ambicie

erion-veliaj-abc.jpg
nev ila21:53 | 25/04/2019

Mbrëmje në ABC ka patur të ftuar Erion Veliajn kryetarin e bashkisë Tiranë. Kryebashkiaku ka deklaruar se nuk aspiron, në një të ardhme, postin e kryeministrit ashtu si ka ndodhur me paraardhësit e tij. Veliaj gjithashtu ka bërë me dije se nuk ka më asnjë marrëdhënie me Monika Kryemadhin dhe se zërat që qarkullonin për një krisje të marrëdhënies së tij me Kryeministrin Rama ishin një dëshirë e opozitës.

Mirela Milori: Keni deklaruar dikur se marrëdhënia juaj me Ramën është si mishi me thoin, ka qenë gjithmonë kështu sepse duket sikur marrëdhënia juaj ka patur ca re vende-vende?

Erion Veliaj: Kam përshtypjen që kanë qënë forma dëshirore të fansave tanë të opozitës që shpresën e tyre të fundit e kishin tek këto cic-micet. Kjo dëshirë e tyre nuk është e vërtetë, por komplet e kundërta. Marrëdhënia ime me Ramën është e shkëlqyer. Ne zgjohemi në mëngjes me mendjen se si ta bëjmë këtë qytet dhe Shqipërinë sa më mirë për shqiptarët dhe si mund të eci ky vend më përpara.

Mirela Milori: Si e keni marrëdhënien me Monika Kryemadhin?

Erion Veliaj: S’kam asnjë marrëdhënie me Monika Kryemadhin, kanë vite që nuk vijnë në Këshillin Bashkiak, nuk kanë çuar asnjë punë deri në fund, nuk kanë firmosur ndihmat ekonomike, pagesat për aftësitë e kufizuara, është zgjedhja e tyre kështu që nuk kam ndonjë komunikim.

Mirela Milori: 3 mandatet që aspironi duken si rruga më e mirë për tu bërë Kryeministër, e shihni në një të ardhme veten si kryeministër, e keni ambicie politike?

Erion Veliaj: Jo nuk kam asnjë ambicie të tillë, jam i bekuar që jam Kryebashkiaku i Tiranës. Ndryshimi i Tiranës i jep Shqipërisë një model se si mund të bëhen gjërat më mirë. Shqipëria ka një superkryeministër./abcnews.al

kim-putin-1.jpg
G. P.23:08 | 24/04/2019

Në takimin me presidentin Putin, lideri koreano-verior Kim Jong Un mund të ketë përpara një mundësi të artë për të shtrirë interesat e tij diplomatike dhe ekonomike. Kim mund të përpiqet të ulë ndikimin e Uashingtonit në bisedimet për çështjen bërthamore dhe varësinë ekonomike nga Kina, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë të enjten, por nuk kanë në plan të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, apo të bëjnë ndonjë deklaratë të përbashkët. Vizita e liderit koreano-verior në fqinjin verior vjen në një kohë kur bisedimet mes Penianit dhe Uashingtonit për çarmatosjen bërthamore kanë ngecur.

Takimi i Hanoit mes Donald Trump dhe Kim përfundoi pa një marrëveshje, me dy palët që kishin qëndrime të kundërta në lidhje me sanksionet amerikane, lehtësimi i të cilave do të ishte një hap përpara në çarmatosjen bërthamore.

Tani, analistët spekulojnë se takimi i Kim me Putin mund të jetë një mënyrë për liderin e vendit aziatik të parashtrojë opsionet e tij diplomatike jashtë panelit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Sipas CNN, Peniani mund të shpresojë për mbështetjen e Rusisë në presionet ndaj Uashingtonit për të lehtësuar sanksionet, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se do të hiqen vetëm atëherë kur Korea e Veriut të heqë dorë nga programet bërthamore.

Gjithashtu, Peniani mund të kërkojë të zbusë vartësinë ekonomike nga Pekini, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut. Në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur të shqetësuara nga takimi Kim-Putin.

“Amerika dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të njëjtin qëllim: çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të Koresë së Veriut”, ka deklaruar një zëdhënës.

Kim Jong Un mbërriti në Vladivostok të Rusisë paraditen e së mërkurës, në bordin e trenit të tij të blinduar, i shoqëruar nga një dyzinë truprojash./abcnews.al

bushati-1280x691.jpg
ent ela16:19 | 26/01/2019

Pasi la përfundimisht detyrën e ministrit, Ditmir Bushati kthehet në bazë, pikërisht aty ku u zgjodh deputet, në Shkodër. Bushati ka zhvilluar një takim më strukturat e Partisë Socialiste por nuk i është shmangur interesit të gazetarëve në lidhje me zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019.

Në një kohë kur në Shkodër kanë nisur të lakohen emrat për kandidat për kryetar Bashkie, Ditmir Bushati ish-ministri i Jashtëm thotë se  “nuk kam asnjë ambicie lokale”!

Bushati foli për kriteret e kandidaturave dhe se PS është në proces konsultimi për përzgjedhjen e tyre..

“Natyrisht që do të ketë një kriter dhe do bëjmë sondazhe me opinionin publik. Jemi në proces konsultimi edhe me anëtarësinë e Kryesisë për të përzgjedhur jo vetëm një kandidat apo kandidate fituese, por edhe për një ekip të këshilltarëve të bashkisë Shkodër”.

Në takimin me strukturat e PS-së së Shkodrës pervec Ditmit Bushattit, ishte e pranishme edhe ish zv/kryeministrja Senida Mesi, e cila është e përfolur si një nga kandidaturat kryesore për Kryetare të Bashkisë Shkodër.Deri më tani një ambicje e tillë nuk është mohuar nga Mesi. Kurse nga ana tjetër PD pritet të rikandoj në këtë post Voltana Ademin dhe pse nga selia blu po lakohen emrat e deputetëve si Romeo Gurakuqi apo edhe Bardh Spahija./abcnews.al

turqia-1.png
G. P.23:25 | 23/10/2018

Turqia ka vendosur t’i bëjë kontrast ambicieve të Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale. Pas paralajmërimeve të ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, Ankaraja zyrtare ka deklaruar se do të përdorë edhe opsionin ushtarak për të mbrojtur interesat e saj.

Turqia paralajmëroi të martën Greqinë se nuk do të tolerojë ndryshimin e kufirit detar të saj, duke shkaktuar menjëherë një reagim të Athinës, që deklaroi se do të vendosë vetë se si të ushtrojë të drejtën e sovranitetit. Deklaratat nga të dyja palët erdhën pak ditë pasi ish-ministri i Jashtëm grek deklaroi se Greqia kishte në plan të zgjeronte ujërat e saj territoriale deri në 12 milje në perëndim të saj.

Ujërat territoriale janë një çështje e ndjeshme mes dy fqinjëve dhe aleatëve në NATO, që ndahen nga deti Egje dhe që ndërkohë kontestojnë hapësirën ajrore mbi Qipron e ndarë etnikisht dhe të drejtën për kontrollin e pasurive natyrore. Ankaraja zyrtare paralajmëroi se nuk do ta përjashtojë opsionin ushtarak për të mbrojtur interesat e saj.

“Është e pamundur të tolerohen hapa të tillë në një kohë kur nuk ka një marrëveshje dypalëshe që përcakton kufijtë e të dyja vendeve”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoj.

Ndërsa homologu i tij në Athinë tha se të drejtat e Greqisë nuk do të diktohen nga palë të treta.

“Zgjerimi i zonës bregdetare është një e drejtë ligjore dhe sovrane e pamohueshme e Greqisë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme helene.

Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, që dha dorëheqjen javën e kaluar, deklaroi të shtunën se Athina ka në plan të zgjerojë ujërat e saj territoriale në detin Jon, një lëvizje që sipas tij nuk i prek ujërat e detit Egje, në brigjet lindore dhe jugore të Greqisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono