.

Mediet italiane raportojnë se qendërmbrojtësi do të kryejë vizitat mjekësore ditën e martë dhe më pas do të rikthehet sërish te Verona. Dy klubet kanë rënë dakord që Rrahmani ta mbyllë këtë sezon tek ekipi aktual për të nisur në verë aventurën e re me Napolin. /abcnews.al

rrahmani.jpg
Vladimir Prenga23:47 | 10/01/2020

Ardian Aliaj nuk i është ndarë futbollit. Tashmë ai po merret me menaxhim futbollistësh dhe kohët e fundit ka regjistruar disa lëvizje pozitive. Ndër operacionet më të suksesshme është transferimi i Amir Rrahmanit në Itali dhe tanimë kalimi nga Hellas Verona tek Napoli.

Aliaj e thotë hapur që është mbyllur gjithçkaje: “Është vetëm ana teknike që ka mbetur për t’u mbyllur. Napoli e ndjek prej kohësh dhe le të themi se ishte proces tremujor që erdhëm deri këtu sot. Mendojmë ta finalizojmë zyrtarisht javën tjetër, por mund të them se Rrahmani është një lojtar i Napolit”.

“Të vish deri në këtë nivel që Napoli të hedhë sytë për ty, është kënaqësi për lojtarin dhe për mua si menaxher. Suksesin ndoshta nuk e prisnim kaq shpejt, por është rrugë e vështirë. Rrahmani do të jetë zyrtarisht i Napolit nga janari, por do të vazhdojë në huazim te Verona deri në fund të sezonit.

Kontrata është 5-vjeçare, lojtari është i kënaqur dhe kushtet janë optimale. Në të gjithë aspektet jemi të gjithë të kënaqur. Verona sidomos është e kënaqur që e bleu lojtarin 2 milionë euro dhe e shiti gati 15 milionë euro pas vetëm 3 muajsh”, shton Aliaj për Supersport.

Ish-futbollisti i kombëtares flet edhe për Odise Roshin, i cili është pjesë e Akhmat Grozny në Rusi: “Roshin duam ta largojmë nga Rusia, kemi një interes, ende jo ofertë, nga një klub i Primera Division. Nuk është në situatë komode në La Liga, janë disa situata të vështira, por u pëlqen shumë lojtari”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono